Fjalë zemre për një
poezi.
Nga Timo Mërkuri
Rastësisht lexova një poezi të
poetit mirditor Preng Maca me fjalët plot trishtim:
"O jetë që ikën
dalëngadalë,
Muzikë…pa fjalë!"
Fillimisht e vlerësova si krijim
të një çasti trishtimi a melankolie të poetit dhe i nisa një koment në mesënxher, siç veeproj gjithmon para
publikimit, por Prenga më përgjigjet e më thotë se: Nesër do shtrohet në spital
dhe të hënën operohet nga zemra'.
Për dikë që nuk e di çdo të thotë
operim në zemër mund të interpretohet psh. si një operim apendisiti, por unë që
e kam kaluar këtë situatë e ndjeva trishtimin e madh të poetit, trishtim që ai
përpiqet t'a derdhë në formën e vargjeve. Dhe çuditërisht në vargje fine,
artistike me një peshë psikologjike që më detyroi ti rikthehesha komentit tim.
Por para se të shprehem për atë, dua të them paraprakisht se:
I.Fakti që Preng Maca shkruan një
poezi kaq të bukur dhe meditative në prag të një operacioni në zemër tregon një
forcë të jashtëzakonshme shpirtërore të tij dhe një pranim të thellë të jetës në
gjithë kurbën e saj. Poezia në vetvete
reflekton qetësinë e tij shpirtërore në momente të vështira dhe aftësinë për ti
përqafuar ato me një ndjesi arti dhe estetike. Në vend që të përqendrohet në
frikën apo ankthin e situatës së tij, ai zgjedh të krijojë një poezi që flet
për jetëgjatësinë e shpirtit dhe përjetimin e ndjenjave të pastra, duke i dhënë
kështu lexuesve një dhuratë shpirtërore edhe në momentet e tij më të ndjeshme.
Këto lloj vargjesh shpesh janë
testamente të poetëve me shpirt të madh.
II.Poezia e Preng Macës është një
krijim i shkurtër, por shumë i pasur artistikisht dhe sidomos psikologjikisht,
ai nuk ka patur kohë të zgjatet, ndonëse asnjë zgjatje nuk mund të fliste më
shumë se s aka folur e shprehur ai në këtë poezi. Ajo përbëhet nga vetëm dy
vargje, çka krijon një formë minimale dhe sugjestive, por unë do të shtoja se
pikërsiht kjo thjeshtësi formale është tipike për një stil modernist, ku çdo
fjalë ka peshë dhe kuptim të shumëfishtë.
Shikojeni pak poezinë, në atë
jeta paraqitet si një proces normal i ecjes, dhe poeti mjeshtërisht e
shumëkuptimshmërisht përdorur figurën e muzikës si simbol vazhdimësie dhe harmonie, ndonëse një muzikë
pa fjalë, çka nënkupton një jetë të heshtur pa bujë e zhurmë, një jetë poeti,
kërrusur mbi një fletorkë ku shkruan vargje, ndoshta të ngarkuara me melankoli
a reflektim. "Muzikë... pa fjalë" është një metaforë që sugjeron një
gjendje shpirtërore të thellë, ku ndjesitë dhe emocionet flasin më shumë se
fjalët, madje flasin në mungesë të fjalëve. Kjo i jep poezisë një tonalitet
meditativ dhe introspektiv.
Ndaluni pak te fjalët: "O
jetë që ikën dalngadalë" dhe përjetoni çastin e poetit që me vargje krijon
një ndjesi të përkohshmërisë dhe të një ikjeje, duke e vendosur lexuesin,
qetësisht përballë një realiteti universal: përkohshmërinë e jetës.
Veçse këtu gabohet miku im,
poetët nuk ikin kaq kollaj. Ata kanë shumë vargje për të shkruar dhe nuk mund
t'i lenë të shkrihen në eter. Sigurisht që Prenga nuk do rrijë shumë në spital,
e shumta një javë dhe ne do t'a ngacmojnë me këto vargje që ai shkroi, por
sigurisht duke i fshehur zilinë tonë për finesën artistike të tyre.
Në fakt poezia ngjall një
reflektim të qetë, por njëkohësisht të rëndë mbi natyrën e jetës dhe kohës. Ajo
shpreh një pranim të heshtur të ikjes,
duke nxjerrë në pah një ndjenjë të brendshme qetësie. Niko Kazanzaqj në çastet
e fundit, fjalët e fundit që shkroi ishin: "Nuk kam frikë". Por kemi
kohë për atë çast, së paku dhe një a dy dhjetvjeçarë, ndaj le të kthehemi te
poezia. Përdorimi i muzikës pa fjalë sugjeron një ndjenjë vetmie emocionale, që e përjeton çdo i sëmurë, qoftë
dhe i rrethuar nga të dashurit e tij. Në këtë vetmi komunikimi verbal është
zëvendësuar nga një përjetim i brendshëm dhe personal.
Ndryshe nga një rebelim ndaj
ikjes, poezia duket se reflekton një qëndrim të qetë, ku autori, ndoshta, është
në paqe me procesin e ikjes së jetës. Ndërsa është e shkurtër, poezia arrin të
zgjojë një gamë të gjerë emocionesh dhe mendimesh përmes figurave të thjeshta,
por të fuqishme. Ajo është një reflektim mbi kohën, përkohshmërinë dhe ndjenjat
e brendshme, duke ndërlidhur artin dhe psikologjinë në një harmoni të heshtur.
III- Këto qenë vlerësim për
poezinë, por unë dua të të them vëllazërisht; "Preng, forca dhe frymëzimi
yt janë një shembull për të gjithë poetët. Ashtu siç krijon bukuri me fjalët e
tua, jemi të sigurt se do të kalosh këtë sfidë me po të njëjtën forcë dhe
qetësi shpirtërore. Bijtë e mirditës nuk janë trembur nga jataganët e jo të tremben
nga bisturitë. Zemra jote është burim i artit dhe i dashurisë, dhe ne jemi
pranë teje, duke të mbështetur me mendimet dhe lutjet tona. Jeta është muzikë,
dhe melodia jote do të vazhdojë, për një kohë të gjatë, me një tekst të bukur
që do e shkruash vetë ti. Madje do ta këndojmë bashkërisht qoftë me kitarë,
çifteli a isopolifoni"
Shërohu shpejt se kemi shumë për
të shkruar.
Sarandë, më 13.12.2024 Ora 24.06.
No comments:
Post a Comment