NDOSHTA VJEN TË HËNËN…
Një emër
Kur dëgjoj këtë emër vajze, dridhem
e kam frikë.
Më duket se do të tradhëtohem sërish.
Ndoshta vjen të hënën…
Si erdhi kjo e shtunë që nuk është e shtunë?
E heshtur.
Dhe heshtja është hymn i vetmisë.
Akrepat e orës
ngjajnë si kërcuj shkurresh, të djegura në shpat mali.
Luhaten nga era.Po prapë mbeten në vend.
Duhet patjetër të kaloj të dielën,
si një djerrinë të përcëlluar
plot thëngjij e afsh shkrumbi,
e të mbrij tek e hëna,
ku më prêt buzëqeshja e një trëndafili të porsaçelur
që valëvitet si flamur në kiçin e tragetit.
Dhe s’dua të mendoj
që e hëna mund të vijë dhe vetëm.
Po
qe kështu, lere, të mos vijë.
Sy vajze në trotuar
Qerpikët lyer me rimel e zgjatur si qipariza
u bëjnë hie ëndrave të vdekura
varosur në parcelat e syve.
Sa shumë varre,
sa shumë kryqe
paska brenda tyre.
No comments:
Post a Comment