Thursday, 28 November 2024

POEZIA “KËRKON NJË RRUGË ARRATIE…?” SI REFUZIM DHE PËRBALLJE

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia e Odise Kotes, "Kërkon një rrugë arratie…?", hapet me një titull që provokon mendimin dhe nxit reflektimin, pse e formuluar si pyetje, në pamje të parë, duket si një adresim i hapur që kërkon një përgjigje nga heroi lirik apo edhe nga vetë lexuesi. Pyetja bart në vetvete një dyzim: një dyshim mbi nevojën për të ikur dhe një thirrje për introspeksion mbi arsyet që e shtyjnë këtë arratisje. Me këtë hapje të dykuptimtë, poeti krijon një tension filozofik, duke i dhënë gjithë poezisë një karakter meditimtar, thellësi reflektuese mbi raportin e individit me botën që e rrethon, me sfidat e ekzistencës dhe me dëshirën për liri e transcendence, diçka që shkon përtej kufijve të mendjes njerëzore ose botës materiale. Titulli shërben si hyrje e fuqishme në një rrëfim poetik ku arratisja realisht nuk është ikje, por është një refuzim total i mediokritetit dhe përpjekje për t’i tejkaluar, kapërcyer kufijtë që shoqëria, koha apo vetë njeriu i kanë vendosur jetës së individit. Vlen të theksojmë se dhe forma pyetësore e titullit është krijuar për efekte artistike, pse poezia në këtë mënyrë hap një hapësirë mendimi dhe ngre dilema, krijon një dialog me lexuesin ose mes heroit lirik dhe ndërgjegjes së tij e të lexuesit. Në vetvete pyetja nënkupton pasiguri ose kërkim për një përgjigje që nuk është e qartë, ngre dilema ekzistenciale dhe mqse arratisja është refuzim, titulli shpreh një moment kritik të vendimit: a do përballet apo do largohet heroi, dhe se përmes pyetjes, titulli le të hapur pyetjen se kush është subjekti, mund të jetë heroi lirik, por mund të jetë çdo individ që synon të kapërcejë kufijtë e mediokritetit që e rrethon. Kjo gjithashtu e bën poezinë universale dhe vargjet:

"Të shohin se je gati të hipësh mbi kalë,

A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?"

janë tepër domethënëse.

I-Kote e cilëson ikjen në titull si një arratisje, por në thelb ajo përfaqëson një refuzim të qartë ndaj mediokritetit të jetës, gjë që lexohet në gjithë vargjet e poezisë. Madje mund të konsiderohet dhe si rikthim për ti parë situatat ndryshe. Heroi lirik nuk kërkon thjesht të ikë për t’i shpëtuar ndonjë rreziku, ai synon të distancohet nga një realitet që e shtyp, e zvetënon dhe e shurdhon shpirtërisht. E parë në këtë aspekt, kjo nuk është ikje e zakonshme, as një refuzim formal, ky në thelb është një akt rebelimi, që shpreh revoltën e individit kundër monotonisë, pasivitetit dhe shpërfilljes shoqërore që e rrethon, kjo reflekton një ikje të vetëdijshme dhe të guximshme nga mediokriteti, banaliteti dhe ngurtësimi i jetës së përditshme, madje përmban edhe tiparet e një ftese për një rebelim civil, thirrje për ndërgjegjet e përgjumura apo të tulatura. Në këtë kontekst te vargjet: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur" lexojmë qartë se “arratisja”jo vetëm që  nuk është fizike, por përkundrazi është një lëvizje heroike, e ndërgjegjshme drejt një qëllimi më të lartë, ku ndërgjegje "e çmendur" simbolizon dëshirën për mos ju nënshtruar normave kufizuese të shoqërisë. Po në këtë kontekst te vargu: "A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas, a ti ndalësh?" heroikja e individit shfaqet në aftësinë për të refuzuar gjithë zhurmat e kota dhe thashethemet që pengojnë zhvillimin. Poetikisht ky refuzim shndrohet në një simbol të shpëtimit shpirtëror.

Revolta kundër mediokritetit është më e dukëshme në vargjet:"Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,"pse shfaq veprimet mediokre të të tjerëve që synojnë ta ndalojnë heroin nga përpjekja e tij për t'u ngritur mbi medriokitetin e shoqërisë. Është ky akt që simbolizon presionet shoqërore për ta penguar individin në ngjitjen e tij (në jetë, profesion, art etj) dhe për ta mbajtur atë në nulitetin shoqëror të përditshëm. Ndërkohë në vargun “Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,"refuzimi shfaqet si formë ekzistence, si një proces i ngadaltë shuarjeje për ata që nuk guxojnë të refuzojnë këtë mediokritet dhe të ecin përpara në rrugën e tyre. Refuzimi i kësaj lloj ekzistence është thelbi i heroizmit në arratisjen e individit.

Pra, në thelb arratisja e shprehur nga Kote nuk është një arratisje në kuptimin literal të fjalës, nuk është një largim nga jeta, por një akt refuzimi (të mediokritetit) dhe përpjekje për të arritur një ekzistencë më të pasur shpirtërore dhe sidomos më vetiake, më individuale. Poeti shpreh idenë se për të gjetur kuptimin e jetës, njeriu duhet të ketë guximin të refuzojë konformizmin dhe të përballet me pasigurinë e rrugës së tij të zgjedhur. Vlen të themi se këto poezi, për nga mënyra dhe arti i trajtimit të temës dhe idesë janë nga ato poezi që revolucionarizojnë letërsinë drejt universalitetit dhe Odise Kote ka një kohë të gjatë që fton lexuesin në udhëtimin universal.

II-Heroi lirik i Kotes nuk do thjesht të mbijetojë, ai do të jetojë si njeri. E parë në këtë aspekt Kote nuk krijoi një poezi për temat dhe termat filozofike, ai krijoi një poezi për realitetin shqiptar dhe në këtë kontekst është normale pyetja se: cilat dukuri refuzon poeti? Heroi lirik i poezisë së Odise Kote që "Kërkon një rrugë arratie…?", refuzon jo thjesht vuajtjen dhe mediokritetin vulgar, por së pari refuzon një sistem vlerash të degraduara dhe një realitet shqiptar të ngulfatur nga padrejtësitë, shtypja dhe mungesa e shpresës. Duke dëshiruar jo vetëm të mbijetojë, por të jetojë me dinjitet njerëzor, ai refuzon ato dukuri që përfaqësojnë kufizimet e shoqërisë shqiptare.

1. Heroi lirik kërkon t’i shpëtojë realitetit ku individi është i ndëshkuar për guximin e të menduarit ose të vepruar ndryshe, dhe në këtë aspekt jemi dëshmitarë të ndëshkimeve të tilla vetëm pse individi kurajoz nuk është I pëlqyeshëm nga shteti dhe partia në pushtet. Varësia nga pushteti  dhe shteti politik lexohet lirshëm te vargjet  :

"Retë enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,

Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën…”

Këto imazhe shfaqin pengesat e qëllimshme që i vihen individit për të mos arritur lirinë e vërtetë, duke simbolizuar një mjedis të ashpër dhe mosbesues.

2. Në realitetin shqiptar, shpesh individi përballet me një shoqëri të mbyllur në mendësi mediokre, ku ndryshimi e përparimi shpesh konsiderohen apo vlerësohen si kërcënime. Kemi qenë dëshmitarë të fakteve ku mendimi novator është refuzuar vetëm e vetëm pse ishte mendim i dikujt tjetër dhe jo i “personalitetit” të menduar apo emëruar. Në poezi, refuzimi ndaj këtij mediokriteti pasqyrohet në pyetjen retorike:

"A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?"

duke dëshmuar përpjekjen për t’iu larguar një shoqërie të ngurtësuar në disa kode e doke, që në heshtje jo vetëm që nuk pranon transformimin, por pengon dhe ata individë që synojnë.

3. Heroi refuzon të nënshtrohet ndaj realitetit që pengon vetërealizimin dhe ëndrrat. Kushdo mund të sjellë shembuj që vërtetojnë këtë rast pengimi të ëndrrave të individit të penguara nga “shoqëria” zyrtare. Kjo nënkuptohet në vargun:"Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," të cilat sugjerojnë një rebelim të brendshëm kundër kushteve që e kufizojnë shpirtin krijues e me inisiativë dhe dëshirën për të jetuar një jetë kuptimplotë.

4.Në disa rreshta, poeti kritikon mungesën e solidaritetit e mbështetjes, madje dhe sabotimin e përpjekjeve të atyre që kërkojnë ndryshim, kritikë që shfaqet te vargu: "kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…" ku ky imazh aludon për kundërshtinë dhe egërsinë që individi përjeton nga të tjerët në një shoqëri të ngurtë dhe mosbesuese.

5.Duhet të kemi parasysh një gjë, është shumë e vështirë të luftosh një praktikë jete të ngurtësuar në mediokritet, kjo kërkon një heroizëm civil të njerëzve me kurajo e vizion, mungesën e të cilës (heroizmit) poeti refuzon ta pranojë. Poezia përmend një figurë mitike si shprehje e dëshirës për të rigjetur heroizmin e dikurshëm dhe e sjell te vargjet:

"Më bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,

afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë."

Kjo dukuri më shumë simbolizon nostalgjinë për kohën kur vlerat shqiptare mbështete-shin te trimëria, nderi dhe përpjekja për liri, të cilat në kohën e sotme, jo vetëm që janë zbehur, por kujtohen si diçka e prapambetur.

E parë në këtë aspekt poezia e Kotes nuk është thjesht një shprehje filozofike; ajo është shnedrruar në një akt denoncues ndaj dukurive frenuese të realitetit shqiptar si: shtypja, mediokriteti, mungesa e solidaritetit dhe vlerave heroike. Poeti përmes pasazheve të fuqishme dhe simbolike, shpreh jo vetëm refuzimin, por edhe një dëshirë të thellë për një jetë aktive, të ndershme, dinjitoze dhe të lirë.

III-Duke e parë poezinë si një akt denocues, natyrshëm lind pyetja në se mund të shihet ajo si një poezi sociale? Në përgjigje themi se kjo poezi mund të shihet si një poezi që përfshin elemente sociale, por ajo nuk kufizohet vetëm në këtë dimension. Ajo shpreh shqetësime të thella njerëzore dhe universale që ndërlidhen me lirinë, ekzistencën dhe identitetin, duke kaluar përtej kornizave të poezisë tipike sociale.

1.Aspektet sociale shihen te fakti se poezia reflekton qartë mbi një realitet shqiptar, ku individi përballet me mediokritetin dhe mungesën e shpresës. Vargjet që shfaqin psh. sabotimin dhe mungesën e solidaritetit, siç i cituam më sipër: "kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun..."sugjerojnë një mjedis shoqëror (shqiptar) ku individi pengohet të arrijë lirinë dhe të realizojë ëndrrat e tij, duke shprehur një kritikë e fshehur ndaj strukturave të ngurta dhe të padrejta të shoqërisë.

2.Përtej dimensionit social, poezia nuk kufizohet vetëm me denoncimin e dukurive shoqërore. Ajo zhvillon një reflektim të thellë mbi ekzistencën njerëzore, duke u fokusuar te ndjesitë individuale të refuzimit dhe dëshirës për të kapërcyer kufijtë e shpirtit dhe realitetit të përditshëm. Pyetja e hapur që mbart titulli, "Kërkon një rrugë arratie...?", nuk është thjesht sociale, por filozofike, duke aluduar për një nevojë universale për shpëtim dhe transcendencë.

Pra duhet të pranojmë se poezia ka dimension social të theksuar në saje të kritikës ndaj shoqërisë shqiptare, por ajo nuk është thjesht një poezi sociale. Ajo, është një poezi ekzistenciale me rrënjë sociale, që ndërthur aspektet e realitetit kolektiv me shqetësi-met e individit, duke u ngritur mbi një univers më të gjerë artistik dhe filozofik.

IV-Më sipër përmendëm që poezia është ekzistenciale dhe universale dhe në argume-ntim të kësaj shpjegojmë se poezia: "Kërkon një rrugë arratie...?" e Odise Kotes është ekzistenciale dhe universale për shkak të thellësisë së saj filozofike dhe shqetësimeve njerëzore që adreson. Ajo përqendrohet te pyetjet për kuptimin e jetës, lirinë individu-ale dhe sfidat për të kapërcyer kufizimet e brendshme dhe të jashtme. Këto elemente e bëjnë poezinë jo vetëm të lidhur me një realitet të caktuar, por të vlefshme për njerëzimin në tërësi.

1. Në analizën e dimensonit ekzistencial të poezisë theksojmë se ekzistencializmi fokusohet te liria, përgjegjësia individuale dhe përballja me absurdin e jetës. Në poezi, heroi lirik refuzon ti nënshtrohet një realiteti të ngurtë dhe kërkon të përballet me sfidat ekzistenciale:

"Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),

si feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës."

Këtu shfaqet dëshira për t’u çliruar nga errësira, “golles të zezë të natës” (simbol i ngërçit shpirtëror dhe kufizimeve) dhe për të gjetur një agim të ri (në zbardhtë), një hapësirë ku ekzistenca merr kuptim. Po ashtu vargu: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," thekson tensionin ekzistencial mes dëshirës për t’u larguar dhe pasigurisë që shoqëron çdo hap drejt së panjohurës. Heroi këtu përballet me absurdite-tin e realitetit dhe dilemat e ekzistencës.

2.Poezia merr një dimension universal, pasi shqetësimet që ajo trajton nuk janë thjesht lokale apo kombëtare por janë universale. Dëshira për liri, ndjenja e izolimit dhe përpjekja për të kapërcyer pengesat janë përvoja të përbashkëta për çdo individ:

"Fytazi a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,

çdo herë i braktisur...?"

Kjo dilemë është universale: individi është gjithmonë i vetëm përballë sfidave më të mëdha të jetës dhe kërkimit të lirisë. Po këshu vargjet:

"Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,

shenjuar të qëllojë mu në kraharor…"

reflektojnë mbi përkohshmërinë e jetës dhe absurditetin që mund ta karakterizojë atë. Heroi lirik është i tunduar nga vetë akti i të jetuarit, që kërkon guxim dhe përballje me dhimbjen dhe humbjen.

Kështu argumentojmë se:poezia ndërsa është ekzistenciale pasi trajton temat e lirisë, përballjes me absurdin dhe kërkimit për kuptim, ndërkohë është universale pasi përvojat që ajo shfaq janë të përbashkëta për njerëzimin. Në vargjet e cituara më sipër shprehen shqetësime që kapërcejnë çdo kufi kulturor apo kohor, duke e bërë këtë poezi një reflektim filozofik për qenien njerëzore dhe duke na prurë portretin e poetit më vizionar se sa e kemi njohur gjer më sot.

 

Sarandë, më nëntor 2024

 

Odise Kote

Kërkon një rrugë arratie …?

Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),

si feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës.

Të shohin se je gati të hipësh mbi kalë,

A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?

 

Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur,

Retë enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,

Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,

kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…

 

Më bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës, 

afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë.

Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,

shenjuar të qëllojë mu në kraharor …

 

Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut për të ikur,

fytazi a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,

çdo herë i braktisur …?


Sunday, 3 November 2024

 

 

POEZIA E NIKO KACALIDHËS  ZBUT  DETIN

 

Nga Timo Mërkuri

Për poezinë në prozë të Niko Kacalidhës kam folur dhe te libri im “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës” Onufri 2023. ku kam shfaqur dhe tiparet e kësaj poezie, por mqse libri ishte për një auditor të gjerë, nuk u ndala thellësisht te ndonjë poezi e veçantë e tij. Me këtë rast natyrshëm lind pyetja: pse Niko Kacalidha, ky poet modernist  i suksesëshme nisi udhëtimin në poezinë në prozë? Ku kërkonte të shkonte apo çfarë do shkarkonte nga barra shpirtërore dhe pse aty? Sigurisht që përgjigjen e saktë e di vetëm poeti, por duke ecur pas vargjeve të tij në të përpjetë poetike mendoj se dy janë arsyet.

E para: vetë poezia brenda tij e dha gjithçka në formën e saj moderniste, mirëpo ndërkohë që jipte, ajo (poezia) rritej brenda tij, duke e ndjerë të nevojëshme të shndrohej në diçka më të madhe, pasi formati modernist ishte shumë i vogël për atë. Një bonsai mund ta mbash pranë dritares, madje dhe një fidan të rritur limoni mund ta mbash në ballkon e ti vjelësh kokrat e para që prodhon, por një rrap, jo vetëm që s’mund ta mbashë në shtëpi, por as në oborin e saj nuk e mban dot, pasi është pemë që kërkon hapësirë të madhe, me shumë dritë e ajër, që t'i lejonte rritjen në lartësi e zgjerimin e degëve pa asnjë kufizim. Kështu brenda shpirtit të poetit fidani paskësh qenë “fidan rrapi”: kërkonte tokë të fortë, ujë të shumtë dhe hapësirë të bollshme ajri, pse ai reflektonte ngjyra e drita që rivalizonin natyrën, por natyra nuk mbyllet në formate të ngushta. Këtë hapësirë pra, ja siguronte vetëm poezia në prozë.

E dyta: fidani që po rritej brenda shpirtit të tij do të qëndronte me rrënjë aty ku mbiu, por degët do t'i rriste e zgjaste drejt shpirtit të lexuesve, zogjtë do bënin fole te ato degë dhe nën hijen e tij do poeti do ftonte në kuvendime mitet dhe legjendat.

Kështu Kacalidha e gjeti zgjidhjen: te poezia në prozë, e cila  është sot për sot kuota më e lartë e artit poetik, duke qenë ndërkohë edhe (një farë) Olimpi poetik, për poetët që mund të krijojnë poezi "olimpike". Ata që janë bekuar apo "mallkuar" me art (Rreshpja), vetëm poezi të tilla mund të krijojnë, ku mund të zbrazin shpirtin e tej ngopur me frymëzim. Niko Kacalidha bën pjesë në rradhët e atyre poetëve që mund “të lozë” në tokë me poezi moderniste, por shpirti i tij vetëm te poezia në prozë frymon. Për t'u bindur për këtë mjafton të shikoni krahasimisht nivelin e figurave artistike të dy formave poetike që ai lëvron.

I-“Zbutja e detit" është poezi në prozë që përbëhet nga një strukturë e lirë proze, e cila ruan elementet e poezisë, si përdorimi i gjuhës figurative, imazhet e pasura dhe ritmi i brendshëm, veçse është ndërtuar pa ndarje tradicionale në vargje. Kacalidha përdor një gjuhë poetike dhe organizim të tillë që, megjithëse formalisht i përngjan prozës, ajo përçon ndjesi dhe simbolizëm të ngjashëm me poezinë lirike. Në këtë vepër, ai i qëndron besnik stilit të tij:  përdor një strukturë narrative të ngjeshur për të shprehur idetë poetike dhe emocionet që ngërthen teksti.  

Në këtë poezi në prozë Kacalidha krijon një univers të pasur simbolesh e mitologjie, ku deti i trazuar gjen qetësinë përmes fuqisë së artit dhe trashëgimisë kulturore. Te vargu “Hodha në det deponin e hënës dhe shfrynte, afshonte me duhmë,” poeti përdor "deponin e hënës" si simbol i artit, duke sjellë  ndjesinë e ilaçit (deponin)që shëron dhimbjet e kokës. Në vijim, imazhi “sonata e yjeve” dhe “lira e Orfeut” simbolizojnë një simfoni kozmike që muzikon natyrën, duke ngjallur harmoni dhe qetësi në mjedisin e trazuar. Muzika e Orfeut, simbol i artit që zbut shpirtin, reflekton fuqinë e artit për të ndikuar mbi natyrën dhe për të harmonizuar universin. Nuk na befason vargu “Manteli i Homerit shndërrohej në velë brigjeve të shtynte anijet e akejve” ku poeti përfshin elemente epike, që nënkuptojnë trashëgiminë historike dhe kulturore, të cilat ndikojnë në arritjen e një paqeje shpirtërore. Jemi mësuar të shohim Kacalidhën të hyjë në sallonet e poezisë moderne veshur me mantelin e Homerit, e cila, si figurë simbolike përfaqëson urtësinë dhe madhështinë e epikës, por duke parë se te kjo poezi, ky mantel shndërrohet në velë që drejton "anijet e akejve" atëherë ndjejmë se Homeri dhe mantel i tij janë në shërbim të paqes dhe anieve (të luftës) u jipet udhë drejt ..paqes. Shënjtorët me liturgjinë simbolizojnë dimensionin shpirtëror dhe religjioz duke sugjeruar se paqja dhe qetësia janë të lidhur me besimin. Kjo përforcohet me vargun “Shënjtorët vëzhgues me liturgjitë në kryet e gurit” ku ndjen se ndihma dhe mbështetja shpirtërore janë thelbësore për të arritur paqen. Orrakulli si simbol i profecisë dhe njohurive sugjeron se zbutja e detit ka nevojë për udhëheqës, dikë që mund të ofrojë drejtimin dhe shpresën. “Orakuli zbuste Poseidonin” tregon se përballja me forcën e natyrës kërkon njohuri dhe urtësi.

Vëreni pak: kur poeti përmend “Unë, aedi i vetmuar zbusja luanin e Butrintit” ai i referohet basorelievit të "luanit të Butrintit" një simbol i forcës dhe agresionit. Përmendja e këtij luani gdhendur mbi një nga portat e Butrintit, shërben si metaforë e përpjekjeve të poetit për të zbutur natyrën e egër dhe për të përcjellë një ndjesi paqeje. Pra, poeti përfton kështu figurën e artistit, që përpiqet të pajtojë kontrastet e natyrës me realitetin. Kjo është tepër e ndjeshme te vargu i fundit, ku figura e poetit si “bardi i pastrehë, shtrirë në shkallarët e anëdetit” përfaqëson artistin që, pavarë-sisht nga ndjenja e vetmisë synon të ndikojë mbi universin përmes artit të tij.

Densiteti  figurativ dhe aktiv i elementeve tregon një ndjenjë të thellë përfshirjeje emocionale. Poeti angazhohet në dialog me elemente natyrrë, arti, historie e besimi duke theksuar rëndësinë e mardhënieve të ndërsjellta midis tyre në kontributin e një paqeje (jo vetëm) shpirtërore.  Poezia është gjithashtu dhe një pasqyrim i thellë i tipareve themelore të poezisë së Kacalidhës, pse ilustron mënyrën se si ai ndërthur metaforat, simbolet dhe elementet muzikorë për të përfituar një vepër të fuqishme, që I fton lexxuesit të reflektojnë mbi natyrën, artin dhe vetveten

II-Me qënë se përmendëm tiparet e poezisë së Kacalidhës vlen të themi se poezia “Zbutja e detit” reflekton thelbësisht tiparet që karakterizon poezinë në prozë të atij, analizuar prej nesh te libri “Blatimet poetike të Kacalidhës” Onufri 2023, ndonëse u jemi referuar disa poezive të tjera. Njësimi i tipareve të kësaj poezie me krijimtarinë tjetër poetike në prozë na tregon unitetin artistik në krijimtarinë e tij, çka dëshmon për një poet të konsoliduar në kuotat e epërme të artit. Le ti shohim këto tipare të krijimtarisë së tij te poezia “Zbutja e detit”:

1.  Poezia në prozë e Kacalidhës spikat për një strukturë morfologjike të veçantë duke zvendësuar vargjet tradicionale me fjali të gjata e të dendura, që ngjajnë si një rrëfim i ngjeshur. Ndryshe nga poezia e zakonëshme, këtu fjalia është një varg i zgjeruar që shpreh ndjenjë dhe mendim me një frymë të pandërprerë, duke krijuar një tension të brendshëm që të udhëheq drejt kulmit të idesë. Kjo strukturë ndikon lexuesin që të bëhet pjesë e poezisë, duke i lënë hapërsirë për interpretim të lirë të pikësimit dhe ritmit të leximit, duke kuptuar intuitivisht ku duhet ndaluar ose ku duhet mbajtur fryma, siç ndodh me vargjet "Hodha në det deponin e hënës dhe shfrynte, afshonte me duhmë, përhapej dhe shtrihej fëshfërima e shkumës nga dhimbja e kokës."

2.Për Kacalidhën rëndësia e fjalës është qendrore; çdo fjalë është zgjedhur me kujdes si bazë e motivit dhe ndërton struktura estetike të shumëllojshme. Poezia e tij nis me një shpërthim të fuqishëm emocional dhe rrjedh si një përrua drejt epilogut të saj, duke krijuar tingëllim dhe muzikalitet të brendshëm përmes përsëritjeve dhe alitera-cioneve. Kjo lidhje e fjalës me ritmin, së bashku me një strukturë të përpunuar mirë, e bëjnë poezinë e tij një eksperiencë unike për lexuesin, që shpesh kërkon të zbulojë më thellë procesin krijues të poetit. Fjalët e poezisë janë të zgjedhura me kujdes, ku çdo fjalë shpreh një emocion të veçantë në varësi të motivit të poezisë. Në fragmentin "Manteli i Homerit shndërrohej në velë brigjeve të shtynte anijet e akejve," fjala "mantel" dhe "velë" sjellin imazhe të trashëgimisë së lashtë, duke ndërthurur fuqinë epike me natyrën e butë të gjuhës poetike.

3.Poezia e Kacalidhës mbart elemente biblik e misticizëm, madje format tipografike dhe figurative të poezisë të kujtojnë tekstet biblike. Kjo ndikon që lexuesi të përjetojë një ndjenjë misteri, duke kërkuar ta kuptojë poezinë përtej nivelit të parë. Poezia është një përzierje mes prozës dhe poezisë, ku ritmi poetik ndërthuret me strukturën e rrëfimit, duke e ndarë poezinë nga hermetizmi dhe duke e bërë atë më të kuptue-shme për lexuesin elitar. Në pasazhin: "Orakulli zbuste Poseidonin dhe fashitej deti," poeti ndërthur simbolika mitologjike me një ndjenjë të thellë të paqes së natyrës dhe detit, duke krijuar një harmoni surreale midis hyjnores dhe natyrës.

4. Në poezinë e tij, Kacalidha shpreh një transparencë kristalore dhe një përshkrim të qartë të realitetit përmes metaforave. Ai  ndërton një poezi që shfaq ndjenjat e veta në një formë të qartë dhe të perceptueshme, ku lexuesi mund të shohë thellë në emocionet dhe metaforat e saj e  mund të dallojë çdo detaj si në një ujë të kthjellët. Me një ndërtim të mirëstudiuar dhe të harmonizuar, poezia e tij është një arkitekturë e pastër e fjalës dhe stilit, duke shmangur hermetizmin dhe duke krijuar një përvojë të veçantë estetike. Në fragmentin "Ishte lira e Orfeut që kërkonte paqëtimin e detit" lexuesi përçon një ndjesi të qartë të harmonisë dhe qetësisë që përshkojnë poezinë, e cila është si ujërat e kristalta të detit që zbulojnë thellësinë e tyre.

5.Poezia e Niko Kacalidhës i drejtohet një lexuesi të kujdesshëm që kërkon rilexim e thellim. Në fragmentin: “Pastaj sonata e yjeve. Puliteshin dallgët dhe uleshin duke qetësuar brigjet. Ishte lira e Orfeut që kërkonte paqëtimin e detit” tregon si poetika e Kacalidhës arrin të krijojë harmoni të thellë mes formës dhe përmbajtjes, ku ndjenja dhe mendimi ndërthuren me një ritëm të brednshëm të matur mirë. Kjo poezi kërkon një rilexim të kujdesshëm për të zbuluar shtresat e saj të ndërlikuara dhe për të përjetuar plotësisht lidhjen e formës me përmbajtjen, duke e udhëhequr lexuesin në një rrugëtim artistic, të pasur, kuptim plotë dhe të nivelit të epërm.

II- Në këtë poezi   Kacalidha shfrytëzon elemente të modernizmit, postmodernizmit, dhe surrealizmit për të krijuar një poezi në prozë që mishëron një botë të ngarkuar me simbole mitologjike, përjetime ekzistenciale, dhe figura të gjalla, shpeshherë të jashtëzakonshme.

1.Duke shfrytëzuar elementet modernist si: a.përdorimi i simboleve dhe referencave mitologjike, "lira e Orfeut", "manteli i Homerit" dhe "luani i Butrintit", poeti sjell tema universale që pasqyrojnë përjetësinë e artit dhe kulturës. b.Kacalidha shkrin kulturën e lashtë dhe mitologjinë me përjetimet moderne, duke krijuar një bashkëjetesë të së kaluarës me të tashmen..c. Me vargun “Unë, aedi i vetmuar zbusja luanin e Butrintit” Kacalidha portretizon poetin si figurë të vetmuar, që përballet me botën përmes artit të tij. Aedi përballet me detin, ( simbol i fuqisë dhe përhershmërisë), për ta qetësuar, duke nxjerrë në pah sensibilitetin ekzistencialist të artistit modernist. ç. Me frazën “Hodha në det deponin e hënës dhe shfrynte, afshonte me duhmë,” krijon një imazh surreal brenda modernizmit, pse "deponi i hënës" , një metaforë e bardhë qetësuese dhe ciklike si vetë hëna përftohet si një ilaç mbi detin, duke e personifikuar këtë të fundit me shfryrjen dhe duhmën që lëshonte. Kjo është një ndërhyrje e papritur, një lëvizje që përmbys realitetin dhe sjell një ndjesi surrealizmi, ku natyra është e ndikuar nga elemente të pazakonta. Pra këtu poeti shkrin realitetin me ëndrrën, një tipar surrealist që krijon një univers poetik ku kufijtë mes konkretes e imagjinatës zhduken. Në të njëjtën mënyrë, “sonata e yjeve” dhe shfaqja e “lirës së Orfeut” që qetëson detin krijojnë një ndjesi surrealiste të harmonisë kozmike dhe ndikimit të artit mbi natyrën.

2.Poeti nuk mjaftohet me modernizmin, ai krijon qasje postmoderniste si një shkallë më e epërme, e cila shfaqet në përdorimin e referencave mitologjike e antike, të tilla si “Orfeu” dhe “Homeri,” që bashkëjetojnë me referenca lokale si “luani i Butrintit”, basoreliev i njohur, simbol i qëndresës dhe agresionit, i cili shndërrohet në metaforë e përpjekjeve të poetit për të pajtuar e zbutur kontrastet natyrore e sociale përmes artit. Kjo ndërthurje e miteve universale me traditat e bën tekstin një fushë që përfshin dimensione globale dhe vendore, në një dekonstruim të kufijve tradicionalë të artit.

3. Gjithashti fakti që Kacalidha e vendos poezinë në formën e prozës, duke krijuar një strukturë të lirë që kapërcen format tradicionale të poezisë dhe të prozës, krijon një element postmodernist, i cili sfidon kufijtë formalë të artit dhe përqafon një mënyrë të re shprehjeje, ku përjetimi poetik përçohet në formë narrative dhe pa kufizime tradicionale.

III-Mirëpo me një lexim të vemëndshëm ndjen se poezia “Zbutja e detit” e Kacalidhës ka elemente që tejkalojnë postmodernizmin, duke sjellë aspekte të një ndjenje më të thellë metafizike dhe shpirtërore, e cila shkon përtej shpërbërjes dhe fragmentimit karakteristik të postmodernizmit. Këto elemente përfshijnë:

1. Postmodernizmi shpesh shmanget nga idetë e unitetit apo kuptimit të përbashkët, dhe e zhyt botën në fragmentarizëm. Në poezi, Kacalidha përpiqet të ofrojë perspekti -vë të unifikuar të botës, ku fuqia e artit ka potencialin të pajtojë konfliktet dhe të japë një paqe transcendence. Simbolika e "lirës së Orfeut" dhe "orakullit që zbuste Poseidonin" sugjeron kthimin te lidhja e përjetshme mes njeriut dhe forcave të natyrës, duke përfshirë përmasa shpirtërore që tejkalojnë racionalitetin.

2.Kacalidha, duke përfshirë mitologjinë dhe surrealizmit krijon një hapësirë ku reali-teti shtrihet përtej të zakonshmes dhe materiales. Elementet surrealiste, si "deponi i hënës" që shëron dhe "sonata e yjeve," tregojnë një botë të idealizuar ku imagjinata dhe fuqitë hyjnore luajnë rol të rëndësishëm. Kjo i jep poezisë  cilësi mbinatyrale, një hapësirë për të menduar përtej asaj që është e mundëshsme në kuptimin tokësor dhe përtej dyshimit karakteristik të postmodernizmit. Duhet të pranojmë se në poezinë shqipe Kacalidha është i vetmi mjeshtër që farkëton surrealizmin me mitologjinë duke na dhënë një poezi fine.

3.Poeti shfaqet te kjo poezi jo vetëm si vëzhgues, por si një figurë që merr përsipër detyrën e “zbutjes” së forcave të egra (si deti dhe “luanin e Butrintit”). Shihe pak te vargu i parë si shprehet poeti: “Hodha (dmth unë-poeti) në det deponin e hënës”, pra ai vepron, nuk qëndron mënjanë. Pikërisht ky rol e shndërron atë në mbrojtës të shpirtërores dhe trashëgimisë (te zbutja e luanit), duke  tejkaluar postmodernizmin, I cili  ironizon ose  relativizon rolin e autorit. Këtu poeti bëhet veprues ose ndërmjetës mes njerëzores e hyjnores, duke marrë një rol pothuajse mesianik, diçka që postmo-dernizmi e shmang.

4.Ndërsa postmodernizmi fokusohet te individualizmi dhe përvojat unike, Kacalidha arrin të mbajë ndjenjën e lidhjes universale, duke kërkuar që arti dhe traditat e lashta të shërbejnë si ura mes të kaluarës dhe të tashmes. Pikërisht ky bashkim mes kohëve tejkalon skepticizmin postmodern.

Në këto mënyra, poezia e Kacalidhës përfshin përmasa shpirtërore dhe përpiqet të arrijë një qëllim të unifikuar dhe transcendental, duke kapërcyer kufijtë e postmode-rnizmit dhe duke i ofruar një vizion më të gjerë natyrës njerëzore, botës artistike, sigurisht dhe lexuesve të tij.

IV-Niko Kacalidha është magjistar I figurave artistike dhe rolin që u jep atyre në poezinë e tij. Kështu psh.,në poezinë “Zbutja e detit” figurat artistike veç finesës së tyre artistike, sjellin përtej postmodernizmit një qasje poetike të re ku poezia në prozë dhe mitologjia bashkëpunojnë për të krijuar një udhëtim të thellë ekzistencial. Figurat artistike të ndërthurura përçojnë ndjesinë e zbutjes së detit dhe përvetësimit poetik të elementeve, duke e orientuar lexuesin drejt një perspektive artistike që shkon përtej postmodernizmit, në një botë ku arti dhe natyra bëhen një e vetme, në poezinë në prozë. Të kuptojmë një gjë: kjo perspektivë artistike e figurave në poezinë “Zbutja e detit” shkon përtej postmodernizmit, pasi ato kërkojnë të rikthejnë një ndjesi të përjetësisë, harmonisë dhe fuqisë së artit, në vend të fragmentimit apo ironisë tipike të postmodernizmit. Ta shohim konkretisht për secilën figurë artistike:

1.Metafora e artit të hënës: “Deponi i hënës” përfaqson artin si një burim të pashstershëm dritëdhënës dhe mistijk që ndikon te deti ( shoqëria, ndjenjat apo qetësia) në vend të përthyerjes ose fragmentimit të vargut në relativizim të kuptimit, karakteristikë e postmodernizmit.

2.Imazhi i gjallë dhe simbolik “Fëshfërima e shkumës”  përçon qetësimin e elemente-ve të egra natyrore, si psh dallgët e detit dhe tejkalon postmodernizmin përmes përqasjes së saj harmonike ndaj natyrës, duke e shfaqur detin, jo si një element të copëzuar apo distancuar nga njeriu, por si një pjesë e lidhur ngushtë me ndjesitë dhe  kërkimin shpirtëror të poetit.

3. “Manteli i Homerit që shndërrohet në velë” është një metaforë dhe symbol që lidh traditën epike dhe mitologjinë me lundrimin dhe kërkimin poetik. Kjo përbën një tejkalim të postmodernizmit, i cili shpesh dekonstrukton traditën, duke e fragmentu-ar dhe distancuar atë, ndërsa këtu Kacalidha e ringjall traditën, duke i dhënë një funksion të ri, që krijon harmoni mes të shkuarës dhe të tashmes poetike.

4. Metafora:“Afshi i detit”i jep detit një cilësi të gjallë, duke e trajtuar si një qenie e gjallë me emocione dhe ndjenja.  Kjo metaforë e tejkalon postmodernizmin, sepse e zhvendos vemëndjen nga de-humanizmi dhe fragmentimi  drejt një vizioni unifikues, ku elementi natyror personifikohet dhe bashkohet me botën shpirtërore të poetit, duke u distancuar nga ironia postmoderne.

5. Personifikimi: “Dallgët që puliten dhe ulen” e tejkalon postmodernizmin përmes vizionit të harmonisë dhe qetësimit, në vend të fragmentimit dhe skepticizmit karakteristik postmodernist. Këtu natyra dhe artet bashkohen në një unitet estetik dhe shpirtëror, duke krijuar një lloj paqeje, në vend të ndarjes që shpesh reflekton postmodernizmi.

6.Simbolizmi, imazhi dhe ndërthurja epike “Anijet e akejve që shtyhen nga brigjet” tejkalon postmodernizmin duke përdorur një imazh që lidh trashëgimin kulturore me ndjenjën e vazhduimësisë dhe përkatësisë historike, në vend që të theksojë krizën identitare. Pra, ndryshe nga tendencat postmoderniste për të dekonstruktuar mitin dhe historinë, kjo figurë sugjeron kthimin në rrënjët epike përmes bashkimit të poezi-së bashkëkohore me rezonancën e lashtësisë.Sinqerisht, duhet ta dashurosh letërsinë dhe historinë e antikitetit si Niko Kacalidha që të formosh vargje të tilla. 

7. Vargu "Liturgjitë në kryet e gurit" përmban një imazh simbolik dhe mund të shihet si një metaforë që përfaqëson shenjtërimin dhe ndërlidhjen mes të shenjtës, qiello-res dhe tokësores. Nëpërmjet figurës së "liturgjive" (lutjeve apo ritualeve fetare) të vendosura në një element të fortë si guri, poeti krijon një lidhje të thellë mes ritualit të lashtë dhe natyrës së paprekur. Kjo figurë tejkalon postmodernizmin pse kalon përtej ironisë dhe fragmentimit karakteristik për të, për të risjellë idenë e harmonisë dhe bashkimit të elementeve të përjetshme të artit dhe shpirtit njerëzor, karakteri-stikë që i afrohet ndjenjës universale dhe transcendencës.

8. Vargu "Deti që fashitet" përmban një personifikim, pse i atribuon detit aftësinë për t’u "qetësuar" si qenie njerëzore apo me emocioneduke i  dhënë detit një dimension njerëzor dhe emocional, duke krijuar një lidhje të thellë midis natyrës dhe shpirtit njerëzor. Kjo qasje e tejkalon postmodernizmin pse  largohet nga skepticizmi dhe relativizmi i tij. Në vend të një perspektive fragmentare apo ironike, poeti ndjek një përqasje harmonike të përjetshme, ku forcat natyrore shprehin lidhje të ngjashme me ato njerëzore, duke ndërtuar njëkohësisht një ndjenjë universale të qetësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet natyrës dhe njerëzimit “.

Kështu mund të vijojmë të flasim për: a. përshfaqjen poetike të personifikimit te “Aedi i vetmuar” dhe “luani i Butrintit” që shprehin  lidhje të thellë ndërmjet artistit dhe natyrës, duke synuar kuptimin përmes artit.b. Metafora dhe personifikimi “Orakulli që zbuste Poseidonin”  që nxjerr në pah forcën e natyrës dhe rolin e artit, simbolizuar nga Orakulli, si mjet për të aritur harmoninë dhe paqen, si kundërpeshë ndaj dyshimit postmodern. c. Imazhdi simbolik “Shenjtorët dhe liturgjia” që përçon ndjenjën e shenjtërisë dhe respektit ndaj natyrës, duke kthyer dinjitetin që shpesh ironizohet në postmodernizëm. ç. Simboli “Manteli i Homerit”  që forcon përkatësinë ndaj një tradite të njohur epike që kërkon unitet dhe vazhdimësi, larg skepticizmit postmodern, si dhe d. Metafora e“Sonata e yjeve” dhe personifikimi “lira e Orfeut”  që shfaqin muzikën dhe harmoninë e natyrës dhe tejkalojnë postmodernizmin duke theksuar bukurinë dhe thellësinë e natyrës si burim frymëzimi në vend të ironisë dheduke theksuar forcën e artit në shpirtin njerëzor dhe në botën natyrore, madje duke sjellur një unitet mes artit dhe natyrës ndryshe nga postmodernizmi që e sheh artin si një produkt relativ dhe të ndarë nga përvoja njerëzore. Pra shophim se secila figurë ndihmon të tejkalojë postmodernizmin duke krijuar vizion ku arti dhe natyra shkrihen për një kuptim të qëndrueshëm, me harmoni dhe transcendencë. Porn ë këtë rast nuk mund të lemë pa përmendur talentin dhe njohuritë e thella të Kacalidhës që ndërton e ndërlidh figura shumëplanëshe në funksion të artit të tij poetik, figura plot dritë e ajër dhe …histori.Mjafton të lexosh poezitë e Kacalidhës dhe sigurisht që do mësosh dhe historinë e mitologjisë.

IV- Në poezinë "Zbutja e detit," Kacalidha, ndonëse përdor referenca mitologjike, ai flet për kohën tonë përmes një thirrjeje të heshtur ndaj artit dhe kulturës si mjete për t'ë sjellë paqe në botën e trazuar. Nëpërmjet këtyre referencave, poeti kërkon të thotë se: ashtu si në të shkuarën, edhe sot, përplasjet dhe pasiguria njerëzore mund të “zbuten” përmes përqafimit të artit, të kulturës dhe të trashëgimisë shpirtërore. Në qoftë se rilexojmë vargun:"Hodha në det deponin e hënës dhe shfrynte..." ky tregon një akt simbolik të qetësimit të detit të trazuar, që mund të shihet si përpjekje për të qetësuar emocionet dhe trazirat e botës sonë. Hëna e bardhë (deponi) krijon një imazh qetësues dhe iluzion si një mjet për të ulur “temperaturën” e kohës sonë të mbushur me konflikte dhe shqetësime.

Në këtë mënyrë poezia e tij shndrohet në një kujtesë se arti mbart forcën për të krijuar qetësi shpirtërore, për të qetësuar "dallgët" dhe ripërtërirë shpirtin njerëzor. Duke përmendur "lirën e Orfeut," "mantelin e Homerit," dhe figurën e "aedit të vetmuar," poeti e fton kohën tonë të rikthehet te përdorimi i forcës së artit (në antikitet) për të zgjidhur krizat moderne. Kjo përpjekje për të gjetur një urë mes së kaluarës dhe të tashmes është një mesazh për të shpalosur idenë se identiteti ynë, si njerëz dhe si shoqëri, është i lidhur ngushtë me traditën kulturore dhe artistike. Kacalidha përçon idenë se kjo pasuri e së  kaluarës nuk është thjesht kujtim, por mjet i domosdoshëm për të zgjidhur problemet e kohës sonë. "Lira e Orfeut" dhe "manteli i Homerit" janë simbole të artit dhe kulturës së lashtë që Kacalidha i fton për të treguar se paqja është e arritshme përmes artit e trashëgimisë kulturore. Përfshirja e tyre është një kujtesë për kohën tonë se arti dhe kultura kanë qenë gjithmonë strehë ku njerëzit gjejnë qetësi dhe kuptim. Po kështu te vargjet: "Unë, aedi i vetmuar zbusja luanin e Butrintit" – Këtu, poeti vetë identifikohet si një artist i përkushtuar që përpiqet të "zbusë" forcat e fuqishme të botës. Simboli i luanit të  Butrintit, përfaqësojë sfidat dhe konfliktet e kohës sonë, ndërsa përpjekja e poetit për ta “zbutur” tregon fuqinë e artit për të sjellë pajtim e paqe.

Po ashtu, ai i drejtohet kohës sonë përmes gjuhës surrealiste, duke thyer kufijtë e reales për të treguar se arti ka fuqinë të zhvendosë perceptimin tonë dhe të sjellë një botë ku harmonizohet realiteti dhe ëndrra. “Zbutja e detit” është një alegori për nevojën për qetësimin e shpirtit kolektiv, për pajtimin me veten dhe me të kaluarën. Kacalidha i fton njerëzit e kohës sonë të ndalojnë për një çast për t'i dhënë rëndësi shpirtit, të lënë anash materializmin dhe të rigjejnë vetveten përmes artit dhe vlerave të përjetshme njerëzore. Duke përdorur një gjuhë surrealiste, si "sonata e yjeve" dhe "orakulli që zbuste Poseidonin" poeti krijon një botë, e cila tejkalon realitetin e përdi-tshëm. Pra egziston dhe një tjetër mënyrë për t’i parë gjërat, një thirrje për të kaluar përtej materializmit të botës moderne dhe për të pranuar një realitet, ku arti na mundëson të rigjejmë paqen dhe qetësinë e brendshme.

Në këto vargje, pra, ndjehet impulse i  ideve të Kacalidhës për kohën tonë. Përmes simboleve të artit, qetësimit të forcave të egra, bashkimit të reales me imagjinatën, poeti i drejtohet të sotmes dhe fton njerëzit të gjejnë një paqe të brendshme përmes përqafimit të artit dhe trashëgimisë shpirtërore.

V- Kacalidha nuk mjaftohet me kaq,në poezinë në prozë “Zbutja e detit,” ai përfshin elemente universal, të cilat tejkalojnë kulturat dhe kohët, duke e bërë poezinë të kuptueshme dhe të ndjeshme për çdo lexues. Këto elemente përfshijnë:

1.Poezia trajton temën universale të konfliktit të brendshëm e të jashtëm, që në këtë rast simbolizohet nga deti i trazuar dhe procesi i “zbutjes”së tij. Kjo ndjenjë përpjekje -je  për të sjellë paqe dhe qetësi përbën një shqetësim të përbashkët njerëzor, ku ata kërkojnë një ekuilibër mes forcave të brendshme dhe të jashtme që i trazojnë.

2.Përmendja e “lirës së Orfeut,” “mantelit të Homerit,” dhe referenca ndaj orakullit dhe shenjtorëve sjell përpara lexuessve idenë universale të artit dhe kulturës si mjete për shërim, shpëtim e qetësim. Kjo ide është e përhapur në shumë kultura e kohëra, duke bërë që poezia të ketë një rezonancë të gjerë.

3. Mite si Orfeu, Poseidoni e shenjtorët janë simbole arketipale që gjenden në shumë kultura si përfaqësues të konflikteve të brendshme të njeriut dhe përpjekjeve për të arritur paqe. Këto figura arketipale ofrojnë një urë për të kuptuar proceset shpirtëro-re, që janë përjetime universale të qenies njerëzore.

4.Po ashtu, elementet natyrore, si deti, hëna, yjet, dhe valët, janë simbole universale që i flasin çdo lexuesi dhe lidhin njeriun me natyrën e universin përmes një përjetimi që tejkalon kufijtë gjeografikë. Këto simbole shërbejnë si mjete për të kuptuar jetën dhe për të kërkuar një unitet të brendshëm dhe një lidhje me diçka më të madhe se individi.

5. Dhe së fundi, mendoj se figura e “aedit të vetmuar,” që përpiqet të “zbusë luanin e Butrintit” flet për rolin universal të poetit ose artistit si ndërmjetës mes njerëzores dhe hyjnores, reales e shpirtërores. Ky concept: misioni I artistit për të mbartur kuptimin dhe shërbyer si “ujësjellës” për qetësinë shpirtërore, është ide që kuptohet dhe vlerësohet nga lexues të ndryshëm në të gjithë botën.

Pra, pikërisht përmes këtyre elementeve, poezia e Kacalidhës shpalos një mesazh universal lidhur me ndjeshmërinë, forcën e artit dhe kërkimin për paqe shpirtërore, tema që janë të kuptueshme dhe të kërkueshme për njerëzit, pavarësisht kohës apo vendit.

VI- Sipas avantazheve dhe hapësirave që krijon, poetët e nesërm mund të lëvrojnë kryesisht poezinë në prozë, sepse kjo formë u jep atyre hapësirë të pakufizuar për të rrëfyer dhe për të ndier. Pa vargje e metrikë që t’i kufizojnë në formate, ata kanë lirinë për të zbuluar mendimet dhe emocionet e tyre, një lehtësi e përkryer për epokën e sotme, kur arti kërkon të çlirohet nga kornizat tradicionale.

Poezia në prozë bashkon tregimin dhe lirizmin, një ndërthurje e cila tërheq lexuesit e sotëm që janë të etur për tregime të shprehura në gjuhë poetike. Te kjo poezi fjalët rrjedhin si një rrëfim i butë, duke mbartur në vetvete një histori ose ide, një emocion ose moment, me të gjithë përjetimin e ndjeshmërisë së figuracionit poetik.

Kur arrin thellësitë e ndjenjës, poezia në prozë ofron një përvojë introspektive dhe përfshirje filozofike. Ajo nuk është një lojë fjalësh, por një udhëtim i brendshëm që ofron kuptim e kërkon reflektim, i përshtatur për ata lexues që kërkojnë më shumë sesa pamjen e jashtme, për ata që kërkojnë mendim të thellë, që duan të zhyten në mendime filozofike.

Me shpërbërjen e kufijve të poezisë tradicionale, romantike e klasike, kjo formë kapërcen pritshmëritë klasike dhe duke “njomur” rrënjët me frymën postmoderniste, i përgjigjet shijeve të lexuesve të rinj, të dhënë pas eksperimentimit. Në këtë liri, në këtë thyerje të normave, poezia në prozë pasqyron një botëkuptim të ri letrar që përqafon formën si përmbajtje dhe përmbajtjen si formë. E radhmja gjithmon I takon të resë.

Në një kohë kur çdo gjë ndodh në çaste të shpejta dhe globalizimi i sjell lexuesit drejt konsumit të kohës sa më të shkurtër, poezia në prozë, një rezervat i pashkelur  është vend i preferuar për tu eksploruar nga brezi i ri. Kombinimi i lirikes me filozofinë dhe ndjenjat e përditshmërisë krijojnë një formë të  qasshme dhe të freskët për lexuesin bashkëkohor. Kështu, ajo shfaqet si ishulli i së ardhmes, si poezia që ndoshta do të jetojë më gjatë në zemrën e artit, dhe bashkë me atë edhe emrat e poetëve tanë që lëvrojnë këtë art.

 

Sarandë, më tetor 2024

Zbutja e detit

Hodha në det deponin e hënës dhe shfrynte, afshonte me

duhmë, përhapej dhe shtrihej fëshfërima e shkumës nga

dhimbja e kokës. Pastaj sonata e yjeve. Puliteshin dallgët dhe

uleshin duke qetësuar brigjet.Ishte lira e Orfeut që kërkonte

paqëtimin e detit. Manteli i Homerit shndërrohej në velë

brigjeve të shtynte anijet e akejve. Shënjtorët vëzhgues me

liturgjitë në kryet e gurit. Orakulli zbuste Poseidonin dhe

fashitej deti. Unë, aedi i vetmuar zbusja luanin e Butrintit.

Unë, bardi i pastrehë, shtrirë në shkallarët e anëdetit.

 

Niko Kacalidha “Heraldikët e borës” Onufri 2023, f.422