Saturday 24 August 2013

KUR FLASIM PËR ARTIN JONIAN...

 ese dhe vëzhgime kritike


(Libri është 204 faqe dhe shoqërohet me një përcjellje të prof. Fatmir Terziu)



Mërkuri vjen gjithnjë e më i çmuar

Dr Fatmir Terziu

N
johja e hollësishme e varianteve të shumta të lidhjeve kulturore, akulturore dhe ndërkulturore që kanë ndodhur dhe ndodhin në pjesën e Jonit, janë jo thjesht një vëmendje e poetit dhe studiuesit Timo Mërkuri, por një arsye që vjen nga tre vëllimet me studime për iso-polifoninë dhe katër vëllimet me këngë, vaje dhe bejte piluriote në rrugën e tij hulumtuese. Me origjinë nga Piluri i bregut, ai vuri në funksion memorjen kulturore, pikërisht në atë rrugë që bëri Kadareja me “plakat e jetës”(1970: 37).  Mërkuri angazhoi memorjen dhe mesazhin nga “plakat e lagjes” (2013: 162). Kështu afria rurale me një zonë ku kulturat bashkëvepronin dhe jepnin mesazhe, ka ndikuar tek Mërkuri, dhe duket madje se ka një arsye tjetër të ndikuar nga “dija dhe njohuria”, ku ajo që thotë Frank Nopsca, për kulturat ndërvepruese është dhe një “zhbirim kryqkultural” me domethënie të veçantë (1910:43-44). Duke qenë se fusha e krijimtarisë joniane nuk shihet si e shkëputur, as nga gjeografia krijuese, as edhe nga lëmitë e artit, Kur flasim për artin Jonian, flet me një amalgamë të gjerë e reciproke tematikash. Mërkuri ndalet tek poezia e Matos, Zarballas, Kacalidhas, Dhramit duke theksuar se si Bregas ai di të ngjyejë penën e tij në artin e margaritarëve, por edhe di të theksojë se ‘nëpërmjet vargjeve të tyre ai e bën lexuesin të shohë botën (169).
Mërkuri thekson se “oi, oi” në poezinë e Zarballas nuk është thjesht një përsëritje, as edhe një tipologji poetike, por një lidhje akulturore me “gjamën” që vinte dhe vë në fuksion pasthirmat “eh, eh” kur fjalët e fundit thuhen në vend, dhe veprimet bëhen në ecje, duke ngushëlluar për ikjen e njeriut. Një gjamë e tillë korale, e ndërlidhur shqiptare, e karakterizuar nga vaji Bregas, është edhe një ndalesë e hershme e Mërkurit. Kjo pasthirmë është sa kulturore, aq edhe plagë shekullore e popullit, e gërricur “përsëri” ku sipas tij ka dhimbje, këngë, e “filloi të kullojë gjak”. Është një “oi, oi” e kurbetit, e vuajtjes dhe dhimbjes shqiptare. Por këtë Mërkuri e shpërndan edhe me poezinë e tij, ku mes tyre ka shumë dhimbje, shumë trishtim, ka shumë lot nëpër to.
Edhe simboli i dashurisë për autorin është një zemër e shpuar nga shigjeta. “Një dashuri që s’ka lotë, nuk është dashuri”, gjegjet arsyeja e autorit të Kur flasim për artin Jonian. Dhe jo më kot ai në vargun e parë të librit të tij të parë shkruan se “dhimbja është banore e qytetit tim” (ibid). Poezia e dhuruar nga Mërkuri në këtë kuadër është “mjalti i lotëve të tij”. Kjo e bën akoma më shumë të qartë se arti jonian është si një oqean. Ai nuk është thjesht një territor i lagur nga Joni. Ai është shenjtërimi i dyzetë poetik i vetë Sarandës, që kumton qartë alteracionin e saj tipologjik, mes fjalës së bukur të artit të saj shumë-dimensional. Këtu është edhe identiteti multidimensional i këtij arti, i këtij arti që mbart vlera.
Arti Jonian nuk është parcelë detare. Por ai ka guriçkat e veta. Tek ai masiv ka edhe gurin që ndez sevdanë. Ka edhe “Kambanën e dashurisë” të Kristo Çipës, për të cilën Mërkuri thotë se i është krijuar bindja se vetë “Kristua e ka vajtuar (ligjëruar) atë ditë të përcjelljes së të atit në varrezat e Shën Kollit në Pilur dhe më pas e ka hedhur në tekst, poezinë e tij kushtuar “Ati im”. Aty, në atë kënd Jonian, është edhe poezia e Spiro Llajos, poetit nga Janicati i Thellogos. Aty është vlera e poetit që merr ... fundo, është vlera poetike e Agim Matos. Ndihet matanë kornizës së kohës “Lirika e Jonit” e Kiço Papës.  Është e tillë se sipas Mërkurit në artin jonian ka vetëm ngrohtësi. Ngrohtësi në fjalë e vargje, në ndjenja e figura, në mendime e në ngjyra. Aty s’ka dimër e nuk bie dëborë (81).
Shtrati popullor i një poezie moderne vjen në këtë mjedis me vargun e Fatos Arapit, e cila ka brenda saj “një ligjërim, një vajtim me ligje, ashtu si deti ka në thellësinë e tij gjëmën e dallgëve dhe jo vetëm lojën e valëve” (86). Mërkuri përmend gjëmën. Gjëma, ose gjama, ishte vajtimi që bënin burrat. Ajo ishte një britmë dhe ata që bënin gjamën ose britmën quheshin britmëtarë, apo gjamtarë. Edhe britmari ishte profesionist. Ai e mori dhe e zgjeroi shtratin e tij pikërisht mes shtratit popullor dhe ky shtrat zgjeroi gjeografi. Kështu edhe mosha u zgjerua dhe kështu arti i tillë mori masa dhe përmasa të reja, të cilat Timo Mërkuri i zgjeron edhe tek sprovat e “Shenjtëria e isos” (botim i dytë i plotësuar).
Dhe mbas zgjerimit gjeografik vjen edhe “borxh ajrit” ku dimensioni shpirt-poetik baraztakon vlerat joniane. Këtu ndalesat për Ali Podrimjen, janë oaz tjetër lidhjesh. Vjen edhe takimi me poezinë e Petraq Dhimës (1956-1987) ku duken qartë edhe lulet e këputura në Mars, apo edhe kutia me paparunë e skica të Edmond Llaçit dhe shkrime të tjera që vijnë mes përmasave me diell e ngrohtësi të Drita Lushit, poetit që vjen duke ikur kushtuar Aqif Hysës, mjalti në hoje të Ymer Nurkës, qytetërimi që kishim harruar të Odise Kotes dhe intervista me Thanas Dinon.
Libri i ri i Mërkurit shton vlerat joniane. Në të njëjtën kohë Mërkuri vazhdon të bëhet akoma më i çmuar. Ai kërkon vëmendje më të gjerë, më akademike. Dhe këtë e kërkon jo vetëm libri, por vetë lexuesi i gjithanshëm i Timo Mërkurit.

Saturday 3 August 2013

Shenjtëria e isos

DOLI NË QARKULLIM BOTIMI I DYTË I PLOTËSUAR I LIBRIT ME SPROVA "SHENJTËRIA E ISOS" I AUTORIT TIMO MËRKURI NGA SHTËPIA BOTUESE "MILOSAO". ME NJË HYRJE TË PROF. DR. VASIL S. TOLE. LIBRI KA 222 FAQE DHE KUSHTON 700 LEKË.