Te kjo prozë mund flasim për poezinë …
Shënime gjatë leximit të librit “Ndershmëria
vetëm” të Faruk Myrtaj
Nga Timo Mërkuri
Leximi i tregimeve të librit
“Ndershmëria vetëm” të Faruk Myrtaj, vetiu më kujtoi thënien e Italo Kalvine
se… ”Poezia
e vërtetë është gjithnjë prozë dhe proza
është përherë poezi”. Atë ndjesi ngrohtësie që përjetoja gjatë leximit të këtyre
tregimeve nuk e kisha ndjerë veçse në poezitë më të arira të poetëve të mëdhenj.
Stili që pulsonte nga një resht në tjetrin
më ngjasonte me rrahjet e një
zemre të dashuruar dhe ritmika e jetës që shpalosej nëpër faqe, si hapja e mushkërive në një frymarje plot jetë.
Ndoshta nuk gabohem me këto
metaforizime edhe për faktin se poezinë asnjëherë nuk e kam identifikuar me
vargun. Për mua poezia nuk janë vargjet, qofshin ato të regullta apo të lira.
Poezia për mua është ajo që gjallon dhe frymon brenda vargjeve. Ashtu siç është
zemra dhe mushkëria e njeriut brenda
brinjëve të dërasës së kraharorit. Brinjët e kafazit të kraharorit mund të jenë të forta, por nëqoftëse zemra
brenda tyre ka probleme, probleme ka edhe vetë njeriu dhe jeta e tij. Ose në
qoftëse mushkëritë brenda këtij kafazi kraharori janë të mushura me ujë, njeriu
duhet të numërojë ditët që i kanë mbetur mbi këtë dhe.
Kështu ndodh edhe me poezinë.
Poezia nuk janë vargjet, por ajo që gjallon e frymon brenda vargjeve. Ose në
rastin tjetër, mbi vargje.
Mund të shkosh nën një pemë e të
mrekullohesh nga një kor cicërimash. Ngre kokën dhe sheh se mbi degët e pemës
janë ulur një tufë zogjsh këngëtarë, kënga e të cilëve të bën të mendosh se ato
degë mbi të cilat ata janë ulur, janë
thjeshtë tela violine, që krijojnë atë magji melodie. Besoj se , pas pak
çastesh të gjithë biem dakort që ato degë nuk janë gjë tjetër, veçse disa degë
të zakonëshme peme, mbi të cilat janë ulur zogjtë këngëtarë. Janë këta
zogj orkestrantët e këtij koncerti që ne
na vjen nga lart, si një frymë hyjnore dhe na mrekullon.
Poezia nuk është petalja e
luleve. Poezia është ëndra që ajo mbart.
Në një lëndinë plot
luleshqera, në adoloshencën tonë, mirnim një lule në dorë dhe fillonim t’i
këpusnim petalet një nga një. Pas çdo petaleje që këpusnim pëshpërisnim ëndrën
dhe shpresën tonë të dashurisë me fjalët “Më do”, “S’më do”. Në fakt, edhe hile
bënim nga pak, se dihet që në dashuri
lejohen hilerat. Llogarisnim shpejt e shpejt sa petale kishte luleshqera
dhe bënim llogari që numëri tek binte te “Më do” dhe numëri çift binte te “S’më
do”, nqse numërimi fillonte me “Më do”. Nqse llogaria e shpejtë nuk na dilte
siç donim ne, atëherë e fillonim numërimin me “S’më do”. Bënim çmos që ajo , të
cilës i dedikohej numërimi, të na donte. Na dridhej zemra se mos petalja e
fundit na binte me fjalët “S’më do” dhe brohorisnim me vete, në heshtje dhe
fshehtësi kur petalja e fundit na sillte shpresën se “Më do”.Sa të lumtur ishim
kur fati i petaltë na dëshmonte dashurinë. Madje nuk donim ta vazhdonim më
lojën mëdo-s’mëdo dhe nga ndroja se mos na “përmbysej” fati.
Si një luleshqerë e madhe petalushumë, në fakt pesëmbëdhjetë
petalesh, është libri i Faruk Myrtaj “Ndershmëria vetëm”. Këputni petalet një
nga një, domethënë lexoni tregimet, s’ka rëndësi nga do ta filloni. Të gjitha
kanë aromë dashurie. Edhe “Midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit” edhe “Plakat e
Nobelit” ju duan. Ju duan edhe “Mongolët
që vijnë e vdesin në Amerikë” (kot hiqen si mongolë, ata janë
bashkëqytetarët tanë që kanë emigruar) edhe “Mbreti i huaj”.Dyshoj se do ju
duan “Vetëm për të ndershmit” dhe ju siguroj se ska vend për dashurinë tuaj te
“Burgu i ri”.
Por mos u dëshpëroni miqtë e mi.
Petalja e fundit, poema e mrekullueshme e Faruk Myrtaj “Kur njeriu rrëfen
dashurinë e tij si të bletëve” e shkruar
në dymbëdhjetë faqe proze, jo vetëm që pohon se ju do, por ju fton që të jetoni poetikisht dashurinë. E lexon dhe kupton se
të shkruash kaqë poetikisht në prozë,
duhet të shkruash vetëm me dashuri. Dhe që të shkruash me dashuri, duhet të
dëgjosh fjalët e zemrës dhe jo të
tregosh kafazin e kraharorit, të përjetosh këngën e zogjve dhe jo të admirosh
degën ku ata qëndrojnë. E shihni që jinni me fat, miqtë e mi. Pikërisht petalja
e fundit librit-lule ju dëshmon se Faruk
Myrtaj ju do, ndaj shkruan për ju plot dashuri.
Mua personalisht, s’di pse duke
lexuar këto tregime m’u kujtuan lulekëmbanat e fëmijërisë. I shikoja në lulishtet
e qytetit tim, ashtu, si këmbana të
përmbysura. Pistili që dilte jashtë
tyre, tamam si gjuhëza e këmbanave, më
krijonte bindjen se do fillonte të lëkundej, duke goditur faqet e petalta të
luleve dhe do mbushte ajrin me tingëllimën e tyre ding-dong. Dhe unë prisja vërtet të dëgjoja tingullin e
luleve-këmbanave. Shpesh herë edhe i godisja lehtazi me ndonjë thupër dhe
afroja veshin me shpresë se tani do dëgjoja patjetër ding-dongun e tyre. Madje
disa herë mu krijua bindja se e dëgjoja dhe fluturoja nga gëzimi.
Pikërisht kështu dëgjova sot
muzikën e tregimeve të Faruk Myrtaj te ky libër me prozë, i cili në çdo faqe e
në çdo resht frymonte poezi.
Kishte të drejtë arbëreshit
Francesko Fuska kur shkruan ( në një
shkrim për librin “Etja e gurëzuar” )
se: Jam i bindur se të shkruarit prozë
nuk do të duhej të ndryshonte nga të shkruarit poezi…
Dëshmia qëndron para lexuesit
te libri “Ndershmëria vetëm” i Faruk
Myrtaj .
Sarandë, më 15 Dhjetor 2016