Lisi me rrënjë të thella
Mikut tim Kristo Çipa
Nga Timo Mërkuri
Sa herë që kemi
folur dhe shkruar për këngën iso-polifonike himarjote, me emërtimin “Himarë”
kemi nënkuptuar teritorin që zënë shtatë fshatrat e Bregut të Detit dhe jo thjeshtë qyteti Himarë. Kjo jo vetëm për
arsye të grupimit administrativ të
këtyre fshatrave nën emërtimin Himarë, ( “Krahina Autonome e Himarës” etj) por
edhe për faktin e afërisë të botës shpirtërore dhe materiale të banorëve të
këtyre fshatrave. Për këtë arsye në shkrimin tim “Lisat e këngës” në disa raste, në ilustrimin
e karakteristikave të këngës himarjote në rraport me këngën labe kam përdorur vargje të këngëve
pilurjote.
1-Por pikërisht
ky moment ishte dhe fillesa e këtij shkrimi. Vërtet që këngët e Pilurit dhe
këngët e Himarës janë pasuri shpirtërore e trevës himarjote, por specifikisht
këngët e fshatit Pilur si janë në raport
me këngët e qytetit Himarë?
Afëria e këtyre
dy tipeve të këngëve është e madhe dhe diskutimet për ‘to janë shpeshtuar
sidomos pas daljes në skenë të
grupit të Pilurit. Piluri dhe Himara
janë larg nga njeri tjetri 5 kilometra
rrugë malore ndërsa distanca ajrore
midis tyre është afërsisht 1 kilometër. Janë
të vendosur pranë e pranë, Himara në breg të detit, Piluri në majë të
malit.
Ngjashmëria mes
Himarës dhe Pilurit është shumë e madhe, në zakone, në veshje, në kë -ngë, etj.
Të parë në këndvështrimin folklorik
duken si dy lisa të mbirë pranë e pranë, kurorat e të cilëve mpleksen mes tyre
sa që nga lart, nuk i dallon dot ku mbaron njeri e ku fillon tjetri. Por
pavarësisht nga kjo afëri dhe fakti që janë të dy lisa, ata janë dy lisa të
ndryshëm. Njërin e rreh flladi i detit
tjetrin e rreh flladi i detit dhe era e malit bashkë..
2-Në qoftë se do
bëjmë krahasimin muzikalisht të dy tipeve të këngëve, kënga himarjote është
këngë klasike me katër zëra që janë: marrësi, kthyesi, hedhësi dhe iso-ja..
Kënga është brenda notave muzikore me zëra koke dhe këndohet në gjysëm note.
Kënga e Pilurit
ka gjashtë zëra që janë: marrës, kthyes me zë gryke, hedhës, prerës, kthyes me
zë koke dhe iso. Është këngë me lirizëm të brendshëm, këndohet me zë gryke dhe
ka harmoni të shkallës së lartë. Është këngë me shumë vargje dhe forca e
refrenit është si e marrësit. Kemi këngë lirike, elegjike,epike dhe dramatike.
Te kënga lirike mbizotëron alegria…
Mund të
vazhdojmë edhe më tejë shpjegimet muzikalisht, por meqënëse jo të gjithë
lexuesit e kuptojnë termilogjinë
muzikore dhe teknikat e funksionimin e këngëve iso-polifonike, le të rikthehemi
në stilin tonë letrar të shpjegimit.
2.1-Kemi
shpjeguar në shkrimet tona të mëparëshme
se në Himarë, në Pilur dhe në gjithë
trevën
iso-polifonike labe tipi i këngës shumëzërëshe
ardhur nga hershmëria ishte i tipit …O
shokë more… Vija melodike e këngës ishte gati e njëjtë në të gjithë trevën
iso-polifonike, ndryshonte larmia e tekstit të këngës dhe pozicioni si dhe përbërja
e grupit të këngëtarëve. Kemi theksuar se në këtë kohë konkurohej me tëkst dhe
jo me vijë melodike.
3-Varianti
pilurjot u çfaq pas variantit himarjot.
Në qoftë se varianti himarjot i këngës ka si datëlindje vitin 1929 me inçizimet e Neço Mukos në
firmën PATHE në Paris, varianti pilurjot u prezantua në Festivalin Folklorik
Gjirokastër në vitin 1973 me këngën “Bejk’ e bardhë”. Dalja në skenën e
artit popullor e këngës pilurjote mund të krahasohet me rrënien e një tërmeti
nëntë ballë diku në mes të detit, tërmet që jo vetëm vithisi malet dhe kodrat
në brigjet e detit, por ngriti dhe male dallgësh në mes të detit, dallgë që u
përplasën me furi në brigje.
Temat e bisedës
mbi këngën pilurjote u ngjanin shkëmbinjve të zjarrtë që forca e vullkanit në
shpërthim i hidhte nga krateri i tij sa lart aqë edhe larg. Kudo që binin
ndiznin zjarre debatesh dhe më entusiaztët ja nisnin këngës “Bejk’ e bardhë”
kudo që të ishin. Kjo këngë këndohej nga
udhëtarët nëpër autobuze, nga klientët nëpër klube, tifozët me këtë këngë
nxisnin skuadrën e tyre për fitore, me këtë këngë priteshin nuset në shtëpinë e
dhëndërit etj etj... Bejka e bardhë e eklipsoi për shumë kohë këngën
meritashumë “Vajz’ e valeve” . Marrësen e këngës Vasillo Lapa populli e ripagëzoi Vasillo Bejka.
Pastaj…kënga e
Pilurit njohu vetëm ngjitje, ngjitje cilësore dhe rritje vlerash.
3.1-Kënga
pilurjote është rritje e trungut të liskëngës së herëshme pilurjote, por më i
lartë, më i drejtë dhe më i fortë. Dhe ajo që ka rëndësi është fakti se ky
trung që u rrit nxorri degë të shumta, njëra më e bukur se tjetra duke krijuar
kështu një kurorë sa të gjërë aqë dhe të bukur. Edhe kënga himarjote u rrit dhe
u zbukurua, por ajo mbeti vetëm rreth ciklit të këngëve të Neço Mukos, ashtu si
një vejushë që ja kushton gjithë kujdesin dhe jetën djalit të saj të vetëm. Përkundrazi, kënga pilurjote i ngjan
një shtëpie të mbushur plot me fëmijë,
njëri më i bukur apo më i prapë se tjetri, fëmijë që shtohen do vit me motra e
vëllezër të rinj.
3.2-. Këngën
himarjote e dëgjon ulur në karike, magjepses dhe loton nga mrekullia që
përjeton, kënga pilurjote të rrëmben ashtu siç të rrëmben një dallgë e fuqishme
deti kur ecën shkujdesur në rërën e bregut, të merr në gjirin e saj, të bën
pjesë të saj. Do këndosh se s’bën kur je pranë saj, pavarësisht se me zë të
ulët apo të lartë.
3.3- Në qoftë se
zërin e hedhësit himarjot do ta perifrazonim me një rufe në një fllad, hedhësin
pilurjot do ta perifrazonim me një rrufe shoqëruar nga bubullima. Në qoftë se
marrësin himarjot do ta krahasonim me një valë të ëmbël deti, marrësi pilurjot
është një dallgë e fuqishme që përplaset në shkëmb, stërkalat e të cilit të
stërpikin edhe kur je larg bregut.
4-Por ne le të
ndalemi te disa elementë vendimtarë në krijimin e fizionomisë të botës shpirtërore të cilat prodhuan këto
këngë. Grupi himarjot është një grup burrash i konsoliduar me një numër të
caktuar 5-7 veta. Qënia e Katina Belerit , madje në rolin e marrëses te grupi
aktual himarjot, është përjashtimi që përforcon rregullin. Qysh nga grupi i
Neço Mukos e në vijim grupi himarjot ka
qënë një grup burrash në të cilin nuk bënte pjesë asnjë femër. Madje teksti dhe
melodia e këngëve të këtij grupi të krijon përshtypjen se nuk i përshtatej interpretimit nga këngëtarja
femër. Kënga i kushtohej femrës, por e kënduar nga burrat.
Interpretimi i
këtyre këngëve nga Katina Beleri rrëzoi një tabu dhe rolin e marësit të këngës
himarjote ajo e fitoi falë talentit të saj.
4.1-Krejt
ndryshe është përbërja e grupit të Pilurit. Madje ai nuk mund të quhet “grup”,
ai është një asambël i tërë që e “zapton” gjithë skenën me praninë e tij. Por
ajo që është më e rëndësishme, krahasimisht me grupin himarjot, në grupin
pilurjot elementi femër është jo vetëm i
pranishëm por edhe në numër është gati i barabartë me elementin mashkull. Bile elementi femër është dominues
në zërat marrës dhe hedhës, dy zërat që i japin tonin dhe natyrën këngës.
4.2-Duke patur
parasysh faktin se Himara është konsideruar qytet bregdetar, me admini -stratë dhe shkolla, ka qënë qëndër e
rëndësishme administrative dhe fetare e njohur dhe e kontaktuar nëpër kancelaritë
dhe mbretëritë e kohës, nyje e rëndësishme komunikimi tokësore dhe detare në
një kohë që Piluri ka qënë dhe mbeti një
fshat malor me një nu -mër maksimal banorësh prej 500 frymë, pa kontakte me
botën perëndimore apo lindore, pra duke patur parasysh se ballafaqohet arti i një qyteti (i vogël,
por gjithsesi qytet) me të një fshati malor dhe të izoluar, është e natyrëshme
që elementët më të emacipuar të jenë pjesë e qytetit dhe jo e fshatit.
4.3-Por në këtë
rast ndodh e kundërta, civilizimi i femrës, dëshmuar te pjesmarja e saj në
grupet folklorike është evidente në grupin e Pilurit dhe mungon te grupi i
Himarës.
Por nuk është
fjala vetëm te pjesmarja në grupin e këngës.
4.4-Në Pilur
edhe vallet janë mikse, meshkuj e femra
bashkë, ndërsa në Himarë vallet janë të ndara, veçë burrat e veçë gratë, veçë
vajzat e veçë djemtë. (Vallja e rrëndë e burrave është kategori më vete).
4.5-Unë mund tju
dëshmoj dhe dokumentoj faktin se në
Pilur, kur loznin të rinjtë futboll ishte gjë e zakonëshme pjesmarja e femrës
në përbërjen e skuadrave të futbollit. Dhe e kam fjalën për para viteve
pesëdhjetë-gjashtëdhjetë, jo për vitet dymijë e gjashtëmbëdhje -të.
4.6-Fakti që
blegtoria ka qënë bazë e jetës diktoi në këngë shoqërimin e saj me mjete
muzikore të botës baritore. Mjetet më të dashura për pilurjotët janë cula dhe
dyjarja të cilat janë pjesë e inventarit muzikor të çdo familjeje. Edhe grupi
folkloric pilurjot shumë këngë i shoqëron me culë dhe dyjare, duke muzikuar në
këtë mënyrë elementin baritor të jetës. Më lejoni që tju tregoj edhe një
kuriozitet për këto vegla muzikore.
Kur kënga “Bejk’
e bardhë” u prezantua në Festivalin Folklorik Gjirokastër në vitin 1973 me marrëse
Vasillo Lapa kishte shoqërues me culë
Milto Gjiçalin dhe, në dyjare Margarit Kongjinin. Pas mbarimit të këtij
Festivali, grupet më të suksesëshme u
ftuan në Tiranë të jipnin një koncert para udhëheqjes së kohës. U ftua
sigurisht dhe grupi i Pilurit, por ju kërkua që të mos e shoqëronin këngën me
culë dhe dyjare sepse “kënga popullore nuk shoqërohej me vegla muzikore”.
Pilurjotët refuzuan argumentin e
paraqitur por urdhëri ishte i prerë. Atëherë pilurjotët i fshehën veglat në veshjen e tyre dhe kur dolën në skenë i
nxorën triumfalisht, me një gjest kalorsiak siç nxiret koburja nga brezi në
dyluftim, gjest që u shoqërua me duartrokitje nga publiku.
4.7-Historia e
rebelimit antiturk njeh edhe komiten (kaçaken) pilurjote Zogë Muçja ndër -sa
nuk përmëndet ndonjë rast himarjoteje, pa nënvlerësuar kontributin e grave dhe
vajza -ve himarjote në histori. Ne e kemi fjalën për cilësim individi (si psh
Maro Konde në Ço -rraj).
Natyrshëm lind
pyetja: Ku e ka burimin ky ndryshim dhe avancim pilurjot në rraport me Himarën?
5-Piluri është
fshat malor por që nuk i mungon toka. Fusha e Vanovës që shtrihet deri në kufi
me fshatin Kuç është një burim i madh jetese. Por problem ishte se Piluri i kishte të
kufizuar krahët e punës meshkuj edhe për arsye se meshkujt mereshin me jetën
blegtorale. Kështu që nevoja kërkoi aktivizimin e femrës në jetën ekonomike. Ato kryenin jo vetëm
punët e shtëpisë, por edhe punët bujqësore të familjes, siguronin në mal drutë
e zjarrit për në dimër.
5.1-Edhe Piluri
edhe Himara bazë të jetesës kanë patur blegtorinë. Por vetëm pilurjotët mirnin
gratë me vete në stane (si stopane) për të punuar bulmetin. Pilurjotët
shtegëtonin familjarisht, duke marë me vete gjithë familjen, bura, gra e fëmijë
gjë që nuk e bënin himarjotët dhe lebërit. Në familjet pilurjote administrimi i
bulmetrave (djathë, gjizë, gjalpë etj) ishte detyrë dhe e drejtë e grave.
Himarjotët, por edhe lebërit e quanin për “turp” të mirnin gratë në punë stani.
5.2-Gratë e
Pilurit asnjëherë nuk kanë qënë femra të “mbyllura” në shtëpi të ndrydhura nga
kanuni. Asnjë kanun nuk e mbyllte femrën pilurjote, ndonëse koha i kishte
mbyllur rrugët e emacipimit dhe të arsimimit. Por ato gjithnjë e gjenin rrugën
për të mbrojtur veten e tyre. Nuk janë të pakta rastet që gratë pilurjote të
paraqiteshin në kuvendin e burrave te rrapi i fshatit dhe me kobure në brez te
replikonin me burrat dhe të kërkonin të mbronin të drejtat e tyre (a).
5.3-Por gratë
pilurjote ishin të tëra vajtore me nam. Nuk kishte morte në krahinë ku të mos
ishin të pranishme gratë-vajtore-pilurjote që me ligjërimin e tyre të bënin të “çahej
guri” nga dhimbja që përcillnin dhe finesa me të cilën e shprehnin. Emrat e
shumë vajtoreve dhe vajet e tyre na kanë mbritur deri në kohën tonë.
Por pas vajit
vjen logatja dhe më pas e gjitha kjo shndrohet në këngë. E kush mund ta mbrunte
më mirë se nënat këngën nga vaji i mortit? Kënga u mbrujt nga nënat. Dhe nënat
së pari këtë këngë ua kënduan fëmijëve. Por kënga u dëgjua dhe nga burrat, të
cilët kthyen kokën drejt grave të habitur me këtë mrekulli melodike që po
krijonin ato. Sepse pilurjotët e kanë
dashur gjithmon këngën, madje thonë se Piluri ka lindur nga kënga.
6-Përmëndëm më sipër faktin se pilurjotët
shtegëtonin me bagëti familjarisht. Vendet e
shtegëtimit
(verimit) të tyre ishin kryesisht
Zagoria, Lunxhëria dhe Korça. Por këto krahina ishin gjithashtu edhe
vende të njohura të emigacionit ekonomik.
Burrat e fami -ljeve zagorite, lunxhiote dhe korçare ishin emigrantë
ekonomikë . Duke punuar nëpër vendet europiane dhe në amerikë, veç të ardhurave
financiare ata sillnin edhe kulturën europiane apo amerikane, mënyrën e jetesës
së këtyre vendeve dhe për pasojë edhe civili -zimin e femrës.
6.1-Me këtë
kulture dhe me këtë civilizim binin në kontakt pilurjotët gjatë “emigrimit” të
tyre të brendshëm. Thotë një këngë pilurjote…Leskovik vajta njëherë/ vajta për të blerë verë/ gjezdisa derë më derë /me
para s’gjeçë të blejë/ Leskovik o gur i thatë/sa të bukura i ke gratë/ të voglat dhe të mëdhatë…Duke
qënë se pilurjotët kishin gratë dhe
fëmijët me vete në shtegëtime, thithja e kësaj kulture perëndimore bëhej më e
shpejtë dhe kultivohej menjëherë në jetën e tyre. Vërtet që varfëria ekonomike
i pengonte pilurjotët të visheshin “allafrënga”, por aktivizimi i grave dhe
vajzave në jetën kulturore ishte pa shpenzime fina -nciare. Fakti që finesa
femërore i bënte më të pëlqyeshme dhe më të bukura këngët dhe vallet ishte
“çelësi“ që u hapi portën e pjesmarjes në jetën kulturore grave dhe vajzave
pilurjote. Festat fetare në Pilur ishin edhe një demostrim i pjesmarjes aktive
të femrave në këngë e valle në shesh të fshatit.
6.2-Dalëngadalë
kjo pjesmarje femërore u bë
domosdoshmëri organike për tu kënduar kënga apo për tu kërcyer vallja.
Kënga kërkonte zërin e ëmbël dhe vallja kërkonte hapin e lehtë të femrës.
6.3-Por duke
hyrë femra si pjestare e grupit të këngës, ajo filloi të ndikojë cilësisht te
teksti dhe melodia, duke i dhënë finesë, elegancë dhe ëmbëlsi këngës. Kënga
pilurjote e mëparëshme, pavarësisht tipit melodik të të kënduarit kishte një
tematikë të larmishme, që të kujton lulet e shumta të fushave në prill. Ishte
një këngë e veçantë në gjithë trevën iso-polifonike sepse këndohej nga grupe
mikse burrash e grash. Si pasojë e kësaj pjesmarjeje të femrës, edhe tonaliteti
i lartë i disa zërave ishte çuditërisht i ëmbël dhe jo i ashpër.Po kështu edhe
vallet, e kënduara apo jo, kishin larminë tematike dhe finesën e të kërcyerit
si pasojë e përbërjes mikse të grupit.
6.4-Pilurjotët
kishin avantazhin e përthithjes së kësaj kulture perëndimore nëpër vendet ku
shtegëtonin për vetë faktin se ata e mirnin këtë kulturë nga vendasit
zagoriotë, lunxhi -otë dhe korçarë të “shqipëruar” më parë prej tyre dhe jo
duke u ballafaquar me vështirësi -të gjuhësore të kombeve prej nga vinte.
7-Por edhe
himarjotët emigronin do thotë dikush, madje edhe lebërit nuk emigronin më pak.
Është e vërtetë
që dhe himarjotët emigronin, kryesisht në Venedik. Por ky ishte kryesisht
emigracion ushtarak. Himarjotët shkonin ushtarë në ushtrinë e Venedikut,
luftonin e fito -nin pasuri e grada, por kultura që mirnin ishte kryesisht
ushtarake. Kjo kulturë ushtarake i shërbente forcimit të autonomisë së Himarës
por jo civilizimit dhe përparimit kulturor
të saj. Pra, ky emigracion ushtarak nuk i hapi ndonjë portë civilizimit
të femrës himarjote dhe aktivizimit të saj në jetën kulturore.
7.1-Fillimi i
emigracionit ekonomik në vitet njëzetë ishte si “ardhja e pranverës ”për jetën
civile himarjote.. Lindja e grupit të Neço Mukos dhe këngës së tij “avazi “ himarjot është edhe produkt
i ndikimit europian në jetën shqiptare,
ardhur nga emigrantët himarjotë në përgjithësi dhe Neço Muko në veçanti. Le të
kujtojmë faktin se Neço Muko emigroi në Francë gati një pesëvjeçar para se të
krijonte dhe inçizonte këngët himarjote. Ardhja e “avazit” të Neço Mukos ishte
si …erdhi prilli, shkriu bora/ majave…
7.2-Edhe lebërit shkonin nizamë nëpër viset
sulltanore. Por edhe ky ishte një emigracion ushtarak, madje shumë i ashpër.
Nizamët shqiptarë bëheshin më të zymtë gjatë shërbimit ushtarak turk sepse edhe
vetë ky shërbim ushtarak ishte shumë i vrazhdë. Ata s’kishin çfarë gjëje të
bukur e fine të mësonin te ushtria turke. Ata do ishin të fituar në qoftë se do
ruanin kujtimet e shtëpisë dhe të vendit të tyre, kujtime që mjegulloheshin me
kalimin e viteve. Për mos t’u haruar, kujtimet i shkruanin nëpër këngë, ku
bënte roje një iso e ashpër. E ashpër që të mos futej fshehtazi nëpër
këngë ndonjë “aman-amane” turke.
7.3-Në këngët
pilurjote, fryn një fllad i lehtë i
ëmbëlsisë së këngës himarjote si
dhe një rrymë e epizmit lab dhe kjo jo rastësisht. Piluri ndodhet në kufirin
midis labërisë dhe Himarës, dhe po të analizojmë edhe emrin Pilur që ka
kuptimin e vendrojes, mund të themi se Piluri ka qënë vendroja e Himarës në
kufi me labërinë. Madje edhe vala e mysli -manizimit të labërisë dhe ecja e besimit islam drejt Himarës u ndal
në Pilur, i cili u dogj e u masakrua mbi dy herë nga ushtria turke.
Por le të
vazhdojmë me analizën e këngës.
8-Mendojmë të
theksojmë edhe faktin që Piluri ka patur një numër të madh rapsodësh me aftësi
dhe nivel të lartë krijimi. Vetëm në 200 vitet e fundit numërohen mbi 80
rapsodë me krijime të arira. Krijimet e këtyre rapsodëve, këngët dhe
bejtet ishin një revolucion më vete në
civilizzimin e jetës shoqërore. Ata kuptuan se të qesëndisësh me bejte veset e
bashkëfshatarëve nuk ishte “ftesë për duel” apo ofendim publik, por ishte një
mënyrë fine e të kritikuarit dhe një
ftesë për korigjim. Po të lexosh bejtet e
Pilurit mahnitesh nga larmia tematike e tyre dhe mrekullohesh nga mënyra fine e
qortimit apo kritikës e cila, jo vetëm që nuk shkaktonte qefmbetje por pritej
me humor dhe natyrisht lindte dëshirën për korigjim.
8.1-Në këtë
korpus popullor këngët e dashurisë ndrinin nga ëmbëlsia si diamante. Ato ishin
dhe mbetën në moshën e rinisë, në stinën e dashurisë. Ata propoganduan në
krijimet e tyre faktin që dashuria të
mba të ri e të bukur. Urejtja është ajo që të mpak e të plak. Prandaj Piluri ka
kaq shumë këngë dashurie. Pothuaj se të gjitha vajzave u është ngritur këngë
nga rapsodët apo djemtë e dashuruar. Këto këngë
dhe bejte të rapsodëve pilurjotë
ndikuan në zbutjen e ashpërsisë të jetën shoqërore dhe shpirtërore të bashkëfshatarëve
të tyre ashtu siç ndikon si dielli i pranverës mbi dëborën e mbetur nga dimri i
kaluar.
E parë në këtë
këndvështrim kënga pilurjote është si një lis i mbirë dhe rritur në mal, por në një vend të mbushur me lule dhe
jo rrëzë ndonjë shkëmbi të shkretë.
9-Duhet të
specifikojmë faktin që në Pilur të gjithë banorët janë rrënjës, pra nuk ka të
ardhur, në një kohë që në fshatrat e tjera të Bregut ka banorë të ardhur nga
veriu (Thopajt - Topiaj në Dhërmi etj) pas vdekjes së Skënderbeut në tentativë
për të kaluar në Itali apo të mbetur pas zbarkimit të Gjon Kastriotit të Ri.
9.1-Kështu që,
duke mos pasur të ardhur nuk ka ndikime kulturore jashtë fshatit. Ndiki -met e
vetme janë ato që kanë përzgjedhur vetë banorët në zonat e shtegëtimeve. Në
Pilur ende përdoren fjalë të vjetra si çeço për babai, dade për nëna, toto për
kushëririn e burrit, bulla për kushërira e burrit etj. Pra duhet të theksojmë
se kultura është rrënjëse, e vendit dhe jo e huazuar.
10- Pjesmarja
aktive e femrës pilurjote në këngë, ashpërsia e një jete malore,
vendbanimi në një vend të konsideruar
si vijë kufiri midis dy besimeve fetare, pozicion ky që ka sjellë jo pak
përplasje të armatosura (flëmë me dyfek nën kukë- thotë një këngë
e vjetër pilurjo- te), një traditë shpirtërore shumëshekullore e patrazuar nga
ndikime të jashtëme dhe sidomos një jetë folklorike aktive plot këngë e bejte
të kënduara publikisht në shesh të fshatit apo te rrapi qenë “përenjtë” që rritnin
nivelin e ujit në “ujëmbledhësin”
shpirtë -ror. Përenjtë janë malorë dhe uji është i pastër.
Kjo pasuri
shpirtërore (në kontrast me varfërinë materiale) shumë e madhe për një fshat të vogël do
kërkonte dhe do gjente terenin ku të shpërthente digat tradicionale.
11-Kënga
pilurjote lindi si një fidan lisi dhe u rrit si një lis me rrënjë të thella, i
ushqyer nga shpirti i një populli të rritur
në furtunat e jetës. Ky popull, që jeta e privoi nga shumë privilegje materiale
por që gjithnjë ruajti në shpirtin dhe buzët e tij fjalët më të ngrohta
përkëdhelëse, ëndrat dhe shpresat më të mëdha për jetën, të cilat si flori të
shkrirë i derdhi në format e këngës.
Pilurjotët, nuk
prodhuan nëpër shekuj ndonjë flamur të qëndisur me fije ari apo argjendi Për
flamur ata patën këngën me vargje dhe
tinguj diamanti, nxjerrë nga shpirti i tyre.
a-Përmëndim rastin e gjyshes sime nga
babai e cila, me kobure në dorë i kërkoi llogari vjerit të saj para kuvendit të
burrave për një ofendim që i kishte bërë ai në shtëpi. Aty ajo i deklaroi
ndarjen nga biri i tij dhe i kërkoi kuvendit që ta detyronte të riste ai fëmijën,
sepse ajo do martohej sërish dhe s’mund ta mirte te shtëpia e burrit të ri,
sepse fëmija ishte… vajzë dhe burri i ri
nuk e kishte bijë të tijën…
Sarandë, më
9.7.2017