RRJEDHA E FIGURAVE ARTISTIKE NË NJË PËRJETIM POETIKO EKZISTENCIAL
Nga Timo Mërkuri
Poezia e Ilirian Zhupës
"Është vonë të më mungosh" është një krijim që reflekton mbi
mungesën, vetminë dhe mënyrën se si dashuria, edhe në mungesë, vazhdon të jetë
e pranishme në shpirtin (jo vetëm) e poetit. Krijimi ndërthur tensionin
shpirtëror me elegancën lirike dhe ndërton një botë emocionale të ngarkuar me
ndjeshmëri e simbo-likë, madje qysh në krye bie në sy se dhe vetë vargu titullor
është një kulm artistik e filozofik dhe përmbledh përjetimin e mungesës si
prani dhe plagë ekzistenciale.
I-Nisur nga kjo, më së pari le të
zbërthejmë titullin e poezisë, i cili do na hapë dyert për në brendi të saj,
pse në thelb ai është sintezë poetike e ndjenjave të mungesës dhe reflektim mbi
kohën, dashurinë dhe marrëdhënien e përjetuar. Titulli "Është vonë të më
mungosh" është shprehje e një dashurie që nuk pranon kufizime, sepse mungesa,
e cila “..është vonë” bie ndesh me ndjenjat e dashurisë universale të heroit,
pasi e lexuar ndryshe, titulli ka kuptimin se: “është vonë pasi unë jam shkrirë
i tëri në këtë dashuri” apo unë dhe ti jemi shkrirë së bashku në këtë dashuri
dhe nuk mund të ndahemi. Sipas poezisë, ndjenjat e heroit janë sa të fuqishme
aq dhe gjithkund të pranishme, sa mungesa e saj përjetohet si një “shkëputje e
pamundur ”. Poezia, përmes vargjeve, ndërtimit të figurave dhe intimitetit të
ndjenjave, shpreh bukurinë e dashurisë dhe tragjedinë e mungesës. Sinqerisht që
është hera e parë që has një poezi të ngritur për “mungesën” në dashuri, në të
cilën poeti ofron një situatë ku mungesa
(e të dashurës) nuk është thjesht boshllëk emocional, por një gjendje
ekzistenciale që nuk pranohet dot për shkak të thellësisë, gjerësisë dhe peshës
së dashurisë. Jam i bindur se kushdo që e ka provuar një mungesë të tillë,
kursesi nuk e ka pranuar dhe e përjeton më qartësisht poezinë. Megjithatë një sërë
pyetjesh lindin qysh në titull dhe më e para: Pse do mungojë e dashura e heroit,
kur ai e dashuron kaq shumë?
1.Qysh në leximin e parë të
poezisë vërejmë se e dashura shfaqet si një figurë e largët, e cila,
pavarësisht mungesës fizike, mbetet e pranishme në mendimet dhe ndjenjat e
poetit në mënyrë aktive, ndaj ai e përjeton këtë mungesë në mënyra të ndryshme :
“Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia” ku ky varg shfaq
tronditjen shpirtërore të tij, të tillë që e ka bërë të “humbuasë busullën” e
orientimit emocional; e ka të pamundur të bisedojë me të tjerët apo të kuptojë
veten. E parë në këtë kontekst, ajo, e dashura mungon jo vetëm si person, por
edhe si simbol i qetësisë, ekuilibrit dhe kompletimit shpirtëror.
2. Sigurisht që ka lexues që me
naivitet do pyesin: Ku mungon ajo? Në një takim apo në dashurinë e tij? Në
poezi mungesa e të dashurës ndjehet kudo, si në rrafshin fizik ashtu dhe në atë
shpirtëror: në mjediset ku poeti jeton e
ndërvepron, në hapësirat e tij shpirtërore, në botën dhe mendimet e tij. Në
poezi ajo “shfaqet” si mungesë që mbush çdo hapësirë, duke e bërë të pamundur
që poeti të gjejë një vend ku të ndihet i qetë larg saj. Poetika e vargut:“Rruga
më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.” sugjeron që mungesa e saj
e bën botën e tij të pasigurtë e të
huaj.
3.Ka një frazë në këtë varg që të
ve në mendime dhe të fton në eksplorime,fraza kur poeti thotë: “është vonë”.
Psikologjikisht dhe artistikisht e quajtura
"vonë" lidhet me disa aspekte
të kohës dhe ndjenjave:
a.Në konceptin e përjetësisë së dashurisë, dashuria e poetit për të vajzën
është aq e madhe sa mungesa e saj nuk mund të pranohet në asnjë moment kohor,
as tani, as më vonë sepse i humbet kuptimin jetës. Kjo është e dukëshme te
vargjet: “Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin”, pra rruga e jetës
ka marrë formën e një rrethi që të kthen në fazën fillestare ose ndoshta dhe të
një pike, prej së cilës nuk lëviz dot. Pra vargu përforcon idenë se dashuria
është ciklike, e pafund, dhe mungesa thyen këtë cikël, duke e bërë të pamundur
rikthimin në normalitet. Kështu,mungesa përjetohet si dhimbje e përhershme që
sfidon logjikën e zakonshme të kohës dhe hapësirës. Parafytyroni psh, mungesën
e fëmijës adoloshent në shtëpi në orët e vona të natës dhe shqetësimin e
prindërve.
b.Dikush do të sugjerojë se
poetit (ndoshta) i duket se koha që kanë kaluar bashkë është aq e rëndësishme
sa çdo mungesë tani , qoftë dhe momentale përjetohet si një padrejtësi e madhe.Po,
kështu është, në fakt për poetin, ajo, e dashura është bërë pjesë e pandarë e qënies
së tij, e pazëvendësueshme, ndaj ai shprehet te vargjet: “O, po i kam të gjitha
e prapë më mungojnë, më braktisin.” duke nënkuptuar se mungesa e saj është
shumë më tepër se një mungesë fizike, është një mungesë shpirtërore
4.Përmes vargut "Është vonë
të më mungosh," poeti nuk e shfaq vetëm dhimbjen, por edhe një përjetim
shpirtëror që ka kaluar: nga revolta te pranimi. Kjo shprehje nënkupton që
dhimbja e mungesës ka marrë përmasa kaq të thella e të gjera sa që është bërë
fakt i kryer, pjesë e ekzistencës së tij, pranim i heshtur, e ngjashme me disa
plagët që nuk shërohen kurrë, por që egzistojnë në trup, madje kthehen në
simbole të jetës. . Sdi pse më kujtohet shprehja: larg syve larg zemrës.
5.Artistikisht, ky varg
përfaqëson një kulm të finesës lirike dhe ndjeshmërisë njerëzore . Ai përcjell
idenë se dashuria dhe mungesa nuk janë dy gjendje të ndara, por është një pjesë
të pandashme e një përjetimi të madh dhe kompleks: “Këndoj dashurinë që e kam
dhe s’e kam”.Kjo mënyrë konceptimi e bën mungesën një prani të përhershme dhe
paradoksale, ku ajo vazhdon të ekzistojë përmes fuqisë së saj shpirtërore dhe
krijuese.
Kështu fraza vargore "Është
vonë të më mungosh" përmbledh filozofinë e poezisë në tërësi, duke shprehur
jo vetëm një vetëdije të qartë për dhimbjen e humbjes,por edhe pranimin e saj si burim frymëzimi dhe pjesë e
pashlyeshme e jetës së poetit. Përmes këtij vargu, mungesa shndrohet nga një
ndjenjë kalimtare në gjendje të përjetshme, një lloj paqeje melankolike, si një
plagë që duhet gjithmon ta ledhatosh me idenë se po lehtëson dhimbjen, ndjenjë
që vetëm dashuria e humbur ta sjell.
II-Është interesantë se poezia e
Ilirian Zhupës përfaqëson një përjetim të mungesës së të dashurës, duke
ndërthurur ndjeshmëri estetike dhe filozofi moderne. Teksti lidhet me disa
rryma të modernizmit, si ekzistencializmi dhe absurditeti, por përmban dhe dimensionin metafizik të veçantë që i jep
karakter unik. Për këtë arsye e shohim të nevojëshme që analizën ta ndajmë në
dy pjesë: e para të përqendrohet te qasjet moderniste, ndërsa e dyta të ndalet
te veçoria e saj special dhe konkretisht:
1.Poezia"Është vonë të më
mungosh" nga Ilirian Zhupa i përket rrymës ekzistencialiste brenda
modernizmit, pse eksploron vetminë dhe përpjekjen për të gjetur kuptim përmes introspeksionit
dhe krijimit artistik. Në këtë poezi, pyetjet si “Unë ku të shkoj? Unë kë të
ndjek? Unë kujt t’i flas?” pasqyrojnë krizën ekzistenciale që vjen nga humbja
njeriut të dashur, por që ajo, kriza zgjerohet e përfshin ndjenjën e vetmisë së
njeriut modern në një botë të pakuptimtë. Ndjenja e mungesës shndërrohet në
simbol të zbrazëtisë më të thellë që individi përjeton kur përballja me jetën
duket e pafund dhe e paplotë.
2.Lirizmi introspektiv dhe
subjektiviteti poetik shfaqet përmes pamjeve të përditshmë-risë, ku objektet
dhe vendet - librat, stolat, rruga, kafja - marrin një vlerë simbolike. Imazhet
e tyre konkrete, që zakonisht janë pjesë e jetës së përditëshme, shndërrohen në
pasqyra të brendisë shpirtërore të poetit dhe, ndërkohë që ai përpiqet të gjejë
qetësi përmes tyre, ndjesia e mungesës shfaqet si mur i pakapërcyeshëm. Kjo duket si një lojë mes realitetit dhe brendisë
emocionale, madje krijon tension poetik, duke pasqyruar dilemat e individit
modern.
3.Simbolika është shtyllë qendrore e kësaj poezie. Zjarri që “brufullon
brenda gjoksit” shfaqet si metaforë e fuqishme për ndjesitë e pasionit dhe
dhimbjes së brendshme, ndërsa “horizontet e grivëra” evokojnë ndjenjën gri, që
krijohet nga pengesat dhe pasiguritë shpirtërore të poetit. Yjet që ndriçojnë
natën në fundin e poezisë nuk janë thjesht imazh natyror, ato janë simbol i
shpresës dhe universalitetit.Kushdo që e ka përjetuar këtë situatë, asnjëherë
nuk i ka humbur shpresat e një rikthimi.
Interesante është fakti se kjo
poezi ofron dhe dy qasje të tjera speciale dhe konkrete:
a.Paradoksi i dashurisë moderne, shfaqet
qartësisht: ajo, dashuria është njëkohësisht sa e pranishme aq dhe e paarritshme.
Ky dualitet krijon tension emocional dhe poeti gjendet midis pranimit të realitetit
dhe dëshirës për diçka më të lartë. Pohimi
“e kam dhe s’e kam” shfaq pikërisht këtë ambivalencë, duke reflektuar
kompleksitetin e dashurisë.
b.Është hera e parë që has dhe
ndjej dukurinë e një krijimi poetik që paraqitet si akt që i jep kuptim jetës
dhe ndihmon në përballjen e boshllëkut ekzistencial. Realisht ky koncept është
tipar thelbësor i modernizmit , ku arti shihet si mjet për të kaluar kufijtë e të
zakonshmes. Përmes krijimtarisë, poeti shndërron dhimbjen në një univers më
vete, të mbushur me vlerë dhe estetikë. Në vargun: "Pas të gjitha këtyre
shkruaj e ç’shkruaj vargje," krijimi poetik shfaqet si akt që transformon gjendjen emocionale të
poetit, ku ai (poeti) si një demiurg modern,(Zot,krijues) arrin të kapërcejë
mungesën dhe përmes fuqisë së vargut, e bën krijimin një formë shpëtimi dhe
transcendence. Konkretisht, poeti nëpërmjet krijimit vepron si një demiurg
(Zot) që krijon e ndriçon kaosin e jetës përmes artit dhe:
-Poezia bëhet (krijohet)si një
univers më vete, ku ndjenjat, emocionet dhe konceptet abstrakte marrin jetë dhe
rregull.
-Procesi i krijimit përjetohet si
përpjekje për të kapërcyer realitetin fizik dhe ndërtuar një botë shpirtërore
ose estetike të re.
-Poezia e Zhupës është një përjetim
estetik i rrallë: e ngre përvojën personale në nivelin e universalitetit
njerëzor, duke na ofruar një tablo të fuqisë transformuese të artit. Nuk është
pjellë e fantazisë shprehja që poetët janë si Zoti, këtu e kanë patur fjalën.
III- Poezia "Është vonë të
më mungosh" e Zhupës përdor një gamë të gjerë figurash artistike, ku
simbolet, metaforat, personifikimet dhe imazhet ndërtojnë një tekst që flet
njëkohësisht për përjetimin e boshllëkut ekzistencial, ndjesinë e brendshme
lirike dhe kompleksitetin simbolik të modernizmit. Të gjitha këto qasje lidhen
organikisht me rrymat e ekzistencializmit, lirizmit introspektiv dhe
simbolizmit modernist. Por le ti shohim konkretisht figurat artistike sipas
qasjes dhe të shpjegojmë shkurtimisht arsyen e saj :
1. Simbolet dhe qasjet e tyre:
a.Simboli:"Zjarri brufullon
brenda gjoksit" në ekzistencializëm shpreh trazirat shpirtë-rore të
individit, një përpjekje për të ndier ekzistencën vetike në kaosin dhe absurdin.
Në kuadrin simbolist, zjarri përfaqëson fuqinë krijuese dhe shkatërruese të
ndjenjave, duke lidhur jetën emocionale me pasionin dhe dhimbjen.
b."Horizontet e
grivëra" janë simbol i paqartësisë dhe mungesës, por njëkohësisht janë një
metaforë ekzistenciale e kufizimeve dhe të panjohurës. Përmes simbolizmit
modernist, ato aludojnë për pamundësinë e një shikimi të pastër drejt së
ardhmes.
c.Te vargu: "Nata më mbushet
me yje" në sens lirizmi introspektiv, yjet simbolizojnë ndriçimin
shpirtëror, një lloj shprese përtej errësirës ekzistenciale. Në simbolizëm, ato
përfaqësojnë idealet e largëta dhe dëshirën për transcendencë.
ç. Simboli i pleqve te
vargjet:“Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha/ Dhe të
gjitha fytyrat ngjajnë.” shfaq një gjendje statike e ciklike, ku individët
humbasin individualitetin në uniformitet, duke pasqyruar ndjenjën e absurdit në
modernizmin ekzistencial.
d. Simboli i librave te
vargu:“Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria”, ku librat
simbolizojnë peshën e kujtimeve dhe emocioneve, duke shprehur përballje me të
kaluarën që është po aq e dashur sa edhe e rëndë.
e. Te vargu::“Rruga më shtyn me
bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj”,rruga është simbol i jetës që shtyn
individin drejt një fundi të paqartë, ndjesi kjo e shpeshtë në letërsinë
moderniste të absurdit. Sigurisht që këto shpjegime të simboleve nuk zbërthejnë
thellësisht vlerat e figurave artistike, por ne le të plotësojmë mangësinë me
analizën e metaforave, personifikimeve dhe imazheve, ku do qartësojmë idenë.
2. Metaforat dhe lidhjet e tyre:
a.Metafora:"Rruga më shtyn
me bërryla" është qartësisht ekzistenciale dhe pasqyron ndjenjën e
individit përballë presionit të realitetit. Në simbolizmin modernist, rruga
përfaqëson udhëtimin e jetës, një përpjekje për të gjetur kuptimin në botën
kaotike. Duket sikur ky varg krijon një përplasje me vargun e mësipërm simbolik
(pika e), porn ë fakt nuk është përplasje por është një ndërshfaqje. Kemi thënë
që figurat e Ilirian Zhupës ndërlidhen, ndërshfaqen e ndërveprojnë me njera
tjetrën dhe këtu kemi të bëjmë me këtë dukuri, ku simboli shfaqet dhe si
metaforë pikërisht te fraza ”…shtyn me bërryla”. Sigurisht që këtë ndërlidhje
dhe ndërshfaqje do ta hasim dhe te analiza e personifikimit dhe imazhit, por
mjafton të kuptojmë se kjo është një vlerë dy-trifishe e figurës dhe jo ndonjë
lapsus i poetit. Këtë dukuri do ta hasim dhe te figura të tjera artistike,
krijuar me të njejtin efekt.
b.Te vargu:"Librat më
kërrusin nga dashuria", në kuadrin e lirizmit introspektiv, kjo metaforë
shfaq ndikimin transformues të dijeve e ndjenjave, që shpeshherë mbartin një
peshë të madhe emocionale dhe shpirtërore. Edhe kjo metaforë ndërlidhet e ndërshfaqet
me simbolin e mësipërm (pika d) ku pesha e dashurisë bëhet një barrë që ndikon
te lexuesi.
c.Metafora:"Këndoj dashurinë
që e kam dhe s’e kam" ndërthur dualitetin e ekziste-ncës: praninë dhe
mungesën. Ajo është ekzistenciale në thelb, pse reflekton pasigu-rinë e jetës
dhe paradoksin e dashurisë. Në simbolizëm, ajo krijon një ndjesi abstrakte të
ndjenjave të paprekshme.
3. Personifikimet dhe funksionet
e tyre:
a.Te vargu:"Rruga më shtyn
me bërryla", rruga personifikohet dhe shfaq një ndjenjë ekzistenciale, ku ajo
(rruga), si një forcë e jashtme, përfaqëson presionin dhe sfidat e përditshme
që ndikojnë në individin. Shpjegimet e ndërshfaqjes janë të njejta me pikën “a”
te analiza e metaforave.
b Thamë më sipër se vargu
simbolik:"Zjarri brufullon brenda gjoksit" në shpreh trazirat shpirtërore
të individit, por zjarri personifikohet me fjalën ("brufullon") dhe i
jep jetë këtij simboli, duke krijuar një imazh të një force të brendshme që
vlon dhe konsumon. Ndërveprimi i këtyre figurave përçon një ndjenjë të thellë
vetmie, sepse megjithëse zjarri ngroh të tjerët, dashuria e munguar nuk ngrohet.
Ajo që duam të shprehim është se ndërveprimi I simbolit me personifikimin
krijon imazhin dhe në këtë mënyrë vargu shfaq tri kuptimeshmëri.
c.Personifikimi: "Librat më
kërrusin" tregon marrëdhënien
intime dhe transformuese të individit me artin dhe dijen, ndërkohë që në
lirizmin introspektiv, ai simbolizon ndikimin emocional dhe intelektual të
letërsisë në përvojën personale. Shpjegimet e ndërshfaqjes janë të njejta me
pikën “n” te analiza e metaforave.
ç.Përmes personifikimit "Udhët
përfundojnë pikërisht atje ku nisin" udhët marrin një dimension ciklik, duke pasqyruar
një perspektivë ekzistenciale mbi jetën si një proces të përsëritshëm dhe
shpesh pa kuptim përfundimtar.
4. Imazhet dhe lidhjet e tyre:
a. Imazhi vizual: "Atje,
nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha" shpreh një atmosferë
monotone e të qetë, që buron nga pasiviteti dhe pranimi i një ekzistence të
kufizuar.Në simbolizëm, fytyrat e bardha janë metafora për zbrazëtinë dhe
uniformite-tin e botës. Për ndërshfaqjen e kësaj figure dhe te pika “ç” e
analizës së simboleve, le të bëjmë paralelizmin me sa thamë te analiza e
metaforave.
b.Imazhi:"Ndjek fluturimin e
shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë" krijon një ndjesi të
lirizmit introspektiv, ku fluturimi i shtërgjve simbolizon lirinë dhe kujtesën,
ndërsa vajza përfaqëson idealin e dashurisë, përjetësinë e saj dhe një shpresë
të vagët të heroit poetik.
c.Ndërkohë imazhi: "Mbështes
kokën në horizontet e grivëra" shfaq një pamje ekzistenciale të lodhjes
përballë një bote të mjegullt dhe të paqartë. Në simbolizëm, ky imazh aludon për
ndjesinë e humbjes në kërkimin e një kuptimi të pakapshëm, pra kemi të bëjmë me
një ndërshfaqje, jo me një lapsur të poetit.
Kështu mund të flasim edhe për
vargun “Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur” ku kombinimi i
metaforës së qiellit (si shpresë dhe qetësi) me personifikimin e moshës që
"ndihet e bukur" krijon një imazh të harmonisë së brendshme që lind
nga krijimtaria, për vargun: “Nata më mbushet me yje.” ku nata personifikohet
si hapësirë që "mbushet me yje," ndërsa yjet vetë bëhen metaforë e shpresës dhe ëndrrave. Kjo
ndërthurje krijon një imazh kozmik që pasqyron çastin e një përmbushjeje
shpirtërore në kontrast me mungesën dhe dëshpërimin e mëparshëm.
Në thelb ndërveprimi i figurave
artistike te Zhupa krijon një botë imazhesh që shfaqin tensionin midis dhimbjes
e shpresës, vetmisë e krijimtarisë. Simbolet, metaforat dhe personifikimet jo
vetëm që forcojnë ndjesinë ekzistenciale të poezisë, por ndërtojnë një realitet
të pasur që shpalos thellësinë e përvojës njerëzore në modernizëm. E parë në këtë
lente, shprehemi se: poetika e Zhupës është ftesë për lexuesin të eksplorojë
dimensionet më të thella të përvojës njerëzore te arti I tij poetik që ndriçon
misteret e qenies dhe botës dhe të mos mjaftohet me kuptimshmërinë e dukëshme të
saj.
IV- Ka një dukuri interesante
poezia, në vargun e fundit: "Është vonë të më mungosh e dashura ime",ku
fraza “e dashura ime” përdoret për herë të parë në poezi duke sjellur një përshkallëzim emocional dhe kulm
estetik. Kjo shprehje, e lënë për në fund, krijon ndjesinë sikur poeti e ka
ruajtur emërtimin më të drejtpërdrejtë për çastin më intim dhe më domethënës të
poezisë. Përdorimi i saj i jep peshë të veçantë ndjenjës së "ruajtur"
(dhe të kristalizuar brenda tij), që, deri në atë moment, ishte shfaqur përmes
toneve dhe figurave më të tërthorta. Në fakt, kjo vonesë për ta përmendur
cilësimin "e dashura ime" tingëllon si një strategji artistike dhe
psikologjike: poeti e ngre dashurinë në mënyrë graduale, duke e ndërtuar
fillimisht si atmosferë ndjenjash, që rritet e përforcohet deri në çastin e
fundit. Gjithmon kështu ndodh, djemtë fjalën “të dua” ose “e dashura ime” e
shprehin me vonesë. Kjo "vonë", e përdorur në këtë moment, mbart
peshën ekzistenciale që e bën ndjenjën më të thellë dhe më të ndjerë. Megjithatë,
mendojmë se ka edhe një efekt tjetër: ndonëse fjala “vonë” sugjeron humbjen,
përdorimi i frazës “e dashura ime” lë hapur mundësinë e një shprese të fundit.
Dhe së treti: kjo vendosje në fund e frazës “e dashura ime” i jep poezisë një
ndjenjë përmbyllëse, duke e lenë hapur interpretimin për rilidhjen e pritëshme.
Në fakt poetët modernist shqiptarë pothuaj se të gjithë rezervojnë në fund të
poezive shpresa optimizmi, ndryshe nga modernistët europianë që zhyten në
pesimizmin e pashpresë. Por ajo që është e rëndësishme është fakti se te kjo
gfrazë është kristalizuar ideja se :mungon e dashura (fizikisht) pranë poetit,
por jo dashuria (si ndjenjë) te poeti. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në
poezi dhe këtë analizë.
V- Poezia "Është vonë të më
mungosh" nga Ilirian Zhupa përmban një melodicitet të brendshëm që buron
nga përmbajtja emocionale e fuqishme, ritmi i ngadalshëm i vargjeve dhe
ndërveprimi harmonik i elementeve stilistike. Tonaliteti është i ulët,
melankolik, dhe i përmbajtur, duke krijuar një ndjesi të dhimbshme, por
njëkohësisht të këndshme për t’u dëgjuar dhe përjetuar, sit e këngët shumëzërrëshe
të Bregut të detit.
1.Melodiciteti i poezisë
mbështetet te tonaliteti i saj i ulët, i cili i ngjan një bisede intime mes dy
personave, madje shpesh një monologu intim. Ky tonalitet krijohet nga përdorimi
i frazave të shkurtra, pyetjeve retorike, të cilat gjithsesi nuk presin përgjigje
: “Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?” Këto pyetje pasqyro-jnë
një gjendje shpirtërore të pasigurisë, dhe shoqërojnë lexuesin me ritëm të ngada- lshëm.
Ndërprerja ritmike që krijohet nga pyetjet i jep poezisë një efekt të ngjashëm
me valëzimet e një melodie të qetë dhe melankolike.Tonaliteti i ulët e
melankolik përforcohet (edhe) nga motivet e vetmisë dhe dhimbjes:“Po unë çfarë
të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,” vargje këto që
përcjellin ndjenjë të fortë vetmie, e
cila shndrohet në një tingull të brendshëm të butë dhe të përmbajtur.
2.Një element kyç në melodicitetin poetik është përsëritja e frazave dhe
strukturave, pse këto krijojnë një ritëm të qëndrueshëm dhe ndjenjë ciklike, e
cila mbështjell poezinë me një harmoni të qetë: “O, po i kam të gjitha e prapë
më mungojnë, më braktisin” , ku përsëritja e idesë së mungesës dhe braktisjes
në disa vargje radhazi i jep poezisë një tingull të vazhdueshëm, që ndërtohet
ngadalë dhe lë hapësirë për reflektim. Kjo përsëritje nxit lexuesin të ndjejë
ritmin e qetë, por të qëndrueshëm të ndjenjave të shprehura.
3. Përdorimi i zanoreve “u” dhe
“ë” në poezi krijon një efekt të theksuar trishtimi dhe melankolie, duke
ndikuar thellësisht në tonalitetin e saj. Këto zanore, të cilat lidhen shpesh
me dhimbjen dhe pikëllimin në traditën orale dhe gjuhësore të banorëve të bregdetit,
i japin vargjeve një tingëllim të ulët dhe të zgjatur, që përforcon atmosferën
e mbytur të poezisë. Në fjalorin e bregdetasve, zanoret “u” dhe “ë” shpesh
përfshihen në vajtime mortore, duke bartur prej tyre tek poezia e Zhupës
ndjenjë të përjetshme pikëllimi.Në këtë poezi, ato përdoren në mënyrë të ndërgjegjëshme
për të shprehur boshllëkun emocional të subjektit lirik.Psh., “Rruga më shtyn
me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.”ku tingulli “u” krijon një ndjenjë
shtytjeje të dhunshme dhe të pashmangshme drejt izolimit. Ose:“Zjarri brufullon
brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.” Ku përsëritja e “u” dhe “ë”
përcjell një ndjenjë tensioni të brendshëm dhe përpjekjeje për ngushëllim, e
cila mbetet e paplotësuar. Shikoni pak vargun:“Po unë çfarë të bëj? Vij te
vetvetja.” Këtu,kombinimi i këtyre zanoreve reflekton një vetmi të thellë,
ndërsa zëri i lexuesit duket sikur kthehet tek vetja, duke mbartur një jehonë
të mbytur dhimbjeje. Ky përdorim i qëllimshëm i zanoreve,(ose përgjedhja e
fjalëve me këto zanore) i lidhur me simbolikën e tyre në ritet mortore, jo
vetëm që thellon ndjenjën e melankolisë në poezi, por gjithashtu i jep asaj
dimension universal të dhimbjes, duke e ngritur përmbajtjen emocionale në një
nivel artistik të lartë.
Në analizën e melodicitetit mund
të shtojmë edhe efektet e aliternacionit dhe efektet fonike sit e vargu:“Zjarri
brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.” Ku tingulli
përsëritës “b” dhe harmonia midis fjalëve si “brufullon,” “brenda,” e “gjoksit”
krijojnë një aliteracion të ndjeshëm që shton një dimension muzikor, duke I
ndihmuar lexuesit të përjetojnë poezinë si melodi e brendshme, krijuar përmes tingujve.
Po ashtu, përdorimi i tingujve të butë dhe fjalëve me zanore të hapura, si:
“ngrohen,” “zjarri,” dhe “brenda,” krijon një efekt të ngrohtë dhe të
rrjedhshëm, duke theksuar melankolinë e ndjenjave. Nuk mënjanojmë efektin e
imazheve me muzikali-tet visual, si: “Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej
më pikturohet një vajzë.” i cili krijon një lëvizje të butë dhe ritëm të qetë lidhur
me imazhin e shtërgjve në fluturim. Ky imazhi vizual shoqërohet me “melodi” të
qetë, dalur nga përfytyrimi i fluturimit dhe pikturi-mit në qiell.
Ndërkohë lirizmi i poezisë, i
përforcuar nga tematika e dashurisë dhe dhimbjes, është thelbësor për
melodicitetin e saj. Psh vargu: “Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e
gjej të brishtë e të madhe.” ka një ngarkesë të fuqishme emocionesh që krijojnë
një kontrast mes asaj që është dhe që mungon, ku tingulli i këtyre vargjeve i
ngjan një melodie që ngrihet e bie, duke pasqyruar ndjenjat e ndryshueshme
shpirtërore të poetit.
VI- Pikërisht këtu duhet të
sqarojmë se: tonaliteti i ulët dhe atmosfera melankolike që shfaq kjo poezi e
Ilirian Zhupës imponon një mënyrë leximi ose recitimi të përshtatur me këtë
ndjeshmëri, ku specifikisht leximi me zë do të kërkojë një ton të qetë, intim,
të përmbajtur, duke ruajtur formëqn e një bashkëbisedimi emocional. Përmendëm
se kjo poezi ngjan më shumë me një rrëfim të brendshëm ose një letër të shkruar
për një dashuri të humbur, ndaj për këtë arsye edhe recitimi i saj nuk kërkon
forcë zëri apo theksime dramatike. Përkundrazi, intonacioni duhet të jetë i
ulët, i matur, duke reflektuar dhimbjen dhe vetminë që përcillet në vargjet:
“Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra.”
Në një recitim, ndalimi i shkurtër pas secilës pyetje i lejon dëgjuesit të
ndjejë pasigurinë dhe vetminë që përjeton subjekti lirik. Po ashtu, fraza
përmbyllëse “Është vonë të më mungosh, e dashura ime!” kërkon theksim të veçantë, por jo dramatik. Zëri
duhet të bjerë I ëmbël në fund, duke shprehur një ndjesi të plotë dorëzimi te
fati. Kjo strategji e leximit forcon idenë e bashkëbisedimit të përmbajtur dhe
melankolik mes dy shpirtrave, ku dashuria është e humbur, por akoma e ndjerë
thellë në zemër.
VII- Poezia e Ilirian Zhupës
ka karakteristikë të veçantë që nuk e
kanë poezitë e shumë poetëve të tjerë modernist shqiptarë: ajo, ndërsa
është poezi moderniste e kuotave të
larta europiane ka meritën se lexohet, kuptohet, ndjehet dhe kërkohet nga masë shumë e gjerë lexuesisht, madje lexxues
nga krahina dhe nivele të ndryshme arsimore e kulturore. Madje mbajtja e ekiulibri
komunikimi në kuptimshmërinë tekstuale dhe ndjesore të poezisë së tij moderniste në shtresa me
botë poetike tradicionale është vërtet arritje befasuesi e këtij poeti.
Kjo e përafron atë dhe me poezinë
europiane, madje të niveleve më të larta të saj për arsye se:
1.Zhupa është në thelb një poet modernist
shqiptar që shkruan në qasje me rrymat moderniste
europiane duke ndërthurur përvojat personale me ato universale, ndërsa lufton shmangien e izolimit elitar të artit të tij
poetik. Në këtë aspekt ai krahasohet me
Jacques Prévert në Francë, i njohur për poezinë e tij, në të cilën shpreh
ndjenjat dhe përvojat njerëzore me gjuhë të thjeshtë, por poetikisht të pasur.
Si Prévert, edhe Zhupa rruan ndjeshmëri të lartë për realitetin njerëzor, madje
krijon një dialog poetik të hapur, të
ndjeshëm dhe të kuptueshme nga një masë e gjerë lexuesiosh. Gjuha e tij është e
natyrshme, por mban brenda saj strukturë komplekse dhe mendim të thellë.
2.Ilirian Zhupa dallohet për angazhim social dhe reflektim personal në
poezinë e tij. Në shfaqien e realitetit dhe përvojave të njerëzve të zakonshëm,
Zhupa afrohet me poetë të mëdhenj si Nazim Hikmet, që është i njohur për
ndërthurjen e dhimbjeve personale me aspiratat e njerëzimit me një gjuhë të
drejtpërdrejtë, të kuptueshme e ndikuese. Edhe Zhupa, duke ndërlidhur aspekte
sociale e personale, ndërton një poezi që është sa intime aq dhe universale,
madje angazhimi i tij me temat njerëzore e shoqërore reflekton një ndjeshmëri, që
nuk mbetet thjesht brenda individit, por shtrihet edhe në dimensionin kolektiv.
3.Në mënyrë tepër të dukëshme poeti
Zhupa dallohet për ruajtjen e lidhjes me rrënjët kombëtare, duke mbajtur një
ekuilibër midis identitetit shqiptar dhe përmasës universale të poezisë së tij.
Në këtë drejtim, ai krijon një paralele me poetin Seamus Heaney në Irlandë, që
ndërthur përvojat personale me historinë dhe kulturën kombë-tare, duke krijuar
një poezi që është sa kombëtare aq dhe universale. Zhupa mban të njëjtin linjë,
transformon përvojat dhe ndjeshmëritë shqiptare në një art që flet për përvoja universale.
4. Poezia e Zhupës është e pasur
me përjetime estetike që lidhin natyrën dhe jetën e përditshme me përvoja
poetike universale. Në këtë aspekt, ai mund të përafrohet me Odysseas Elitis, i
cili trasformon detaje të vogla të përditshmërisë në poezi fine. Zhupa, në
qasje me Elitis,shndërron momente të zakonshme në përvoja poetike që rezonojnë
me lexuesit e çdo niveli. Të gjitha këto karakteristika të poezisë së Ilirian
Zhupës janë të lexuesme lehtësisht te kjo poezi.
Kështu që përfundimisht, mund të
themi se Ilirian Zhupa është një poet modernist që ruan një ekuilibër të rrallë
midis thellësisë moderniste dhe kuptueshmërisë së gjerë të poezisë. Ai ndjek
traditën e poetëve modernistë evropianë, por arrin të mbajë lidhje të forta me
përvojat dhe ndjeshmëritë njerëzore të vendit të tij, ndërkohë paralelet me poetët
e mëdhenj europianë dëshmojnë për dimensionin universal të krijimtarisë së tij.
Në thelb, poezia e Zhupës flet për botën moderne, duke mbetur një art poetik i
hapur, i prekshëm dhe i dashur për lexuesit e çdo sfondi kulturor, por duke
mbetur vlerë poetike kombëtare e jona.
Sarandë, më Dhjetor 2024.
Është vonë të më
mungosh.
poezi nga Ilirian Zhupa
Më mungojnë
shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më
shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër
stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të
gjitha fytyrat ngjajnë.
Unë ku të
shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në
biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek
fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një
që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.
O, po i kam
të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri
brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku
shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më
erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.
Pi një kafe
me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin
kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë
të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris
gjer në thirrje dhe më merret fryma.
Pas të
gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më
bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj
dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem
demiurg dhe pre i dashurive.
Është vonë
të më mungosh, e dashura ime!
No comments:
Post a Comment