Sunday 31 August 2014

Të lexosh një poezi….



Të lexosh një poezi….
Përsiatje mbi poezinë  “Iso-ja e detit” e Fatmir Terziut
Nga Timo Merkuri 
Të lexosh një poezi, nuk mjafton që të dish shkrim e këndim. Nuk mjafton të shëtisësh nëpër vargje si  në parqet e qytetit duke admiruar së jashtmi bukurinë e  shatërvantë të metaforave apo bronxin statujor të krahasimeve. 
Nuk mjafton të mësosh përmendësh disa vargje e ti recitosh ato.
- Kjo është si të bësh disa poza fotografie gjatë një shëtitjeje turistike, duke pretenduar që po mer me vehte bukurinë e vendit apo historinë e objektit që fotografon. Në fakt, ti vetëm sa  fikson vetveten në celuloid apo memorikart pranë një vendi, që gjithsesi mbetet  aty ku ka qënë  edhe më parë. Je ti ai që ikën prej tyre.
 -Kjo është si të kalosh pranë një floriri (poezie) dhe të mos e shohësh atë. Nuk humbet vlerën floriri pse nuk e pe dhe nuk e more ti. Do gjëndet dikush që ta shohë dhe ta marë, dikush që do fitojë.  
Të lexosh një poezi do të thotë të jetosh poezinë. 
Të jetosh poezinë do të thotë që bëhesh banor i “qytetit poetik” që ka ndërtuar poeti. Do të thotë që të shkrish veten në  botën e poetit, si lumi që shkrin e  mohon vehten kur derdhet në det. Dhe të të mehet fryma në vargjet….dritaren e mbaj hapur/për të dëgjuar zhurmën e valëve/pëshpëritjen tënde të shpirtit/..ison e fjetur bunacë…
  lexosh e të jetosh te këto vargje një deklaratë dashurie.
Dhe  të mendosh se kjo pëshpërimë e shpirtit që poeti e dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të Jonit, më e pakta që mund të bësh është të admirosh këtë dashuri të madhe tejëkontinentale.
Të lexosh këtë poezi do të thotë të jetosh  këtë poezi të ardhur si një kontribut në debatin e rindezur me temën …Polifoni apo iso-polifoni dhe origjinën e këngës sonë popullore nga ritet mortore të vajtimit. Sepse, jo rastësisht, rrymat  kryesore të idesë së poetit janë ato të këngës sonë iso-polifonike. Dhe këto të para me syrin jonian…
…Jon, a e dëgjon/Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote
a të kujtohet kur lanim lotët bashkë/…është isoja jote në këtë guackë/është kënga që erdhi nga dashuria e pastër e Afërditës…

e ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti/..një shpërthim nga de(r)ti
Të lexosh këtë poezi joniane të Fatmir Terziut do të thotë, jo vetëm të dëgjosh ison
e valëve që era ta sjell pranë me tramudanë, nga Joni  në Londër, por  në radhë të pare, të jetosh këtë iso, që vetiu të përlot, jo aqë nga  shija e athët e kripës së detit (apo e lotit), se sa nga fakti se vetë kjo iso është  shpërthim  i një shpirti , nga derti e nga dhimbja. Dhe  deti Jon vetiu të kujton dhimbjen dhe lotët, qysh nga vdekja e Jonit në hershmëri, nga kënga vaj e sirenave, nga dhimbja e Vajzës së Valëve për të klithur më pas te kënga “O pampor o dhog e thatë”. Instiktivisht poeti dëshmon një të vërtetë të madhe  shkencore, të vërtetën e pakundërshtueshme që kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën  nga  vajtimi me ligje. Këtë poeti  e thotë me finesë… a të kujtohet kur lanim lotët bashkë. Këtë të vërtetë të cilën disa pseudo studiues e anatemojnë, si diçka arkaike, jo shumë e “bukur”, pa kuptuar se anatemojnë pikërisht  identitetin shqiptar të këngës popullore. Të asaj kënge që u  njoh nga UNESCO si kryevepër e njerëzimit

Instiktivisht poeti thotë…Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote/ lindin bashkë me të poezitë e reja…
Duket si një varg i bukur që admirohet menjëherë, por unë do ju ftoja të ndalojmë pak këtu, para se të kalojmë te vargjet vijuese, po aqë të bukura.
Unë ju ftoj të ndalojmë këtu, për dy arsye. E para se ky varg…deri në Londër ndjehet isoja jote…nuk është thjeshtë dhe vetëm dashuria e poetit për Jonin apo ison. Kjo më më shumë dëshmon   shtrirjen dhe jetëgjatësinë e isos, në distancë gjeografike dhe kohore. . Nuk e thëret poeti ison, e gjeti isoja poetin në Londër.
 Ajo që në kohët e sotme u ndje nga poeti deri në Londër, duke kaluar  lirshëm nëpër “kakofoninë” muzikore moderne nëpër distancën  Sarandë-Londër, ajo shumë lirshëm ka lëvizur  nëpër shekuj në trevat e saj. Jo vetëm ka lëvizur, por edhe është ritur, burëruar e fisnikëruar.
Vargu fin…lindin bashkë me të poezitë e reja…, menjëherë i dashuruar prej meje, është paraqitja më elegante e  faktit shkencor të gjenezës së këngës sonë popullore nga vajtimi. Populli ynë, i cili nga rrënkimin vajtimtar (isoja) nxori kryeveprën e njerëzimit, këngën iso-polifonike, nuk e ndërpreu procesin krijues në laboratorin e tij.
Prej këtij rrënkimi vajtimtar (iso) ai tashmë prodhon …poezi.
Është e bukur isoja jonë.
Unë dua të mendoj se edhe Afërdita këngën tonë me iso ka kënduar në tempullin e saj në Onhezmin e antikitetit, Sarandën e sotme. Por në qoftë se nuk e dëshmoj dot këtë  hipotezë, deri tek ne sot, kanë ardhur dëshmitë që Isadora Dunkan, kur u vendos në Sarandë, bashkonte zërin e saj me gratë e vajzat e Sarandës në këngën iso-polifonike, duke lehtësuar kështu edhe dhimbjen e sëmundjes së saj.
Është e bukur iso-ja jonë. Madje është jetëdhënësia e këngës. Po të shuhet isoja, automatikisht shuhet edhe kënga. … Duhet të dishë se një deti i vjen vdekja/…kur i shuhet isoja…Më poetikisht nuk mund të thuhet një e vërtetë shkencore.
E ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti….
A mos vallë duhet të kujtojmë faktin se populli ynë u ka kushtuar këngë të mrekullueshme edhe popujve të vendeve të largëta, kur ata kanë qënë në situate problematike (boerët zun e luftojnë). S’është nevoja të sjell  unë shëmbuj, e ka thënë shumë bukur Fatmir Terziu te vargu i mësipërm. Ne na mbetet vetëm ta admirojmë.
Të lexosh një poezi nuk mjafton të dishë shkrim e këndim, apo të keshë një diplomë.
Të lexosh një poezi do të thotë të jetosh në poezi. Si te kjo poezi e bukur joniane e Fatmir Terziut, të cilën unë ju ftoj ta rilexoni përsëri:
Isoja e detit
Nga Fatmir Terziu

Edhe pse jam larg në Londër,
dritaren e dhomës së gjumit e mbaj hapur,
jo vetëm për të ndjerë freskinë e gushtit,
më shumë për të dëgjuar zhurmën e valëve,
pëshpëritjen tënde të shpirtit
penën që rrëshket mbi dallgë
ison e fjetur bunacë.
Sepse e njoh këngën tënde
është përzgjedhur në armatën e madhe të kulturave
pranë jetës, pranë puthjeve, pranë dashurive
herë ndjen frymën e shpirtrave të lodhur,
herë frymën tënde të jodëzuar,
Jon, a e dëgjon?
Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote,
lindin bashkë me të poezitë e reja.
Je përzgjedhur nga të gjithë
e duhet t’ua kthesh me shpirt,
natë e ditë në vrullin tënd si Leukotea.
Mund të biesh në bunacë
e trupi yt mund të të dhëmbi
po në shënimet e mia duhet të flesh mbi fjalë,
ashtu i madhërishëm përsëri,
a të kujtohet kur lanim lotët bashkë?
A e dëgjon?
Këtu zëri yt vjen i radhë
është isoja jote në këtë guackë
është kënga që erdhi nga dashuria e pastër e Afërditës
duhet ta dish
se një Deti i vjen vdekja
kur i bie në trup e në zë urrejtja
kur i shuhet isoja.
Edhe pse jam larg në Londër,
e ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti
një atribut i njohur i perëndeshës së këngës
një shpërthim nga de(r)ti.
Pak fjalë desha të ti them.
Në këtë kohë secili duhet ta dijë çmimin tënd
e ta thotë me gojë, me fakte apo me penë.



Tuesday 19 August 2014

Tjetërsimi i thelbit të një problemi…te ritet e vajtimit



Tjetërsimi i thelbit të një problemi…te ritet e vajtimit

Nga Timo Mërkuri

2-E qara me “botë”  dhe vajtimi me ligje,  pjesë e ritualit mortor dhe gjenezë e këngës sonë popullore.
Te libri i tij “Tjetërsimi i Polifonisë Shqiptare” studiuesi F. Çaushi analizon  “gjëmën”, të qarët me “botë” dhe e përjashton atë kategorikisht si gjenezë apo element ndikues në origjinën e këngës sonë popullore iso-polifonike. Këtë e bën duke u bazuar pikërisht te disa karakteristika  anësore të saj, gjëmës, si klithmat, ulërimat me llahtar të vajtoreve në të qarët me “botë”, duke u bazuar në gjestikulacionet arkaike të shkuljes së flokëve, çjerrjes së faqeve të vajtoreve. Madje për këtë i referohet edhe G.V.Hahnit i cili ka asistuar në një gjëmë në Zhapës e Labovë, i cili klithmat e vajtoreve në gjëmë i krahason me ulërimat e ujqërve (sic). Për këtë sjell edhe dëshmitë e Lukianit…fillon kuja dhe të qarat e grave, vajtimet e të rahurat e kraharorit, shkulja e flokëve dhe çjerrja e faqeve… ose citon vargjet dramatike të Eskilit… Godas me grushte fytyrën fortë/shkul flokët, faqet grij me thonj… dhe argumenton se …në asnjërën prej tyre  nuk kemi polifoni, sepse polifonia është krijimtari e ndërgjegjëshme, jo ulërima dhe klithma instiktive…
 Unë mendoj se në lidhje me këtë problem duhen sqaruar disa elementë dhe konkretisht:
                 2.1-E qara me “botë”,  “gjëma” është pjesë e pandarë e ritualit mortor dhe që nuk i përket vetëm historisë antike, por edhe kohëve më moderne. Duke e shkëputur atë, të qarët me botë, gjëmën nga ritualet mortore, nga ceremonitë mortore dhe duke e trajtuar më vete, si një degë të këputur nga një pemë, mund të konkludojmë vetëm që…kjo degë na qënka një shufër me të cilën vetëm sa mund të godasim dikë…
              a-E qara me botë nuk është një ulërimë zëçjerrëse e ngjashme me ulërimën e ujqërve.Ky krahasim mund ti lejohet Hahnit, si i huaj që ishte dhe që nuk i dinte regullat dhe ligjësitë tona zakonore. Ai skishte si ta dinte që e qara me botë, në kohën e konstatimit prej tij, ishte një segment i rituali mortor, madje jo vetëm fillimi i ritualit mortor, ai fillim i natyrshëm  kur provokohet dhimbja me ardhjen e lajmit të mortit apo ardhjen e trupit të viktimës, ardhjen e të afërmve të të ndjerit. Por  ne që i kemi përjetuar edhe në familjet tona apo të afërmit tanë, ne që kemi parë nënat e gjyshet tona të shkulin flokët e të çjerin faqet, të godasin kokën  në muret e shtëpive, ne nuk kemi shumë nevojë për dëshmitë e tipit…shënime udhëtimi… të Hahnit. Ne flasim për dëshmi jete.
Ajo që unë dua të theksoj këtu, është fakti se edhe këto të qara më botë, me ulërima e të çjera faqesh nuk kanë qënë gjeste e veprime individuale. Ka patur një “regullshmëri” kolektiviteti  edhe në  shkuljen e flokëve , çjerrjen e faqeve gjatë të qarit me botë. Ka patur një rregullshmëri edhe  në vajtjen e shtëpisë së mortit të të afërmve e të ndjerit, të cilët e zinin gjëmën, minimalisht 50-100 metra larg shtëpisë së viktimës.
                    b-Unë ju ftoj të lexoni Barletin (dhe “Skënderbeun” e S.Godos) kur shkruan mbi vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë. Nuk vajtoi vetëm Lekë Dukagjini, por vajtoi me gjëmë gjithë ushtria shqiptare. Të gjithë  i binin gjoksit, çirnin faqet, klithin vajtimin. Askush nuk guxon të thotë, sipas Hahnit, se …ata klithnin si ujqër…
Ata vajtonin shqiptarisht, me gjëmë, me botë. Dhe hapat që hidhnin drejt shtëpisë ku dergjej trupi i pajetë i kryeprijësit shqiptar, ishin hapa  të rregullt, gati ushtarakë…një hap para, pastaj  përulje e trupit dhe goditje e tokës me pëllëmbë të dorrës, gati me inat. Unë e kam parë vetë një ritual të tillë,  në kohët e sotme.
Unë kam parë burrat e Pilurit kur shkojnë në shtëpinë e viktimës me gjëmë në buzë dhe gratë duke shkulur flokët apo çjerur faqet. Pasi hyjnë në shtëpinë e të ndjerit me sokëllima e ulërima vajtimtare, vetëm pasi mbarojnë vajtimin me gjëmë, përshëndeten me të pranishmit për të vijuar më pas vajtimin me ligje.
                  c-Në internet është hedhur një fotografi e Marubit (nqse nuk gaboj)  e cila tregon një grup burrash malsorë duke bërë gjëmën. Ata janë një grup, të vendosur gati në vijë të drejtë, me gjunjë gjysëm të përkulur duke “klithur“ në të njëjtën kohë. Pozicioni i tyre, gati i njëjtëpërulur dëshmon se edhe “klithma” e tyre është e njëtrajtëshme, si  në korr.
Pra gjëma, e qara me botë, ka qënë një akt kolektiv dhe jo individual. Është tjetër gjë pse një nga pjestarët e grupit e ngrinte zërin një oktavë më lart se të tjerët, gjithmon ose në një moment të caktuar. Kjo nuk e përjashton atë nga kolektiviteti i të qarit më botë.
Edhe Plutarku, te legjenda e Butrintit dëshmon se…vajtimi i nimfave…, kur morën vesh vdekjen e Panit, ishte një akt mortor kolektiv dhe jo individual..
                   2.2-a-E qara me botë nuk ka qënë vetëm …klithmë e ulërimë rënqethëse. Vajtoret shqiptare kanë krijuar perla të ralla  artistike edhe në momentet e të qarrit me botë, mbi trupin e të ndjerit, vetkuptohet kur ata qenë njerëz me vlera të larta individuale dhe shoqërore. Vajtimet e famëshme…Qaj moj Çikë me Gjinikë/ se drëri juaj ka ikë/që  i shtij hasmitë frikë….ose…Qeparoi majë shkëmbi/pataksem si s’lot nga vëndi/iku Sokrat Lekë drëri/ kapedan i këtij vëndi… apo vajtimi mbi trupin e Zerbin Çakallit në Pilur…Ç’u çkul oxhaku në grikë/o Zerbin sofërjeshiltë/po kush do ti presë miqtë/Abdylin dhe Frashërllinjtë…janë dëshmi e pakundërshtueshme të faktit se gjëma, e qara me botë nuk ka qënë thjeshtë …ulërimë me llahtar.
Dikush do më thotë që këto janë të qarë me ligje…
Ndoshta, por nëpër vite  kanë ardhur dëshmitë se këto vaje janë mbajtur mbi trupin e të ndjerëve. Të qarët me botë është bërë kryesisht mbi ose pranë  trupin të të ndjerit, në shtëpinë e tij ose në varreza, në momentin e përcjelljes.. Edhe këto  vargje të sipërpërmëndura janë vajtuar, jo me ëmbëlsi por me forcë e me dhimbje, mbi trupin e të ndjerit.
Afërsia e këtyre vargjeve gjëmë me vajet e ligjeve  do të thotë se…të qarët me botë, me gjëmë ka evoluar në  vajtimin me ligje. Kjo do të thotë se të qarët me botë, me gjëmë ka qënë fillesa e ritualit mortor nëpër kohra, ka qënë  “trungu” i këtij rituali.
                b-E qara me botë dhe e qara me ligje kanë  ndryshim tonaliteti “muzikor”, por  ne nuk flasim se kush do fitojë çmimin në festival. Patjetër që do ketë ndryshim sepse e qara me botë është më e vjetër, më arkaike në krahasim me vajtimin me ligje.
Por ajo që ka rëndësi është fakti se është i njëjti fenomen…vajtim. Ka të njëjtën origjinë, ritet mortore, i kanë aplikuar  i njëjti popull. Fakti që  shpesh në ritualin mortor përzien të qarët me botë dhe vajtimin me ligje tregon lidhjen mes tyre, vazhdimësinë e njëratjetrës dhe nuk flet për ndonjë përjashtim të njera tjetrës.
                c-A ndodhen elementë arkaikë të  të qarit me botë, me gjëmë në këngën tonë popullore?
Po, ndodhen. Hedhësi i këngës himarjote( por edhe pilurjote), ai që me zërin e tij “klithmë”  të mban frymën pezull e të rrënqeth trupin, nuk është gjë tjetër veçse ai “gjëmëtari” që klith në të qarën me botë, në gjëmë.
Dikush mund të thotë se dhe ky zë është marë nga  klithma e të afërmve në vajtimet me ligje. Por duhet të pranojmë se te vajtimet me ligje, kjo klithmë ka ardhur si “atavizmë” e gjëmës, e të qarit me botë. Edhe ky fakt është dëshmi e vijueshmërisë së gjëmës, të qarit më botë dhe vajtimit me ligje.
Neço Muko Himarioti kur krijoi “avazin himarjot”, jo më kot i dha një rol dhe funksion të ri  hedhësit, zërit më arkaik dhe  më jetëgjatë të këngës popullore. Ky zë që kishte jetuar nëpër shekuj kishte forcën vitale ta çonte këngën tonë popullore në kohërat e ardhëshme.
                ç-Pse ka rëndësi pranimi dhe mbrojtja e kësaj teorie të origjinës së këngës sonë popullore, duke patur si fillesë gjëmën, të qarët me botë dhe vijueshmëri të saj, të qarët me ligje.
Jo vetëm që ka rëndësi por është dhe gurthemeli i identitetit shqiptar të këngës iso-polifonike. Kënga jonë popullore, në origjinën e saj, nuk ka lindur si …krijimtari artistike e ndërgjegjëshme…(sic).
Po të pranonim këtë tezë, atëherë duhet të pranonim se kënga jonë është prodhim artistik modern, i ndërgjegjshëm, i kohëve të vonëshme, i kohëve moderne, krahasuar kjo me kohën e lindjes reale të saj. Sepse  veprat artistike të ndërgjegjëshme kanë lindur shumë kohë më von nga koha kur nënat, motrat e  baballarët vajtonin bijtë e vëllezërit e tyre.
                     d-Tragjeditë e Eskilit dhe të autorëve të famshëm antikë grekë janë shkruar shumë më von se të gjëmonin gjëmat dhe ligjërimet e nënave tona. Por Eskili (dhe të tjerët) si artist i madh që ishte, nuk mund të kalonte indifferent para këtyre perlave popullore. Ai i mori ato nga populli im dhe i vuri artistikisht në tragjeditë e tij, duke i bërë ato, tragjeditë, jo vetëm më njerëzore por edhe më jetëgjata. Kori dhe korifeu, vërtet nuk na kanë lënë  muzikën të shkruar në pentagram, por as vajtimet e herëshme të nënave tona nuk janë në pentagram. Ajo që kanë të përbashkët është fakti se kori dhe korifeu janë identikë me grupet e këngëve tona popullore, si nga përbërja ashtu dhe nga funksioni.
Mos vallë duhet të kujotojmë se  shekuj më von, një tjetër kolos i letrave, Shekspiri, do vinte në qëndër të një kryevepre botrore, Hamleti, një legjendë skoceze. Ndërsa Eskili  vuri në skenë artistikisht, jo një legjendë, por një aktualitet të kohës së tij.
Tragjeditë e Eskilit janë …vepra artistike të ndërgjegjëshme.
Gjëma, të qarët me botë dhe vajtimet me ligje janë veprime instiktive njerëzore.
Pse populli im gjëmën, vajtimin me ligje e shndroi në një vepër arti , kjo ështëë meritë e tij . Evidentimi i kësaj vlere, lartësimi i saj bashkë me zbulimin e procesit laboratorik të këtij shndrimi është detyrë e forcave intelektuale të vendit.
Pra, tragjedianët e mëdhenj antikë e kanë marë nga populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanë vënë në veprat e tyre. Nuk ka ndodhur e kundërta.
                 e-Po kështu edhe hymnografia kishtare e ka marë iso-n dhe kolektivitetin e këngës iso-polifonike dhe e ka vendosur në ceremonitë fetare, duke i bërë ato më sublime, më hijerëndë, më imponuese. Jan Kukuzeli i famshëm, autori i hymneve fetare dhe studiuesi i disa metodave të mbajtjes së iso-s  në këto hymne, studim dhe realizim i cili i dha apelativin “shënjt”, e ka patur shumë më të lehtë se studiues të tjerë kishtarë aritjen e suksesit. Si shqiptar që qe, ai njihte këngën tonë popullore, si studiues që ishte ai dinte origjinën e këngës sonë nga vajtimi, si artist që qe ai njihte vlerat artistike të iso-s. Atëherë e përshtati iso-n  shqiptare në hymnet kishtare dhe suksesi ishte i padiskutueshëm. Por ama, ishte ai që e mori iso-n nga kënga popullore dhe nuk e mori populli iso-n nga hymnografia kishtare për ta vendosur në këngë.
                  ë-Nga gjithë këto që thamë më sipër, në asnjë rast  nuk  kemi  identifikuar ritet mortore me këngën popullore, por kemi theksuar përparësinë e  riteve mortore në kohë dhe origjinën e këngës sonë popullore pikërisht nga këto rite mortore. Në qoftë se lidhje e këngës popullore me gjëmën, me të qarët me botë është më pak e dukëshme, por jo e paprezentë,( shiko rastin e hedhësit të këngës himarjote), lidhja e këngës sonë popullore me  vajtimin me ligje është tepër e prekëshme. Gati shumica e vajtimeve me ligje, madje edhe në kohën  e sotme, pasi kanë kaluar nëpër “filtrin e logatjes”, më tejë janë shndruar në këngë popullore, ndërsa nuk njihet ndonjë rast që ndonjë këngë të jetë shndruar në vajtim.
                     f-Por prania e elementëve të gjëmës, të të qarit me botë te ritet mortore, te vajtime me ligje dëshmojnë për lidhjen organike ndërmjet tyre, vazhdimësinë e njëra-tjetrës si gjymtyrë të një trupi. Nqse në mënyrë figurative do pranonim se gjëma është rrënja e pemës së riteve mortore, vajtimi me ligje është trungu i këtyre riteve dhe frutat  janë këngët popullore, unë ju them se frutat e pemës e kanë marë ushqimin nga rrënjët. Por gabimi i mbrojtësve të tezës së përjashtimit të gjëmës, të të qarit me botë nga gjeneza e këngës, ndërsa pranojnë origjinën e këngës nga vajtimi me ligje, është se ata nuk shohin lidhjen organike midis tyre si dy  pjesë organike funksionale të të njëtit rit mortor. Kjo është akoma më e çuditëshme kur ata vetë sjellin fakte të prezencës së të dy pjesëve organike të këtij riti, atë të gjëmës dhe të vajtimit me ligje në të njëjtin rast mortor, në të njëjtën shtëpi, në të njëjtën ditë. Dhe i referohen pikërisht Hahnit, i cili dëshmon… vajtimi ndryshon, tani bëhet me vjersha të cilat i këndon (vajton Shënimi im) një grua ndërsa i përcjell kori i grave të tjera 
                g-Pra janë ato gra,… ulërima e të cilave krahasohej me  ulërimin e ujqërve… , por tani janë shndruar në …poete të vërteta që thurin  ligjërime. Po të kishte patur kohë Hahni, në ndonjë dasëm në atë fshat, do të shikonte se, po ato vajtore, që në fillim lëshonin ulërima …si ujqit…, pastaj vajtonin me vargje brilante , në dasëm do këndonin , në grup apo në valle po ato vargje që vajtuan te shtëpia e mortit. Por Hahni skishte kohë. Nxitonte se ishte i huaj, udhëtar. Por  ne që jemi në vendin tonë, që kemi asistuar nëpër morte, që kemi dëgjuar të qarët më botë, me gjëmë, që kemi dëgjuar vajtimin me ligje, ne i kemi dëgjuar ato vajtime, në një kohë jo shumë të vonëshme, të kënduara nëpër  festa fshati apo familjare. Kujtoni vetëm vitin e trishtë 1997, i cili risolli në  jetën shqiptare gjëmën, të qarët me botë, pastaj të qarët  me ligje dhe brenda një periudhe dy-tre vjeçare këto gjëma, këto vaje i riktheu pranë nesh në  formën e këngëve.
                     Vijon