I SHKRETI HODO ALI
Shënime mbi një këngë-vaj
Nga Timo Mërkuri
1-Ra topi në Palavli[1]
"Ra topi në Palavli[2],
Fush’ e Delvinës u nxi,
Me nizam’ e me deli,
Dhjetë mijë suvari
Fush’ e Delvinës u nxi,
Me nizam’ e me deli,
Dhjetë mijë suvari
I shkreti Hodo Ali[3],
I kish djemtë çilimi,
Bën me dor’e bën me sy:
O djema, t’u hidhemi,
I kish djemtë çilimi,
Bën me dor’e bën me sy:
O djema, t’u hidhemi,
Mos trëmbi se s’vritemi
Është nat’ e s’shihemi,
Me plumba s’goditemi,
Me palla do pritemi!...[4]
Me plumba s’goditemi,
Me palla do pritemi!...[4]
Për të kuptuar dhe ndjerë këtë
këngë popullore duhet të njohësh
historinë e lindjes së saj atë ditë
shtatori të vitit 1847 në betejën zulmëmadhe të Palavlisë,
betejë që u shndrua në një kasaphanë
lemeritëse.
2-Ishte Qershor i vitit 1847 kur krerët
e Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Mesaplik. Kënga regjistron: Mesaplik te rrapi thatë/U mblodhën gjithë
kazatë….dhe vendosën: Kurvelesh
krye të ngrini/gra e burra armët vini,/nizam’ Turqis’ mos i ipni..
.duke shpallur në këtë mënyrë kryengritjen e përgjithëshme, të udhëhequr
nga… Rrapo Hekali,,/Gjolek Kuçi me pallë/ Hodua që mban kalanë[5]…”
Rezultati i parë ishte marja e Delvinës dhe më pas Butrinti. Sulmi i
Ismail Pashës më 18 Qershor 1847 mbi pozicionet e kryengritësve në
Zhulat, Senicë dhe Palavli, u zbraps nga
kryengritësit e udhëhequr nga Skëndo Tarja.
3-Në 27 shtator[6]
të vitit 1847 teatri i luftimeve u zhvendos në Palavli, Vergo dhe Fushë të
Delvinës. ...Por egzistonte një problem
në këto fshatra. Nga luftimet e vazhdueshme, ishin vrarë të gjithë burrat që mund të mbanin armë në
fshatrat Vergo, Kopaçez e Palavli. Këtu mund të gjëndeshin tre-katër
burra tridhjetvjeçarë të cilët shiheshin si pleq të moshuar, të tjerët
qenë fëmijë nën katërmbëdhjetë vjeç. Në këto kushte u dha orientimi që të
pranoheshin në radhët e kryengritësve
djemtë deri në katërmbëdhjet
vjeçarë si luftëtarë fronti, ndërsa djemtë nga nëntë deri në trembëdhjetë
vjeçarë do ishin në shërbim parapavije[7].
Kështu ndodhi që Hodo Aliut ju desh të udhëhiqte një ushtri me “fëmijë” dhe ju
desh që luftën t’jua shpjegonte si një lojë-lufte[8].
Vetkuptohet që në ballë të
frontit vendosi luftëtarët e tij lebër duke i lënë në skalion të dytë “fëmijët”.
Lufta u zhvillua natën[9]
e datës 27 shtator 1847 deri në të gdhirë të datës 28 me sulme e kundrasulme të njëpasnjëshme që thyen vijat e frontit,
duke kaluar në përleshje trup me
trup me thika.
Dukë qënë se kryengritësit “fëmijë”
nuk kishin përvojë luftimi trup më trup, humbjet e tyre ishin shumë të mëdha. Kur panë këtë situatë, gratë labe që shërbenin në prapavijë, u sulën në fushën e betejës në mbrojtje të fëmijëve.
Rrëmbenin armët e rëna për tokë ose shkulnin shpatat nga trupat e fëmijëve të
vrarë dhe suleshin për hakmarje. Pas tyre u sulën edhe fëmijët e tjerë nën moshën
katërmbëdhjetë vjeçare që shërbenin në prapavijë, të cilët nuk kishin asnjë njohuri luftarake. Pamja ishte lemeritëse. Fëmijë
të vrarë e të plagosur, rënë pranë njeri tjetrit, me shikim të habitur, si të
mos e besonin vdekjen që u erdhi nga kjo luftë që e morën si lojë. Gratë labe rënë
përmbi ta, sikur donin ti pengonin në ikjen e pakthim. Dhe më tejë luftëtarët e
Hodo Aliut duke sokëllitur egërsisht për
hakmarje, tek çanin rradhët e dhjetëmijë suvarinjve, të cilët binin të vrarë
nga thikat e shpatat, tek përpiqeshin të iknin.
4-Beteja u fitua, por askush nuk
brohoriti.
Askush nuk këndoi[10]
këngë për fitoren dhe asnjë valle nuk u hodh pas betejës. Ndoshta ishte e para
fitore që kishte shijen e humbjes. Kjo dukej te sytë me lotë të grave labe, që
tundeshin sa majtas djathtas gjatë
momenteve të varrimit të të rënëve fëmijë, thua se do futeshin ato vetë
në vare, vetëm që fëmijët të ngriheshin e të shkonin të loznin lojrat e tyre.
Amani djemo, jo më lojë lufte a të keqen, se na zhuritet shpirti. Humbje
tregonin edhe sytë e luftëtarëve të Hodo
Aliut, se për sa i përket Hodo Aliut vetë, asnjëri nuk ja pa sytë ato çaste. I
ulur në një shkëmb pak më tejë, me kokën zënë me duar, dukej sikur e kishin zënë dyzetë palë ethe.
-Ç’bëre Hodo- dukej sikur i hakërehej
vetes, duke tërhequr deri në shkulje leshërat e zeza bërshimë[11]
- ku i shpure fëmijët. Qysh ua takse[12]
vdekjen more i zi kur u the….Me palla do
pritemi .... Të rofshin luftërat që ke bërë, se do kujtohesh për gjithë jetën si komandanti që shpuri fëmijët
në kasaphanës. …Nëmat[13]
do të vijnë pas e pemët do të bëjnë paçet[14]
me hijen e degëve…
4.1-…I shkreti Hodo Ali…dëgjoi pranë veshit zërin e përvajshëm të një
gruaje që kishte zënë vajin dhe u pataks. Ngriti kokën dhe atëherë pa që ishte
rrethuar nga një grup grashë labe të vendosur në formë rrethi, duke e lënë atë në
mes. Shamitë i kishin të ulura mbi sy dhe kishin filluar ritin mortor që niste
me vajtimin. Ato nuk kishin vajtuar gjatë
varimit, sepse të rënët për atdhe nuk vajtohen po u këndohen këngë. Vërtet që
nuk vajtohen heronjtë të rënë në luftë por vallë a rrihet pa vajtuar fëmijët-o.
Lufta e bëri të sajën. Nënat do bënin të tyren.
Nuk vajtuan për fëmijët e vrarë,
por nisën vajin për Hodo Aliun, siç mund të vajtonin për dhimbjen e një prindi[15]
në mortin e të birit. Vajtuan dhimbjen e prindit pa përmëndur vdekjen e
fëmijës.
4.2-Realisht kjo është e veçanta
e kësaj kënge –vaj. Nuk vajtohet për të vrarët, nuk përmënden ata, as plagët e
as gjaku i derdhur. Asgjëkundi nuk flitet për vdekjen, por përkundrazi jipet një
ambient tepër idilik familjar, Një baba që i kishte fëmijët çiliminj, të vegjël,
dhe si çdo prind me fëmijët e vegjël lozte me ta kukafshehti (Bën me dorë e bën me sy) që t’ua bënte më
të bukur jetën. Ua ktheu luftën në një
lojë lufte (Është natë e s’shihemi,Me
plumba s’goditemi). E vetmja gjë që e tradhëton këtë idil loje –luftash është
vargu….Me palla do pritemi. Por edhe
ky varg nuk është aq i zi sa duket. Këta fëmijë ishin fëmijë barinjsh dhe
sigurisht që të gjithë kishin thika dhe biçakë të vegjël, me të cilët qenë prerë
në duar e në gishta sa herë. Pra nuk qe ndonjë
gjë e panjohur për fëmijët prerja me thika dhe as aq e rezikëshme, sa që
ti trëmbte ata.
Nuk vajtohet për fëmijët por
vajtohet për komandantin e tyre, që trajtohet si një prind për ‘ta. Dashuri të
madhe ka patur populli për këtë prijës
që ja gdhënd portretin me këtë vajtim brilant, parë nga një këndvështrim i papërsëritshëm në asnjë rast tjetër. .
….I kish djemtë çilimi….vajtoi vajtorja kryesore dhe Hodua ngriu. Jo
vetëm që nuk e dënonin në vaj, por i
atribonin atësinë metaforike të fëmijëve të vrarë. Ato nuk i quajtën “luftëtarë”
apo “trima” por i quajtën thjeshtë “djem” duke i barazuar me djemtë e tij në
Nivicë. Me këtë akt ato i ngarkonin edhe përgjegjësinë e prindit për përkujdesjen ndaj fëmijëve. I vetëtinë në kujtesë përcjellja e fëmijëv, “djemve” nga
nënave labe dhe fjalët e një gruaje të re në Kopaçezë drejtuar atij; Amanet
djalin, Hodo, se e kam të vetëm-o. Më është vrarë burri dhe më mbyllet dera po
më pësoi gjë. Ç’ti thotë tani asaj nëne, veçse ti tregojë varin e të birit. Hapu
dhe të futem-o.
…Bën me dorë e bën me sy…i erdhi në vesh vaji i
vajtores dhe këtu Hodua nuk duroi dot. Ju kujtua si lozte me fëmijët e tij në
shtëpinë në Nivicë, në ato të pakta raste që kishte kohë të lirë, ndajë shpërtheu
në dënesa të rënda që i dilnin nga thellësia e shpirtit. Zuri kokën me duar e
nisi të lëkundej…tërë sy e veshë duke dëgjuar ligjërimin e grave. E dinte që ai
vajtim ishte historia e asaj beteje dhe e vlerësimit të tij, histori dhe vlerësim
që askush nuk e ndryshonte dot sa të jetë jeta. Në qoftë se vajtimi e dënonte,
më mirë të mos rronte në këtë botë se s’kishte lumë e det që e lante.
….O djema t’u hidhemi/Mos trëmbi se s’vritemi/Me plumba s’goditemi…vajtonte
me nënë zë plot ngashërime edhe Hodo Aliu bashkë me gratë…
….Me palla do pritemi… klithi vajin me një zë të thatë e të egër vajtorja që ligjëronte ndërsa vajtorja
pranë lëshoi një ulërimë ngjethëse…korba
djemooooo… duke ngritur kokën lart, thua se i sokëllinte zotit që bënte sehir aty ku rinte, te ato retë e bardha mbi Kamenicë. Hodua u
hodh përpjetë si i goditur befasisht nga një topuz, kaq shumë dhimbje ndjeu në
gjoks. Pa njëherë majtas e djathtas luftëtarët që dëgjonin të heshtur vajin e
grave, ktheu kokën nga vajtoret duke i parë me një sy të përlotur, sikur u kërkonte
ndjesë dhe …iku me nxitim duke lënë prapa dënesat.
5- …I shkreti Hodo Ali… Epiteti “I
shkreti” i mbeti gjithë jetën si një mbiemër i dytë dhe Hodua s’dinte ç’të bënte,
të mërzitej apo të gëzohej. Për të dya kishte arsye. Të mërzitej
se nga ky epitet gjithmon i kujtohej ajo masakër mbi fëmijët në Palavli ,duke nënkuptuar
kështu ndonjë gabim të mundshëm në drejtimin e luftës prej tij, por nga ana
tjetër edhe mund të krenohej, se ishte i vetmi komandant që populli e cilësoi në
këngë si prind i dhëmshur për luftëtarët e rënë në betejë, pa çka se
ishin luftëtarë-fëmijë. Populli ja fali fëmijët se ata ranë në luftë për atdhe dhe Hodo Aliu
s’kishte asnjë faj apo gabim. Në fakt, duke e quajtur …I shkreti…populli ja
njihte gjithë dhimbjen e vdekjes së fëmijëve Hodo Aliut, si një dhimbje të tij personale,
si një humbje personale. I kishte patur
djemtë dhe nuk i ka më, i shkreti ai. E ndjente se ky epitet mbartëte vetëm dhëmshuri
dhe as një grimë qortimi.
Por thellë në shpirt ai ndjente
një brengë që i rëndonte sa Këndrevica[16]
ndaj në luftimet e mëvonëshme dilte fare hapur, thua se kërkonte vdekjen. Ose
diçka të afërme a të ngjashme me të. Ndaj kur Mehmet Reshit Pasha i ftoi krerët e kryengritjes në Fushën e
Zhulatit, ku do t’u komunikonte amnistinë, ai e nuhati që kjo amnisti ishte e
rreme, por nuk e dëgjoi këshillën e Zenel Gjolekës dhe shkoi në takim bashkë me
84 krerë e komandantë të kryengritjes. U ndje i qetë kur Reshit Pasha i arestoi
të tërë dhe i internoi në Adana. Ndoshta mendoi se duke qënë larg do ta haronte
ai dhe do ta haronin dhe të tjerët epitetin “i shkreti” që ju ngjit si hije.
Nuk ndjeu ndonjë gëzim edhe
kur, i detyruar nga situata, Sulltani i fali në 1849 të gjithë krerët e
kryengritjes së 1847 që kishte arestuar dhe internuar. Madje Hodua ju përgjigj
edhe ftesës për pjesmarje në luftën e vitit 1852 me malazeztë, të cilët sulmuan
rrethinat e Shkodrës, me mendimin se kjo luftë në trevat veriore do t’i haronte
gjëmat e së shkuarës.
Por ja që dhe këtu kënga
popullore i rikujtoi epitetin e vjetër…i shkreti…kur i këndoi:- I shkreti Hodo Nivicë,/Bën dyfek në Podgoricë[17]/
Bam e bum e dot s’e vrisnë/Plumbatë më të s’kolisnë/Setrën e shkretë ja grisnë ...
madje duke ja zgjeruar diapazonin e epitetit edhe te veshjet (setrën e
shkretë), madje edhe te kali i tij….Hingëllin
i shkreti kalë/Hingëllin e s’do të hajë/Njëzet veta dot se mbajnë….
Ju ngjit ky epitet deri
në momentin e vdekjes: -Të enjten e të xhumanë/Hodo trimi e dha
xhanë/Qaj e qaj moj Këndrevicë/Qaj drërin e Shqipërisë/Të shkretin Hodo Nivicë…
Eh si është fati.
Lufton njeriu një jetë për lirinë e atdheut dhe më së paku ëndëron një vdekje
trimi në betejë, me plumb a me pallë, por fati për ironi i jep në Shpuzë të
Podgoricës një vdekje të denjë për pleq të lodhur, mbledhur kruspull në një çadër turke, nga një
sëmundje e rëndomtë …
…I
shkreti Hodo Ali…
Sarandë, më 4 Mars 2019
[1] Kënduar nga
grupi i këngës popullore “Kaonët” Delvinë. Marrës Ajet Duka, kthyes Krenar
Duka, hedhës Nuri Hamzai, iso Riza Pula, Fatmir Muzhai, Artan Muzhai, Fejzo
Duka.
[2]Fshat në Fushën
e Delvinës ku më shtator 1847 u bë
beteja midis forcave kryengritëse shqiptare dhe ushtrisë turke
[3]
Hodo Ali Beqohiti i njohur në popull me emrin Hodo Aliu dhe Hodo
Nivica. Lindur në Nivicë të Kurveleshit
më 1805, Vdekur në Shpuzë të Podgoricës, Mali i Zi më 1852
[4] Kjo këngë ndodhet edhe te Mbledhës të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat
e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë”
rregjistruar në fshatin Kopaçez të Delvinës në vitin 1963 dhe ka gjithsejt 26
vargje. Por siç do shohim në analizën
tonë, kësaj kënge i janë shtuar vargje që u takojnë këngëve të tjera për Hodo
Aliun ose jo, madje edhe vargu i parë “Zunë malet e rënkojnë” është huazuar nga
një tjetër këngë popullore (Zunë malet e
rënkojnë/Bolen e Kuçi u dogjnë). Regjistrimi i parë i kësaj kënge
figuron te libri i A. Dozon i vitit 1879 me titull "Manuel de la
langue Chkipe", kënga me nr 57 dhe prej këtej është përfshirë në Librin
Mbledhës të Folklorit viti 1961 në faqen 313 (Vënë
në dispozicion nga A.Duka) dhe ka këtë tekst: "Ra topi në
Palavli,/Fush’ e Delvinës u nxi, /Me nizam’ e me deli,/Gjithë djem
delikalli/ Të shumtë në Gegëri/ Gjoleka s’u ndodh aty /I shkreti Hodo
Ali,/Vetë e bëri beli/ O burra, t’u hidhemi, /Mos druani se s’vrite-mi
/ As me plumb goditemi…
[5] Rrapo Hekali
drejtonte kryengritjen në Mallakastër e Berat, Zenel Gjoleka në Kurvelesh, Labëri
e Bregdet dhe Hodo Aliu në Gjirokastër e Delvinë.
[6] Aposto Pango “Enciklopedia e Delvinës dhe Sarandës” Botimet TOENA fq 225…
Mexhit Kokalari ”Trima të kryengritjeve
popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 126
[7]
Mexhit Kokalari ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia
Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 142
[8] Bën me dorë e bën me sy dëshmon kënga
[10] Realisht nuk
egziston asnjë këngë e till për këtë betejë.
[11] Të gjata e të
pa krehura.
[12] Ua caktove, ua
zgjodhe
[13] Mallëkimet
[14] Gjesti i
shtrirjes së pëllëmbës së hapur në drejtim të personit që mallëkohet, munxat.
[15] Është e zakonëshme
të vajtohet për dhimbjen e prindërive që humbasin djalin.Madje shpesh herë këtë
vajtim e nisin vetë prindërit.
[16] Mali i Këndrevicës
[17]
Te “Mbledhës të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat
e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” thuhet: Në sheshe, në
Kamenicë, /Të shkretit Hodo Nivicë, /Ju vesh nizami galicë, /Bam’
ja bëjn’ e dot s’e vrisnë, /Plumatë më të s’kolisnë….Duket që këto vargje janë marë nga kënga për luftën në
Podgoricë, sepse variant i sipërcituar ka më përpara vargjet .. Dhe malazeztë
bezdisnë/Nga koshadhet që gjezdisnë… apo vargjet e tjera:O Hodo, Hodo
Nivica, /I lartë si Këndrëvica; /O Hodo Beu, o nurë, /Fora me
këllëç desturë…që janë në një tjetër këngë
për Hodo Aliun, por për luftën në veri.
Dr.Agbazara është një njeri i mrekullueshëm, ky mjek më ndihmon ta sjell përsëri dashurin tim Jenny Williams, i cili u prish me mua 2 vjet më parë me hedhjen e magjisë së tij të fuqishme dhe sot ajo është kthyer tek unë kështu që nëse keni nevojë për ndihmë, kontaktoni atë me email: ( agbazara@gmail.com ) ose telefononi / WhatsApp +2348104102662. Dhe zgjidh problemin tuaj si unë.
ReplyDeleteAm Afrodita nga TIRANA, i dashuri im më la për një arsye që nuk ma bëri kurrë të njohur, më bllokoi në çdo rrjet social që mund të përdorja për të kontaktuar me të. e cila më solli trishtim, u përpoqa ta kthej, por u mashtrova dy herë, derisa takova një mikun tim shumë të mirë i cili më tha se si u ndihmua nga një magjistar i mrekullueshëm i quajtur Dr Dr, pastaj i shkrova atij në WhatsApp, ai më premtoi se do të më ndihmojë dhe gjithçka do të jetë mirë në 3 ditë pasi ai bëri një magji dashurie, dhe unë bëra gjithçka që ai më udhëzoi, për ta shkurtuar historinë, për habinë time më të madhe, ish i dashuri im të kthehej tek unë pas 3 ditësh dhe duke qarë duke më kërkuar ta fal që nuk e kishte parë atë që i ndodhi, ai më premtoi se nuk do të më linte kurrë për asnjë arsye, dhe tani ne jemi të përkryer së bashku me gëzimin dhe lumturinë, të gjitha falë Dr White, kontaktoni me të për çdo lloj magji, më besoni ai do t'ju ndihmojë të zgjidhni çdo problem që po kaloni për momentin,
ReplyDeleteEmail: wightmagicmaster@gmail.com
WhatsApp+17168691327