Nga Timo Mërkuri
NJË POEZI SHPIRTI NË TRE VARIANTE
Nga një poet për një poet mik.
I- Një fotografi çasti e një filxhani kafe me
sfond një anije turistike në gjirin e Sarandës dërguar me viber Sabit Rrustemit
në Gjilan në mëngjesin e datës 25 Tetor 2022 e nxiti këtë të fundit të postonte
poezinë e Musa Ramadanit
“Homazh për mikun tim” me poshtë shënimin “Beqir Musliut”
dhe të ma niste dhe mua në mesenxher. E
veçanta e dukshme e kësaj poezie qëndron te fakti se është shkruar në tre
variante si dhe në tre data të ndryshme: 24.06.2005 varianti i parë, në
25.06.2005 varianti i dytë dhe në 3.07.2005 varianti i tretë. Poezia, ose më mirë:
tre variantet e një poezie më pëlqyen shumë dhe meqenëse i njihja nga krijimet të dy poetët, madje për
Beqir Musliun kam shkruar, sipas natyrës sime, i kërkova Sabit Rrustemit të më
thoshte diçka për miqësinë e dy shkrimtarëve të shquar nga Kosova, të cilët
vendlindje të tyre kanë Gjilanin. Më
duhej që të kuptoja diçka më shumë rreth
miqësisë së tyre sepse kjo poezi në tri variante nuk ishte shkruar rastësisht.
II- Sabit
Rrustemi papritmas më “përcolli” te Ibrahim Kadriu,
sepse sipas tij edhevetë Ibrahimi bënte pjesë në atë grupim miqsh, por përkundër
shpresave të mia të shtuara, ky më përgjigjet me një tekst të shkurtër: “Ka ekzistuar ajo miqësi, po, është e
vërtetë. Të të them se, aso kohe, domethënë pas pjesës së dytë të viteve gjashtëdhjetë
e sidomos viteve të shtatëdhjeta, e kishim shoqërinë e përhershme Beqir Musliu,
Musa Ramadani, Teki Dervishi dhe unë. Na lidhte mosha dhe përkushtimi. Ishte
një kohë e artë…”, tekst për të cilin Sabit Rrustemi u shpreh (sigurisht
duke qeshur me vete): “Ibra paska kaluar në 360 klm në orë, në një
miqësi që ka zgjatur për afro 4 dekada...”.
Ndonëse përgjigja
e Ibrahim Kadriut më zgjeroi hapësirën e miqësisë, nga dy në katër poetë dhe
konkretizoi periudhën e kësaj miqësie: në vitet e nxehta pas gjashtëdhjetë e
pesë e sidomos vioteve shtatëdhjetë, e ndjeva se ishte një informacion që “nuk
thoshte shumë” dhe nisa të mërmërit me vete. Tre variantet e poezisë që i
lexova, nga tre herë secilën, thoshnin shumë më shumë se këta dy poetë, ndaj
nisa lundrimin në internet, por meqenëse nuk dola dot në ndonjë breg të
“hajrit”, duke “shkelur” etikën, i shkrova sërish Sabit Rrustemit që të mësoja më shumë rreth
tyre. Se, ishte poezia ajo që më intrigonte.
Musa
Ramadani e Beqir Musliu
kanë qenë të dy nga i njëjti
qytet, Gjilani. Nisur nga datëlindjet, Musa Ramadani ishte më i madh, por në krijimtarinë
letrare së pari ka hyrë Beqir Musliu, madje qysh nga shkolla e mesme. Është pikërisht
koha që afrohet me veprimtarinë atdhetare të Rexhep Elmazin,
po nga i njëjti qytet, i cili bashkë me
Teki Dervishin arrestohen si pjestarë të grupit të Adem Demaqit dhe më pas dënohen
me burg të rëndë në vitin 1964, si Rexhepi ashtu dhe Tekiu. Dënimin e vuajnë në Goli Otok, burgu më
famëkeq në ish Jugosllavi. Sigurisht që në objektiv të policisë ishte edhe
Beqir Musliu, por si nxënës i shkollës së mesme, paksa e shpëtoi edhe rastësia. Nuk u dënua për fat, por u lirua.
Musa Ramadani në këtë periudhë ka qenë më i distancuar nga ky grupim shkaku I
rrethanave familjare Pas vitit 1968 dhe rivendosjes së tyre në qytetin e
lindjes, miqësia e këtyre ( Rexhepit, Beqirit e Musës ) forcohet tej mase.
Beqir Musliu,
nga viti 1965 - 1968 kishte të botuara tri libra, madje edhe një poemë për Skënderbeun. Pas daljes nga burgu të Rexhep Elmazit, Treshja e
famshme gjilanase kthehet në skenë, kësaj here përmes letërsisë. Për nga stili
dhe figuracioni që përdornin, krijimtaria e tyre rëndom cilësohet si “hermetike”,
simbolikë etj., por ajo në vetvete është një krijimtari letrare moderne, madje me një vokacion krejt ndryshe nga Podrimja,
Azem Shkreli e Rrahman Dedaj. Qasje moderne
në letërsi atë kohë, me krijimet e tyre
letrare shpërfaqin dukshëm edhe dy gjilanasit tjerë, Ibrahim Kadriu e Mirko
Gashi.
Ndonëse patën probleme me pushtetin, marrëdhëniet mes këtyre
pesë krijuasve gjilanas të asaj kohe ishin marrëdhënie tejet vëllazërore. Me të
drejtë mund t’i quajmë “Pesëshja e Artë e Gjilanit” në letërsinë shqipe. Këtë
miqësi e forcoi, pastroi dhe kaliti në rradhë të parë arti dhe letërsia, të cilës
ju përkushtuan që në nga mosha rinore, kur ëndërrat krijojnë profilin jetësor të
poetëve.
Koha e kërkoi
dhe këta krijues u bën edhe më tok në Prishtinë, ku kishin mundësi më të mëdha
në përsosjen e artit letrar. Përmes studimeve si dhe angazhimeve në të vetmen gazetë
të përditshme në gjuhën shqipe atë kohë
( Rilindja), brenda pak vitesh, gjysma e
dytë e viteve gjashtëdhjeta, u gjendën njëri pas tjetrit, në Prishtinë.
Në Gjilan mbeti vetëm Rexhep Elmazi, i cili përgatitej dhe priste
momentin që të zhvendoset dhe ai në Prishtinë. Një atentat “misterioz”, që për
këdo ishte e qartë se qe kurdisur nga UDB-ja, më 16 maj 1978 e plagos rëndë dhe pas nëntë ditësh luftë mes
jetës e vdekjes, vdes më 25 maj 1978 në spitalin e Prishtinës. Dyshohet me të
drejtë edhe sot se në vdekjen e tij
“ndihmuan” edhe mjekët e spitalit të Prishtinës që ishin nën kontrollin e
UDB-së.
Nga vitet shtatëdhjet e më pas, Beqi Musliu,
Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu vazhdimisht do të jenë bashkë, dhe këtu ka
rolin e saj edhe “RILINDJA”, ku punonin.
Musa Ramadani dhe Beqir Musliu, në
Prishtinë ranë në sy shpejt me shetitjet e tyre të përbashkëta nëpër korzon e famshme
të Prishtinës dhe sidomos me daljet e përbashkëta në kafe “ELIDA”, afër
Pallatit të Shtypit, aty ku sot është NEWBORN. Ishte si një rutinë e përditëshme që reth orës 10 e 30 t’a pinin bashkë kafenë
e mëngjesit, aty, afër qendrës, po edhe Pallatit të Shtypit. Një tavolinë më
tej vendoseshin rëndom, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti e Zejnullah Rrahmani.
Kishin raporte të mira mes vete, po tavolinat nuk i bënin bashkë.
Elita letrare dhe intelektuale e asaj kohe ishte mësuar
tashmë t’i shihte te ELIDA dhe, mund të
habitej vetëm po t’i shihte ndaras, gjë që nuk ndodhte.
Në qoftë se dikush do pyeste se: cila ishte tema e bisedave
të tyre të përditshme që nuk iu krijonte monotoni, përgjigja është e
kuptueshme: Letërsia.
Në
krijimtarinë letrare Beqir Musliu do ecte më shpejt, falë talentit të tij, por
edhe Musa Ramadani ishte krijues produktiv, sidomos me angazhimin e tij
postmodernist në letërsi. Librin e parë NEUROSIS e botoi privatisht dhe ishte
një poezi ndryshe nga ajo që shkruhej në atë kohë në Kosovë. Mund të thuhet se
ai ishte “babai” i postmodernizmit në Kosovë. Pastaj vijnë veprat e tjera, si
nga njëri ashtu edhe nga tjetri,deri në… shuarjen e tyre.
Kësaj
Tresheje (Beqir Musliu, Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu) në Prishtinë, pas
daljes nga burgu i bashkangjitet Teki Dervishi, i cili gjeti “strehë” në gazetën "Flaka e
vëllazërimit" në Shkup si dhe Jusuf Gërvalla. Shtëpia që i mbante nën një
kulm, s’do mend ishte RILINDJA.
Tekiun, fjala vjen, distanca nuk e
pengonte të mbante miqësinë. Ata i kishin të tyret fundjavat, teatrot dhe artin letrar që i bashkonte kurdoherë e kudo, në Gjilan, në
Prishtinë, në Gjakovë apo dhe në Shkup. Që të tre do të bëheshin propoganduesit, afirmuesit e vlerësuesit më
të denjë të jetës letrare dhe teatrore në këtë pjesë shqiptare që ndodhej në
ish Jugosllavi. E, mbështetës të forte në “Rilindje” e kishin Ibrahimin, i cili
redaktonte faqet e kulturës, po edhe Mirko Gashin, i cili përveç si poet,
njihej si njëri nga përkthyesit më të mirë nga shqipja në serbokroatisht dhe anasjelltas.
Ishte vdekja
ajo që e ndërpreu këtë miqësi.
Fillimisht
ajo mori Beqir Musliun, i cili, si askush tjetër ishte i lidhur me Gjilanin.
Madje edhe pushimet verore ishte i vetmi që i bënte në Gjilan. Musa Ramadani
psh. pushimet i kalonte në Ulqin, e Teki Dervishi shkonte në Gjakovë. Beqir
Musliu u shua më 24 qershor 1996 (në Prishtinë) ku ndikoi dhe një operim jo i
sukseshëm që ai bëri në një nga spitalet e Moskës. Vlen të themi se atje, në
spitalin e Moskës ai kishte shkruar edhe “Ditarin e Moskës”, veçse këtë ditar e
kishte “shkruar” (më mirë do thoshnim: e kishte koduar) përmes figurash. Pas
vdekjes së tij, askush deri më sot nuk ka arritur ta deshifrojë. Si duket,
qëllimisht e kishte koduar përmes figurash, për ta shprishur kur të kthehet në
shtëpi, por nuk arriti.
III-Nga
qershori i vitit 1996 e deri në vdekje ( 10 mars 2020 ), Musa Ramadani, te
ëmbëltorja ELIDA do të dilte dhe do të rrinte fikall i vetëm. Rrallë do t’i
jepte leje dikuj tjetër të ulej aty, ku dikur rrinte Beqir Musliu.
Kjo është edhe arsyeja që Musa Ramadanit do t’i vetëtojë në
mendje, mbase dhe përditë, kafja e pa pirë e Beqir Musliut. Sepse, ishte malli për mikun, dashuria,
dhimbja e mërzia e pa fund që e ngacmonte.
Në Prishtinë, aty te kafe “Elida“ atë
ditë të 24 qershorit 2005, ditën e nëntë vjetorit të shuarjes së mikut të tij, i trishtuar shkroi këtë poezi. Poezia ishte e
bukur, por atij nuk i pëlqeu ai variant,
ndaj shkoi përsëri të nesërmen te kafja “të takonte mikun e tij” . Beqir Musliu
përsëri nuk erdhi, por në vend të tij ja behën kujtimet dhe ajo flutura e një
dite më parë, ndaj ai e rishkroi përsëri
poezinë, porn ë . Ishte data 25.06.2005. Dihet që poetët janë të vetmit që nuk
kënaqen me poezitë e tyre dhe nuk reshtin së korigjuari ato, madje edhe pas
publikimit, kështu që Musa Ramadani shkoi përsëri disa ditë resht te kafe “Elida” me bindjen se: sigurisht do të
vinte Beqir Musliu, si para nëntë vjetësh apo para një shekulli. Ndoshta ju kujtua shkarazi që ai ishte shuar,
por “shuarja” nuk ka qenë asnjëherë pengesë për poetët. Përsëri
Beqir Musliu “nuk erdhi”, por Musa Ramadani i rrethuar nga kujtimet që
zhurmonin rreth tij bashkë me atë fluturën
përherë e pranishme, aty te NEWBORN e rishkroi përsëri poezinë, atë që
ai e quan variantin e tretë, të datës 03.07.2005. Shkoi në shtëpi i trishtuar
dhe i rilexoi me vëmëndje të tre variantet, ku pa i habitur se nuk kishte
shkruar një poezi të arrirë, por kishte hedhur në qiellin poetik një
kostelacion prej tre yjesh, të cilat qëndronin pranë njeri tjetrit, si të lidhura me një fushë
magnetike me emrin e Beqir Musliut. Dhe jo vetëm me emrin e tij. Këto tre poezi-yje të lidhura në një
kostelacion miqësie nuk i ngacmoi më për
t’i ndrequr, e kush i “ndreq” për t’i bërë më të mirë e më të bukur yjet?
Kështu i la për
ne, me atë dritëz pakëz të verdhëlluar nga trishtimi.
Me qënë se Teki
Dervishi iku në qershor të vitit 2011 e Musa Ramadani u shua në 10 mars 2020,
ndërkohë që Mirko
Gashi kishte shkuar më 6 qershor 1995, i vetmi prej këtyre “gjilanasve të Artë”
që ka mbetur është Ibrahimi Kadriu, i cili për miqtë e tij flet pak, sepse i dhemb
shumë çdo kujtim i tyre.
IV-Le të shohim tri variantet
e poezisë “Homazhe për mikun”, ose më saktë, si i shoh unë këto tre variante.
Musa Ramadani
HOMAZHE PËR MIKUN TIM
Beqir Musliu
(Varianti i parë)
Kaherë
s`kemi pirë kafe espresso!
Ishte e premte, ora 10,30, te
„Elida“
Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë
e 5
Porosita dy espresso të gjata, or
mik
Te tavolina e parë, aty, pranë
dritares
Në takëmin e filxhanit-te luga e
sheqeri
Ta vura një lulebliri e një cigare…
Seanca spirituale filloi në kujtime
Shpejt paskan preftuar nëntë vite!
S`kemi pirë espresso bashkë kaherë
Prita një orë e gjysmë-dialog me
vetmi
Asnjë mik a mikeshë jona nuk erdhi
Një shpirt vërtitej në trajtë
fluture
Pranë tavolinës, sipër karriges tënde
Atëherë
nisa ta pija espresson time.
24.06.2005
Te “Elida“
PR.
E parë si një poezi më vete, ndjejmë
qysh në vargun e parë një dhimbje të autorit për vetminë e tij, por ja që në
vargun “Porosita dy espresso të gjata, or mik” për një moment ai harron që është
vetëm. Ai është i vetëm fizikisht sepse shpirtërisht është bashkë me mikun e
tij, ndaj jo vetëm që porositi dy ekspreso të gjata, por: “Në
takëmin e filxhanit-te luga e sheqerit/Ta vura një lulebliri e një cigare”, veprime këto që kryhen
instiktivisht në pritje të ardhjes së afërt të mikut, thua se është duke larë
duart para se të ulet në tavolinë. Shikon orën 10.30, tavolinën, dritaren, të
njejta si para nëntë vjetësh. Vendosja e një cigareje është ritual që bëhet për
një mik a shok, por vendosja e një lule bliri tregon se personi që pritet të
vijë është një mik i ngushtë. Veçse poeti vjen në kujtesë: “Shpejt
paskan preftuar nëntë vite”
(24 qershor 2005-24 qershor 1996) dhe ishte pikërisht dita që miku i tij kishte
“ikur”. Ishte përvjetori i nëntë i ikjes së tij. Ai ndoshta instiktivisht ka
shkuar te ajo kafe pikërisht atë ditë, por dhe ky instikt ishte nxitur nga një
kujtesë e brendshme. Shumë personave u
ka ndodhur që në përvjetorin e ndonjë miku të kryejnë instiktivisht veprimet që
kryenin së bashku në të gjallë, madje në të njëjtin vend apo objekt. E parë në
këtë këndvështrim këto veprime duken si një ritual nderimi për atë që mungon.
Veçse në këtë rast, kjo “mungesë“ mungonte, pasi: “Një shpirt vërtitej në
trajtë future/Pranë tavolinës, sipër karriges tënde”. Beqir Musliu fizikisht nuk erdhi,
por shpirti i tij mbërriti në formën e një future dhe Musa Ramadani s’kishte
pse të priste më, ndaj : “Atëherë nisa ta pija espresson time”. Poeti u qetësua, piu kafen dhe
nxitoi për në shtëpinë e tij ku shkroi poezinë e …takimit me poetin.
HOMAZHE PËR MIKUN B.M
(Varianti i dytë)
Nga
sh.20 s`kemi pirë espresso
Veçsa erdhi kafeja për ty
Syprina e filxhanit u davarit
Aty u sajua një shkronjë : B.
Pranë lugës e sheqerit,aty
Anës tavllës së filxhanit
Ta vura një cigare e lulebliri
Duhanin e pije sall për hatër timin
E aromën e blirit e adhuroje.
Espresso-n e fundit e pimë, vallë
Këtu e nëntë vite më parë tok?!?
Për sa kohë ke humbur nga unë
Aq jam mplakur unë prej teje!
Zura ta gjerbja espresson time
Ajo jotja shformësohej papra
Kamarieret më pyesnin për shokun
Që më mungonte, vonohej, harronte
Pas afro dy orësh, në vend teje
Arriti një flutur si shpirti yt
Seanca spirituale nisi pa fjalë
Në praninë e frymës tënde aty
Ende s`kemi pirë kafe në sh.21!
25.06.2005
Te “ Edi_2“ PR
Tashmë mungesa nuk është nëntë vjet,
por realisht është nëntë vjet e një ditë,
kohë që për poetin bën plot një shekull. Në këtë cilësim poetin e ndihmon fakti
që ikja e Beqir Musliut ka ndodhur në vitet e shekullit njëzetë (24.06.1996),
ndërkohë që poezia është shkruar në shekullin njëzetë e një (25.06.2005). Një
shënjë i thotë se diçka po ndodh: “Syprina
e filxhanit u davarit/Aty u sajua një shkronjë : B”. Është nënvetëdija e
tij ajo që i shfaq iluzionin e shkrimit të gërmës “B” që tregon praninë e Beqir
Musliut.
Nuk dihet në se Musa
Ramadani thërret në ndihmë kujtesën, apo
i erdhi vetë : “Duhanin e pije sall për
hatër timin/E aromën e blirit e adhuroje”, duke na dhënë pa dashje imtësitë
e një miqësie ku Beqiri e pinte duhanin për t’i bërë shoqëri Musait, ndërkohë
që këtij të fundit i kujtohej se sa shumë e adhuronte aromën e blirit tjetri. Kjo
miqësi e “ikur” nëpër kohë ka lënë jo gjurmë, por pasoja te poeti Musa
Ramadani, që ai i shpreh duke kaluar dorën te balli i tij plot rrudha: “Për
sa kohë ke humbur nga unë/Aq jam mplakur unë prej teje” dhe mua mu kujtua Schopenhaueri
kur shkruante: “Është humbja ajo që na
mëson vlerën e gjërave”, në këtë rast vlerën e miqve.
Në qoftë se variant i parë ka 15
vargje, variant i dytë ka 21 vargje, por tej numrit të vargjeve, e dukshme është
se poezia e dytë, vargu i dytë thotë:
“Veçsa
erdhi kafeja për ty”, sikur
do t’i thotë:”shpejto të vish se po të
ftohet kafja”.e cila ”(Ajo e jotja) shformësohej
pa pra”. Mosardhjen e mikut të tavolinës Musa Ramadani sigurisht që nuk e
ka vënë re,pasi me atë po bashkëbisedonte, por mungesa është vënë re nga
kamarierët , të cilët:
“Kamarieret më pyesnin për shokun/Që më
mungonte, vonohej, harronte”. Te ky variant pritja ka qënë më e gjatë; “Pas afro dy orësh, në vend teje” se në
variantin e parë ku: “Prita një orë e
gjysmë-dialog me vetmi”, veçse në të dy rastet ka: “Një shpirt vërtitej në trajtë future” në variantin e parë dhe “Arriti një flutur si shpirti yt”
varianti i dytë. Duke parë variantin e tretë:
Homazhe për
mikun B.
PAS NËNTË VITESH,MIK
(Varianti i tretë)
Krahu i djathtë i fluturës
Preku ajkën e espresso-s
Lehtas,leee-ht, lehtësisht
Ne filxhan vizatoi gërmën B.
(Kafe e porositur veç për ty)
Nisa ta gjerbja espresson time
Duke soditur filxhanin tënd
Kamarieri tri herë më pyeti:
A do të vijë miku yt sot?
Unë po pres-gjegja-nuk di!
Ishte 24 qershori i vitit 2005
Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite
Pa pirë bashkë kafe espresso!
P.s.
Ishte shpirti yt ai
Që si flutur zbriti!
3.07.2005
Te “Edi-2” PR
E diel, me shi
…shohim se kemi jo vetëm një rikthim te poezia me pesëmbëdhjetë
vargje, si në variantin e parë, por edhe në spostim të vargjeve të mëparëshme. Këtë herë
poezia nis me krahun e djathtë të fluturës, që pasi prek ajkën e kafes
espressit, sigurisht lehtas, si një shpirt, në filxhan vizatoi germën B sikur
donte të prezantohej apo të njoftohej që kishte ardhur nga tejbota veç për ‘të:
“Krahu
i djathtë i fluturës/ Preku ajkën e espresso-s/Lehtas,leee-ht, lehtësisht/Ne
filxhan vizatoi gërmën B”.
Sigurisht që këtu pyetjet e kamarierit nuk kanë atë tension si te varianti i
parë dhe përgjigja duket pakëz “indiferente” për arsye se poeti Musa Ramadani e
ndjeu më shumë se sa e kuptoi që: “Ishte shpirti yt ai/Që si flutur
zbriti”! Interesant
është fakti që Musa Ramadani e shpreh periudhën e mospirjes së kafes: te
varianti i parë-në nëntë vite, të variant i dytë- një shekull dhe te variant i
tretë rikthehet përsëri në nëntë vite. Pra e parë gjeometrikisht kemi
pozicionin e një rombi me qëndrim vertikal, ku dy skajet e tij këndngushtë të
sipërme janë të njejta: nëntë vite dhe skajet e mesit janë në një shtrirje një
shekull. Kjo mund të duket si rastësi, por duke kujtuar që edhe vargjet sipas
varianteve janë 15-21-15, pra në formën e një rombi vertikal, mendoj se poeti qëllimisht
e ka krijuar këtë figurë gjeometrike në këtë krijim të tij.
Le ta vazhdojmë këtë vëzhgim: Vargu
i parë te varianti i parë është:”Kaherë
s`kemi pirë kafe espresso”, ndërkohë që vargu i fundit te variant i tretë është:
“Pa
pirë bashkë kafe espresso”,
pra vargje me të njëjtën domethënie.
Te varianti i parë vargjet vijuese janë:
“Ishte
e premte, ora 10,30, te „Elida“/Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë e 5”, ndërkohë që të variant i tretë
vargjet mbyllëse janë: “Ishte 24 qershori
i vitit 2005/Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite”. Cilësojmë këto dy vargje se
vargjet: “Ishte shpirti yt ai/Që si
flutur zbriti” kanë funksionin e një ylli në bredhin e vitit të ri, janë
vargje triumfi si brohoritja e fëmijëve në orën 12.00 të datës 31 dhjetor kur
shpallin ardhjen e vitit të ri. Pra strukturalisht këto dy variantet ( i pari
dhe i treti) janë si reflektim i njeri tjetrit në syprinën e variantit të dytë,
i cili është më i gjerë. Sigurisht ne nuk duhet të kërkojmë një “reflektim
pasqyre” të detajeve, këtu flitet për poezi dhe detajet sigurisht që janë
poetike.
Këto tre variante mendoj se nuk
duhen parë të shkëputura nga njera tjetra dhe të diskutojmë se cila është më e
bukur, nadje as vetë poeti nuk ka patur si synim t’i ndante apo të përzgjidhte
njerën prej tyre. Këto tre variante janë të lidhura me njera tjetrën, jo vetëm
më idenë poetike, jo vetëm me strukturën vargore, por në radhë të parë janë të lidhura shpirtërisht. Edhe vetë cilësimi: “variant i parë, i dytë
dhe i tretë” dëshmon se kemi të bëjmë me një poezi. Këto tre variante janë
rënkime shpirti nga dhimbja, të cilat fillimisht vijnë me madhësi më të vogël,
shoqërohen më pas me një “rënkim shpirti” (i themi ne) të gjatë e të forte, për tu mbyllur
me një rënkim gati të njëjtë me të parin.
Mos u përpiqni t’i ndani nga njera
tjetra këto variante, ato janë të pandashme, janë tre “strofa” të së njëjtës
poezi dhe unë do t’ju thoshja: të një poezie shpirti.
Sarandë, më 1-3 nëntor
2022