LARGËSI TË AFËRTA NE NJË LETËR
Nga Timo Mërkuri
Në poezinë e saj
"Letër" Albina Idrizi, duke
marrë shkas nga një situatë familjare krijon një vepër poetike me karakteristika universale dhe vlera
artistike të spikatura, ku ndërthuren mjeshtërisht ndjeshmëria personale dhe
reflektimi mbi realitetin kolektiv. E shkruar në formën e një letre drejtuar
vëllait në në mërgim, në momente të vështira familjare të sëmundjes së nënës
dhe kërkesave të saj të shspeshta dhe
insistuese për praninë e të birit, kjo poezi tingëllon si një klithmë, si një
kërkesë, si një lutje shpirti që të ndryshojë e të përmirësohet diçka në jetën
e familjes dhe të Kosovës. Në thelb, kjo poezi nuk është një rrëfim personal,
por një krijim i ngritur mbi bazën e universalitetit. Figura e nënës dhe
thirrjet e saj për ribashkim familjar përfaqësojnë përvojën kolektive të shumë
familjeve shqiptare në periudhën pas luftës në Kosovë, ku izolimi politik i
shtetit të ri dhe pamundësia e qytetarëve të saj për të udhëtuar lirshëm ishin
plagë të dhimbëshme. Vargjet mbushur me simbolikë dhe ndjenja të holla,
krijojnë një atmosferë që fton lexuesin të reflektojë mbi lidhjet njerëzore, rolin e sakrificës dhe forcën e dashurisë që
sfidon distancën dhe kohën. Poezia nis
me ngrohtësi e dhimshuri motre për vëllanë të cilit i përcjell merakun për
nënën plakë të sëmurë:
Nëna nuk
është mirë, vëlla
shpeshherë
ngre dorën
dhe të fshin
ballin
thua se nuk
je kaq detra larg.
E ndien edhe ti?
Fjalët janë të thjeshta, dhe
imazhi duket si i vizatuar me laps të zi, por gjithsesi ato përcjellin një drithërimi
dhe ngashërim të fshehur mes vargjeve që, si në një sekuencë filmike shfaqin lëvizjen
e dorës së nënës në jerm nga termperatura e lartë, për të fshirë ballin e të
birit, që e sheh si me djersë, a ndoshta thjeshtë për ta përkëdhelur, që i biri
më në fund i erdhi nga larg në këto ditë të vështira. I kishte premtuar që do
ti vinte sa herë që të kishte nevojë për atë, dhe ja ku i erdhi…i miri i nënës.
I-Poetja ve në gojën e heroinës një pyetje të thjeshtë drejtuar vëllait të saj te vargu
i pestë: E ndjen dhe ti? (dorën e nënës
mbi ballë). Kjo pyetje është sa ngashëruese
aq dhe shumëkuptimëshe që të habit me dendësinë dhe shumëdimensionalitetin e
saj dhe të bind se ajo nuk është vendosur rastësisht apo vetëm estetikisht. Ka
një shpirtërim ky varg ku çdo gërmë e fjalë reagon si pjesë shpirti a zemre kur
preket.
1.Kjo pyetje krijon lidhje të
drejtpërdrejtë dhe emocionale midis heroinës dhe vëllait, por mund të shihet edhe
si një lidhje e drejtpërdrejtë me lexuesin apo një entitet tjetër simbolik, si
Kosova. Pyetja është e tillë që kërkon konfirmim e përbashkët të ndjenjave , (jo
thjeshtë një pohim) duke i dhënë poezisë dimension universal dhe thirrje për
solidaritet emocional. Pyetja shërben si mjet introspektiv, ku heroina përpiqet
të gjejë një përgjigje që i jep kuptim përjetimeve të tyre dhe si e tillë ajo reflekton një ndjesi pasigurie dhe dëshirë
për të ndarë dhimbjen e mallëngjimin me një tjetër,(vëllain) duke forcuar
lidhjen mes figurës dhe botës poetike.
2.Kjo pyetje është në harmoni të
plotë me temat e poezisë, si dashuria për nënën dhe vendin dhe fton edhe
lexuesit të përfshihen emocionalisht dhe të ndajnë dhimbjen që buron nga
mungesa e vëllait, nga sëmundja e nënës dhe nga vuajtjet e Kosovës. Në këtë mënyrë, pyetja
bëhet pikënisje e një reflektimi mbi
lidhjen mes njeriut dhe atdheut.
3. Në aspektin stilistik, pyetja përmban një efekt të fuqishëm poetik, duke mos
kërkuar domosdoshmërisht përgjigje konkrete, por duke nxitur lexuesin të meditojë
mbi përjetimet e shprehura në vargje. Pyetja krijon një ndjenjë përbashkësie
dhe forcon tonalitetin emocional të poezisë. Në kontekstin e faktit që vëllai është
larg, në emigracion, pyetja "E ndjen
dhe ti?" shndrohet në thirrje të heshtur për të ndjerë sëbashku peshën
e largësisë dhe pasigurisë. E parë në këtë kontekst, ajo nuk i drejtohet vetëm
vëllait të heroinës, por shtrihet tek të gjithë ata që përjetojnë të njëjtën
dhimbje dhe mall për së largu për familjet e tyre.
4. Në kontekstin
historik të Kosovës, pyetja është një kërkesë për ndërgjegjësim kolektiv dhe
njohjen në tërësinë e tyre të dhimbjeve
të përbashkëta që burojnë nga humbjet dhe sakrificat e një populli të tërë.
5.Dhe së fundi, përmes
kësaj pyetjeje, poezia krijon një urë mes ndjenjave individuale dhe përjetimeve
universale, pse ajo fton jo vetëm për reagim emocional, por dhe për një
reflektim mbi ndarjen e dhimbjes dhe ruajtjen e lidhjeve shpirtërore në mes të
distancave dhe sfidave.
Ajo që mund të
shtojmë pas kësaj është fakti i mahnitjes që na shkakton densiteti i ndjenjave dhe
finesa artistike e shprehur nga Idrizi, e cila na sugjeron indirekt që ta
lexojmë më me vemëndje vijimin e kësaj poezie.
II-Poetja e vazhdon
bashkbisedimin me të vëllain nëpërmjet vargjeve "sepse krahë më të gjatë se të nënës / e sy më të thellë se të sajtë /
unë kurrë nuk kam pa," ku shfaqet një pamje poetik jo aq i fizikut të
nënës (krahë, sy) se sa i dashurisë së saj si forcë universale
gjithëpërfshirëse. Sigurisht që krahët dhe sytë janë metafora, përmes së cilave,
dashuria e nënës merr përmasa të pakufishme dhe hyjnore, duke u paraqitur si
një fuqi që arrin përtej çdo distance fizike apo kufizimi njerëzor, ku:
"Krahë më të gjatë se të nënës"simbolizon përqafimin e
saj fizik e shpirtëror dhe gjatësia e
tyre nuk përcaktohet me parametra fizik, por reflekton aftësinë e saj shpirtërore
për të mbërritur deri te fëmija, pavarësisht distancës ku ndodhet ai, pse
realisht dashuria e nënës tejkalon hapësirën e kohën, dhe bëhet burim
ngrohtësie e mbrojtjeje, edhe kur distanca duket e pakapërcyeshme.
E parë në këtë aspect edhe vargu: "Sy më të thellë se të sajtë" përfaqëson mençurinë,
ndjeshmërinë dhe aftësinë e nënës për të parë më shumë sesa është e dukshme në
natyrë, sepse sytë e nënës shohin përtej pamjes së jashtme, ata depërtojnë në
shpirtin e fëmijës , duke “parë” plagët dhe dhimbjet e tij, edhe kur ai vetë
nuk i shpreh. Ato janë sy të mbushur me dashuri dhe dhembshuri që vetëm nënat e
zotërojë. Pra, në poezi dashuria e nënës nuk shfaqet thjesht si ndjenjë, por ashtu
siç është në realaitet , një fuqi e jashtëzakonshme që mbizotëron mbi çdo
pengesë dhe tejkalon çdo përvojë njerëzore.
III-Te vargjet: "Të kujtohet si na rrëfente baba / për zemrën
e nënës në dorën e djalit / që klith nga dhimbja kur ai rrëzohet?"
duhet të ecim ngadalë, pse ato ndërthurin një narrativë të dhimbshme që
përqendrohet në sakrificat ekstreme të nënës. Elementi tregimor i këtyre vargjeve (është ai djali i
përrallës ruse, që vrau nënën e tij dhe ecte duke mbajur zemrën e saj në dorë,
që tja shpinte urdhëruesit të vrasjes, si dëshmi besnikërie), shton një dimension të errët dhe
universal për mënyrën se si lidhjet njerëzore shpesh testohen në kushtet më
ekstreme. Vargjet marrin një kuptim
dyfish të dhimbshëm, nga njëra anë, zemra e nënës që rrihte në dorën e
djalit dhe “që klith nga dhimbja kur ai
rrëzohet” (dhe e pyet: “mos u vrave bir”?) simbolizon dashurinë e
pakushtëzuar të nënës, që vijon edhe pas vdekjes. Nëna klithi se mos u vra
sadopak djali (vrasës) i saj, sepse biri është bir pavarësisht se çfarë bën e
ku ndodhet. Fakti që kjo zemër i është marrë me dhunë nënës nga vetë djali i
saj dëshmon tragjedinë, ku besnikëria ndaj urdhëruesit ofiqar apo detyrimi i
imponuar shkatërron lidhjen më të shenjtë njerëzore. Ky akt përçon një thirrje
morale dhe një pasqyrë të errët të marrëdhënieve të pushtetit dhe tradhtisë.
Përsëritja "Nëna jonë paska qenë." ka një peshë
të veçantë në këtë kontekst, shto faktin që melodikisht tingëllon si refreni i
poezisë. Nëna jo vetëm mishëron dashurinë dhe sakrificën, por gjithashtu
përfaqëson pafajësinë dhe dhembshurinë. Poetja e ngre figurën e saj si një simbol i shpirtit njerëzor që duron dhimbjen
e shkaktuar nga atadhe për ata që do më shumë.
Nuk e di pse vargjet "Po ajo që mban digën e skamjes / dhe
nuk e ndal këngën / të mos e trembë vërshimi / lumturinë e fëmijëve?"
më kujtojnë një baladë të Vendeve të Ulta, por dëshmia “Nëna jonë paska qenë” e poetjes më rikthen në Kosovë. Në këtë
kontekst, këto vargje reflektojnë jo vetëm qëndresën e nënës ndaj vështirësive,
por dhe sakrificën e saj: ajo përpiqet të mbrojë jetën e lumturinë e të gjithë
fëmijëve. Kënga e saj, që nuk ndalet pavarësisht sfidave, tingëllon si simbol i
dashurisë mëmësore që triumfon ndaj rezikut që kanos fëmijët e saj. Historia e
jonë është plot më raste sakrificash të nënave për të shpëtuar jetën e fëmijëve
të tyre.
Vargu: "Gjithë nënat që dimë gjithandej/nëna jonë paskan qenë" universalizon
dhimbjen dhe sakrificat e nënës, pse të gjitha nënat, qëndrojnë si figura
simbolike të dashurisë dhe sakrificës për fëmijët e tyre, dhe në këtë kuptim, poezia shpreh një thirrje
për të reflektuar mbi aktet që shkatërrojnë lidhjet më të shenjta njerëzore.
IV- Një anë tjetër të figurës së
nënës shfaqin vargjet: “Kërkon vazhdimisht
të mbajmë derën hapur/ (ti e di nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura)”pse
shpalosin një ndërthurje të pasur kuptimesh e simbolesh që kapërcejnë kufijtë e
përvojës individuale apo traditës shqiptare të mikpritjes. Në qendër përsëri është
figura e nënës, por ajo shndërrohet në simbol universal të hapjes shpirtërore,
pritjes dhe lirisë, duke u lidhur me ide të thella filozofike dhe
ekzistenciale.
Në nivel të parë, imazhi i derës
së hapur përçon pritjen plot merak të nënës për të birin, që mund të vijë në
çdo moment, por në kontekst më të gjerë, dera e hapur simbolizon qasje
universale ndaj jetës dhe të tjerëve. Dyert e hapura janë shprehje e pranimit, besimit,
dashurisë. Ato refuzojnë “mbylljet”,kufizimet e izolimin, duke përfaqësuar një
shpirt të lirë dhe të përgatitur për të përballuar botën. Në këtë aspekt, nëna
mishëron një urtësi të thellë, si përvojë jete, që refuzon çdo lloj pengese apo
kufi që mund të ndërtohet ndërmjet njerëzve.
Nuk të befasojnë vargjet: “Dhe se kujt i hakërrehet-/ lërini të vijnë,
lërini të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë, pastaj
sërish nga fillimi”pse këtu, hakërrimi si thirrje e brendshme, tejkalon aktin e thjeshtë
të pritjes për një mik apo bir apo të një mbylljeje porte. Thirrja "të vijnë" dhe "të shkojnë" pasqyron një cikël të jetës: ardhjen dhe
largimin, dhënien dhe marrjen, bashkimin e ndarjen. Në këtë kuptim, nëna
përfaqëson pranimin e këtij cikli si realitet i pashmangshëm dhe universal. Ajo
nuk kërkon të ndalë ardhjet apo
largimet, por thërret për një rrjedhë të lirë të lëvizjes, ideve dhe
emocioneve. Në kontekstin universal,këto vargje mund të lexohen si reflektim
mbi rëndësinë e hapjes , tolerances, pranimin e tjetrit dhe ndërlidhjes globale
dhe refuzimi i dyerve të mbyllura shpreh kundërshtimin ndaj izolimit, kufijve
fizikë apo shpirtërorë që pengojnë rrjedhën e lirë të njerëzve dhe mendimeve.
Kërkesa për të "lënë të vijnë dhe të
shkojnë" përçon idenë e lirisë universale, dhe pasqyrojnë një filozofi
që pranon ndryshimin si thelbësore për përvojën njerëzore. Dhe të mos harrojmë,
ishte koha kur kërkohej nga Kosova që tu lejohej qytetarëve të saj qarkullimi i
lirë.
Pra, këto vargje janë përtej
kuptimit të tyre personal dhe traditës shqiptare të pritjes së mikut, ato janë
një meditim mbi nevojën për hapje dhe shkëmbime në marrëdhëniet njerëzore e ndërshtetërore,
dhe në këtë kontekst ato mishërojnë një qasje universale ndaj jetës, ku lidhjet
ndërtohen jo mbi kufizime, por mbi liri dhe pranimi. Në këtë mënyrë, dera e
hapur shndrohet në një simbol i mundësive dhe takimeve që nuk duhet të ndalen
kurrë, duke fituar një botë ku pritja dhe largimi ndodhin në harmoni të plotë.
Sigurisht nëna e Albina Idrizit nuk ka mbaruar fakultetin e filozofisë, por ka
përvehtësuar filozofinë e jetës dhe me fjalë të thjeshta ua përcjell fëmijëve
të saj.
V- Ndërsa jemi në tension
shpirtëror për të vijuar leximin, vargjet: "Po
tani që erdha në fund, nuk di / të shkruajta për nënën apo për Kosovën."
na befasojnë me kulmin emocional e refleksiv që mbartin, sepse sintetizojnë
ndjenjat e poetes me ato kolektive, duke i shndërruar ato në simbole universal,
duke pasqyruar dualitetin e ndjesive të
poetes, ku figura e nënës dhe ajo e Kosovës shkrijnë kufijtë mes vetes dhe
përfaqësojnë një dashuri të pakushtëzuar dhe ndjenjë të thellë Në këtë varg, dilema mes nënës dhe Kosovës
është më shumë një pyetje retorike sesa një dyshim i vërtetë. Nëna dhe Kosova ,
në mënyrë të ndërthurur, simbolizojnë dy shtylla të qenies së autores:
dashurinë për individin më të shtrenjtë në jetën e saj dhe dashurinë për
atdheun, i cili përfaqëson rrënjët, kulturën, traditën, identitetin. Në këtë kontekst,
figura e nënës bëhet një metaforë e Kosovës, dhe Kosova merr cilësitë e një
nëne të dhembshur dhe sakrifikuese. Nuk gabojmë ne shqiptarët që atdheun e
quajnë “nënë”, pse ky emër përçon idenë se përkushtimi ndaj nënës dhe ndaj
atdheut janë dy forma të së njëjtës dashuri, të cilat nuk mund të ndahen.
Në aspektin poetik, dilema
nënvizon marrëdhënien (gjithmon të ndërlikuar) mes individit dhe
kolektivitetit. Duke shkruar për nënën, autorja shpreh dhimbjen personale dhe
të thellë për një figurë të dashur. Por në të njëjtën kohë, ajo flet edhe për
Kosovën, një atdhe që ndodhet në dhembje e mungesë lirie, pikërisht si dhe nëna.
Në këtë mënyrë, dhimbja për nënën bëhet zëdhënëse e dhimbjes së një populli të
tërë, duke i dhënë poezisë një dimension universal.
Të ve në mendime vargu: "Bëj ç'të bësh, dil nga legjenda"
dhe pyet veten: për çfarë legjende e ka fjalëmn poetja, pasi në asnjë varg nuk
na ka dhënë ndonjë element të saj. Ah,
po na ka dhënë pritjen e motrës dhe ankthin e nënës, një Doruntinë që pret vëllain,
(jo për ta çuar te nëna, por), për të parë nënën. Shkuan shumë vite dhe ai spo
vjen. Por me siguri që do vijë: e ku ka vëlla që nuk vrapon te motra kur ajo e
kërkon, ku ka bir që nuk rend te nëna kur ajo ka nevojë për atë. Kostandini,
vëllai i Doruntinës për shkak të nënës dhe motrës rendi nëpër legjendë me kalin
e bërë nga dheu i varrit, por vëllai i Albinës do vijë me linjën ajrore, sepse
tani dhe qytetarëve kosovarë ju lejua lëvizja e lirë. Lere hapur portën Albina
se do vijë befas e do hyjë me vrull e, së pari do përgjunjet në prehërin e nënës
dhe ty do të të marrë në gjoksin e tij. Do tju përzihen lotët faqeve, por ani:
lotë gëzimi do jenë.
Kjo frazë mbi daljen nga legjenda
mund të shihet dhe në një aspekt tjetër, si një thirrje për veprim, për dalje
nga kufijtë e mitizimit dhe përballje me realitetin. Nëna si simbol i Kosovës,
dhe Kosova si simbol i nënës, janë thirrje për mos qëndruar në pasivitet apo në
idealizim të pajetë, por të ndërmirren hapa konkretë që përqafojnë realitetin
dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Në këtë formë, poezia tejkalon nostalgjinë
e sentimentin, dhe shndrrohet në një
manifest për veprim dhe reflektim. Dhe shikoni thjeshtësinë e të shprehurit:
“Bën ç'të bësh dil nga legjenda”, sikur ti thotë: “bën ç'të bësh, kalo nga
shitorja e blej ca llokume se do presim miq”, por në fakt duke menduar
dimensionin e saj të duket se është Doruntina që së largu e fton vëllain të vijë ta marrë e ta shpjerrë
te nëna, sipas fjalës së dhënë.
V-Poezia e Albina Idrizit "Letër",
është thellësisht simbolike, duke përdorur figurën e nënës dhe atdheut një
narrativë që shkon përtejë ndjenjave personale, drejt një universi më të gjerë
e kompleks të përvojave. Simbolizmi pasqyron lidhjen e pazgjidhëshme mes dashurisë
familjare dhe asaj për vendin, duke i ngritur këto ndjenja në nivelin më të
lartë shpirtëror e filozofik.
1.Në këtë poezi, nënës i
atribuohen cilësi të shenjta dhe të patjetërsueshme, duke u shndërruar në
simbol të atdheut dhe të një historie të dhimbshme. Figura më e bukur dhe më e
fuqishme simbolike është ajo e nënës, në rolin e një mbrojtëseje të dashur, të
qëndrueshme dhe të përkushtuar, e cila përpiqet t’i ruajë fëmijët nga
vështirësitë dhe padrejtësitë e botës. Ky simbol është i lidhur ngushtë me
përvojën e Kosovës, ku populli ka kaluar përmes periudhave të mundimshme dhe të
vështira.
Në këtë kontekst, nënës, si
figurë e dashurisë dhe e sakrificës, i atribuohet fuqia për të mbajtur “digën e skamjes” dhe për të ruajtur “lumturinë e fëmijëve”, e cila mund të
shihet si një paralelizëm me popullin që përpiqet të mbijetojë dhe të ruajë
dinjitetin e tij në kushte të vështira.
“Zemra e nënës” është simboli i
sakrificës, por edhe i vazhdimësisë e
mbijetesës. Vargu me zemrën e nënës përfaqëson sakrificën e tipit
legjendë që bën nëna, duke mos kundërshtuar, mallëkuar apo penguar birin e saj
të kryejë aktin më të pashëmbullt criminal (vrasjen e nënës) vetëm që ai të
jetontë.
3.Një tjetër simbol në poezi
është ai i derës. Deri tani, simbolizmi i derës ka pasur dy kuptime: një lidhur
me mikpritjen tradicionale shqiptare dhe një më të thellë dhe më universalisht
human. Vargjet "Kërkon vazhdimisht
të mbajmë derën hapur" dhe "lërini
të vijnë, të vijnë, të vijnë, / lërini të shkojnë, të shkojnë, të shkojnë"
tregojnë për një kërkesë të pafund për hapjen dhe mirëseardhjen e të gjithëve,
si simbol i shpresës dhe solidaritetit të njerëzve, pa dallime. Ky simbol thotë
që dashuria dhe mikpritja duhet të jenë të pranishme në çdo familje, si mundësi
për shërimin e plagëve apo dhe hapësirë
për unitet dhe pajtim.
4.Në një nivel më të gjerë dhe më
universal, simbolizmi i kësaj poezia mund të kuptohet si thirrje për reflektim
të thellë mbi identitetin, sakrificat, dhe luftën për liri, të cilat janë pjesë
e çdo kombi dhe çdo individi që ka përjetuar padrejtësinë dhe mungesën e
lirisë. Nënës dhe Kosovës u janë dhënë dimensione të tilla saqë ato shndrohen
të përjetshme dhe të pashlyeshme. Ky simbolizëm i bën këto figura të
tingëllojnë si tema universale, të cilat mund të përjetohen nga kushdo që ka
përjetuar dhembje dhe mundim në një nivel të ngjashëm. Pra, poezia e Albina
Idrizit është e mbushur me simbole, të cilat shtrihen nga aspektet personale të
poetes deri në ato universale të dashurisë, sakrificës e shpëtimit.
VI- Poezia "Letër" e
Albina Idrizit ka disa elemente që shfaqen si tipare postmodernizmi, duke nisur
nga shkrimi i saj, që thyen ndarjen mes traditës dhe inovacionit, dhe gjer te
përdorimi i formës dhe strukturës në mënyrë të papritur dhe të hapur për
interpretime. Ja disa nga aspektet postmoderniste që mund të evidentohen në
këtë poezi:
1. Postmodernizmi e trajton
individin si të lidhur ngushtë me grupin dhe historinë e tij, por pa arritur
një kuptim të plotë dhe të njëtrajtshëm. Poezia e Idrizit ka këtë tipar në
mënyrën se si ndërthur lidhjen personale me Kosovën dhe historinë e saj.
Vargjet që shprehin pasionin për nënën dhe atdhenë, si dhe përpjekjet për të
artikuluar një dashuri sa personale aq dhe kolektive, janë një reflektim i
postmodernizmit, që refuzon çdo ide të një kuptimi të plotë dhe të njëtrajtshëm
të historisë dhe identitetit.
2. Postmodernizmi shpesh luan me
historinë dhe përdorimin e saj, duke e transformuar atë në një tekst të
vazhdueshëm, gjithmonë në ndryshim dhe i pasigurt. Vargu "Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që
erdha në fund, / nuk di / të shkruajta për nënën / apo për Kosovën"
është një pasqyrë e këtij disavantazhi historik: poetja nuk e shpjegon qartë
nëse flet për një temë ose një tjetër, sepse ato janë të lidhura pazgjidhshmërisht
dhe nuk mund të shfaqen të ndara. Kjo poezi ka elemente të postmodernizmit,
pasi ai krijon një ndjesi pasiguri dhe interpretimi të kuptimeve pa fund, tipar
ky i njohur i postmodernizmit.
3. Në shumë poezi postmoderne,
është e zakonshme që forma të shkruhet në mënyrë të lirë dhe pa ndjekur
rregulla tradicionale të ritmit dhe vargjeve. "Letër" është një poezi
që nuk u përmbahet rregullave klasike të vargut, por ka një rrjedhë të lirë,
dhe të pasigurt, që shpesh është karakteristike e postmodernizmit. Forma e
poezisë shfaqet si një bisedë e natyrshme me veten, me vëllain, dhe me
lexuesin, formë që sfidon idenë e një strukture të përcaktuar dhe të qartë.
4. Postmodernizmi është i njohur
për shumëkuptimësinë dhe fragmentimin e kuptimit, që janë pasqyra të realitetit
të pasigurt e të shumëanshëm. Vargjet e poezisë "Po e mbaroj këtu vëllaçkoja im, / po tani që erdha në fund, / nuk di /
të shkruajta për nënën / apo për Kosovën" janë një shembull i kësaj:
autorja e vë veten në një pozicion ku nuk mund të ndahet ajo që është personale
(dashuria për nënën) nga ajo që është kolektive (Kosova si atdhe dhe simbol).
Ky fragmentim dhe mospërputhje e kuptimit është një element tipik
postmodernist, ku nuk ka një kuptim të qartë dhe të njëanshëm.
Si përfundim mund të themi se poezia
“Letër”e Albina Idrizit dallon për ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj, duke
arritur të krijojë një ekuilibër të rrallë mes ndjenjës personale dhe
universalitetit. Me një gjuhë të thjeshtë por të ngarkuar me simbolikë, ajo
depërton në shtresat më të thella të përvojave njerëzore, duke përfaqësuar
dhimbjen, dashurinë dhe shpresën me një forcë artistike që mbetet në kujtesë,
madje forma e saj si një letër dërguar vëllait për të ardhur të shohë nënën I
bëhet tepër familjare lexuesit. Poetja
krijon një botë poetike të pasur, ku imazhet dhe emocionet flasin
njëkohësisht për intimitetin familjar dhe identitetin kolektiv të një populli.
Aftësia për të ndërthurur dimensionet personale dhe historike, duke ruajtur një
ton delikat dhe reflektiv, e vendos këtë poezi ndër krijimet më të arrira të
poezisë bashkëkohore shqiptare. Kjo është një poezi që jo vetëm prek, por edhe
frymëzon, duke ftuar lexuesin të reflektojë në nivele të ndryshme të përjetimit
njerëzor.
Sarandë, më nëntor 2024
Albina Idrizi
Letër
Nëna nuk
është mirë, vëlla
shpeshherë
ngre dorën
dhe të fshin
ballin
thua se nuk
je kaq detra larg.
E ndien edhe
ti?
Sepse, krahë
më të gjatë se të nënës
e sy më të
thellë se të sajtë
unë kurrë
nuk kam pa.
Të kujtohet
si na rrëfente baba
për zemrën e
nënës në dorën e djalit
që klith nga
dhimbja
kur ai
rrëzohet?,
nëna e jonë
paska qenë.
Po ajo që
mban digën e skamjes
dhe nuk e
ndal këngën
të mos e
trembë vërshimi
lumturinë e
fëmijëve?,
nëna e jonë
paska qenë.
Gjithë nënat
që dijmë, gjithandej
nëna e jonë
paskan qenë.
Nganjëherë i
vë gishtin gulçeve,
të mos na
dëgjojnë lulet, thotë
dhe çuditem
nga i ka mësuar
metaforat e
poezisë sime.
Kërkon
vazhdimisht të mbajmë
derën hapur,
(ti e di,
nuk i ka dashur kurrë dyert e mbyllura),
dhe se kujt
i hakërrehet -
lërini të
vijnë, të vijnë, të vijnë....
lërini të
shkojnë, të shkojnë, të shkojnë...
pastaj
sërish nga fillimi.
Po e mbaroj
këtu, vëllaçkoja im,
por tani që
erdha në fund,
nuk di
të shkruajta
për nënën
apo për
Kosovën.
P.s.
Bëj ç'të
bësh, dil nga legjenda
No comments:
Post a Comment