Jemi që pa ardhur deti
Shënime për librin
“Jemi që pa ardhur deti “ të Akri Çipa.
Nga Timo Mërkuri
Bashkëbisedimi i një gjyshi me
nipin e tij, në kujtesën e secilit prej nesh
është ravijëzuar në një panoramë idilike, gjyshi flokëbardhë ulur
pranë oxhakut duke i treguar histori nipit të tij, i cili i ulur në prehërin e
gjyshit përthith çdo fjalë të historive që i tregon ai. Vetëkuptohet që këto
janë histori me kalorës trima që luftojnë për vatanin kundër bajlozëve që vijnë
nga deti. Sigurisht që këta kalorës trima luftojnë të shpëtojnë edhe ndonjë princeshë të bukur, që
bajlozët kërkojnë ta marin si robinjë. Kalorësit trima fitojnë gjithmon në
dylyftim me bajlozin e zi dhe domosdo në fund
të luftës martohen me princeshën
flokëverdhë. Historia vazhdon me këngët e dasmës që jehojnë në shtatë male nja shtatë a tetë
ditë, aq sa ta zërë gjumi nipçen e vogël që kotet në gjunjët e gjyshit.
Kjo është panorama e përgjithëshme
konturuar në kujtesën tonë për një bashkëbisedim gjysh-nip.
Por ja që Akri Çipa me librin e
tij “Jemi që pa ardhur deti”, një intervistë-ese me poetin Lefter Çipa, gjyshin
e tij, na e shbën gjithë këtë panoramë arkaike dhe na paraqet nje realitet
krejt tjetër. Nuk është një nip i ulur në prehërin e gjyshit të tij flokëthinjur
në pritje të përrallës së radhës. Ky gjysh i tij është as më shumë e as më pak,
por një mal i lartë, që vetkuptohet nuk e nxë shtëpia e tij e vogël. Madje atë
nuk e nxë as fshati i tij i lindjes dhe
as qyteti i vogël ku banon. Prandaj dhe bisedën gjysh-nip nuk mund ta bëjë pranë
oxhakut por e bën në shpatet e historisë, në gërxhet e miteve, këngëve,
artit, në atë që quhet bota shqiptare.
Gjyshi tij është një mal i sertë në grykat dhe honet
e të cilit fërshëllen era me suferinë dhe në shpatet e tij plot lisa këndojnë
poezitë si zogjtë këngëtarë. Ai është një
mal që i impononte moskuptimin në fëmini dhe besimin në rini.
Këtij mali që e mbulon me hijen e tij i
doli përpara Akri Çipa, jo për tu
strukur tek shkëmbinjtë por për të rrëmbyer
thesaret që ai mban në vete e për vete. Ato thesare të krijuara nga përvoja jetësore
dhe krijuese, qytetare dhe atdhetare.Trysnia e një jete aktive dhe sfiduese si
dhe suksesi i aritur nga Lefter Çipa, i ka shndruar në thesare përvoje edhe
elementët më të thjeshtë të aktivitetit të përditshëm. Në mos gabohem, trysnia
shekullore mbi elementët e karbonit krijon dhe diamantët në zemër të malit. Këta diamantë kërkon të nxjerë nga zemra dhe
mëndja e “malit“ Lefter Çipa autori i ri.
Pyetjet e bëra u ngjajnë tuneleve
hyrëse në miniera. Aty, në thellësinë e malit
është “thesari minerar” si pjesë përbërëse e gurit të malit. Aty hyn
autori dhe zgjedh pikërisht shkëmbin ku
shkëlqen përmbajtja e mineralit të rrallë.
Në këtë konteks, çuditërisht në
raportin gjysh-nip është nipi ai që drejton. Gjyshi i “bindet” dhe shkon nga i
thotë ai. Sepse nipi e sheh “damarin” e mineralit të rallë brenda në gjoks të malit dhe ai synon që pikërisht atë të marë. Ai kërkon ti tregojë Europës “floririn dhe argjendin”
e shpirtit shqiptar dhe jo shkëmbinjtë
“inatçorë” e “tekanjozë” patriarkalë.
Zgjedh dhe seleksionon tema bisede ashtu si inxhinjerët e minierave projektojnë
degëzimet e tuneleve për të shfrytëzuar të gjithë rezervatin minerar, ashtu si
minatorët seleksionojnë shkëmbinjtë me përmbajtje
të lartë minerali nga dherat e gurët e panevojshëm. Dhe nuk ndruhet që të kapë
tema “tabu” të cilat të përmëndura në median e folur apo shtypin e përditshëm
shkaktojnë furtunë mediatike . Mjafton që një gazetare të pyesë një grup analistësh të mbledhur në
një studio televizive se ç’mendim kanë
ata psh, për dygjuhësinë në Himarë, që në studio të shpërthejë tramudana e debatit,
argumentat dhe kundërargumentat të bien si orteqe sa që mund të thuash se erdhi
dita e kiametit.
Ose të shkruajë dikush në ndonjë
gazetë për këtë temë, është si ti hedhë benzinë zjarrit.
Të gjitha gazetat e vendit marin
flakë dhe hajde shuaje po munde.
Autori mjeshtërisht e udhëheq
bisedën duke e parë Shqipërinë, historinë, kulturën dhe traditat e saj nga
Europa dhe jo duke i folur Europës nga Shqipëria. Dhe ne që e shohim me sytë e
autorit, befasohemi se sa i bukur qënka vendi ynë, arti ynë, historia jonë.
Gjyshi i autorit, ai mal i lartë
plot “hone” e “gërxhe”, qëndrimet sfiduese të të cilit shpërthenin si suferina
në debatet mediatike dhe publike me temat e përmëndura më sipër, këtë herë është
shumë i qetë. Argumentat që parashtron në intervistë nuk rrokullisen si orteqe
gjëmëmëdhenj por rrjedhin si përenj pranverorë me gurgullimë të ëmbël, fjala e
tij nuk ka as gjurmën më të vogël të suferinave por ka flladin e mbushur me këngë zogjsh e aromë lulesh të
porsaçelura.
I pozicionuar në këtë mënyrë, çuditërisht
na duket më i bukur nga sa e kemi njohur më parë, na duket edhe më i madh. Madje
na duket se është shndruar në një monument që na sheh nga lart, pakëz me
dhimshuri, sikur na qorton lehtësisht për mosdijen apo moskuptimin tonë. Sikur
na thotë që për të qënë patriot dduhet të kemi
atdhedashurinë, pa qënë nevoja të kërkojmë aventura shkretëtirave të nacionalizmit.
Mjafton të dimë që këtu ku jemi,
“jemi që pa ardhur deti” dhe jo ti themi detit ktheu nga ke ardhur.
Mjafton të lexojmë këtë libër të
këtij djali të ri që të dëshirojmë të lexojmë të tjera krijime të tij, me
bindje se me talentin e çfaqur në këtë libër intervistë-ese, shumë shpejt do do
ta eklipsojë edhe gjyshin e tij.
Sarandë, më 21 Gusht 2017