Tuesday 12 November 2013

Gonxhet e porsaçelura në prill



Zeno Gjika

Gonxhet e porsaçelura në prill

Përsiatje mbi  vëllimin me tregime e skica  “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit

Në prill çelin gonxhet e luleve në zonat malore. Dalngadalë mbulesa mbrojtëse e gjelbër  hapet si një kanat porte  dhe pas tyre zgjaten petalet e ndrojtura. Fillimisht sa çfaqen pakëz, si një sy vajze e ndrojtur, që do të shohë se çfarë ka kjo botë  pas porte, për të shpërthyer më pas e për ta zotëruar të tërrën  me bukurinë e saj. Është magjepës moment i çeljes së gonxheve në prill. Ende pa e parë lulimin të deh aroma pranverore. Dhe të lind dëshira që të qëndrosh në vend, edhe nga ndroja se mos i shkel padashje këto gonxhe të porsaçelura, që ende skanë marrë formën e plotë të një luleje. Dhe pastaj, kur shesh gonxhet e porsaçelura, si sy vajzash gjysëm të mbyllur, të ndritur e të përnjomur, që nxitojnë për në takimin e parë, të ndizet edhe ty brenda shpirtit një ngrohtësi dhe të krijohet ndjesa se jeta është e bukur.  Është vërtet e bukur jeta, pavarësisht se mbi petalet e saj shpesh herë bie pluhuri i modernitetit, me grimca krimi e varfërie. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht bukurinë e petaleve, por nuk e ndalon dot aromën dehëse të luleve të na mbushë kraharorin. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht petalet, por nuk mund të bëhet pjesë e tyre. Ai rrëzohet edhe nga flladi më i  lehtë. Dhe atëherë aroma e luleve vjen te ne edhe në formën e një duhme dehëse. Ne nxitojmë të  gjejmë këto lule, ti mbledhim e të bëjmë tufa me to, për ti dhuruar në shënjë dashurie për njeriun dhe për jetën. Apo së paku, duke u këputur petalet, të hipotezojmë …më do apo s’më do…njeriu që ne e duam. Sepse  lulja nënkupton dashuri.
Dhe ne kemi nevojë për lule, sepse kemi nevojë për dashuri. Paçka  se shumë herë kjo dashuri na mbush me lotë. Me lotë shpirti,  që qëndrojnë   si vesa mbi petale. Por lulja e porsaçelur, në vetvete i ngjan një buzëqeshjeje. Qoftë e mbuluar nga vesa e prillit. Madje duket më e bukur kur mbi  petalet e saj rrezëllijnë margaritarët e lotëve.
Këto mendon ndërsa çfleton librin “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit, ku në shtrat novelash kanë mbirë e po çelin petalet e tregimeve të saj. Petale që, ndonëse nuk të japin konturet e plota të luleve që u përkasin (e pra, janë gonxhe në  çelje e sipër), të ftojnë të rish pranë tyre, të ndjesh jetën që gëlon në këtë çelje, të dehesh nga aroma e tyre dhe, shpesh përmes lotëve të pohosh….Jeta është e bukur.
Sepse unë me plot dëshirë do sodisja “Valsin me të bardha” të Etlevës dhe do ta quaja me plot të drejtë Valsi i dashurisë. I  dashurisë për jetën e re që nis, për dashurinë prindërore që e shndroi dhimbjen në lumturi…Dhe ajo ngrohtësi që buron nga reshtat e tregimit, ju siguroj unë që është ngrohtësia e gjithë dashurive.
Është ajo ngrohtësi  njerëzore që gëlon edhe  te “Shtatë ditët”, tregim që vetiu të kujton se…edhe zoti e krijoi botën në shtatë ditë. Sepse e krijoi me …dashuri…Nuk e kisha dashur botën më shumë se sot…pohon sinqerisht autorja.  Është një dashuri që nuk mund të thuhet nëpër telefona , një dashuri që edhe vendimin më të vështirë e bën të natyrshëm si çelja e një gonxheje.Një dashuri që I bën të bukur dhe të natyrshëm edhe lotët e burrit dhe natyrshëm thua …Gjergj…unë do të vij, duke e vendosur theksin te pjesëza “të”, për të kuptuar se të vij ty, vij vetëm për ty. Pavarësisht se bie shi apo jo.
Te këto tregime të porsaçelura si gonxhe lulesh ka shumë freski. Tallazet dhe vrundujt e ndjenjave të shpirtit, dalin përmes rreshtave dhe vijnë drejt teje. Herë të rrëshqasin si lotë ndënë qepalla, herë të ulen si buzeqeshje  në buzë . Vrapon nëpër shi bashkë me personazhin, qesh apo trishtohesh bashkë me të. Por ajo që vlen të thuhet është fakti se jeton bashkë me  personazhin botën e bukur shpirtërore të Drita Lushit.  Këtë botë që ka kaqë shumë lule dhe dritë. Ku dhe dëbora është thjeshtë një …lule e bardhë. Këtë botë ku mëson të …puthesh  me vështrime, këtë botë ku gjithmon të pëlqen edhe shiu.
Në shtrat novelash kanë nisur të çelin ca gonxhe  që lajmërojnë një pranverë të afërt dhe me lule shumë. Të bukur, me diell e me shi, si lotë gëzimi. Dhe kur të çelin këto gonxhe plotësisht, së afërmi, do shohim se prilli, sa ka lule, ka dashuri. Do ndjejmë se është bukur të jetosh jetën, me gjithë vështirësitë dhe privimet e saj. Do ndjejmë se aroma e luleve të çelura është më e bukur se era e …makinave luksoze. Do ndjejmë jetën, të gjallë e të gëzueshme. Ashtu siç di ta përshkruajë Drita Lushi.