KËSHTU I KËNDOHET DASHURISË
Përsiatje mbi vëllimet
poetike “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit
Nga Timo Mërkuri
Gjatë leximit të përmbledhjes poetike dy vëllimëshe “Hyjnorja
ime je ti” të Sabit Rrustemit m’u krijua vetiu një qetësi shpirtërore apo m’u
vetë imponua një ndjenjë heshtjeje, e ngjashme me atë në një lutësore kishe. Një lexim i ngadalshëm, i
ndërprerë shpesh si një frymarje nga ankthi, një kalim i fletëve me heshtjen e
bërjes së kryqit, një përulje e lehtë e kokës mbi tekstin e poezisë thua se përulesha
mbi ndonjë ikonë dhe në fund një dritë që vinte prej tekstit, sikur brenda tij të
ishte ndezur ndonjë qiri si në të dielën e Pashkës së Madhe. Kjo ndjenjë dukej
se reflektohej në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E diela e dashurisë….Le të jetë kjo dita e
falje-ve / për mëkatet që nuk i themi/
E diel e dashurisë/qoftë çdo ditë…teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le pa atë që ma more…dhe...Hyrjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturi-mi/kam
jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua.
1-Për këtë gjëndje
të krijuar ndikimi nis që nga titulli i dy vëllimeve poetike, titull që hyjnizon
, shënjtëron femrën, dashurinë për ‘të dhe poezinë kushtuar asaj, “Hyjnorja ime je ti”, titull që dëshmon për ngritjen në altar shënjtërimi të
femrës pikërisht për shkak të ndjenjës së dashurisë, asaj ndjenje që aq shumë është
penguar me doke e kode zakonore në jetën shqiptare, që shpesh është tulatur nga
dëbora dhe ngrica kanunore por gjithsesi
ka mbirë si manushaqe e prillit në mes të dëborës...Më ftove sërish për një
dashuri/kur të vijë tjetër ditë/ tjetër festë në atë planet /që e gjetëm pas
mijra vjet ecjesh/ dashurish// Imja Hyjenshë…dhe erdhi në jetën tonë e pastër dhe e bukur…U rrëzuan lisat/ si fijet e barit/ zunë
udhën/ n’të fund të livadhit/ E dashur/ eja shtegut të ballit/ rreth qerpikëve
të djegur mallit…apo shkuan e morën djemtë …E dashur më prit se kthehem/ përmes një gjethi në pranverë/një kënge në
verë/apo një fryti në vjeshtë/… Ngricat nuk i presim/I shkrijmë me dashuri …madje
edhe duke u kërkuar ndjesë …Më fal
dashuria ime,/ më fal/ se shumë më ke dashur/e pak të kam përfillur…duke e
ndriçuar në këtë mënyrë me dritën e prozhektorëve të së sotmes moderne vizionin
e saj të djeshëm, lënë në haresë, duke shpërthyer hovshëm në hare...Sa më ke munguar-oooh/si më ke rizgjuar/më
ke hyjnuar brenda yllësisë sate…E lexoj dhe rilexoj vargun me cilësimin
“Hyjnorja ime” dhe ndër-mënd më vjen
Albert Camus që, ndërsa nisej për
në Paris, në letrën e tij të fundit drejtuar të dashurës shkroi… .Po vij e dashur…dhe në fund të letrës
shtoi “Të bëkoj me gjithë shpirt”.
Ajo qe fjala e fundit që shkroi në jetën e tij të ndërprerë tragjikisht nga
aksidenti i atij fillim janari 1960 në
moshën 47 vjeçare. Poetët e shënjtërojnë dashurinë dhe vajzën e dashur me
shpirt dhe me vargje, sepse zotit i pëlqen poezia. Jo më kot edhe hymnet
kishtare janë thurur në formë poezie.
2- Të gjithë poetët
kanë shkruar poezi dashurie, madje shumë prej tyre kanë shkruar poezi tepër të realizuara
dhe të ndjeshme, poezi që ndrijnë nëpër vëllimet e tyre poetike si copëzat e
floririt në rërën e lumënjve. Por poezitë e tyre kanë qënë të vetmuara nëpër
ato, si një vajzë e bukur që ka humbur rrugën nëpër pyll. Ca më tëpër që këndvështrimi
i këtyre poezive ka qënë kryesisht
dhimbja e një dashurie të parealizuar për arsye të ndryshme, qoftë shoqërore
apo refuzime dhe braktisje individuale. Sado të realizuara artistikisht që kanë
qënë, të linin një ndjenjë trishtimi në
shpirt..
2.a-Përkundër kësaj dukurie, përmbledhja dyvëllimëshe e Sabit Rustemit “Hyjnorja ime je ti”, e
mbushur me krijimtarinë gati dyzet
vjeçare të autorit është si një pyll vetëm me pemë e fidana dashurie. Është
rasti i parë në letërsinë shqipe që jipet një përmbledhje e tillë vetëm me
poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepëse.
Poezia është kënga e dashurisë (klithmë
dhimbjeje apo hymni i saj), madje edhe perëndia e poezisë, Apolloni me harpën e
tij këndonte vetëm këngë dashurie, duke
ngjallur hare në Olimp. Që nga antikiteti na vjen mesazhi se dashuria dhe poezia janë të perëndishme që jetojnë në simbiozë me
njera tjetrën. Natyrshëm poezia shkon te lexuesi (dëgjuesi) nëpër-mjet leximit
apo dëgjimit, por në poe-zinë e Sabit Rrustemit ndodh diçka e ndjeshme, duke e
lexuar (apo dëgjuar) këtë poezi, lexue-si /dëgjuesi lëviz drejt saj dhe hyn
brenda në botën e poezisë, duke u bërë pjesë e saj nëpër -mjet përjetimit të
poezisë. Fenomeni i depërtimit të lexuesit brenda poezisë ndodh sa me lexues
entusiazt dhe të kualifikuar aq dhe me
poezi të arira artistikisht e shpirtërisht. Të dy këto element i ka poezia e
Sabit Rrustemit, ndaj është e natyrëshme dukuria e cituar. Në Malin e Çepurit e
ka selinë poezia e Sabitit si Apolloni në Olimp…Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër
faqe lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në çdo lule/peme e flatër zogu…sepse
edhe vendi ku takohen të dashuruarit është i shënjtë ose shënjtërohet me
dashuri …Çepuri/ deri n’atë kup të qiellit shpërthen/për Ty moj Peri… Aty ku takohemi/në cilëndo botë/përmes të
përzjartës dashuri/diell të ri krijojmë… Të krijosh një diell të ri do të
thotë të krijosh një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm
dashuria dhe e pasqyron magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni
poezinë e tij, më të bukur do ju bëjë, ju siguroj unë.
2.b-Por ajo që
karakterizon natyrën e këtyre poezive është poziviteti, besimi absolut në
dashuri pa asnjë paramendin. Dhe më kryesorja, ky besim është i dyanshëm, i
djalit te vajza si dhe i vajzës te djali … Nuk
mërzitem në pritje/as zhgënjehëm prej saj/duke pritur ardhjen tënde/…Të ndjej
dhe në pritje…/pres derisa pritja të gjunjëzohet/prej pritjes sime….sepse …ti je e tëra
me mua edhe kur je larg…prandaj…Veten
time e përpive me vete e more /sakaq një perde të kaltër sysh më lëshove/
derisa u fshehe në një yllësi të re/brenda qerpikëve të mi…. Këtë fat ma fali jeta/të të ndjej/ e të të
ringjall/në secilin çast…dhe unë….E
shijoj/ ashtu siç shijohet një lule/ e dua/ më shumë se sa duhet një lule…Ajo
qëmoti ka mbirë në mua/shtat ka lëshuar/dhe unë/oh unë/I mjegulluar syshnga
ëndra të përnatëshme/çuditërisht nuk e kisha vërejtur/derisa më zgjoi aroma e
saj…
Vargjet…Çepuri shkrihet nën diell vjeshte/njësoj si
unë tek Ti/nën atë zjarr dashurie/Zgjate zot këtë ditë / mos të na ikë pa u
kthyer dhe ajo stinë/ / Tek buzët që
ëmbëlsohen me zjarmi… jeho-jnë si një psalm dashurie shpateve të Çepurit.
Me siguri që ky duhet të jetë mal i shënjtëruar me dashuri, e vlen të shkosh për
pelegrinazh njëherë aty përderisa poeti ja afron vajzës aq ëmbëlsisht e ngrohtësisht...
E dashur/ po e deshe malin/qe ku jam/po e
lype detin/qe ku e ke/në shpirtin tim/ dhe mua të tërin/diku thellësive të
tua/të paprekura. Ç’mund të të afroj më
shumë/pos shpirtit tim/të rinuar prej dashurie…,sepse poeti është i bindur
se … Nëse nuk i këndoj asaj që dua/as
Librat e Shënjtë s’më falin/e le më të gjallët. Asaj që dua nëse nuk i kendoj /
nuk shpëtoj prej mëkatit…
3-Të dashurosh do të
thotë të japësh, të dhurosh ndjenjë e siguri, të lutesh e të falesh për tjetrin
e jo për vete. Dhe poeti di të dashurojë dhe të lutet… falem/dhe i lutem zotit/ bëje ma të bukur/çdo ditë mbas sotit…sepse
poetit i intereson dhe kërkon… vetëm
shënjtërimin e saj…
3.a-Të dashurosh do të
thotë të besosh te dashuria siç beson Sabit Rrustemi… Ajo mund të vijë me ditën/mund të fshihet me natën/mund të mos bëjë
zë/me ditë e net/ Mund të mbyllet si lulja/ nën petale të blerta/me muaj e me vjet…unë do ta
ndjej/orë e çast/në secilën sekondë/OrëZemra do ta kujtojë/si tash...Por ti mo
ski frikë/ecë e plotë/si Hëna në t’pesëmbëdhjetë/qiellit të kthjelltë / shndrit
syve të mi/…/Një puthje që fluturon ajrit/assesi nuk të tremb/…
3.b-Të dashurosh do të
thotë të përkujdesesh për vajzën që dashuron, siç përkujdeset Sabit Rrustemi
kur thotë… Nuk do ta trazoj/ as dhe me
një puthje/se mos ta prish atë ëndër/ brenda së cilës më ke fshehur… Kësaj nate që fryn/i tëri jam tek ty/ /Nuk lejoj të të trëmb/as edhe një ëndër / përpos
puthjes sime…Nuk do tia prish gjumin/a ëndrën e re që thurr/dhe njëmijë vite po
u vonua /s’do ta urrej…Ajo vjen me një trokitje luleje… duke pritur ditë e natë/ atë trokitje/ me
aromë luleje…, a mund të thuhet më bukur se kaq? Djaloshi i drojtur, sit ë
gjithë djemtë e dashu-ruar nuk dihet në
flet a bëlbëzon me vehten… Veç nga larg
t’shikoj/e kënaqem kur të shoh si çelesh ….Ty veç të ndjeva/ oh sa të ndjeva/e
nuk të preka… Se ç’na kujton përjetimet
e dashuri-së së parë me këto vargje o Sabit Rrustemi, të lumtë pena.
4-Dashuria të bën më
të bukur dhe më të mirë, të pasuron dhe ëmbëlson fjalorin dhe shpirtin … Hape zemrën moj e uruar/qofsh e fushës a e
malit zanë/ hape e mere këtë varg…Ai varg që rend pareshtur/që troket e
spushon/ jam unë moj e mirë…, shihe me sa ëmbësli flet autori, me një ëmbëlsi perëndie. Thua se
është i mishëruar te vargu si zoti te fryma e shënjtë. Vetëm kështu shkruhet
për dashurinë.
Dhe vajzës së dashuruar vetëm
kështu i flitet… aromë e shpirtit tim.…
zemra trëndafilore… Lule e Jetës Sime/emblem dashurie… Orëzemra/në dymbëdhjetë
dritare/trokiti/dymbëdhjetë herë/për tu bërë një me ty/përmes puthjesh ….Mermë në krah të gjirit tënd/më përkëdhel si
puhi/e ma vajto njëherë/sall dhe njëherë atë synë e zi/ tek jep shënjë për nën
lamë/ tek ai bli lahet me hanë/e flokët i than me timin zjarr/ /Ndizem sa herë
mendoj për ty…me një fjalor të ëmbël, të ngrohtë e të zgjedhur ku fjalët të
rrjedhin si lotët prej syrit…Adresa më e
ndritur je Ti/ ditë e Mbarë/ Botës sate i mbrekulluar mbes/Nën strehën tënde
pushoj/përmes një Nate të Mirë/ me Ëndrën
e ëmbël ma dhuron/kujtimin që s’vdes/ Me ty jam/dhe atëherë kur do të lë/pa
Lamtumirë. . me një dëshirë e një premtim.. Po vij qetaz/pa të trembur/ vetëm për një ëndër të pafund/me mua…sepse…
Më ndez lehtë përmes një fjale./ Prush bëhem i tëri/nga përndezjet e gjuhës
sate/ / A nuk shtrihet edhe mbi ty/kjo
valë zjarmie/a nuk të ndez si mua/ajo ekstazë mrekullie/ lugut të
dafinës/krojeve të venerës/tek ajo majë mali/ në plisore…
4.a-Interesante në këto
poezi është fakti se e njëjta ndjenjë dhe i njëjti mendim a siguri është te të
dy të dashuruarit, edhe pa komunikuar me njeri tjetrin, thua se kemi të bëjmë
me një ndjenjë tele-patie… Ende nuk jam
nisur/as zë kam lëshuar/ /Si nuk të mposhtën pritjet/ a s’ma thua e dashur? ...
Nuk arita të të ruaj nga vetja. As Veten
time nga Ti… Dhe mbete Lulja e Dashurisë/ për shpir-tin tim… Shih sa bukur
e shpreh poeti dëshirën e tij… Në se kjo
natë vjen me ty/mirë se ardhtë/ po erdhi vetëm/ do ta përzë…madje dhe atëherë
kur duket sikur s’vjen… Në cilën rrembë
je fshe-hur/ e po më prêt moj grishë Çepuri… Ajo hyri tërësisht në mua/duke kaluar portat/ oborrin / shkallët /pas
një fjale të vetme/ /Theu dhe drynat e ndryshkur/ dhomave të shpirtit/ Pushtoi
çdo gjë timen/të dëshirtë/të ëndërt/ /Aq
sa s’mund ta dëboj më...
5-Sabit Rrustemi ka përdorur
një fjalor poetik dhe figuracio të natyrshëm dhe pa sforcime, i cili bën që
poezia të lexohet e ndjehet me një kënaqsi të njëjtë me thithjen e ajrit të
pastër pranveror, duke treguar në këtë mënyrë elegancën e gjuhës sonë në
meloditetin e poezive të tilla por edhe mjeshtërinë e tij poetike.. /…Rrobat lozin në ballkon me gjuhët e
erës/Dashuri a ime/gjithësia jote unë jam/ në fronin e zemrës të mbaj …Me ag/fillon vetëm njera pjesë e
ditës./ Pjesa tjetër/ nuk mbyllet pa
ty…Nuk e trazoj këtë krua/ ku pinë ujë buzët e tua…Le të bjerë shi me erë e
furi/le të bjerë/vetëm le të bjerë/…/ Pas shiut shfaqesh Ti hënë e plotë/ në
qiellin e syve të mi.…mbeta nën atë strehë zemre/tek ata sy/…që edhe kur të
befason me kthesat e ligjërimit, të krijohet përshtypja se ishte diçka e pritëshme,
ndonëse jo kaqë fine… Në një cep të
vetmisë sate/…hyra fshehtas përmes erës//
Lule e shpirtit nuk je vetëm/të përftohem pa pushim… Ç’fat i
pashkruar/ Ëndrat e natës/nuk
ikin në mëngjez/…Shtegëtimet e tyre/shpesh digjen nëpër bebëza…ose …Me hënën në Pesëmëdhjetë/u mbarsën retë/ Ra
shi e shi/tokës së etur gjithandej /solli paqe/ Dhe ty mbi qiellin tim/ si
Pogaqe…
Vargjet e tij të lira
me një dendësi mendimi që shkojnë rrugëve të
poezisë në strofa dy a tre a pak më shumë vargje, si djem të dashuruar
duke fërshëllyer lehtazi melodi. Se poezia e Sabit Rrustemit është plot melodi,
si pylli në pranverë ku veç zogjve këngëtarë edhe gjethet fëshfërinjë melodi.
Sabit Rrustemi
shkruan me vargje të lira përgjithësisht,
por poezitë e tij të dashurisë vetëm
me vargje të lira,
grupuar në strofa me një, dy a pak më shumë vargje mund të shkruhet. Prandaj
ngjajnë strofat e poezive të tij si grupe djemsh adoloshentë që shëtisin rrugëve
të Gjilanit gjer pas mesnate, të zhurmshëm
e gazmorë. Në botën e dashurisë së sabit Rrustemit ska vend për vargje të
rregullta si skuadra ushtarësh në parakalim. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se
çdo poezi ka një natyrë vargu që i përshtatet. Sabiti e ka gjetur vargun që e prezanton poezinë e tij, ashtu si
velloja prezanton së largu nusen.
6-Poeti i këndon
dashurisë si një ëndre të bërë realitet vetëm për ‘të personalisht dhe për pasojë, ka bindjen se ai, i dashuruar do jetojë përjetësisht,
se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e përjetësisë… Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë
pa ne/e dashur…Ajo ëndër që nuk po e shoh/dashuria ime është./ /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast
po e jetoj...ti je e paprekëshmja ime/..ëndër që nuk shihet/e një jetë të tërë
kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrë/na
mërdhinë fjalët/ / E dashur/acar
fjalësh mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë/ është krijuar nga dashuria…
7- Të befason dhe të
mrekullon këndvështrimi i autorit për
dashurinë, që nga elementët personal tek ata të natyrës, nga subkoshienca njerëzore
te elementët atmosferikë. Stinët janë thjeshtë kohë dashurie dhe koha varion
sipas gjëndjes së tyre shpirtërore … Të prisja pas Lame/ te Pojata / Të prisja/ e
s’vinte as hëna…Qielli mrolej/frynte/binte shi. Ti strukeshe/flije në sytë e
mi… Prilli i trimërisë/ ruan lulen e Dashurisë/ në dritaren
time…E kam parë në ëndër/ ëndrën time…E shtuna / mbledh fundjavën/e ik e vetme.
Ti / fshehur botës/strukesh në mua/për një të nesërme tjetër. Të dielën do
pushojmë/ në sytë e njeri tjetrit/do të lutemi/do të falemi pafundësisht /vetëm
për dashurinë…Shiu/dhimbjen nuk e lau/as flladiti. Vetëm ajo kur trokiti/një
botë e fjetur/ u shpërgjum /e lindi...
Kjo është poezia e vërtetë
e dashurisë që lexohet me ëndje, që rilexohet e admirohet, poezia ku befasohesh
nga larmia e figuracionit poetik, madje të dëshirosh të jesh personazhi i tij në
vargje…. Deti shtrihet para meje/si një
mashtrim ri….Në eter diku/pa oksigjen
mbeti kumti... Përmes dashurisë
lëshon farë/e mbin mu në zemër/Lulja e Shpirtit. Rrënjët e saj / ujiten me
puthje,… ose elegance e paraqitjes së misionit të poezisë si lajmëtare e
dashurisë … Ai varg i tëri jam unë/që
prehje kërkon në tëndin gji/shpirti im i fshehur në poezi… E dashur rri e
qetë/..një varg poezie do të nis andej ku je/ për të thënë atë magji jete me dy
fjalë…apo qasja me motive popullore
të situatave dashurore… Mollëzat kuq si
gjaku/ruhen për majë bajraku. Pa treqint martina e nji mal pritjesh/ajo nuk
futet në gji…Dada Hanë namë e s’pranë/t’shitoftë shita qi na le pa zemër/oj
Zanë…
Mund të citonim shumë vargje, madje çdo poezi
mund të citohej lehtësisht në këtë shkrim dhe nuk do ishte gabim, sepse të
gjitha poezitë e përfshira në përmbledhjen dyvëllimëshme janë përzgjedhur me
kujdes e shije, si gurët e zgjedhur, gdhëndur e latuar për të ngritur muret e
një kulle, të aftë që të përballojë
vrunduj ere të kritikës dhe peshën e dëborës së harimit.
Me këtë përmbledhje Sabit Rrustemi dëshmnoi se është
një poet lirik i rrafshit të epërm të poezisë, deri tani i pa krahasuar me asnjë
tjetër për poezinë e dashurisë. Individualiteti dhe bota e tij poetike e
pasqyruar në këtë përmbledhje flet shumë dhe qartë dhe, së paku në këtë fushë
është një botë për eksplorim.
Ndaj dhe mbyllja e
fletës së fundit të kësaj përmbledhjeje mbart nga unë dhe një falnderim për
Sabit Rrustemin që na pruri një poezi rinore, të pastër dhe të bukur dashurie,
duke na treguar se si shkruhet e si duhet të shkruhet sot për dashurinë.
Sarandë, më
28.01.2020