Lotët
e kohës së gabuar
Shënime gjatë leximit të vëllimit poetik “Ujvara
e syrit’’ të Zenepe A. Rexhepi
Timo Mërkuri
Nuk e di pse ju riktheva
leximit të vëllimit poetik “Ujvara e syrit” të Zenepe A. Rexhepit këto ditë
dimri. Jo vetëm që ju riktheva leximit, por përtejë zakonit tim të
“shkaravitjes” të librit me vijëzime të vargjeve e shënime anash fletëve,
ritual që e kisha kryer qysh në leximin e parë, këtë herë vura mbi skrivani
edhe një bllok shënimesh.
1-Vërtet që nuk e di
saktë përse ju riktheva këtij vëllimi. Sepse të jem i sinqertë, nuk jam
familjarizuar ende me stilin e të shkruarit që përdor, jo vetëm kjo poete. Një
stil të shkruari, që mbart nëpër petalet e vargjeve, jo vesën e mëngjesit, por
“flokë të dëborës së vjetëshme”. Duke u shndruar poezia vetë
në njëfarë “manushaqe e prillit në mes
të dëborës”. Realisht, këtë stil e kam hasur te shumë autorë të trevave veriore
e verilindore , përkatësisht në Kosovë e Maqedoni. Por vetëm stili, gjithsesi
nuk e shpjegon rileximin. Edhe fakti
se ndoshta e kam ndjerë aromën e manushaqes së prillit tek shpërthen nëpër flokë bore, për të mbritur
tek unë, përsëri është pak. Po për këtë do të
flasim dhe më von. Ndoshta arsyeja e rikthimit për rilexim mund të ishte edhe
fakti që më kishin mbetur në kujtesë vargjet e
mrekullueshme…Të prita mes letrash të
padërguara /mes fjalësh të pathëna/…Si mall i pashuar të prita/si prekja e
mëngjezit, si drita/ si ëndra e bukur plot shpresa/ si vetë dashuria, si jeta.,
vargje që më vezullonin në kujtesë, herë
si lotë shpirti e herë si margaritarë
ëndrash. Vargje që , të lexuara pas
vargut…U mplak dita në pritjen
tënde … të mehin frymarjen e të çpojnë si teh thike, për të të ngurtësuar, si nën shikimin
e Meduzës, te vargu…I heshtur si varr
qindravjeçar….(je ti). Majakovski kishte një metaforë…I
heshtur, si pulsi i të vdekurit…, por metafora e varrit qindra vjeçar
është gati e përtej kësaj bote, dhe këtë
figurë veç një dhimbje e madhe mund ta krijojë. Një dhimbje që s’mund të
jetë thjeshtë dhimbje e një dashurie të një vajze. Ajo mund
të burojë te ujvara e syrit të saj, por faktikisht është grumbulluar nëpër
shekuj në shpirtin e një kombi, ashtu siç grumbullohen rezervat ujore brenda
malit nga shkrirja e borërave apo depërtimet e shirave të furrishme…
2- Ndërsa po rilexoja
poezitë e vëllimit të “Ujvara e syrit”
dhe po endesha nëpër labirinthet e
arsyes së rileximit, s’di pse
befas mu kujtua shprehja e Salvadore Quazimondo në Essen e tij të
famëshme “Fjalë për Poezinë”, se…poezia
është njeriu….Me këtë rast, duke menduar se …njeriu është jeta e tij…atëherë themi se …poezia është jeta e njeriut…
Po kush është njeriu poet,
autor i këtij libri.
Në kopertinë ka një
foto, ca data, tituj e vepra, por ky nuk është njeriu e ca më pak
poeti. Unë nuk ja di fëmijërinë poetes, por unë di fatin e popullit në moshën e fëmijërisë së saj. Unë e di fatin e mëhershëm të
popullit për të kuptuar gjithë këtë dhimbje, edhe në ato krijime që duhej të ishin
plot dritë . Unë e kuptoj atë mplakje të ditës në pritje, e cila nuk vjen nga
ndroja e vonesës së njeriut të dashur në
takim, ndroje që do ta kishte çdo vajzë e kësaj bote. Unë e di se ajo
është ndroja dhe ankthi i vajzës
shqiptare në pritje, që e ndjen se i
dashuri, për të mbritur te ajo, do të kalojë shumë prita. Që
nga pritat kanunore, nacionaliste, sociale e shoqërore, njëra më e rezikëshme
se tjetra. Prandaj dita mplaket në
pritje…Lumi,eh lumi/ rrjedh si
jetë e trazuar/../si balli i rudhur i Lokes /lodhur pritjeve /për
birin,nipin/..ftesa për varin e panjohur/…ku tretet dashuria…
3-Prandaj ka aqë shumë…lot e pritje
amshimi/në kohën e gabuar… Mendo pak, të jetosh a
të dashurosh në kohën e gabuar. Ç’gjëmë më vete që është! Dhe gjëmë më vete ka qënë fati e jeta e
kombit. Në këtë gjëmë, shpirti i kombit farkëtoi armët e
rezistencës dhe të egzistencës. E mes tyre edhe poezinë. Kjo, poezia, ishte ndoshta shpikja më efikase, sepse ajo ishte bedena ballore e kështjellës të
identitetit dhe gjuhës sonë, por njëherësh edhe sterna ujëmbajtëse në stinën e
nxehtë të përplasjeve. Historia e
popullit u shkrua në vargjet e
rapsodëve, gjuha e kombit u mpreh nëpër bedenat e këngës … Fryu murlani e ra shumë bore, madje
edhe nëpër vargjet e këngës… tuj fry er e
tuj ra bor/ mu ka ngri martina n’dor… , prandaj ato u mpakën, u mblodhën në
vetvete. Madje..dhe koha të ngriu si
vështrim i acartë.. Dhe erdhën pranë kohës sonë…, në çastin kur u shua kometa…me borë mbi supe dhe me …vaj në shpirt, sepse …Në historinë tonë të gjakosur/ pakicë e privilegjuar do thiremi…dhe
trishtueshëm do…vëzhgojnë lumturinë/e
jetës që si përkasin..
(…Pakicë e privilegjuar…Të vjen të ulërish nga dhimbja kur lexon këtë
varg gjëmëmadh, që flet më shumë se faqe të tëra historie)
4-Kështu erdhi me stilin
e saj (gati të përafërt me…sa fort po ndrin ai diell…) edhe poetja Zejnepe
A.Rexhepi pranë nesh, duke na treguar me ndroje “Ujvarën e syrit” të saj. Sa
shumë lot. …Një lot bie nga syri/si nga qielli ylli i mëngjezit… Lot e shi
bashkë që rjedh teposhtë faqeve me një dënesë shpirti. Dhe të vjen ti
përkëdhelësh kokën, me dhimshuri, si
një fëmije që loton në shi, për një
arsye të madhe për moshën e saj.. Sepse shiu është loti i qiellit. Është loti i
zotit vetë. …Dhe të duket se sheh tek qan, një vajzë e zotin bashkë. Dhimbje e
madhe duhet të jetë. Loti vetëm sa derdhet nga sytë, burimin e ka në shpirt.
…Në
vetminë e jetës/loti djeg me përdëllime… Dhe duhet të jetë e madhe dhimbja
që shpirti të burojë …lot. Diku bashkohen shiu me lotët…Shiu
s’pushoi/as me ty su çmalla dot…S’pushon së rëni ky shi i rebeluar…Dhe një ftohtësi alpine nëpër vargje …dhe koha të ngriu si vështrim i acartë…,…në mungesën tënde/ ftohtësi…, si një
flokë bore mbi petale.
-Përkundër
traditës zakonore, të kultivuar në fëmijërinë e saj dhe të imponuar nga kushtet
shoqërore, Zejnepe i këndon pa frikë e ndroje, madje me zë të lartë … dashurisë
së saj. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se i këndon me mjeshtëri
artistike, sa që mund ta quajmë …Safoja
e Tetovës.
a-Gjithmon
femra shqiptare i ka kënduar dashurisë, duke dëshmuar në këtë mënyrë
vizionin europian të saj. Qysh nga
periudha paraotomane, kur i ka kënduar solo …O lule lule maca maca, se un’ për ty…o djalë plasa… , ashtu dhe
në e pas kësaj periudhe kur
dashurisë ju këndua fshehur pas
anonimatit të këngëve dhe valleve popullore,
të tipit…më zu vesa në lëndinë…tek po
mblidhja trëndelinë/t’ja çoja bandillit-o…
Por
ajo që duhet theksuar në këtë rast, është fakti se këto valle dhe këngë
ekzekutoheshin kryesisht nëpër ambiente të ngushta familjare dhe fisnore.
b-Në
kohët e parademokracisë, një plejadë
poetesh ndrinin qiellin e letërsisë shqipe, por duhet të theksojmë se poezitë e dashurisë ishin të
kufizuara, ose flitej për një dashuri të
lindur nëpër …aksione, kantiere..etj. Me një fjalë njëfarë uniformiteti poetik, vargje e fjalë shabllone , të spastruara nga
veçantitë njerëzore që, përgjithësisht. asnjë ndjenjë nuk të ndizte në shpirt.
Mbi poezinë shqipe qëndronte shpata e Damokleut të Pleniumit të 4.
c-Pasvitet
’90 sollën një bum poezish të femrave poete. Thua se shpërtheu një digë
dhe jo ujët, por poezitë përmbysën gjithçka gjetën përpara. Por si në
çdo përmbytje, uji poetik kishte shumë turbullirë. Vijonin poezitë deklarative
që alternonin me zhurmën e ujrave. Por befas, mbi këtë zhurmë ujrash, nisën të
dëgjoheshin cicërima zogjsh e të vinin si pëllumba vëllimet e para dinjitoze
poetike, si për të na thënë se përmbytja
po mbaron, ujrat po tërhiqen dhe jeta poetike po rinis në tokën tonë. Më
vjen mirë ta them që, në krye, pëllumbat
erdhën edhe nga viset
veri-verilindore, nga Kosova dhe Maqedonia.
E
mes tyre edhe Zejnepe A.Rexhepi.
5-Në
leximin e vëllimin poetik “Ujvara e
syrit” konstaton lehtësisht se tema mbizotëruese është tema e dashurisë. Si e tillë, normalisht do
kishte kufizime idesh dhe ripërsëritje
figurash dhe fjalësh. Çuditërisht autorja i ka shpëtuar këtij kurthi “llogjik”.
Në qoftë se do shohim numërin e “fjalëve të para” në raport me “fjalët e
dyta”, do shohim se prioriteti është
numëri i madh i fjalëve të “para” në raport me ato të “dytat”.(Psh fjala “jetë”
është fjalë e parë ndërsa folja “jetoj” është fjalë e dytë). Kjo tregon , jo
vetëm pasurinë e gjuhës shqipe por në radhë të parë talentin e autores në
përdorimin me efikasitet të fjalëve, qoftë edhe brenda një teme. Kjo
mospërsëritje fjalësh, kjo larmi shprehjesh e bën poezinë burim kënaqsie gjatë
leximit. Të duket se shëtit (hapëron)
nëpër një lëndinë prilli, në të cilën admiron
shumllojshmërinë e luleve dhe nuk lodhesh me monotoninë e një tip apo
lloj luleje, sado e bukur qoftë ajo.
6- I dashur…ndiz një yll t’më zbehë dritën/e
syrit të përlotur…./shuaj etjen me puthjen flakë…/Pastaj më ndiz e më pushto/me
urrej e më dashuro/më vrit e më ringjall/më shuaj ti yll e më ndriço/ veç mos
më haro…nga haresa druaj!
I
lexon këto vargje të zjarrta, shpërthyer si llavë nga shpirti dhe vetiu
rikthehesh ti rilexosh. Nën afshin e tyre do të ngrohesh, nën dritën e tyre do
të shohësh, në zjartin e tyrë do të digjesh, vetëm të ndjesh e të kuptosh sa e
madhe është zemra e dashuruar. Një dashuri, magmën e të cilës vetëm haresa dhe
vetmia e ngurtëson...
…Si natë e tmershme është
vetmia…
…Ti kandil dritamëshimi/ëngjëll i hareshëm
përjetësimi/…I lexon këto vargje me admirim dhe me vete thua: Lum kujt ja
kushton. Se që të metaforizohet me
dritën djali, kjo është e dëgjuar, por
që kjo dritë të jetë dritëamëshimi e përcaktuar, kjo flet për një dashuri gati të tejëbotëshme.
…Pasqyrohem në lotin tënd/ ujëkulluar/ si
loti i pendesës… Tre vargje të
thjeshta, dëshmi e një drame dhe e një triumfi . Me siguri që është ajo vajza
që rënkonte…Në çaste vetmie pres kthimin
tënd/për një puthje…
Por
dashurinë poetja e sheh në hapësira më
të mëdha se dashuria e një vajze për djalin. Është dashuria e vajzës shqiptare
për djalin shqiptar e lidhur ngushtë me
-
fatet e kombit….Në
Kodrën e Diellit mbi Tetovë/ ku do mbinin 2001 shpresa dashurie (ndërkohë
në Tiranë shiu shplau në ’97 gjurmët e të djeshmes, në Prishtinë shiu rrëmbeu
më ’99 plagët e pashëruara ndër mote), kurora lirie thurin vashat
-
dhe fatet e botës…shtatori….kaherë
qe kënduar në këngë/por jo dhe shtatori 2001.
-
me fatet e
gjuhës shqipe…Të falem ty o gjuhë
-
me
traditën…thura imazhin e jetës/mbi të
ardhmen/me treqint dasmorë…
-
me familjen, si rallë vajza në botë…Eh, sa e fortë ishte kulla…
dhe
mund të vijonim edhe më tejë, me një besim e bindje të fortë…sepse…kemi gjak të bekuar perëndish.. dhe me
urimin bekim…një kopësht i tërë luledashurish …Mbetesh vargu që nuk ndrydhet/për tja behur në parajs a në ëndër…
Por
në thelb duhet të pranojmë se, si rallë në botë, dashuria e vajzës shqiptare
kushtëzohet jo vetëm nga pëlqimi dy palësh i të dashuruarve. Kanuni,
nacionaliteti, feja, gjëndja shoqërore etj etj zgjatin duart e tyre të “palara”
mbi “tortën e dashurisë”.
Kur
në vitin 2010 vizitova Tetovën, i ftuar në një manifestim poetik, u trishtova
duke parë revanshin obskurantist fetar mbi shoqërinë civile. Vajza të reja,
mbuluar me shami dhe që dukeshin si të future në thes, brenda veshjes fetare, mundoheshin
më kot të fshihnin sytë, ku në dritaret
e tyre, ëndrat e moshës sodisnin plot alarm kohën që ikte, pa ato. As në rrugët
e Stambollit nuk kam parë kaq shumë vajza me veshje fetare, sa ç’kam parë në
Tetovë. Një trishtim më mbuloi ato ditë, çuditërisht me shi, si në vargjet e këtij libri. Por kur në sallën e
qëndrës së kulturës u ngritën në skenë e recituan vargjet e tyre poeteshat e
Tetovës, mu duk se hoqa një peshë të madhe nga shpirti dhe më të bukura mu
dukën rrugët e Tetovës të nesërmen. Ato vajza nuk bënë gjë tjetër, veçse deklamuan
ëndrën e tyre të dashurisë, që mua mu
duk si një sfidë publike, si një flamur
i shpalosur përballë revanshit obskurantist fetar që përpiqej ti imponohej
Tetovës duke synuar viktimë të
parë, botën dhe lirinë e femrës.
Dhe vajzat e Tetovës ju kundërvunë këtij
revanshi me …poezi dashurie… Le të
vërshohet bota në dashuri…ftuan poeteshat e Tetovës
...Bekuar qoftë dashuria…deklamon poetja duke u renditur në vijën e parë të këtij fronti emacipues
të luftës kundër revanshit fetar. Dhe unë sdi pse e lexova këtë varg…rroftë liria…
Në
qoftë se është koha e gabuar për tju gëzuar triumfit (vetiak) të dashurisë, është koha e duhur për të
luftuar për ‘të. Dhe në radhët e para të
kësaj armate, unë shoh dhe autoren e këtij vëllimi. Që di si flet, që di si prin,
që duhet ta ndjekin e ta dëgjojnë, jo vetëm vajzat e Tetovës.
Kështu
e rilexova unë librin “Ujvara e syve” të Zejnepe A. Rexhepit dhe ndoshta, kjo
ishte dhe arsyeja e rikthimit tim, për
të lexuar përtejë vargjeve të poetes.