Monday 9 December 2019

Një mesazh nga Faruk Myrtaj


Një mesazh nga Faruk Myrtaj për shkrimin tim “Para se të lexojmë Vajtimin e Ajkunës së Petrit Rukës”

I dashur mik,

E kisha hequr mënjanë këtë shkrim Tuajin dhe si dikur me "laps në dorë" tashmë me "buton në dorë", e lexova duke shkurtuar atë që s'kam pse e lexoj sërish më von. Ekstrakti më duhet, një gotë e vogël, për ta pasur të plotë tërë Timon...
Mbetëm në pritje se si duhet të pranoj Petrit Ruka (shoqëruar nga Pëllumb Kulla, te Nanua, por jo në takimin e dytë LIVE!) si ta lexojnë ata që e kanë kënduar më parë zgjedhjen e Ajkunës të të përmëndurve ndershmërisht nga Timo Luto (Mërkuri), edhe në këtë artikull...
Nuk di nëse jam gabim por besoj se folklori është lëndë në virgjëri të përhërshme. Edhe nëse të duhet ta prekësh atë, nuk duhet ta bësh fjalë me njeri se fare kollaj ta marrin si mëkat...
Kam frikë se mbledhësit e folklorit, si mamitë e materniteteve, nuk këmbehen dot nga Poetët, se këta të fundit kanë Unë, Unë aq të fortë...
Teksa mbledhesit e folkut, aq më kujdesshëm ata të baladave e të këngëlotëve, si bletët, nuk e lëndojnë, nuk e plagojnë lulen që është, që do jetë aty edhe pranverën tjetër, vetëm nektarin i marrin, për t'ua dhuruar njerëzve...
Se, ti Timo i dashur e di: vetëm një pjesë fare fare fare të vogël të mjaltit të tyre, bletet e përdorin për teknikën e tyre, konstruktin e hojeve dhe përkëdheljen e Mbretereshës, tërë pjesën e Luanit ia lënë Njeriut, jo për veten e tyre...
Të përqafoj, Timo Mërkuri!


Toronto më 26.11.2019

Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës për Omerin


Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës për   Omerin

Përsiatje mbi   “Vajtimi i Ajkunës” të Petrit Rukës dhe Eposit të Kreshnikëve

            Unë jam i sigurt që   nuk gabohem duke e quajtur këtë krijim[1]   “Vajtim i Ajkunës dhe Petrit Rukës   për Omerin”, madje ju ftoj edhe juve që me këtë titull ta lexoni apo ta përmendni nëpër biseda e komente. Sepse duke e lexuar nuk je në gjendje të dallosh ku fillon e ku mbaron vajtimi i Ajkunës së   Eposit të Kreshnikëve e ku fillon   vajtimi i Petrit Rukës. Kjo jo vetëm për arsyen se të dy vajtimet të përlotin sytë e s’je në gjendje të gjesh dallimin e vargjeve të eposit nga krijimi poetik i tepelenasit, por edhe për   arsyen   thelbësore se   të dy krijimet janë ligjërime mortore, janë vajtime dhe në të dy këto vajtime janë ruajtur besnikërisht karakteristikat e vajtimit me ligje të popullit tonë dhe epoka e ngjarjes.
         1) Vajtimi është për Omerin, birin[2] e Ajkunës dhe të Mujit. …Muji bashkë me Halilin dhe me Omerin del në bjeshkë për me u gri me shkjet. Halilin e qet në maje të thatë e Omerin tu kasha në fush të Krajlnis. Omeri vret popin e n’atë pushkë e rrethojnë shkjet e i bajn’ nandë plagë…I ligështuem lëshon nji gjamë, të cilën e ndjen Halili. Halili nget tu Muji, u bin shkjeve e i shpërndajnë. Shkojnë te Omeri, e venë në gjok, por u vdes[3] në bjeshkë tue i porosit mos ti diftojshin nanës.[4].. Është pikërisht kjo këngë kur Ajkuna i lutet Mujit…Pash at Zot Mujo qi t’ka dhanë /Mos Omerin shpijet me ma tretë/ Se shtatë Omera t’mirë si i pata / Shtat Omera jam kah kjaj e ngrata /E spo dij as vorret ku po i kan[5]
             1.1) Është pikërisht ky moment që ne meditojmë në lidhje me emrin “Omer” dhe konkludojmë se ky nuk është emër personi por është cilësim që nëna i bën birit së saj…I miri (i nënës). Kjo na përforcohet edhe nga tradita shqiptare që në një familje, vërtet trashëgohet emri i të vdekurit, por ky trashëgim nuk lejohet të bëhet më shumë se dy herë kur vdekjet janë në moshë të re dhe të dhunshme (nga armët). Pra, pas vrasjes së Omerit të parë mund t’i vihej emri Omer djalit të dytë, por pas vrasjes edhe të Omerit të dytë, kurrsesi nuk do ti vihej ky emër djalit të tretë. Të tetë djemtë e   Ajkunës nuk mund ta kishin emrin Omer por ndërkohë të tetë ata ishin “   mirët e nënës”   që u vranë në Lugjet e Verdha. Ndaj dhe Ajkuna kur vajton të birin, e quan me cilësimin “O (i) miri i nënës-o) që rastësisht përqaset me emrin Omer[6]. Kjo tezë përforcohet edhe nga fakti se emri i plotë   i djalit të Ajkunës në Eposin e Kreshnikëve   është Sokol Omeri. Pra djali e ka një emër Sokol dhe cilësorin Omer “I miri”.
            1.2) Në këtë situatë mortore tronditja vjen para ngjarjes ashtu si klithma e shpirtit para fjalës. Ajkuna i lutet Mujit të mos e marrë të birin në   bjeshkë nga droja se do t'i vritet i biri, djali para vdekjes i lutet babës që mos ti tregojë nënës se ai ka vdekur, nga droja se nëna nuk do ta durojë dot dhembjen e vdekjes së tij... Nji fjal nanës mos me i çue[7]/Se m’ka dash e nis me vajtue / Se m’ka dash e nis me mjerue[8]Të dy palët mendojnë për palën tjetër. Janë të shumta rastet, kur të pranishmit në vdekjen e të rinjve shqiptarë nëpër luftëra kanë dëshmuar se meraku e brenga e   djemve para vdekjes, nuk ka qenë plaga që kishin ata në trup, por plaga që i hapte nënës në shpirt vdekja e tyre. Këtu fillon realisht drama e “Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës", te dhimbja e nënës.
             1.3) Nënat tona janë   bërë vajtore nga jeta plot morte, ndonëse nëpër morte asnjëherë nuk kanë vajtuar vetëm por kanë qenë në mes të grupit të vajtoreve.. Në Lugjet e Verdha   Ajkunën e shoqëruan në vajtim yjet e qiellit …Qyqe vetëm rrugën ma paska marrë,/ kan nxan vend hyjt vajin për me ndie,[9]Kan lan kangën zogjt e malit,/kan lan kangën me vështrue![10] …Ndërkohë Petrit Ruka e vendos nënën vajtore te Ahut treqind vjeç, ku ulet ,/... /Zë vjeshtoset, lëshon fletët /Me flori ia mbulon djalit/ Varrin dhe gjysmën e malit./Ndalen zogjtë në fluturim,/Ndalen bishat në shtegtim,/ Ndalen ujëvarat mbi hone,/Bëhen për retë ballkone, /Ndalen yjet, rrisin togun, /Shtyjnë me b'rryla shoku-shokun, /Të zënë vend e të dëgjojnë/Një mijë qiej se si lotojnë… Që është e bukur kjo panoramë, kjo s’do  diskutim, por unë ju them se   këtu Petrit Ruka saktësisht  ka paraqitur situatën mortore,   në prag të nisjes së vajit nga nëna e të ndjerit ose nga ndonjë vajtore e mirënjohur.
            1.4) Duke i pare të dy ambientet mortore, “Vajtimin e Ajkunës” të Eposit të Kreshnikëve
dhe “Vajtimin e Ajkunës”, Variant për baladë të Petrit Rukës   kështu pranë e pranë, më thoni ju lutem: a kam të drejtë kur e quaj këtë krijim   “Vajtim   i Ajkunës dhe Petrit Rukës” së bashku. Sepse, po qe se nuk e dini, jua them unë që Petrit Ruka është nga krahina ku vajtimi bëhet me ligje. Kur Ajkunat e Labërisë mblidhen në mort e zënë vajin, ndalet era nëpër shtigje, ndalet kënga e zogjve nëpër fletë, ndalet uji në përrua, ndalet hëna e ndalet ylli. Unë ju them që heshtin edhe perënditë e Dodonës e dëgjojnë vajin. Ndoshta këto perëndi prandaj lejonin të vriteshin në luftë bijtë e popullit tim qysh fëmijë, si Omeri shtatë vjeçar, me qëllim që të dëgjonin vajtimin e   nënave tona. Kaq shumë i ka magjepsur ky vajtim  sa që kur panë se po rralloheshin djemtë nga shpata, u menduan e u menduan dhe me qëllim që të mos e humbnin magjinë e vajtimit, e shndërruan atë në këngë iso-polifonike që ta dëgjonin çdo ditë. E kini vënë re kur këndohet kënga labe se si tunden gjethet e pemëve. Janë perënditë që vijnë e dëgjojnë, fshehur nëpër degë e fletë.       
       Se kur zënë e vajtojnë nënat labe e bregdetase atëherë edhe deti ndalet se s’ka kush t’ia dëgjojë buçimën dhe malet afrohen në grupin mortor për të vajtuar me suferinat-ligje... "Qaj moj Çikë me Gjinikë /Se drëri juaj ka ikë/Që i shtij hasmitë frikë/Dhe nuk i qasej e ligë…" i lë populli radhën e vajtimit malit të Çikës dhe të Gjinikës të vajtojnë për kapedan Sokrat Lekën nga Qeparoi.
                2) Ti do   të thuash se Petrit Ruka është burrë katërqind derhem dhe jo grua që të zërë vajin e të shkulë flokët, prandaj e paskam gabim këtë muhabet. Jo more mik, jo, nuk e kam gabim. Është mot a mot si ta them unë. Vajtimin nëpër mortet shqiptare e kanë bërë burra e gra. Po, po, edhe burrat   vajtonin me bot e me ligje. Lekë Dukagjini në mes të Lezhës vajtoi vdekjen e Skënderbeut me sokëllimë e ulërimë, duke shkulur flokët, duke çjerrë faqen e duke rrahur gjoksin me grushte, pa turp e pa droje. Ai i pari dhe gjithë ushtria pas tij bënin thjeshtë zakonin e hershëm mortor të popullit shqiptar. Akoma dhe sot në Pilur burrat shkojnë te shtëpia e mortit me vaj në buzë ndërsa në zonat e malësisë së veriut bëhet   edhe sot “Gjama e burrave”. Ka ndonjë nga ju që beson se Petrit Ruka nuk ka vajtuar (në heshtje) kur i ka shkruar vargjet e këtij vajtimi, se unë për vete, vetëm me të lexuar i bëra qull mëngët e këmishës duke fshirë sytë. Ejani t'i lexojmë bashkë vargjet…Kur ka dalë tek lugjet nana,/Sytë ka ngritur, ku është hana,/Qofsh mallkuar gjer në thua/ Që s'ma çove një lajm mua,/ Siç e bën gruaja me grua. /T'u shkimtë drita, të mbloftë hiri/Një pikë ujë mos paç tek gjiri,/ Mos paç frymë në qiell e tokë,/Të plastë syri për një zog/Mos të mbiftë një fije bar,/Rënç shtatzënë e pjellç një varr…
            Nuk është Çajupi që vajton dhjetë vjet pas vdekjes së gruas me vajin e famshëm… "Doje dritë o qiell more dritën time/ dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime…" Është Petrit Ruka që në linjën e   kohës se hershme vajton e qan me gjëmë e bot në Lugjet e Verdha, duke mallkuar qiell e hënë. Aty bashkë me të është dhe Ajkuna që vajton (gati) me të njëjtat fjalë… "T'u shkimtë drita ty,o mori hanë /qi s'ma çove at natë nji fjalë,/n'lugje t'Verdha shpejt me dalë ,/ bashkë me hi n'nji vorr me djalë!/Ndoshta vorri t'dyve s'na kish xanë,/ndoshta djali ngat nuk m'kishte lanë,/nji vorr t'ri - por kishte ë për bri ./ Ahit t'malit rixha i kishte ba,/gurit t'malit rixha i kishte ba,/për mue gropën me ma lanë/ se aq i vend ma kishte lanë./ Mallkue kjosh, o mori hanë,/qysh me e lanë nanën t'pa djalë[11]!..."
            Është nëna ajo që ka të drejtën e zotit t'i drejtohet hënës   dhe diellit me mallkime, aq më tepër   që është një nënë e një populli para-hënorë, si populli ynë. Se populli ynë   bisedonte me hënën e me yjet siç bisedojmë ne sot me komshiun përtej parvazit të dritares, duke mënjanuar lulet e mbjella nëpër saksi..
             2.1) Por pas mallkimit të hënës dhe yjeve (komshinjve të saj), Ajkuna u shtrua mbi varr të   djalit të saj të mirë, u mbështet te ahu që kishte vendosur mbi të dhe ja nisi vajit me fjalë zemre "… Po a s'din de kush ka ardhë,/qi nuk çohesh për me u falë,/more i miri i nanës - ooo! / Amanet, o more bir,/Del nji herë ksi burgut t'errët,/fol me nanën qi t'ka rritë,/s'm'ke lan kurr kaq shum me pritë! /…   A thue gjogun me ta prue,/del ndo' i herë për me lodrue,/bjen dër gurra me u freskue, / kërkon majet bashk me zana,/se ty vorrin ta rue nana,/more i miri i nanës - ooo!
         As tërmeti njëqind ballë nuk godet malet a detin më fortë se këto vargje zemrën e burrit. T’i dëgjosh të vajtuara këto vargje   shpëton nga ndonjë infarkt elektrik vetëm po të të bjerë të fikët. Po të kishin veshë t'i dëgjonin e zemër t’i ndjenin guri e druri, do çaheshin e do bëheshin thërrime e ashkla. Se zanat dhe Orët e Malit nuk e duruan dot ligjërimin e Ajkunës, ndaj ja kthyen mbrapsht fjalët e ia ndalën zemrën së rrahuri, sa ta çonin përkrahu te shtëpia e saj në Jutbinë…   "Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë, / fjalën n'gojë po ja kthejnë dalë, / zemrën s'rrahni ja kanë ndalë[12]…"

             2.2) Sipas zakonit mortor shqiptar, pasi mbaron ligjërimin një vajtore, bëhet një pushim i shkurtër disa minutash sa për t'u qetësuar situata dhe më pas ia nis ligjërimit mortor vajtorja tjetër. Këtë herë ligjërimin e nisi Petrit Ruka me zë të plotë burri të vrarë në shpirt, duke vajtuar "… Ka ardh nana, çohu, o djalë/Si nuk ngrihesh për me u falë,/Dil prej burgut që s'ka derë /Mbushi balluket me erë,/Dil ndër shpate të flladitesh,/Kapërce ylber të rritesh,/T'u pish gjirin, shko gjej zana/Se ty varrin ta ruan nana./Dil i bukuri plot hire,/T'u bësh dritë trojeve ilire./Në ke ftohtë ku ke rënë/Ja ku është e zeza nënë,/Po vë ballin përmbi varr/Ta ngroh baltën, ta bëj zjarr. /Të ta ngroh trupin që dridhet/ Gjakun që në zemër mblidhet,/Ngrihu se nëna këtej s'ngrihet/ Gjersa malet t'i hanë hijet.." Oi, oiiii. Tani që e dëgjuat vajtimin, pa më dëftoni   kush qe ai që tha se Petrit Ruka nuk di të vajtojë me ligje? Ju them unë e mbajeni mënd, edhe njëqind vjet po të rroni, të tillë vajtim s’do  dëgjoni dot. Se nuk vajtonte vetëm Petrit Ruka more mik. Bashkë me të vajtonin dhe malet e Labërisë dhe të Jutbinës bashkë, lisat në pllaja dhe   era në luginë, gurët e malit dhe lulet e fushës. Edhe unë që shkruaj këto radhë dhe ti i dashur lexues sypërlotur vajtojmë bashkë me Petrit Rukën e Ajkunën. Mos kini turp të vajtoni. Ky   vajtim tregon sa të bukur e të mirë jemi. Këta lot janë si uji që ftoh çelikun kur rrihet në kudhër për t’u farkëtuar shpatë. Nuk dua t’i analizoj varg për varg se s’do na mjaftojë koha, por dua t'ju them se unë, ndërsa i vija veshin vajtimit të Ajkunës dhe Petrit Rukës, përtej ylberit të lotëve pashë se:          
            2.3) Vajtimi gati i njëjtë i Ajkunës së hershme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me vajtimin e sotëm të nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve në këngë, tregon një linjë vazhdimësie të popullit tonë në këto troje, nga hershmëria e matriarkatit në ditët tona. Pra ne kemi lindur në këto troje para se të ndrinte hëna përmbi to. Kemi lindur këtu dhe këtu jemi. Këtu kemi djepet, këtu kemi të rrënjët, këtu kemi dhe këngët.
         2.4) Vajtimi gati i njëjtë i Ajkunës së hershme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me vajtimin e sotëm të (Petrit Rukës) nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve në këngë tregon edhe unitetin, njësimin, e etnitetit tonë gegë e toskë,   jugorë e veriorë qysh në hershmërinë e jetës njerëzore.
          2.5) Vajtimi i Petrit Rukës me vargje të rregullta në një motiv verior, aq më tepër të hershëm dhe suksesi i këtij realizimi artistik është një dëshmi e gjakut të njëjtë që vlon nëpër zemra e rrjedh në damarë tek të tërë ne; gegë e toskë, shqiptarë...
          2.6) Në vajtimin e  Ajkunës vargu: "Mallkue kjosh,o mori hanë,/qysh me e lanë nanën t'pa djalë…"  tërthorazi na jep edhe peshën reale të e dhimbjes sepse mbi dhimbjen e nënës për vrasjen e djalit qëndron  dhimbja e mbetjes së nënës pa djalë. Se ç’do të thotë kjo në dëshirën për vazhdimësi të familjes shqiptare, nuk po zgjatem t’jua shpjegoj sepse e dini fort mirë. Por ky fakt   është një mangësi për Ajkunën sepse  nuk e përmbushi dot detyrën e saj si grua për vazhdimësinë e fisit meqënëse edhe djali i fundit ju vra. Kjo është gjëma më e madhe që solli vrasja e Omerit, duke u bërë ky mort një gjëmë e dyfishtë. Realisht ne nuk dimë si vijoi historia, por Mujin e gjejmë edhe në këngë të tjera sepse jeta shqiptare, shtigjet për të kapërcyer edhe fatkeqësitë e tilla i ka mbajtur gjithmonë hapur, si p.sh me martesat të dyta etj.
          3) Këngët e Eposit të Kreshnikëve sigurisht që nuk kanë lindur si vepra artistike për “konkurse”. Ato kanë lindur si mesazhe që populli ynë qysh në hershmëri u përcillte pasardhësve të tij si dhe popujve të tjerë. Në se me baladën e Konstandinit   përcolli mesazhin e “besës” së shqiptarit, natyrshëm lind pyetja se çfarë mesazhi   përcillte me “Vajtimin e Ajkunës”.    
            Trysnia e dhimbjes mbi ndjenjat e nënës ka krijuar këtë mrekulli që quhet ligjërim, vajtim mortor për djalin e vdekur (vrarë), i cili ashtu si diamanti shkëlqen nga çdo anë dhe është i fortë të sfidojë shekujt dhe ta presë kohën në mes, si të ishte një copë xham. Në qoftë se do shohim ceremonitë mortore të popujve të ndryshëm, nga Lukiani mësojmë se, trupin e të vdekurit … "greku e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm, skiti e ha dhe egjyptiani e than…" Vetëm nënat shqiptare e shenjtërojnë trupin e të vdekurit duke e mbuluar me vaje e ligjërime, prej të cilave mbijnë këngët e vallet që e përjetësojnë emrin dhe veprën   e të vdekurit më shumë se çdo arkitekturë varrezash.   Kjo ndoshta është dhe arsyeja që shqiptari e prêt qetësisht vdekjen në luftë, si të ishte një udhëtim[13] i zakonshëm. Pra populli shqiptar vajton çdo fëmijë me vaje, me ligjërime që kanë formën e vjershave më të arrira artistikisht apo të himneve me të cilat përcilleshin mbretërit e faraonët.
            3.1) Mbi këto fakte gjykojmë se   mesazhi që përcillet me këngën “Vajtimi i Ajkunës” i Eposit të Kreshnikëve është kumtimi që… populli shqiptar i përcjell bijtë e tij me ligje, me vajtime si mbretërit dhe faraonët, sepse çdo bir i tij është i barasvlefshëm me një mbret a faraon dhe çdo bijë e tij me një mbretëreshë.
            3.2)   Madje edhe vetë emri i Ajkunës rrezëllin e ndrin si një liqen lotësh. Kjo edhe për faktin se ky emër etimologjikisht na bën të mendojmë se buron nga vajtimi me domethënien e një gruaje që qan. Në epokën e lindjes së këngës njerëzit nuk përdornin emra e mbiemra si sot, por thirreshin me emrin e gjesteve, veprimeve e cilësimeve të tjera që i kishin bërë të dallueshëm etj. Kështu, duke qenë se Ajkuna u bë e njohur me vajtimin e saj, atëherë u thirr   si “Aj (o) (që) kan, qan, vajton me kujë”. Koha e ndryshoi zanoren “a” me një “u” te folja “kan” dhe na erdhi në kohën tonë në formën e emrit femëror Ajkunë.
          3.3) Në qoftë se duam të krahasojmë hershmërinë e mesazhit të kësaj kënge, le të shohim te Plutarku legjendën e Panit të Madh, vdekja e të cilit njoftohet në Butrint nga disa detarë dhe pas kësaj nimfat e liqenit nisën vajtimin të gjitha bashkë. Te kjo legjendë   përcillet mesazhi se Kaonët, banorët e kësaj zone  vajtonin në grup, kolektivisht. Duke qenë se “Vajtimi i Ajkunës” përcjell mesazhin e thjeshtë se te shqiptarët, të vdekurit   vajtohen me ligje ndërsa legjenda e Panit të Madh saktëson se vajtimi bëhet në grup, kolektivisht, atëherë mendojmë se “Vajtimi i Ajkunës “ është më i hershëm  se legjenda e Panit të Madh që përmend Plutarku.
          4) Petrit Ruka është vërtet një magjistar vargu në ringjalljen e baladave të hershme të kombit tonë sa që  e ka kthyer këtë në një “mision” të vetin... Petrit Ruka i do baladat gjer në dhimbje, i ndjen ato në çdo qelizë të tyre duke i prekur me   shpirtin e tij si me gishta, i bën pjesë e qenies së tij, i rrit brenda vetes dhe na i risjell si lehona fëmijën.
            4.1)   Baladat janë si diamantet. Por ndërsa diamantet   krijohen nga trysnia e tokës mbi disa lëndë organike, baladat i krijon trysnia e epokës mbi popullin, nevoja e rezistencës dhe e përcjelljes së mesazheve pasardhësve… Petrit Ruka i rizgjon baladat në një mënyrë të tillë,      ato duken si të “gjalla”, sikur  porsa kanë lindur. Për këtë mision “ringjalljeje” talenti i tij poetik dhe frymëzimi nga gjetja nuk janë të mjaftueshme. Është pikërisht dashuria e tij për baladat që i ringjall ato, si fryma e Krishtit që ngjalli  Llazarin dhe  pena e tij, si leva e Arkimendit, i jep   forcën  t'i lëvizë nga epokat e hershme për t’i sjellë plot dritë te ne. Talenti i tij i pastron nga pluhuri i shekujve plot dashuri e dhembshuri, me përkujdesjen që të mos u lëndojë plagët që u ka lënë koha.
          Shumëkush ka pyetur veten se pse ky mjeshtër magjistar nuk kishte ringjallur deri më sot edhe   “Vajtimin e Ajkunës”. Varianti për baladë që na paraqiti tani na tregoi edhe arsyen e vonesës. Pesha e madhe e dramës që bart dhe ecja e vetë “Vajtimit të Ajkunës” si një organizëm i gjallë drejt ditëve tona është një arsye jo e pakët. Vajtimi i Ajkunës nuk është një baladë e ngurtësuar në kohë, nuk është një monument i gurtë diku në bjeshkë, ku ne mund të shkojmë ta vizitojmë. Vajtimi i Ajkunës është   i pranishëm mes nesh në shumë morte në familjet shqiptare.
            5) Por ne le të shohim pak vargjet e eposit… Ahit t'malit rixha i kishte ba,/gurit t'malit rixha i kishte ba… apo vargjet e mëtejshme …. "Ka lshue hana rrezet n'pyllë,/kan shkrepë hyjzit nëpër qiellë/,pvesin djalin - a e ke pa?/Rrahit t'zi ndër kambë i kishe re:/ Ka qillue bjeshka e gjanë,/ gjith ku t'dueni vend me xanë./- Nuk po m'len nji ah m'e pa[14]"… apo… "Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë[15]", dhe shumë të tjera për të nxjerrë konkluzionin për epokën e ngjarjes. Është koha kur flitej me gurë e drurë duke i trajtuar si qenie të gjalla, si frymorë. Në qoftë se do shohim edhe momentin e vrasjes së Omerit, ku në bjeshkë shkuan të luftojnë vetëm tre vetë Muji, Halili dhe Omeri shtatëvjeçar në një luftë për kullota,  pa një organizim civil apo ushtarak, gjë që dëshmon mungesën e strukturave  të një organizimi shtetëror e shoqëror, qoftë kjo edhe në fazën fillestare[16].
          5.1) Përgjithësisht Eposi i Kreshnikëve cilëson periudhën e matriarkatit[17] , por meqenëse te kjo këngë, në momentin e ballafaqimit të Mujit me Ajkunën, kemi vargjet "…Mujo djalin ç’ma ka gjetë/ N’Lugje t’Verdha a thue ka mbetë/…Atëherë trimi ka qit e i ka thanë/Me e vajtue kur t’shkosh për dru / Zhurm n’konak nuk due me ba/Se shkjet djalin ta kanë vra/N’Lugje t’Verdha n’daç me e pa/Aty djalin në dhe ta kena shti[18]…" gjë që shpreh një pozitë urdhëruese në familje të Mujit, ballafaquar kjo me faktin e rolit parësor[19] të figurës së Ajkunës në këngë, konkludojmë se cilësohet epoka e ndërmjetme e matriarkatit duke i lënë vendin patriarkatit. Pra vajtimi i Ajkunës, ashtu si gjithë Eposi i Kreshnikëve cilëson një periudhë parahomerike me një organizim shoqëror të nivelit të familjes, pa asnjë strukturë të organizimit shtetëror.
         5.2) Futja në tekstin e Eposit të Kreshnikëve  e shkjeve si kundërshtarë, duke nënkuptuar me këtë emër sllavët, është një shtesë   që i përshtatet kohës së invazionit sllav në shekullin e VII   për të aktualizuar Eposin. Kështu   shpjegohen emrat sllavë të disa personazheve të Eposit apo të objektit   “kishë” ku vritet Omeri….Por në shekullin e VII të   invazionit sllav, shqiptarët kishin përparuar në organizimin shoqëror  dhe kjo dëshmohet nga fakti se pikërisht në kufijtë shqiptarë u ndal ky invazion[20]. Që të ndalej një pushtim i tillë duhej që ndaluesit të ishin tepër të organizuar ushtarakisht, gjë që nënkupton ekzistencën e formacioneve luftarake të drejtuara nga ushtarakë të zotë dhe të mbështetur nga një prapavijë e fortë. Shqiptarët para ardhjes së sllavëve kishin kaluar një epokë të ndritur jete evropiane  me mbretëritë ilire, me formacione ushtarake dhe me luftëra fitimtare me Romën etj. Pra gjasat që Eposi i Kreshnikëve të ketë   lindur në periudhën e dyndjes sllave nuk ekziston. Kjo dëshmohet me faktin se bota e Këngëve të Eposit të Kreshnikëve është bota pagane[21] dhe jo mesjeta, kur ndodhi  invazioni sllav. Dyndja sllave e “ndoti” “veshjen” e Eposit me emra sllavë e sllavizma të tjera, por nuk e ndryshoi dot as   shpirtin dhe as karakterin shqiptar të tij. Këtë   botë shqiptare pasqyron besnikërisht edhe Petrit Ruka kur shkruan   "…Rënka diell e dielli s'nxeh,/Muji ka shti djalin ndër dhé/Dhe i duket se flet varri:/ Bab' kam ftohtë, më shtypi mali, / Ku është porta që të dali? /…për të vazhduar më pas me një psikologji vetëm shqiptare…Muji me zotat s'bën dot gjyqe/I vë zemrës dyzet kyçe,/Është dredh malit për tek sh'pia,/Mbrapa hija, para zija,/Anash era-lemeria,/Dhe Ajkuna mbi të tria.../Dhe Ajkuna borë tek pragu,/Kthyer qyqe që së largu..." Oi, oi, oooiiii…
            Nuk mund të shkruaj   më tej, ndaj po logat në vaj vargjet e vajtimit të Petrit Rukës …Ohu   ohuu, : ... Aty ku Ajkuna qau,/Lotëria gurin çau,/U bë lumë e rrjedh akoma/Valbëroi aty Valbona / Atij moti e ditëve tona/ " Oiii... Dhe në këtë logatje natyrshëm ngrihet tonaliteti i zërit si për t’ju thënë   “shkjeve” se në trojet tona, mallkimi i   nënave   djemvrarë vret e djeg më shumë se rrufeja e zotit … Ohuu, ohuuu uu,… "Andej nga derdhi mallkimin/ Bjeshkët thanë gjelbërimin, /Bjeshkët e Namuna, u thonë,/ Ku s'rron dot një milingonë./Aty është e qan akoma/ Plot me vaje viset tona." …Oi, oi, oiiiii!



Sarandë, më    20-28 Nëntor 2019



[1] Publikuar në fb në 16.11.2019
[2] Mendimin   e dikujt se Ajkuna është gruaja e Omerit nuk e marrim në konsideratë, pasi s’ka asnjë bazë.
[3] ….Atëherë i ká dalë shpirti Omerit, edhe ia kan bâ n’bjeshkë vorrin. E kan shkrepë nji gúr prej malit, e djalit ia kanë lshue mbí vorr. Trimijë burra s'mujtshin dot me e luejtë ate gur (Vetkuptohet që numuri tremijë është shtesë e kohëve të mëvonshme). Ka qitë Muji e ká thânë: "Hej medet mori bjeshkë, tetë Omera t’mirë si i paçë, ndër jú t’dekun i laçë, Jú u thaçin Bjeshkët e thata…"
[4] Eposi i Kreshnikëve dhe legjenda. Plejad 2005 “Argumenti”   te kënga “Deka e Omerit” fq. 267 shkruar nga At
    Berndardin Palaj dhe At Donald Kurti
[5] Po aty fq. 268 Shih dhe footnote nr. 3
[6] Si i tillë s’mund të aludojmë për muslimanizimin e emrit por flasim për një përqasje rastësore.
[7] Në një variant , të vërtetën e vdekjes së Omerit në luftë, Ajkunës ja thotë Halili, pasi Muji i qëndron fjalës së të birit që të mos i tregonin nënës, se ajo nis e vajton.
[8] Po aty fq. 272
[9] Vajtimi i Ajkunës te Eposi i Kreshnikëve vargu 9
[10] Po aty vargu 32
[11] Po aty vargjet 13-25
[12]   Eposi i Kreshnikëve dhe Legjenda   Plejad 2005, “Vajtimi i Ajkunës” fq 277 vargu 85-90
[13] Atë Lovro Mihaçeviq në shënimet e tij të udhëtimit në Shqipëri në vitet 1883-1907, ka konstatuar se shqiptari vdekjen e pranon me seriozitet dhe gjakftohtësi, sikur nuk duhet të vdesë kurrë, por të bëjë një udhëtim nga një vend këtu në një vend tjetër atje.
[14] Vajtimi i Ajkunës te Eposi i Kreshnikëve vargjet 41-47
[15] Po aty vargu 60
[16] Në disa këngë të Eposit të Kreshnikëve flitet se Muji dhe Halili luftojnë bashkë me tridhjetë trima (agallarë), por këta   nuk janë pjesë e forcave të ndonjë ushtrie të Mujit, nuk janë nën urdhërat e Mujit. Ata janë thjeshtë tipa kaçakësh vetmitarë që luftojnë e plaçkisin secili për hesap të vetë dhe herë herë kërkojnë ndihmë ose japin ndihmë Mujit dhe Halilit. Prania e tridhjetë trimave tregon vetëm solidaritetin e tyre me Mujin dhe Halilin.
[17] Shih edhe Anton Nik Berisha “Dëshmi e lashtësisë së këngëve tona kreshnike” fb 13.11.2019
[18] “Eposi i Kreshnikëve dhe Legjenda   , Visaret e Kombit II, Plejad 2005 ”Ajkuna kjan Omerin” fq 275
[19] Krahasimi i Ajkunës me Hekubën   trojane, nënën e Hektorit   që bëjnë disa studiues mendoj se nuk qëndron pasi   askund nuk del që Muji apo Halili ti kërkojnë mendime dhe këshilla Ajkunës,. Ata vërtet kanë ndrojtje prej saj ndaj edhe i flasin ashpër, për të fshehur dobësinë dhe inferioritetin e tyre.
[20] Historiani Ë. Temperly, shkruan:   “Sllavët nuk erdhën si një ushtri invaduese që mund të luftohej me armë, por si një masë njerëzish kundër të cilëve nuk kishte asnjë fuqi që mund të qëndronte. Ishte një gjë e lehtë të shfaroje individë ose grupe të tërë nga invaduesit sllavë, por ishte e pamundur të ndalosh dyndjet e tyre, ku numri ishte aq i madh sa zinte vendin e vetive luftarake.
[21] Mjafton të citojmë sa për ilustrim faktin se Muji e mbulon varrin e Omerit me një rrasë guri, që nuk e lëviznin dot as tremijë burra (sic).