Tekstualja në vështrimet kritike
dhe gjykimi estetik
Vladimir Muça Poet - studiues
Një
vështrim analizues mbi librin e Timo Mërkurit “Kur flasim për artin Jonian”
Që
kur lindi arti i të folurit dhe i të
shkruarit, sidomos kur bëhet fjalë për letërsinë , është një domosdoshmëri e zhvillimit, që filli i saj të lidhet me mendimin kritik , me krahasimin
e vlerave estetike që dallon veprat letrare.
Nuk është rastësi që në lindjen e filozofisë të artit të të shkruarit ,
lindi dhe lulëzoi dhe mendimi kritik në botën e letrave. Kritika e ka suportuar gjithnjë krijimin letrar. Jo më kot
mendimi kritik i Bjelinskit të madh në Rusi u shoqërua me krijues gjigandë si Çehov, Dostojevski ,
Gogol . Sot në kritikën tonë letrare vihen re me shqetësim të madh që vlerat i
marrin antivlerat e të ashtuquajturve përfaqësues të një letërsie “bestseller
“. Siç janë librat e karakterit monografik e politik të Blendi Fevziut, Edi
Ramës, Ben Blushit e shumë e shumë monografistëve të porositur .
Kritika
e sotme po kalon krizën e saj të
dithirambeve , nuk po del
dot nga qerthulli nga ku e ka futur klientielizmi dhe kjo ekonomi e mbrapshtë librare e tregut.
Eshtë
një ogur i mirë që krahas botimeve estetike për Migjenin e madh
nga Dr . Moikom Zeqo , i cili e evidenton Migjenin si prurësin e parë të
koncepteve të një estetike moderne, në vitet 1930- 1935, botimit të mendimeve
kritike të Adriatik Kallullit , Dr. Fatmir Terziut krahas mendimeve kritike të
përkthyera të Umberto Ekos ,të Bodlerit, Luis Borgesit , në atë lëmin tonë , në
atë ‘magmë jonike’ , të kemi midis nesh
mendime kritike mbi produktet letrare të
bash miqve e shokëve shkrimtarë si Timo Mërkuri.
Në këtë
vepër studimore ,Timo ngulmues në punën e tij, vjen disi i vecantë, disi
natyral në konceptet studimore. Ai e ka flak tutje konceptin ”bestseller
“, evidenton vlerat me kontekste kohore e vendore duke sjellë
para lexuesve karakterin natyralizues të veprave letrare duke sjellë bukurinë ,
brishtësinë, zhurmërinë e dallgëve të bregdetit jonian , atë athtësinë e
kripësinë që u jep jo vetëm habitatit
por dhe njerëzve dhe veprave letrare.
Konceptin kritik Timo Mërkuri e shtrin në tre metodika kritiko-
analizuese:
Vështrim reçensional në studime mbi disa vepra
të Spiro Llojit, Kristo Cipës, Dr. Fatmir Terziut, Ymer Nurkës.
Vështrime kritike në nxjerrjen e vlerave e të
veçorive autoriale siç janë vështrimet për Fatos Arapin, Andrea Zarballën, Kiço
Papës.
Kritikë tekstuale, krahasuese, ku prioritet
vështrimor merr ajo ç’ka është në tekst , duke krahasuar debitet e
prurjeve të reja ( kjo si mënyrë efikase me suportet që jep në zhvillimin
e një letërsie të vërtetë). Në këtë kategori hynë vështrimet mbi Agim Maton ,
Dr. Fatmir Terziun për romanin “ Kojrrillat” , Aqif Hysën për “
Poema e ikjes” .
Ashtu
sikundër për Umberto Ekon , kjo mënyrë është themeli i studimeve të estetikave
në zhvillimet letrare ; edhe për Timo Mërkurin
kjo përbën shuminë studimore. Autori i harron autorët e vargjeve,
prozave që merren në analizë dhe merret me ekstraktet e domethënies,
nënshtresat mendimore e qëllimore, merret me toponiminë , onomanistikën,
fonemat e reja që i japin dritë kësaj letërsie si në konceptin e kohës kur ajo është shkruar, por edhe kohën që ajo
pretendon të përfaqësojë.
Autori
ngulmon në natyralitetin ku ajo ka lindur dhe po rritet me atë modernitetin ,
me atë “ magmën Jonike” apo me “ Valët u ngjirën duke folur” të Agim Matos.
Autori sikundër gjithë krijuesit bregdetas ,që si djep lindje të veprave kanë
këtë det e këtë bregdet, sa të magjishëm aq dhe kapidan në konceptet studimore
e kritike.
Ai nuk
i len pa nanurisur në këtë djep , në këto dallgë, në këto shpella pëllumbash ,
piratësh ku zëri gjëmimtar i Bubulinës gjëndet në çdo rresht apo varg. Në këtë
gjëmimtari qytetarie të Artit Jonian si krijues ai po përfiton qytetarinë edhe
në aspektin e mirëfilltë eseistiko – studimor, ku me një transparencë
evidentohen vlerat krahasimtare të këtij arti
si në kohë dhe në hapësirë , pa kufij gjeografikë.
Autori
e ka kapërcyer me sukses provincionalizmin sundues , duke reflektuar me
eseistikën e vështrimoret e tij konceptet globalizuese në artin e studimit,
duke evidentuar lidhjet e ndërsjellta gjeografike, duke mos e kufizuar
hapësirën jetike të artit në vijat kufitare shtetërore.
Bindshëm , autori shprehet: “ Piramidat , klonet ndajnë shtetet,
pengojnë njerëzit , kontaktet fizike , por nuk i ndajnë dot kulturat dhe artet,
aq më tepër kur ata kanë një shtrat – lindjeje.” Autori aludon për atë shtrat –
lindjeje që shumë pak studjues ,përjashtuar Dr. Moikom Zeqon dhe Dr. Fatmir
Terziun , e proklamojnë në studimet e tyre.
Me të
drejtë Timo ngulmon në këtë shtrat kulturor që është globalizues e me thellësi
kohore, duke evidentuar që andej vlerat e vërteta të lëna trashëgim ndër
shekuj. Ashtu sikundër krijuesit Dr. Fatmir Terziu , Fatos Arapi , Andrea
Zarballa , Agim Mato, Bardhyl Maliqi , Irena Gjoni, Spiro Lloja , Kristo Cipa,
Ymer Nurka, Kiço Papa edhe
studjuesi Timo Mërkuri nuk i largohet në interpretimet stilistike e
eseistike nga djep- lindja e këtyre produkteve, ai vjen si një lindje e dytë e tyre. Vepra letrare kur
shoqërohet nga vështrime të tilla kritike , merr frutet e një lindjeje të dytë
, drejt një materie të re librare, në kontekste pavdekësie.
Vepra
dhe kritika gjejnë njëra tjetrën në të
njejtin habitat , në një kaltërsi plot yllësi metaforike , plot njelmësi detare
, ku lexuesi e kupton lehtas e ndjellet nga vjen kjo ngrohtësi në këto poezi , në këto proza apo pikturale natyrore.
Në
këto vëzhgime kritike Timo Mërkuri kërkon me ngulm ato “ sinore” , kopshtije
riviere, thepa shkëmborë, sy të kaltërt , ato shpella pëllumbash të egër , ato dallge joniane kreshtashkumbë ,
ato natyralitete ku moderniteti e ndjen veten si ajo perla në guackën
shekullore, si ajo “ magma jonike” e
cila ka filluar t’i japë nxehtësinë e jetësinë kësaj toke.
Në këto
kontekste mendimi estetik vlerësues i
vlerave letrare vjen si domosdoshmëri
për të analizuar me “ këmbë në tokë “ e për të bërë interpretimin e vlerave krijuese. Sidomos këto vite të një
stanjacioni letrar , ku mendimi kritik
ka marrë shumë molisje , ka stepje , është në një dilemë “ të rrosh apo të mos
rrosh” .
Hera herës
në panaire e konkurime mediatike
të një letërsie biznesi ( vetëm me qëllime fitimprurëse ) monografiko –
politike kritika dhe mendimi estetik ka qenë gati – gati ana e errët e shprishur , tendecioze ,
imponuese gjer në përmasa shkatërruese për artin e të shkruarit dhe shkencën që
merret me interpretimin e veprave
artistike.
Abuzimi duke bërë krahasimtari të disa “ bablokëve shkrimtarë “ , si “
gjeni “ të letrave, e krahasimtarë me Bodlerin , Borgesin , Eliotin e Xhojsin
është e keqja më e madhe klienteliste me shpërblimin e mundshëm financiar në
kuadrin e një joçensurimi letrar , jo estetik, jo profesional por bazuar në tekat porositëse.
Ndaj
dhe kritika si shumë e shumë krijuesve, të lëna në mënjaninë e këtij
biznesi letraresk jetojnë me rrezikun të mbeten ‘ pa kek e pa
lek ‘ , siç thonë me humor tiranasit. Në këtë aspekt gjen veten thënia e
famshme se “ Arti lind nga kufizimet dhe vdes nga liritë”.
Duke
lexuar këto refleksione të përqasura aq shumë me realitetin që përjetojmë ,
krijuesit , por dhe vetë autorët , më
erdhi në mendje një urtësi e Umberto Ekos : “ …e vetmja forcë që ve në lëvizje
intelektin filozofues është e vërteta.”
Siç
duket Timo Mërkurin, urtësia e Ekos e ndjek hap pas hapi me të vërtetat gjatë
gjithë librit. Gjatë analizave vëzhgimore , autori , një rëndësi të
veçantë i kushton hapësirës të shprehjes
dhe hapësirës së përmbajtjes. Ai ngulmon shumë në raportet ndërvepruese ,
bashkërendimit ndërmjet shprehjes dhe përmbajtjes , duke shmangur prioritete që
ka sot rendja në të shumtën pas formës së shprehjes , kozmofonisë se sa
thelbësores të problemit , idesë e qëllimit të një vepre letrare.
Krijuesi ulet , lodh trurin , jo vetëm që të sjellë një relaks shpirtëror , por në bazë të
krijimit të mjeshtrave të mëdhej , është qëllimi , idea përse duhet shkruar një
produkt letrar. E kjo sentencë është e pluguar mirë e thellë nga Timo Mërkuri
në këto vëzhgime. Ndaj autori në këto
produkte eseistiko – kritike nuk rend pas emrave gjoja të mëdhej, por merr në vlerësim
ato prurje letrare që për të përbëjnë
risi dhe që sjellin një frymë të re, me
taban në këto treva Joniane.
Në
gjininë e romanit ai sjell sfidat romaneske të Dr. Fatmir Terziut, me ndodhi të
kaherëshme por në novitete të reja
moderniste .
Në prozën e shkurtër të Edmond Llaçit ai sjell kuptueshmërinë e
shumëfishtë , me dëndësinë e mendimit dhe të qëllimit në një individualitet dhe
estetikë të re me nocione e pasazhe poetike me amalgama lojcake , një dukuri
kjo thelbësore në modernitetin e prozës të shkurtër.
Në
veprat poetike të Agim Matos , Fatmir Terziut, Andrea Zarballës , Kristo Cipos,
Spiro Llajos, Kiço Papas, ai evidenton një soj të ri të lirizmit me nocione
epiko- balaidike që aq shumë i shkon për shtat truallit ku përdita autori
kuvendon me këta brigje e dallgë duke u ngopur me kripësinë Joniane, aromën e
portokajve e të limonave , duke ngopur shpirtin me ato kolazhe poetike të Kiço
Papës apo shpirtin rrebel e fundos të Agim Matos.
Nga
kjo vjen dhe skalitet dhe portreti estet i Timos. Në tërësinë estetike e
analitike ai nuk na përqaset si një
kritik skolastik i veprave të krijuesve Jonianë
e të mëpertejmë.
Ai vjen me një diapazon kërkesash e interpretesh ,që përkojnë me zhvillimet e
sotme letrare në kuadrin global, të hulumtimit të vlerave dhe dukurive letrae në aranzhim me zhvillimet
shoqërore. Ai evidenton si një
domosdoshmëri në artin e të shkruarit , veçoritë e Artit Jonian që është: “ mbështetja tek tradita e pasur popullore.”
Kjo ,
ngulmon autori , është arritur duke qenë krijuesit, njohës të thellë të artit popullor, duke ngulmuar , ashtu siç
na mëson Umberto Eko në përdorimin gjërësisht
të ekstraktit popullor si një “ mballomë artistike” e cila rrit dukshëm
vlerat e një krijimi.
Leximi
toponomanistik dhe onomanistik , veshja me vlerat e tyre e bën Mërkurin të jetë
një vëzhgues e krijues i mirfilltë Jonian , një shpërfillës i kufijve
gjeografikë të ekzistencës. Ky është dhe thelbi i natyralitetit që thirmon
autori në personifikimin e Fatos Arapit e të Agim Matos.
Në këtë
libër të gjithë esetë sikundër eseja “ Sa pak det paska në poezinë shqipe “
janë në funksion të analizave kritike , ku perla ‘ vajza e valëve’ dhe simotrat
e saj janë apotheoza dhe burimore nga ku
veshin gëzofin e ri natyraliteti i këtij moderniteti. Në këtë modernitet rrinë
lirshëm legjendat e djeshme, epet si dhe marrëzitë e sotme , rrinë
ekstrakti i kristaladave popullore.
Lirizmi atdhetar, shpirti i gjerë lirik
me vlera të rralla estetike noton lirshëm në nocionet balaidike dhe
epike në kontekste të reja , risi këto të evidentuara nga krijimtaria e Agim
Matos, Dr. Fatmir Terziut , Kristo Cipës, Andrea Zarballës si një dukuri
e re. Kjo është një nga tiparet themelore në poezinë bregase , është një
nga ekselencat për estetikat e reja pas soc -
realiste, estetika pa kurrfarë kufizimi por me një marzh shtrirjeje të
palimituar.
Nëpërmjet poetit Kiço Papa në post – mortumin e tij , Timo sjell ato
elementë ekzistencialë të poezisë që tentonin në vitet 70 – 80 të çanin
pancirin e soc- realizmit për të cilin
shumë poetë nga ai brez si Fatos Arapi, Agim Mato , Thanas Dino, Niko
Kacalidha, Spiro Llajo përfituan
persekucionin ideor e kulturor gjer në përmasa të një gijotine klasore.
Në
librin “ Kur flasim për artin Jonian” , Timo Mërkuri me anë të vështrimeve
realiste në kohë dhe në hapësirë, portretizon profilet e shumë autorëve më në
zë që kanë shkruar dhe përtej bregut jonian.Këto portrete krijuesish ai i jep
me një sqimë e besnikëri atje ku i ka rënë këmba duke nxjerrë veçoritë e
talentit të tyre.
Por
duke u marrë me një shumi portretesh , ai njëkohësisht profilizon dhe portetin
e vet krijues sa origjinal aq dhe të spikatur në modernitetin e tij të
natyralizuar në proçesin krijues.
Me
një pasion të dyfishtë ; të krijuesit dhe të analistit ai plazmon artin e
fjalës. Pa asnjë qasje në mëdyshje pas një stanjacioni njëzet vjeçar , Timo
Mërkuri i bashkëngjitet veprave
studimore të Dr. Moikom Zeqos, Dr. Fatmir Terziut, Adriatik Kallullit, Gjekë
Marinajt, eseistit Fatmir Minguli.
Libri
“ Kur flasim për artin Jonian “ , me konceptualitetet që shtron dhe
refleksionet estetike është një kontribut
për ripërtritjen e gjinisë analitike dhe të kritikës; në
instituticionalizimin e saj si një domosdoshmëri e zhvillimeve kohore.
Urime
Timo Mërkurit! Urime!
Dyrrah 16 – 17. 10. 2013
Vladimir Muça
Poet - studiues