Nuk e çon vetullën Idriz Seferi.
…ose... një letër për Sabit Rustemin*.
Nga Timo Mërkuri
Drejt e pate o Sabit Rustemi kur i
pëshpërite Idriz Seferit të bronxtë …çoje
pak atë vetull përpjetë/ le t’ tremen retë/ e dridhe një trohë/sall nji trohë
mustaqen…, drejt e ke. Se nuk bën që
aty në mes të Gjilanit, në atë ditë të skuqur flamujsh të 28 Nëntorit, duke
ecur mes luleve e kurorave, Idriz Seferi
i bronxtë të shkonte vetullngrysur për
tu ngjitur në piedestal. Dhe ca më tepër të qëndronte aty me atë vetull të
ulur mbi sy sikur kqyrte
me dhimbje diçka a dikë. ..Sikur të
qe e martë, mortja e martë … Si dita kur
mbetëm pa Shkup … Normalisht në këtë ditë Idriz Seferi duhej të
dridhte mustaqen me një farë krenarie duke
parë tejë horizonteve, mbi maja malesh dhe jo ta mbante dorën te naganti, gati
për ta nxjerrë nga brezi e për ta shkrepur. Sepse ishit në shesh të Gjilanit ku
brohoriste një popull i tërë dhe jo në
grykën e Kaçanikut ku shkrepnin dhjetëmijë dyfeqet e Shefqet Dërgut Pashës
mbi Idriz Seferin me dymijë e pesëqint
male.
Drejt e pate kur i the…Jo nji shesh/por krejt Gjilani i joti asht/
e shqiptaria…se ti na bane me emër/na bane me shpi/edhe mbas njëqint e sa
vjete…Kush fole shqip t’qohet n’kamë/ Se ti je
themeli i saj…Vërtet drejt e pate. E mua, kur të dëgjova ti thoshje …Se ti je themeli i saj, i Shqipnisë, mu kujtua ai nëntor i largët i 1912 kur Idriz
Seferi i thoshte Isa Boletinit…Nisu Isë drejt e në Vlorë te Ismail Qemali, të bëni
Shqipërinë për ne e për fëmijët tanë. Ti je më i ri se unë, ndaj nisu shpejt.
Unë po mbroj Kosovën nga Sërbi, unë po ju mbroj edhe ju prej këtu.
Vërtet o Sabit nuk ishte Idriz
Seferi në Vlorë të hidhte një firmë, por po mos të ishte Idriz Seferi në këmbë,
nuk do firmosej dot në Vlorë. Prandaj drejt e ke kur i thua se na bëri me shpi
e me Shqipëri.
Drejt e pate o Sabit Rustemi, por a
e di? Idriz Seferi aty në shesh të Gjilanit nuk u ndje rehat. Jo nga turma
popullore që s’ndalte brohoritjet, duke thirur emrin e tij.
Nuk e hutuan as fjalimet e politikanëve (sa të stërgjatura që qenë ato. S’ditkan të flasin shkurt këta burrat e sotëm).
Shihe pak me vëmëndje o Sabit
Rustemi, shihe Idriz Seferin. Me atë
vetull të ulur mbi sy, ai nuk po sheh
sheshin e Gjilanit por po sheh diku më larg. Sheh tejë në Prishtinë ku pa një tym e dëgjoi sherre e britma. Kujtoi se
nisi lufta ndaj e shtrëngoi nagantin fort sa ju bronxua dora përmbi të. E ku ta
dinte se ai qe Parlamenti i Kosovës ku deputetët shqiptarë hidhnin kundër shqiptarëve gaz lotsjellës,
duke lotuar gjithë shqiptarët shpi më
shpi. Ai nuk e kuptonte pse bënin kaqë shumë shamatë. A thua nuk kuptonin shqip,
ndonëse shqipen e flisnin bukur fort. S’ka
faj Idriz Seferi o Sabit se ai është mësuar të drejtonte kuvende burrash
si i Ferizajt më 5 Korrik 1908, ku të
tridhjetë mijë pjesmarësit dëgjonin me frymë të ngrirë fjalën e tij. Madje dhe era u ndal
e s’guxonte me shkue atyre shtigjeve.
Ai është mësuar të drejtonte
beteja, ku as vdekja nuk i ndalte bijtë e Kosovës, kur thërriste Idriz
Seferi sulm për liri.
I hodhi sytë e pa në Tiranë, më mirë
mos të kishte parë e dëgjuar. Tym e turp në Parlament. Burra që shanin nga gratë
e gra që qeshnin si burra të dehur, me fjalë turpi.
Pa më thuaj o Sabit Rustemi, pse ta
çojë atë vetull Idriz Seferi? Përse ti qeshet syri e ç’farë të shohë me
krenari? A mos vallë të shohë atë birbon që hoqi flamurin kombëtar nga sheshi i
Prishtinës, që e hoqi zvarrë si një reckë të vjetër e të ndotur ? Por a e di ai
pis burrë që për atë flamur Idriz Seferi dhe trimat e tij kaluan jetën me
nagant në dorë e me syrin në thep të pushkës. A do ja thotë ndokush atij që dha
urdhërin se, ai flamur është i kuq jo nga boja por nga gjaku i derdhur mbi të e
për të i bijve të këtij kombi.
Dhe ajo shqiponja nuk është një zog
koti, por është shpirti ynë i ngjitur në flamur.
Ndaj këndojmë...Shqipëria shkëmb e gur/ (Ësht’)
vrarë e prerë për flamur/ Hasmët hiq e neve vur.
Prandaj o Sabit Rustem miku shko
dhe njëherë sot në shesh të Gjilanit e shihe prapë Idriz Seferin. Po nuk ka
plasur në njëmijë copa bronxi i tij nga
marazi, të siguroj unë që sytë i ka të përlotur.
(Me sy të përlotur i shkruaj dhe
unë këto radhë. Dhe nuk i çoj dot
vetullat të shoh kënd në sy).
Ndaj nisu turravrap e ngrije atë
flamur nga toka miku im (nuk është bërë pis, jo) dhe me ‘të,
së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit.
Atëherë do shohësh si do ta çojë
atë vetull, do ti ndrijnë sytë e do të kqyrë me dashuri.
Sarandë, më 16 Shkurt 2018
*-Për poezinë e tij “Çoje pak atë vetull Idriz Seferi”
publikuar në 28 Nëntor 2017