KUR FLASIM PËR AGIM MATON
Nga Timo Mërkuri
Kur flasim për Agim Maton nuk ia kërkojmë datëlindjen në
certifikatën e gjendjes civile, ku me një kaligrafi fine është shënuar data 09 mars 1947. Kjo është datëlindja e njeriut, ndërsa ne te Agim Mato shohim
poetin, ndaj për të gjetur ditëlindjen e tij, lexojmë vargjet që ai vetë ka
shkruar me ngjyra deti: “[…] u mblodhën
aromat e tokës, gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit, meditimet e ullinjve,
dhe krijuan mua... biri i brigjeve të
gjelbra. Biri i rërës dhe i detit…” dhe aty kërkojmë një datë.
Agim Mato ishte një poet që jetën e tij e shtriu dhe e
shkriu në vargje, madje dhe dhimbjen e persekutimit si bir i një të dënuari
politik, si një krijues që iu hoq e drejta e botimit, madje gjithë privacionet
e kohës çuditërisht i derdhi në vargje që rrëzëllejnë si ar i derdhur në kurora
dafinash.
Është i vërtetë fakti që për gati 30 vjet ai heshti (si bilbili në degë) së botuari, por
poeti nuk heshti kurrë së krijuari. Ai mblidhte në shpirtin e tij poezinë, siç
mbledh mali në basemet brenda shpateve e gërxheve ujërat e shiut për burimet,
poezi që do shpërthente me vrull pas viteve ..2009 kur pa dhe ndjeu që koha dhe shokët prisnin
vargun e tij poetik.
Ai erdhi me vrullin e ujërave pranverore, me ngjyrat dhe
meloditë e kësaj stine, madje këto i solli si: “[...] biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i detit / Fytyrën time nuk
mund ta ndash kurrsesi / nga buzëqeshja e portokalleve dhe trungjet e menduara
të ullinjve ...”, pa turfulluar hakmarrje e përmbytje.
Agim Mato u rikthye si poet jonian, me shikimin e tij plot dritë drejt të nesërmes, pavarësisht
se mund të shkruante për të djeshmen a për të sotmen. Vargu i tij kishte një
hapësirë të kaltër deti, plot jod e lule të vockla ulliri që ndjellin paqen edhe në mes të rrebeshit.
Fjala poetike e tij është si një pulëbardhë, që me lojën e saj mbi valë, tërheq
shikimin e meditimin, ngjall shpresë e buzëqeshje edhe te njerëzit e
dëshpëruar.
Me poezinë e tij ai i dha formë e jetë stilit modern të
poezisë joniane, duke i ngritur hymne jetës në mes të mortit, ngjyrosi me kaltërsinë e detit shpirtin e
njerëzve, mbolli në jetët e tyre një …
ulli, pavarësisht se prej tyre pati hequr …të zitë e ullirit.
Kur flasim për poezinë e Agim Matos, flasim për një
hapësirë të kaltër, gati qiellore, plot yllësi metaforike apo njelmësi detare,
që të fton t’i lexosh dhe rilexosh dhe të pyesësh veten se nga vjen kjo
ngrohtësi në këto poezi. Ai e shihte veten
si pjesë të detit, madje deti fillonte
te zemra e tij për të vazhduar më tej, nëpër brigje. Kudo që shkonte,
detin e merrte (metaforikisht) me vete,
me valët e stërkalat e tij, me anijet e sandalet e peshkatarëve, me
pulëbardhat mbi valë e myshqet në fund të detit. “Gjithë ditën fjalosemi me detin” pohon poeti te “Ode e fëmijërisë” se: -“Jemi ende fëmijët
e tu të përjetshëm / shtangur para magjive jonike”.
Madje edhe ngritja në rang kombëtar dhe roli i një
“institucioni poetik” të Klubit të Krijuesve Jonianë dhe të Manifestimeve
poetike “Trirema joniane” lidhet me punën dhe përkushtimin e tij, veçse duhet
të saktësojmë se: ky fakt s’ka të bëjë me ndonjë talent apo aftësi drejtuese e
organizuese të lindur a të fshehur të Agim Matos. Kjo ka të bëjë thjeshtë me
intuitën poetike të tij për rinovimin e përvojës së arritur, gjetjen dhe krijimin e kontakteve me poetët e duhur
që lëvronin forma dhe stile të reja poetike në një nivel sipëror.
Kjo dëshmon faktin që “Klubi i Krijuesve Jonianë” u
shndërrua në një qendër promovimi e prezantimi të poetëve shqiptarë dhe
krijimeve të tyre, ndërkohë që poetët më në zë nga Kosova, Maqedonia e Veriut,
Greqia dhe Italia Jugore ishin “në shtëpinë e tyre” në Manifestimet e Triremës
sonë Joniane apo në ngjarjet tona promovuese. Saranda mirëpriti poetë nga
Spanja, Kroacia, Bosnjë Hercegovina, Qipro, Franca, Rusia, Siria, Tunizia etj.
të cilët nxitonin plot dëshirë dhe kuriozitet drejt këtij qyteti me Klubin e
Krijuesve Jonianë si “Farin e vetmuar në Jug”.
Në qoftë se Agim Mato mbylli sytë në 10 maj 2021, me këtë
akt ai nuk shkoi drejt harresës, por
hyri në mesin e atyre poetëve, të cilëve pikërisht në ditën që pushojnë
së frymuari fillon e u përcaktohet pavdekësia.
Tashmë ne do hyjmë plot kujdes e vëmendje brenda vargjeve
të tij, si në një galeri mali për të arritur, gjetur e marrë poezinë e vërtetë,
si një madem xeherori të rrallë. Do të pasurohet
së tepërmi ai që do gjejë qoftë edhe një copë të vogël nga ky “mineral”.
Pra, ju them: datëlindja e njeriut Agim Mato është një datë e regjistruar në gjendjen
civile, datëlindja e poetit Agim Mato është në vitin 1969, kur botoi librin e
parë poetik JUG, ndërsa prej 10 Majit 2021 filloi ...”e
vazhdon përjetësia” e tij.
Sarandë, prill 2022