MIRËNJOHJE, TIMO MËRKURIT!
Miku im i mirë, Timo Mërkuri, poet dhe studiues i talentuar
është një nga njohësit e shkëlqyer te kulturës popullore folklorike dhe është
marrë seriozisht me të edhe me studime të mirëfillta që kur i kam lexuar, më
kanë mrekulluar dhe mbushur me zilinë e mirë, se sa pak kam shkruar unë në këtë
drejtim, mbi një fushë të dashur dhe që pretendoj se e njoh mirë e mund të
ndihmoja modestisht. Se sa njohës i mirë i folklorit dhe mrekullive të tij
është Timo Mërkuri, mund ta dëshmojë edhe ky shkrim përsiatje mbi baladën time
“ Vjen një trim i mbytur-o.” Po e botoj këtë shkrim këtu jo thjesht vetëm për
ta falënderuar atë me gjithë zemër së bashku më Agron Shelen, qe e ka edituar
ne faqen e tij “Galaktika Atunis,” jo për të treguar se sa i përkëdhelur dhe
mirënjohës ndjehem ndaj një vëmendjeje të tillë prekëse, por për ta lexuar ju
miqtë e mi dhe për tu bindur për njohjen e tij të thelle e të jashtëzakonshme
të kësaj pasurie, të thesarit popullor, nga ku mund të marrës emocione të
papërshkrueshme dhe nga ku të gjithë ne krijuesit mund të përfitojmë
vazhdimisht. Për të parë nga afër dashurinë dhe depërtimin kaq emocional të
Timo Mërkurit në këtë ” bankë” kombëtare plot me shufra floriri, ku mund të hyj
çdo kush dhe të bëhet i pasur duke “luajtur” me këtë “bursë” kaq nazike dhe
mahnitëse të zemrës. Timo, të adhuroj dhe të kam sinqerisht zili për pasionin
tënd, për zotësinë tende, për dashurinë prekëse me të cilën e bën këtë punë kaq
fisnike, këtë vlerë që gati e kanë braktisur të gjithë në këto kohë të ftohta
të modave varavingo drejt modernes. Modernes në thonjëza, se nuk di çka më
moderne në këtë botë se sa krijime të tilla madhështore modës zemrës së
shkallmuar të nj nënë dhe djali të saj të vdekur?! Nuk në di se ka krijime të
tjera më “moderne” se sa këto tablo rrëqethëse me dimensione dhe dhembje
biblike që kanë ruajtur shekujt në gjuhën shqipe! Do të doja ta lexonit, miq,
sepse rrallë gjejmë shkrime të tilla prej ustallarësh! Faleminderit!