Thursday 18 July 2013

Të dua moj…qëne…



Të dua moj…qëne…

Refleksione mbi një varg të këngës popullore
             
       Të dua moj…qëne….

 1- Është  varg i një kënge shumë të njohur  iso-polifonike, madje i një kënge shumë të suksesëshme, e cila këndohet  e përpunuar, nga këngëtarë shumë  të njohur të skenës shqiptare. Dikush mund të thotë se, do jetë një varg i rastësishëm, një lapsus në këngët tona, duke patur parasysh faktin, se në këngët tona popullore, për femrën në përgjithësi dhe për vajzën e zemrës në veçanti, artisti popullor ka rezervuar figurat më brilante, që rrezëllinjë finesë e shpirtëri edhe sot. Për këtë arsye, kjo përqasje e vajzës që dashuron me qenin  tingëllon pak si paradoksale. Më favorizuesja do ishte pranimi i një rastësie, i një lajthitjeje momentale në përpilimin e këtij vargu. Por duke patur parasysh se në këngët e popullit, asnjë fjalë e jo më një varg, nuk është e rastësishme, por është latuar e gdhëndur nga “ustai” dhe pastaj është vendosur në “murin “ e vargut, duke u matur me gone dhe duke u peshuar me plumçe, atëherë  më lejoni t’ju  them se edhe ky varg nuk është aspak i rastësishëm, por i zgjedhur, gdhendur e latuar, matur e peshuar dhe qëndron mirë e bukur në këngë. Këtë e përforcon edhe llogjika e thjeshtë se,  po të ishte  një varg i rastësishëm, do të ishte haruar me kohë e me vakt. Por fakti që këndohet në  këngë të ndryshme iso-polifonike, në variante të ndryshme, madje edhe në këngën popullore të përpunuar, në disa variante, bile me shumë sukses edhe sot, do të thotë se ky varg është , më së paku, në vendin e…duhur.
 Dikush do thotë (ose do mendojë) se me këtë varg fyhet femra, por duke e njohur psikologjinë e krijimit të këngës popullore unë ju them se, jo vetëm që s’ka kurfarë fyerje (qoftë edhe në rastet e “tradhëtisë” ) por te ky varg ka shumë …dashuri dhe …finesë.
 Le të bisedojmë së bashku për këtë.
 2-Pse poeti popullor ka përdorur qënin si figurë poetike krahasuese, ka një shpjegim të thjeshtë. Ai gjithë figurat poetike i ka marë nga jeta që njeh. Ai përmënd në këngën e tij, pemët dhe lulet, lumin dhe malin, borën dhe shiun. Vajzën e ka quajtur …gjeraqinë, kanarinë, sorkadhe, nepërkë, vitore, lule mali e lule fushe etj etj. Atëherë pse ta lëjë pa përmëndur qenin, shokun dhe mikun e tij më besnik të jetës dhe të punës? Pse jo, edhe rojen besnike të…mikes së tij…Është një qën, a u tërboftë…O qën o belec i bardhë/Lere mikenë të dalë/Të dalë jashtë në shkallë/Ti them nja tri-katër fjalë…
 3-Fakti që ai e krahason vajzën me …qenin është e shpjegueshme, në të dy rastet: në pabesinë dhe besnikërinë e qenit.
Unë gjithmon kam menduar se …pabesia e qënit, është thjeshtë besnikëria e tij ndaj të zotit.  Ky mësim më ka kushtuar …një kafshim qeni në fëmijërinë time, kur bashkë me djalin e xhaxhait filluam të përkëdhelnim e të loznim me qënin e tij, të lidhur te një fik. Loza mirë e bukur me qenin, madje i dhashë dhe bukën që kisha me vete, të cilën ai e kapërdiu, por kur unë ngrita dorën të këpusja një kokër fiku, qeni më nguli…dhëmbët te kyçi i dorës e s’më lëshonte, as nga të bërtiturat e mia dhe as nga goditjet e djalit të xhaxhait.I bërtiti xhaxhai nga larg, pra më lëshoi. Unë e shava..qen i pabesë, sepse më kafshoi, por më von pranova se ai i kishte qëndruar besnik  të zotit të tij. Me mua s’kishte ndonjë …kontratë…tolerance për fiq.
 3.a-Shpesh përdoret shprehja…qen i pabesë…Duke u larguar nga krahasimet politike  patriotike ose dhe nacionaliste të tipit…pushtuesi (turk) ishte qen i pabesë, … revizionistët x, qen tradhëtarë në shërbim të imperializmit y, krahasimi i vajzës që dashuron ose ëndëron (se) që e dashuron, me qenin, ka një shpjegim shumë të thjeshtë.
 3.b-Djemtë e rinj ëndërojnë për vajzat,  sikur lozin me to, siç lozin me qentë lëndinave, ku kullosin bagëtitë .  Vjen një moment që i besojnë ato që ëndërojnë. Madje mendojnë se edhe vajza që dashurojnë, mendon dhe ëndëron njësojë për ata.  Një shikim të ngrohtë të lëshoje vajza (rastësisht ose qëllimisht) është ura e hedhur mbi lumin e dyshimit, ndrojtjes, frikës (së djemve) nga mungesa e eksperiencës, urë, mbi të cilën djemtë nisen turavrap.
Ky është momenti që ata guxojnë të bëjnë propozimin e pare,duke bëlbëzuar… (Asnjë djalë nuk e mba mënd se çka “dërdëllitur” në propozimin e parë, por kjo s’prish punë, se asnjë vajzë nuk e ka patur mëndjen te fjalët që thoshte djali. Ajo jetonte …poezinë e …propozimit të parë. Më pas filloi …proza).Vajzat, fillimisht të gjitha refuzojnë, duke shpresuar për një ripropozim, madje më romantik se i pari. Pse jo edhe më të guximshëm, më konkret. Ato refuzojnë, (me gojë dhe jo shpirtërisht) gati instiktivisht dhe nuk mund ta kuptojnë që ky refuzim, është si një goditje  tokmaku mbi ëndrat dhe shpresat e djalit, i cili në vend që të  insistojë dhe avancojë, bie në dëshpërim. E quan tradhëti nga ana e vajzës këtë refuzim, sepse në ëndrat e tij, ajo i kishte pranuar, premtuar etj.

Të dashurosh do të thotë të jetosh  në ëndër (nuk e di në e kam lexuar diku këtë ) . Kështu jetojnë djemtë kur u troket dashuria, u ikën gjumi dhe jeta u bëhet ëndër. Dhe në këtë jetë-ëndër ata jetojnë vetëm me… vajzën që duan, ndaj dhe refuzimi i saj quhet pabesi prej tyre. Dhe krahasimi më i afërt për pabesinë është…qeni.
Besëqënia më gënjeu/Më dha fjalën(në ëndër) dhe ma ktheu/Gënje moj qëne gënje/Në ta bëfsha me ile,( me siguri e ka fjalën për ripropozimin,ku do shkojë me më shumë mënd)…këndon ai me dëshpërim, e pse jo, edhe me disa lotë në faqe (se shpirti i është bërë det nga lotët )
 4-Dëshpërimi është i madh, por ama dhe në këtë dëshpërim, ai nuk e cënon figurën e vajzës. Ai e ruan të pastër figurën e saj, duke ruajtur në këtë mënyrë pastërtinë e dashurisë  së tij. Ai vërtet e quan … qëne…,duke femërizuar emrin mashkullor qen, por ama ai i  shmanget me lezet  përdorimit të emrit ofendues femëror të qenit (bushtër), emër cilësues për femra me vese, i përdorur vetëm nëpër debate të ashpëra pijanecësh nëpër mejhane dhe  që nuk është hasur në asnjë  këngë popullore. Populli  nuk e ka ndyrë tempullin e këngës, as në grindje gjaknxehta dhe as në pije e sipër.
 5-Pastaj, pas ripropozimit dhe pranimit të vajzës, ai vijon ta thërasë  me këtë emër me përkëdheli, duke na kujtuar lodrat që bëjnë zakonisht djemtë e rinj me qentë e vegjël, duke lozur nëpër livadhe. Madje shpesh edhe fëmijën vajzë e quan  me përkëdheli…kone.
 6-Dhe së fundi, besnikëria e qenit ndaj të zotit është proverbiale. Këtë besnikëri të përjetëshme dëshiron dhe  djaloshi i dashuruar nga  mikja e tij, në jetën e tyre të përbashkët..
 7-Pra, ky cilësim nuk ka asgjë ofenduese, në konteksin e krijimtarisë popullore, por mbart në vetvete dashuri, pjekuri dhe finesë.
 Kemi shumë nevojë për të tria këto veti, për krijimtarinë tonë.

Thursday 11 July 2013

Mjalti në hoje



Mjalti në hoje

Mendime mbi vëllimin poetik “Peng midis Ekuinoksesh” të Ymer Nurkës

Është i njohur fakti që, poezia lirike, si një ndër krijimet më të lashta letrare, me fillesë qysh në kohën kur njeriu filloi të mendojë dhe të flasë, fillimisht vetëm këndohej me  lirë( prej nga e ka origjinën edhe emri i saj), duke u bërë kështu  indirekt edhe mbështetëse e tezës darviniane se, njerëzimi ka komunikuar, së pari, nëpërmjet  këngës (tinguj, melodi dhe tekst i kënduar) dhe më von nëpërmjet fjalës së artikuluar.
Nuk e di pse mu kujtua ky fakt, ndërsa lexoja vëllimin  me lirika të Ymer Nurkës ... ”Peng midis ekuinoksesh”. Kjo ndoshta edhe nga përshtypja tjetër, se ndërsa kaloja nga një poezi në tjetrën, më dukej se asistoja në një festival folklorik, ku çdo grup përfaqsohej nga një poezi, apo anasjelltas. Jo dhe aqë nga tema dhe mënyra tradicionale e të shkruarit se sa nga meloditë që emetonin vargjet poetike. Sepse më shumë se vargje ato janë mbartëse melodish, ashtu si hojet në pite dylli, janë thjeshtë mbajtëse mjalti. Veçse këtu ky mjaltë të shijon ta marësh  me gjithë hoje.
1-Shume lirika e kanë  fillesën te kënga popullore, madje autori edhe specifikon vargjet tipike të këtyre këngëve. Por ndërsa është marë fillesa, motivi, shtrati i lirikës është ngritur në një nivel bashkëkohor artistik, duke na dhënë një poezi fine. Por edhe kjo është realizuar në disa  mënyra:
1.a-Psh te “Kënga e Siles së bukur”, ndërsa në variantin popullor është vajza që këndon për kaçakun Shahin Matraku me vargjet (cituar edhe nga autori): Do ta prish shtëpinë, do ta bëj lëndinë/Do ta mar moj Dado kapetan Shahinë….te lirika e Ymer Nurkës është kapedan Shahin Matraku që vuan e rënkon…Tridhjetë ditë sëmurë, na kishte kaçaku/ S’bënte derman mjalti,s’bënte as farmaku…për të mbritur te vargjet brilante….Çelën lulet çelën, oh në tre livadhe/Po puthej ariu, bashkë me një zorkadhe.
1.b-Në disa poezi autori vijon motivin popullor, në të njëjtën linjë, si  te  poezia “Çup e Veli Beut”, ku vargjet dhe shtrati  origjinal, na japin një skicim portreti të një vajze të bukur…Në mes të Përmetit, një zambak i bardhë/Çup e Veli beut me nishan në ballë... , poezia e Ymerit  vijon me kalimin e plotësimit dhe  “ngjyrosjen” e portretit, dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se ky portret është, në lëvizje …Bijë e vogël ishe, thesar i babait/ Shtatë a tetë sylina, çezmat e sarajit/Më freskoje gjinë të ndezur prej Majit/Të dehur prej moshës, të drojtur prej fajit…Mushka me revan,kali yt me trok-ë/Si s’këputej beli, sa dy çepirok-ë… Citimi në vargje i mënyrës së ecjes së kafshëve, shoqëruar me përsosjen e portretit fizik të vajzës, nënkupton  një rrugëtim krushqish, që shpien nusen të dhëndëri. Kjo saktësohet te vargjet fine të mëposhtëme … Ah, po te bandilli, vajzë kur të shpunë/Tri dit e tri net, s’fjeti syri gjumë/Ti më ishe shtrati , ai derdhej  lumë/Ai ishte dielli, ti ndrije më shumë…
1.c-Te  kënga“ Të rrëmbeu bandilli”, motivit të njohur popullor me vargjet …Të rrëmbeu bandilli për gishtrinjt e dorës/Në qafë ç’na more, Sofik e Borovës”, ndërsa i qëndron besnik në linjën poetike, e sposton vëmëndjen te  varfëria e skajëshme e vajzës, duke na e dhënë edhe këtë me një finesë artistike….Të gjithë po flinin, ti syrin filxhan/Vështroje shtëpinë, ç’të merje nishan/Për belin e hollë s’pate një kollan/Për gushën e bardhë s’u gjend një gjerdan….Sa e sa vajza u martuan kështu, duke marë për pajë…Një shami mëndafshi,plot për plot me ëndra
2-Në letërsinë shqipe është e njohur lirika,  e peisazhit, trajtuar, si nga Naim Frashëri, De Rada, Çajupi, etj, për të aritur majat te Lasgush Poradeci. Në këto poezi, autorët me një ndjeshmëri dhe finesë  të lartë artistike, kanë çfaqur bukuritë e natyrës shqiptare. Ndjenjat e tyre të dashurisë për atdheun i kanë derdhur në peisazhet e poetizuara. Kujto, psh, Bagëti e Bujqësi të Naimit ose poezinë Poradeci të Lasgushit, për të parë se si shpirti i poetit është derdhur në peisazhet shqiptare, të pikturuara poetikisht prej tyre.
2.a-Por te Ymer Nurka nuk është shpirti në shërbim (pasqyrim) të peisazhit, por është peisazhi dhe elementët e tij në shërbim (dëshmi) të shpirtit. Qysh në vargjet e para, që shpesh janë “peisazhiste” e kupton se vjen “tërmeti” i ndjenjave…
…Pllajë moj me lule shumë/A s’mi vë shqerat në gjumë/Se vjen syzeza në shtrugë…
 ….Dy shtëpi me plloça, anash me ballkone/…/Seç ma solli fati, të kem dy gjitone…
…Ky curill i kroit, në një fije peri/Varet e s’këputet, ç’paska vall i mjeri…(Vetiu të kujtohet vargu lasgushian…Kroi i fshatit tonë, tetë sylinjarë/Në tetë krahina qënkej kroi i parë..) Do mjaftonte vetëm ky krahasim për ta konkretizuar idenë e raportit peisazh-ndjenjë dhe specifikën e këtij raporti te poezia e Ymer Nurkës.
3-Tema e lirikave të Ymer Nurkës është tema e dashurisë me hovet,  brengat, dhimbjet e lotët e saj, të cilat , të pasqyruara poetikisht e bëjnë më të bukur, më sublime këtë ndjenjë. E pra, është bukur të vuash nga dashuria si në lirikat e Ymer Nurkës.
Aty gjen që nga :
a- hiret e vajzës…Faqen porsi kartë,buzën gurgule/Floku  yt i artë, supesh kadife… Të zbret pal e flokut gjer në maj të thoit… … Cipëlara në flori…Porsi brum i ardhur të kërcejnë gjinjtë…Syt e tu të kthjellur porsi dy burime.. Sumbullat e gjirit si rubin i prushtë/Njera ridhte mjaltë tjetra pikon musht..etj
b-deri te ndrojtja dhe frika e njohur e djemve, përpara vajzës që ata dashurojnë…Ti më the një fjalë, unë të thash një lutje…Duke ëndëruar të gjorët nuk fjetën…Nga hiret që mbaje, djemtë se çi çmënde….Me një reze syri,çma dogje fitilë…
c-Por ajo që duhet theksuar edhe në këtë rast, është fakti se, pikturimi i këtyre portreteve dhe ndjenjave është bërë me penelata të holla ngjyer te arti  popullor, ndajë dhe  është plot dritë natyrale. Të duket sikur autori është ulur diku në një lëndinë   pranverore, zgjat dorën e këput lule dhe me petalet e tyre krijon mozaikun poetik të dashurisë. Prandaj vargjet e Ymer Nurkës emetojnë te lexuesi, si rrallë në poezinë shqipe ( duhet thënë me përjashtim të Lasgushit) edhe aromën e natyrës shqiptare.
4-Poezia lirike e Ymer Nurkës është plot melodi, ashtu si hojet e bletëve janë mbushur plot mjaltë në pranverë. Kjo jo vetëm te poezitë me fillesë këngë të njohura popullore, të cilat lehtësisht këndohen me motivin e tyre fillestar, por edhe te poezite e krijuara  prej tij, me burim fantazinë e autorit.
Le të lexojmë vargjet e poezisë Fllad…Farfurin kjo gusha,fërfërin fustani/Tek fërgëllon shpirti, më flladitet xhani… Shikoni pak, melodia buron te gërma”f”, e foljeve farfurin (gusha),fërfërin(fustani),fërgëllon(shpirti),flladitet (xhani) dhe kjo është një melodi e ëmbël që të imponon nje ngritje koke dhe tundje të supeve. Kjo është e shpjegueshme, sepse flitet për hiret e vajzës që duam. Ndërsa kur autori flet për brengën e tij…Për zjarret që ndeze, mua më del tym-ë/…Unë të lyp si vesa, ti tretesh si brymë/Më shket nëpër gishta, si të ishe frymë…, natyrshëm që këndohet me dhimbje, madje duke tundur kokën në pozicionin gjysëm ulur, si të tregosh që mbi supe ke një peshë të madhe brenge.
Këmbëshkelura në vesë/Ç’deshe që më re në pjesë/…Un’ një hap e ti hedh pesë/Më bëre burim në djersë… thotë autori te poezia Margaritar dhe unë ju ftoj që ta krijoni vetë melodinë. Në rast se do bënim një sondazh mbi melodinë  që ju do ti afronit këtij teksti, unë ju siguroj që melodia popullore do kishte prioritet, madje shumë do sugjeronin edhe tipin e valles së të rinjve që do ta shoqëronte atë.
Mos doni të këndojmë këngën e gushëbardhës…Gushëbardha si fildishi/Obobo mëndjen çma prishi/Vishi moj të linjtat vishi/Vishi se më ngjethet mishi…Lere fare se vërtet na ngethi mishin kjo këngë. E pra, ne  thamë ta këndojmë këngën dhe jo   të lexojmë poezinë.
5-Sepse vërtet lirikat e Ymer Nurkës e kanë  melodinë(mjaltë)  brenda “hojeve” të gërmave, fjalëve e vargjeve. Ato më mirë këndohen se sa lexohen.
6-Kjo shpegohet thjeshtë. Lirikat e Ymer Nurkës janë mjalti i “ri”, prodhuar nga nektari i luleve të kësaj pranvere, që bleta poet e derdhi në hojet e formatit të lashtë. Por dallohet lehtësisht që mjalti është i ri, sepse kanë aromën e luleve të reja,  të çelura në  shpatmalin e sotëm të shpirtit të popullit, dhe si të tilla, marin ushqimin që të afron ky mal, plot burime melodish. Mali është i lashtë, lulet janë të reja, i ri është edhe mjalti, pa ç’ka se është “derdhur” në hoje të vjetra. Lulet e malit nuk i njohin serat e ngrohta me temperaturë të kontrolluar dhe të ushqyerin me   kimikikate. Si të tilla edhe figurat  i kanë të “harlisura” dhe fjalët rjedhin lirshëm nëpër vargje si uji i lumit në shtratin e tij,duke u rëzuar befas nëpër kaskada..
…Ndërsa nën sqetull mbaje dy sepete/Njërin plot me këngë, tjetrin plot me derte..
… Me këmbën e zbathur, më shkelje ndër zalle/Cili t’erdh i vdekur edhe ti s’e ngjalle/Çtë lidhte magjia e zgjidhje me falle…
Trëndafil i çelur priste njëzet maje/Ritur e vesitur me lot prej sevdaje….
Ç’ne e solli fati të kem dy gjitone/Njera prish dy botë, tjetra shëmb dy frone…(Ore Nurkë, mos do e shesësh gjë shtëpinë, se ta blej unë.Për hatër të gjitoneve).
7-Te Ymer Nurka hasim, si te të paktë poetë,  bukurinë magjike të  gjuhës popullore shqipe. Me fjalë gati të haruara, nga mospërdorimi, ai krijon një mozaik poetik të këndshëm, ku të ngelen të fiksuar sytë e mëndjes dhe shpirti brof plot ngazëllim, sikur të ketë gjetur një thesar të humbur dikur... Poeti e dashuron gjuhën shqipe, ndajë dhe me fjalë gati të haruara krijon relieve vargjesh me një tingëllimë melodioze, duke  marë në mbrojtje e duke dëshmuar lashtësinë, por edhe elegancën e brishtësinë e kësaj gjuhe. Unë do të thosha se studiuesit e gjuhës shqipe kanë se ç’të vjelin në “vreshtin “ e vargjeve të   lirikës së Ymer Nurkës
…Çdeshë me mua u puqe……Faqen porsi kartë, buzën gurgule……Ky curil i kroit në fije të perit……Plaste sher e bëhej gjëma…Në një vërsë me ty u rrita……Me tamlin që rjedh ndër cica……Si nepërka ndër shullëre……Ritur me pekule…etj etj duke i trajtuar këto fjalë, jo si relike në stendat e muzeut, por si  fëmijët të rikthyer në shtëpi, pas një  emigrimi të gjatë, në  krye të sofrës.
8-Vargëzimi i disa shprehjeve popullore i ka shtuar koloritin lirikës së Ymer Nurkës, duke e bërë atë më shumëngjyrëshe dhe më melodioze. Dhe kjo shumëngjyrshmëri e melodi është si një ylber që krijohet në kaskadat e vargjeve dhe të mendimit, ku shpërthejnë stërkalat e shprehjeve…
Unë dridhem në ethe,ti më ndez kongjillë….Detet t’i dhashë blu, ti mi do jeshilë… …Po më shteri vaji, ç’e dua kandilë…...Këpucët e larta me taka si urë/Me qejf do të shkonte për nën to çdo burrë……Dhe në jam i marrë, jam se jam i gjallë/Se nuk ka të vdekur që të vij vërdallë……Ç’të mirë i kish bërë që të mirë s’gjeti/Mori për dhuratë shtatë ball tërmeti …
Me këtë rast mu kujtua shprehja e Lasgush Poradecit se …asnjë poet s’mund të krijojë pa studiuar  poezinë popullore….
Ymer Nurka, jo vetëm që e ka studiuar, por edhe e ka përvehtësuar. E ka bluar në  shpirtin e tij grurin e poezisë popullore dhe me miellin e tij, ka gatuar lirikat, aqë fine të këtij vëllimi poetik,duke ardhur para nesh si një poet modern.
9-Të kuptojmë dhe të pranojmë një gjë,Ymer Nurka është një poet shqiptar, por njëkohësisht ai është edhe një poet  modern shqiptar.Lirika e tij çfaqet edhe si një dukuri europiane, qoftë për lirizmin e saj, qoftë edhe për nivelin  e lartë artistik. Në lirikat e tij, ka një dëndësi maramëndëse figurash artistike, por që çuditërisht, ato nuk pengojnë njera tjetrën, por  të duket se janë  lule të një peme, dëndësia e të cilave tregon se është …stina e lulimit.Ai shkruan thjeshtë dhe qartë, pa u përpjekur të imitojë apo të vihet në garë për t’ja kaluar poetëve të tjerë. Ai  i “kreh” vargjet shpejt e shpejt, siç kreh një vajzë flokët para pasqyrës me nxitim, se dëgjoi befas sinjalin e djaloshit që e fton në takim.Poeti  nuk e ka problem pse kjo vajzë është  veshur  me …tumane. E pra, poezia e tij është  dashuria shqiptare  tek lëviz në “odat” e vargjeve, në pritje të atij sinjali dashuror, që përmban gjithë muzikën e …lumturisë.
Poeti e dashuron këtë botë, plot muzikë e poezi. Ajo edhe e ka shpëtuar shpirtin e tij nga “ndotjet” akustike dhe “mbetjet” urbane. Aty gjithë vitin ka gjelbërim, muzikë, vajza të dashuruara e trima të ndrojtur para vashave, që s’flasin me fjalë por bisedojnë me sy, që ja lexojnë fjalët njeri tjetrit që te shpirti ku lindin, pa pritur të mbrijnë te buzët. Këtu dhe dimri është verë .Këtu ka lotë të ëmbël, të një dhimbjeje    dëshiron ta keshë gjithë jetën.
Këtu, në botën e tij  magjike, Ymer Nurka ka mbetur peng midis Ekuinoksesh dhe sdo të largohet prej andej. Ai, aty është në shtëpinë e tij.
Le të shkojmë ne te ai.
Të mrekullohemi.


Monday 1 July 2013

Ky det qe nis nga zemra



Timo Mërkuri, ky det që nis te zemra

Thanas Dino:-Intervistë me poetin dhe studiuesin Timo Mërkuri

Pyetje:-Kisha menduar për titull të intervistës disa variante si psh; Timo Mërkuri në …libra me vjersha, në…. përmbledhje me këngë popullore dhe në ...libra me studime, por ja që më pëlqen ky varg i yti dhe e zgjodha  per ta vënë  në titull. Besoj se mund të bisedojmë për çfarë të duam, apo jo?
Përgjigje;-Faleminderit që e nise bisedën me një varg timin. Kjo është mënyra më e mirë për ta ‘’robëruar’’, për ta bërë për vete një poet. Dhe me që unë u bëra ‘’robi yt’’  tashmë,  do t’u ‘’bindem’’ kërkesave tuaja,  gjer në momentin që do ‘’revoltohem’’ dhe do ‘’ngre krye’’. Por gjer sa të vijë ai moment, do derdhë shumë ujë në det lumi i Bistricës. Pastaj, bisedat me ty, janë vërtet një kënaqësi për këdo, e jo më për mua,  që i kam provuar.
Pyetje; -Edhe pse ju njohim, po ju pyesim; Kush jini ju?
Përgjigje;-Unë jam Timo Mërkuri… dhe prapa… s’më vjen historia. Jam unë ai që vrapoj pas historisë dhe historive, (si bleta pas luleve), për të vjelur prej tyre ‘’nektarin’’ e për të prodhuar mjaltin e poezisë. Dhe këtë mjaltë  prodhuar viteve, e kam derdhur në  katër vëllime poetike (pa përfshirë  këtu një vëllim të përkthyer në greqisht), tre vëllime me sprova e studime për iso-polifoninë, novelën “Thomai që mbolli kripë”, librin me  esse “Epoka që verbon poetët”.
Kam hulumtuar, mbledhur e botuar, shoqëruar me shënimet përkatëse nja katër vëllime me këngë,vaje e bejte pilurjote etj, etj.
Tani më thuaj ti, a të ka pëlqyer ‘’mjalti’’im, apo si gazetar pëlqen vetëm ‘’të thartat’’.
Kam lindur në Sarandë dhe këtë e konsideroj një fat të madh. Jam diplomuar për financë dhe kam punuar dhe punoj në sektorin e financës.
Pyetje:-Ç’kanë të përbashkët financa me poezinë?
Përgjigje:-Për ju, asgjë. Për mua financa është një poezi më vete, që të  habit me konçizitetin e saj. Në ato  pak faqe bilanci, në ato shifra renditur me skrupulozitet, unë lexoj  rezultatin e një pune periodike (mujore, tremujore apo vjetore) të  një grupi njerëzish. Te kjo poezi nuk ka fjalë, aty ka shifra që flasin. Por edhe te pentagrami,  janë notat që flasin, teksti është komentues....
Pyetje;-Ç’do të thotë të jeshë nga Piluri?
Përgjigje;- Kur isha i vogël, dëgjoja shpesh të thoshnin ‘’hajdut nga Piluri’’ ose ndonjë tipi ngatërestar,  plakat e lagjes t’i thoshnin;-Ti more djalë do keshë në bark ,ose shejtanin ose ndonjë “pilurak”. Unë nuk i kuptoja çdomethënie kishin, aqë më tepër që  unë kam lindur në Sarandë dhe vizitat e mia në Pilur kanë qënë të pakta, kjo e kushtëzuar  nga problemet ekonomike familjare, në fëmini e rini dhe nga largësia e punësimit, më pas. Por për fat të mirë, në s’vajta unë në Pilur, Piluri  erdhi ai tek unë me gjithë madhështinë dhe humanizmin, legjendat  dhe përrallat, trimërinë e zgjuarsinë e tij. Erdhi e më mbuloi të tërrin.  Në fëmini,  atë ma solli në Sarandë gjyshja dhe nëna, me këngët e përrallat, të cilat edhe sot nuk i kam haruar dhe i kam cituar  nëpër librat e mi.  Pastaj, çuditërisht, gjeta Pilurin  e këngëve dhe rapsodëve dhe atëherë ndjeva, më shumë se sa e kuptova, se unë gjithnjë kam qënë në Pilur, ndonëse jo fizikisht.
Të mësosh se edhe Zeusi  flet me fëshfërimën e  lisave  të Pilurit, të mësosh e të ndjesh se je pasardhës i një fisi të lashtë, tejet të lashtë, aqë sa të të ketë mbetur  edhe emërtimi ‘’bir i këmbëcjapit’’, duke nënkuptuar në këtë Panin e Madh, kjo  ndjenjë  të vë para një  përgjegjësie morale. Është si të jeshë duke mbartur  një thesar në shpinë, të cilën do ta shpiesh  të pacënuar diku larg, nëpër kohëra. Qoftë edhe duke ecur përmes  njerëzve  që të ngacmojnë.
Të jesh pilurjot është  edhe si të mbash një amanet të shënjtë, jo thjeshte si trastë në shpinë, por si pjesë organike, pikërisht në gjakun tënd.
Më pas, duke njohur historinë e Pilurit, fshatit të djegur tre herë vetëm pse nuk pranoi të   ndëronte fenë,  fshatin  e aqë trimave, kapedanëve e kuvendarëve, vetkuptohet që të ritet ndjenja e krenarisë së origjinës.
Duke shkruar për Pilurin, në një poezi them;
Në këtë majë mali  u ka hije/Të  bëjn’ kuvend a të këndojnë/Vetëm poetët dhe …perënditë/ Këtu i kemi ne shtëpitë.
Vetëm katër vargje, por s’besoj se duhen më.
Pyetje;-Po të jesh poet nga Piluri?
Përgjigje;-Më kupto, të lutem. Në Pilur, vetëm në shekullin që lamë pas, kanë krijuar   mbi tetëdhjetë rapsodë, të nivelit të lartë, që u kanë rezistuar kohërave..Ose që të jem më i saktë, nga hulumtimet e mia, që u përkasin vetëm kohëve të vona, kam ‘’takuar’’ kaqë rapsodë  dhe krijimet e tyre. Poezia është pjesë e jetës në Pilur.Të folurit e të ngacmuarit me bejte, vajtimet e famëshme të grave e plakave pilurjote, të vlerësuara  kudo,  janë si tempuj të shënjtë . Nuk është e lehtë të hysh e të pranohesh si poet në mjediset poetike të tilla, gati gati aristokratike. Po të sqaroj diçka  për ta kuptuar, duke marë shëmbullin  nga ceremoniali i vajtimit me ligje. Në qoftë se në një mort, një vajtore nis e  ligjëron dhe e ngre, e vlerëson më shumë nga sa duhet të ndjerin, vajtoret e tjera, me vajtimin e tyre të mëpasëm e korigjojnë menjëherë lartësimin e pamerituar të vajtores së mëparëshme dhe këtë korigjim janë gati ta mbrojnë edhe me sherr, edhe brenda shtëpisë së mortit.
Kur kushte të tilla të vështira u vihen, ose më saktë u vetëvihen rapsodëve, bejtexhinjve apo vajtoreve, duhet të kuptosh që poetëve u kërkohet shumë më shumë.
Pyetje:-Po në Sarandë, si është klima  letrare?
Përgjigje:-Në Sarandë klima është e ngrohtë. Nuk e kam fjalën për këtë pragsezon plazhi, por për klimën letrare…
Pyetje:- Më fal që të ndërpres, por dua të sqaroj diçka që kam dëgjuar. Thuhet se në Sarandë jeni mbi 80 poetë që…
Përgjigje:-Boll me këto statistika bufatorike, që të kujtojnë …rendimentet në parcelat e misrit të N.B.Vrinës, dikur. Pse ç’janë poetët, misër që mbillen në parcela eksperimentale, me kubikë e pa kubikë. Më kujtohet me këtë rast Basho, i cili diku ka thënë se një komb është fatlum, në qoftëse në një shekull nxjer një poet të madh.…Një qytet  duhet të ndjehet i nderuar në rast se një poeti, bir apo bijë e tij, i kujtohen pas disa vitesh katër apo pesë poezi të tij. Madje  ka detyrimin moral t’ja kthejë borxhin e ..nderit.
Pyetje:-…mbi këtë shifër mund të shtoj edhe mbi 200 libra të botuar…
Përgjigje:-Nuk po miremi vesh, më duket. Unë të flas për poetë dhe poezinë, ti më flet për libra të botuar dhe vargje të shkruara…Më kupto miku im. Çdo gjimnazist i ka bërë një poezi dashurie shoqes së bangës ose shoqes tjetër, dhe çdo gjimnaziste i ka derdhur në vargje emocionet e pritjes,takimit, puthjes dhe zhgënjimit të parë, por ata nuk qenë dhe nuk u bënë poetë dhe ato vjershëza nuk janë poezi. Të gjithë pensionistët shkruajnë kujtime dhe bëjnë bejte, madje dhe i botojnë me kushtime dhe amanete, por nuk janë  as shkrimtarë dhe as poetë.
Le të ta sqaroj pak më ndryshe. Të gjithe ne vemi në kishë, në pashkë e krishlindje, ndezim qirinj, lutemi, marim naforën e bëjmë kryqin dhe këndojmë hymne e lavdërime fetare... Por ne jemi thjeshtë besimtarë, ndonëse jemi gati njëmiliardë njerëz. Ne nuk jemi as shënjtorë dhe  as profetë  dhe askush nuk pretendon që është Jezusi. Ai është një dhe i vetëm, madje edhe në shkrimet e shënjta  ai  quhet “I vetëmlinduri”. Kështu dhe poeti, në mes të një mase të madhe  lexuesish, recitueshish, shkruesish (shpesh grafomanë) është një i vetëm. Shpesh herë është ai, i heshturi, i drojturi.
Mund të keshë shkruar …tetëdhjetë libra poetikë…dhe të mos jesh poet, ashtu si shpesh mjafton vetëm një vëllim poetik, që të tronditë botën letrare dhe ti ndryshojë orbitën globit…poetik.
Pyetje: Po ti, ku je?
Përgjigje:-Unë? Unë kam ca  vite që kam marë rrugën për të shkuar te Tempulli i Poezisë. Për të bërë një lutje a për të bërë një …fli. Për P(oezi)erëndinë. Ky tempull qënka në majëmali dhe shtegu qënka i ngushte e i  thiktë. Shumë kanë mbritur para meje. I dëgjoj  këngët (himne dhe lutje)  dhe e ndjej  aromën e “flive” të tyre, siç ndjehet në oborin e kishës, aroma e qirinjve të ndezur. Unë  ngjitem. Nuk e di  në do arij dot te obori i këtij tempulli, por dhe në mbritsha, do trokas te porta e tij, të cilën, nuk e di në se do ma hapë ndokush, ndonjëherë.
Këtë doje të dëgjoje? Dakort, është dhe kjo një pjesë e të vërtetës, madje finalja. Por në fakt ka dhe një anë tjetër, më njerëzore. Poezia, në veçanti dhe shkrimtaria në përgjithësi është  shndruar në një farë oksigjeni për mua. Unë nuk shkruaj, që të më shohin të tjerët që shkruaj e të më vlerësojnë. Unë shkruaj, sepse nuk mund të ri pa shkruar. Ashtu si çdo njeri, që s’mund të rojë pa thithur oksigjen.
(Më duhet që  t’ju them se shprehja në korsiv, nuk është e imja, por e një poeteje, dhe unë e citova motamo, në respekt të  shënjtërisë  që ajo përmban dhe të faktit që është  shprehja më konçize e të  vërtetës sime.)
Pyetje;-Ç’mesazhe përçojnë librat e tua me poezi?
Përgjigje;-Më  kanë thënë se poezitë e mia kanë shumë  dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër to. Po a s’më thoni, si mund të mos derdhë lotë poeti në trazirën e ’97, kur më shumë shihnim makinën e  varrimit të ecte rrugëve  të qyteteve se sa taksitë. Kush do këndonte këngë gazmore ndërsa numëroheshin ditë për ditë viktima njerëzore.
Pastaj unë kam një mendim tjetër për poezinë. Poezia e vërtetë është poezia e dhimbjes, jo poezia entusiazte. Edhe simboli i dashurisë është një zemër e çpuar nga shigjeta. Mendoj se dhëmb edhe gishti kur çpohet me një gjemb e jo më një zemër e çpuar nga shigjeta. …Një dashuri që ska lotë, nuk është dashuri…thotë një fjalë arabe.
‘’Dhimbja  është banore e qytetit tim’’  është vargu i parë i librit tim të parë.
Duke kënduar për të, unë ftoj gëzimin njerëzor të vijë  e të bëjë si zog, folenë te pema e dhimbjes. Duhet ta njohësh dhimbjen që të kërkosh lumturinë.Për vete e për të tjerët.
Pyetje;-Si do e karakterizoje  poezinë tënde?
Përgjigje;-Unë mendoj se poezia ime është aktuale. Por ju  dhe lexuesi duhet ta dini më mirë. Unë e shkruaj, ju e vlerësoni. Unë ua jap ‘’mjaltin’’ e lotëve të mia, mos ju duket shumë i kripur? Se i sheqerosur e di që nuk është.
Pyetje;-Ç’lidhje ka poezia jote me artin popullor,( iso-polifoninë) dhe si rri me të  e ndaj tij?
Përgjigje;- Ç’lidhje ka drita me lumin, që buron rrëmbyeshëm teposhtë, hyn nëpër turbine e përsëri del e përfundon në det? Në pamje të parë  s’ka lidhje fare.
Në pamje të parë poezia ime s’ka asnjë lidhje me artin popullor, me krijimtarinë popullore, qoftë ajo edhe në prozë. Unë kam vjersha të shkurtëra, populli ka  rapsodi të gjata.Unë i kam në varg të lirë, populli i ka në vargje të rimuara.
Por ka një gjë që harohet. Dhe më kryesori. Njeriu dhe shpirti i tij. Unë jam Brgedetas, jam pilurjot dhe në vargje derdh shpirtin tim bregdetas, pilurjot. Pavarësisht në se i derdh në vargje të rimuara apo  vargje të lira. Unë jam aty , në mes të librave, në mes të vargjeve, me brengën, hallet e dertet e mia. Që nuk janë thjeshtë të miat, personale.
Janë hallet e dertet e  kohës dhe të kohrave, të kombit e të kombeve.
Le të bëjmë një  largim nga unë dhe ti bëjmë një vizitë Fatos Arapit, psh. Fatos Arapi është një poet modern, që i përket të ardhmes, pavarësisht se shkruan sot. Vargjet e tija të lira s’kanë asnjë lidhje me vargun tradicional të poezisë popullore. Por po  të lexosh me vëmëndje poezitë e tij, sidomos ciklin kushtuar vëllait të tij, Vllas Arapit, për mënyrën se si shprehet e trasmetohet dhimbja njerëzore, të krijohet ndjenja se je duke lexuar(dëgjuar apo vajtuar) vajet e nënave labe dhe bregdetase. Vetëm një “sistemim” mund t’u  bëhet vargjeve të tij dhe të çfaqet para teje një vajtim. E pra, në shtratin e lashtë (të artit popullor) rrjedh rrëmbyeshëm lumi ( i fryrë )  i poezisë moderne të tij. Diku shtrati është më i “gjërë” apo më i “ngushtë”, diku në brigje kanë mbirrë rrepe apo shelgje lotues, diku koha  ka ndërtuar “kaskada”, por gjithësesi, lumi rrjedh teposhte e derdhet në det, i pastër e i kthjelltë, pa baltovina nëpër të. Prandaj është kaqë e bukur poezia e tij.
Shiko miku im, poezinë e Ali Podrimes. Në dukje, një poezi e largët, me vargje të “çuditëshme”.  Por ajo, poezia e tij, nuk është gjë tjetër, veçse shpirti  i poetit (dhe i popullit të tij) që reh me ritëm të shpeshtë, të mbytur nga gulçet e dënesat e fshehura mes vargjeve. Po ta lexosh me vëmëndje, të duket se në çdo varg, ai ka vënë një copëz zemre, të zemrës së tij të coptuar nga fatkeqsia (personale dhe kombëtare).
Dhe këto copëza zemrë nëpër vargje, ende janë të lidhura me njera tjetrën me nerva e damarë dhe rahin si një e tërë në gjithë krijimtarinë e tij.
E pra, të thuash se ç’lidhje ka poezia e këtyre dy viganëve modernë me artin popullor, është si të pyesësh se çfarë lidhjeje kanë mes tyre vera me vreshtin, vetëm e vetëm se e para është e amballazhuar mirë e bukur në shishe dhe tregëtohet nëpër restorante moderne, ndërsa vreshti është aty, në një shpat mali, në shi e në borë, me baltë e barishte nëpër rënjë dhe shpesh herë, edhe me insekte besdisëse nëpër gjethe.
Pyetje;-Pse u hodhe në studime të isopolifonisë, bile pa kaluar nga proza?
Përgjigje;-Këtë nuk e di as vetë saktësisht. Vlerësimi i iso-polifonisë si kryevepër e njerëzimit dhe marja e saj në mbrojtje nga UNESCO më gëzoi pa masë. Mendo dhe vetë;U shtua  edhe një kryevepër e njerëzimit që populli ynë i jep botës, krahas Butrintit, Beratit e Gjirokastrës. Pra, brenda një sipërfaqeje  afro dhjetëmijë kilometra katrore, populli ynë ka  katër kryevepra të njerëzimit, të njohura e të çertifikuara. Nuk di ndonjë  vend tjetër me një dëndësi të tillë gjeografike kryeveprash. Çertifikimi i iso-polifonisë  është vërtet një vlerësim për popullin tim. Po kur dëgjova se disa studiues, fatkeqësisht shqiptarë, filluan ta sulmojnë me argumente jo serioze si psh, jo po pse u quajt iso-polifoni kur ne e kishim mirë polifoni, jo po pse nuk na pyetën edhe ne etj etj, atëherë, pa  ju futur studimeve teorike, fillova të hedh në letër mendimet e mia, duke i argumentuar me shëmbuj konkretë të jetuar, kryesisht të marë nga bregdeti dhe  veçanërisht nga  Piluri. Kjo më diktoi  që këto shënime ti trajtoja në formën e sprovës dhe jo në formën e studimit akademik. Mandje në librin “Vesa mbi këngë”, këto tema i trajtoja më shumë në formën e një tregimi, gjë që solli dhe leximin dhe përthithjen massive të tyre, ndryshe nga çmund të ndodhte po të qenë studime të tipit akademik, ku lexuesi do qe një numër i kufizuar.
Pastaj, kureshtja është sëmundja  më e njohur e poetëve dhe studiuesve. Kureshtja se si  ka ardhur kënga nga vajtimi,  apo si fluturon shqiponja e këngës në qiellin e isos, si ka shtegëtuar kënga nëpër shekuj, si është krijuar vallja, e gjer edhe te zakonet e kanunet, këto janë shpella që duhen ekploruar nga studiuesit e folklorit dhe duhen  ditur e përthithur nga shkrimtarët e poetët.
Pastaj, arti popullor është një shkollë e pazvëndësueshme e shprehjes dhe konçizitetit të shprehjes artistike. Le të shohim, psh vargjet e një këngë, për një nuse të re, ardhur në vizitën e parë pasmartesore në shtëpinë e të jatit. Dikush e pa, ashtu të stolisur me  unaza e  zinxhirë floriri dhe këndoi… Ky zinxhir i hollë larë më flori/as na fol një fjalë si në vajzëri… Dy vargje janë, por sa dramë, dhimbje e brengë mbajnë nëpër gërmat e tyre. Do duheshin vëllime të tëra për ti shpjeguar teorikisht. Pra,shih sa qartë,shkurt dhe artistikisht flet populli.Kemi ç’të mësojmë, apo jo.
Të kaluarit nga proza për te studimet ska të bëjë fare. Për tu larë në det mund të hidhesh nga ndonjë gur, nga një varkë, mund të futesh me këmbë etj etj.
Pyetje;-Sa e kanë pikturuar poetët e Sarandës Jonin dhe sa është dhënë në përgjithësi në artet tona Mesdheu?
Përgjigje;-Të kuptohemi, s’ka rëndësi sa e kanë pikturuar poetët  sarandiotë Jonin e Mesdheun. Ata ditë për ditë shkruajnë e  flasin për Sarandën, Jonin e Mesdheun, por ka rëndësi si shkruajnë  për Jonin e Mesdheun, si e pikturojnë atë. Ajo që ka rëndësi është fakti se sa  u ka hyrë në shpirt, në jetën e tyre, në botën e tyre Joni dhe Mesdheu. Sa jonianë dhe mesdhetarë janë ata, sepse kur thua Joni dhe Mesdheu ke thënë Europa, kultura,dija, përparimi, civilizimi etj etj. Mund të banosh pranë Jonit dhe të jesh banor i prapamaleve. Mund të vish pranë Jonit dhe Mesdheut me kanun, koncepte e botë  të ngushtë provinciali, të jetosh e të vdesësh pranë Jonit e të mos marësh vesh se ke humbur një botë të ndritur e të madhe.
Mund të vish edhe si  shtetar i plotfuqishëm, psh në Sarandë dhe të kapardisesh e të thuash psh ; -Do ta bëj Sarandën të këndojë me çifteli, apo të këndojë  vetëm labçe.
Këta mjeranë nuk e kuptojnë se e kanë humbur që në fillim Sarandën, Jonin e Mesdheun. Nuk bëhesh dot qytetar pse  shite dhëntë e dhitë dhe bleve një “kullaro” e një kostum.
Ky është problemi more mik.A bëhemi dot jonianë e mesdhetarë, europianë. Për veten tonë, jo për botën. Pastaj vetkuptohet që do shkruajmë si jonianë për Jonin e si mesdhetarë për Mesdheun dhe sidomos do shkruajme, do mendojmë , do jetojmë e do punojmë si europianë për Shqipërinë Europiane. Dhe duke i dhënë shpirtin tonë jonian artit tonë, fjalës sonë, vargut tonë poetik..
Këtë objektiv ka edhe Klubi i Krijuesve të Artit Jonian, Ky është në thelb ajo që ne e quajmë Arti Jonian. Jo Arti Jonik i antikitetit, por Arti Jonian i kohës  dhe jetës sonë moderne, me ritme e vizione.
Unë do tju ftoja ta mirni poezinë e miqve të mi, psh Agim Matos, Andrea Zarballa,Niko Kacalidha, Adriana Dhrami etj, dhe nëpërmjet vargjeve të tyre të shihnit botën. Ju siguroj që do shikoni një  botë magjike, që as në ëndra nuk e kini parë. Një botë  (moderne)që të magjeps e të mrekullon. Dhe të fton të bëhesh pjesë active e saj.
Pyetje;-Ç’krijimtari ka dhënë tema e kurbetit?
Përgjigje;-Kurbeti, kjo plagë  shekullore e popullit tim, u gëric përsëri e filloi të kullojë gjak, dhimbje, e …këngë. Populli ynë gjithnjë, edhe dhimbjet i ka përjetësuar nëpër këngë, qofshin këto dhimbje të ëmbëla dashurie, qofshin edhe dhimbje të rënda morti. Është një bibliotekë e tërë me këngët, apo më mirë me këngëvajet e kurbetit, e cila  fatkeqësisht dhe fatmirësisht,  ritet ditë për ditë. Them fatkeqësisht, sepse ajo tregon se vazhdon vuajtja e popullit tim në kalvarin e kurbetit dhe them fatmirësisht, se edhe sot në kohët moderne, bota shpirtërore e njeriut shqiptar, ka trokitur te laboratori krijues i këngëve të vjetra të kurbetit, për të  artikuluar artistikisht brengat, hallet e dertet e jetës së tij të përditëshme, duke riaktivizuar këtë laborator, i cili në të kaluarën ka dhënë perla të poezisë dhe këngës popullore dhe sot në kohët moderne, rezikohej të amortizohet nga mospërdorimi.
Pyetje;-Si do ta shihje dramën e një plaku të mbetur vetëm?
Përgjigje;-Vetëm këtë dramë s’dua të shoh më te asnjë njeri. Do dëshiroja të mos e shihja tek asnjë njeri mbi këtë dhe, pavarësisht nga  kombësia e tij. Kam shkruar për plakat  që ua bren ditët ndryshku i vetmisë, kam shkruar për pleqtë që vdesin duke pritur, pleqtë tanë të mbetur vetëm, dhe të them të drejtën, e kam përjetuar dhimbjen rëndshëm. Por ta përjetosh artistikisht dhe ta jetosh realisht, është një det me lotë në mes, dhe unë s’dua të lundroj  nëpër të.
As me anie luksoze.
Pyetje;-Sa njihet dhe sa jeton në kulturën e përgjithëshme të vendit krijimtaria dhe kultura jonë lokale ose rajonale?Ç’mund të bëjmë më mirë?
Përgjigje;-Nuk ka kulturë lokale, nuk ka kulturë rajonale. Ka kulturë, ka art, ka stil të shkruari, të pikturuari, të vallzuari, të kënduari etj etj. Po ju donit të thoshnit, plot dashamirësi, për krijuesit që  jetojnë e krijojnë në ‘’rajone apo lokale’’, qytete  provicialë  e ca më shumë nëpër fshatra, ku hapërsirat e shikimit artistik janë më të kufizuara. Ky është problem i vogël që zgjidhet  lehtësisht. Problemi është se sa këta shkrimtarë, poetë, piktorë në përgjithësi artistë, krijojnë vepra që, për nivelin artistik dhe mesazhin që  emetojnë i kalojnë hapërsirat gjeografike të vendbanimit të tyre. Sa vend zënë këta artistë dhe vepra e tyre në jetën artistike të vendit.
Ismail Kadareja lindi në Gjirokastër, por ai tashmë nuk është më i Gjirokastrës. Ai është i gjithë Shqipërisë, për mos me thënë që është i gjithë Europës e më tejë
Por ajo që ka rëndësi,në këtë  këndvështrim, është fakti se  ajo që quhet zakonisht ‘’krijimtari lokale’’, kënga popullore, po bastardohet  nga përpunimet dhe përpunuesit e këngës popullore, duke i shndruar shpesh edhe perlat e vërteta të  artit të popullit në ‘’xhingla arixhiu’’ pa vlerë e pa shije, thjeshtë për komercializëm. Këta janë barbarët e kohëve moderne, këta janë barbarët e artit.
Pyetje;-Sa jetojmë si krijues?
Përgjigje;-Po u fute në det, do lagesh i tëri. S’mund ta pyesësh  tjetrin që është në mes të detit në se e ka lagur këmbën e djathtë apo dorën e majtë.
Po u fute në detin e krijimit do ‘’lagesh’’ i tëri dhe do jesh i lagur sa kohë që do jesh në atë ‘’det’’. Shpesh herë poezia nis duke bërë një vjershë dashurie.Në këtë rast je një djalë fatkeq ose fatlum i dashuruar, por nuk je poet. Të jesh poet do të thotë të jetosh çdo moment të jetës poetikisht, të gjesh poezinë dhe artin edhe aty ku të tjerët shohin banalitetin. Dhe një debat ose konflikt  të rëndomtë, ta shohish si një fenomen artistik aktual apo në prespektivë. Është njësoj si dashuria. S’mund të thuash që do dashuroj të hënën e të martën dhe do bëj pushim të mërkurën dhe të ënjtën. Po të zuri dashuria e krijimtaria, të zuri të tërin dhe për gjithë kohën. Është si sëmundje. Mund të të dhëmbë vetëm koka, por këmbët s’bëjnë çap më tutje.
E pra, shërimi është që të sëmuresh i tëri e përgjithnjë.
Ilaçet nuk më bëjnë gjë… thotë një këngë popullore.
Pyetje;-Kur shkruan dhe si?
Përgjigje; Puna e zyrës bëhet me tetëorarsh, jo arti. Arti bëhet gjithnjë. Për tu shkruar, mos u habit po më pe ndonjëherë që të kem ndalur makinën në anë të autostradës dhe të jem përkulur mbi bllok.
Pyetje;Cilin poet mba për idhull, po prozator.
Përgjigje; Unë i dua dhe i respektoj të gjithë krijuesit dhe lexoj sa më shumë të mundem. Jo vetëm kaqë, por kam nisur edhe ti rilexoj shumë autorë dhe gjithnjë bëj zbulime që dikur më kanë shpëtuar. Nuk kam idhuj. Nuk i vë krijuesit në peshë për të parë kush është më i rëndë a më i majmë. Secili ka  portretin e tij, ka botën e tij, ka artin e tij. Floriri është flori pavarësisht se ku  hidhet nga ai që sja di vlerën. 
Pyetje;-Ç’ke në shtyp dhe mbi se po punon?
Përgjigje:- Akoma do për ….mua.
Zakonisht unë flas pasi e kam mbaruar punën.Tani porsa mbarova këtë intervistë, për të cilën ju falnderoj së tepërmi, juve  dhe lexuesit e nderuar që do kenë rastin të njihen me të.
Ju faleminderit.