Friday 14 December 2018

Duke kujtuar '97


Prolog…

U vranë djemt’ e pilure, u grinë…
Dhe nënëzezat mbi varre  u qëndrojnë
                                                     si hënë e eklipsuar…



1-PRANVERË E KRYQËZUAR

Tono Mërkurit

E kryqëzuan pranverën në vendlindjen time
Dhe nënat u veshën me të zeza, si Shën Mëria.
Po, pra. Krishti u kryqëzua në Sarandë,
                                           në kodrën  e Manastirit.
E bashkë me të u kryqëzua dhe dashuria.

Atë ditë kishte dhënë puthjen e parë,
Ndaj i kishte rënë një nur si bir perëndie.

Që atëherë seç ka një bukuri në atë vend,
Siç ka qielli dritën e një ylli që është shuar.

Në jetën tonë java ka vetëm të premte
Dhe viti ka vetëm një stinë, dhe atë të kryqëzuar.

Tani dielli lind i ftohtë, si një foshnjë e vdekur.

2-KU E KISHE GJITHË ATË ZEMËR?!

A.     Qurkut

Është një emër në varrezat e qytetit tim
ku kalojmë kokë ulur. Jo vetëm nga dhimbja.

Këtu heshtin burrat. Hesht era. Vetëm deti
                                                                         përbri
lëkundet si një vajtore në vajin e mortit
e me zhaurimën e dallgëve
si një rënkim që del nga shpirti
përmend emrin e njeriut
që harroi vetveten për të mbrojtur jetimët
atë vit, që njerëzit harruan të jenë njerëz.

Në atë trup të vogël Aristidh
ku e kishe gjithë atë zemër?!

3-KEMI NEVOJË PËR BUZËQESHJE

Sh. Mërtirit

…dhe hëna
përkëdhel fytyrën tënde brenda porcelanit
gjer pas mesnate. E s’do që të shkojë.

Thua se pranë teje do ta bëjë shtëpinë
a, ndoshta, do të marrë diçka nga buzëqeshja
jote
e t’ia shtojë dritës së saj. Ta bëjë më të ngrohtë.
Më njerëzore ta bëjë e ta shpërndajë nëpër botë.

Ne kemi vërtet nevojë për buzëqeshje. Po ti
pse ke dalë kaq i qeshur në fotografi,
në këtë fotografinë tënde të fundit
që na lë kujtim?!

Eh, ç’djem të bukur si yje janë vrarë në qytetin tim.


4-YLLI QË RA…

Y. Qurkut

Ky yll i bukur
         që ndrinte mbi ëndrrat e sa vajzave

Ky yll i vogël që ra
                       E dogji zemrat e motrave

O, po ky yll i vogël, ky yll i bukur
                                         ç’po ndrin mes lotëve.



5-YJET JANË TRËNDAFILA TË BARDHË

Polinë*s së vogël

Kisha një mbesë që më thoshte…
…se yjet janë trëndafila të bardhë
çelur në lëndinat e qiellit

dhe meteorët janë karafila
që Zoti ua hedh njerëzve që i do.

Po, më mblidh ti për Barbin një tufë yje
ose së paku tre-katër meteorë...

Kisha një mbesë të vogël që s'e kam më...
Te cili yll, vallë ta kërkoj?


*….ikur aksidentalisht



Nga  antologjia “Ëndërime të mbytura në det”. Shtëpia Botuese “Beqir Mysliu” Gjilan 2018

Thursday 27 September 2018

“Honestra”: kulturologji e linguistikë kundër fragmentarizmit


“Honestra”: kulturologji e linguistikë kundër fragmentarizmit

Dr Fatmir Terziu

Studimi apo sprova “Honestra e këngës himariote” (sprovë) (MILOSAO, 2018) e autorit tashmë të mirënjohur jo vetëm në Jug të Shqipërisë, por edhe më gjerë, Timo Mërkuri, është formuluar në dekadat e fundit kundër qasjeve tradicionale në mendimin dhe dukuritë e këngës himariote duke u fokusuar ekskluzivisht në tërësinë e memorjes kolektive, asaj që vjen nga ndjesitë kulturore, komunikimet dhe gjuhë-marje-dhëniet, si një model shpjegues. Diskutimet e tjera teorike lidhen me përparimin e fundit në kërkimin e plotë e të detajuar shkencërisht të këngës himariote, që ofron një perceptim më të gjerë të problemeve të trajtuara e të diskutuara më parë e më gjerë nga rrjete të tjera studimesh, kërkimesh shkencore dhe atyre me thelb përmirësimin e të gjeturave në këtë lëmi. Kulturologjia dhe sociologjia, po aq dhe gjuhësia e kontaktit në veçanti me kërkimin dhe prurjen e detajuar në vite kanë hapur horizonte të reja për interpretimin e këngës himariote. Vitaliteti etnokulturologjik është një parametër i ri, i zhvilluar kohët e fundit dhe diskutuar në socio-kulturistikë për të karakterizuar forcat e ndryshme mbijetuese dhe teknikat e këngëve të endacakuara në situata të rrezikshme. Në këtë drejtim, fati i këngëve të Himarës dhe gjuhës të përshkruar jo pak herë nga Eqrem Çabej duket se është disi një arsye më shumë që e ka detyruar autorin të shkoj më thellë. Është një enigmë pse një idiomë misteri mbijetoi në krahinën e mjaft-zëshme në këtë lëmi dhe vetëm të pushtuar pak kohë nga ryma të ndryshme, por që humbi pozicionin e saj si enigmë e fortë në perëndim në bregdetin e saj, ku kontaktet me botën në tërësi dhe me atë fqinje e neo-latine nuk u ndërprenë asnjëherë.

Para diskutimit të kontributit thelbësor të tërësisë së ndërhyrjes së Timo Mërkurit tek “Honestra…”, duket se kërkohet një tejsqarim i shkurtër i asaj që autori na jep me një prejardhje të fjalës nga përbërësia e gjuhës së fqinjit, me një lidhje të zanafilljes së ujit të pastër që buron nga grumbullesa e ujërave të ardhur nga “qielli” në një arsye të përgjithshme rreth situatës aktuale të disiplinës përkatëse. Kulturologjia, shkenca linguistike, po aq dhe sociologjia përfaqësojnë një fushë të rëndësishme jo vetëm të kontakteve socialogjike, kulturologjike, gjuhësore, apo dhe vetë këngës, e cila për një kohë të gjatë ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, që në të shumtën e rasteve autori na i jep me të dhëna të sakta, burime të mirëkërkuara, shpjegime sprove, madje shkon dhe në gjetje më të reja.

Në fund të shekullit të 20-të, kjo zonë përsëri u bë fokusi i politikave të ndryshme dhe një fushë beteje për opinione dhe poltika të ndryshme siç kishte qenë në shekullin e 19-të, apo dhe më herët. Ringjallja e paragjykimeve të vjetra për kulturologjinë e Himarës, siç tregoi gjetja e mirëfilltë e Mërkurit me këto fakte mjaft domethënëse: “Himarjotët rrjedhin nga nënfisi i Keraunëve, duke marrë për emër nënfisi emrin e vargmalit Akrokeraune. Sipas Eqrem Çabejt, keraunos kishte kuptimin perëndi e bubullimës dhe e vetëtimës” (Fq. 4). Për këtë autori i kësaj sprove na sjell këtë fakt që buron nga Virgjili:

“Edhe i biem detit aty pranë Keraunes
nga fare lehtë kalohet në Itali,
se rruga është shumë e shkurtër. Ndërkaq Dielli
po perëndonte; malet po i mbulonte
një hije shumë e dendur”.
Duke na sjellë në vëmendje shek. I pas Krishtit, me atë që Virgjili shkruan te Eneida (libri I III) për momentin kur Enea, pas qëndrimit në Butrint, duhet të marrë rrugën drejt perëndimit, kuptojmë qartë atë që sjell autori në syrin tonë dhe të lexuesit.

Duke filluar me këto emra, natyrisht kuptojmë jo vetëm seriozitetin e kësaj pune të madhe të këtij autori, por është kryesisht e rëndësishme jo vetëm ajo që dimë për emrat e tyre, me të cilët dega në zhvillim e dijes është e lidhur, emërtimi i tij përfundimtar që rrjedh nga puna themelore e disa të tjerëve, Moikom Zeqos, Irena Gjonit, Artur Vrekaj etj., të përcaktojë qartë se këngët e Himarës janë vërtet ajo që ndodh me këngën popullore. Autori na qas shpjegimin e tij të thellë: “Honestra e këngës grumbullon në nënvetëdijen tonë ngjarje, përvoja, përjetime momentale, luftëra, akte individuale ose kolektive të cilat janë “shiu”, “uji” i të cilit depërton në tokë e mbush honesterën, ku pas “filtrimit” prej tij precipiton e zakonëshmia në haresë dhe mbetet esencialja, që rrjedh si ujët e burimit, nëpër këngë. Ne njohim këngëtarin autor, atë që e këndon i pari dhe nuk na shkon mendja se ai është thjeshtë “gryka e burimit”, shkëmbi që u ça nga dhimbja a nga malli dhe nëpër të “çarën e shpirtit” të të cilit buroi kënga. Kësaj ligjësie i nënshtrohet kënga himarjote”. Këtu pikërisht duket se lind “interesi”.

Interesi në këtë çështje bazohet në disa ngjashmëri strukturore në burimtarinë e këngëve. Kjo burimtari kurrë nuk ka lënë banorët e saj krejtësisht të pakënaqur, por ka pasur një ndryshim të plotë të theksit në dekadat e fundit, në atë theks ku sprova e Mërkurit merr kthesën e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Koncepti i parë teorik për shpjegimin e karakteristikave, që dikur pretendonte ndikimin e një substrati të dallueshëm, i cili dukej se ofronte një përgjigje të kënaqshme për çështjen e origjinës së elementeve të veçanta të shprehive të këngëve, tashmë ka shtratin e vet tek “Honestra e këngës himariote”, me një arsye më të madhe besimi dhe me një sërë faktorësh që e mbajnë gjallë besimin. Në vetvete kjo është një substratë që duhet konsideruar si pikënisje për krijimin e një baze të gjerë diskutimesh të mëtejshme, e pse të krijimit të një zone të gjerë interesi në të gjitha fushat që lidhen dhe burojnë nga kënga himariote dhe më vonë e gjitha kjo të mbizotërojë debatin mbi diskriminim shkencor. Sidoqoftë, edhe shumë kohë më parë, kritikat kanë qenë të stisura për përdorimin e substratit si një shpjegim adekuat për të gjitha tiparet e përbashkëta në kulturologjinë e zonës, sepse, siç formulohej, në këtë rast x zëvendësohet me y, dmth kryesisht i panjohur nga një tjetër, të jepte qartë arsyen se interesi ishte gjetkë.

Në të njëjtën kohë, mjaft të tjerë, përfshirë dhe autorin e kësaj sprove, tregohet qartë edhe sot, pasi lexojmë gjetjet e Timos, ka pasur gjithashtu arsye emergjente për të prurë argumente të tjera dhe më bindëse për të sqaruar origjinën e këngëve himariote dhe për të dhënë mesazhe të qarta për të gjithë ata që mendonin se i kishin gjetur në një superstratum ose adstratum, kryesisht grek dhe latin, të cilat duket se kishin shkaktuar apo të paktën ndikuar në zhvillimin e kulturalizimit të zonës. Ky argumentim bazohet në dominimin e gjatë dhe të madh kulturor të disa gjuhëve në Evropën Juglindore. Emblema romake në veçanti për disa shekuj mbulonte pjesët kryesore të Ballkanit, dhe latinishtja që nga fillimi ishte gjuha e administratës dhe e ushtrisë në territoret e reja të okupuara. Pas romanizimit të gjerë të popullsisë lokale, ajo vazhdoi të përmbushë funksionin e një gjuhe amtare. Së bashku me greqinë u bë gjuha e kulturës, fesë dhe teologjisë (e fundit që nga fillimi). Fiset të shumta, sikurse e dimë, u konvertuan dhe u akultuan kryesisht nga Bizanti. 

Së fundi, dyshime më të mëdha janë formuluar në dekadat e fundit kundër qasjeve tradicionale në kulturologjinë e zonës duke u përqendruar vetëm në një model shpjegues. Teoriku i ri dhe studimi i hollësishëm i imazhit të këngës himariote në opinionin publik, madje edhe në rrethet akademike në botën shqiptare e më gjerë, natyrisht që e kërkonte këtë indicie për të trazuar më shumë brenda vetë “honestrës”.

            Në fakt, futja në diskutim me fakte të ndryshme, të tilla poezia e parë në gjuhën shqipe (Këngë e përshpirtëshme) e shkruar nga himarioti Lekë Matrënga, na jep qartë tërë sprovën që mbetet një provë e qartë. Ja si shkruan për këtë autori: “Këngë e përshpirtëshme” e shkruar në vitin 1592 me tekstin e përshtatur në shqipen e sotme:

“Këngë e përshpirtëshme

Gjithëve thëres,kush do ndëlesë,
të mirë të krështë,burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s'ishtë njeri i nesh çë mkatë s'kaa;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla”. …(Lekë Matrënga),

...dëshmon se Lekë Matrënga trashëgonte një kulturë tradicionale në familjen e tij, veç arsimimit fetar.

Edhe sot në Himarë citohet një këngë për këtë korife të artit shqiptar që thotë: “Të dal shpesh se ma kish ënda/ Se keshëm një gjak në rrëmba/Po nuk gjen më njeri brënda/ Matrënga o Matrënga / Me perivole të rënda/Lënë djerr e bërë gjëmba…”

Për këtë deri në derivatin e plotë të saj, vetë autori bën qartësimin apriori: “Por njohuritë faktike për to janë shumë fragmentare dhe për këtë arsye argumentimi, i cili nuk ka material adekuat dhe bindës gjuhësor, mbetet i pakënaqshëm”.

Ky adekuatizëm i bazuar tek fragmentarizmi nuk është shpikur as prezantuar vetëm nga Mërkuri, dhe kjo nuk mbetet vetëm “barrë” e tij. Ajo vjen vetvetiu dhe natyrshëm flet se buron ashtu sikurse realitetit i këngës himariote nga një traditë shumë më e vjetër, sidomos në kulturologji e linguistikë. Të gjithë debatet dhe problemet e këngës himarjote, shumë kush duhet ta kuptojë se është vështirë të konkludohet në një parim, në një studim, apo dhe në një sprovë, sado e avancuar që të jetë ajo.

Një aspekt i veçantë në këtë kontekst na duket shumë i çuditshëm. Ne kemi një kështjellë kulturologjike në Himarë, një pjesë e gjallë mes memorjes kulturore të këngëve. Nga ana tjetër, bregu i saj, në afërsi të kulturave të ndryshme, u bë pothuajse tërësisht unik dhe foli shqip qartë dhe pastër, ashtu sikurse shfaqi e shpalosi këngën në gëzim, po aq dhe në hidhërim e dhimbje.

Ky pekuliaritet është vërejtur nga Timo Mërkuri, që me “Honestra e këngës himariote” (sprovë) (MILOSAO, 2018), tregon vërtet se meriton respekt, vlerësim, analizë të thellë dhe angazhim për të vazhduar më tej këtë nsimë të madhe e të domosdoshme. 


Londer, 27.09.2018

Friday 17 August 2018

Anton Nik Berisha per Antologjine poetike te Timo Merkurit


Shqiptimi poetik i dhembjes si katarsë shpirtërore

(Për poezinë e zgjedhur të Timo Mërkurit, përmbledhur në librin ËNDËRRIME TË MBYTURA NË DET, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018)

Nga: Anton Nikë Berisha
“E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedh nga kundrimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së bukurës, arrin të na jepet mundësia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimi emocional të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është kaq lehtësisht e dallueshme nga e vërteta, që mund të quhet kënaqja e arsyes apo pasionit, të emëruar si dalldisja e zemrës. E gjitha kjo, më shtyn ta përcaktoj bukurinë – duke përdorur veç këtë fjalë e duke nënkuptuar sublimen – ta përcaktoj, pra, bukurinë, si lëmin e krijimit të poezisë, thjesht ngaqë ekziston një rregull i gjithë pranuar i artit, sipas të cilit efektet duhen të ngjizen në mënyrë të tillë që të shpërthejnë sa më drejtpërdrejt që të jetë e mundur prej shkaqeve të tyre – e askush gjer më sot nuk ka qenë aq i ulët sa të mohojë që ky ngacmim i veçantë emocional për të cilin po flasim, është të paktën më drejtpërdrejt i arritshëm nëpërmjet poezisë […] Pra, një artist i vërtetë, duhet të dijë gjithmonë si t’i qeverisë, duke i harmonizuar në masën e duhur e në përshtatje me atë bukuri që është atmosfera dhe esenca reale e tërë poezisë ”.
Edgar Allan Poe

Poezi me tekst të kursyer poetik
Poezia e Timo Mërkurit dallohet, pos të tjerash, për dy veçanti të rëndësishme: nga një anë për ngjeshësinë – dendësinë e tekstit poetik të përftuar, dhe, nga ana tjetër, për dhembjen – vuajtjen e thellë që shprehet përmes tij. Të dy këta përbërës, të ngjizur me njëri me tjetrin, bëjnë konceptin krijues poetik të autorit, që lidhet pandërmjetësisht me qasjen e objektit poetik dhe me shtjellimin e tekstit, gjë që kushtëzon dhe komunikimin dhe ndikimin me marrësin.
Timo Mërkuri nuk krijon tekste të gjata, nuk i jep shfrim imagjinatës së vet krijuese, nuk gjakon mënyra të reja të shqiptimit poetik, po i shpreh dukuritë përmes një teksti të kursyer e të menduar, herë – herë skajshmërisht të ngjeshur. Këtë e bën me qëllimin që sa më ma pak fjalë (tekst) të thotë sa më shumë. Fakti se ngjeshësia e tekstit është çështje e parimit krijues, atëherë brenda tekstit autori gjakon një të shprehur sa më të veçantë e të kursyer, qoftë kur jep pamje (tablo) tronditëse të dramës dhe të tragjikes së jetës së tij, qoftë të njerëzve të botës që i përket, që në poezinë e tij paraqitet si botë thellësisht e njësuar. Pra, poeti zbaton parimin krijues për të cilin Poradeci ynë thoshte: “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve ”.
Mendimi (mendimet) që dalin nga teksti i poezisë së Timo Mërkurit i japin jetë, e bëjnë atë sa të mëvetësishëm aq dhe komunikuese, pikërisht ashtu si thoshte filozofi i madh gjerman, Hegeli se men-dimi, si e vërtetë supreme , është gjithçka: ai që lëviz dhe ai që vë në lëvizje . Pra, përmes mënyrës së për-ftimit të tekstit, nga dalin mendimet, poeti Timo e përfton dhe të bukurën, për arsye se mendimi është ajo që është e bukur ”.
Kjo lëvizshmëri e mendimit, që asnjëherë nuk ngjet në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën masë e gjallëri në tekstin poetik, nxit përsiatje, një tundim të vijueshëm, jo vetëm për t’u thelluar në atë që thuhet, por për të krijuar mendime të tjera. Rëndësinë e kuptimit të poezisë e theksonte edhe Th. Eliot: “Nëse na ngacmon një vjershë, ajo duhet të ketë një kuptim, diçka të rëndësishme, për ne, e nëse nuk ngacmo-hemi, atëherë ajo si poezi, është e pakuptimtë ”. Këtë e thoshteedhe Imanuel Kanti: “Tragjedia ngacmon ndjenjëne së madhërishmes ”.
Natyrisht se mendimet që dalin nga struktura tekstore poetike që përfton Mërkuri, nuk janë të rastit; teksti duhet të ketë atë formë, që në qenësi shpreh shpirtin, jetën dhe rëndësinë e tij. Pikërisht përmes formës përkatëse që zbatohet në përftimin e tekstit poetik të kursyer si material leksikor, përli-gjet ideja e së bukurës ose e bukura për arsye se siç do të thoshte Edgar Allan Poe, ajo (ideja e së bu-kurës) është i vetmi lëmë i përligjur krijues i poe-zisë . Këtë të bukur, këtë bukuri, Timoja e përmbush nëpërmjet të shprehurit poetik, që është rrjedhojë e formës përkatëse të tekstit. Kjo ngjet sidomos në poezi për arsye se, siç e thotë Niçe, një ide kryen (bën) shndërrimin (ndikimin), e jo fakti i thjeshtë .
Dhembja si objekt poetik
Pse poeti Timo Mërkuri vendos që përmes një strukture të tillë tekstore të ngjeshur të kursyer gju-hësore shprehëse ta vështrojë dhembjen dhe vuaj-tjen në një përmasë të këtillë. A është kjo dorëzim para vështirësive dhe vuajtjeve? Mbase përmes një leximi të rastit mund të thuhej se ky është një pesimizëm dhe se poezia e ngritur mbi mendime të tilla nuk mund ta pasurojë botën e lexuesit, siç pritet nga ndikimi që një krijesë poetike e rëndomtë do të mund të ndikojë në marrësin. Gongora thoshte se një vepër letrare poetike mund të vijë edhe nga një temë e parëndësishme , për arsye se qenësinë e një vepre të artit të fjalës e bën para së gjithash gjuha, forma e shtjellimit gjuhësor shprehës dhe e kuptimeve që dalin dhe vënë komunikim të veçantë me marrësin dhe ndikon artistikisht në të, që nuk mund të bëjë një tekst i natyrës tjetër.
Fakti se dhembja është pjesë e pandashme e jetës së njeriut dhe se ajo është bërë objekt i shpeshtë i vështrimit poetik nga shumë krijues letrar dhe jo letrar, atëherë punën duhet parë ndryshe. Po sjell këtu tri vargjet e njërës ndër veprat më të lashta të plota letrare që njohim deri më sot, “Epit të Gilga-meshit”, që e përligjin këtë:

A nuk përngjajnë vallë njëri n’tjetrin
fëmija i porsalindur dhe vdekja?
Me njolla t’vdekjes njëjtë a s’janë t’shënuar?
(Epi i Gilgameshit, Kënga X, v. 364 – 366)

Edhe mendimi i Nënës Tereze, tashmë Shën Terezja e Kalkutës, se vuajtja asnjëherë nuk do të zhduket krejtësisht nga jeta jonë dhe se ajo është një dhuratë e madhe e Zotit , dëshmon se poeti Timo Mërkuri jo rastësisht i është qasur dhe e ka bërë objekt të trajtimit poetik dhembjen në një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë. Pra, dhimbja e shqiptuar në poezinë e tij nuk është shenjë e shfrimit të ndjenjave, të pakënaqësisë së rastit, nuk është tundim i për-kohshëm ose pesimizëm përballë jetës, po dukuri e qenësishme e mendimit, e veprimit dhe e gjallimit, siç është, fjala vjen, dashuria, vdekja. Dhembja është zëri i brendshëm i poetit që ngërthen (nënkupton) dhe zërin e njeriut të tij.
Shqiptimi i dhembjes përmes poezisë, përmes artit të fjalës si formë e ngushëllimit shpirtëror (ka-tarsës) i jep asaj gjithëkohësinë, siç është dhe natyra e saj (e dhembjes), e gjithkohëshme.
Në poezinë e Timos dhembja shqiptohet në shumë mënyra dhe është e ndërlidhur me botën e tij të brendshme dhe me botën e njeriut të tij në rre-thana konkrete jetësore; ajo është e ngjizur me vuajtjen dhe me vetminë, që kushtëzohen midis tyre në mënyra të ndryshme.
Në të vërtetë, dhembja e shqiptuar në poezinë e Mërkurit nënkupton dramën dhe tragjiken e tij shpirtërore, rrjedhojë e dramës dhe e tragjikes së rrethit e të botës që i përket. Janë ta rralla rastet në poezinë tonë bashkëkohore ku këto dy botë njëso-hen dhe e përligjin njëra – tjetrën në mënyrë kaq të thellë. Ky njësim ndodh nga vetëdijesimi i poetit dhe nga ndjeshmëria e tij shpirtërore përballë vetes dhe përballë tjetrit: fati ose fatkeqësia e një individi janë vetvetiu fati dhe fatkeqësia edhe të afërmit, të tjetrit.
Në qoftë se Bajroni dhe Bodleri e bënë dramë fatkeqësinë e tyre, ndërsa Witmani e bëri dramë lumturinë e vet , Timo Mërkuri ndjek një rrugë tjetër: ai e njëson dramën e vet me dramën e tjetrit dhe amëzohet dhe frymon brenda kësaj drame, që bëhet drama e njësuar. Me fjalë të tjera, poezia, si art, shpreh dramën shpirtërore të poetit, e cila përmes tekstit dhe mesazhit poetik bartet tek tjetri për t’u bërë e tillë edhe tek ai, të veprojë edhe si katarsë shpirtërore. Dhembja nuk shqiptohet vetëm për dhembjen vetë, për dhembjen e individit, siç ndodh zakonisht, po si dukuri e qenësishme e secilës qenie të njeriut.
Nëse gjithë këtë e vështrojmë përmes tre zërave që i veçonte Elioti kur bënte fjalë për poezinë: zëri i poetit për vetveten, zëri që poeti i drejtohet tjetrit dhe zëri kur ai përpiqet të krijojë një personazh dramatik, një personazhi të përfytyruar që i drejtohet një personazhi të imagjinuar , mund të thuhet se te Timo Mërkuri zërat janë të njësuar; ata ndihen e përjetohen si një zë i vetëm.
Njeriu është tashmë i vetëdijshëm se dhembja dhe vuajtja janë të pandashme nga jeta e njeriut, po ai duhet të bëjë përpjekje dhe të gjejë mënyra që t’i zvogëlojë dhe t’i përballojë ato. Shopenhaueri tho-shte se jeta për njeriun është një dhunë dhe se ai duhet të bëjë çdo gjë që ta lehtësojë atë. Në një më-nyrë ose në një tjetër, kjo thuhet edhe në librin e Siracidit (2, 4 – 5): “Prano gjithçka që të ndodhë, pranoje e duroje në dhimbje, ki duresë në përvuj-tërimin tënd, sepse në zjarr provohet ari e argjendi, po ashtu edhe të zgjedhurit në furrën e përvujtë-rimit”.
Ndoshta arsyen kryesore pse Timo Mërkuri i qaset dhe e shpreh dhembjen në një përmasë të tillë mund ta gjejmë te këto dy mendime.Xh. Patrik përmendte se “Dhimbja e nxit njeriun të mendojë. Të menduarit e bën njeriun të mençur. Mençuria e bën jetën të durueshme”, ndërsa Edgar Allan Poe-së thoshte: “[…] falë poezisë apo muzikës, mënyrat më magjepse të poetikës — e gjejmë veten të njomur në lot — më pas krejt të ngashëryer, e jo siç mund të mendonte Abbate Gravina, prej një kënaqësie të tejmasës, por prej një dhimbje të veçantë, gërnjare, të padurueshme, që buron nga pamundësia për t’i rrokur tërësisht, në këtë botë, njëherë e përgjith-monë, ato gëzime ngazëllenjëse e hyjnore, që nëpër-mjet poezisë apo nëpërmjet muzikës, ne arrijmë t’u kapim veç ca feksje të shkurtra e të papërcaktuara. Ka qenë para së gjithash lufta për të arritur hijeshinë hyjnore, kjo luftë e ndërmarrë nga ata shpirtra të mbrujtur në mënyrën e duhur — ajo që i ka dhënë botës gjithçka që ajo (bota) pati qenë ndonjëherë e aftë ta kuptojë e ta ndjejë menjëherë si poetike. Ndjesia poetike, sigurisht, që mund ta zhvillojë veten në mënyra të ndryshme — në pikturë, në skulpturë, në arkitekturë, në balet — e veçanërisht në muzikë […] Sidoqoftë, qëllimi ynë i këtushëm është të tregojmë mënyrën se si ajo arrin të shfaqet nëpërmjet fjalëve ”.
Dhembja pasojë e dramës dhe e tragjikes
U theksua më lart se poezia e Timo Mërkurit lidhet pandërmjetësisht me realitetin konkret, me dramën dhe me tragjiken që e cilëson jetën dhe ve-primet e përditshme. Pra, dhembja dhe vuajtja i kanë rrënjët në atë realitet, që shprehet. Ky realitet, thënë metaforikisht, bën akullnajën e përlotur, lotuese.
Ballafaqimi i poetit me dhembjen dhe vuajtjen, që ngjasin dhe tek tjetri, të kujtojnë atë që thoshte Shën Pali në Letrën drejtuar kolosianëve: “Jam i gë-zuar nga vuajtjet që i bart për ju” (Kol 1, 24). Sëkën-dejmi, edhe përballë dhembjes dhe vuajtjes që për-ligjet nga realiteti i përditshëm, një njeri është të gjithë njerëzit dhe të gjithë njerëzit janë një njeri. Vuajtjet e shumta kanë bërë që njerëzit të harrojnë edhe të qeshen:
Bisedat
si lumenj derdhen në digën e dhimbjes
e në sytë tanë vezullon trishtimi.
Kemi harruar të qeshim.
(Në digën e dhimbjes)

Jeta e stërmbushur me pësime dhe tragjikë dëshmohet edhe nga përkujtimoret e shumta të ndër-tuara gjithandej, të cilat ua tundin njerëzve ndër-gjegjen dhe qetësinë shpirtërore: “Para tyre ditët tona kalojnë si kortezh”. Në rrethana të këtilla buzëqeshjet bëhen të murosura dhe atyre u duket se në veprimet e përditshme kalojnë (shkelin) nëpër plagë ta pambyllura.
Pranë tyre njerëzit ecin ngadalë
e të heshtur. Sikur shkelin mbi plagë
të pambyllura. Sikur zgjojnë dhimbjet
te buzëqeshja e murosur
(Buzëqeshje e murosur)

Jeta që përjeton poeti dhe njerëzit e tij më shumë i përngjet një jete të shuar, vdekjes; arkivolet shenjëzojnë gjallimin, të cilën gjë poeti e ndien thellësisht në shpirt:
M’u kërrusën supet
nga pesha e arkivoleve.
M’u thinjën flokët brenda një dite
nga lemeria që më panë sytë.
(Kështu eci drejt Golgotës së jetës)

Vuajtjet dhe pësimet janë bërë të pafund; jeta është përmbysur dhe shndërruar në një katrahurë; fatkeqësitë dhe tragjikat ndodhin njëra pas tjetrës sa nënat i kanë këmbyer ninullat me vaj dhe lot, të cilët shndërrohen në stalagmite (e dihet se sa kohë duhet të krijohet një stalagmit):
Atë vit
nënat tona i harruan ninullat
dhe u bënë të gjitha vajtore.
Nuk e di sa vite kaluan, por lotët e derdhur
ngrinë në jetën tonë si stalagmite
(Atë vit)
Ëndërrime të mbytura në det

Brenda dhembjes në përgjithësi, Timo Mërku-rit i rëndon sidomos dhembja për refugjatët, për njerëzit që për t’i zvogëluar vuajtjet, për t’iu shman-gur tragjikes së jetës, vendosin ta braktisin atdheun dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër (si-domos në Itali), po në këtë kërkim dhe përpjekje përjetojnë tragjikë të shumëfishtë: pësojnë vuajtje të pazakonshme dhe së fundi të gjitha synimet dhe ëndrrat e tyre mbytën në det bashkë me ta. Kështu, deti bëhet një varr i hapur, që gëlltit vijimisht jeta njerëzish. Kështu, deti që merret si shpëtim, bëhet humnerë dhe plagë e gjallë e shpirtit të poetit, që përmbys gjithçka të qenies njerëzore. Kjo shprehet përmes një pamje poetike tronditëse: vajton dhe deti.
Valët janë rrudhat e ballit tim.

E kreshtat e tyre të bardha
thinjat e mia të parakohshme janë […]
Dhimbjen time e vajton dhe deti.
(Dhimbjen time e vajton dhe deti)

Gjendje shpirtërore e poetit është aq e tendo-sur sa ka mbërritur në zgrip të rrënimit: edhe në gjumë i ëndërron skafet dhe stërkalat e valëve të detit, ky mbyten ofshamat, britmat, klithjet dhe dhe-mbjet e njerëzve (bashkë me trupit e tyre):
Ëndrrat më ikën me skaf dhe stërkalat
janë lule të bardha
lidhur në një tufë mortore, hedhur në det.
(Ky det nis te zemra ime)
²
Këtu trishtimi si një qukapik troket në
trungjet e ëndrrave
të mia, që nuk lulëzuan kurrë.
(Shtëpia ime në breg të detit)

Në gjithë këtë zezonë jetësore poeti gjakon ta gjejë ndonjë përbërës që ta përballojë të keqen, ta qetësojë shpirtin, prandaj gjakon dhe e shqipton da-shurinë,kur i sheh vajzat e bukura e të njoma të qy-tetit të vet, po edhe në këtë gjakim i ndërpritet fry-mëmarrja: vajzat i sheh me shikim nga deti, qoftë për t’u nisur edhe ato kah ishin nisur të tjerët, qoftë për të dëshmuar tragjiken që është bërë pjesë e jetës, e veprimit dhe e kujtimit të tyre të trishtueshme për tragjiken që pësuan në det; të dashurit e tyre jo vetëm e kishin pësuar me jetë, po kishin mbetur edhe pa varr:
Mos më flisni për dashurinë, se më vjen të qaj
kur i shoh të treten me shikimin nga deti.
(Të bukura si Afërdita)

Në vizionin poetik Mërkuri e përfytyron edhe vendngulimin e refugjatëve matanë detit (matanë detit, për ata që kishin shpëtuar) pa këngë, të gjallë po, po shpirtërisht të vdekur.
Në fshatin e refugjatëve
këngët lindin si fëmijë të vdekur
(Këngët lindin si fëmijë të vdekur)

Dhembja e përshkuar nga heshtja dhe vetmia
Në poezinë e tij Timo Mërkuri e ndërlidh dhembjen me heshtjen dhe me vetminë dhe në këtë njësim krijon pamje tronditëse. Për poetin heshtja është himn i vetmisë; nga ajo kjason dhembja që ia ngushton edhe frymëmarrjen.
Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbërrij tek e hëna,
ku më pret buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur,
që valëvitet si flamur në kiçin e tragetit.
(Heshtja është himn i vetmisë)

Në rrethana të tilla njerëzit kridhen në humnerat e heshtjeve të tyre, e projektojnë jetën përmes përfytyrimeve dhe ëndrrave për arsye se realiteti nuk u ofron dhe nuk u mundëson atë që gjakojnë.
Heshtja leson dhimbjen.
Dhe në muzg
ferrat nxijnë mbi të si dregëza mbi plagë.
(Edhe këtë vjeshtë)

Edhe vetmia i shtreson dhe i rrit dhembjet; ajo shqiptohet si ndryshk që i bren dhe i zhbën ditët.
Mëngjeseve dalin në prag të shtëpive
duke mbajtur në prehër heshtjen,
duke mërmëritur përralla që s’u treguan kurrë
për nipërit e mbesat lindur në mërgim.
(Ndryshku i vetmisë bren ditët)

U tha dhe më parë se Mërkuri përfton pamje tronditëse, që të pushtojnë me artin e tyre dhe bëjnë ndikim të dukshëm në marrësin: shtëpia është plakë e braktisur; edhe pse i mbledh gjithë yjet, nuk e zhbën vetminë.
Është një shtëpi aty në jug,
e heshtur. Si një plakë e braktisur.
E një vijë uji që kalon te pragu, si vija e fatit
në një pellg, në pëllëmbë të oborrit mbledh
gjithë yjet,
por nuk ia zbardh dot ditët vetmisë.
(Si një pikë loti nën qepallë)

Njësimi dhe dashuria përballë atdheut
Në disa poezi Timo Mërkuri e shqipton edhe atdheun, Shqipërinë. Edhe në këtë rast është fjalë pak, po teksti që krijon cilësohet me shumësi kupti-mesh. Ai i shmang fjalët e mëdha (retorike), po për-mes gjërave të “vogla” shpreh qëndrimin dhe da-shurinë e tij ndaj atdheut: njësimi i germave të emrit të Shqipërisë bëjnë qeniene tij, vetë atë.
Një nga një i mblodha germat e emrit tënd
dhe të hymnit
dhe të flamurit.
Dhe kur i lexova përsëri
Pashë se qe shkruar biografia ime.
(Edhe një herë për Shqipërinë)

Në poezinë E varfër sofra jonë, poeti krijon një tablo poetike të pazakonshme, që si parim e zbaton në shumë raste: copën e bukës e lyen me dritë hëne, ndërsa fëmijët çukasin përralla:
E varfër sofra jonë, një fetë bukë
lyer me dritë hëne
dhe rreth saj
një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.
(E varfër sofra jonë)

Edhe në këtë tablo poetike, të përftuar me pak vargje, që po e sjell në vijim, kemi diçka të veçantë, të papërsëritshme:
Sot yjet janë çmendur. Vallëzojnë rrethmeje
Dhe hëna më pëshpërit fjalë të ëmbla
si motër e përmallur.
(Kthimi)

Shqiptim i mëvetësishëm edhe i dashurisë
Edhe dashurinë poeti Mërkuri e shqipton për-mes strukturës gjuhësore të kursyer. Ai synon që në dashuri të jetë i vetvetes, të dashurojë ashtu si do dhe i përgjigjet vetëm atij: të jetë i pavarur, i mëvetësi-shëm. I ngopur me dhembje, me pësime e zhgënjime, poeti synon ta shkruajë “ungjillin e dashurisë”. Emri i së dashurës është “[…] është kënga e këngëve që këndoj”. E dashuria kryesisht është përfytyruese, i përket botës së përrallës: “Diku po martohet një princeshë ëndrrash”.
Në rrethana të rënda të jetës, edhe dashurinë e përcjellin tundimet, dhembjet, vuajtjet, po poeti është plot besim dhe i lumtur të dashurojë.
Unë, jetim si ylli i mëngjesit. I heshtur si ai,
kam qiellin tim e dashurinë time.

A e ke vënë re, buzëqeshja ime
ka më shumë ylbere se gjithë pranvera
Dhe këngën time kori i yjeve e shoqëron…
(Portat e lumturisë)
²
Ky park ku ti shëtit shkujdesur është zemra ime
Dhe këto lule që ti ledhaton, ëndrrat e mia janë.
Tani që të njoha ty
dua të rroj e të vdes si trëndafili në maj.
(Portat e lumturisë)
Në shqiptimin e dashurisë Mërkuri ia ka dalë të përftojë po ashtu pamje poetike të rralla, që të pushtojnë me gjerësinë dhe me thellësinë e mendi-meve; dashuria është këngë (lexo: është kënaqësi), po më shumë ngrihet mbi bazën e përfytyrimit, më tepër është projeksion sesa akt konkret.
Tek emri yt e kanë bërë folenë
zogjtë e ëndrrave të mia,
që nisin e këndojnë në kor
kur të flas a kur për ty mendoj.
(Emri yt është kënga e këngëve)
Në fund po shtoj se poezitë e zgjedhura të Timo Mërkurit, të përfshirë në këtë vëllim me titull “Ëndërrime të mbytura në det” jo vetëm përligjin artin e tyre të mirëfilltë, po shkaktojnë atë katarsë shpirtërore që mund ta bëjë vetëm arti i madh.

Gusht 2018