POEZIA “KËRKON NJË
RRUGË ARRATIE…?” SI REFUZIM DHE PËRBALLJE
Nga Timo Mërkuri
Poezia e Odise Kotes,
"Kërkon një rrugë arratie…?", hapet me një titull që provokon
mendimin dhe nxit reflektimin, pse e formuluar si pyetje, në pamje të parë,
duket si një adresim i hapur që kërkon një përgjigje nga heroi lirik apo edhe
nga vetë lexuesi. Pyetja bart në vetvete një dyzim: një dyshim mbi nevojën për
të ikur dhe një thirrje për introspeksion mbi arsyet që e shtyjnë këtë
arratisje. Me këtë hapje të dykuptimtë, poeti krijon një tension filozofik,
duke i dhënë gjithë poezisë një karakter meditimtar, thellësi reflektuese mbi
raportin e individit me botën që e rrethon, me sfidat e ekzistencës dhe me
dëshirën për liri e transcendence, diçka që shkon përtej kufijve të mendjes
njerëzore ose botës materiale. Titulli shërben si hyrje e fuqishme në një
rrëfim poetik ku arratisja realisht nuk është ikje, por është një refuzim total
i mediokritetit dhe përpjekje për t’i tejkaluar, kapërcyer kufijtë që shoqëria,
koha apo vetë njeriu i kanë vendosur jetës së individit. Vlen të theksojmë se
dhe forma pyetësore e titullit është krijuar për efekte artistike, pse poezia
në këtë mënyrë hap një hapësirë mendimi dhe ngre dilema, krijon një dialog me
lexuesin ose mes heroit lirik dhe ndërgjegjes së tij e të lexuesit. Në vetvete
pyetja nënkupton pasiguri ose kërkim për një përgjigje që nuk është e qartë,
ngre dilema ekzistenciale dhe mqse arratisja është refuzim, titulli shpreh një
moment kritik të vendimit: a do përballet apo do largohet heroi, dhe se përmes
pyetjes, titulli le të hapur pyetjen se kush është subjekti, mund të jetë heroi
lirik, por mund të jetë çdo individ që synon të kapërcejë kufijtë e
mediokritetit që e rrethon. Kjo gjithashtu e bën poezinë universale dhe
vargjet:
"Të
shohin se je gati të hipësh mbi kalë,
A mundesh
shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a ti
ndalësh?"
janë tepër
domethënëse.
I-Kote e cilëson ikjen në titull
si një arratisje, por në thelb ajo përfaqëson një refuzim të qartë ndaj
mediokritetit të jetës, gjë që lexohet në gjithë vargjet e poezisë. Madje mund
të konsiderohet dhe si rikthim për ti parë situatat ndryshe. Heroi lirik nuk
kërkon thjesht të ikë për t’i shpëtuar ndonjë rreziku, ai synon të distancohet
nga një realitet që e shtyp, e zvetënon dhe e shurdhon shpirtërisht. E parë në
këtë aspekt, kjo nuk është ikje e zakonshme, as një refuzim formal, ky në thelb
është një akt rebelimi, që shpreh revoltën e individit kundër monotonisë,
pasivitetit dhe shpërfilljes shoqërore që e rrethon, kjo reflekton një ikje të
vetëdijshme dhe të guximshme nga mediokriteti, banaliteti dhe ngurtësimi i
jetës së përditshme, madje përmban edhe tiparet e një ftese për një rebelim
civil, thirrje për ndërgjegjet e përgjumura apo të tulatura. Në këtë kontekst
te vargjet: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur"
lexojmë qartë se “arratisja”jo vetëm që nuk është fizike, por përkundrazi është një
lëvizje heroike, e ndërgjegjshme drejt një qëllimi më të lartë, ku ndërgjegje
"e çmendur" simbolizon dëshirën për mos ju nënshtruar normave
kufizuese të shoqërisë. Po në këtë kontekst te vargu: "A mundesh
shurdhimet, pandehmat ti lësh pas, a ti ndalësh?" heroikja e individit
shfaqet në aftësinë për të refuzuar gjithë zhurmat e kota dhe thashethemet që
pengojnë zhvillimin. Poetikisht ky refuzim shndrohet në një simbol të shpëtimit
shpirtëror.
Revolta kundër mediokritetit
është më e dukëshme në vargjet:"Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit,
të biesh, të thyesh kokën,"pse shfaq veprimet mediokre të të tjerëve që
synojnë ta ndalojnë heroin nga përpjekja e tij për t'u ngritur mbi
medriokitetin e shoqërisë. Është ky akt që simbolizon presionet shoqërore për
ta penguar individin në ngjitjen e tij (në jetë, profesion, art etj) dhe për ta
mbajtur atë në nulitetin shoqëror të përditshëm. Ndërkohë në vargun “Ç’farë
tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,"refuzimi shfaqet si
formë ekzistence, si një proces i ngadaltë shuarjeje për ata që nuk guxojnë të
refuzojnë këtë mediokritet dhe të ecin përpara në rrugën e tyre. Refuzimi i
kësaj lloj ekzistence është thelbi i heroizmit në arratisjen e individit.
Pra, në thelb arratisja e
shprehur nga Kote nuk është një arratisje në kuptimin literal të fjalës, nuk
është një largim nga jeta, por një akt refuzimi (të mediokritetit) dhe
përpjekje për të arritur një ekzistencë më të pasur shpirtërore dhe sidomos më
vetiake, më individuale. Poeti shpreh idenë se për të gjetur kuptimin e jetës,
njeriu duhet të ketë guximin të refuzojë konformizmin dhe të përballet me
pasigurinë e rrugës së tij të zgjedhur. Vlen të themi se këto poezi, për nga
mënyra dhe arti i trajtimit të temës dhe idesë janë nga ato poezi që revolucionarizojnë
letërsinë drejt universalitetit dhe Odise Kote ka një kohë të gjatë që fton
lexuesin në udhëtimin universal.
II-Heroi lirik i Kotes nuk do
thjesht të mbijetojë, ai do të jetojë si njeri. E parë në këtë aspekt Kote nuk
krijoi një poezi për temat dhe termat filozofike, ai krijoi një poezi për
realitetin shqiptar dhe në këtë kontekst është normale pyetja se: cilat dukuri
refuzon poeti? Heroi lirik i poezisë së Odise Kote që "Kërkon një rrugë
arratie…?", refuzon jo thjesht vuajtjen dhe mediokritetin vulgar, por së
pari refuzon një sistem vlerash të degraduara dhe një realitet shqiptar të
ngulfatur nga padrejtësitë, shtypja dhe mungesa e shpresës. Duke dëshiruar jo
vetëm të mbijetojë, por të jetojë me dinjitet njerëzor, ai refuzon ato dukuri
që përfaqësojnë kufizimet e shoqërisë shqiptare.
1. Heroi lirik kërkon t’i
shpëtojë realitetit ku individi është i ndëshkuar për guximin e të menduarit
ose të vepruar ndryshe, dhe në këtë aspekt jemi dëshmitarë të ndëshkimeve të
tilla vetëm pse individi kurajoz nuk është I pëlqyeshëm nga shteti dhe partia
në pushtet. Varësia nga pushteti dhe
shteti politik lexohet lirshëm te vargjet
:
"Retë
enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,
Dikush poshtë
barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën…”
Këto imazhe shfaqin pengesat e
qëllimshme që i vihen individit për të mos arritur lirinë e vërtetë, duke
simbolizuar një mjedis të ashpër dhe mosbesues.
2. Në realitetin shqiptar, shpesh
individi përballet me një shoqëri të mbyllur në mendësi mediokre, ku ndryshimi
e përparimi shpesh konsiderohen apo vlerësohen si kërcënime. Kemi qenë
dëshmitarë të fakteve ku mendimi novator është refuzuar vetëm e vetëm pse ishte
mendim i dikujt tjetër dhe jo i “personalitetit” të menduar apo emëruar. Në
poezi, refuzimi ndaj këtij mediokriteti pasqyrohet në pyetjen retorike:
"A
mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a ti ndalësh?"
duke dëshmuar përpjekjen për t’iu
larguar një shoqërie të ngurtësuar në disa kode e doke, që në heshtje jo vetëm
që nuk pranon transformimin, por pengon dhe ata individë që synojnë.
3. Heroi refuzon të nënshtrohet
ndaj realitetit që pengon vetërealizimin dhe ëndrrat. Kushdo mund të sjellë
shembuj që vërtetojnë këtë rast pengimi të ëndrrave të individit të penguara
nga “shoqëria” zyrtare. Kjo nënkuptohet në vargun:"Arratia ka ndërgjegjen
e vet të çmendur, të panjohur," të cilat sugjerojnë një rebelim të
brendshëm kundër kushteve që e kufizojnë shpirtin krijues e me inisiativë dhe
dëshirën për të jetuar një jetë kuptimplotë.
4.Në disa rreshta, poeti kritikon
mungesën e solidaritetit e mbështetjes, madje dhe sabotimin e përpjekjeve të
atyre që kërkojnë ndryshim, kritikë që shfaqet te vargu: "kurse tjetri i
shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…" ku ky imazh aludon për kundërshtinë
dhe egërsinë që individi përjeton nga të tjerët në një shoqëri të ngurtë dhe
mosbesuese.
5.Duhet të kemi parasysh një gjë,
është shumë e vështirë të luftosh një praktikë jete të ngurtësuar në
mediokritet, kjo kërkon një heroizëm civil të njerëzve me kurajo e vizion,
mungesën e të cilës (heroizmit) poeti refuzon ta pranojë. Poezia përmend një
figurë mitike si shprehje e dëshirës për të rigjetur heroizmin e dikurshëm dhe
e sjell te vargjet:
"Më
bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,
afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me
armë në dorë."
Kjo dukuri më shumë simbolizon
nostalgjinë për kohën kur vlerat shqiptare mbështete-shin te trimëria, nderi
dhe përpjekja për liri, të cilat në kohën e sotme, jo vetëm që janë zbehur, por
kujtohen si diçka e prapambetur.
E parë në këtë aspekt poezia e
Kotes nuk është thjesht një shprehje filozofike; ajo është shnedrruar në një
akt denoncues ndaj dukurive frenuese të realitetit shqiptar si: shtypja,
mediokriteti, mungesa e solidaritetit dhe vlerave heroike. Poeti përmes
pasazheve të fuqishme dhe simbolike, shpreh jo vetëm refuzimin, por edhe një
dëshirë të thellë për një jetë aktive, të ndershme, dinjitoze dhe të lirë.
III-Duke e parë poezinë si një
akt denocues, natyrshëm lind pyetja në se mund të shihet ajo si një poezi
sociale? Në përgjigje themi se kjo poezi mund të shihet si një poezi që
përfshin elemente sociale, por ajo nuk kufizohet vetëm në këtë dimension. Ajo
shpreh shqetësime të thella njerëzore dhe universale që ndërlidhen me lirinë,
ekzistencën dhe identitetin, duke kaluar përtej kornizave të poezisë tipike
sociale.
1.Aspektet sociale shihen te
fakti se poezia reflekton qartë mbi një realitet shqiptar, ku individi
përballet me mediokritetin dhe mungesën e shpresës. Vargjet që shfaqin psh.
sabotimin dhe mungesën e solidaritetit, siç i cituam më sipër: "kurse
tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun..."sugjerojnë një mjedis
shoqëror (shqiptar) ku individi pengohet të arrijë lirinë dhe të realizojë
ëndrrat e tij, duke shprehur një kritikë e fshehur ndaj strukturave të ngurta
dhe të padrejta të shoqërisë.
2.Përtej dimensionit social,
poezia nuk kufizohet vetëm me denoncimin e dukurive shoqërore. Ajo zhvillon një
reflektim të thellë mbi ekzistencën njerëzore, duke u fokusuar te ndjesitë
individuale të refuzimit dhe dëshirës për të kapërcyer kufijtë e shpirtit dhe
realitetit të përditshëm. Pyetja e hapur që mbart titulli, "Kërkon një
rrugë arratie...?", nuk është thjesht sociale, por filozofike, duke
aluduar për një nevojë universale për shpëtim dhe transcendencë.
Pra duhet të pranojmë se poezia
ka dimension social të theksuar në saje të kritikës ndaj shoqërisë shqiptare,
por ajo nuk është thjesht një poezi sociale. Ajo, është një poezi ekzistenciale
me rrënjë sociale, që ndërthur aspektet e realitetit kolektiv me shqetësi-met e
individit, duke u ngritur mbi një univers më të gjerë artistik dhe filozofik.
IV-Më sipër përmendëm që poezia
është ekzistenciale dhe universale dhe në argume-ntim të kësaj shpjegojmë se
poezia: "Kërkon një rrugë arratie...?" e Odise Kotes është
ekzistenciale dhe universale për shkak të thellësisë së saj filozofike dhe
shqetësimeve njerëzore që adreson. Ajo përqendrohet te pyetjet për kuptimin e
jetës, lirinë individu-ale dhe sfidat për të kapërcyer kufizimet e brendshme
dhe të jashtme. Këto elemente e bëjnë poezinë jo vetëm të lidhur me një
realitet të caktuar, por të vlefshme për njerëzimin në tërësi.
1. Në analizën e dimensonit
ekzistencial të poezisë theksojmë se ekzistencializmi fokusohet te liria,
përgjegjësia individuale dhe përballja me absurdin e jetës. Në poezi, heroi
lirik refuzon ti nënshtrohet një realiteti të ngurtë dhe kërkon të përballet me
sfidat ekzistenciale:
"Kërkon
një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),
si feksje, si
brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës."
Këtu shfaqet dëshira për t’u
çliruar nga errësira, “golles të zezë të natës” (simbol i ngërçit shpirtëror
dhe kufizimeve) dhe për të gjetur një agim të ri (në zbardhtë), një hapësirë ku
ekzistenca merr kuptim. Po ashtu vargu: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të
çmendur, të panjohur," thekson tensionin ekzistencial mes dëshirës për t’u
larguar dhe pasigurisë që shoqëron çdo hap drejt së panjohurës. Heroi këtu
përballet me absurdite-tin e realitetit dhe dilemat e ekzistencës.
2.Poezia merr një dimension
universal, pasi shqetësimet që ajo trajton nuk janë thjesht lokale apo
kombëtare por janë universale. Dëshira për liri, ndjenja e izolimit dhe
përpjekja për të kapërcyer pengesat janë përvoja të përbashkëta për çdo
individ:
"Fytazi a je bërë gati të ndeshesh me
rrezikun,
çdo herë i
braktisur...?"
Kjo dilemë është universale:
individi është gjithmonë i vetëm përballë sfidave më të mëdha të jetës dhe
kërkimit të lirisë. Po këshu vargjet:
"Ç’farë
tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,
shenjuar të qëllojë mu në kraharor…"
reflektojnë mbi përkohshmërinë e
jetës dhe absurditetin që mund ta karakterizojë atë. Heroi lirik është i
tunduar nga vetë akti i të jetuarit, që kërkon guxim dhe përballje me dhimbjen
dhe humbjen.
Kështu argumentojmë se:poezia
ndërsa është ekzistenciale pasi trajton temat e lirisë, përballjes me absurdin
dhe kërkimit për kuptim, ndërkohë është universale pasi përvojat që ajo shfaq
janë të përbashkëta për njerëzimin. Në vargjet e cituara më sipër shprehen
shqetësime që kapërcejnë çdo kufi kulturor apo kohor, duke e bërë këtë poezi
një reflektim filozofik për qenien njerëzore dhe duke na prurë portretin e
poetit më vizionar se sa e kemi njohur gjer më sot.
Sarandë, më nëntor
2024
Odise Kote
Kërkon një rrugë
arratie …?
Kërkon një
rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),
si feksje,
si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës.
Të shohin se
je gati të hipësh mbi kalë,
A mundesh
shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,
a ti
ndalësh?
Arratia ka
ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur,
Retë enden
të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,
Dikush
poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,
kurse tjetri
i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…
Më bujari,
ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,
afrohet të
shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë.
Ç’farë
tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,
shenjuar të
qëllojë mu në kraharor …
Kërkon një
rrugë arratie vijës së ftohtë të agut për të ikur,
fytazi a je
bërë gati të ndeshesh me rrezikun,
çdo herë i
braktisur …?
No comments:
Post a Comment