Saturday 8 April 2017

Timo Mërkuri dhe trashëgimia shpirtërore e Bregut.



Timo Mërkuri dhe trashëgimia shpirtërore e Bregut.

Përshendetje me rastin e promovimit në Gjirokastër të krijimtarisë së Timo Mërkurit


Nga Prof.Dr. Vasil S.Tole

Më se një herë kam folur dhe sshkruar për z Timo Mërkuri si një nga studiuesit më aktivë këto vitet e fundit, në fushën e studimeve në fushën e trashëgimisë sonë shpirtërore, posaçërisht muzikës dhe folklorit në Bregun e Detit.

Në pamundësi të jem sot aty, e them dhe e pohoj pa asnjë mëdyshje se kontributi i derdhur në dy-tre libra shumë të mirëpritur nga lexuesi dhe nga kritika, janë një dëshmi më shumë e vlerave të tij por edhe një konfirmim i pasurisë së trashëgimisë së iso-polifonisë labe.

 Sot jetojmë në një kohë kur ruajtja dhe trasmentimi i traditës është më shumë se një emergjencë.

Hapja ndaj globalizmit, krahas shumë të mirave ka sjellë edhe një ballafaqim shumë të fortë të kulturës sonë tradicionale me gjithëçka tjetër që vjen nga jashtë. Në këtë mënyrë, prioriteti i prioriteteve është ruajtja dhe trasmentimi i trashëgimisë shpirtërore, posaçërisht asaj muzikore nga një brez në tjetrin. 

Një nga këta misionarë të çështjes  është edhe Timo Mërkuri.

Me shumë dashuri dhe kopetencë, ai ja ka dalë të përcjellë për një auditor të gjërë vlerat dhe traditat e zonës së tij, e për më tepër, këto të ndriçuara nën dritën e kulturës muzikore iso-polifonike si “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit, UNESCO.

Prandaj gjej rastin sot që ta përshëndes mikun tonë të përbashkët Timo Mërkuri dhe ti uroj jetë të gjatë dhe me shumë vepra të tjera, që i shërbejnë lartësimit të identitetit tonë europian.

Gjirokastër,më 14.3.2010

Elegant, alegorik, beson se poezia është vetëm maja.



Elegant, alegorik, beson se poezia është vetëm maja.

Shënime për poezinë e Timo Mërkurit


Nga Adriatik Kallulli.

Timo Mërkuri, poet-studiues.

“Klithma e pulëbardhës” (2007).

Vëllime të mëparëshme: “Bulevardi i dhimbjes” (2001) “Loti i detit” (2003)
 
Mjafton të lexosh qoftë edhe dy-tri poezi të tij që të dallosh individualitetin e rrëfimit, shprehur në figura që shkrepëtijnë.
 “Kjo valë deti/që vjen kokëulur si një çupëz fajtore” (6) “Ëngjëjt janë vrarë/dhe zoti/s’ka me kë na i dërgon ëndërat e bardha”(7), “Pranvera iku shpejt/Ndoshta s’donte të na linte lulet/për t’i bërë kurora mortore”( viti 97, fq 10),   

Kryevepra: “Vajza i punon në Milano”…dhe ai ndërtoi në qytet një shtëpi të re/ Të bukur/Vetëm dritaret i ka pak të vogla/ Si  sy të ulur nga turpi”(12). 

 Momenti drithërues: ”Vajzat e shtëpive tona”: Mos më flisni për dashurinë  se më vjen të qaj/Kur i shoh si treten me shikimin nga deti” (21). 

Vargje që të bëjnë të mendosh thellë: “ Jam vetëm/Më i vetëm se vetmia/Nënë moj” (26), “Mos vallë banorët e qytetit janë të varfër si lypsarët” (30). Apo “Fshati i braktisur” …as përallat këtu skanë mbetur …(31)…”Poeti (e ka shiritin e zi) te një varg…

 Kryevepra tërë trishtim “Shtëpia ime në breg të detit” (43), vargu i thellë :”Njerëz të verbër më prinë në rininë time”(44) apo imazhi rrënqethës për hallë Sofinë : “Veshurë rrobën e zisë mbi vellon e nusërisë” (49) etj.
 
Elegant, alegorik, beson se poezia është vetëm maja.

Nga shënimet për krijuesit e “Klubit të krijuesve Jonianë”  2008

Zemra e shtrirë në brigje



Zemra e shtrirë në brigje*
Mbi vëllimin poetik “Klithma e pulëbardhës” të Timo Mërkurit

Nga Niko Kacalidha
Tani ky qytet do ketë formën e zemrës së poetit shtrirë në brigje.
Përherë ky qytet ka patur formën e zemrës së poetit, shtrirë në brigje, që nga gjeneza e botës.

Po që këtej e tutje, me risinë optike metaforike, brigjeve shkëmbinjve, grigjeve të dallgëve, baticës dhe zbaticës, do kërkohet mes perlave refleksioni i zemrës së poetit.
Poetët bëjne dhe dallgët të fashiten dhe ndërkohë të integrojnë furtunave pikëllimin.
 U flasin valëve të ndrojtura si çupëza fajtore duke i marrë në prehër. Ulin kokën bashkë me trëndafilat, për të mos lënduar vajet e nënave.
Poetit i dhimbset shtëpia me dramën e dritareve të vogëla të turpit. Ndaj ulin kokën luleshqerat.

Çuditë, mes pikëpyetjeve,pikëçuditjeve dhe retiçencave nuk paskan përgjigje. Se të gjithë duhet ta dinë për yllin që ra. Se të gjithë e dinë. Se të gjithë duhet ta dinë për ditëprerin e mbytur. Për fustanin e bardhë nusëror që mbeti palosur në arkivolin e radhës. Se dihet pse një pulëbardhë i bën shoqëri, ulur te varri. Pse vajzat kanë shikimin nga deti. Pse vesa është pikë loti mbi petale. 

Kjo është mrekullia e çudive poetike, ku poetët, në mes të dritës dhe  viseve parajsore, mes rutinës së ditës, ata si pelegrinë të shpirtit zbardhin bukuritë, prej negativit të dhimbjes dhe ngazëllimit për rigjenerimin e botës.

Tani Timo Mërkuri, ky poet i vërtetë i dhimbjes së heshtur dhe ndërkohë i ulërimës, lindur poet mes fatit të veçantë të viseve të guackave, i hap ato me butësinë delikate të durimit, për të zbërthyer ca  perla miligramesh dhe gjakos gishtrinjtë për bukurinë e flijimit, me sentence befasuese, i veçantë në llojin e vet, mes larmisë dhe imazheve mesdhetare.
Ai në butësinë e tij vuan një dramë tronditëse dhe është gati ta prishë edhe shtëpinë e tij metaforike në breg të detit për hir të madhështisë sublime.

*-Botuar te gazeta ABC më 28 Gusht 2005.