Përsiatje mbi botën e ndjeshmërisë lirike
“Anatomia e lotit” - Timo Mërkuri
Nga Zejnepe A. Rexhepi
Si
një rrëfimtar të përjetimit dhe realitetit, ku e gjejmë tok, zgjuarësinë dhe
magjinë e fjalës, e njohim poetin sarandiot, Timo Mërkuri..., vepra e të cilit
përshkruan zbarkimin e dhembjes në tempullin e lotit. Ndërkohë që, vargu i tij, nuk përmban vetëm
emocione poetike, por edhe frymëzime kulmore, ku shfaqet mjeshtëria e artit dhe
intelekti prej studiuesi e njohësi të mirë të rrethanave psiko-sociale, politike,
ekonomike, kulturore…, si përkalime, nëpër të cilat lë gjurmë vendbanimi i
poetit - Saranda, dhe më gjerë, trevat mbarëshqiptare.
Timo
Mërkurin, tani më, e njohim si autorë të dhjetëra veprave, duke ndeshur
portretizimin e tij si: poet, novelist, mbledhës folklori, eseist… Një
shkathtësi e konsoliduar, që kemi mundësi ta njohim më detajisht, edhe përmes
Antologjisë poetike: “Anatomia e lotit”,
ku janë përfshirë poezi-perla, nga të cilat njohim trazimin shpirtëror të
derdhur në vëllimet: “Bulevardi i dhimbjes” (2001), “Loti
i detit” (2003), “Klithma e
pulëbardhës” (2004), “Hëna e fëmijrisë
sime” (2008). Janë libra që ngërthejnë mendime të koduara në thesarin e
miteve dhe legjendave, që e ribëjnë vazhdimësinë e jetës, nganjëherë të
konceptuar edhe si bulevard i dhembjes, kur autori pohon: “Dhimbja është banore e qytetit tim/në lagjen time e ka shtëpinë”
(11).
Të
nisësh leximin e antologjisë “Anatomia e
lotit”, e ke të pamundur të mos ndalesh gjatë e vëmendshëm në Bulevardin
e dhimbjes - vepër kjo që rezulton ta ketë rrjedhën nga një poezi me të
njëjtin titull brenda librit, dhe si tematikë, sa për koiçidencë vjen m’u kur jemi në prag të festës së Majit. “Në këtë Bulevard,/ku në skaj të
pranverës/kortezhit të luleve u prijnë dy pëllumba të gurtë/që kanë parcelizuar
jetën në trembëdhjetë vjet/këtu dhimbja ka një emër fëmije/dhe vdekja ka emrin
shtet” (12). Dhembja e poetit ka një emër, është pagëzuar si identifikim i
mërgimit dhe mërgimtarit... Në këtë linjë, edhe krahasimi me trëndafilen e
bardhë dhe vajzat e mërguara, e përshkon mallin e poetit, e psherëtimat e tij
bartin peshën e dhembjes: “...e te pragu
i shtëpisë/një trëndafil i bardhë nusëron./...Por unë s’munda ta këpus/se s’kam kujt t’ia dhuroj” (“Vajzat kanë mërguar”, 15). Kështu, as edhe një pranverë
e vonuar nuk sjell dot behar, si te poezia: “Shtëpia e refugjatit të humbur” (16), aty ku “Konstandini” dhe “Plaka e
Vurgut”, e ndiejnë deri në palcë dhembjen e zanafillës, gjë që e shtynë
autorin të rrëfejë: “O, kjo shtëpi e
vogël në Jug,/si një pikë loti nën qepallë,/është nga pak shtëpia e ne të
gjithëve”. Pikërisht kjo shënon gurthemelin e zanafillës, teksa: “E para ishte fjala!/...dhe fjalë e parë
është “vdekje”/Kështu u lexua ungjilli këtë pranverë/në qytetin tim”.
Megjithëse, kjo është botë e trishtë, poeti, si në vargun përmbyllës të poezisë
“Zanafilla” (21) sërish zotohet: “Unë do të shkruaj Ungjillin që flet për
dashurinë”.
Më
tej, poezitë: “Viti ’97”, “Skafi”, “Trishtim në Ksamil”, janë si të thuash Golgotha e jetës shqiptare të asaj dekade, por që gjurmët e së
keqes i ka thellë e tutje larg, në mjerimin ekonomik që ndër dekada e shkaktoi
komunizmi, në të vërtetë janë poezi ku ndihet pesha e kryqit të vdekjes dhe mbi
të “një ëndërr e vrarë”. Përsëri
rëndon keqas “Pranvera që nuk erdhi”
e jeta mëkaton mbi vendbanimet, në të cilat e vetmja lëvizje është “Zgjerimi i varrezave të qytetit”, e
atëherë si të frymojë “Fshati që vdes”…,
dhe s’të mbetet gjë tjetër, veçse të thurësh “Ode për këtë liri”. Po një ironi therrëse krijojnë vargjet: “Sot për drekë kisha kokën e një miku të
vjetër. *** Sa mirë dimë t’ia hamë kokën
njëri-tjetrit” (33). Trishtim, vërtet i
padurueshëm! E për t’i dhënë fund
trishtimit për jetën, poeti kujton: “Janë
të bukur trëndafilat/dhe kur çelin në ëndërr” (35). Këto çaste, të duket se
merr udhë e flakëndizet dashuria e poetit tek: “Fjalë dashurie” (37) dhe pëshpërit me entuziazëm, ndonëse diskret e
i përmbajtur..., shpejt po zvetënohet dhe ky i paktë mall, teksa vijon me “Lypësat në Sarandë”. Po vallë, nuk mori
fund koha e mjerimit, apo poetët, në
çdo kohë janë vrojtuesit më të vëmendshëm të situatave të tilla jetike?!
Vëllimi
poetik Loti i detit, gjithashtu i përfshirë në “Anatomia e lotit”, përqëndrohet në domethënien e gjallërisë së
jetës, mirëpo temë përzgjedhëse vazhdon të mbetet ajo e trajtura më lart. Të
duket sikur thelbin e kësaj dileme e gjenë në vargjet nismëtare: “As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër
s’vijnë. Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti”. Plagë e moçme kjo, që
në përkalimet kohore iu ndërrua vetëm emri: kurbet
- mërgim, përndryshe ka të njëjtin mall e dhembje. Këtë, pa dyshim që e
krijonte ambivalenca politike e kohës, që del si sajesë e ndërlidhjeve e
ngjarjeve antagoniste prej një sistemi, në një sistem tjetër politiko-shoqëror.
Në
këtë dhe ca përvijime tjera, Mërkuri ka gjurmuar mbi ca mjete poetike në
lashtësi, në traditën shqiptare. Në poezinë: “Sofra” (41), do thoshim, kush më mirë se
një sofër e pasqyron realitetin e jetës në shoqërinë shqiptare: edhe kur ajo dikur ishte
përplot miq, e shtrohej me bukë, kripë e
zemër, por edhe kur pasqyron vetminë trishtuese dhe pragjet e braktisura të
shtëpive të Jugut..., që krijon
ndërlidhje me dy poezitë tjera: “Deti i
hidhëruar” (42) dhe “Edhe këtë
vjeshtë” (43).
Me
frymën e ngasjes së brendshme dhe ngashërimit frymëzënës, i këndon hapjes së
detit dhe fluturimit të pulëbardhave (47), e ato gjithherë janë metafora e së
bukurës së jetës..., për të bërë mbase një ndërhyrje të qëllimshme me triptikun kushtuar “Nitës!”. Ky përjetim dashurie me vashën e ëndrrave, nuk zgjat dhe
aq, sepse vjen tronditëse “Pulëbardha në
zhytje...” (47), të jetë një ëndërr “...apo
është vajzë, kaq shumë e dëshpëruar saqë kërkon të mbytet?” Pse vallë...?
Se akoma loti mbetet margaritar i
syrit të vashës, gruas, nënës... Kjo mbështetje feministe, tregon qartë
formimin intelektual e njerëzor të poetit, Timo Mërkuri, meqë brenga dhe
mungesa e lirisë së femrës, për të, është si “Loti i detit” (53).
Kjo
vepër të duket se ka një gërshetim ideor e tematik edhe me vëllimet: Klithma
e pulëbardhës dhe Hëna e fëminisë sime, që të krijojnë
imazhin e zgjimit kreativ mbi ca ngarkesa emocionale dhe estetike.
Vaji i poetit në poezinë: “I vetëm”
(82)tingëllon kësisoj: “Jam vetëm.
Vetëm-o/Pa një mik. Pa një ëndërr. Pa një shpresë./Më i vetëm se vetmia - nënë
moj”. Malli për një humbje, dashuri, shpresë identifikon zërin poetik edhe
në poezinë “Bungovilet e prera”
(122). Më la mbresë shpjegimi, ku thuhej që këto bimë dekorative, nga vendet
arabe, në Sarandë, i kishte sjellë Naim Frashëri, në kohën ku punonte në
doganën e këtij qyteti.
Me
mënyrën e veçantë të formësimit poetik, të lë mbresë: “Emri i lotit tim”, që ka për motiv trajtese Kosovën, plagën e
arnuar ndër shekuj, dhembjen që nuk e treti as koha..., veçmas kur poezia mban
shënimin, Sarandë 1999, vit që flet qartë për identifikimin kohor në lidhje me
ngjarjet e kësaj periudhe. Dyzimi vëllazëror, poetit i jep të njëjtën dhembje,
të njëjtën vuajtje... përderisa te “Mëria
e monumenteve” (124), fuqishëm ngrihet simboli i madhështisë kombëtare.
Ishte pra, koha e zgjimit të gjakut, ashtu sikurse edhe vargjet kushtuar
Kosovës.
Vendlindja
- Saranda si një teatër tradicional, ku vallëzonin nimfat, e dikur jeta në të,
ishte behar i shpirtit poetik..., tani mbetur si një ishull, në vetminë dhe
braktisjen e brezit të ri. Disa lidhje hierarkike ndërmjet thelbit tematik dhe
shtojcave si nëntema periferike, e përvijojnë këtë vepër, ashtu sikurse
qëndrimi i individit përballë procesit të migrimit që e shtynë autorin ta
shprehë dashurinë për këtë truall, megjithëse jepet si formë mbizotëruese
intelektuale e estetike.
Në
veprën e katërt “Hëna e fëminisë sime”,
të antologjisë Anatomia e lotit, shfalos
ndikimin psikosocial në poezi..., i prirë t’i perceptojë edhe hollësitë e
kujtimeve të fëmijërisë… Po të ktheheshim në kohë, do të vrisnim mendjen nëse kishte kulturë elitare apo për këtë qartazi flasin
peizazhet e pamjeve elegjiake të kohës mbi vendbanimin e Sarandës, që bukur
përmblidhen në fare pak vargje në poezinë: “Ylli
që po fle”.
E sa
për nivele të reja qytetërimi, zbrazen shtëpitë, braktisen dashuritë, zbehet
tradita... Eh, sa plogështohet jeta! Nevoja e identifikimit të dhembjes, nuk ka
tjetër gjuhë, përpos shpërthimit të lotit, anatomia e së cilës nuk dihet se kur
u sajua, por gjithashtu, nuk dihet se kur mund të pushojë së ekzistuari!?
Koha
e shpërbërjes së gjakut fisëror e ravijëzoi Anatominë e lotit dhe dhembjen e
poetit si përvojë e realitetit të hidhur. Në poezinë “Në Butrint” të sajuar vetëm prej një tercine, shkruan: “E bukur është Artemisa, shumë e bukur/Po ç’fatkeqësi. U plak/Me buzë të paputhura”. E bukura vdes nën imazhe të shëmtisë që bredh rrugëve
si padrone e pasfidueshme. Megjithëse, vargu i Mërkurit i nënshtrohet hullisë
së funksionit estetik dhe ngrihet mbi dhembjen si nocion..., gjendja mendore e
poetit kërkon një shprehje funksionale, në kërkim të një ideali pararendës, si
dikur në fëmijërinë e tij. A nënkupton kjo, që i vjen fundi historisë së ideologjive, me tendencën e përcaktimit të normave të moralit,
reagimit të logjikshëm, përderisa jeta përçudnohet me imazhe tjera, të pa
imagjinuara më parë?! Në këto përzgjedhje poetike, ndjeshmëritë mbi realitetin
e përcaktojnë antinominë letrare të Mërkurit, e pikërisht ndjeshmëria dhe
vizioni mbi subjektin dhe konceptet ideale
shënon një model postmodern të poezisë.