KASTAJANA PILURJOTE
Elegji monofonike nga Polo Çipa
Nga Timo Mërkuri
Elegjia monofonike që ka hedhur këto ditë në yutube
Polo Çipa ka tërhequr vëmëndjen e gjithë bregdetasve dhe natyrisht edhe
timen, qoftë për melodinë monofinike qoftë dhe për historinë që mbart në vetvete teksti i saj.
1-Teksti
i kësaj kënge ka një datlindje në pasvitet 1650, vit kur Piluri, (që atëherë
quhej Katund dhe ishte më në lindje të vendndodhjes së tanishme) u masakrua
masivisht nga ushtarët turq të garnizonit
të Delvinës që u thirën në ndihmë nga fshati fqinjë për të marë hakun e një vrasjeje të
kryer nga një pilurjot. Realisht vrasja ishte bërë për një çështje të justifikueshme nga doket
zakonore por të tejkaluar në mënyrën e kryerjes së saj. Ishte periudha kur
kishte filluar myslimanizimi i Labërisë dhe gati në çdo fshat ishin gjetur
ithtarë të ndërimit të fesë. Pilurjotët, në respekt të vendimit të vilajetit të
Himarës i ishin përgjegjur me refuzim kategorik ofertës turke, madje kishin
çuar lajm edhe në fshatrat e Labërisë te miqtë e tyre të lidhur në vëllamëri që,
në rast se ata do ndëronin besimin, këta do shkonin dhe sipas zakonit do ju
digjnin shtëpitë[1]
ose do t’i vrisnin në pragun e shtëpive.. Turqit u informuan për ultimatumin që pilurjotët u dërguan miqve të tyre të shumtë dhe kërkonin
sebep për ta ndëshkuar në mënyrë që ta bënin “shëmbull” për refuzuesit e tjerë
të mundshëm. Rasti u erdhi në formën e një kërkese për ndihmë
nga fshati fqinjë, i cili në këmbim u ofroi turqve ndryshimin e fesë. Kjo
ishte vërtet e papritur pasi ai fshat ishte dalluar në rezistencën antiturke si
asnjë tjetër, madje këtë qëndrim e mbajti gjatë gjithë historisë, por premtimi
i dhënë turqve në një moment zemërimi bëri që myslimanizimi të hidhte
rrënjë pikërisht te ky fshat- shkëmb antiturk.
Masakra turke mbi pilurjotët ishte e tmershmë. Me një sulm të befasishëm
në mesnatë u dogjën pesëqint shtëpi, u vranë më shumë se gjysma e
banorëve gra, fëmijë, pleq dhe burat të zënë në befasi. Rezistenca ishte e pakët përpara dallgës së mizorisë turke, të
cilët nuk mbanin fare robër. Rruga e vetme ishte ikja nëpër natë. Një pjesë e
banorëve ikën me magje që i përdornin si varka (iknë me magje në Pujë- thotë një këngë) për në Pujë, në ishujt e vetmuar
grekë përballë Himarës, pjesa tjetër u vendos në fushën e Qeparoit. Pas tre-katër
vitesh fshati Qeparo u kërkoi të largoheshin pasi toka e tyre e bukës ishte e
pakët dhe nuk u mjaftonte për vete dhe jo të mbante dhe ata. Pilurjotët me synim për tu afruar në vendin e
tyre, u vendosën në Kastane, një pyll me gështenja (gështënja-kastanja, greqisht)
e cila ishte në administrim të Himarës. Por edhe himariotët pas dy vitesh u kërkuan
të lironin tokën e tyre (Kastanenë). Dilemën se ku mund të vendoseshin jua “zgjidhën”
vetë himariotët të cilët u premtuan pilurjotëve ndihmë materiale për të ndërtuar
shtëpitë në vendin ku janë sot, në rast se ata do mirnin përsipër edhe mbrojtjen
e Himarës nga sulmet turke që mund ti vinin nga zona e Labërisë. Një pjesë e
vogël e pilurjotëve nuk e pranuan versionin e Himarës dhe u larguan drejt Strakënasë
në mënyrë të pa organizuar. Ky është momenti që ka lindur ky teksti i kësaj kënge,
por në formë vajtimi.
2- “Kastajana” është emri i një vajze
pilurjote, pagëzuar para masakrës dhe që
iku në Strakëna pas largimit nga Kastanaja. Përqasja e emrit të vajzës
me emrin e vendit ku u vendosën dhe nga u larguan më pas pilurjotët është një
rastësi tepër e bukur. Në tekst ftohet
kjo vajzë që të vijë në fshat dhe të vajtojë mbi varret e të vrarëve, sepse
sipas zakonit të vdekurit që nuk vajtoheshin nuk gjenin rehat në botën tjetër.
KASTAJANA.
Ç'pan
o xhan që të përzunë[2]
Kastajana
Pilurjote
Nuk
u ngopnë me Katundë
Në krah
s'të doli një shoqe[3]
Mirë qeni i pabesë[4]
Që na la djepetë thatë,
Po
ç’panë këta lanetë[5]
Ç’panë
a gjeçin belanë
Darkë
herë kukuvajka
Ja thoshte derë më derë,
Korba po sillte mandata
Ç’u
tha deti u bë sterë
Të
lanë korbë jetime
Ç’u
hodhe nga Strakanaja,
Një
jetë me hidhërime
Ç’e
kaloi Kastajana
Dhe
në ardhç eja mbi vare
Mos i haro trojet tona,
Eja me kujë e me vaje
Kastajanë dhe vajtona.
3-Ky tekst kënge është i
pasviteve 1650 dhe më konkretisht pas largimit të pilurjotëve nga Kastanaja,
moment që e evidenton dhe kënga. Në fillim ka qënë një vajtim i njerëzve të vajzës,
e cila në rrethana të paditura u gjend e u rrit në ishullin e Strakënasë
pas ikjes nga Kastanaja ndërkohë që
babai dhe vëllezërit ishin vrarë natën e masakrës.
Qysh nga koha e krijimit të saj e gjer në ditët
tona kjo këngë ka jetuar si logatje grash, të cilën e logasnin gati të gjitha
gratë e fshatit në momente trishtimi. Pikërisht kjo mënyrë egzistence dhe
trasmetimi si logatje grash ka bërë që të
jetojë kaqë gjatë e pashkruar,[6] pasi gratë e fshatit e logatnin instiktivisht
në mënyrë gati të përditëshme. Pra kjo këngë ka ardhur nga vajtimi në formën e
logatjes, madje akoma interpretohet edhe sot nga grate si e tillë. Fakti që sot
neve na paraqitet në formën e një elegjie monofonike tregon se kjo këngë e
kaloi fazën e logatjes dhe hyri në terenin e këngës, dhe sipas “radhës” hyri si
këngë monofonike. Dikush do të thotë se si këngë monofonike u çfaq vetëm tani,
pas interpretimit të këngëtarit Polo Çipa. Kjo është e vërtetë, por kënga ka
jetuar gjatë si logatje dhe vetëm tani erdhi moment dhe njeriu i përshtatshëm që
ta shndronin logatjen në këngë, madje në këngë elegjike.
Kemi sqaruar se elegjia (vjen nga greqishtja “elegeia” që do të thotë
“këngë” zije) është një formë të
kënduari dhe vargjet e saj quhen vargje elegjiake që shprehin zakonisht dhimbje të madhe, vdekje
apo humbje të dashurisë.
Kujtojmë
se edhe logatja është “hapi i parë” i
vajit në procesin e shndrimit të tij në këngë isopolifonike dhe mbart me vete
gjithë ngarkesën emocionale të vajtimit. Në versionin që na paraqitet, logatja është
shndruar në këngë monofonike por që mbart në
masë të madhe melodinë e logatjes për vetë subjektin e saj.
Realisht kjo këngë është distancuar nga logatja dhe në këtë distancim ka
ndikuar së tepërmi fakti që këngëtari është
burrë dhe këndon me natyrë dhe zë burri. Vërtet të kënduarit nga një burrë e ka
zbehur dhe “plasaritur” ëmbëlsinë e fjalës dhe të tingullit por kjo më së
shumti është karakteristikë personale e këngëtarit se sa ligjësi e shndrimit të
vajtimit në këngë.
Pra
nga logatja e gruas, (që ishte në fillim) këtë këngë e largon fakti që tani e këndon
(e theksojmë faktin që “e këndon”) një burë me timbër melodik të dallueshëm,
ndryshe nga logatja e fillestare apo ligjërimi i origjinës. Shtoi kësaj dhe
faktin që kënga shoqërohet me fyell nga istrumentisti virtuoz Nardi Kongjini, shënojmë
faktorin e dytë që ndikon në distancimin
nga logatja.
Këtë
distancë ndoshta e bën më të ngushtë pak
fakti se melodia e fyellit është melodi e trishtueshme, por gjithsesi ajo është
melodi kënge dhe jo melodi logatjeje.
Është interesante pasuria që mbart kjo këngë
elegjike monofonike. Është një këngë shumë e vjetër, kur simotrat e saj janë
haruar me kohë. Si të gjitha këngët isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi,
por ndryshe nga ato, është një këngë “në
mes të rrugës” drejt shumë zërëshit gojor popullor sepse është në fazën e
porsashkëputjes nga logatja dhe interpretohet vetëm me një zë muzikor. Në
konteksin e saj melodia e fyellit luan më
shumë rolin e një isoje në një sfond muzikor se sa rolin e një “udhërrëfyesi”
melodie.
Po qe se do binim dakort që të shpreheshim në një formë letrare për
“ardhjen“ apo “gjetjen“ e kësaj kënge do të thoshnim se i ngjan gjetjes së një
kurore të artë dafinash antike, në rrënoja
antike të një fonderie të derdhjes së tyre, vend i cili është plot me mineral
ari, gati për tu shkrirë e derdhur në forma kurorash.
4-Piluri është një “fonderi”e stërlashtë
plot me depozita ari të gatëshme për tu derdhur në kurora të arta dafinash. Në
Pilur laboratori krijues i artit gojor popullor funksionon si në gjenezën e këngës.
Edhe sot mund të asistosh në një mort të
ndonjë djali të ri, ku nëna e tij shkul flokët me ulërima, çjerr faqet me thonjë
dhe godit me kokë muret e shtëpisë ndërkohë që në odën e burrave babai i të
ndjerit vajton me ligje djalin dhe godet
me grushte gjoksin, skena këto që përsëriten me tonalitete të larta në momentin e varimit të të ndjerit.
Pas një a dy ditësh në shtëpinë e mortit rrethi i grave vajtore zbaton ritin e
vajtimit me ligje ku vajtorja kryesore ligjëron një tekst vajtimi, një vajtore
e pranishme ja “kthen” vajin, vajtorja tjetër e “hedh” një oktavë të lartë që ta dëgjojë edhe zoti
gjëmën që ka “lejuar” dhe vajtoret e tjera e shoqërojnë me rrënkime. Kush e njeh
këngën popullore e kupton se ky është edhe formati i grupit isopolifonik.
Në një kohë tjetër, jo shumë të largët një grua e shtëpisë së mortit që
përmëndëm, duke ecur rrugës e ngarkuar me bucjelë më ujë apo një tufë drush
logat me vete tekstin vajtimor që ligjëruan
(vajtuan) gratë ditën e mortit, duke interpretuar të gjitha zërat që ishin të
pranishme në mort. Dhe ja në një kohë tjetër, një burrë nga të kësaj shtëpie a
ndonjë i afërt apo dhe një bashkëfshatar, ndërsa rri në kullotë e sheh bagëtinë befas ja
nis një kënge me po atë tekst të asaj dite të zezë për të vajtur më pas te një
ditë kur dikush, këtë tekst e këndon si tekst kënge në një dasëm a në një gëzim.
Kaqë ishte procesi, vajtimi u shndrua në këngë dhe nuk rikthehet më në vajtim.
Të gjitha këto moment mund ti gjesh në Pilur edhe në kohën e sotme. Nuk është
nevoja të pyesësh se nuk t’i shpjegon njeri. Vuri veshin e dëgjo ecurinë e
vajtimit dhe të siguroj unë që do dalësh te kënga ashtu si përroi del në det. Këtë
ligjësi ka ndjekur edhe vajtimi i
Kastajanës që na erdhi sot në formën e një kënge elegjike monofonike. Jo çdo
fshat e zhvillon këtë process. Duhet së pari të jetë një fshat i vjetër shumë
me banorë autoktonë dhe të lidhur me njëri tjetrin deri në pazgjidhshmëri. Në
Pilur po preke nje banor të tij ke prekur gjithë fshatin, por bëre mik një
pilurjot je miku i gjithë fshatit. S’besoj se dikush dëshiron të bëhet hasm me
ne prandaj po e lë këtu mendimin. Jo çdo vajtim shndrohet në këngë. Duhet që
vajtimi ti ketë vargjet si shigjeta që të çpojnë tejëpërtejë shpirtin edhe shtatin. Dhe sidomos jo kushdo
e zotëron procesin e shndrimit të vajtimit në këngë.
5-Që të shndrosh vajtimin në këngë është si të shndrosh ujin në verë,
duhet të keshë disa “cilësi” si Jezu Krishti. .Duhet të jesh vajtor dhe këngëtar
më përvojë e finesë ndjenjash, ashtu siç është dhe Polo Çipa. Polo Çipa ka
lindur më maj 1959 në Pilur dhe qysh fëmijë
i vogël bashkë me Kristo Çipën kanë jetuar në botën e këngëve dhe valleve
popullore. Leftër Çipa duke parë talentin e tyre, i nxiste dhe i aktivizonte më shumë se të tjerët. Kështu
shpjegohet që në moshën 15 vjeçare bëhen pjestarë të grupit të Pilurit duke kënduar
bashkë me Katina Mërkurin (Muço) dhe Erimioni Mërkurin (Muço) për të aritur në
moshën 17 vjeçare si këngëtar i grupit të Pilurit te kënga “Në të marça
manushaqe” për të dalur në skenën e
Festivalit Gjirokastër në moshën 19 vjeçare bashkë me këngëtaren Vasillo
Koka(Lapa) me këngën... “O bobo ç'qënka sevdaja”.
Nuk ka përfunduar ndonjë shkollë arti, ndonëse pas përfundimit të shkollës
së mesme në Himarë fiton konkursin në Vlorë e Tiranë për në Institutin e Lartë të Arteve. Mirpo mqse
babait të tij i paskësh hyrë një “gjëmb biografie” në këmbë, i duhej Polo Çipës
të çalonte gjithë jetën. Aktualisht është
emigrant në Greqi që 25 vjet, ku si drejtues i asamblit folkloric të emigrantëve
pilurjotë në Greqi, në qytetin e Patrës, bën përpjekje për ruajtjen e folklorit
të bregdetit në përgjithësi dhe atë pilurjot në veçanti. Ndjek dhe qëmton
veçoritë e artit gojor popullor pilurjot për të “krijuar” variacione melodike,
duke rithirur në skenë këngë më subject nga epoka të ndryshme. Ja si më shkruan
për momentin e nxitjes për këtë elegji monofonike:- …M’u kujtuan disa burra të
hershëm pilurjotë që qanin me zë por dhe që mërmërisnin me vet vete, sidomos im atë Sofo Çipa apo Spiro Bala, Milo Kolagji,
Labo Çakalli e shumë të tjerë. Rasti nxitës ishte kur shkova para 5 muajsh në varrezat e
fshatit ku gjeta Milto Çakallin me Marë Kongjinen që vajtonin të birin. Mara qante me ligje me zë të fortë ndërsa xha
Miltua e shoqëronte me vajtim me zë të ulët ndërsa unë mezi mbaja lotët. Ky
rast qe një pikë nxitjeje për këtë elegji...
Sarandë, më 03.06.2020
[1] Kur një kallaratas ndëroi fenë, një pilurjote mik i tij lidhur në vëllamëri
me pirje gjaku shkoi dhe i dogji shtëpinë në mes të ditës e në prani të tij dhe
vetëm pas kësaj vëllamëria qëndroi pa u prishur, ndryshe për mos ti djegur shtëpinë
duhej ta vriste vëllamin në pragun e saj.
[2] Është fjala për momentin e përzënies
së pilurjotëve nga Kastanaja.
[3] Pilurjotët në luftën me
garnizonin turk ishin të vetëm. Por aludon edhe për mosndihmën e fshatrave të
tjera pas vendosjes në fushën e Qeparoit apo edhe Kastana.
[4] Është fjala për ushtrinë turke
[5] Zemërimi është me hiamariotët që
u kërkuan largimin nga Kasanaja
[6] Kënga himariote e betejes së
Torviollit ku luftëtarët këndonin në valle …Demave të Shqipërisë/S’u shpëton
lop e Turqisë/Ali Pasha lopa plakë/Po ta mbajti eja prapë… e ka sjellur Barleti
dhe përshatur në shqipen e sotme Noli.