Sunday 11 August 2019

Për ju që s’më deshët…


                Për ju që s’më deshët…


Për ju që s’më deshët…
po mbjell  një ulli në breg të detit
që t’ju spërkatë me të gjelbër akullsinë e shikimit,
të pagëzoni zjarrin e vatrave me gjethet e tij
dhe me filizat e  njomë,
 t’u kurorëzoni ballin
                                   ditëve që do vijnë.
.

Fjalët tuaja,
         jehojnë si  goditje  çekiçi.

Ju ëndëroni të më kryqëzoni
ndërsa unë ju lutem,
               me dru ulliri  të ma bëni kryqin.


… po mbjell një ulli në jetën tuaj
ndonëse nga ju kam hequr të zitë e ullirit.

Cili është "gabimi" yt?



                                                         Cili është "gabimi" yt?

                             Shënime për poezinë e Petrit Rukës “U stis vashëza nga varri”
               

            1- Përsëri Petrit Ruka ringjalli  një baladë tjetër shqiptare dhe e solli mes nesh. Në fakt duhet të pranojmë që Petrit Ruka është mjeshtër i pashoq në ringjalljen e baladave shqiptare,  madje deri në atë shkallë sa të krijohet përshtypja që, në një jetë tjetër, në një kohë tjetër,  balada  ka qenë pikërisht poezia e shkruar nga Petrit Ruka, e cila, me kalimin e kohës na ka ardhur e cunguar në variantin që njohim ne në folkloristikë. Të duhet një farë kohe meditimi të orientohesh mes baladës origjinale dhe poezisë të Petrit Rukës për të kuptuar se kush është e para. Kaq besnikërisht është përshtatur balada në poezinë e Petritit. Madje duke e parë me vëmendje “kostumin” e personazhit  në poezinë e Petrit Rukës, sheh edhe grimcat dhe shtresat e pluhurit të shekujve dhe epokave, të cilat  i pandeh stilizime qëndismash të veshjeve. Përtej kënaqësisë estetike që të jep kjo “besnikëri”, e derdhur mjeshtërisht në vargje poetike të Petrit Rukës, kjo mbart në vetvete  edhe fillesat e një “gabimi”, të cilën studiuesit tanë e kanë kaluar në heshtje duke e lënë në haresë, gjer në atë pikë, sa që ky gabim është parë si pjesë organike e baladës. Është njësojë si të nxjerrësh vajzën apo mbesën nuse veshur me kostumin popullor, me të cilën ka nusëruar edhe gjyshja jote, por ndërkohë të “harosh” ta shkundësh” pluhurin që ka zënë moteve, e palosur në sënduq. Vetkuptohet që kostumi popullor është ku e ku më i bukur se velloja moderne, por ai detyrimisht duhet shkundur, larë dhe hekurosur para se të vishet. Por ne le ta shohim  më hollësisht këtë problem.
            2-Trungu i poezisë “U stis vashëza nga varri” është pjesa e dytë e baladës arbëreshe “Cili është mëkati yt” përfshirë te përmbledhja “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, mbledhur nga Jeronim De Rada[1] dhe ka këtë tekst: Erdhi trimi të kungohej./ Porsa priftin e dalloi/ atje larg, e ktheu mbrapsh/-Eja më bëj një të mirë/ eja dhe më kungo/ Prej andej trimi i bardhë /në kishë e çoi priftin:/-Cili është mëkati yt?/-Vajta krushk unë me një nuse./ Udhës nga shkonim/ na zuri një rrëpirë shi/ Gjithë ç' ishim u shpërndanë/ kush nën mollë e kush nën dardhë/ kush nën kumbullzën e bardhë /unë i ziu s’pata se ku/ po te dera e vendit të shenjtë/ dhe e lidha kalin/ te pragu , nën stuhi/ Po me patkonjtë e parë/ ai i shkretë e i rrëmbyer/çau pllakën prej mermeri/ nga firasi drita në varr/ dhe zgjoi vashën e bardhë./ Trim i bukur e plot dritë/si më shkunde vdekjen/ ulu e puthëm një herë/ e më nxirr erën e mykut/ erën e dheut të zi/ Trimi i bukur e plot dritë/ si më puthe për të parën/ puthëm edhe për të dytën”/ Tri herë unë e putha/ tri herë bëra mëkat:/retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër./ Prifti ndënji një copë herë/ pastaj i tha: Haroje bir/se dhe zoti do ta harojë[2].
            Pra balada arbëreshe na dëfton për një vajzë të vdekur, e cila ngrihet nga varri, tërhequr nga magjia e pranisë së një djali të ri dhe i lutet atij që ta puthë tre herë. Djali ja plotëson dëshirën dhe… retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër…, ndërsa Petrit Ruka na e jep me vargjet e mëposhtme situatën e djaloshit: Ika flisja pas çdo loti, /"Mirë prifti, mirë Zoti,/Unë i ziu, mot pas moti/Si do ta harroj një herë, /Këtë mendje ku fryn erë,/Këtë shi që bie paprerë,/Këtë varrin ku ke lerë,/ Mendje prishurën pa derë[3]..., por në të dy rastet pranohet se…dhe zoti do harrojë.
              3-Në lidhje me baladat arbëreshe kemi folur në shkrimin tonë “Atdheu i mbartur në
këngë[4]” por këtu vlen të ritheksojmë se: Ato ruajnë origjinalitetin e baladave shqiptare para pushtimit turk dhe për pasojë nuk kanë shtresime të kësaj kohe. Po ti shohësh me vëmendje baladat arbëreshe, asgjë turke nuk është në ‘to. Dhe kur ka diçka turke është vetëm “qeni turk” që i detyroi të iknin nga atdheu..
            Pra duhet të pranojmë faktin se baladat arbëreshe janë të kohës paraturke. Por  te këto
balada insistohet në diçka të çuditshme, gjithë ngjarjet  ndodhin ose lidhen me kishën dhe priftin ose në prani të tyre apo të një date fetare…(Ditën e Pashkës së Madhe…). Kujtoni Kostandinin e besës që hyn e del në ajodhimë   “ditën e Pashkës së Madhe”, ndonëse në atë kohë kisha as qe ndërtuar, se populli ynë ishte pagan[5]…E njëjta gjë ndodh edhe në këtë baladë, djali rrëfehet te prifti se kishte puthur tre herë një vajzë, e cila ishte ngritur[6] nga varri dhe i ishte lutur atij që ta puthte…Që në pamje të parë duket se prania e priftit dhe rrëfimi është shtesë e një  kohe tjetër, nga koha e baladës dhe si e tillë, roli i tyre është dytësor. Roli kryesor është ringjallja e vajzës
dhe etja apo dëshira e saj për puthjen e djalit.
             Në fakt te balada kemi një specifikim interesant kur citohet...unë i ziu s’pata se ku/ por te dera e vendit të shenjtë...Pra djaloshi e ka lidhur kalin te dera e një vendi të shenjtë,  i cili mund të ketë qënë shumë mirë një tempull pagan. Besnikërisht edhe Petrit Ruka e specifikon këtë fakt me vargjet... Unë i shkreti s'pata fat,/ Gjeta strehë diku më larg/Në një tempull, vend i shenjtë,/Ku binte dritë e argjendtë, /Midis varreve të rëndë...
           Pra balada dhe poezia e Petritit janë në unison në këtë drejtim, por duke qënë se në skenë del më pas  prifti dhe procesi kristian i rrëfimit, të krijohet iluzioni se bëhet fjalë për kishën kur citohet vendi i shënjtë. Madje mënyra kristiane e rrëfimit dhe e faljes së mëkateve është e pranishmë edhe në pjesën e parë të baladës arbëreshe dhe ky fakt ta përforcon idenë se vërtet kemi të bëjmë me një prift  dhe kishë kristiane.
            Por, siç theksuam më sipër motivi kryesor është ringjallja e vajzës (për tu puthur me djalin). A e kishte kjo vajzë kaq forcë sa të ringjallej, për një puthje apo jo?
          Sipas krishtërimit vetëm Jezu Krishti[7] u ringjall pas tre ditëve i vdekur,  ju shfaq dishepujve të tij si provë që ishte biri i perëndisë dhe më pas, u ngjit në qiell, pranë të atit zot. Por në rastin tonë, kush është kjo vajzë buzëpaputhur që ka fuqi të ngrihet nga varri, të ngjallet kushedi sa kohë pas vdekjes, vetëm e vetëm që ta puthë një djalë, prania e të cilit e risjell në këtë botë? Vetëkuptohet që kjo është një vajzë pagane që s’di asgjë për krishtërimin, ashtu si s’dinte gjë as  Kostandini.
         Pra kuptojmë se këto balada janë të kohës parakristiane, por duke qenë se jetuan në kohën
kristiane, duke qenë se kombi ynë është ndër të parët që përqafoi krishtërimin me dëshirë, nuk e quajti ndonjë “hata” që baladat e tij t'i  linte të “loznin” si fëmijët në oborrin e një vendi të shënjtë, që atë kohë ishte  shndruar në kishë[8]. Është normale që në mes të lojës së tyre mund të dëgjohej ndonjë tingull kambane, tingull të cilën e mbartën me vete në rritjen e tyre, gjer në kohën tonë , këta “fëmijë”.
            Fakti i hershmërisë së kësaj balade dëshmohet edhe nga “lapsusi” i priftit në fund të rrëfimit, ku në vend që ti thotë djaloshit formulën e zakonëshme të faljes së mëkateve, i hutuar i thotë: Haroje bir/se dhe zoti do ta harojë. Por sipas  kristianizmit  zoti fal por nuk haron.
       Pra kaq shumë është hutuar prifti nga rrëfimi i djaloshit, sa që ngatron formulën e faljes. Kjo
s’ka gjasa të ndodhë me priftërinjtë kristianë. Atëherë ne duhet të pranojmë që:
      a-ngjarja, mëkati i rrëfyer nga djaloshi është diçka e përtejëbotëshme, për të cilën prifti ska fuqi  të gjykojë e të falë,
      b- “prifti” nuk është prift kristian dhe vendi i shenjtë nuk është kisha. Ajo që ne e cilësojmë kishë, në fakt është diçka më e herëshme, psh një tempull pagan dhe prifti është shërbyesi i këtij tempulli.
         Pra “lajthitja” e “priftit” kristian në faljen e mëkatit pagan shpjegohet në distancën e madhe kohore nga njera tjetra. Priftërinjtë e kanë kopjuar baladën, por nuk kanë qënë në gjëndje ti japin shpjegim këtij “mëkati” ringjalljeje, bisedimit dhe puthjes së të gjallit me të vdekurin.
             3.1- Befasues  dhe tepër të diskutueshëm në informacionin që bartin janë dhe vargjet “Po me patkonjtë e parë/ ai i shkretë e i rrëmbyer/çau pllakën prej mermeri”. Në një variant thuhet: “çau rrasën e gurtë” dhe  ka kuptimin “çau rrasën e varrit”  dhe ne mendojmë se ky varg është origjinali i baladës. Hipotezën mbi origjinalitetin e vargut “çau rrasën e gurtë” ose  “çau rrasën e varrit” në vend të vargut “çau pllakën prej mermeri” e mbron edhe fakti se përdorimi i mermerit në varreza, në botën shqiptare   është futur në kohët moderne, dhe kryesisht me efekte artistike zbukuruese dhe jo si pjesë e varrit, si mbulesë .
            Kështu që, ndërsa në mendimet tona na u krijuarn rezerva për përshtatjen e vargut origjinal në shqipen letrare të sotme te botimi i cituar, argumentojmë se rrasa e gurit në botën shqiptare ka qënë tradicionalisht mbulesë e varreve nëpër epoka. Kujtoni Eposin e Kreshnikëve kur Muji varros Omerin dhe e mbulon me rrasa guri varin e tij. Më von vijoi mbulimi i varreve me dhe dhe vetem në kohët modern varreve anash u vihen  pllaka betoni dhe mbulohen me
betonim, duke u veshur  me pllaka të stilizuara, zbukuruese, mermeri.
                 këtë mënyrë konkludojmë se vargu origjinal “çau rrasën e gurtë”  ose “çau rrasën e varrit”  na jep si datlindje të këngës kohën kur të vdekurit e kombit tonë mbuloheshin me rrasa guri, pra shumë më herët se të lindte krishtërimi.
             4- Në baladat shqiptare kontakti, bashkëbisedimi dhe bashkëudhëtimi i të gjallit me të
vdekurin është gjë tepër e zakonshme. Kujtoni Kostandinin dhe Doruntinën. Dhe aty problem
ishte era e dheut të lagësht që kishte në flokë Kostandini. Te kjo baladë vajza i lutet djalit ta puthë njëherë që t'i heqë erën e mykut të dheut (të varrit). Pra elementët janë të njëjtë.
            Le të shohim në mitologjinë greke mitin e Orfeut (biri i Apolonit dhe Kaliopës) i cili zbriti në botën e nëndheshme për të tërhequr prej andej të dashurën e tij, Euridikën, në marrëveshje dhe me lejen e  Hadit dhe Persefonës. Kushti ishte që Orfeu të ecte para dhe e dashura e tij t'i shkonte nga pas dhe ai të mos e kthente kokën mbrapa për ta parë Euridikën, gjer sa të dilnin në botën e të gjallëve. Përpjekja dështoi pikërisht nga padurimi i Orfeut për të parë Euridikën. Duke këpërcyer udhëtimin e Odisesë në botën e Hadit për të takuar nënën, se s’ka ndonjë gjë të re, shohim një legjendë egjiptiane, ku një djalosh i dashuruar, (vajza e të cilit kishte vdekur në tentativë  aratisjeje nga robëria e faraonit) pasi lufton dhe bën kompromise me disa
perëndi, më në fund e rikthen në jetë vajzën, por kjo i kushtoi kohës egjiptiane vdekjen e disa
perëndive dhe prishjen e botës aktuaale të të gjallëve dhe të të vdekurve, si dhe rikrijimin e një bote të re.
            Që forca e dashurisë është e aftë të tronditë dhe të shembë themelet dhe muret e dy
botëve, kjo është pjesë e mitologjisë së disa qytetërimeve. Por ndërsa në qytetërimet  e tjera
duhet pjesëmarrja aktive e perëndive, në baladat shqiptare perëndia nuk paska asnjë rol, veçse ….të harrojë. Te baladat shqiptare lufton vetëm njeriu shqiptar. Çfarë datëlindje do kenë këto balada kaq të veçanta dhe ç’kohë e ç’ambient i lindi dhe i rriti? Dhe më e rëndësishmja, a nuk është më e bukur paraqitja e tyre në variantin e hershëm të tyre, pa shtojcat fetare, të cilat stonojnë me botën pagane të legjendës? 
          5-A do pajtohet krishtërimi me pastrimin nga pluhuri i kohërave të këtyre baladave, duke njohur autorësinë dhe portretin e vërtetë të tyre.
         Unë, shqiptar i besimit kristian në ritin ortodoks, që e kam lexuar dhe jam mahnitur e mrekulluar nga Ungjilli, besoj se edhe Jezu Krishtin po të pyesni për këtë problem, i drejtë siç është ai,  ashtu siç tha…Jepi Qezarit ç’është e Qezarit… do thotë me zë të plotë:- Jepi shqiptarit ç’është e shqiptarit!

Amin!


Sarandë, më 29.4.2019


[1] Shih “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53
[2] Për të interesuarit, pjesa e parë e kësaj balade është: Doli dielli nga mali/dhe mbuloi dy pallate/I ndriti zonjës Lenë/tek i plekste gërshetin/me një cohë gjithë lule ari/të bijës përmbi fron/e mbi qafë ja paloste: më poshtë pastaj i ndriti/zonjës Agat në këmbë/përpara pasqyrës/ku stoliste djalin/ me pellush dhe me argjend/se do shkonin në rrëfim/për rrëfim edhe kungim/te kisha e Todrit/Ndaj mesditës vasha/shkoi e ra në gjunjë te prifti/I tha: Zot unë dua/ një trim që kam në gji/po shokët më shajnë/shokët dhe prindërit e mi/Ky është mëkati im/Prifti i tha:U çlirove./Vetë të jap pendesë/asnjeri të mos takosh/asnjeriu t’i bësh nder/veç atij që deshe shumë/U ngre vajza me uratën.(shih te libri Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53)

[3]Petrit Ruka “U stis vashëza nga varri”.Poezi, publikuar në fb datë 31.03.2019
[4] Shih T.Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 140
[5] Shih T. Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 95 “Kostandini nuk hyri në ajodhimë”

[6] Fakti që ishte vajza ajo që u ngrit vetë nga varri, e përjashton tezën hipotezare te nekrofilisë nga ana e djalit.
[7] Krishtërimi pranon ringjalljen e Llazarit, por këtë e shpjegon si mrekulli të Jezu Krishtit.
[8]  Shumë kisha janë ndërtuar mbi themelet e vendeve të shënjta të kulteve pagane, ashtu si më pas shumë kisha u shndruan në xhami duke ju shtuar një minare dhe u fshirë  pikturat e shënjtorëve.

Faruk Myrtaj për sprovën time Plutarku, Pani, Pelodi dhe Piluri.


Faruk Myrtaj për sprovën time Plutarku, Pani,  Pelodi dhe Piluri.

Tere keto dite qe e hoqa menjane, e shihja disa here por he sot e he neser, mu be mbare sot!
Sinqerisht, une nuk jam me ata qe merren me zhbirilime te tilla, si te hysh prej fjaleve ne historine e dhjetra qindra viteve ne mos mijerave te shkuar, dhe te thuash se kjo ndodhi ketu e ndodhi atje, ta zbresesh personazhin prej Odisese ne filan ishull, qe, sado qe nuk permendent me mer te serem ky ehste se ...dhe fap e gjen me thyerjen e shqipes...!
Jeni te sigurt se kjo nuk ndodh ne gjuhe te tjera, ne lexime ne gjuhe te tjera..., pyes une.
Dhe me tej, ja edhe nese eshte keshtu, dmth qe i thane te mos e jepte lajmin e Dekjes dhe ai e dha kur ra qetesia se ...i kishte bijt ne Pilur dhe se...,c'fare pastaj, them une!

Por, padyshim une e lexoj Timo Merkurin dhe me duket se lexoj nje krijim te shkelqyer te imagjinates krijuese dhe pak rendesi ka ne eshte ngjarje e vertete apo eshte deshira per te ndodhur shembellyer me jetet tona, sic do te donin te rridhnin...Eshte mrekulli krijuese dhe une e cmoj shume, si krijim, pse jo: kapur ne ca detaje si ato qe vijne nga tere ato burime qe numeron ti, mik i dashur, i talentuar e durimmadh ne dicka qe une nuk kam dot energji t'i fiksoj dot. edhe nese i lexoj nje mije here! Edhe student per inxhiner ky isha: nese nuk do me respektonin pedagoget si i shkuar me vonese ne universitet, do pranoja me njehere ta humbja shkollen, po te duhej t'i mesoja permendesh emrat e gureve dhe mineraleve...

Por, po, me pelqeu shume, tere lenda jote...shume de, por per me tej, nese eshte e vertete shqiptare apo piluriote, apo pse ritet jane thjesht shqiptare, sado qe psh e qara ashtu ndodh edhe ne vdekjet tona, te Topalltise, ku ndodhet Trevllazeri i prrindrve te mi, lab gjysem opinge na thone, se nuk jemi leber si ata lumtit te vlores, por as laluce si ata te pertej Vjoses! Trevllazeri eshte aty ne te majte, sapo kalon uren e Mifolit, teksa hyne mbi Vjose, nga Fieri per ne Vlore...

Pra, eshte kenaqesi e madhe ta lexoj kete legjende, te shkruar aq bukur, i pelqej edhe thyerjet e fjaleve ne rrokje e gjysma rrokje, sa per te dale atje ku duam ne shqiptaret, pra me pelqen loja, por nuk di a do mund ta perceptojme lojen si realitet historik: kulturor, krijues, po!
Dhe per kete te nderoj, te cmoj, shkurt, faleminderit per kenaqesi te vertete ne leximin e saj. 
Do ta mbaj menjane, per ta lexuar serish here tjeter, ose per tu dhuruar miqve te mia, qe t'i mbaj shqiptare optimiste!
te perqafoj

faruku

26 mars 2019