Thursday 19 October 2017

Një përgjigje nga Zef Skiro Di Maxhio

Një përgjigje nga Zef Skiro Di Maxhio

Zef Schirò Di Maggio Besoj se jam mjaft objektiv në vlerësimin e librit tënd, i dashur mik Timo, edhe se më ndodhi mua një përvojë që i ngjan shumë faktit të treguar nga ti në faqet e para të librit, dmth. se duhet të rrihet pa tundur e në mënyrë “gatitu” përpara Mbretëreshës Këngë! Në Festën e Valljeve që binte tek e martja e Pashkëve më 5 prill të vitit 1983, solla për të parën herë teatrin tim nga Hora e Arbëreshëvet (Palermo) në Çivita (Kosenca). Gjatë festës, një grup këngëtarësh i quajtur “Pleqzit” më kënduan vargje për ardhjen tonë dhe time. Unë pa ditur mbeta i patundur deri sa zgjati kënga polifonike me iso si zakon në Kalabri. Për “Pleqzit”, që sot, me sa di unë, nuk eksistojnë më, asokohe shkruajta këto vargje: 
“O Pleqëz,
që ju jep vrull
nuk është
nuri i brydhët
i verës së vjetër
por zjarri e gjaku
i Arbërit të lashtë!”

19.10.2017

Wednesday 18 October 2017

Zef Skiro Di Maxho për librin Shënjtëria e iso-s"

Zef Skiro Di Maxho për librin "Shënjtëria e iso-s"

Zura fill të zglidhja (djovasja, lexoja) librat që prura nga Saranda e që poetët dhe shkrimtarët pjesëmarrës të Edicionit XI "Trirema e Poezisë Joniane" më dhuruan pikërisht sa (që) t'i zglidhja (djovasja, lexoja). Ndër të parit që më dhuruan libra, kle (qe) Timo Mërkuri dhe i pari libër për të çilin dua të flas është: "Shenjtëria e isos" -sprova- Botim i dytë i plotësuar (Milosao, 2013).Libri, shkruar në një gluhë (gjuhë) që meriton gjithë mbiemrat më të bukur të fjalorit, flet për "këngën shqiptare", sidomos për këngën dhe kulturën iso-polifonike të Bregut të Detit (bregdetit të Himarës-Sarandës). Natyrisht ngë (nuk) ju rrëfyenj gjithqish (gjithçka), por tri fraza dua t'i citonj. "Kënga respektohet vërtet si një Mbretëreshë në jetën shqiptare" (faqe 13). "Njëri nga krushqit ka pirë ca më shumë se ç'duhet dhe ashtu gjysmë i pirë, siç është, e ngre zërin një oktavë më lart për një problem që, sipas tij, pala tjetër e krushqeve, fshati, qeveria apo perëndia, s'e ka zgjidhur drejt dhe që po ta kishin pyetur atë do t'i jepte problemit një zgjidhje ideale etj. Dhe zgjidhja qenkësh fshehur pikërisht te kjo dreq gotë e mbushur plot dhe ai e gjeti pikërisht tani etj. ..." (f. 14). "Gjatë këngës askush s'guxon të flasë..." (f. 15). Etj...

18.10.2017