Sunday 24 September 2017

Zef Skiro mbi një shkrim...



ZEF SKIRO DI MAXHO u shpreh kur lexoi shkrimin “Te fusha e Zonjave….lexohet poezi”:



FORMIDABILE! Jam dakord me gjithë fjalët që shkruan Timo Mërkuri: pak kritikë e studiues kapin kuptimin e brendshëm të poezive! Timo Mërkuri (ne kemi shën Mërkurin: bukur mbiemër vërtet!) i kapi të gjitha e më bë të mallëngjehesha me "kujtimin letrar" të "Fushës së Zonjave"! Edhe sa shpreh ai për gjuhën e përdorur në poezitë është e saktë! Të falënderoj, Agim, se ma dërgove!

23.09.2017


Email dërguar Agim Matos

Saturday 23 September 2017

Te Fusha e Zonjave....lexohet poezi.



Te fusha e Zonjave…lexohet poezi.

Përsiatje mbi librin “Te liqeni i zemrës” i Zef Skiro Di Maxhio


Nga Timo Mërkuri


Mahnitje qysh në vargjet e para!

Kjo është ndjenja që të krijon leximi i poezive  të vëllimit “Te liqeni i zemrës” të poetit arbëresh Zef Skiro Di Maxho, ndjenjë që buron nga befasia e njohjes me një krijimtari të arirë, të panjohur më parë prej meje si dhe dhe kënaqësia estetike e përftuar nga leximi.

1-Kohëra dhe epoka të ndërthurura bashkë në krijimin e një epoke të re poetike, fjalë të vjetëra, që mendoje se e kishin vendin  nëpër tekste  të mbuluar nga pluhuri i haresës në raftet e bibliotekave, toponime vendesh si tapi të herëshme që dëshmojnë një fisnikëri dhe civilizim shoqëror qysh në fillesat e jetës arbëreshe, problematika aktuale parë më syrin e të djeshmes dhe gjerdanë të kohës së shkuar që rrezëllijnë në gushën e kohës sonë…

Është një mozaik i ndritshëm që të tërheq në rilexim me ëndje të poezive, duke të ngjallur dëshirën për një njohje të mëtejëshme të krijimtarisë së Zef Skiro Di Maxho.Është një mozaik poetik nga e cila  autori del dhe vjen mes nesh si nga legjenda, madje deri aty sa që kujton se dhe vetë autori është  pjesë e legjendës. Këtu ndoshta  ndikon  fakti se emri Zef Skiroi është i njohur dhe i dashur për ne qysh në letërsinë e rilindjes dhe vetëm një intuitë krijuesi të sqaron se  emri i autorit është i trashëguar nga të parët e tij. Por jo vetëm emri. Në ADN e krijimeve të tij është psikologjia arbëreshe plot mall e shpresë, por dhe … një frymarjeje ajri të rreptë i të vjetrit Kanun.., pavarësisht modernitetit të paraqitjes. …Thuaj modernitet.O të rreptë Etër Arbëreshë/nga mburojat e sigurta te poza/e kotë e shëmbëlltimit (fq 8).

2-Poeti  të befason me vargjet e tij, shpërthim i momenteve frymezimi, i atyre mome -nteve  kur thuhen e shkruhen gjërat e vërteta, kur thuhen e shkruhen ato që ndjen zemra dhe jo ato që mendon truri. Dhe momente të tilla burojnë vargje të kristalta  me një figuracion befasues plot domethënie …Një herë Laertin tim e gjeta ulur/…/aty te Fusha e Zonjave…, Fusha e Zonjave/ku të vërteta kanë qënë dashuritë dhe janë (fq 66)

Fusha e Zonjave, një toponim që fton historinë në bashkëbisedim, sepse ky emër vendi, i marur nga atdheu në emigrim bashkë me këngët, armët, flamurët e stemat e fisnikërisë, dëshmon për një  shoqëri të civilizuar, për një fisnikëri të kulturuar dhe mbi të gjitha për pozicion të vlerësuar të gruas në shoqërinë e Arbërit.. Me siguri që nëpër Arbëri ka patur shumë vende që quheshin Fusha e Zonjave apo Shtegu i Vashave,  toponime që aristokra -cia e Arbërit i mori me vete dhe i vendosi në vendin e ri edhe si dëshmi historike edhe si kujtesë. Tashmë në Shqipëri kanë mbetur vetëm Shkëmbi i Vashave të Krujës apo Lëndi -na e Lotëve, toponime që dëshmojnë një histori të dhimbëshme.

Por te Fusha e Zonjave jeta ecën …si në poezi….Atë Laert të pambrojtur/sulmuar e kish bukuria…/As dija/ti thoshja ngushëllim/e ndërova fjalë.Sepse/ nga ai ankth/edhe unë vuaj…(fq 13)

3-Por vuajtja e poetit është  më e madhe se një vuajtje ndjenjash rinore. Ai vuan për plagët e jetës së bashkëkombasve të tij, plagë të shkaktuara nga moderniteti i jetës që sjell një boshesi shpirtërore…Rafaeli të pikturoi dhe ti ecën ende solemne/….Bukuri arbëreshe në ka kuptim të thuhet/madhështia dhe rufetë e çastit/që stolitë e tua hedhin/……/Në ka ndonjë kuptim/se mbrapa kësaj dukurie madhështore arbëreshe/rri një zbrazëti arbëreshe …(fq 12)

Poeti  me vargun e tij është aktiv në jetën shoqërore arbëreshë. Ai nuk u shmanget  proble -meve që ka kjo shoqëri, ai prek plagët  e saj dhe duke i vënë ato në dukje, fton për shëri -min e tyre.

4-Në një kohë që poezia shqipe ka mangësi të ndjeshme në trajtimin e problemeve eko-soci -ale që shkakton kriza ekonomike te individi dhe familja, duke i konsideruar këto padre -jtësisht  si objekt  tematik i prozës, poeti pozicionohet aktiv. Me bindjen se nuk ka tema të ndara midis poezisë dhe prozës, por ka  aftësi ose paaftësi në trajtimin e tyre, poeti  me vargje elegante e “pikturon” me finesë gjëndjen shpirtërore pas pushimit nga puna të një punonjësi ….Dje mbrëma vërente hënën faqellore/të tepëruar në bardhësinë e saj/.. / Ashtu mikut të pushuar nga puna/me ristrukturimin e ndërmarjes  së veriut/dhe në lëvi -zshmëri te pesëdhjetat e moshës/i doli se ajo hënë atje lart/../i dukej e ngjashme me faqen tjetër/të monedhës së vjetër prej njëqint liretash (fq 15).

5-Poezitë e autorit kanë edhe vlerën e një kujtese për bashëkombasit e tij për ruajtjen e ide -ntitetit arbëresh në përgjithësi dhe të gjuhës në veçanti,  e sulmuar kjo papushim , madje edhe në kohë “paqeje”. Në qoftë se do ta trajtojmë gjuhën si një kështjellë, sipas Kadares, bedenat e kësaj kështjelle janë këngët e vajet, përallat e shkrimet, librat e gaze -tat, radiot e televizionet, Veçse duhet të theksojmë se për fat të keq  kështjellarët janë më të pakët në numër, ca pleq e plaka që mëkojnë nipërit e m,besat me ushqim e përalla dhe një grusht intelektualësh që lëvrojnë kulturën dhe gjuhën arbëreshe. Sulmi mbi gjuhën arbëri -shte nuk bëhet me dekrete mbretërore, me ushtri të armatosur me armët moderne të kohës. Ky sulm bëhet  tepër paqësisht, ndonëse intensivisht  ..Ca fytyra foshnjore në verë /…/të bien vendin e jashtëm në shtëpi/../Të folurit tu hollua/ ../Të bën të qeshësh nani e folmja jonë/ malësore dhe theksi pikpyetës/Gjithçka të bë të qeshësh/…Na të rethuarit e mitit (fq 23-24).

Kjo është dhe arsyeja që autori e vlerëson së tepërmi Fjalën e shkruar të poetit të cilën e quan …fjala e shkruar magjike…/ringjallur te shqyptimi/që i jep prapë magjinë e jetës  …(fq 54) dhe duke e lidhur pazgjidhshmërisht  me…një Emër duke qënë për ty/si për të gjithë-Ungjillor/”Arbëria” qëmoti e gjithmon. (fq 55) duke na dëshmuar natyrshëm burimin e vetëm të besimit dhe shpresës të arbërëshëve edhe sot si dhe ëndrën e tyre  për rikthim…Me anien e vargjeve/edhe sot marim detin e ikjes/ e të shpresës epike të kthimit…(fq 63)

6-Në këtë rast, jashtë  analizës letrare por brenda vlerave të librit duhet të përshëndesim autorin për lëvrimin e arbërishtes në nivele shumë të përafruara me shqipen standarte. Këtë e shohim jo vetëm si kulturë  personale por në radhë të parë e shohim si një mission i realizuar prej  intelektualit Zef Skiroi në shërbim të mbrojtjes së gjuhës dhe  identitetit arbëresh.
Ky angazhim duket edhe te përdorimi me elegancë dhe finesë poetike i disa fjalëve të shqipes së herëshme dhe arbërishtes si menatë= në agim, mblen= spikat, i angosur= në ankth, ndëlgova=kuptova  u=unë, perivoli=lulishte, sirini=lagështira,ndëlgova=dëgjova etj etj. Këto fjalë  ndrijnë si zmeraldë të herëshme në gjerdanin aktual poetik të Zef Skiroit.  Nuk e di pse këto fjalë me përafëri të madhe  me disa fjalë e shprehje  që ende përdoren nga të moshuarit në dialektin çam dhe të folurën e krahinës së Himarës me bukurinë që kanë në konteksin poetik të Zef Skiroit, më ngjajnë me lulen mos më haro. E pra, jo kushdo e kultivon këtë lule në oborin e shtëpisë së tij, sepse kjo lule delicate do shumë përkujdesje e dashuri.

7-Poeti ja ka dalë mbanë të na sjellë të aktualizuara me ngjyra poetike fjalë të herëshme të gjuhës shqipe. Madje duke demostruar bukurinë e tyre të na tërheqë vëmëndjen në studime të mëtejëshme të leksikut shqip dhe të unitetit leksikor mes arbëreshëve, krahinës së Çamërisë dhe Himarës.

Kjo është një vlerë e spikatur mbi vlerat artistike të librit dhe për këtë autori gëzon gjithë respektin dhe admirimin tonë.

8-Ka një cikël të bukur në këtë libër që e lexon dhe rilexon sa herë mer librin në dorë, ka një cikël të bukur poezish mbi vargjet e të cilave rezëllin trishtimi si vesa mbi petalet e luleve mengjezeve. Ka një cikël të titulluar “Dy More të largëta” që ja shton dozën e dhimbjes këngës së njohur “Moj e bukura More” për faktin se edhe vetë vendi ynë u shndrua në një …More. Poeti edhe te ky cikël, nëpërmjet lotëve të shpirtit sheh më të bukurën e momentit në të cilën rezëllin një shpresë…Në ballkonin e kohës së lashtë/del me çudi plaka arbëreshe/Pranë një grua e mban/…/ shqiptare që mban arbëreshen/të pamenduarshme mbushje të historisë…/se ritakohen pa mbarim/nga dy More të largëta çdo herë/mëma o bija/ motra o dama shoqërimi.(fq 27).

9-Poeti shkruan me dashuri. Por kjo dashuri nuk e mënjanon dot trishtimin për fatin e hidhur të popullit tonë përjetësisht emigrant…Në të vërtetë Morea jeton ende/dhe nostalgjia e saj/Morea nuk do të vdesë kurrë/Grumbulli shqiptar emigrantësh/…/në këndin e zakonshëm të mureve/të vjetra arbëreshe duken anijembytur./../Morea përditohet e neve/na njom shpirtin me të lashta/ndërhyrje të paprekëshme.. (fq 30)

Të krijohet përshtypja se  këta emigrantë shqiptarë, në ndonjë nga ato ditë të përshkruara në poezi kanë kënduar këngën “Moj e bukura More” në variantin e sotëm “Moj e bukura Shqipëri” duke u rënqethur zëri dhe shtati te vargjet…Kur të lash e më s’të pash…

Poeti e do vendin e të parëve dhe kjo dashuri e shtyn atë që ti kornizojë vargjet me ullinj, symbol i lashtësisë, të dëgjojë fjalën e etërve të rreptë dhe ta ndjejë vehten si pjesë e miteve të popullit të tij. Kjo dashuri e shtyn atë që të gjejë dhe paraqesë poetikisht anët më pozitive të fenomenit dhe personit madje me një figuracion befasues….Nusja dhe dhëndëri janë të bukur.Ajo/me emër të pazakontë këtu na bie/detet e mposhtura nga hieshia e saj/…/Ajo ka shqiptimin e këndshëm të Elbasanit.Ai të folmen /e thatë të maleve tona të lodhura./Ashtu kloftë/…/I sigurtë ankorimi/nga brigjet e bashkuara të pesëqint vjetëve/e sigurtë e ardhmja si akt besimi.(fq 29).

10-Theksuam më sipër se poeti shprehet me elegancë dhe finesë në vargjet e tij. Le ta shohim këtë me poezinë “Me ritmin e zemrës sate përvëluese” (Strugës) fq 36 ku poeti i dashuruar me Strugën, të cilën e personifikon me një nuse i deklaron publikisht …Unë të martoja moj nuse Strugë….Poeti nuk i thotë…Unë do të mar nuse…,  duke e vënë vehten në pozicionin përftues por i thotë…do të martoja (ty)...duke përcaktuar nusen si përftuese (lumturie) dhe vehten si dhurues ( i lumturisë të martesës). Deklarata e dytë ( do të mar nuse) juridikisht është e barazvlefshme me të parën (do të martoj), por është defiçitare emocionalisht në raport me të parën.

Le të shohim poezinë kushtuar Ali Podrimes “Kurorën tënde dafinash” fq 45 ku shkruan…Kur vdes poeti/…/Të tretën ditë/Fjala ringjallet nga Varri/…Por ne na kujto -het se sipas Biblës, ishte Jezu Krishti ai që u ringjall ditën e tretë. Paralelizmi midis fjalës së poetit dhe birit të zotit është tepër madhështor. Por me sa elegancë e ka dhënë autori.

Ndërsa Ulqinin e krahason me një llambarë, llambë peshkimi që ndjell peshqit drejt rrjetës.Veçse Ulqini tërheq vargjet në vend të peshqve…Poetët buzëqeshin/ Ulqini ka shkruar për ta(fq 40). Ndërsa në Shkup revokohet historia , e djeshmja e lavdishme e kombit tonë dhe e nesërmja, e vetmja rrugë e jona, drejt Europës.…Në Shkup monumentet mbajnë jetë. Kali i Skënderbeut ngre/dhe ul natyrshëm/putrat përpara e të mbrapme…Në Shkup monumentet ecin/Drejt emfazës Evropë/E vetmja e mundëshme. (fq 39)

11-Befasisht të paraqitet figuracioni në poezinë “Kudo më frymëzon kjo dritë motër” ku thotë…Nuk mund të jemi krejt të hapur ndaj fushës/ndonjë kodër ndonjë mal ndonjë bjeshkë/na lypset për natyrën tonë/Prandaj këto lartësi toke më janë të njohura/andej detit e përkëndej detit/Duket sikur ja vutë ju mbi kokë/këtë kurorë kodra-malesh kësaj nuse Tetovë /…atyre katundeve antidherash(fq 31)…

Interesant se  vargu …Duket sikur ja vutë ju mbi kokë..të kujton komentin biblik sipas të cilit ..Zoti i nguli malet në tokë për të mbajtur dherat nga rëshqitja. Por këtë herë nuk është zoti ai që vendos malet e kodrat. Në vend të tij janë shqiptarët dhe ca më tepër ata i vendosin si kurorë mbi kokën e një vajze që quhet Tetovë apo atyre katundeve antidhe -rash (shkëmbore)...Por malet dhe kodrat për ne shqiptarët janë simbol i rezistencës, me kalatë sipër tyre, të bardha, si plisat shqiptare. Por këto dihen ndaj poeti na le ti  kupto -jmë vetë.

Ai vetëm sa na kujton se  drita e Tetovës është motër e asaj drite tjetër (të  fshatrave arbëreshe).

Dhe më tejë, tingëllojnë si një finale opera heroike vargjet…Kudo që shkel këtë truall/ ndjej njerëz të mirë/njerëzore duke qënë trevat tona…

Të duket se vazhdon kjo poezi me vargjet e poezisë  “Ai më priti në prag të derës” ku shkruan…dhe pimë/ për shëndetin e Arbërit/që ngaherë bashkohet ku ne jemi/e me ne ndodhet dhe ecën.(fq 33) duke të dëshmuar sentencën se atdheu jemi ne, njerëzit.

12-Me këtë poezi interesante, plot me kthesa befasuese të mendimit për të dalur te ideja, si rruga e lumit për tu derdhur në det,  me këtë poezi të shkruar me një gjuhë  plot mall e dashuri erdhi mes nesh Zef Skiro Di Maxho. Është poezia e tij që  na prezanton një portret sa simpatik aqë edhe interesant, që tërheq vëmëndjen dhe i bën vend vetes në ambiente letrare dhe natyrshëm i rezervohet vend nderi në letërsinë shqipe. Ne kemi nevojë për ardhjen e poetëve të tillë, por mbi të gjitha ka nevojë letërsia shqipe ashtu siç ka nevojë mali për mbështetjen e kodrave, për të dëshmuar madhështinë, siç kanë nevojë etërit për supet e bijve për të demostruar vazhdimësinë, ashtu siç ka nevojë liqeni për prurjen e burimit dhe të përrenjve përreth, qoftë ky edhe “Liqeni i zemrës”.





Sarandë, më 23 Shtator 2017



Saturday 16 September 2017

Duke lexuar Giulian...



Duke lexuar Giulian…

Shënime mbi librin “Nga zemra në qiell” dhe autoren Giulia Poli Disanto


Nga Timo Mërkuri


Nisma e shtëpisë botuese “Milosao”  për  botimin e kolanës “Poetë bashkëkohorë të Mesdheut” është  për tu brohoritur si fillimi i një feste. Dhe nisja e kësaj kolane me poetë italianë është një fillim sa i mbarë aq dhe i bukur.

Kjo kolanë vjen në një kohë kur poezia shqipe e përfshirë nga kaosi postkomunist  e kërkon  shtegun e  “aratisjes” nga “kampi” i letërsisë së realizmit socialist,  te antikomu -nizmi dhe atdhedashurinë te nacionalizmi, madje edhe duke u ngujuar në këto tema  si në kullën e Oso Kukës në Vraninë. Por dhe aty, në vend që të shohë së paku nga frëngjitë si shëtit pranvera nëpër fusha a si këndojnë zogjtë nëpër pemë, hymnizon dëshirën kush edhe si do ta ndezë fuçinë e barutit, si moment heroizmi.

Por ja që poetët italianë na paraqesin një tjetër dimension shikimi të jetës, atë të shikimit të botës nëpërmjet pikës së lotit dhe jo nëpërmjet  gjakut të plagëve.

Një ndër këta poetë është edhe Giulia Poli Disanto, takimi me poezinë e të cilës të meh frymën qysh në vargun e parë me fuqinë metaforike që mbart….
Më lë pa frymë poezia
porti i fundit
ku dhimbja të depërton ndër vena

E lexova këtë varg dhe menjëherë mu kujtua Uitmani kur thotë…Poezia është fjala, fjala është dhimbja, dhimbja është njeriu. Nuk e di pse mendova se ky varg i Uitmanit ishte ose duhej të ishte vargu vijues në poezinë e mësipërme të Disantos, pavarësisht se dy poetët s’kanë asnjë lidhje kohore mes tyre.

I lexon vargjet  e Disantos dhe të duket se poezia i rrjedh nëpër trup si gjaku ndër vena… Sikur ta dije
sa gjak derdh poeti
mbi fletët e bardha…   

….Vetëm atëherë/…
fillon përsëri të jetojë…

Ajo, poezia i jep kuptim qënies së saj si njeri, ajo i jep frymë jetës së saj dhe poetja e flijon këtë jetë në shërbim të poezisë, duke na kujtuar  në këtë çast thënien e Moikom Zeqos…Poezia i vret poetët….për ti bërë të pavdekshëm.  Për ti bërë të pavdekshëm…
As mit, as Zot, por Hero
 I ngjashëm me Poetin….

Heronjtë duhet tu ngjajnë poetëve dhe jo anasjelltas. Dhe me këtë rast na kujtohet thënia e  Shopenhauerit se epokat cilësohen nga martirët dhe jo nga heronjtë. Sigurisht që ja vlen të  paralelizojmë poetët me profetët të cilët kanë të përbashkët dhimbjen.

unë do të kthehem
Do bëhem poezi
Do bëhem
varg i ngrohtë i shpirtit tend
për të larë plagët në heshtje

…thotë poetja, duke na shituar, duke na ngurtësuar në vend me këtë varg sa të bukur aq dhe domethënës. Dhe më tejë vargje që të shkaktojnë një drithërimë në shpirt tek thotë…

Dua të kthehem tek ty…
të shkrihem në vargje…

Këtu lind  mendimi se…heronjve u numërohen plagët ndërsa poetëve u “matet”  dhimbja.

Zefirit do ti besoj dhimbjen…shkruan poetja te “Vetmi”, se paska një dhimbje që s’di kujt tja besojë (tregojë). Dhe këtë dhimbje e përcjell te zefiri ndërkohë që mbrujt një ëndër dhe dëshirë njerëzore plot durim   e shpresë duke na dhënë vargje  me bukuri diamanti…
Veçse koha nuk ka ndalur për mua
që në heshtje tashmë
shikoj drejt së ardhmes.

Përmëndëm shprehjen …vargje diamnati…dhe jo më kot. Poeti krijon diamante të një lloji të veçantë, diamantët poetikë, që për nga bukuria dhe fortësia janë më vitalë se diamantët natyrorë.

Natyra krijon diamantet në gjirin e saj nga trysnia mbi elementin e karbonit, poetja Disanto, nën trysninë e dhimbjes shpirtërore krijon vargun, që është po aqë i bukur dhe i fortë sa diamanti. Procesi duket i njëjtë, por ka një ndryshim, natyra e krijon diamantin duke vepruar si unitet elementësh dhe fenomenesh, poetja krijon diamantine poetik në vetmi, nën trysninë e dhimbjes së saj. Është një dhimbje e përbotëshme jo thjeshtë një dhimbje koke e dikujt, është një dhimbje gjithënjerëzore që mbartet te lexuesi me çdo varg të lexuar, është një dhimbje poetike që e ka emrin Giulia. Një dhimbje që çuditërisht kërkon ta përjetosh të tërën e jo ti shmangesh a ta mjekosh me ilaçe. Sepse është një dhimbje e bukur

Duke lexuar  librin”Nga zemra në qiell” të Disantos më lindi mendimi se “Poezi është dhimbja, jo  plaga”.

Dhe duke folur për autoren  Giulia Poli Disanto unë mund tju them se Giulia nuk është poete. Ajo është vetë poezia e mishëruar në një trup, që ka një shpirt të mbushur plot me dhimbje.

Duke lexuar librin “Nga zemra në qiell” nuk lexuam poezitë, krijime të Giulias por u njohëm me Giulian, nëpërmjet poezive. Dhe tani që e njohëm duam ta kemi gjithmon pranë . Të dëgjojmë melodinë e shpirtit dhe vargjeve të saj, të ndjejmë aromën e fjalëve dhe nëpër to, të dëgjojmë ulërimën prej luaneshe të plagosur tek mbledh forcat e fundit, për një rendje të fundit, rendje që nuk ka mbarim.

Sepse si një luaneshë e plagosur në trup e në shpirt erdhi poetja në qytetin tim.

Dhe ne dolëm ta presim si një mikeshë të vjetër.

Mirëseardhe Giulia!


Sarandë, më  14.09.2017