ANSAMBLI POETIK I PAQES SË BRISHTË
I-Njohja me vëllimin poetik “Paqja e brishtë[1]”
të Sabit Rrustemit ishte një befasi për mua, jo aq për vonesën kohore të
njohjes nga botimi i tij se sa për stilin dhe frymën poetike, tejet të veçantë nga krijimtaria e
deri atëhershme dhe e mëvonëshme e tij, stil dhe frymë poetike që më solli në
kujtesë poezinë e Bretold Breht. Fakti që në këtë libër janë përfshirë krijime
të periudhës 2001-2007 justifikon deri
diku këtë stil pse të kujton situatën
social-politike të Kosovës pas çlirimit, periudhë kur vendi ishte në administrim ndërkombëtar sipas Rezolutës
1244, ku UNMIKU ishte kryefjalë e përditshme. Ekipet politike kosovare ishin vetëm sa për t’u konsultuar
dhe për të zbatuar atë që parashihnin rregulloret e UNMIKUT. Madje edhe
zgjedhjet lokalee apo qëndrore nuk krijonin organe vendimarëse e ligjvënëse, situatë
kjo që vazhdoi deri më 17 shkurt 2008.
Ardhja e Marti Ahtisari me atë
“Pakon”e tij që s'kapërdihej lehtazi pse ishte “patate tepër e nxehtë”, trazoi më tepër klimën politike në vend.
“ Pakja më kaplon para kësaj Pakoje
të trishtë
Në këtë botë mbi ujë me paqe të
brishtë
………………………………………..
Duart më dridhen
Dhe këmbët
Më thehen dhëmbët
……………………….
Se ç’mungon brendësisë së sajë
Dreqi ta hajë me gaz e vajë
Mungon dashuria e kësaj bote
Mungon
dhe puthja e saj” f.45
Duhet të themi se: ndërsa në kohën
e pushtimit shqiptarët kishin një unitet përballë serbëve, ardhja e lirisë i hutoi me
dritësimin e saj, sa që u degëzuan nëpër parti të ndryshme politike, madje tepër
ftohtësisht kundër njëri tjetrit. Situata ishte e akullt dhe mes shqiptarëve e
serbëve, sepse këta, në vend që të kërkonin ndjesë si agresorë e ushtrues të
gjenocidit mbi Kosovën dhe popullin e saj, nisën të luanin rolin e viktimës.
Shqetësues ishte fakti se nisën dhe
fërkimet politike mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, çka pruri dhe luhatjen e
imazhit të Kosovës në arenën botërore. Të gjitha këto tensione e fërkime mund
të shpinin lehtas në një luftë civile, që pavarësi sht nga shërbimet sekrete që
e sponsorizonin, do ishte tragjedia më e madhe kombëtare. Ishte merita e Presidentit Ibrahim Rugova, i
cili duke vënë në plan të parë aspiratat e popullit të Kosovës për një shtet
demokratik me drejtim europian dhe aleancë
euro-atlantike normalizoi situatën, e evitoi atë.
II-Sabit Rrustemi në këtë situatë
ishte i angazhuar politikisht si në pushtetin lokal, ku drejtonte Zyrën Për
Mardhënie me Publikun në Komunën e Gjilanit, po ashtu dhe si deputet i Kuvendit
të Kosovës në vitet 2001-2004, dhe kishte mundësinë të njihte e përjetonte
situatën sociale dhe politike të vendit, të cilën si bronx e shkriu dhe e
derdhi në një monument poetik. Ndaj në vargjet e këtij libri, si në jetën e tij
gjejmë opozitarizmin e dyfishtë, si ndaj ndërkombëtarëve ashtu dhe vendorëve,
shprehur me një stil poetik të veçantë ku nuk mungon dhe një tis ironie, si gjembi
në trëndafil. “Unë/Hapin s’po e ndal” shkruan poeti (f. 27) ndaj themi se krijimet
e këtij vëllimi janë më shumë produkt i kohës kur u shkruan dhe pasqyrim i saj
se sa petale të çelura të talentit të tij poetik. Vargjet e këtyre poezive janë
ngulçet e shpirtit që dalin me ofshamë e derdhen në letër, aty bashkohen me
njera tjetrën në formë poezie ku kushdo mund të shohë e të lexojë si në një
grafi dhimbjen e brengat e shpirtit a lulet e gëzimit dhe të kuptojë se: ato
metafora që rrezëllijnë në vargje, janë lotët e shpirtit, të dhimbjes a gëzimit
të poetit dhe melodiciteti i zanoreve është tingull kënge e vaji i tij. Vargu i
poetit është siç është atdheu, i tendosur si hark në momentin për të lëshuar
shigjetën, por që dora e mban fortë pse përpara ka atdheun e rilindur.
“Ulem këmbëkryq përball’ tij
Flas e çmallem
Përmes imazhesh përndizem”
te i cili
“ Rigjej veten ëndrrave fëmijërore
………………………………………..
Dhe atë këmishë
Atë lëkurë dheu
Që në trup e mbaj
Kah shkoj”f. 3
Është periudha e një paqeje të
brishtë, ku një fishë ere dimërore e “pleqve[2]
të marsit” mund të ngrinte filizin e saj. Pikërisht në këtë kohë autori vargjet
dhe artin e tij e vë “roje” poetike te ky fidan i brishtë i lirisë, çka kuptojmë arsyen pse poeti solli këtë varg
të thantë me një stil, metafo-
rë e formatim poezie që
të kujton poezinë e Bertold Brehtit.
III-Vëllimi poetik “Paqja e brishtë” nis me
poezinë “Atdheu i rilindur”dhe mbyllet jo rastësisht me poezinë “Kodi mbrojtës
i Atdheut” duke lënë të kuptohet se çdo gjë e tyre është dhe jetohet vetëm
brenda atdheut dhe për atdheun. Nëqoftëse në poezinë e parë për
atdheun shkruan:
“Mbeti arrë e vogël po e fortë
Në
këtë botë
U
rilind për të satën herë ” f.2
te poezia e fundit shkruan:
Atdheu shtrihet mëtej një syri të
mprehtë
Mëtej një hapi të rreptë
Atdheu ka dhe emër
Dhe votër
E motër
………………………..
Ajo s’preket
Ajo s’ arrihet
As shijohet
Pa ia falë Palcën e Gjakut
Palcës
së Dheut f. 47
Duke
analizuar këto dy poezi shohim se tek e para shkruhet me një frymë “ëndërrimi”
dhe meditimi pranveror për atdheun e rilindur, ndërkohë që te poezia e fundit flitet e shkruhet me ton serioz , si porosi amaneti, si urdhër, si
një kujtesë që e sjell koha. Dhe përsa i përket titullit “Atdheu i rilindur”,
cilësori “rilindur” përmbledh historinë
e atdheut, sa të dhimbshme aq dhe shpresëdhënëse, duke tërhequr vëmëndjen se:
atdheu është si një fëmijë i porsa (ri) lindur që ka nevojën e ndihmës dhe kujdesit
të të gjithëve.
Poeti flet pak, poeti flet
metaforikisht, por poeti është zëri i vërtetë i atdheut dhe kombit. Vetëm poeti
ka të drejtën dhe kurajën t’i drejtohet një force e vendi pushtues në njëjës,
sikur i flet një hajduti pulash, kapur në vjedhje e sipër:
“Ne këtu ishim kur
erdhe
Si zot
S’di kush të ftoi
Dhe tempujt i kishim
Dhe faltoret
Dhe një zot mbi koka”
f.9
Këto
poezi për atdheun të duket se janë “ngritur” mbi poezinë “Vetëm të palindurit ende nuk janë
gjetur” që flet për viktimat e krimeve serbe anë e mbanë Kosovës, eshtrat e të
cilëve nuk janë gjetur. Në qoftë se dy poezitë e mësipërme mund të recitohen me
tonalitet të ndryshëm, kjo poezi vetëm mund të klithet me dhimbje, pse bashkëtingëlloret
e fjalëve ngjajnë me brinjë të thyera që të çpojnë në trup.
IV-Ajo që na tërheq vëmendjen është se Sabit
Rrustemi në këtë vëllim shfaq një dukuri të mëvetësishme poetike, atë që mund
ta quajmë “ansambël poetik”. Ndryshe nga “cikli poetik” ku poezitë kanë tema,
ide dhe stile të ndryshme, te “ansambli poetik” çdo poezi, duke qenë krijim më
vete, është njëkohësisht pjesë e një grupi poezish të një teme ose të temave që
kanë përafëri, të cilat trajtojnë artistikisht tërësinë lëndore, shpirtërore e
ideore të asaj që do të shprehë apo tregojë poeti. E thënë më qartë:te “ansambli..”poezitë
kanë drejtuar dritësimin e tyre, si prozhektorë te anët e ndryshme të personit,
idesë, ngjarjes, ëndrrës etj. duke ndriçuar në këtë mënyrë tërësinë e objektit
a subjektit poetik. Ka një ngjashmëri me
një ansambël ndërtimesh që synojnë të vënë në dukje diçka: një shesh, një stil
urbanizimi, një
lulishte apo një monument. Në këtë stil
janë ndërtuar banesat shqiptare në zonat veriore: kulla kryesore në mes, në një
vend zotërues që shikon larg dhe rreth saj ndërtimet e tjera ndihmëse, të cilat
shohin nga kulla kryesore. Duhet të kuptojmë se poezitë, pjesë të “ansamblit
poetik” nuk janë variante të ndryshme të një poezie, por janë poezi të ndryshme
që kanë qasje ideje dhe stili me njëra tjetrën.
Dukurinë e “ansamblit poetik” e
gjejmë psh. te grupimi i poezive “Kosova
me shenjtin e vetë”, “Nga thellësia e heshtjes”, kushtuar Ibrahim Rugovës[3]
sëbashku me poezinë “Lekë Dukagjini i ri”, e cila ndonëse i adresohet tërthorazi
Hashim Thaçit, në qëndër të idesë ka Ibrahim Rugovën (përmes figures së
Gjergjit). Te poezia “Kosova me shenjtin e vetë”, të bën përshtypje se poeti,
tej natyrës së tij të hyjnizimit të frymës, këtu hyjnizon personin, individin
kur shkruan:
“O Shenjti ynë
O Shenjti im
Me ne
E në ne
Për paqësim
Për
pavarësim”f.26
madje këtë frymë hyjnizimi e përsërit
dhe te poezia tjetër “Nga thellësia e
heshtjes”, ku shkruan:
“Ti
në thellësinë e majës së dielltë
Të Dardanisë
Përmes heshtjes po flet
……………………………….
O zoti im
O
shenjti im”f.27
Vlen të sqarojmë se ndërsa poezia e
parë “Kosova me shenjtin e vet” është shkruar në 5 shtator 2005, ditë në të cilën
Rugova njoftoi popullin se vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, njoftim
që solli një trishtim të madh në popull, si një natë pa yje sepse pavarësisht
debateve politike dhe me forcat opozitare, gjithë populli pohoi drejtësinë,
kontributin dhe paanësinë e tij politike në postin e Presidentit. Sabit
Rrustemi jo vetëm që kishte njohje personale me presidentin Rugova, por ishte i
zgjedhur prej tij në kandidimin për deputet , gjë që flet për një miqësi jo të
pakët. Kjo është arsyeja pse këtë ditë, si një klithmë nga goditja e lajmit ai
shkruajti poezinë e mësipërme. Në datën
21 Janar 2006 Ibrahim Rrugova ngjitet në qiell si një shenjt dhe poeti 3-4 ditë
më pas shkruajti poezinë e dytë, “Nga thellësia e heshtjes”. Është po ai Sabit
Rrustemi poeti që më 1980 me poezinë “Mplakja e Zeusit” i kërkontye “Zeusit” të
Jugosllavisë të zbriste nga Olimpi se ishte plakur, ndërsa tani, në emër të
dashurisë së gjithë popullit, pasi e shënjtëroi për së gjalli Ibrahim Rugovën e
ngriti në qiellin (jo vetëm poetik) e shqiptarizmës, si shënjtor të saj.
Interes çfaq poezia “Lekë Dukagjini i ri”, shkruar
më 17 shtator 2005 që përkon me zyrtarizimin prej Rugovës të “Ekipit të
Unitetit” ku u përfshi dhe Hashim Thaçi, të cilit edhe i adresohej përmes figures së Lekë Dukagjinit të Ri.
Aktualisht kjo poezi ishte si thirrje a ftesë për t’u bashkuar me Rugovën,
aimbolizuar me figurën e Gjergjit për fatin e Kosovës. Prandaj dhe vargjet kanë
një timbër të ngrohtë e tonalitet të qetë duke përdorur simbolikën historike:
“Bëhu krahu
Shpina
E shtylla e Gjergjit
Dyreku i Sh’pisë
E i tërë Dardanisë
Bëhu
………………………...
Gjergji
në Shenjt po shndërrohet” f.38
Dukuria e “ansamblit poetik”me përbërjen
e tre-katër poezive krijon mundësin e zbërthimit të idesë poetike në të gjitha
hapësirat që synon tema. “Ansambli poetik” i mësipërm nuk është i vetmi në këtë
libër, madje mund të themi se “Paqja e brishtë” është libër i “ansambleve
poetike”, i vetmi në llojin e tij. Një “ansambël poetik”më vete formojnë dhe dy
poezitë “Kandilat e Dokës”(f.30) dhe
“Udha e Dokës”(f.33), të cilat
ndonëse e marrin shkasin nga ngjarje reale e Dokë Karadakut nga fshati Terziaj,
i internuar në Mihaliq të Turqisë në vitin 1846 për shkak të mospranimit të
kthimit në besimin islam, ato në fakt shfaqin luftën e shqiptarit për të
mbrojtur identitetin kombëtar, traditat dhe zakonet e tij. Arsyeja pse ka një
ide përgjithësuese kombëtare, poezia është trajtuar në frymën e artit gojor, në
stilin dhe botën e baladave, elegjive dhe legjendave , madje edhe klima e
krijimit është huazuar nga arti gojor. Për nga ideja, në këtë grup bashkohet
dhe poezia “Portret që s`kornizohet” (f.4), duke e bërë të plotë idenë e një “ansambli
poetik” që dritëson portretin dhe luftën e shqiptarit.
Në këtë
këndvështrim duhet të shihen edhe tre poezitë: “I zoti i shtëpisë dhe qeni” (f.15),
“Ndëshkimi i qenit”(f.16) dhe poezia “Shpërblimi” (f. 17) që paraqesin një “ansambël poetik” për “qenin
” dhe të zotin e tij, që mund të jenë një kryetar lokal dhe truproja e tij, një
lider politikë dhe shefi i protokollit apo kuadrit etj. Këto poezi që në pamje
të parë të duken si një poezi e ripunuar
në disa variante, këto realisht janë një “ansambël poetik”me tri poezi të së
njejtës temë dhe ide, madje të shkruara me të njëjtin stil.
Të njëjtin mendim ndajmë dhe për
poezitë “Pakja para Pakos së pritur”(f.44) dhe “Në dimrin e zjarrmisë” të shkruar të dyja brenda një
jave janari të vitit 2005 ku me një ironi therëse, që mbart brenda vetes revoltën
flet për “Pakon…” e Marti Ahtisarit, duke e portretizuar atë në ftohtësinë (jo
gjakftohtësinë) e tij:
“Marti
i mbështjellur me acarin e Veriut
I mati me sy përmes një shikimi
Tamam ua paskemi prerë tha..”
dhe në pakon e tij “mungon dashuria e kësaj bote/Mungon dhe puthja e saj” (f.45). Në këtë
“ansambël poetik” bashkohen lehtësisht poezitë “Përurimi i qendrës multietnike”(f. 21), “Oxhaku i
qendrës multietnike” (f.23). Interesante është poezia “Ali Podrimja është
fajtor[4]”
(f.40), poet i cili falë vargut të tij u mishërua si askush tjetër me Kosovën
dhe fatin e shqiptarëve. Përmes një ironie të hollë tallet me “poetucët” që nuk
e arrinin poetin “as me shikim”, lëre më me krijime poetike. Kjo poezi ka qasje
poezinë me “Shkallët për në Olimp”(f. 7) madje edhe ngjashmëri stilistikore.
Mbyllja ironike, tipike e Sabit Rrustemit me vargjet:
“Medet për atë majë Olimpi
Të zitë e ullirit e pa me atë të
çmendur
E s’u kënaq njëherë prej neve” (f.8)
..ka një qasje jo thjeshtë stili me
poezinë “Ali Podrimja është fajtor” ku shkruan:
“Lëreni
mos ia prishni vetminë
le të shkruajë e le të çmendet
le të mbyllet në muzën e tij
edhe i’qind vjet
edhe i’mijë vjet
sepse dënim më të rëndë s'mund t'i
shqiptojmë
as Ne vetë
Amin”(f.42)
..ku duhet të njohësh natyrën e
autorit për të kuptuar natyrën e vargut të tij poetik.
V- Ne
mund të citonim edhe poezitë e tjera dhe vendin e tyre në “ansamblet poetike” të
këtij libri, por ajo që ka rëndësi është se: këto “ansamble…”me nga tri-katër
poezi bashkohen në një “ansambël poetik” më të madh, që është vetë vëllimi
poetik. Kjo pse në thelb të gjithë poezive janë njerëz e procese që kanë përcaktuar fatin e sotëm dhe të nesërm të
njeriut shqiptar dhe Kosovës në tërësi,duke e dritësuar atë nga të gjitha
anët.
Poezitë
e këtij libri mbajnë vulën e stilit poetik të Sabit Rrustemit, qoftë në
formatin estetik të poezisë, metaforën e vargut, ironinë therëse dhe të fshehur
në shumë kuptimshmërinë e vargut. Tendosja e mendimit poetik është shumë më e
madhe edhe se te libri i tij i parë “Ku i la lisat era” të shkruar në situatë
pushtimi (1981 ndonëse botuar në 1990) për arsye (mendoj) se: aty ishte poeti në një front me
gjithë shokët përballë pushtuesit serb, ndërsa këtu është në front përballë disa prej shokëve, madje është opozitar edhe
me disa prej (mendimeve, veprimeve, ideve) çlirimtarëve ndërkombëtarë. Por ndërsa
në librin e parë ishte “fshehur” mes metaforave poetike apo poezive metaforike,
te ky libër duket sikur metaforat “synojnë” ta vënë më në dukje opozitarizmin e
tij dhe arsyen e sfidës. Te poezitë e këtij vëllim Sabit
Rrustemi e mer fjalën si gurë shkëmborë nga mallet e epeve, i gdhend dhe i formëson gjer në imtësi imtësi si skulptori linjat e
statujës, i gdhend e i lëmon sipas
vendit në fjali e në varg, i
jep formën kuptimore që do, si të një njeriu të dashur, madje ai shkon edhe me tejë: i jep frymë nga
fryma e tij dhe i thotë: Jeto, ja hap sytë dhe i thotë: Shiko, ja “pastron” veshët
dhe i thotë: Dëgjo, i hap buzët dhe i
thotë: Folë! Poezitë e Sabit Rrustemit janë statuja të gjalla që flasin, dhe
flasin një shqipe të bukur.
Gjithsesi,
e parë në kohën kur është shkruar dhe botuar kjo poezi është tribunale për nga
tonaliteti e tensioni që mbart në vargje dhe ide, që na prezanton një poet luftëtar
për idenë e një atdheu plotësisht të pavarur e demokratik.
Sarandë, më Mars 2023
[1] Sabit Rrustemi:
“Paqja e brishtë” botim i “Rozafa”, Prishtinë 2007
[2] Ironizim i termit
“Plakat e Marsit” për burrat me mendësi “pleqërie” pavarësisht moshës.
[3] Ibrahim Rugova (2
Dhjetor 1944 – 21 Janar 2006)
[4] E shkruar në datën
20.9.2002 dhe e lexuar për herë të parë, në "Takimet e Dom Mikelit",
në Stubëll, viti 2002 e ku ishte i pranishëm dhe vetë poeti Ali Podrimja.
Komisioni as që e kuptoi poezinë, por buzëqeshja e Ali Podrimes i “siguroi” se
ishte “diçka” e mirë.
No comments:
Post a Comment