Monday 11 March 2019

Të këndosh në kampin e përqëndrimit.


Të këndosh në kampin e përqëndrimit.
Meditime për një dëshmi


        Në kampin e përqëndrimit “STALAGA 7A” në Mosburg Gjermani,  në mbrëmjen e Krishtlindjeve të datës 25 Dhjetor 1944 të burgosurit shqiptarë nga bregdeti kujtonin festimet që bënin në këtë ditë në familjet e tyre. Këngët dhe vallet, lodrat dhe ushqimet e kësaj dite u vinin në kujtesë dhe u krijonin një angushi në shpirt për boshësinë e kësaj ditë në kampin nazist të përqëndrimit..
        Mes të burgosurve rusë, anglezë, francezë, grekë ishin edhe disa të rinj shqiptarë në bregdeti, nga fshatrat Nivicë Bubar, Piqeras, Lukovë. Ishin arestuar në datën 23.6.1944 në fshatrat e tyre, pas masakrës së Hondrovunit të asaj dite, si hakmarje e nazistëve për një goditje sporadite  të çetës territorale në malin e Shëndëllisë mbi një patrullë gjermane, ku  u vranë pesë ushtarë dhe  një major gjerman[1]. Hakmarja gjermane ishte e menjëherëshme. Gjermanët pasi  trasportuan  trupat e ushtarëve të vrarë  me  pesë fshatarë nga Nivic Bubari dhe me t’i prurë ata në vendin e quajtur Vilëz, i ekzekutuan menjëherë  fshatarët, duke i lënë trupat në anë të rrugës. Trupat e gjermanëve të vrarë i hipën në makinë dhe duke shkuar për në Shën Vasil, qëllonin me breshëri çdo burrë që shihnin rrugës, duke vrarë në këtë mënyrë  39 persona. Te kisha e Shën Harallambit në fshatin Shën Vasilit nazistët grumbulluan 250 fshatarë të fshatrave Shën Vasil, Nivic Bubar, Piqeras, Qeparo dhe Lukovë , nga të cilët u  përzgjodhën 40 burra, të cilët i çuan në bregun e Hondrovunit. Aty, pasi i paisën me kazma e lopata, u kërkuan që të  hapnin një hendek të thellë, me pretendimin se po hapnin llogorë (istikame) lufte. Pasi u hap hendeku, nazistët  filluan t’i lidhnin tre nga tre të arestuarit dhe ti afronin te hendeku i hapur. Këtë moment shfrytëzuan dy të arestuar, njeri nga të cilët ishte ish ushtar italian, për të vrapuar nëpër shkëmbinjtë e terrenit të ashpër, me qëllim aratisjeje. Gjermanët hapën zjarr duke vrarë njërin, ndërsa italiani ariti të shpëtojë dhe gjeti strehim e mbrojtje në fshatin Lukovë. Pas kësaj tentative ushtarët nazistë, me britma e të shtyra i reshtuan të arestuarit në buzën e hendekut dhe pas komandës së oficerit drejtues, hapën zjarr me breshëri. Trupat binin në hendek ashtu të lidhur siç ishin tre nga tre…
         Të vrarët ishin nga Shën Vasili 11 persona, Lukova 4 persona, Piqerasi një person, Qeparo dy persona dhe Nivic Bubari 19 persona. Në total 37 të masakruar, që pot u shtosh edhe të vrarët rrugës, të cilët ishin 39 persona rezulton se vetëm brenda një dite u masakruan 76 persona të pafajshëm  Vetëm nga Nivic Bubari  u vranë atë ditë 45 persona. Por nuk mbaron me kaqë kalvari i mundimeve të banorëve të bregut.
         Nazistët u rikthyen te kisha ku ishin të arestuarit e tjerë dhe mes tyre përzgjodhën 184  persona për ti internuar në Gjermani. Të arestuarit ishin nga Shën Vasili 36 persona, nga Nivic Bubnari 37 persona, nga Lukova 59 persona dhe nga Piqerasi 52 persona të cilët, me përjashtim të 18 personave nga Nivic Bubari, që  mbetën burgjeve të Janinës, Larisës e Selanikut të gjithë të tjerët u internuan në kampin e famëkeq të e përqëndrimit “STALAGA 7A” në Mosburg Gjermani  Mes tyre, rreth gjysma ishin të moshës 15-18 vjeç.
       Pas një odiseje 18 ditëshe duke kaluar nga burgu i Delvinës, në atë të  Janinës, më pas në burgun e   Larisës dhe të Selanik, (realisht prej nga liruan gjashtë fëmijë nën 14 vjeç)   i hipën në një tren trasporti kafshësh, bashkë me të arestuar të kombësive të tjera grekë, sllavë, italianë ku  udhëtuan nëntë ditë e nëntë net për në Gjermani. Me të  mbritur në kampin e Mosburgut, u vendosën në kapanone dërrase, nga 150 veta në një kapanon ku normalisht mund të rinin vetëm 50 veta. Krevatet ishin tip marinar, me tre kate.

       Kjo ishte historia e shkurtër e fëmijëve bregdetas, që atë mbrëmje  të krishtlindjeve, duke kujtuar festimet që bëheshin në fshatrat e tyre, lodrat, shokët  dhe prindërit, befas ja nisën të qarit. Të qarët është  mjeti me të cilën reagon njeriu ndaj një dhimbjeje fizike apo shpirtërore, por për moshat e njoma  është një dobësi që përhapet si epidemi dhe të krijon një gjëndje depressive shpirtërore.. Kishte rrezik që të qarët e tyre të shndrohej në një infeksion dobësie, ndaj burrat bregdetas,  panë njeri tjetrin në mënyrë pyetëse, sikur të thoshnin se cili prej tyre do fliste.

    -Pushoni- foli me zë të lartë Vangjel Vogli[2], pushoni dhe mos qani më. Pastaj duke zbutur
zërin, vijoi: – E di more djem që ju këputi malli, po mos u mërzitni. Do t’jua sjell unë fshatin këtu në kamp, ta shikoni e të çmalleni. Vetëm mbyllni sytë dhe shikojeni me sytë e mëndjes..
Dhe duke thënë këto fjalë ua bëri me shënjë shokëve të tij bregdetas, të cilët u mblodhën në formë rrethi dhe ja nisi këngës[3]:

Seneja dyzet e katër[4]
Qershori njëzet e tre
Erdhe o barbar në fshat
Kemi rregjistrim na the
Na vure para me armë
Dhe na mbylle kishave
Na dhe kazem e lopate
Do bëjm istikam na the
Na kalove më të kaptë
Na vure në batare
Kanë zënë dhe rënkojnë
Atje poshtë nënë dhe
Qirjakua me Foto Gjonë[5]
Dhe gjaku i të tjerëve
Na vrat’ o qena[6] na vratë
Me dor’ të të tjerëve
Fajin e kanë tradhëtarët
Ca bij të putanave[7]
S’do mbetet haku pa marrë
O qent’ e kokalleve[8]….

Fëmijët heshtën qysh në vargun e parë dhe ja ngulën sytë Vangjelit që ja merte këngës. Të këndonin burrat dhe djemtë e bregut ishte gjëja më e zakonëshme në fshatrat e tyre. Një shishe raki, ca kokra ullinj, ndonjë qepë e njomë dhe…kënga mbulonte vendin, duke e larguar
edhe natën. Po kjo ndodhte ne fshatrat e tyre dhe jo këtu në kampin e përqëndrimit. Vetëm fjalët “kamp përqëndrimi” të ngushtonin hapërsirat e mendimit gjer te telat me gjëmba. Shtoi kësaj edhe fjalën “ushtar gjerman” dhe  me këtë  nënkuptoje ferrin mbi dhe. Edhe për të qarë do qaje me zë të ulët e jo më të mendoje që të këndoje. Por ja që Vangjeli dhe burrat e tjerë bregdetas kënduan, madje me një farë kapardisjeje.
        a-Kënga iso-polifonike është trimëri. Që tja marrësh këngës duhet të keshë kurajon dhe guximin të dalësh në dukje.  Duhet të shprehësh publikisht  çfarë ndjen e mendon dhe të presësh edhe reagimin e dëgjuesve. Dhe reagimi i tyre mund të jetë brutal ose ironik, në mënyrë që të  mbetesh i turpëruar për gjithë jetën. Dhe në qoftë se kënga vret si plumbi, mos haro se mund të të vijë edhe një plumb kur nuk e prêt.
       Nuk janë të pakta rastet që trimat kanë kënduar para litarit (prit o bej të dredh cigarë/se nuk jam çanak me dhallë/por jam Bilbili me pallë) ose para skuadrës së pushkatimit fashiste/naziste.
         a-Kënga iso-polifonike është kujtesë. Ajo gjithmon të sjell pranë ngjarje e njerëz nga historia e afërt dhe e largët, qoftë kjo histori personale , kolektive krahinore apo kombëtare..
          Kështu shpjegohet para syve të fëmijëve u shfaq gjithë skena e masakrës që ata e kishin përjetuar, që nga të shtënat rrugëve të fshatrave, goditjen e dyerve të shtëpive me kondakët e pushkëve, të bërtiturat e të shtyrat për tu mbledhur në kishë, përzgjedhja rastësore e viktimave dhe breshëritë e armëve që vinin nga Hondrovuni.
Befas fytyrat e tyre u ashpërsuan,aq sa mund të ashpërsohen fytyrat e fëmijëve. Fillimisht u afruan te grupi dy-tri si më të rriturit dhe pastaj u grumbulluan të tërë.
         b-Sepse kënga popullore është produkt dhe element kolektiviteti. Kënga iso-polifonike nuk këndohet vetëm, ajo kërkon një grup të përbërë nga marrësi, hedhësi, kthyesi dhe mbi dy persona për të mbajtur iso. Edhe në rastet kur je vetëm dhe nis e logat, përsëri imiton zërrrat e marrësit, hedhësit,kthyesit dhe të mbajtësve të isos duke e rrethuar veten me ndjesinë e pranisë së shumë personave. Kështu dhe fëmijët  të mbledhur sup më sup, ndoshta nga ngushtësia e vendit,  jo vetëm që nuk u ndjenë të braktisur, por përkundrazi, aty ku mbanin iso me zërin e tyre të hollë, e ndjenë veten sikur ishin te rrapi i fshatit dhe këndonin me burrat. Të këndosh me burrat e fshatit te rrapi është vlerësim për trimëri të treguar dhe zotësi në të kënduar. Me një fjalë, je rritur e je bërë burrë. Fshati i ka sytë nga ty tani. Domosdo edhe vajzat.
          c- Sepse kënga iso-polifonike të rrit, pavarësisht nga mosha e nga shtati që ke. Është vetë procesi i të kënduarit që të bën ta ndjesh veten më të madh se ata që të dëgjojnë.
          Nga ata i kishin vërtet sytë gjithë të burgosurit e kapanonit, të cilët u ngushtuan rreth tyre  për të dëgjuar më mirë.  Shikimi i tyre shprehte çudi të dyfishtë, çudi për kurajën e tyre dhe çudi për këtë të kënduar, ku mbi dhjetë burra e fëmijë nxirnin një zë të vetëm.
          ç- Sepse kënga popullore përhap magjinë rreth e qark dhe imponon vëmëndje e respekt tek dëgjuesit, pavarësisht se këta dëgjues mund të jenë me arsim dhe kombësi të ndryshme. Kënga iso-polifonike prek zemrat e njerëzve fillimisht. Shumë më von truri  fillon e studion atë që dëgjuan veshët.
          d- Kënga iso-polifonike të jep forcë, prandaj edhe  fëmijët ndjeheshin të fortë. Angëshia që kishin në fillim në gjoks iku dhe vendin e saj e zuri ajri i mushkërive, gati për tu nxjerë[9] në iso. Fëmijët rinin me gjoksin përpara, si ushtarët në parade. Ishin rritur brenda një çasti, ishin trimëruar[10]. Ishin gati të luftonin, të mernin hak për vete dhe për të vrarët e tyre të afërm. Nuk i llogaritën fare ushtarët gjermanë që hynë të heshtur në kapanon dhe  që i dëgjonin me habi. Madje edhe i shpërfillën kur ata i duartrokitën në mbarim të vargut. Madje edhe buzëqeshën pakëz kur panë se gjermanët i duartrokitën te vargu….Na vrat’ o qena na vratë/…dhe  te vargu …Ca bij të putanave. Gjermanët, ashtu si të burgosurit e tjerë, me siguri duartrokisnin muzikën e këngës, por ata  këndonin tekstin e këngës, se muzikën e nxirte shpirti.
           Duartrokitjet e të burgosurve të vendeve të ndryshme së bashku me ato të ushtarëve
nazistë tregonin se nuk e miratonin mbarimin e këngës. Por kënga e porsakënduar ishte këngë
moment.
        d- Kënga popullore është nga ato këngë që shpirti e krijont në çast. Është duf e vlagë shpirti.

Duke parë që të burgosurit dhe ushtarët gjermanë ishin afruar kokë më kokë me njeri tjetrin, në pritje të këngës, Vangjel Vogli pasi u bëri shënjë shokëve, shënjë që do të thoshte….mbamani[11] …duke mënjanuar pakëz kokën në të djathtë,  ja nisi këngës:

Që kur kam ikur nga fshati
Gjer më sot
Më ka marrë malli shumë
S’duroj dot
Me ca tela jam rrethuar
Porsi zog
Dhe gjermanët që më ruajn’
S’i shoh dot
S’mbajta vesh fjalënë tënde
Që më the
Se jesh lidhur bashk’ me shokë
Kesh’ bër’ be
Por të them se një ditë
Do të vij
Derën tënde pa pandehur
Do trokit
Dhe në dalça dot i gjallë
Për atje
Nat’ e ditë do punoj
Për atdhe.

Te vargu…Më ka marrë malli shumë/S’duroj dot…zëri ju drodh dhe për pak ju duke se do ndërpriste këngën, por çudi e çudive, këtu fëmijët e ngritën më shumë zërin e iso-s, sikur donin të thoshnin …Jemi këtu xha Vangjel, na ke ne. Kjo ndoshta është arsyeja që te vargu…Dhe gjermanin që më ruan/Se shoh dot…jo vetëm që e ngriti zërin një oktavë më lart por edhe u shkeli syrin fëmijëve, gjest që fëmijët ju përgjegjën me një buzëqeshje nëpër iso.

        e-Kënga të barazon me perëndinë sepse vargjet e këngës citohen e këndohen dhe komentohen si fjalë të shënjta…Kështu thotë kënga- ilustron dikush një bisedë apo një histori dhe të pranishmit nuk e vënë aspak në diskutim.
        Kështu shpjegohet fakti që ushtarët gjermanë, të burgosurit rusë, amerikanë, anglezë, sllavë e grekë përpiqeshin të këndonin vargjet e këngës, ose së paku të mbanin iso gjatë kohës që këndonte grupi. Ata pyesnin njeri tjetrin dhe haronin për një moment se disa ishin ruajtës dhe të
tjerët ishin robër.
       
       f-Kënga vendos barazi mes dëgjuesve. Vetëm këngëtarët janë në një shkallë më të lartë sipërore. Madje edhe vetë këngëtarët janë të barabartë mes tyre, pavarësisht rolit në këngë apo origjinës shoqërore dhe pasurisë vetiake. Autoritare është vetëm kënga.

Ishte ndoshta hera e parë që në atë kamp, në një kapanon të burgosurish bëhej zhurmë (duartrokitjesh) dhe rojet, që çuditërisht kishin hyrë pa urdhër në kapanon, jo vetëm që nuk ndërhynin të  mbahej qetësi, por ishin katalizator i zhurmës, sepse duartrokisnin të parët. Ndoshta ndonjëri apo disa prej tyre “kishin vesh muzike” apo arsimim muzikor.
     
   Mua më pëlqen  të shtoj që kjo ishte këngë e viseve të mia.

Atë ditë kënga buçiti gjer pas mesnate në kapanonin e të burgosurve dhe u kënduan shumë këngë që këngëtarët mbanin mënd nga  treva e Himarës ...Rojet u larguan dhe dhanë porosi që të nesërmen do këndonin përsëri. Të burgosurit shqiptarë e pritën me kënaqësi këtë urdhër.
Këngët vazhdonin gati çdo natë, deri kur më  25 prill 1945 kampi i përqëndrimit u çlirua nga  anglo-amerikanët. Atë ditë çlirimi kënga buçiti më fortë sepse u këndua jashtë kapanonit, ku dëgjonin e duartrokisnin çlirimtarët, robërit e çliruar dhe gjermanët e zënë robër. Ishte radha e ushtarëve anglo-amerika-në të  befasoheshin nga këta këngëtarë me zë perëndie.


Sarandë, më 5-8 Mars 2019


[1] Të dhënat nga arkivi familjar i  Kostandin Vogli, konsultuar dhe me  Harillaq Papadhima si dhe dëshmitar okular i ngjarjes Irakli Spiro
[2]  Vangjel Vogli lindur në Shën Vasil Sarandë më 25.3.1909 vdekur në Sarandë me 4 dhjetor 1988. I internuar me me nr 134.994.
[3] Marrësi Vangjel Vogli, kthyes Manol Baxheri, hedhës Nini Kola, iso Llambi Papadhima, Naqe Kapetani, Misto Thomari dhe Timoleo Qëndrothanasi. Të gjithë bregdetas të arestuar në datën 23.6.1944.

[4] Shkrimtari Kostandin Vogli i paraqet tekstet e këngëve dhe skicon pjesërisht subjektin te libri i tij “Mrekulli e ujqëve” , botim i MILOSAO Sarandë, fq 237, por modestisht nuk citon faktin që marrësi dhe autori i këngës është i jati i tij.Publikimi i këngëve në këtë shkrim është bërë me miratimin e tij. E falnderoj edhe për foton e të jatit që ma dha për këtë shkrim.
[5] Emrat e dy të pushkatuarve në Hondrovun
[6] Është fjala për bashkëpuntorët e nazistëve, që spiunuan fshatarët.
[7]Është rast i rallë që në këngët popullore përmënden epitete të tilla fyese. Por kuptoni situatën dëshpëru-ese në kampin e përqëndrimit.
[8] Edhe në këtë rast është fjala për bashkëpuntorët e nazistëve. Kokalla do të thotë kocka, pra qentë e kockave.
[9] Në këngën iso-polifonike rakia që pinë këngëtarët del në formë avulli gjatë mbajtjes së iso-s. Prandaj nuk dehen këngëtarët popullorë, ndonëse pinë raki më shumë se të tjerët.
[10] Efekti i këngës iso-polifonike është i shumëanshëm te këngëtari dhe dëgjuesi. Dëshmia e operimeve pa narkozë gjatë luftës Nac.Çl., vetëm duke e shoqëruar operimin me grup kënge, është efekt i këngës te njeriu dhe jo krijim letrar i realizmit socialist.
[11] Shprehja …mbamani  …ka kuptimin …shoqëromëni me iso këngën…

Thursday 7 March 2019

Dy komente në fb për shkrimin I SHKRETI HODO ALI në datën 7 Mars 2019


Dy komente në fb për shkrimin I SHKRETI HODO ALI në datën 7 Mars 2019

NJË RAST I RRALLË QË NUK DUHET HUMBUR
Është një gëzim i madh që në tërë këtë shkreti të madhe indiference ndaj folklorit, harresës së pafalshme ndaj pasurisë më të artë që ka ky komb, këngës popullore, ndeshesh (rrallë) me shkrime të mirëfillta studimore që të mbushin plot emocion, nderim dhe krenari që ka ende njerëz që u dhemb bjerrja e saj, e ruajnë, e mbrojnë dhe ia rizbulojnë vlerat asaj.
Historia e këtij vendi është në to, në ato pak rreshta që shpesh vlejnë si thesare që i kemi para sysh e nuk dimë t'i zbulojmë.
Njëri prej këtyre "arkeologëve" të paepur drejt këtyre kalave të moçme shpirtërore plot mrekulli të panjohura, prej vitesh është Timo Mërkuri.
Ia ka kushtuar këto kohëve të fundit gjithë pasionin dhe energjinë e vet këtyre zbulimeve me rëndësi të dorës së parë kombëtare.
Ka qenë një befasi për mua shkrimi i tij i fundit për një tjetër zbulim spektakolar përmes një kënge të vjetër për Hodo Aliun.
Një këngë rrëqethëse që zbulon një botë të tërë...
Ka mundur të nxjerrë flori prej pak vargjeve që unë i njoh prej një jete, por që prej Timos më sjellin një bukuri tragjike nga më tronditëset në historinë e këtij vendi.
Duke e falënderuar me gjithë zemër ju ftoj të mos e humbisni një rast të rrallë për të cilin do të ndjehemi me fat që nuk e anashkaluat.
Do t'ju bëj më të pasur ky lexim!
Petrit Ruka
Faruk Myrtaj Njeriu qe nuk di shume, befasohet me shpejt e me rrepte, por kjo nuk eshte mire te ndodhe me popujt: eshte pergjegjesi e kujdestareve te tij, bje fajesi e atyre qe merren me artet, me kenget, me kulturen, kur lejone me mosveprimin e tyre qe popujt, brezat e rinj, te mos i dine kenget e tyre me te bukura! Le te jesh ne fund te botes emigrant, kete prurje te Timo Merkurit ta perthith menjehere shija e lindur ne kete gjuhe. Si ka mundesi te flasin per Reforme ne Arsim delenxhijte e politikes dhe te mos i fusin ne librat e shkollave keto perla te konstitucionit shpirteror te shqiptareve, qe nuk pret t'ja jape futja ne Evrope, premtuar prej atyre qe kalerojne mbi tendera dhe koncesione, jo ne ison e perlotur te ketyre elegjive... Si mund te pretendojme te hyjme ne Evvrope e bote, dhe te jemi te imunizuar nga asimilimi global, kur pa u nisur per atje, por se paku edhe tashme qe dy te tretat e kane mendjen atje, edhe pse Krye-Ministria e Diaspores as e ka ne pllanet e saj qe te njihen keto mrekulli te shpirtit shqiptar qe nje aradhe shpirtrash te vete i kane shnderruar ne kesi lloj pasurish...
Nuk dime nese pasuri te tilla gjenden tek popuj qe mbajne kryet lart per kulture te hershme...por Timo Merkuri levduar qofte, sic edhe Petrit Ruka pak dite me pare, per prurjet. Se paku deri ketu ku shohim ne, por pasionantet dhe specialistet, nuk bejne mire te mos ofrojne nderimin per thjeshtesine e te sjellurit, pa lene per asnje cast mundesine e keqkuptimit autorial, sic ka ndodhur ne te shkuaren, por duke i bere origjinaleve shenime e sherbime qe ne fakt formojne se paku bashkeautoresi.
Sa per mirenjohje lexuesi, faleminderit Timo Merkuri...

Tuesday 5 March 2019

I SHKRETI HODO ALI



I SHKRETI HODO ALI
Shënime mbi një këngë-vaj


Nga Timo Mërkuri

1-Ra topi në Palavli[1]
"Ra topi në Palavli[2],
Fush’ e Delvinës u nxi,
Me nizam’ e me deli,
Dhjetë mijë suvari
I shkreti Hodo Ali[3],
I kish djemtë çilimi,
Bën me dor’e  bën me sy:
O djema, t’u hidhemi, 
Mos trëmbi se s’vritemi
Është nat’ e s’shihemi,
Me plumba s’goditemi,
Me palla do pritemi!...[4]
Për të kuptuar dhe ndjerë këtë këngë popullore duhet të  njohësh historinë e lindjes së saj atë ditë
shtatori të vitit 1847 në betejën zulmëmadhe të Palavlisë, betejë që u shndrua në një kasaphanë
lemeritëse. 
          2-Ishte Qershor i vitit 1847 kur krerët e Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Mesaplik. Kënga regjistron:  Mesaplik te rrapi thatë/U mblodhën gjithë kazatë….dhe vendosën: Kurvelesh krye të ngrini/gra e burra armët vini,/nizam’ Turqis’ mos i ipni.. .duke shpallur në këtë mënyrë  kryengritjen e përgjithëshme, të udhëhequr nga… Rrapo Hekali,,/Gjolek Kuçi me pallë/ Hodua që mban kalanë[5]…”
 Rezultati i parë ishte  marja e Delvinës dhe më pas Butrinti.  Sulmi i  Ismail Pashës më 18 Qershor 1847 mbi pozicionet e kryengritësve në Zhulat, Senicë dhe Palavli, u zbraps nga  kryengritësit e udhëhequr nga Skëndo Tarja.
           3-Në 27 shtator[6] të vitit 1847 teatri i luftimeve u zhvendos në Palavli, Vergo dhe Fushë të Delvinës.  ...Por egzistonte një problem në këto fshatra. Nga luftimet e vazhdueshme, ishin vrarë  të gjithë burrat që mund të mbanin armë në fshatrat Vergo, Kopaçez e Palavli. Këtu   mund të gjëndeshin  tre-katër  burra tridhjetvjeçarë të cilët shiheshin si pleq të moshuar, të tjerët qenë fëmijë nën katërmbëdhjetë vjeç. Në këto kushte u dha orientimi që të pranoheshin në radhët e kryengritësve  djemtë  deri në katërmbëdhjet vjeçarë si luftëtarë fronti, ndërsa djemtë nga nëntë deri në trembëdhjetë vjeçarë do ishin në shërbim parapavije[7]. Kështu ndodhi që Hodo Aliut ju desh të udhëhiqte një ushtri me “fëmijë” dhe ju desh që luftën t’jua shpjegonte si një lojë-lufte[8].
Vetkuptohet që në ballë të frontit vendosi luftëtarët e tij lebër duke i lënë në skalion të dytë “fëmijët”. Lufta u zhvillua natën[9] e datës 27 shtator 1847 deri në të gdhirë të datës 28  me sulme e kundrasulme  të njëpasnjëshme që thyen vijat e frontit, duke  kaluar në përleshje trup me trup  me thika.
Dukë qënë se kryengritësit “fëmijë” nuk kishin përvojë luftimi trup më trup, humbjet e tyre ishin shumë të mëdha.  Kur panë këtë situatë, gratë  labe që shërbenin në prapavijë, u sulën  në fushën e betejës në mbrojtje të fëmijëve. Rrëmbenin armët e rëna për tokë ose shkulnin shpatat nga trupat e fëmijëve të vrarë dhe suleshin për hakmarje. Pas tyre u sulën edhe fëmijët e tjerë nën moshën katërmbëdhjetë vjeçare që shërbenin në prapavijë, të cilët nuk kishin asnjë  njohuri luftarake. Pamja ishte lemeritëse. Fëmijë të vrarë e të plagosur, rënë pranë njeri tjetrit, me shikim të habitur, si të mos e besonin vdekjen që u erdhi nga kjo luftë që e morën si lojë. Gratë labe rënë përmbi ta, sikur donin ti pengonin në ikjen e pakthim. Dhe më tejë luftëtarët e Hodo Aliut  duke sokëllitur egërsisht për hakmarje, tek çanin rradhët e dhjetëmijë suvarinjve, të cilët binin të vrarë nga thikat e shpatat, tek përpiqeshin të iknin.
         4-Beteja u fitua, por askush nuk brohoriti.
Askush nuk këndoi[10] këngë për fitoren dhe asnjë valle nuk u hodh pas betejës. Ndoshta ishte e para fitore që kishte shijen e humbjes. Kjo dukej te sytë me lotë të grave labe, që tundeshin sa majtas djathtas gjatë  momenteve të varrimit të të rënëve fëmijë, thua se do futeshin ato vetë në vare, vetëm që fëmijët të ngriheshin e të shkonin të loznin lojrat e tyre. Amani djemo, jo më lojë lufte a të keqen, se na zhuritet shpirti. Humbje tregonin edhe  sytë e luftëtarëve të Hodo Aliut, se për sa i përket Hodo Aliut vetë, asnjëri nuk ja pa sytë ato çaste. I ulur në një shkëmb pak më tejë, me kokën zënë me duar, dukej  sikur e kishin zënë dyzetë palë ethe.
-Ç’bëre Hodo- dukej sikur i hakërehej vetes, duke tërhequr deri në shkulje leshërat e zeza bërshimë[11] - ku i shpure fëmijët. Qysh ua takse[12] vdekjen more i zi kur u the….Me palla do pritemi .... Të rofshin luftërat që ke bërë, se do kujtohesh  për gjithë jetën si komandanti që shpuri fëmijët në kasaphanës. …Nëmat[13] do të vijnë pas e pemët do të bëjnë paçet[14] me hijen e degëve…
              4.1-…I shkreti Hodo Ali…dëgjoi pranë veshit zërin e përvajshëm të një gruaje që kishte zënë vajin dhe u pataks. Ngriti kokën dhe atëherë pa që ishte rrethuar nga një grup grashë labe të  vendosur në formë rrethi, duke e lënë atë në mes. Shamitë i kishin të ulura mbi sy dhe kishin filluar ritin mortor që niste me  vajtimin. Ato nuk kishin vajtuar gjatë varimit, sepse të rënët për atdhe nuk vajtohen po u këndohen këngë. Vërtet që nuk vajtohen heronjtë të rënë në luftë por vallë a rrihet pa vajtuar fëmijët-o. Lufta e bëri të sajën. Nënat do bënin të tyren.
Nuk vajtuan për fëmijët e vrarë, por nisën vajin për Hodo Aliun, siç mund të vajtonin për dhimbjen e një prindi[15] në mortin e të birit. Vajtuan dhimbjen e prindit pa përmëndur vdekjen e
fëmijës.
              4.2-Realisht kjo është e veçanta e kësaj kënge –vaj. Nuk vajtohet për të vrarët, nuk përmënden ata, as plagët e as gjaku i derdhur. Asgjëkundi nuk flitet për vdekjen, por përkundrazi jipet një ambient tepër idilik familjar, Një baba që i kishte fëmijët çiliminj, të vegjël, dhe si çdo prind me fëmijët e vegjël lozte me ta kukafshehti (Bën me dorë e bën me sy) që t’ua bënte më të bukur jetën. Ua ktheu luftën në një lojë lufte (Është natë e s’shihemi,Me plumba s’goditemi). E vetmja gjë që e tradhëton këtë idil loje –luftash është vargu….Me palla do pritemi. Por edhe ky varg nuk është aq i zi sa duket. Këta fëmijë ishin fëmijë barinjsh dhe sigurisht që të gjithë kishin thika dhe biçakë të vegjël, me të cilët qenë prerë në duar e në gishta sa herë. Pra nuk qe ndonjë  gjë e panjohur për fëmijët prerja me thika dhe as aq e rezikëshme, sa që ti trëmbte ata.
Nuk vajtohet për fëmijët por vajtohet për komandantin e tyre, që trajtohet si një prind për ‘ta. Dashuri të madhe ka patur populli për këtë  prijës që ja gdhënd portretin me këtë vajtim brilant, parë nga një këndvështrim  i papërsëritshëm në asnjë rast tjetër. .
 ….I kish djemtë çilimi….vajtoi vajtorja kryesore dhe Hodua ngriu. Jo vetëm që nuk e dënonin  në vaj, por i atribonin atësinë metaforike të fëmijëve të vrarë. Ato nuk i quajtën “luftëtarë” apo “trima” por i quajtën thjeshtë “djem” duke i barazuar me djemtë e tij në Nivicë. Me këtë akt ato i ngarkonin edhe përgjegjësinë e prindit për  përkujdesjen ndaj fëmijëve. I vetëtinë  në kujtesë përcjellja e fëmijëv, “djemve” nga nënave labe dhe fjalët e një gruaje të re në Kopaçezë drejtuar atij; Amanet djalin, Hodo, se e kam të vetëm-o. Më është vrarë burri dhe më mbyllet dera po më pësoi gjë. Ç’ti thotë tani asaj nëne, veçse ti tregojë varin e të birit. Hapu dhe të futem-o.

Bën me dorë e bën me sy…i erdhi në vesh vaji i vajtores dhe këtu Hodua nuk duroi dot. Ju kujtua si lozte me fëmijët e tij në shtëpinë në Nivicë, në ato të pakta raste që kishte kohë të lirë, ndajë shpërtheu në dënesa të rënda që i dilnin nga thellësia e shpirtit. Zuri kokën me duar e nisi të lëkundej…tërë sy e veshë duke dëgjuar ligjërimin e grave. E dinte që ai vajtim ishte historia e asaj beteje dhe e vlerësimit të tij, histori dhe vlerësim që askush nuk e ndryshonte dot sa të jetë jeta. Në qoftë se vajtimi e dënonte, më mirë të mos rronte në këtë botë se s’kishte lumë e det që e lante.
….O djema t’u hidhemi/Mos trëmbi se s’vritemi/Me plumba s’goditemi…vajtonte me nënë zë plot ngashërime edhe Hodo Aliu bashkë me gratë…
….Me palla do pritemi… klithi vajin me një zë të thatë e të  egër vajtorja që ligjëronte ndërsa vajtorja pranë lëshoi një ulërimë ngjethëse…korba djemooooo… duke ngritur kokën lart, thua se i sokëllinte  zotit që bënte sehir aty ku rinte,  te ato retë e bardha mbi Kamenicë. Hodua u hodh përpjetë si i goditur befasisht nga një topuz, kaq shumë dhimbje ndjeu në gjoks. Pa njëherë majtas e djathtas luftëtarët që dëgjonin të heshtur vajin e grave, ktheu kokën nga vajtoret duke i parë me një sy të përlotur, sikur u kërkonte ndjesë dhe …iku me nxitim duke lënë prapa dënesat.
          5- …I shkreti Hodo Ali… Epiteti “I shkreti” i mbeti gjithë jetën si një mbiemër i dytë dhe Hodua s’dinte ç’të bënte, të mërzitej apo të gëzohej. Për të dya kishte arsye. Të mërzitej se nga ky epitet gjithmon i kujtohej ajo masakër mbi fëmijët në Palavli ,duke nënkuptuar kështu ndonjë gabim të mundshëm në drejtimin e luftës prej tij, por nga ana tjetër edhe mund të krenohej, se ishte i vetmi komandant që populli e cilësoi në këngë si  prind i dhëmshur për  luftëtarët e rënë në betejë, pa çka se ishin  luftëtarë-fëmijë.  Populli ja fali fëmijët  se ata ranë në luftë për atdhe dhe Hodo Aliu s’kishte asnjë faj apo gabim. Në fakt, duke e quajtur …I shkreti…populli ja njihte gjithë dhimbjen e vdekjes së fëmijëve Hodo Aliut, si një dhimbje të tij personale, si një humbje personale. I kishte  patur djemtë dhe nuk i ka më, i shkreti ai. E ndjente se ky epitet mbartëte vetëm dhëmshuri dhe as një grimë qortimi.
Por thellë në shpirt ai ndjente një brengë që i rëndonte sa Këndrevica[16] ndaj në luftimet e mëvonëshme dilte fare hapur, thua se kërkonte vdekjen. Ose diçka të afërme a të ngjashme me të. Ndaj kur Mehmet Reshit Pasha  i ftoi krerët e kryengritjes në Fushën e Zhulatit, ku do t’u komunikonte amnistinë, ai e nuhati që kjo amnisti ishte e rreme, por nuk e dëgjoi këshillën e Zenel Gjolekës dhe shkoi në takim bashkë me 84 krerë e komandantë të kryengritjes. U ndje i qetë kur Reshit Pasha i arestoi të tërë dhe i internoi në Adana. Ndoshta mendoi se duke qënë larg do ta haronte ai dhe do ta haronin dhe të tjerët epitetin “i shkreti” që ju ngjit si hije.
Nuk ndjeu ndonjë gëzim edhe kur, i detyruar nga situata, Sulltani i fali në 1849 të gjithë krerët e kryengritjes së 1847 që kishte arestuar dhe internuar. Madje Hodua ju përgjigj edhe ftesës për pjesmarje në luftën e vitit 1852 me malazeztë, të cilët sulmuan rrethinat e Shkodrës, me mendimin se kjo luftë në trevat veriore do t’i haronte gjëmat e së shkuarës.
Por ja që dhe këtu kënga popullore i rikujtoi epitetin e vjetër…i shkreti…kur i këndoi:- I shkreti Hodo Nivicë,/Bën dyfek në Podgoricë[17]/ Bam e bum e dot s’e vrisnë/Plumbatë më të s’kolisnë/Setrën e shkretë ja grisnë ... madje duke ja zgjeruar diapazonin e epitetit edhe te veshjet (setrën e shkretë), madje edhe te kali i tij….Hingëllin i shkreti kalë/Hingëllin e s’do të hajë/Njëzet veta dot se mbajnë….
Ju ngjit ky epitet deri në momentin e  vdekjes: -Të enjten e të xhumanë/Hodo trimi e dha xhanë/Qaj e qaj moj Këndrevicë/Qaj drërin e Shqipërisë/Të shkretin Hodo Nivicë…

Eh si është fati. Lufton njeriu një jetë për lirinë e atdheut dhe më së paku ëndëron një vdekje trimi në betejë, me plumb a me pallë, por fati për ironi i jep në Shpuzë të Podgoricës një vdekje të denjë për pleq të lodhur,  mbledhur kruspull në një çadër turke, nga një sëmundje e rëndomtë …
…I shkreti Hodo Ali…

Sarandë, më 4 Mars 2019


[1] Kënduar nga grupi i këngës popullore “Kaonët” Delvinë. Marrës Ajet Duka, kthyes Krenar Duka, hedhës Nuri Hamzai, iso Riza Pula, Fatmir Muzhai, Artan Muzhai, Fejzo Duka.

[2]Fshat në Fushën e Delvinës ku më shtator  1847 u bë beteja midis forcave kryengritëse shqiptare dhe ushtrisë turke
[3] Hodo Ali Beqohiti  i njohur në popull me emrin Hodo Aliu dhe Hodo Nivica.  Lindur në Nivicë të Kurveleshit më 1805, Vdekur në Shpuzë të Podgoricës, Mali i Zi më 1852

[4] Kjo këngë ndodhet edhe te Mbledhës  të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” rregjistruar në fshatin Kopaçez të Delvinës në vitin 1963 dhe ka gjithsejt 26 vargje. Por  siç do shohim në analizën tonë, kësaj kënge i janë shtuar vargje që u takojnë këngëve të tjera për Hodo Aliun ose jo, madje edhe vargu i parë “Zunë malet e rënkojnë” është huazuar nga një tjetër këngë popullore (Zunë malet e rënkojnë/Bolen e Kuçi u dogjnë). Regjistrimi i parë i kësaj kënge figuron  te libri i A. Dozon i vitit 1879 me titull "Manuel de la langue Chkipe", kënga me nr 57 dhe prej këtej është përfshirë në Librin Mbledhës të Folklorit viti 1961 në faqen 313 (Vënë në dispozicion nga A.Duka)   dhe ka këtë tekst: "Ra topi në Palavli,/Fush’ e Delvinës u nxi, /Me nizam’ e me deli,/Gjithë djem delikalli/ Të shumtë në Gegëri/ Gjoleka s’u ndodh aty /I shkreti Hodo Ali,/Vetë e bëri beli/ O burra, t’u hidhemi, /Mos druani se s’vrite-mi / As me plumb goditemi… 




[5] Rrapo Hekali drejtonte kryengritjen në Mallakastër e Berat, Zenel Gjoleka në Kurvelesh, Labëri e Bregdet dhe Hodo Aliu në Gjirokastër e Delvinë.
[6] Aposto Pango “Enciklopedia e  Delvinës dhe Sarandës” Botimet TOENA fq 225… Mexhit Kokalari  ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 126

[7] Mexhit Kokalari  ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 142

[8] Bën me dorë e bën me sy dëshmon kënga
[9] Është natë e s’shihemi thotë kënga
[10] Realisht nuk egziston asnjë këngë e till për këtë betejë.
[11] Të gjata e të pa krehura.
[12] Ua caktove, ua zgjodhe
[13] Mallëkimet
[14] Gjesti i shtrirjes së pëllëmbës së hapur në drejtim të personit që  mallëkohet, munxat.
[15] Është e zakonëshme të vajtohet për dhimbjen e prindërive që humbasin djalin.Madje shpesh herë këtë vajtim e nisin vetë prindërit.
[16] Mali i Këndrevicës
[17] Te “Mbledhës  të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” thuhet: Në sheshe, në Kamenicë, /Të shkretit Hodo Nivicë, /Ju vesh nizami galicë, /Bam’ ja bëjn’ e dot s’e vrisnë, /Plumatë më të s’kolisnë….Duket që këto vargje janë marë nga kënga për luftën në Podgoricë, sepse variant i sipërcituar ka  më përpara vargjet .. Dhe malazeztë bezdisnë/Nga koshadhet që gjezdisnë… apo vargjet e tjera:O Hodo, Hodo Nivica, /I lartë si Këndrëvica; /O Hodo Beu, o nurë, /Fora me këllëç desturë…që janë në një tjetër këngë për Hodo Aliun, por për luftën në veri.