Monday 22 April 2013

Kutia me paparunë dhe...skica

Kutia me paparunë dhe …skica

 Përsiatje mbi skicat e Edmond Llaçit

 

1-Thuhet se…një ditë, një lypëse e moshuar, i zgjati dorën dhe i lypi lëmoshë një zotërie, që po shëtiste i menduar asaj ane.  Plaka  lypëse e zgjati dorën instiktivisht dhe po instiktivisht  bëlbëzoi formulën e zakonëshme të lypjes, ndoshta edhe duke menduar se zotëria që po kalonte para saj, i zhytur në mendimet e tij, do ta shpërfillte plakën dhe lutjen e saj. Si shumë të tjerë. Ndaj u habit shumë kur zotëria ndaloi hapin dhe pasi e kqyri me vëmëndje, filloi të kërkonte me duar nëpër xhepa. Plakës i ndritën sytë, duke shpresuar se, së paku mëngjezin e asaj dite e siguroi. Por shumë shpejt trishtimi ja eklipsoi shkëlqimin e syve, kur pa se zotëria, pasi i kontrolloi të gjithë xhepat , nuk nxori gjë prej tyre. Një mbledhje supesh  dhe një tundje e lehtë koke në formë mohuese, bashkë me një shtrëngim buzësh të zotërisë, i krijoi plakës ndjesinë e një humbjeje të diçkaje që e kishte patur. Thua se zotëria duke mos i dhënë lëmoshë, diçka i mori  plakës.
Plaka uli kokën dhe kërrusi supet, si nën një peshë të stërmadhe, gjest i cili e shtangu zotërinë , i cili, pasi u mendua një çast, filloi të kërkonte përsëri  nëpër xhepa. Por këtë herë më me rrëmbim. Pasi nxori prej xhepit një diçka të zezë, pyeti plakën në se kishte ti jipte ndonjë copë letër. Plaka e hutuar, rrëmoi nëpër  trastat e saj, prej nga nxori  një copë kartoni, të gjetur s’di se ku, të cilën ja drejtoi zotërisë. Zotëria e mori kartonin dhe me atë gjënë e zezë  zhgaraviti ca vija mbi të dhe pas pak ja dha plakës, duke i thënë ëmbëlsisht:

- Më fal moj nëne që s’kam gjë të të jap. Por mere këtë  karton, jepja ndonjë shitësi dhe thuaji që është një pikturë e Pikasos. Ai me siguri diçka do të të japë…

…Thuhet se në atë copë kartoni ishte skica  e një vajze flokëlëshuar nëpër erë. Nuk dihet sa e shiti plaka, e cila, me siguri që nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për Pikasson. S’ka rëndësi edhe fakti se sa dollarë vlerësohet  sot. Rëndësi ka fakti që ajo skicë, ka ndezur fantazinë, jo vetëm të piktorëve, duke hyrë në kryeveprat e pikturës moderne. Dhe tjetra, është fakti se, në atë kohë Pikasso  ishte në kulmin e talentit të tij, sa që me dy-tri lëvizje karboni mbi karton  krijoi një kryevepër pikture. Thuhet se qysh atë ditë  morën rrugë skicat e famëshme të tij, që edhe sot na mrekullojnë…

2-Kjo histori mu kujtua sot, ndërsa rilexoja skicat e Edmond Llaçit, botuar së shumti nëpër portale  dhe pregatitur së fundmi për botim nga shtëpia botuese “Milosao” në Sarandë në titullin “Kutia me paparunë”.

Mu kujtua kjo histori për vetë faktin se, edhe skicat e Edmond Llaçit janë  të ngjashme me disa vijëzime mbi letër, me disa skicime portretesh  në lëvizje, si ajo vajza e skicës së  Pikassos.  
Dallon flokët që valëviten në erë dhe nuk mendon në janë flokë të verdhë apo të zinj, por mendon se ajo vajza flokëvalëvitur në erë nxiton për në takim. Dhe ëndëron që ai fatlumi të jeshë ty vetë.
 Dallon zjarrin e syve dhe s’të duhet të dishë në se janë sy bojëqielli apo të zinj. Ata janë sy të dashuruar. Ah, sikur të të shihnin ty!

3-Ravijëzime të tilla pikture, më së shumti një fletë formati zënë. Një skicë e Edmond Llaçit, as dy faqe libri nuk  arin. Po sa shumë thonë në ato pak rreshta.

Dendësia e mendimit dhe itensiteti i shprehjes së autorit, nëpër këto skica, të krijojnë ndjesinë e dendësisë së një bërthame atomi, shpërbërja dhe shpërthimi i të cilës krijon një përflakie dhe  tronditje në subkoshiencën e lexuesit.
 Çdo skicë e tij është një tregim më vete, një novelë, e hera herë flet më shumë se një roman…shkruan me të drejtë Fatmir Terziu.

4-Por ajo që do të thoshja unë është fakti se këto skica janë të gjalla, janë në lëvizje. Personazhet e tyre të marin përdore dhe të çojnë, dy tri  rreshta larg, aty ku gëlon jeta. Duke të ftuar edhe ty që të bëhesh pjesë e kësaj jete. Skica “Mëzi” është një konturim nëpër një mjegull të shkaktuar nga tymi i barotit të luftës, i një fragment beteje, dhe pikërisht i momentit kur luftëtarët e lirisë, kanë nevojë për një prijës, pa qënë nevoja ta njohin e ta shohin fytyrën e tij. Mjafton që tu prijë drejt fitores, nëpërmjet sakrificash.Dhe të lind dëshira që të rendësh edhe ty pas atij mëzi, me flamur a jatagan në dorë. “Hetuesi” është profil portreti i një njeriu, mekanizëm dikature, i cili nuk e njeh dhe nuk e kupton të bukurën, dhe vetkuptohet që nuk e pranon, sepse për atë, të bukurën e fluturimit të pulëbardhave s’ka folur ndonjëherë udhëheqësi i atëhershëm. Vetkuptohet që lexuesi kalon përbri tij, jo vetëm duke i hedhur  një shikim përbuzës  por edhe duke menduar  se sa “bukurira” jete ka këputur e shkelur ky njeri, ndërkohë që askush  nuk  kërkon tek ai hakmarje për ato që ka bërë. Këta lloj njerëzish jetojnë nën indiferencën e shoqërisë, për egzistencën e tyre. Ky është i vetmi dënim që u dha koha.

Me dy tre vija, në dy tre reshta janë skicuar profile njerëzish e  fragmente jete dhe në leximin e tyre, ty të lind dëshira të plotësosh me një laps me ngjyra hapësirat boshe midis vijave. Ashtu siç i ndjen  apo i ke përjetuar vetë. Duke e bërë këtë plotësim, ju siguroj se nuk shkelni të drejtën e autorit, por realizoni pikërisht qëllimin dhe dëshirën e tij.

5-Te skicat e Mondit  karakteristike është  finesa e figuracionit , që    ngjan si të jetë ravijëzuar në ajër fluturimi i një pulëbardhe, apo të jetë filmuar shtjella e ujit në zhytjen fundo...

Të mirje fundo disa metra tutje bregut…do të thoshte se ishe rritur, ishe vajzëruar apo djalëruar, pasi nuk kishte dallim në se ishe vajzë apo ishe djalë në atë konkurim fizik.
…Pas turbullimit që ndjeu nga puthja…ajo nuk e kuptoi se si qënia e saj u zhyt papritur në brendësi të detit…Trupi i saj shpërndante mbi sipërfaqen e kuqerremtë atë ndjesi të re…duke e kthyer ..atë në nimfë…
Që nga ai çast nuk u ndanë  as edhe njëherë.Zhyteshin e ridilnin në botë të panjohura më parë…shkruan autori te skica “Fundo përtej bregut shkëmbor”, që më saktë është … puthja e parë, në fundo, përtej bregut shkëmbor, skicë që të detyron të shohësh me ëndërim  … …bulëzat e ajrit që ngjiteshin të ngarkuara me të kuqtë e trëndafiltë të faqeve  të … porsa puthura….

Ka të drejtë Fatmir Terziu, një nga të paktët , apo i vetmi studiues i krijimeve të Edmond Llaçit kur shkruan:
- Skica e Edmond Llaçit është një çupëlinë e brishtë joniane e sharmuar mes valëve të kaltëra të detit dhe jetës.Nusëron dhe na diktohet e pastër.Gjuhëkthjellët.Racionale.Tërheqëse…

Pas skicave të tilla ëndërndjellëse, natyrshëm mbrin te skica “Përtej dashurisë” ku, pasi ke lexuar rreshta të ëmbël çastesh dashurie, tronditesh më rreshtat  e fundit, ku lexon … …Pardje mbushi tre vjet nga dita që është paralizuar. Është ora që duhet ta laj,ta pudros ,ti ndroj rrobat dhe ti vendos bebelinon…duke  zbuluar sekretin magjik se …të dashurosh do të thotë të japësh dashuri  pa llogaritur se sa do marrësh. Sepse thelbi i dashurisë është, që të mbashë gjallë dashurinë, të jetosh me dhe në dashuri…

Në sa pak rreshta, gati një faqe është dhënë  jo vetëm një jetë e tërë, por edhe filozofia e kësaj jete. Si të thuash, që Mondi ka ngritur vetëm  kollonat dhe arkitrarët prej arto-betoni të një ndërtese të re, duke ja lënë lexuesit në dorë të bëjë ndarjet e brendëshme, duke lënë hapërsirat që dëshiron për dhomat e sallonet e ëndërimeve.

6-Dhe unë ju them, se do jenë të shumta  këto ëndërime, sepse në vend të personazheve, është lexuesi ai që do banojë në  këtë ngrehinë artistike. Dhe do ta ndjejë veten, jo vetëm  komod, por edhe  plot gjallëri. Le të shohim, psh Fluturim Magjik…

…I trëmbej ikjes së asaj krijese të brishtë…Gati gati, përveç netëve dhe momenteve të shumta erotike, ishte shërbëtori dhe qeni më besnik i saj… Aty tek e pa që ti hidhte shikimin e saj lozonjar një bashkëmoshatari, iu turr për ta ndaluar...Nuk mundi. Në duart e tij kishte mbetur një nga flatrat e fluturës lidhëse të rrobave të banjës…

E pra, ta lexosh këtë skicë në  plazh, një ditë gushti, do të duhet një forcë e madhe që ta përmbash veten për të mos zgjatur duart drejt atyre …fluturave. 

7-Por mua më duket sikur i njoh personazhet e këtyre skicave, madje edhe i kam takuar. Në Sarandë, ndoshta, apo në fshatrat e bregdetit. Jo vetëm pse ajri nëpër këto skica është i mbushur me jod Joni, por edhe e folura e personazheve është e folura e viseve të mia. Dhe sidomos të menduarit e të vepruarit të tyre. Ja shikoni skicën…Kutia e vogël me paparunë. Nuk është asgjë tjetër veçse gërnja e një plaku me vetveten, sepse plaka e tij, në atë moment ka shkuar të bëjë muhabet me plakat e lagjes, gjë tepër e zakonëshme në fshatrat tona. Por plakun e gërnjeps vetmia…U më març të keqen,tha duke mërmëritur plaku-Edhe sot do vonosh. Mjafton vetëm kjo frazë e folur tipike e fshatrave të bregut, dhe je gati të  veshë gishtin, jo vetëm mbi fshatin ku ka ndodhur ngjarja, por e njeh edhe personazhin. Madje e ke takuar. Dhe je gati të dëshmosh edhe ty, që tejë gërnjës  pleqërishte të këtij plaku, është një zemër e madhe, të cilën autori na e zbulon te fraza e fundit e skicës, ku personazhi thotë me vete, kinse me zemërim, por plot dhimshuri …Ajo ku do dimërojë, pa u jam rehat në shtëpinë time…

Dhe,pas leximit të kësaj skice, je gati të betohesh, se ky çift pleqsh  janë ata që kanë ngritur këngën…U plake mike u plake/bran i heq ato çorape/…U plake o mik dhe tinë/mbete si kau në brinjë
        
8- Ashtu si vetë skicat, edhe frazat janë të shkurtëra, ta hartuara me fjalë të zakonëshme. Duke “ecur” mes këtyre fjalëve të duket se shëtit mbi rërrën e bregut, këmbëzbathur. Guriçkat e zallit nuk të shpojnë  shputat, sepse janë latuar nga dalta e kohës dhe e autorit. Por me këto guriçka të lëmuara, shpesh herë dhe me ngjyra të ndryshme lokalizmi, Mondi ka ndërtuar  një  mozaik    bukur, para të cilit nuk mund të kalosh indifferent.

Ndaj dhe unë, që e njoha dhe e shijova bukurinë e këtij krijimi, duke perifrazuar Pikason te ngjarja e treguar në krye, ju them: Merni këto skica dhe lexojini. Ato i ka shkruar Edmond Llaçi, për të cilin do dëgjoni shumë shpejt.


 

Sunday 14 April 2013

Shfryjne erërat - Have Halitaj Elezaj



PËRSIATJE RRETH VËLLIMIT POETIK 'SHFRYJNË ERËRAT' TË HAVE HALITAJ-ELEZAJ


Mjafton vetëm të mendosh fjalën "Kallkan" dhe menjëherë parafytyron, ose diçka të ngrirë nga të ftohtit, ose së paku, një fushë të mbuluar nga një dëborë e ngrirë, mbi të cilën fërshëllen era me një ulërimë ngjethëse. Thua se ulërijnë njëqind djaj. Mjafton ta përmendësh këtë fjalë veç një herë, dhe nëpër trup të të kalojnë mornica e vetvetiu, të kryqëzosh krahët e të mbledhësh trupin, si për t’u mbrojtur nga një frushullimë e një ere të ftohtë. Çdo gjë mund të parafytyrosh pas kësaj fjale, por çdo gjë që parafytyron është ose e vdekur, ose në vdekje.
Ndaj të duken tepër të zakonshme dhe të goditura, vargjet e poezisë “errësirë kallkan”:
“Era qan me klithma të egra errësirë kallkan”.
Dhe më pas sikur do t’a plotësojë formatin e akullsisë, vijon me vargjet ngjethëse:
Ulërijnë në vesh ogurzezat
Flakëzjarrtat vetëtima spërndritin errësirën kallkan
e digjen yjet në shuarje nga të ftohtit kallkan.
Të duket se po ecën nëpër akull…Duke qenë se më parë patëm lexuar poezinë e çeljes së vëllimit “Shfryjnë erërat”, e cila na prezantoi një stinë plot erëra çmendurake, duke qenë se mardhëm ne dhe mendimet tona te “errësirë kallkan”, dhe ca më tepër poezia tjetër “Mallkim”, na jep një panoramë të ferrit dantesk, të krijohet përshtypja e parë, se leximi i këtij libri do të jetë si një shëtitje në varreza, një ditë dimri, plot ngricë dhe erë të ftohtë.

 *  *  *
 Dhe parafytyron lexim epitafësh, ose më e shumta, një kushtrim post-mortem. Sepse, kurrsesi në këtë akullnajë, nuk shpreson që të ketë mbetur gjallë ndonjë filiz jete. Prandaj befasohesh dhe nxiton të ngrohesh pak te “Sytakim”, aty ku: sydritë e syzjarr u takuan
Shikoni pak miq te artit, nuk u takua as “sorkadhja me luanin”, as thëllëza me fajkoin, as lumi me detin. U takuan sytë e zjarrtë dhe sytë e ndritur. S’di pse më kujtohet një fjalë që thotë: “Dashuria fillon nga sytë, dhe fatkeqësisht te sytë mbaron”.
Tash digjen bashkë
dritëezjarreflakë.
Me këtë gjetje kaq befasuese, autorja të përgatit për supriza të reja, duke të përmbysur komplet parafytyrimin fillestar, të zymtë e të ftohtë, të trishtë si një varrezë.
Ndonëse:
Vetullarënë natyra turfullon
ftohti hekurt kallkan
mbretëron
Dhe mbi këtë të ftohtë, ngrihet autorja dhe deklamon:
Malet flakë le të digjen
Ti mos u largo.
Sepse:
...Digjem në zjarrin tënd
në ëndrrat e tua lodroj.
Çuditërisht peisazhi ndryshoi si me magji, u zhdukën akulli dhe të ftohtit dhe era sjell aromë trëndafili. Të duket, se je në një trëndafilishte. Kalon sa në një trëndafil te tjetri dhe s’di tek cili të qëndrosh. Sepse te këta trëndafila:
nga sytë e hënës së dashuruar pikojnë yje
 Dhe këta trëndafila, kanë të shkruar në petale disa emra të dashur për autoren nga Peja, disa emra që më shumë se pjesë e familjes dhe e biografisë së saj, janë rrënjët dhe lulet e pemës së jetës së saj. Të asaj peme, që i qëndroi përballë dhe i rezistoi, si furtunave dimërore të një jete nën pushtim, ashtu dhe kallkanit të një genocidi primitiv. Dhe jo vetëm që i rezistoi si gjallim, por ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se i rezistoi me dinjitet dhe personalitet.
Unë e lexova vërtet me vëmendje dhe kënaqësi, gjithnjë e në rritje këtë përmbledhje poezishë. Dhe në rast se, ndokush do të më kërkonte që me pak fjalë të thosha diçka portretizuese për këtë poete, unë do t’u thoshja miqve të mi poetë, që të presin dhe të mirëpresin surpriza të reja nga kjo simotër e tyre kosovare. Gjithsesi, surpriza të këndëshme.
Por le t’u marrim erë trëndafilave poetikë të këtij vëllimi:
Hidhmë njatë shikim
me njata sy
thëngjij zjarri…
Përqafomë
nga afër ta ndjej vetëm një çast
në kraharor vullkanin
…dhe mos fol asgjë.
Ose si te poezia:
Gjysma ime
në brendinë tënde përvëluese
ndonjëherë edhe tulatur rri.
E kush mund të largohet nga një trëndafilishte e tillë vallë?
Dhe po deshe të largohesh
Mos u buzëqesh luleve
e valës së lumit mos ia pëshpërit hallet
po deshe të më harrosh
harroi pra perënditë
E pra, të gjithë e dimë, të harrosh dashurinë është si të harrosh perëndinë. Aq e pamundur është. Sepse vetë dashuria, është një dhuratë perëndie. Sepse tjetër gjë është të largohesh dhe tjetër gjë është të harrosh. Largimi është i shpejtë, harrimi është i pamundur. Dhe këtë e thotë një vajzë, që rinia e saj u përshkua furtunshëm. Prandaj nuk është një deklaratë, por është një konkluzion.
Thashë më sipër se, vëllimi nis me akullnajë dhe kallkan. Dhe të kuptojmë se më shumë se sa akull dhe erë te ftohtë shtigjeve e brinjave, është fjala për akullin e kallkanin shpirtëror, që na imponohet. A nuk të shkakton mornica në trup edhe një shikim i shtrembër i një njeriu që do, dhe nga i cili pret dashuri? Kallkani i një shikimi qenka i tmerrshëm. Por një klithmë e tipit “alt”, a nuk e ngrin jetën në vend, si shikimi i Meduzës? Nëpër këto klithma ka rendur autorja dhe jo vetëm poetikisht, por ajo që mësojmë nëpër vargje, është fakti i një rendjeje reale. Një rendje, jo vetëm për të shpëtuar jetën, por dhe një rendje për të shpëtuar, dhe mbi të gjitha, për të rritur
një dashuri.
Të njoha rininë rebele
të pashtruar veç dashurisë
... pëshpërit ëmbëlsisht autorja, te poezia aq njerëzore që nis me fjalët e gjithë vajzave të botës, me fjalët: “Trimi im”.
Gjëmon si një simfoni bethoviane, ideja e mosndarjes dhe e mosëharrimit. Dhe mërgimi larg atdheut, rrit dhe forcon edhe ndjenjën e bukur të dashurisë dhe solidaritetit familjar, si shtegu i vetëm i të ardhmes së dëshiruar:
Dua dhimbjet të t’i largoj

* * *
...me ty
akordoj ritmin e frymëmarrjes
përgjithnjë.
Po mërgimi a nuk është një mardhje e shpirtit dhe e shpresave, a nuk rrinë ëndrrat të tulatura, si gruri nën dëborë, në pritje të pranverës së kthimit? Dhe ëndrrat arratisen e vijnë në vendlindje, ashtu siç shtegëtojnë zogjtë, viseve të ngrohta. Dhe bën shumë ftohtë në Shtutgart të Gjermanisë për këtë çikë Kosove.
Kaptova male e fusha e dete
e koka pas më mbet
gjysma ime atje
e tjetra këtej.
Dhe si për ta plotësuar portretin shpirtëror, vijon prekshëm në vargjet e tjera:
Flija me kukuvajka
e zgjohesha me zogj
e zëri i nënës më vinte jehonë.
Duke na dhënë me këto penelata të holla, një botë të tërë malli e dhimbjeje.
Sado larg të jem
me ty jam e me mua je
Kosovë…
Ndaj ajo mbajti e rriti në zemër, si nëpër sera moderne, trëndafilat e ëndrrave të saj, të cilat i mblodhi në një tufë (në vëllimin e saj të parë poetik), dhe na i dërgoi ne.
Dhe unë, duke marrë aromën e tyre me vehte, po i rikthej në shenjë mirënjohjeje dhe urimi bashkë, kësaj poeteje të re, si një karafil, nëpërmjet jush këto shënime çasti.
________________________
 SHËNIME PËR AUTOREN:
 Have Halitaj - Elezaj, lindi me 25 shtator 1976 në Fierzë (ish Novosellë) të Pejës. Ka bërë studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Tundimin për artin letrar si duket e ka përjetuar qysh herët, që në bankat e fillores, duke pasur për mësues letërsie babanë, Aliun. Nusëria e saj, sikundër e shumë sishoqeve, u përshkua furtunshëm bashkë me të shoqin e përndjekur nëpër tallazet e të '90-ave të fundshekullit që iku. Duke provuar strehëzën e mërgimit në Gjermani, ajo, ndjeu dhe përjetoi së brendshmi edhe një ndjenjë të veçantë. Jetëpërvojën e saj e shtriu në përmasa arti me vargje që dëshmojnë sa kulturë gjuhësore, po aq edhe ekuivalencë estetike. "Shfryjnë erërat" është libri i parë i saj. (Adem Gashi)


Thursday 4 April 2013

Kjo valë deti...


Kjo valë deti…


Heshtni pak, ju lutem.
                                 Kjo valë deti
që vjen kokëulur, si një çupëz fajtore
ndoshta,diçka do të na thotë.

 


Një valë erdhi
dhe fshiu me shaminë e bregut
                                              stërkalat si lot.

Ditëpreri.Kush është mbytur sot?.



Vajzat e shtëpive tona


Shtëpitë e vogla, si guacka të hapura në breg
dhe vajzat që dalin prej tyre,
                                         të bukura si Afërdita.

Mos më flisni për dashurinë, se më vjen të qaj
Kur i shoh si treten me shikimin nga deti.



Fustani që nuk u vesh


Ky fustan i bardhë nusërie qepur me ëndëra të rubinta
që mbeti palosur në një kuti kartoni
                                                     si i vrari në arkivol.

O,ky fustan i bardhë nusërie
                                            që po nxihet nga dhimbja
seç na e mbushi shtëpinë me zezonën e tij.

 

Çgroposja e thesareve të fjalës së shkruar





Çgroposja e thesareve të fjalës së shkruar

…mahnitje …mbi gazetën “Demokratia” të viteve 25-39

Nga Timo Mërkuri

mahnitje…mahnitje.Kjo është ndjenja që më shoqëroi gjatë gjithë kohës së hulumtimit të gazetës “Demokratia”…
Me këto fjalë e fillon  Odise Kote pasthënien e tij librit të tij studimor “Demokratia”, shkollë e gazetarisë shqiptare”., botuar në këtë fillimprilli nga Shtëpia Botuese “Milosao” në Sarandë, pa e ditur se do ishte pikërisht kjo ndjenjë që më shoqëroi edhe mua, gjatë gjithë leximit të këtij libri.
Më saktë, një lexim plot kureshtje, si të isha duke lexuar poshtëshënimet e thesareve të zbuluara  nëpër rrënoja dhe të ekspozuara në pavionet e një muzeumi, poshtëshënime të tipit….Kjo monedhë floriri është e kohës…, këtë kurorë floriri e ka mbajtur në kokë mbreti x…, me këtë shpatë, të larë me flori, ka luftuar  heroi  x….
…kureshtje që shumë shpejt u shndrua në admirim me këto poshtëshënime.
Veçse këto poshtëshënime  nuk flasin për emra e vepra mbretërish e princash, kalorës a shpatëtarësh, por me emra të dëgjuar  në jetën tonë, të anatemuar në rininë tonë dhe të flakur në haresë në kohën tonë. Emra, që të rrëshqasin si mornica në shpinë të kujtesës. Emra, që ndal hapin kur i dëgjon të pëshpëriten diku…Branko Merxhani, Safet Butka, Javer Rushiti, Nebil Çika, Petro Marko, Avni Rustemi, Sterjo Spasse, Ismet Toto e Lumo Skëndo,Tajar Zavalani e Eqerem Çabej, Musine Kokalari e Ramiz Harxhi…
Sa shumnë emra të mëdhenj të mbledhur në një gazetë të vogël (për nga  tirazhi dhe formati) që rezatonin dritën intelektuale mbi vendin tim.
Sa shumë yje të mbledhur në Gjirokastër, që lëshonin dritën e tyre jo vetëm në këtë qytet. 
Është pikërisht drita e tyre mbi qytet, që …e drejtoi jetën e qytetit drejt të shkruarit…
Kjo është arsyeja që gjithë Shqipëria shikonte nga Gjirokastra, ku ndrinin këto yje, se Gjirokastra vetë shikonte nga Europa…
Odise Kote qëmton e rrëmon nëpër ato fletë gazetash të zverdhura nga koha, të mbuluara nga pluhuri i indiferencës së kohës, të grisura e zhubrosura deri në prag të asgjësimit. Qëmton e rrëmon me qetësi, me dashuri, si arkeologët e apasionuar nëpër rrënoja qytetesh antike, shkatëruar nga zjarri i hordhive armike, duke aplikuar kështu një arkeologji të re, arkeologjinë e fjalës së shkruar. Fshin pluhurin dhe nxjer në dritë thesare, bashkon copat e grisura të gazetave si pjesë të mermerta të statujave  të thyera gjatë rrëzimit. Dhe na i çfaq , ashtu siç kanë qënë, madhështorë e të thjeshtë.
Ja,shikojeni. Kjo statujë mermeri, e thyer dhe e copëzuar, por gjithsesi impozante është  statuja e Branko Merxhanit. Lexoni poshtëshënimin në të… 
Lindëm në errësirë, por kërkojmë dritën
Ah, po  ky nuk është poshtëshënim monumenti. Këto fjalë monumentale i shkruante në vitet 29 gazetari i “Demokratia”,  Branko Merxhani, çami ortodoks, që në Shqipëri nuk kishte as fis, as pasuri, por kishte vetëm Atdheun.
Ai që do të sillte filozofitë europiane për ti vendosur si gurthemeli të Neo-Shqiptarizmës së tij dhe që shkruante …Rroj me ëndrën e një vendi, njerëzit e të cilëit janë më parë të tij se sa të vetës së tyre (fq 201).
Lexon shkrime të tilla, rrënqethesh e pyet veten... Ka patur vendi ynë  diejmëndje të tilla dhe ç’gjëmë qe ajo që ra mbi këtë dritë, duke na lënë nëpër errësirë mote e mote me rradhë, duke gëricur natën me dritën e bishtukut.
Kisha dëgjuar për Branko Merxhanin qysh në rini, por s’kisha lexuar gjë prej tij. Ose më saktë, kisha lexuar vetëm një farë ironizimi që u bënte teorive të tij diktatori.  Por kjo s’mjaftontë për të krijuar një portret. Ato shënime mjaftonin vetëm sa për të përbaltur një portret të gdhendur në një  bazoreliev dhe për të na e treguar neve, se gjasme, ai paskësh qënë portret i pisët.
Por mjaftonte që të fshihej pak balta e hedhur mbi të, për të dalur e për tu verbuar nga ndriçimi i argjentë i portretit të atdhetarit mendjendritur e zemërmadh.
Atdhetari, që jetën dhe dijen e tij e vuri si gurthemeli në shkallaren ku do ngjitej atdheu, në një kohë që pushtetarët e mëpasëm, do shtronin atdheun si gurkalldrëmi, ku  pretendonin, të ecte lavdia e tyre.
…Duke ecur nëpër faqet e këtij libri studimor, të duket se ecën nëpër gërmadhat e posa zbuluara të një qytetërimi, të mbuluar nga haresa e kohës.
Ja statujat e mermerta, me ndonjë dorë a këmbë të thyer  gjatë rrëzimit të tyre nga piedestali, ja dekretet  dritëshumë “të zonjërisë” dhe “të kapellës allafrënga” gdhëndur në kulturën qytetare, si dëshmi e orientimit europian të këtij qyteti…me minaretë e tij mesjetare.
Ja një dëshmi e një demokracie, që do ta kenë zili brezat e ardhshëm dhe vende me më shumë përvojë demokratike…. Kundër Bajos? Gabon tepër zoti Bajo (Topulli) duke pandehur se ne jemi kundër personit të tij….Ne nuk kemi gjë me personin e z Bajo, thamë dhe e përsërisim se si person e nderojme tepër. Po kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta kritikojmë si  kryetar bashkie….”
…Ja një…reklamë ,si një qyp mbushur me flori informativ e një Agjensie detare…Jepen oraret e linjave të trageteve që lëvizin nga Porti I Sarandës drejt destinacioneve të ndryshme Korfuz, Pire, Patra, Brindizi, Stamboll (?), Suedi (?), Francë(?) e Gjermani(?). Për informata më të çkoqitura drejtohuni n’axhensinë tonë në Sarandë…
E pra, unë kam lindur e jam ritur në Sarandë dhe nuk e kam ditur se  qyteti im kishte linja të tilla detare në vitin 1929, linja detare që nuk i ka as sot.
Te kjo gazetë gjeta perla të ralla informacioni  për Neço Mukon e grupin e tij famoz, informacione që politika  ishte përpjekur ti mohonte dhe ti kalonte në haresë, pa llogaritur dëmin e  madh që i sillte kulturës dhe historisë së kulturës kombëtare.
Apo mos doni të lexojmë  të botuara te “Demokratia” kryeveprat e letërsisë botërore të Shekspirit e Tolstoit, Khajamit e Dante Aligerit, Petrarkës, Tassos, Hygoit, e deri te Esenini e D’Anunco…
Këto monumente të të shkruarit kanë qënë ngritur nga viganë, por liliputët e kohës, duke i goditur më kazmën e mohimit, i rrëzuan nga piedestalet, për të ngritur në vend të tyre mediokritetin politiko-ideollogjik. Ato mbetën aty, nënë gërmadha, mbuluar nga pluhuri i haresës, në pritje që dikush ti çgroposte e ti nxirte në dritë.
Këtë mission  çgroposjeje e ndërmori, me plot sukses Odise Kote, duke ngritur nga  harimi monumentet e viganëve të kulturës dhe gazetarisë shqiptare.
Dhe ne, duke ecur nëpër faqet e këtij libri, si nëpër sallat plot eksponante të një muzeu, admirojmë punën e djeshmë të  viganëve, hieja e të cilëve mbulon meskinitetin dhe formalitetin e gazetarisë së sotme, duke na treguar shtigjet e së ardhmes dinjitoze, drejt të cilës do ecim .
…edhe duke pëshpëritur me vete  një falnderim për shkrimtarin Odise Kote.