Monday 26 November 2012

NUK DO TË GJESH KURRË NJË ATDHE TJETËR....

Nuk do të gjesh kurrë një Atdhe tjetër…

Përsiatje rreth librit “Atdhe’ tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj

 1-Atë ditë    në Tiranë mbritën eshtrat e ish mbretit, vdekur mote  të shkuara, nuk e di se ku,  atë ditë, tek unë në Sarandë, mbriti shpirti i shkrimtarit Faruk Myrtaj, që jeton në mërgim. Nuk e ndoqa dot fatin e eshtrave të të vdekurit, se në duar më përpëlitej shpirti i të gjallit. Një shpirt i plandosur e i palosur në dyqint e ca faqe të  librit “Atdhe’ tjetër”, që më rrëndonte në duar e në shpirt  gjer në shpinë-e-shpirt-kërrusje, nga pesha e dhimbjes që mbartëte (qënka dhimbje ikja). Një libër ku  çdo rresht i shkruar, kullonte mall e lotë, përzier dhimshuri e brengë. Dhe një dashuri, që valëvitej  mbi direkun e bashkëtingëllores  “t” ,të    fjalës “atdhe”. Dashuri për këtë atdhe, që e braktisi, bashkë me qindramijra, në kërkim të një atdheu tjetër...
2-Miku im, që pive helmin e kurbetit.Pije gjer në fund kupën me helm ekzili,  se nuk do gjesh kurrë një Atdhe tjetër. Sado të trishtohesh apo… të fërkosh sytë që të djegin njomshëm.  Nuk do ta leshë dot në atdheun e vetë mërzinë. Do ta marrësh me vete, si xhaketën. Edhe zhgënjimin e madh, sepse i besove edhe ato që  shkrove dhe lexove, duke bërë kështu edhe ti gabimin e tyt eti.
3-Do gjesh një vend  që do të sigurojë mirëqënie, do të japë  punë e  shtëpi, libra (jo vetëm Amerika by Kafka), do keshe fqinjë që do të ftojnë për drekë, të cilën do ta paguash vetë, (iku, iku Selenica),  fqinjë ,që do thonë të zemëruar…Kush dreqin ua dha adresën time…(krejt ndryshe nga vendlindja jote, ku i thoshje mikut edhe në telefon që…po s’gjete njeri në shtëpi, çelësin e portës e ke te vazoja e luleve.)...do keshë vetminë, si tokë të premtuar për krijuesin, dhe kohë të tepërt me tepricë, por , miku im… ky nuk është atdheu.
4-Atdheu është  aty larg dhe ecën si ai treni i ngadalshëm, nga mund të zbresësh prej vagonit të fundit, të ndezësh cigarin te një këmbësor dhe të  hipësh sërish në të, në ecje e sipër. Fqinjët qeshin me këtë tren-atdhe dhe me ecjen e tij të ngadalëshme, por për ne, rëndësi ka që atdheu ecën. Ngadalë, por ecën përpara.( Sepse ka raste, miku im, që ky dreq tren-atdheu ecën edhe mbrapa, si në ’97 ).
Për ti shpejtuar ecjen në të përpjetën e demokracisë, shumë  bij   tij zbritën nga vagonët, i dolën përpara asaj dreq lokomotive, lidhën  litarë e kavo  në të dhe nisën ta tërheqin, lokomotivën e vagonat bashkë. Duke u bërë ata, njëfarë lokomotive e gjallë, që tërheq  drejt Europës këtë tren-atdhe. Kjo ska mbaruar,miku im me ambasadat dhe me ikjen përmbi telat me gjëmba të kloneve kufitare. Kjo vazhdon edhe sot, në ikjet me pasaporta biometrike.
Edhe ti, e ke lidhur kavon tënde te kjo lokomotivë, miku im, dhe e tërheq këtë tren, që kërcet me rrapëllimë. Pak, vërtet pak e tërheq. Por rëndësi ka që e tërheq. Shpesh herë këputet kavua, por ti nxiton të hedhësh e të lidhësh kavon tjetër.. Herë nga “Fjala e lirë” e herë nga PEN Klub Kanada. Dhe e tërheq, dhe e tërheq, ecën ti dhe atdheu pas teje, shpesh pa e kuptuar edhe vetë.  Ja, shiko pak veten si ecën, pak i kërrusur e pak i sforcuar. Nga tërheqja e kësaj kavoje mik, nga asgjë tjetër.
5-Nuk do gjesh  dot një atdhe tjetër.
Pavarësisht se  këtë atdheun tonë e kemi me dy emra, një për ta përdorur vetë e tjetrin për ta përdorur të huajtë. Ashtu siç është dhe ai shpendi në flamur, me dy krerë. Në atë flamurin e kuq, që  të parët tanë, kur shkonin të blenin bezen  mbi të cilën  Marigotë do të  qëndisnin shqiponjën , nuk i kërkonin shitësit thjeshtë një beze të kuqe, por i kërkonin një “rrobëgjaku”, duke nënkuptuar me këtë fjalë cilësinë më të mirë të bezes për qëllimin që duhej.
Atdheu duhet dashur edhe kur të vret, perifrazon   madhin Dhimitër..
Unë do të thoshja se nuk të vret atdheu, por ata që tentojnë të vrasin edhe atdheun, nga postet ku ulen, por le ta diskutojmë tjetër herë këtë temë.
6-Mund të të vrasë apo braktisë atdhe(kinse atdhetarët)u, por si mund të të vrasë apo braktisë mëmëdheu? A nuk e sheh se si mëmëdheu i mer në prehër bijtë e tij (madje dhe ata që tentojnë ta …shesin apo që e braktisin atëherë kur ka nevojë më shumë për ta), i përkund me ninulla e ligjërime, i mbulon me flokadën e jeshiltë apo të murmë, i mbron nga shiu e nga harimi. I bën pjesë të  qënies së saj.
Sepse është mëmë-dhe.
A të kujtohet si të mbante nëna në prehër netëve të dimrit, kur i ftohur në lodrat fëminore, të digjej balli nga temperature? A të kujtohet si të puthte ballin dhe të hiqte zjarrminë, duke të çliruar trupin nga ngërçi i dhimbjes.( Mos guxo t’i harosh këto çaste, miku im. Haro ç’të duash, psh , haro portofolin në  metro apo taksi, po jo këto çaste të perëndishme).
Në qoftë se kur shqipton fjalën “atdhe”, instiktivisht ngre kokën lart, krenarisht, trimërisht, a e ke vënë re se kur shqipton fjalën mëmëdhe, ndjen një dridhje në zemër. Sepse është nëna, miku im dhe nënën e duam dhe na dridhet zemra për të, edhe kur s’na vijnë letrat që ajo shkruan përditë për ne. Në qoftë se kemi diçka të bukur në jetën tonë, në qënien tonë, ta dishë mirë që këtë e kemi nga nënat.
7-Nuk do gjesh dot atdhe tjetër, miku im, se mëmëdhe tjetër s’gjen as në atë botë.
Mund të gjesh ndonjë ..baltëdhe… por jo si ajo balta më e ëmbël se mjalta…
Prandaj ….Atdheu duhet dashur edhe kur ikim prej tij…në emër të fëmijëve,
A e di që duke lexuar librin tënd, mendova se ishte pikërisht mëmëdheu, ai që ju këshilloi …ikni…të paktën shpëtoni fëmijët…  edhe sepse… atdheu është shumë i madh për tu ndjerë i braktisur prej një njeriu…
8-Sepse këtu, ne prej kohësh kishim mërguar prej të qënit njeri.
Jetonim si  …makineri të programuara. Kush dilte jashtë programit, si mbetej gjë tjetër, veçse të shkonte të fshihej pas ndonjë dallge.
9-Aty ku je, natën, i drobitur dhe i përmallur, do dalësh (ke dalur, në fakt) në gërxhet e internetit dhe do më sokëllish me emaile që nga larg…dërgomë një gur, dërgomë, ta vë jastëk ndënë kokë…se kam kaqë net që s’më zë gjumi…
Prandaj më dridheshin nëpër duar fletët e  librit tënd “Atdhe’ tjetër”, sepse  dridhej shpirti yt nëpër to, plot ankth e stress e mall përzier bashkë.
Ndajë po ta nis  këtë shkrim me urgjencë, si një gur a një grusht dhe, ta puthësh e të kërresh mallë…për të të thënë se,  nuk ke pse kërkon atdhe-mëmë-dhe tjetër, sepse e ke atdheun tënd, i cili të do dhe nuk të haron.
10-Edhe ne nuk të kemi haruar,  love you…të kemi xhan.
Në të gjitha gjuhët e botës, por shqip kryesisht.

                                                                                                          Timo Mërkuri


Friday 23 November 2012

EPOKA QË VERBON POETËT



Timo Mërkuri

Epoka
që verbon
poetët


Esse, analiza, opinione






PJESA E PARË


Kur qanin kuajt e Akilit

Përsiatje rreth librit
“Pse qanë kuajt e Akilit”
të Vaso Toles

1- Sa bukur qanë dhe …kuajt e Akilit!.

E kuptoj një farë hutimi të lexuesit, qysh te nëntitulli i këtij shkrimi, ku, jo vetëm që qëndrojnë pranë e pranë cilësori “bukur” me foljen “qanë”, por ca më tepër ky cilësor, që kudo e kurdo flet për shije, estetikë dhe finesë, këtë herë dëshmon për bukurinë e vajtimit, të këtij fenomeni, që qysh në emër, të kujton zinë dhe zezonën.
Përkundër hamendjes së përgjithshme për vajtimin, unë ju them se ka dhe ai bukurinë e tij, finesën dhe elegancën.
Të kuptohemi, nuk e kam fjalën këtu për shprehjet e zakonshme nëpër morte:
- Sa bukur e qau, sa mirë e vajtoi ...filania të ndjerin.  As për vargjet porositëse të vajtimit (më shumë debatuese ndërmjet vajtoreve), kur një vajtore porosit tjetrën me vargjet: -Qaje mirë (bukur) moj gushëbardhë/ Thuaja gjitha me radhë…
Ca më pak dua të flas, për bukurinë e pamohueshme të veprës madhore dhe …dokumentare të Homerit, aty ku ende dëgjohet …edhe vajtimi i kuajve të Akilit.
Unë dua të flas vërtet për bukurinë e vajtimit, si  fillesa e këngës iso-polifonike dhe e valles, si dhe për thellësinë e analizës që i ka bërë  atij (vajtimit) Vaso Tole,  te libri i tij “Pse qanë kuajt e Akilit”.
Ndonëse kuajt e Akilit, qanë vërtet mbi trupin e pajetë të Patroklit.
Qanë aq bukur, sa që u mallëngjye gjithë ajo ushtri vrastare, të cilën asnjë lloj vdekjeje nuk e prekte, sepse ajo ishte ushtri në luftë dhe kishte vetëm një mision, të mbillte vdekje kudo.
Edhe kali i Skënderbeut qau  mbi varrin e Kryezotit të Arbërit, duke parathënë zezonën që po i vinte kombit. Por ama dhe ky kal kryeheroi, qau derisa ngordhi dhe më pas asgjë nuk mbeti prej tij.
Krejt ndryshe është puna me nënat tona, që kanë qarë gjithë jetën, herë për burrat e herë për bijtë. Kanë qarë me lotë e me ligje, duke lënë…monumente nëpër ksodhe e nëpër kohë.
Kanë qarë e kanë mbetur të bukura edhe ashtu me lotët, që u rridhnin nëpër faqet e çjerrura dhe të gërricura deri në përgjakje.
Jemi mësuar të vëmë re, se si shtrembërohet e  “shëmtohet” fytyra e çdo njeriu, kur qan nga dhimbja e një plage, e një sëmundjeje, apo e një padrejtësie.
E pra, kjo nuk ndodh me nënat tona, vajtoret nëpër ksodhe. Ato, dhe ashtu të përlotura e të përgjakura nga  çjerrjet në fytyrë, kanë mbetur gjithsesi të bukura, ikona të dhemshurisë njerëzore. Ikona të shpresës së jetës; të shërimit të dhimbjeve e plagëve. Ndaj dhe në dhimbje klithim: - Oh moj nënë!
Kaq thellë ka hyrë në jetën tonë vajtimi me ligje i nënave tona vajtore, ai rënkim vaji i pambarim nëpër ksodhe, që identifikohet me gërmën “ë”, sa që jemi ndoshta i vetmi komb në botë, që e kemi mbartur këtë rënkim edhe te alfabeti. Vini re shqiptimin e gërmave të alfabetit të shqipes, p.sh bashkëtingëlloret b(ë)…c(ë)… t(ë),…m(ë),..n(ë) etj, të cilat përfundojnë me atë gërmën “ë”  rënkuese  të vajtoreve. E pra, popujt e tjerë kanë në shqiptim të alfabetit, zanore më “optimiste”( e-t,.. e-m,… e-n) dhe kjo ndoshta, është një dëshmi e moshës më të re të këtyre kombeve, në raport me kombin tonë. Por me këtë problem, le të merren specialistët përkatës.
Ne do të merremi me vajtimin.

2- Loti i shndërruar në …verë.

Të gjithë e kanë lexuar historinë e Krishtit, që e shndërroi ujin në verë në një dasëm. Me këtë, ai dëshmoi së pari, origjinën e tij si bir Perëndie, por serviri gjithashtu edhe verën si…magji jete.
Por nënat tona, të thjeshtat nënat tona, shndërruan në verë…lotin e derdhur nëpër morte.., atë lot, me të cilin lanë trupat e pajetë të të dashurve, bij e bija, prindër, bashkëshortë e të afërm. Sepse shqiptari, trupin e të ndjerit e respekton, si të ishte një altar perëndie dhe rreth tij e për të, ngre himne vajesh, të cilat shumë shpejt, shndërrohen në këngë.
Dëshmon Lukiani, të cilin e citon edhe autori, se trupin e të vdekurve….greku e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjiptiani e than.
Vetëm nënat shqiptare e shenjtërojnë trupin e të vdekurit, duke e mbuluar me vaje, ligjërime dhe gjestilacione, prej të cilave mbijnë këngët e vallet, që e përjetësojnë emrin dhe veprën e të vdekurit, më shumë dhe më bukur se çdo arkitekturë varrezash.
Dhe jo vetëm kaq, por këto vaje e ligjërime na dhanë një art, të cilin shumëkush na e ka zili, por që ne ende nuk ia dimë vlerën e vërtetë.
Dhe duke mos ia ditur këtë vlerë, duke e quajtur të “zakonshme e të përditëshme, mbeturinë e kohëve të shkuara” etj, në vend që të merremi me studime serioze dhe të evidentojmë vlerat reale të saj, e citojmë si me “turp”.
E pra, është njësoj si të kesh një diamant në dorë, të cilit duke mos ia ditur vlerën, aq më tepër që është edhe i përlyer me baltë, në vend që ta çosh te specialistët e duhur, ia jep fëmijës, i cili e përdor pafajësisht si gur llastiku për të vrarë zogj.
Dhe Vaso Tole na vërteton shkencërisht, se vajtimi me ligje është pikërisht ky diamant, nuk është thjesht një e qarë plakash dhe aq.

a-      Vajtimi ose e qara me botë, me ligje, nuk është vetëm një shfrim ndjenjash, një autoterapi, një nxjerrje  jashtë  trupit dhe sopirti, të vajtores e dhimbjes për ikjen e një  njeriu të dashur nga jeta.

b- Vajtimi me ligje, nuk është vetëm një prezantim i vlerave dhe meritave të të ndjerit para pjesmarësve në ksodh dhe as një rikujtim për ata, se tani që ai, mbartësi i këtyre meritave ka vdekur, të pranishmit do të vuajnë  mungesën e tij dhe të aftësive të tij për zgjidhjen e problemeve të jetës, së paku deri sa  të dalë një tjetër më i zoti se i ndjeri, ose së paku sa ai. E thënë sipas një vaji: “…sa të rritet djali e të bëhet burrë”.

c- Vajtimi me ligje, është një atelie monumentesh, sepse aty, nëpër vargjet e vajit, gdhendet figura e të ndjerit me një realizëm të pagabueshëm. Ky monument,  na paraqet jo vetëm figurën reale fizike të të ndjerit, shpesh edhe hollësitë e mezidukshme fizike, shtatin, flokët, ngjyrat e syve dhe të flokëve etj, por paraqet edhe  botën e tij shpirtërore, ëndrrat e shpresat etj.
Prej kësaj udhëton për te kënga, ky portret i gatshëm i heronjve e mendëtareve.

ç- Vajtimi me ligje, është një Akademi e Artit.
 Vajtimi me ligje, ka vajtoren kryesore, që mund ta quajmë “marrëse” me termin iso-polifonik, për vetë faktin, se është kryesorja që ligjëron tekstin e vajtimit. Roli i saj është primar, të gjitha janë të detyruara t’a respektojnë radhën dhe fjalëvargun e saj. Jo vetëm kaq, por prania e tyre është në shërbim të këtij vargvajtimi, duke e shoqëruar atë me një rënkim, gjë që krijon shtratin e “iso-s”. Grupi i vajtoreve, ka edhe “hedhësen” e “kthyesen”,  dhe sidomos grupin e mbajtëseve të “iso-s”, ato gra që rënkojnë me zë, që ia bëjnë “ë ë ë”.
Këto “role” janë provizore, për arsye se, në vajtimin tjetër del një tjetër vajtore në rolin e “marrëses”, apo “hedhëses” e “kthyeses”.
Dikush me siguri, duke lexuar këto radhë, do të kujtojë se unë u ngatërrova dhe nisa të flas për grupin iso-polifonik. Po ju sqaroj se, e kam fjalën për grupin  e vajtoreve. Është tjetër gjë pse grupi i vajtoreve të djeshme u shndërrua në një grup iso-polifonik sot. Por, sa të vinte te skenat e festivaleve folklorike të sotme, ai qëndroi me dinjitet te kori i teatrove antike, duke dhënë në këtë mënyrë, perlat artistike të antikitetit.
Lexoni me kujdes tragjeditë e antikitetit, strofat dhe apostrofat e korit dhe të korifeut, e unë ju siguroj, se do të  kujtoni se ndodheni në një ksodh, diku në Labëri apo Bregdet.
Dhe në qoftë se, ndonjë regjisori do t’i shkonte ndërmend, që tragjeditë antike t’i shoqëronte me muzikë, asgjë më mirë se kori i vajtoreve shqiptare, nuk do t’i shkonte asaj skene. Ose së paku, logatja e labërisë. Mos u përpiqni t’i shoqëroni me tjetër lloj muzike, se do të dështoni pa dyshim.

ç/1-  A e keni parë vallen e nuseve, ku nusia në krye të vargut të vajzave tund shaminë e bardhë, në një tundje lamtumire. Ajo i jep lamtumirën vajzërisë, sepse është nisur në një ikje pa kthim te kjo kohë e pafajësisë vajzërore. Sepse sido që të kthehet e kurdo që të kthehet, do të vijë si grua e jo si vajzë. E trishtueshme është ikja e vajzave nuse, shoqëruar gjithmonë me lotë. Dhe me atë shami të bardhë,  që tundet pa pushim në kujtesën tonë.
Por Vaso Tole, na thotë se ajo shami, para se të tundej në atë dasëm në shesh të fshatit, është tundur mbi kryet e një të porsavdekuri, në një mort, duke i dhënë lamtumirën shpirtit të tij, që po ikën në pakthim. Se sa për këngën që shoqëron atë ikje nusesh nëpër valle dhe që të provokon vetëm lotë e dënesa, ju siguroj unë që është “mot a’ mot” si vaji i ligjëruar dikur, diku, në një ksodh. Me shumë pak ndryshime….

ç/2-  Vaso Tole na flet për vallen e famshme pirike, që ka marrë emrin nga Piro Neptolemi, biri i Akilit. Unë nuk e di, nëse Piro Neptolemi e hoqi këtë valle rreth trupit të Akilit, sigurisht si akt ceremonial mortor, por unë ju them me siguri praktike, se vallja e rëndë e burrave, ajo valle që kërcehet sup më sup, e shoqëruar me këngën e fortë të valltarëve, nuk është gje tjetër, veçse “imitimi” i vajtimit të burrave në mortet e djeshme. Sepse, edhe burrat vajtonin me gjëmë e rrahje të gjoksit e madje dhe shkulje të flokëve.

ç/3- Zakonisht, vajtoret i japin porosi të ndjerit për  njerëzit e paravdekur dhe shpesh interpretojnë dhe dialog me të, ose me të vdekurit e mëparshëm, duke u bërë kështu, pararoja e tragjedive të lashta.

d- Vajtoret  janë  edhe  “redaktore të  rrepta” në vajet e njëra-tjetrës, pikërisht në momentin e përjetësimit të vlerave të njeriut që vajtohet. Në vajtim, asnjë nuk mund të mbivlerësojë meritat e të ndjerit, sado të afërm t’a ketë vajtorja, sepse vajtorja tjetër menjëherë e korrigjon, duke e “ulur” lavdinë e pamerituar. Dhe kjo bëhet shpesh edhe me sherr. “Hilet” e vlerësimit të njeriut, bëhen në gjallje të tij, por në mort i jipet vetëm haka reale. Kështu  shpjegohet fakti, që ndërsa kemi vajtime për rënie trimash në beteja, kemi edhe vajtime për ..rënie …hajdutësh në vjedhje e sipër.
Kështu, nëpër këto debate vajtoresh, ne gjejmë fillesat e dialogëve tragjikë të teatrove antikë.

e- Ligjërimet janë krijime të vërteta, shpesh në një nivel të paarritshëm artistik. Në këtë mënyrë, ato kanë shërbyer si fidanishte të artit tonë poetik, qoftë për nga tematika e këtij arti, qoftë edhe për faktin, se lëvruesit e parë të artit popullor në formën e bejteve dhe këngëve heroike, kanë qenë pikërisht vajtoret dhe vajtorët.

Tuesday 13 November 2012

Kur ikën një mik

KUR IKËN NJË MIK
 Timo Mërkuri


Qysh në orët e para të mëngjezit, Agim Mato më dha lajmin e hidhur , mësuar në fb, të ikjes së Daniel Gazulit!
Nuk e di pse, por e besova menjëherë këtë . Jo aqë nga toni serioz me të cilin mu tha, por  nuk di pse, vetë qënia ime e përthithi këtë  lajm dhe u vu në alarm nga helmi i tij, duke dëshmuar kështu vërtetësinë.
Unë do jem shumë i lumtur sikur të jem gabuar, sikur lajmi të jetë i rremë dhe do ju ftoja dhe juve në këtë lumturi timen, pa më shkuar ndërmënd tju kërkoj ndjesë  për lajthitjen.
Por lajmi është konfirmuar dhe  mua më rrëndon gjithnjë e më shumë fakti, që me këtë mik të  njohur në botën e letrave, nuk pata mundësi të takohem fizikisht. Sa herë unë udhëtoja drejt veriut, ai ishte jashtë shtetit, në shumicën e herëve, për  vizita mjekësore.
 Dhe nuk haronte që edhe prej andej të na dërgonte thesaret e kombit tonë apo të kulturës botërore,  të zbuluara prej tij nëpër arkivat europiane.
Nuk haronte të mirte me vete thesaret e botës zadrimore, nxjerrë na pellgu i harimit, ti lëmonte e ti pastronte nga myshku i kohës dhe i keqkuptimit dhe të na i dhuronte neve, nëpërmjet portaleve, për të parë si thyheshin dhe rezet e diellit në prizmet e tyre.
Ishte vërtet një minierë diturie, ky pinjoll i Gazullëve të famshëm. Ishte vërtet një det dashurie dhe humanizmi, ky bir i Zadrimës. 
Ishte dhe  miku im, ky mik që më iku dhe unë sot ndjehem i vetmuar, gjer në atë shkallë, sa që skam dëshirë të bisedoj me asnjë. Më mjafton, sot për sot, bashkëbisedimi i mrekullueshëm që kam te “Letërkembimi” me Daniel Gazulin. Prandaj nisa ta rilexoj atë. Prandaj nisa të rilexoj “Intervistë me Vajza të mira” të Danielit. Nisa të rilexoj email-et e shkëmbyera nëpër portalet në internet dhe mu bë sikur, pas tyre, Danieli më thoshte: Hajde pra, kjo ishte një shaka zadrime.
Por kripa e lengëshme që prodhoi poshte qepallave reaksioni i helmit të lajmit më thotë të vërtetën e ikjes fizike të mikut tim nga kjo botë, duke na lënë pas yllësinë e kujtimeve të ndritëshme të tij.
Ashtu siç ikën dielli në det, duke u lënë vendin yjeve, në qiell.
Një grusht yje të tillë, bashkë me dheun zadrimor, që aqë shumë e deshi, hedh dhe unë me këtë shkrim mbi vendprehjen e tij.
Lamtumirë miku im, që gjithsesi, nuk ikën nga zemra ime.

Friday 9 November 2012

LEXIMI IDENTITAR I MËRKURIT


LEXIMI IDENTITAR I MËRKURIT

Analizë

 
Nga Fatmir Terziu

100 vitet e Pavarësisë Timo Mërkuri i sjell në një kënd tjetër. Në një kënd që ravijëzon traumat epokale, mes fjalës së shkruar e të folur, mes një arti që në vetvete sjell norma të reja dhe të këndshme leximi tek “Epoka që verbon poetët”. Kjo epokë që sjell dritë në syrin e poetëve, dhe këtë dritë më tej e linçon metafora e verbërimit. Ajo verbëri në stilin tjetër të shkrimit që lexohet si traumë poetike. Trauma është në vetvete një eksperiencë troshane. Një arsye që të krijon trazira përshpirtjeje. Një dalldisje e brendshme e kërcënuar nga lotët që dalin dhe s’dalin. Dhe në gjithë këtë lëvizje metafizike, trupi është ai që i kapërcen të gjitha. Në një metafizikë të tillë janë vetë epokat. Po “Epoka që verbon poetët” e shkrimtarit, poetit dhe hulumtuesit sarandiot Timo Mërkuri, a është pjesë e kësaj metafizike? Pikërisht këtë do të sqarojmë për lexuesin e më gjerë në këtë analizë të cilën e shoh si një fragment lidhëzor në tranzitin e kohërave, epokës, eksperiencës, identitetit dhe teorisë kritike. Në librin më të ri të autorit trauma është një koncept jo i drejtpërdrejtë, por një nocion që varion dhe shfaqet mes vajit në një përsiatje rreth librit “Pse qanë kuajt e Akilit” të Vaso Toles, ose më saktë në një këndvështrim tejet adekuat të autorit Mërkuri. Sepse jo më kot Mërkuri e gjeti këtë perceptim të gjerë në mes dëshmisë së tij të hershme se “Përkundër hamendjes së përgjithshme për vajtimin, unë ju them se ka dhe ai bukurinë e tij, finesën dhe elegancën.” Pra vajtimi në letrat hulumtuese të Mërkurit, po aq edhe në këtë libër është, një traumë e lexuar artistikisht mes tradicionales në art-kulturën e popullit që diti të lexojë dhimbjen në art, por edhe në një kënd të veçantë, ku vetë vajtimi lexohet si art-kulturë.
Ndoshta mendohet që s’ka patur ndonjë këshillë apo ndonjë arsye për një fill të fijëzuar shkencërisht në këndin e vajtimit. Si i tillë ai nuk do të thotë se nuk ka qenë ‘i organizuar’ në sensin e tij më të qartë. Për këtë mjafton të shohësh e lexosh mendimin e Mërkurit që të plotësosh thelbin: “Kaq thellë ka hyrë në jetën tonë vajtimi me ligje i nënave tona vajtore, ai rënkim vaji i pambarim nëpër ksodhe, që identifikohet me gërmën “ë”, sa që jemi ndoshta i vetmi komb në botë, që e kemi mbartur këtë rënkim edhe te alfabeti. Vini re shqiptimin e gërmave të alfabetit të shqipes, p.sh bashkëtingëlloret b(ë)…c(ë)… t(ë),…m(ë),..n(ë) etj, të cilat përfundojnë me atë gërmën “ë”  rënkuese  të vajtoreve.”. Dhe kështu ‘Loti i shndërruar në …verë’ i Mërkurit mes gati njëzetë pikave na sqaron më së miri në këtë libër se loti i traumatizuar është një lidhje me Zotin dhe rrugën e tij, është brenda verës, brenda vetë kësaj lidhjeje në ‘një nivel të paarritshëm artistik’. 

Në këtë libër shqetësimi artistik i Mërkurit është edhe tek memorja, tek koncepti i saj që sjell pasqyrën e identitetit shqiptar. Ai me esenë e tij “Jan Kukuzeli nuk ka kënduar… labçe”, i kundërvihet teorive të dala në këto kohë, u jep përgjigjen e duhur studiuesve vendas dhe të huaj, kryesisht fqinjëve tanë, që në sferat e studiuesve të iso-polifonisë në veçanti dhe të këngës popullore në tërësi, ‘po qarkullon një tezë, e bukur dhe mikluese në dukje, por që për mendimin tim, jo vetëm që nuk qëndron, por është thjesht shtrembërim i së vërtetës, dhe si pasojë, është e dëmshme’. Sipas Mërkurit në këtë ese ‘Jan Kukuzeli, gjeni i kombit tim, shenjtor i ortodoksisë, emër që i bën nder vendit tim me gjeninë e tij…nuk ka kënduar …labçe.’ Arsyen ai e shpjegon në disa fakte argumentuese dhe më tej shton se Kukuzeli nuk është autori i iso-polifonisë, nuk është ai zhvillues i saj dhe as mbështetës i saj. Siaps tij ai është gjeni në …liturgjinë dhe në himnografinë  kishtare, por jo në iso-polifoni. Dhe smë qartë sipas autorit “Arsyeja që më detyroi të merresha me këtë temë, është fakti se, duke ia veshur Jan Kukuzelit meritën e lindjes, zhvillimit dhe përparimit të iso-polifonisë, bëhen disa shtrembërime të së vërtetës, që të çojnë në konkluzione të gabuara, dhe të dëmshme dhe më konkretisht.”
Shkallët e ndryshme të leximit të faktorëve traumatikë mes ikjes dhe ardhjes metafizike të gjerave në këmbim të miteve dhe identiteve autori i qartëson edhe tek një kritikë të detajuar në një ndalesë rreth librit “ Guri i rëndë në vend të vet”, të Kristo Çipës dhe grupit himarjot të drejtuar prej tij, “Në Himarë, ku dhe Zoti vjen i ftuar…”. Këto shkallë leximi ndihen edhe në trokamën e lehtë të penës së Mërkurit në gdhendjen e personazheve të lidhur me faktorë të identitetit, ku ai gjen Golik Jaupin, të cilin e cilëson ‘Gjenerali të Këngës Labe’. Është i tillë për Mërkurin në mjaft fakte, por me një arsye të fortë si kjo ‘I lindur në Bënçë, një fshat i vogël, ose më  saktë, një fshat sa një lagje …fshati, por që  talenti i  Golik Jaupit, ia rriti famën sa …shtatë vilajete’ e bën këtë një vatër të ngrohtë të memorjes që saktëson mjaft: “Nga të paktët artistë që i kthen me dinjitet borxhin ardheut të tij, duke prezantuar nëpër botë pranverën magjike të shpirtit të popullit. Dhe qetësisht vazhdon të jetojë në Bënçë, duke kullotur një tufë  bagëtish, kur mijëra të tjerë, që e kanë hijen e mëngjesit pak më të …vogël se një gërmë e emrit të tij,  jetojnë luksin e vilave. Të harruar, gjithsesi, ndërkohë që gjeneralin e kërkojnë çdo ditë e në çdo vend.”
Ndërsa pjesës së parë autori Mërkuri i ngjiz edhe një bisedë filozofike të lënë në mes më autorin e kësaj analize, ai kapërcen shkallën e parë dhe ia jep së dytës në një kapitull që nis me “Sa e bukur është gjuha jonë!” në një këndvështrim tejet të veçantë për librin poetik “Hojëza fryme” të Zimo Krutaj. Këtu shkalla lexuese e Timos largon padashje qëllimin dhe qëllimi mbin apriori në vetvete: “Që gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të vjetra të botës, për t’u bindur, mjafton të klikoni në Google, në andresën “Ëorld languages tree”, ku do t’ju shfaqet menjëherë e ashtuquajtura “Pema e gjuhëve”. Për të gjetur gjuhën shqipe, ju siguroj se nuk do të lodheni fare. Është një degë e vetme, ku gjelbërojnë dy gjethe, fare pranë rrënjëve indoevropiane të kësaj peme. Mbi të, kulpërohen plot degë e degëzime, shumica e tyre plot filiza në rritje e plot gjethe, që bëjnë hije me kurorën e tyre mbi të shkretën degë, me vetëm dy gjethe dialektesh të shqipes. Ama duke e parë aty, degë e parë, shumë afër rrënjëve në raport me të tjerat, befas kuptova se kjo “degë dygjethëshe”, shërben për t’u ngjitur lart, në kurorën e gjelbër dhe për të parë si janë “frutat e pemës” dhe si janë “foletë e zogjve” në këtë pemë...” Këtu në këtë hyrje të detajuar autori vërteton shkallët e tij përlexuese dhe na jep arysen e leximit mes Benjaminit të imazheve që kishin mbresë mes shkallëve përlexuese të Marcel Proust tek “A la recherche du temps perdu”.
Dhe jo më kot imazhet e Proust në leximin ndryshe të Mërkurit vijnë si një arsye mes çështjes, si një rend mes rendit të parendëzuar, ku trupi, objekti dhe shtëpia janë një me poetin. A nuk është i tillë edhe leximi i esesë “Shenjtërimi i shtëpive tona…dhe Niko Kacalidha?” Padyshim në një rjedhë të qartë dhe në një fushë të argumentuar, s’ka si të kuptohet ndryshe: “Dhe të vjen të thuash pas kësaj, natyrshëm e zëplotë; Mos vdeksh kurrë o Niko Kacalidha, se s’duroj dot të mbajë zi mullizeza/ në krye të kortezhit të përmortshëm të zogjve. Vërtet Niko, s’duroj dot të  çmenden zogjtë e lulet. Prandaj ulu e shkruaj akoma dhe lere vdekjen të presë te gardhi i poezisë. Të presë sa të thinjet. Me siguri do të mërzitet dhe do ikij për fare. Udhë e mbarë i qoftë! Se ne kemi shumë Fjalë të thëna në pranverë për të shkruar.” Janë këto imazhe pranverore që lidhin qetësinë shpirtërore mes shkalimit të traumës së brendshme dhe ikjes në zanafillë për të gjetur qetësinë, aty tek natyra me të cilën poeti kapërcen fate, kapërcen edhe trazimin në epokë. Trazimin që poeti e sheh artistikisht tek poeti, dhe me metaforën e tymin sjell vlerën artistike të poetit që gatuan me frymë. Është kjo frymë që i ngjizet poetit Tosku, për të cilin mërkuri shkruan “Xhelal Tosku ecën nëpër …tym” Dhe këtë imazhëri të tymtë artistikisht të qashtër e gjen në ndalesën rreth vëllimit   poetik “Tani për tani’’ të poetit Xhelal Tosku.
Teksa imazhet janë arsye në identitet, janë edhe ura lidhjeje në kultura dhe në qasje. Qasje që shpeshherë sjellin kënde gjykimi dhe ‘falsitete’ jete, që shfaqen qoshkave të errëta të artit por që ndriçojnë arsyen. Arsyen me të cilën “Të flasësh për betimin e rremë” që është një veçori e leximit të Timos rreth librit ‘’Betimi i Rremë’’    shkrimtarit Odise Kote. Më tej është kjo ndalesë ndryshe edhe në poezinë e një romani, ku Mërkuri i përkushtohet romanit “Çudia e ujqërve’’ të Kostandin Voglit. Identiteti dhe hulumtimi i tij është një grep i shtrenjtë i Mërkurit që lëviz në tërë hapësirën kombëtare dhe ku pikëtakon edhe metafora që flasin ndjeshëm si tëk “Drenusha që lëpin plagët” të cilën autori e sheh të dashuruar në diell, në një diell të plotë artistik. Këtë këndvështrim ai e zgjeron për poeten nga  Gjilani, Albina Idrizi. Është ky leximi mes tekstit të Mërkurit për Albinën, por edhe arsyeja e traumës së kthyer në identitet: “Kështu, ndërsa lexoja vëllimin e saj ‘’Dashuruar në diell’’ (Botim  Faik Konica, Prishtinë, 2010), para meje shfaqej një portret tejet njerëzor, me dhimbje  për plagët e saj dhe të njerëzve, të shkaktuara nga jeta e nga njerëzit. Një portret i plotë njerëzor.
Vajzë, grua, nënë e para së gjithash, njeri. Njeri që sheh gjithmon përpara, për të jetuar jetën, për të shpëtuar jetën dhe gjithë thesarin e saj njerëzor.” Këto fakte që Mërkuri i plotëson edhe me romanin “Hijet e kullave’’ të Albina Idrizit, apo edhe me shënimet rreth librit “Pergamenë e gjallë” të kësaj autoreje.
Memorja dhe po aq edhe historia si në art ashtu edhe në jetë radhit fate dhe trauma në detaje të ndryshme. Ndonjëherë jo adekuate në këtë lëmi trazimesh shpirtërore, jeta sjell edhe metafora ngjasie. Mërkuri i lexon ato tek “Bohem” ku gjen arsyen e dashurisë së një poeti me emër në trevën e Elbasanit, dhe këtë e bën mes  vëllimit “Bohem’’ të  poetit Millianov Kallupit. Sakaq në memorje është vetë jeta. Vetë dialektika qytetëse që trazohet nën fatin e qytetërimeve. Mes këtyre detajeve pena e mërkurit ndalet tek “Qytetaria e një poezie” që është një përsiatje rreth poezisë së Beatriçe Balliçit, përmbledhur në vëllimin “… ajo melodi e ne të dyve’’. Dionis Kola dhe dilemma midis prozës dhe poezisë është një përshëndetje e Mërkurit për librin “Një dolli për xhindët’’, ashtu siç është edhe një ndalesë kritike për “Fryjnë erëra” të Have Halitaj-Elezaj me esenë “Trëndafila dashurie mbi akull”.
Dhe kështu ngadalë trauma e kthyer në identitet në librin më të ri të Timos vjen si një ngjizje nga përkushtimi ndaj Sabit Idrizit. Autori në mesin e esesë së tij shkruan qartë si një lidhje për të tërën dhe ngjizjen artistike me faktorët determinues: “Pak kush e kupton shpirtin e poetit me atë oqean ëndrrash e shpresash të trazuara brenda tij. Ndoshta, ndoshta sepse poetët janë si profetët. Njerëzit e vegjël, preferojnë “Barabanë” hajdut e vrasës në vend të Krishtit profet. Prandaj e kryqëzuan në Golgota. Më pas e besuan dhe e kërkuan, por gjëma ishte bërë. Kam ca kohë që mendoj, se edhe Homerin, me siguri, ndonjë mbret do t’a ketë verbuar. Nga zilia për artin e tij, se ndonjë qese floriri për t’ia vjedhur, mos mendo se ka patur bardi i verbër. Ashtu si Sokratin e lashtë, që e dënuan të vetëhelmohej, vetëm se qe më i dituri i Athinës. Por cili fat i zi t’a verboi dhe ty gëzimin, duke të bërë shok fati me të pavdekshmit?”
Fati?! Ky fakt apo ndoshta një tjetër i ngjashëm në një identitet tejet kryeneç në memorjen e tij dhe në historinë e tij gjendet edhe teksa autori shprehet: “Tronditëse. Është si të pish një kupë me helm dhe të të  dridhet trupi nën efektin e tij...” në një ndalesë të detajuar rreth librit
Intervista me vajza të mira” të Daniel Gazullit. Dhe në pjesën e tretë të këtij libri autori nis të rrëmojë thellë në traumë, duke i shkruar një ‘Letër mikut tim Daniel Gazulli në Lezhë’. Më tej në vend të një replike është sërrish kumti mes identitetit, duke shtuar edhe retorikën e kërkimit të njohjes me emrin e ministrit, që plotësohet në vazhdim me ‘Aty ku s’jam…dërgoj zemrën time’ apo edhe me ‘Kadaresë: Një urim për ditëlindjen… nga Gjirokastra’ ku autori ka qenë i ftuar nga Shoqata ‘’Miqësia’’, Qendra e Medias ‘’Obelisk’’, me partner Shkollën e Mesme të Përgjithshme ‘’Asim Zeneli’’ Gjirokastër, të cilët organizuan në mjediset e  Hotel ‘’Çajupi’’, veprimtarinë–kokteil: -“Një urim për ditëlindjen’’, në kuadrin e 75 vjetorit të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në emër të  shoqatës  ‘’Krijuesit Jonianë’’ të qytetit të Sarandës, përshëndeta veprimtarinë me fjalën e mësipërme.
Ndërsa libri i Mërkurin merr retushimin e tij final në pasyrën e identetit shqiptar, 100 vjetori i Pavarësisë duket se i bën një kënd të veçantë llojit të vet, tipologjisë me të cilën mblidhen tre kapitujt, arsyes dhe logjikës me të cilën lexohet perceptimi i krijuesit, sidomos poetit shqiptar në anualin epokal. Në këtë lexim drejtimi identitar i Mërkurit është jo thjesht vlerë, por një çimentim idesh dhe faktorësh që ndriçojnë edhe në errësirën më të zullumtë të fateve që trazohen kripshëm mejhaneve të historisë dhe memorjes.

Monday 5 November 2012

E kam zili TIMO MERKURIN



KIÇO PAPA
 E KAM ZILI TIMO MËRKURIN

Reagim për shkrimin e Timo Mërkurit për  librin “Fundo” të Agim Matos



Atje ku isha qetesuar disi mbas takimit që pata në Sarande para ca ditësh dhe mbas disa vitesh me Agim Maton, vjen Timo Mërkuri, të cilin e njoh pak dhe jam pothuaj i sigurt që, ose nuk më njeh fare ose nuk më mban mënd dhe më krijon nje situatë të mrekullueshme, nje ngacmim cerebral që e dëshiron aq sa ujin në shkretëtirë.
Eshtë poet Timo Merkuri. Po është dhe hokatar, i sertë por i drejtë. I jep Cezarit atë që i takon Cezarit. Burri i botës, Timo Mërkuri, me merak dhe kujdes të veçantë nis e shtjellon poezinë e Agim Matos me vetinë e një kirurgu të ndërhyrjeve të imta, si tek enët e gjakut, psh. E në rregull, jonian është, jonianit do t’i shërbejë. Por jo! Timoja është piluriot dhe piluriotët bëjnë shaka po nuk tregtojnë lajka.
Kam disa vese por kam dhe nje vyrtyt:dua të vërtetën. Dua ta shpreh por e kërkoj dhe tek të tjerët. Po e them pra, e kam pak zili Timo Merkurin. Nga distanca dhe mosnjohja lexoi mendimet e mia.Dhe vetëm që konkludon tek unifikimi i poezisë së A. Matos me njeriun Agim Mato, do te thote qe njeh mirë si poezinë, ashtu dhe poetin. Nuk është e rastit qe Timo sjell pasazhe reale nga rinia e tyre. Ato janë fotografi bardhezi, ku mbi letër nuk eshte stampuar profili i një poeti po jeta dhe aspiratat e tij.
Agim Mato nuk shtiret, nuk poetizon. Nuk  e ngriti kurrë flamurin meskin të përfitimit material apo të fronësimit social, nuk është thjeshtë nje poet. Eshte poet qe do t’u jipte më tepër prestigj  antologjive të ndryshme se sa do përfitonte prej tyre. Nejse! Unë nuk jam as estet, as kritik. Këto janë punë të të tjerëve. Madje e shoh pak të diskutueshme këmbënguljen e disa miqve të mi për të më grupuar afër tyre si poet.
Une jam mik. Dhe mikut po i fole një fjalë të mirë për mikun, të ve në krye të shtëpisë. Nuk jam i sigurt nëse do shkruaj ndonjëherë për Agim Maton. Nuk ndihem akoma i aftë. Këto fjalë janë një falënderim për Timo Mërkurin që është poet dhe më krijoi, shpresoj se dhe te shumë të tjerë, një mrekullim.Unë krenohem, thjesht, që jam mik i Agim Matos.



Sunday 4 November 2012

Poeti që merr...fundo



POETI  QË MERR…FUNDO

Mbi  vëllimi poetik “Fundo” të poetit Agim Mato
  ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”

Nga Timo Mërkuri.


 1- Pak e dinë  se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë pas.  Arrestimi dhe dënimi politik i të jatit, i solli si pasojë  heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai  pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit,  solli një heshtje gati 30 vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..
Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë  brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …
Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë” , duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm
Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja  këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë  vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua  më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “  këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të  burgosuri politik”. Im atë     pyeste i merakosur  se…  “mos  do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që  s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se  para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime  e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ja mbushte shumë mendjen. Po ja që   një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.
I qetë, sikur nuk më pa mua, duke e lënë librin në tavolinë, gjasme fliste me vete, tha:
-Po ky budalla, pse nuk i enveros këto vjersha? Apo mos do që  të kalbet burgjeve, më keq se i jati?!
Unë heshta. Ishte hera e parë që e dëgjoja tim atë të fliste kështu dhe sidomos ishte hera e parë që e dëgjoja shprehjen “enveros”.
Dhe po ta thoshja, kush do ta besonte, se ky poet i shpallur “i deklasuar” e donte atdheun me shumë se ata që përbetoheshin për të  (…Lëndohem kur shoh se përditë bjeret  atdheu/…/dhe pse të tjerët përpiqen/ta mbushin zbrazësirën sadopak).

2-“Nocioni i foljes  së emërzuar fundo(nga fundos) krijon një mit…thotë Fatmir Terziu në parathënien e  këtij vëllimi poetik. Fatmiri ka shumë të drejtë në këtë konkluzion, se po  të lexosh me vëmëndje vëllimin poetik “Fundo” ideja nuk buron nga fjala “fund”, si psh “fundi i detit” por nga akti i fundosjes, psh “u fundos Titaniku”. Fatmiri ka të drejtë dhe në konkluzionin e krijimit të një miti nga kjo folje e emërzuar edhe duke parë figuracionin dhe kompozimin fantazmogorik të disa poezive të vëllimit,  por unë si bir i brigjeve joniane do tju flas nga një tjetër këndvështrim për “fundon”, këtë stil të notuari  dhe ca më shumë për këtë mënyrë të…jetuari dhe të krijuari.
a-Stili fundo  i të notuarit nënkupton të notuarit nën ujë, si peshqit, në mënyrë që të mos shihesh nga bregu. Kjo mënyrë  të notuari kërkon mushkëri të forta, që  të mbajnë sasi të madhe ajri,  të cilin e  lëshojnë atë  pak e nga pak gjatë notimit, duke lehtësuar kështu trysninë e peshës së ujit në trupin e notarit dhe  zgjatur në këtë mënyrë kohën e qëndrimit nën ujë të tij.
Nga ky stil noti ka lindur profesioni i polumbarit dhe paisjet e tij, të cilat më von ideuan  nëndetset.

b-Por ne, djemtë e brigjeve joniane, nuk e vrisnim shumë mëndjen për origjinën dhe produktet e këtij stili të notuari. Më e shumta që bëmë, është se brohoritëm te filmi “Beteja e Salaminës” momentin kur, notarët athiniotë notuan me stilin “fundo” poshtë anieve armike dhe me levat që kishin marë me vete , zbërthyen dërrasat  nënujëse të anieve, duke sjellur mbytjen e tyre.
Por ne nuk guxonim të bënim prova me aniet që ankoroheshin në molin e qytetit tonë.
Ne bënim gara kush notonte më gjatë e më larg, për të fituar simpatinë e vajzave të klasës apo për t’u kapardisur para shokëve, duke marrë (kështu e thoshnim ne, kështu e shkruan dhe Agimi) fundo…”Në adoloshencë mernim fundo/dhe rrëshqisnim mbi barin e funddetit/si tufa e peshqëve”,  kërkonim në fund të detit relike të luftës së fundit (shumë shokë kanë gjetur armë automatike), disa fatlumë nxirnin koralet magjike nga thellësitë gjersa një ditë…filluam të kapnim vajzat nga këmbët, duke i tërhequr në thellësi të detit, ku  ndonëse nën ujë, e ndjenim  lebetitjen e tyre të këndëshme apo edhe pritjen e tyre për këtë tërheqje në thellësi..Aty në thellësi hapeshin pinat dhe shihnim të vezullonin margaritarët  brenda tyre/si në pallate të koralta…
Po kur u afroheshim sirenave/duke mënjanuar meduzat/dallonim të habitur/fytyrat ëngjëllore të shoqeve tona…
Eh more Agim Mato, ç’na kujtove ato mote, ato mote të arta kur…Netëve ,gjumi na zinte sërish nëpër thellësira/duke shëtitur në qytetet e nënujëshme/së bashku me delfinët..
(Këto vargje mund ti kuptosh e ti ndjesh, vetëm  po qe se je rritur brigjeve të detit).

c-Po stili fundo ka shërbyer edhe për disa arratisje  spektakolare të bërë nga të rinj të guximshëm, duke notuar  fundo drejt ishullit grek të Korfuzit. Vetkuptohet që distanca ishte e madhe dhe nuk mund të përshkohej nën ujë, pa frymëmarje. Të nxirje kokën mbi ujë për frymëmarrje, rast pas rasti, ishte e rrezikëshme.  Për këtë arsye këta djem, mirnin kallama të gjatë, gati një metër, i pastronin nga brenda duke i shndruar në tuba, prej ku depërtonte ajri për frymëmarje dhe duke i mbajtur me dhëmbë të shtrënguara e buzë të puthitura në kallam, notonin nën ujë, në mënyrë që ana tjetër e kallamit të rrinte në sipërfaqe, duke siguruar frymarrjen.

Regjimi atëherë hapi legjendën e një snajperi të degës, i cili i godiste që nga bregu edhe këta  kallama, duke penguar kështu aratisjen e guximtarëve. Por me qënë se nuk u demaskua ndonjë notar i kapur gjatë këtyre tentativave, ato ditë kur…. Dallonim motoskafët që tërhiqnin pas trupat pa jetë/ të moshatarëve tanë/të bërë shosh nga plimbat…, u kuptua që ky ishte thjeshtë një bllof për të frikësuar  të pakënaqurit e regjimit që guxonin të arratiseshin.

3-Por poeti kurrë nuk tentoi të arratisej. Nuk e shkova ndërmënd  arratinë nga ky atdhe/prej guri,prej deti, prej telash me gjëmba/edhe atëherë kur ato do bëheshin vuajtjet e mia, burgimi im” tregon thjeshtë dhe dhimbshëm poeti. Madje ai  thotë  me një sinqeritet që të dhëmb …Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi/Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit/…/Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë
 Por ajo që ai nuk e thotë zëplotë është fakti se, në se nuk u arratis, ai jetoi fundo.
Nuk gaboj që e them këtë dhe do këmbngul edhe po qe se dikush do më kundërshtojë.
Parafytyroni pak, ju lutem një gjimnazist të bukur e çapkën, që nuk linte dy gurë bashkë,  e jo më të linte dy gërsheta vajzash pa i tundur befasisht dhe ngrohtësisht, nën  kinse qortimet e  tyre. Një djalë që lozte me yjet se gjithë bota ishte e tij.
Dhe befas, një ditë merr vesh se nuk do t’i jipej e drejta e studimit, se ai e paskësh biografinë të keqe dhe se bursën që i takonte atij, do ta mirte i biri apo e bija e filan nëpunësi, pikërisht ai ose ajo, që i lutej Agimit t’i bënte një hartim të bukur për të marë provimin e maturës.

a-Që nga ai moment, vetë Agimi filloi të jetojë i heshtur, të mënjanohej nga disa shokë, të përpiqej të binte sa më pak në sy, mundësisht të mos dukej fare, rrinte i vetmuar dhe i menduar, vetmi dhe mendim, të cilat falë talentit, shndroheshin në vargje. Filloi të jetojë  e të krijojë…fundo  në detin e madh të poezisë.
“Fillonin të na buçisnin veshët/nga të rahurat e  zemrës së madhe të detit”
Ilustrimi nga ana ime me vargun e mësipërm është metaforik, sepse vargu i përket pikërisht detit dhe trysnisë të peshës së tij mbi notarin, por unë ju ftoj të parafytyroni trysninë e sistemit mbi shpirtin e poetit, që të kuptoni heshtjen e tij.
Meqënëse arti poetik, me trysninë e tij, gati po i shpërthente “mushkëritë e krijimit”, ai filloi të lëshojë “bulëza ajri” për të lehtësuar këtë trysni. Filloi të botojë tek tuk poezi, të cilat tërhoqën vëmëndjen e kritikës së kohës.

b-Tashmë, poeti  nisi të jetonte si në një nëndetëse, nën ujë. Nxirte në shtyp ndonjë poezi, siç nxjerr nëndetësia periskopin mbi ujë, për të parë ku janë brigjet apo luftaniet  që e ndjekin. Po ja që ky dreq “periskopi poetik” reflektonte diell dhe tërhiqte  vëmëndjen e dikujt, vëmëndje e cila prodhonte ca qortime e disa masa nëpër organizatat e frontit.
Falë ngatërresës së pavetëdijëshme të dikujt, diku aty lart, u botua vëllimi i tij i parë poetik “Jug”, vëllim i cili hapi një shteg të ri në poezinë shqipe. Erdhi si dallgë deti dhe vëllimi i dytë poetik “Në prag të shtëpive tona” në vitin 1974.
Por kjo solli dhe tërheqjen përfundimisht të vëmëndjes mbi emrin e tij të disa organeve të specializuara, të cilat shpejtuan të ndërmerrnin veprimet e “duhura”  që u pasqyrua në një qarkore të Ministrisë së Arsimit e Kulturës së atëherëshme,  e cila urdhëronte heqjen e librave të tij  nga bibliotekat e libraritë, me udhëzimin për t’i mbledhur dhe çuar për karton.
Ishte koha kur…çdo centimetër  kub ajër që thithnim, qe i mbushur me fjalime…Jepeshin pretence dënimesh nën duartrokitjet… Ishte koha kur…lufta e ftohtë/na kishte ftohur/…si qirinjtë.

c-Le të lexojmë qysh në fillim të vëllimit  poezinë lemeritëse “Pres të iki nga ky trup”, ku nuk mund të lexosh, pa u dridhur, vargjet…Ç’u bë me këtë jetë/Tani jam një lypës/që u shtrin dorën proverbave./..Në mos sot,nesër, do ta le këtë trup./E kotë është/të ri brenda këtyre eshtrave/të kalçifikuara nga vitet,nga pritja/dhe hungërimat e censorëve të dikurshëm…dhe të kuptosh ndikimin në krijimtarinë e poetit të të jetuarit… fundo

4- Por në qoftë se Agimi jetoi …Fundo…, në mënyrë të dukëshme dhe publike (sepse privatisht fundo kemi jetuar të gjithë shqiptarët), merita e tij është se  në atë “fund deti” ai jetonte botën magjike joniane, plot perla e pina , me sirenat pranë vendbanimit të Poseidonit. Madje si pjesë e kësaj bote joniane, ai na magjepsi me shfaqien e tij befasuese (pas tridhjet vjet heshtjeje) me librin “Fundo”.

a-Rikthimi, me dy vëllimet e fundit “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, i Agimit, ishte si të ringrihej Titaniku  nga fundi i oqeanit e të vazhdonte udhëtimin, plot leshterikë e myshqe varur në kiç e në bash dhe llum funddeti në kuvertë. Por këta leshterikë e mushqe dhe ky llum funddeti mrekullisht kishte shkëlqimin dhe dritën e arit. Në qoftë se ne, të tromaksur  (shumë nga ne të mrekulluar) nga e papritura, prisnim plot frikë, që nga kabinat të na fanepseshin fantazmat e të mbyturve, ne na u mek fryma kur  pamë se ato qenë mbushur plot perla dhe korale magjike, poetike.
Por, që të marësh perlat, duhet të hapësh pinat, që të marësh koralet, duhet të dish notin …fundo. Siç e dinë  poetët e vërtetë që e duan poezinë.

 b-Për tu kuptuar bashkë, le të lexojmë poezinë “Llogara”:
Mjegullat flenë ditën në fund të Jonit, pranë anijeve antike të mbytura, në Gramata…A nuk të duket se edhe ti, i dashur lexues, del bashkë me mjegullën  nga fundi i Jonit, për tu ngjitur në Llogara, ku duhet të keshë kujdes sepse aty…Asnjë hap/s’mund të hedhësh sepse nuk dihet në ç’epokë bie…/se mos zgjon perënditë…
Le të vazhdojmë më tejë po në këtë poezi….Afër mengjesit,mjegullat zbresin sërish në Gramata/dhe lëshojnë vezët e tyre në fund të Jonit/si margaritarë në mes lëndinave të koraleve…
E pra miqtë e mi, Llogaraja është mal i lartë, por poezia  tingëllon si një  rahje krahësh  të pulëbardhave. Figurat  të “stërpikin” fytyrën  me cikla vale joni dhe ndjehesh sikur del e hyn dhe ti brenda detit, te gjiri i Gramatës.
Le të lexojmë miqësisht poezinë e bukur “Jon”: Një hap më tejë fillon gjithësia
thotë vargu i parë dhe ti e parafytyron veten në zgrip të një honi nënujor. Them të një honi nënujor dhe jo të një honi malor, sepse edhe vargu i dytë ta përforcon këtë ide dhe madje të shpie në një botë magjike, gati të kthyer përmbys tek lexon…Pranë meje,palombarë që ngjiten në qiell/astronautë që cekin fundin e oqeaneve…
Dhe si për tu shfajësuar për këtë përmbysje kokëposhtë, poeti thotë…Një botë fanepsjesh më rethon,  për të dëshmuar më pas…Ç’rinte e fjetur brenda meje për vite me radhë/çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon/…në zgrip të hapësirave…..Këtu pranë meje/valët nxjerin në breg statuja/Të mos keshë mëndjen/gremisej në një kapitel drite dhe tinguj vagnerianë…Për tu mbyllur me vargun famoz …Një botë fanepsesh më rethon…që tregon artistikisht  shkakun dhe burimin e këtij arti magjik. Dhe në qoftë se dikush do kërkojë më shumë hollësia, unë do ti rekomandoja të rilexojë vargun madhor…Kush jam unë?Si më braktisën kështu perënditë pagane/dhe më lanë vetëm mes sirenave që fillojnë të mbushin/ rradhët e korreve jonike të polifonisë?, për të kuptuar se poezia joniane është sa fantazmogorike ne kostum mitik aqë dhe reale.
Shikojmë poezinë për mikun tonë të përbashkët “Andrea Zarballa” e cila nis me vargjet…Kur pres Andrea Zarballanë për të pirë kafen/gjithmon më duket sikur ai niset nga lashtësia për/të mbritur tek unë./Vonon pak, sa të këmbejë dy llafe me Ezopin/një sentencë me Kavafisin/  për të mbritur pas pak te vargjet tepër njerëzore dhe të dhimbëshme…Ka njëzet vjet që Andrea gatuan për Merin/në kuzhinën e vetmuar….
Nuk e kupton ku nis e mbaron irealja dhe ku  nis  bota e vërtetë, sepse dhe kur takohen dy poetët…në vend të cigareve/këmbejmë poezitë në gjuhët tona/unë si një De Radë/ai si një Kavafis.

5-Unë do tja lë lexuesit ta shijojë muzikën e brendëshme të vargjeve të këtij vëllimi poetik, ku ai, gjatë leximit, do konstatojë mrekullisht se vargjet vijnë njera pas tjetrës me zhaurrimën e ëmbël të valëve të Jonit. Dhe dallgët e mëdha të zemërimit që shfaqen tek tuk, nuk e mbulojnë dot  melodinë vagneriane të vargjeve. Shikoni e dëgjoni: Diku rreh krahët një pulëbardhë duke stërpikur me stërkala metaforash vetëdijen tonë. Ja, te vargu tjetër dëgjohet kënga e sirenave, por ju mos i mbyllni veshët. Dëgjojini dhe lerrini tju rrëmbejnë. Më të bukur do t’ua bëjnë jetën.
Për këtë ju siguroj unë.
Ju betohem, me dorën mbi …librin “Fundo” të mikut tim Agim Mato.

Sarandë,më 3 Nëntor 2012.