Sunday, 16 February 2025

 

PROFECIA POETIKE E IBRAHIM KADRIUT

 

Nga Timo Mërkuri

Ibrahim Kadriu nuk e ka pasur detin pjesë të përditshmërisë së tij, siç e kanë poetët bregdetar. Ai u rrit në një mjedis larg detit, në Zhegër të Gjilanit, në Kosovën kontine-ntale, ku peizazhi i zakonshëm përbëhej nga malet, fushat dhe lumenjtë. Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë bëri që ai ta perceptonte detin jo përmes përvojës së drejtpërdrejtë, por përmes imazheve të krijuara nga arti dhe përfytyrimi, si psh njohja e tij e parë me detin erdhi nga një ekran kinemaje në Gjilan më 1959, në një film me piratë,(i cili e paraqiti detin të egërsuar, të trazuar dhe të fuqishëm, një hapësirë plot mistere dhe rreziqe) dhe është e natyrëshme që në subkoshiencën e tij deti të formësohej si diçka e frikëshme, si një vend prej nga vinin balozët e zinj të legjendave. Ky perceptim u zbut pak gjatë vizitës së tij në Ulqin në vitet e shkollës së mesme, por vetëm në vitin 1979, në Durrës, ai e pa dhe e përjetoi drejtpërdrejt përballjen me madhështinë, forcën dhe trazimin e tij. Kjo përvojë e vonshme percipiton mbi poezinë "Përballë detit të trazuar" një reflektim jo mbi detin si realitet fizik, por si një simbol të fuqishëm të forcave të brendshme dhe shoqërore.

I-Mosnjohja e detit në përvojën e përditëshme, kryesisht të fëminisë, e bën poetin që të mos ta përshkruajë atë në mënyrë realiste apo romantike, ndaj në poezi nuk flet për bukurinë, butësinë, magjinë apo misterin e tij të brendhsëm, por e sheh detin përmes një prizmi metaforik, duke e bërë atë simbol të një force të madhe, të fuqisë së popullit, të protestave dhe lëvizjeve masive. Poezia u shkrua në vitin 1979 në qytetin e Durrësit kur autori ishte i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë bashkë me një grup krijuesisht nga Kosova dhe sigurisht që në krijim zurri vend dhe pamja reale e një deti të trazuar të cilin Kadriu e shndroi në një simbol poetik.

1.Realisht në vargjet e poezisë Kadriu, ndonëse e nis me një peizazh idilik të tipit:

“Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi”

ai fokusohet te një gjendje dinamike dhe sfiduese, pse pas vargut: “Deti merr të artën, me atë forcë magjie”vjen vargu tronditës:”Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë”. Këtu ndjejmë se ndërsa poeti ishte përballë detit në Durrës, shkruante për “detin” shpirtërorë në Kosovë dhe kupton se valët e trazimit shprehin një lëvizje të pandalshme.

2. Në këtë poezi, deti nuk është hapësirë natyrore, por simbol i një force kolektive që nuk ndalet. E parë në këtë aspektai mund të lexohet si metaforë e popullit të Kosovës, i cili gjatë historisë së tij ka qenë në lëvizje të vazhdueshme për liri dhe drejtësi.Vetëm e parë më këtë sy mund të ndjejmë se: Rrymat e lehta të brendshme simbolizojnë pakënaqësitë e fshehta dhe përgatitjet e heshtura të njerëzve, valët dhe dallgët përfaqësojnë protestat masive dhe lëvizjet popullore, të cilat nisin si paqësore, por me kohën bëhen më të fuqishme dhe dallgët goditëse janë simbole të revoltave të hapura të armatosura dhe përplasjes së drejtpërdrejtë me pushtetin.

Është pikërisht kjo strukturë ajo që i jep poezisë një dimension ekspresionist, pasi Kadriu nuk përshkruan thjesht realitetin, por e zgjeron atë në një tablo dramatike, ku deti shfaqet si një forcë me vullnet, ndwrgjegje dhe veprim.

3. Ibrahim Kadriu e ka parë detin artistikisht ndaj përdor shumë figura stilistike për të shprehur fuqinë simbolike të tij: a.Ai e personifikon detit, nuk e shfaq atë si një element natyror, por e shfaq si një qenie të gjallë që "shtrëngon misteret", "përplas valët" dhe "ulërin si një bishë e çmendur." Ky përshkrim shfaq atë si forcë aktive, që reagon, sulmon dhe flet. b. Poeti nuk mjaftohet vetëm me simbolin e detit, ai përdor metafora për të ndërtuar një imazh të trazuar të tij, duke e bërë atë një pasqyrë të revoltave dhe trazirave shoqërore.

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Lëhtësisht ndjejmë se këto vargje shfaqin jo thjeshtë një stuhi detare, por një klimë të tensionuar shpirtërore dhe politike, ku erërat dhe retë e zeza përfaqësojnë forcat që trazojnë shoqërinë. Duke rikujtuar se poezia është shkruar në vitin 1979 në Durrës, ndërsa në Prishtinë në më 11 mars dhe 1 e 2 Prill 1981 u zhvilluan demostratat e studentëve që tronditën themelet e pushtetit politik në Jugosllavi. Është pikërisht ky kontekst historik i poezisë që na përforcon simbolikën poetike të saj, popullin e Kosovës në lëvizje, forcën e tij të brendëshme të pandalshme, që nga rrymat, valët e gjer te dallgët e fuqishme të revoltës. Ka dhe diçka tjetër që vlen të shikohet në këtë rast, Ibrahim Kadriu qysh në vitin 1968 filloi punë te gazeta Rilindja, rolin e të cilës si farkë në kalitjen e ndjenjës kombëtare dhe shpirtin e revoltës së popullit të Kosovës në tërësi dhe të rinisë në veçanti e njohim të gjithë. Ibrahim Kadriu nuk e botoi këtë poezi, por e lexoi me grupe shokësh e individë të ndryshëm, madje me vetë kritikun dhe liderin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën e diskutoi veçanërisht. Këto, si dhe përmbajtja e saj na bindin se kjo poezi është një hymn madhështor i revoltës dhe qëndresës popullore, një thirrje shpirtërore ku deti bëhet zëri i popullit në lëvizje.

4. Kadriu nuk e ka botuar gjer kohët e fundit këtë poezi, por ndërkohë ai e ka rishikuar gjatë viteve, duke ndërhyrë në vargje dhe në mbështetjen metaforike, kryesisht sipas sugjerimeve të Ibrahim Rugovës. Kjo tregon një proces krijues të hapur, ku poeti nuk e sheh poezinë si vepër të përfunduar, por si një reflektim që evoluon bashkë me kohën. Është dhe ky një aspekt që e lidh poezinë me modernizmin, pasi ajo nuk ka një formë të mbyllur dhe të fiksuar, por përshtatet me rrjedhën e historisë dhe përjetimeve të autorit. Gjithashtu fakti që Rugova e lexoi dhe miratoi, tregon jo vetëm vlerën letrare të poezisë, por edhe faktin se ajo kishte një rezonancë të thellë me ndjeshmërinë dhe shpirtin e kohës. Koha tregoi se Ibrahim Rugova kishte një shikim tejë kohës kur jetoi, ai shihte të ardhmen.

II-Në analizën e kësaj poezie duhet të shohim dhe ndjejmë së pari:

1. Detin si simbol dhe shprehje metaforike, pse për Kadriun ai (deti) nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, por një simbol që ai e shfaq metaforikisht. Në poezinë e tij ", Kadriu nuk e përshkruan atë me detaje realiste, por e shfaq si një forcë të mistershme dhe të pakontrollueshme, e cila përfaqëson diçka më të madhe se vvetja. Në vargjet e tij, deti bëhet një element që pasqyron trazimin e brendshëm, ankthin dhe sfidën:

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Këtu, përplasja e qiellit dhe detit nuk është vetëm një përshkrim vizual, por një metaforë e përplasjes së forcave të mëdha, ndoshta e përplasjes së fateve historike, të kohës dhe të njeriut me fatin e tij.

2.Poezia nuk është një reflektim mbi madhështinë e detit, por përsiatje mbi përkohshmë -rinë e njeriut në raport me të, duke shfaqur marrëdhëniet mes njeriut dhe forcave të natyrës. Shih se si Kadriu krijon kontrastin mes përjetësisë së detit dhe përkohshmërisë së qenies njerëzore:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

ku vargjet sugjerojnë se deti nuk është vetëm peizazh, por edhe rrëfimtar i historisë, një arkiv i fateve njerëzore që përsëritet në çdo valë, duke e vendosur veten dhe njeriun në një pozitë të vogël përballë një force të përhershme, të pashtershme.

3. Siç thamë më sipër poezia është shkruar në vitin 1979, një periudhë që parapriu ngjarjet e mëdha historike në Kosovë, pse vetëm dy vjet më vonë, në 1981, shpërthyen demonstratat studentore dhe protestat e popullit shqiptar për barazi dhe të drejta kombëtare. Kadriu, si pjesë aktive e kësaj shoqërie dhe si një vëzhgues i ndjeshëm, ka përjetuar tensionin që po rritej çdo ditë që nga krijimi i poezisë gjer në shpërthimin e demostratave, e më pas në rezistencën e armatosur. Në këtë kontekst, "Përballë detit të trazuar" nuk mund të lexohet si një poezi mbi natyrën, por si një parashenjë e trazirave të mëdha që do të vinin. Shikoni vargjet e fundit të poezisë, përshkrimi i stuhisë mbi det merr një ton të fuqishëm dhe dramatik, të ngjashëm me Zgalemin gorkian:

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Dua të them se ky imazh nuk tingwllon si një përshkrim natyror, ai është një metaforë për erërat e ndryshimit që po frynin mbi Kosovën. Furtuna që Kadriu shfaq në vargje lehtas mund të shihet si një ndjesi e brendshme e poetit, një parandjenjë e tensioneve që do të shpërthenin së shpejti në realitetin politik. Kjo qasje e bën poezinë një reflektim jo vetëm mbi natyrën, por edhe mbi historinë dhe psikologjinë kolektive të një kombi.

III- Poezinë “Përballë detit të trazuar” të Ibrahim Kadriut duhet ta shohim si ndërthurje e ekspresionizmit me simbolizmin modernist, që e shndrrom peizazhin natyror në një pasqyrë të tensioneve të brendshme dhe historike. Përmes imazheve të fuqishme dhe një gjuhe dramatike, ekspresionizmi shpërfaq gjendjen e trazuar shpirtërore, ndërsa simbolizmi modernist e ngre këtë përjetim individual në një dimension më të gjerë, ku deti bëhet metaforë e fateve historike dhe ekzistenciale. Kjo qasje e bën poezinë jo vetëm një shpërthim emocional, por edhe një reflektim të thellë mbi realitetin e kohës..

1.Në këtë poezi ekspresionizmi shfaqet si një shpërthim i gjendjes shpirtërore të poetit, pse poezia e thamë që nuk është përshkrim objektiv i detit. Këtu Ibrahim Kadriu e shfaq detin si një forcë të zemëruar, pasqyrim ky i një realiteti të tensionuar dhe emocional. Përmes ekspresionizmit, ai e shtyn përjetimin deri në një intensitet të skajshëm:

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

ku, era nuk është një dukuri natyrore, por një “bishë e tërbuar”, një forcë agresive dhe kërcënuese. Pikërisht ky personifikim e mbush peizazhin me tension, duke shtrembëru-ar realitetin përmes një ndjenje ankthi e shqetësimi të thellë.

Ekspresionizmi shfaqet dhe në vargje të tjera, ku deti nuk është hapësirë qetësie, por një fuqi e rënduar nga mistere të errëta:"Deti shtrëngon misteret në valët e tij."ku ky varg krijon një ndjesi fshehtësie dhe trysnie. Nuk kemi më një det të hapur dhe të lirë, por një forcë të pashpjegueshme, të rënduar nga peshat e historisë dhe të fatit njerëzor.

2.Simbolizmi modernist dhe deti si metaforë e historisë shfaqet dukshëm në këtë poezi. Duke përfaqësuar trazirat e popullit, valët e dallgët e tij bëhen metafora të revoltes dhe përplasjes me fatin.

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Sigurisht qielli dhe deti bëhen forca kundërshtuese, një simbol i përplasjes së fateve historike. Nëse qielli mund të përfaqësojë një hapësirë të lirë dhe shpresën, përplasja e tij me detin e trazuar krijon ndjenjën e një beteje të vazhdueshme. Është ky aspekti ku Kadriu ndjek parimet e simbolizmit modernist: ai nuk shfaq detin për bukurinë e tij, por e përdor si hapësirë ku përthyhen tensionet ekzistenciale dhe historike.

IV- Në poezinë "Përballë detit të trazuar", Kadriu flet nëpërmjet figurave artistike. Këtu deti është një metaforë e fuqishme e popullit të Kosovës në lëvizje i cili shpreh tensionin e akumuluar në vetëdijen kolektive të një kombi që kërkon ndryshim. Nga rrymat e brendshme të padukshme, tek valët e forta dhe në fund tek dallgët goditëse, Kadriu e ndërton imazhin e një force popullore në rritje, një revoltë, e cila nis e qetë, por përshkallëzohet në një shpërthim të fuqishëm. E parë në këtë aspekt mund të zbërthejme elementet e këtij shkallëzimi.

1.Fiillimisht, deti paraqitet me një lëvizje të brendshme të heshtur, që nuk shihet, por ndjehet. Kjo mund të lexohet si një simbol i pakënaqësisë popullore, e cila ende nuk ka marrë formën e një proteste të hapur, gjë qëë shfaqet te vargjet.

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

Ajo qw ka rwndwsi wshtw fakti se këtu, deti shfaqet si entitet i gjallë, një forcë që ka brenda vetes histori dhe mesazhe . Rrymat e tij të brendshme janë zëri i pashprehur i popullit, një ndjenjë kolektive që po përgatitet të shpërthejë në sipërfaqe. Ne mund ta lexojmë këtë edhe si periudha e vitit 1979, kur ende nuk kemi një lëvizje masive të dukëshme, por nisje të ndërgjegjësimit të popullit, dhe kryesisht të rinisë, veçse duhet të pranojmë se në atë periudhë shtypjeje serbe ishte trimëri edhe të mendoje për lirinë nëpërmjet kundërvënies dhunës serbe e jo më të shkruaje si Kadriu një poezi të tillë.

2.Ndërsa poezia ecën nëpër vargje, deti nuk qëndron i heshtur; ai fillon të lëvizë më fuqishëm. Kjo mund të lexohet si nisja e organizimit për demonstratat që priten të fillojnë kundër pushtetit dhe me lëvizjet masive të popullit që dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre ekonomike, fillimisht. Ibrahim Kadriu e dinte që kishte nisur organizimi i protestave sepse si gazetar i Rilindjes ai ishte në dijeni, të mos themi se ishte në qendër të tyre

"Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë."

Era, që përfaqëso presionin politik dhe represionin shtetëror, nis të trazojë detin: përgjimet, arestimet, por ai nuk e humb identitetin e tij, mbetet i bashkuar. Ndërkohë, valët fillojnë të forcohen, duke shfaqur rezistencën në rritje të popullit.

3. Te vargjet "Gjiri i hapur i valëve përplas/ Rërën e moçme mbi shkëmbin e vjetër." qartësohet leximi, pse interpretohet si momenti kritik ku lëvizja popullore përplaset me sistemin e shtypës, simbolizuar nga "shkëmbi i vjetër". Fakti që përplasja nuk shfaqet më si ndjenjë e brendshme, por si veprim i drejtpërdrejtë, sfidë ndaj rendit ekzistues, na dëshmon imazhin shpirtëror të ndjenjave të trazuara (edhe) të poetit.

4.Poezia arrin kulmin e saj në momentin kur deti nuk është më thjesht në lëvizje, por ai bëhet një forcë goditëse. Këto janë protestat e fuqishme, dalja masive e njerëzve në rrugë, përplasjet e hapura me pushtetin.

"Deti shtrëngon misteret në valët e tij,

Tani s’ka më kthim prapa."

Është momenti kur dallgët e zemërimit popullor nuk janë të kontrollueshme, protesta ka arritur një pikë ku nuk mund të ndalet më. Fjalët "tani s’ka më kthim prapa" tregojnë se populli ka marrë një rrugë pa kthim, se revolta ka arritur në një pikë ku tërheqja nuk është më një opsion.

Pra, në këtë poezi, Ibrahim Kadriu e përdor detin si një metaforë të popullit të Kosovës, duke ndërtuar poetikisht evolucionin e protestës nga një ndjenjë e heshtur tek një lëvizje e fuqishme dhe më pas në një shpërthim të pakthyeshëm. Përmes kombinimit të ekspresionizmit (që sjell fuqinë emocionale të revoltës) dhe simbolizmit modernist (që i jep poezisë një dimension të thellë shoqëror dhe historik), Kadriu e kthen detin në një imazh të fuqishëm të rezistencës popullore. Po ashtu, nëse lexojmë poezinë në kontekstin historik, e shkruar vetëm dy vite para protestave të vitit 1981, atëherë ajo shihet si një parandjenjë e fuqishme e një vale që po vinte. E rëndësishme është se Kadriu nuk e sheh popullin si një turmë pasive, por si një forcë e madhe, si detin që lëviz, valët që shtohen dhe dallgët që godasin me forcën e historisë.

6. Në qoftë se do kërkojmë figurat artistike që shoqërojnë këtë rritje tensioni poetik do nënvizonim së pari :

a.Simbolet:

Deti : simbolizon historinë e trazuar të Kosovës, betejat dhe përplasjet për liri.

Dallgët: përfaqësojnë lëvizjet dhe përpjekjet për ndryshim, si protestat dhe rezistenca popullore.

Era ulëritëse: shpreh kaosin dhe tensionet politike të kohës.

Re të zeza:paralajmërojnë rrezikun dhe trazirat shoqërore.

b.Metafora te vargu:"Deti shtrëngon misteret në valët e tij." deti nuk është një hapësirë ujore, por një forcë e fuqishme që fsheh të vërteta dhe histori të pashqiptuara.

Te vargu:"Historia e detit, përfundim nuk gjënë." Deti është një metaforë për historinë e Kosovës, e cila duket se nuk gjen qetësi apo përfundim.

c.Imazhi ekspresionist te vargu "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur." Është një imazh i fuqishëm që që e shndërron erën në një krijesë të frikshme, duke i dhënë një ndjenjë ankthi dhe tensioni të mad, ndërsa te vargu "Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." përshfaq një tablo dramatike që thekson atmosferën kërcënuese dhe të pasigurt në prag shpërthimi proteste.

ç.Personifikimet që shfaqen psh te vargjet:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

Është “deti” i cili nuk është një element i natyrës, por trasformohet në një qenie të gjallë që "tregon" histori dhe përjeton ndjenja. Ndërkohë te vargu:"Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë."deti duket sikur ka vullnet të vetin, dhe futet vazhdimisht në thellësi, ashtu si historia që përsëritet dhe vazhdon të lëvizë përpara. Sigurisht që poezia ka dhe figura të tjera por ne analizuam një tërësi figurash që janë ndërtuar kryesisht me elementin e detit, ose në ndërveprim me atë. E lexuar në këtë m,ënyrë shohim se poezia ndërton një botë ku natyra reflekton shpirtin e një kombi të trazuar, duke e bërë detin një metaforë të fuqishme të përpjekjeve historike të Kosovës.

Të kemi parasysh se poezia"Përballë detit të trazuar" përveç dimensionit artistik, mund të lexohet si poezi që flet për tensionin historik të Kosovës në periudhën para lëvizjeve të mëdha të viteve ‘80. Në këtë kuptim, poezia nuk është vetëm pasqyrim emocional i individit, por edhe një dokument artistik i një kohe të mbushur me tension, parashkruar përmes fuqisë së gjuhës poetike tw Kadriut. Stili ekspresionist i Kadriut e bën këtë poezi një manifest të shpirtit të trazuar të një kombi që ndien afërsinë e një stuhie historike. Përmes personifikimeve, metaforave dhe ndërtimit të një atmosfere të errët, Kadriu arrin të sjellë jo vetëm përshfaqjen e një skene natyrore, por një metaforë të fuqishme të përplasjes historike të një populli. Në këtë mënyrë, Kadriu na lë një poezi që jeton përtej vargjeve të saj, duke mbetur një kod simbolik i ekzistencës kolektive të një kombi.

V- Sigurisht që lexuesi do të dijë veçantitë e kësaj poezie në raport me poezinë shqipe të Kosovës në fundin e viteve ’70. Theksojmë qysh në krye se kjo poezi shfaq disa veçanti të rëndësishme në krahasim me poezinë shqipe të Kosovës të asaj periudhe. Në fund të viteve ’70, letërsia shqipe në Kosovë ishte në një moment zhvillimi, ku poetët modernistë përpiqeshin të çanin kufijtë e letërsisë së realizmit socialist, ndërsa censura dhe represioni politik ushtronin ndikim dhe presion të madh mbi krijimtarinë letrare. Megjithëatë kjo poezi ja doli të kapërcente kornizat kufizuese edhe në saj të disa veçantive që ajo mbartëte në vetvete.

1. Një veçanti thelbësore e kësaj poezie është se ajo ndjeu dhe parashikoi shpërthimin e protestave të vitit 1981, madje i shfaqi në vargjet imazhet e këtyre protestave. Kjo e dallon nga shumë poezi të kohës, të cilat ose ishin të detyruara të shmangnin temat politike, ose i trajtonin ato në mënyrë të kamufluar.

Në letërsinë shqipe të Kosovës të asaj kohe, temat patriotike dhe atdhetare trajtoheshin shpesh me gjuhë të koduar, për të shmangur represionin e pushtetit jugosllav. Kadriu, në këtë poezi, përmes simbolikës së detit të trazuar, arrin të shprehë ndjenjat e një populli që është në prag të përplasjes së madhe me shtypjen dhe padrejtësinë historike. Vargu "Rrymat e thella e mbajnë të fshehur fuqinë," mund të shihet si një referencë ndaj organizimit të heshtur të rezistencës dhe përgatitjes së popullit për lëvizjet e ardhshme.

2. Në fund të viteve ’70, poezia shqipe në Kosovë ishte në eksperimentimin e rrymave moderniste. Kadriu, me këtë poezi, realizon guximshëm jo një qasjeje, por ndërthurrje ekspresioniste dhe simboliste, ku e pasqyron realitetin (e pritshëm) përmes gjendjeve të brendshme dhe imazheve të fuqishme si: "Valët rriten, përplasen me brigjet e gurta," Kjo krijon një efekt emocional dhe metaforik, dhe e bën poezinë e tij të ndryshme nga format më të zakonshme të asaj periudhe.

3. Personifikimi i natyrës dhe fuqizimi i elementeve natyrore si simbole të popullit është një tjetër veçanti e kësaj poezie, madje e shndron atë në zëdhëndës të popullit. Në poezinë shqipe në Kosovë të atyre viteve, natyra shpesh shfaqej si element dekorativ ose si metaforë e bukurisë së atdheut. Krejt ndryshe tek Kadriu, ajo është një qenie e gjallë, një forcë që reagon dhe merr pjesë në betejën historike si te vargjet: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur," që shfaq një imazh ekspresionist, që e kthen natyrën në një forcë aktive, sikur vetë ajo të ishte një pjesë e popullit në revoltë.

4. Poezia tingëllon si thirrje e heshtur për rezistencë. Kadriu nuk e thotë drejtpërdrejt mesazhin e tij, por përmes simbolikës dhe figurave artistike, ai krijon një poezi që flet për lëvizjen popullore dhe forcën e saj pa qenë e nevojshme të përmendë emra apo data. Psh.vargu:"Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë." mund të interpretohet si një paralajmërim për errësirën e shtypjes, por edhe si sinjal për një stuhi që do të vijë, në këtë rast, për revoltat që do të shpërthenin dy vjet më vonë.

VI-Është interesantë fakti se poezia "Përballë detit të trazuar" e Ibrahim Kadriut mund të lexohet si një himn për shpirtin e popullit shqiptar në Kosovë, duke mishëruar qëndresën, dhimbjen dhe fuqinë shpirtërore të tij. Përtej përshfaqjes së natyrës, ajo reflekton një histori të mbushur me sakrifica e përballje me padrejtësinë, duke e shndërruar detin në metaforë të identitetit kombëtar dhe të forcës shpirtërore.

1. Poezia mund të lexohet me të drejtë si një himn i shpirtit të popullit shqiptar në Kosovë, pse ajo nuk është thjesht përshkrim i natyrës, por është së pari një pasqyrim i shpirtit të popullit. Elementet e saj krijojnë ndjenjë përkatësie e krenarie, të ndërthurur me dhimbjen dhe qëndresën historike. Në këtë aspekt edhe figurat artistike mund ti lexojmë si simbole të përjetësisë dhe qëndresës psh:

a.Deti mund të shihetsi një simbol i madhështisë dhe përjetësisë së popullit shqiptar shfaqur te vargjet:

"Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim."

ku, deti përfaqëson kujtesën historike dhe shpirtin e popullit, duke qenë një dëshmitar i vuajtjeve dhe i qëndresës së tij. Valët që thyhen në brigje janë histori që përsëriten, një metaforë për luftërat dhe sakrificat e shumta.

b.E parë më thellë, poezia e lidh valën e detit me zërin e popullit që nuk heshtt:

"Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë përballë."

Këtu valët shndrrohen në një thirrje që nuk shuhet, një zë që vazhdon të dëshmojë për padrejtësitë e përjetuara. E parë në këtë aspekt, kjo figurë mund të kuptohet si një thirrje për liri, për drejtësi, për një histori që duhet të dëgjohet. Në këtë kuptim, poezia funksionon si një himn për shpirtin shqiptar që nuk është nënshtruar asnjëherë.

c.Furitë e detit mund dhe duhet të shihen si kryengritje, revoltë shpirtërore pse pikërisht në momentin kur deti shfaqet si forcë e pashmangshme, ai bëhet një metaforë për kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes dhe padrejtësisë:

"Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Një betejë e madhe, një furi në trishtim."

Kjo strofë ka realisht një ngarkesë emocionale dhe historike. "Beteja e madhe" mund të lexohet si aludim për një formë veprimi tejë formës paqësore të protestës të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa "furi në trishtim" është dhimbja e sakrificave të shumta.

VII. Poezia e Kadriut e parë si një hymn na sjell ndërmend të eksplorojmë në atë për muzikalitetin e poezisë. Duhet të kemi parasysh se elementët tradicionalë si forma strofore, rima, ritmi krijojnë një melodicitet që i përshtatet poezisë si një hymn shpirtëror dhe ofron një muzikalitet si reflektim i shpirtit kolektiv. Ky muzikalitet vjen si rezultat i disa elementeve kryesore:

1. Përsëritja e tingujve dhe aliteracioni krijojnë një ritëm të brendshëm që e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë. Kështu në vargjet:

"Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Historia e detit, përfundim nuk gjënë."

kombinimi i tingujve "r", "n", dhe "t" krijon ritmin e brendshëm dhe e bën poezinë të tingëllojë si këngë. Aliteracioni (përsëritja e tingujve) ndihmon në krijimin e një ndjesie valëzuese, e cila e afron poezinë me një formë këndimi epik.

2. Po të shohim me vemëndje do ndjejmë se rima e brendshme dhe ritmi i balancuar e bëjnë poezinë të tingëllojë si një këngë që mund të recitohet (këndohet) me një melodi epike. Për shembull, në vargun: "Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,"kombinimi i tingujve të theksuar dhe ndërtimi i frazës krijojnë një efekt zanor të fortë, duke i dhënë poezisë një cilësi pothuajse muzikore.

3. Struktura poetike e ndërtuar në mënyrë graduale duket si një kreshendo muzikore. Poezia nis me ton të qetë dhe të ngarkuar me mister te vargjet:

"Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij."

Më pas, ajo krijon një tension të brendshëm dhe shton elementet dinamike, derisa arrin kulmin e saj me fuqinë e valëve dhe furinë e detit. Ky llopj ndërtim strukturor favorizon dhe ngjan me një kreshendo muzikore, ku tingujt dhe ritmi vijnë në rritje për të arritur në një shpërthim emocional.

4. Simbolika e detit, si një forcë e madhe kolektive shfaq popullin në lëvizje, tipar ky i këngëve masive dhe hymneve. Në poezi, deti përfaqëson shpirtin e trazuar të Kosovës, me rryma të lehta, valë dhe dallgët e mëdha.Te vargjet: "Deti vlon, fryma e tij s’ndalet, / në heshtje mbledh forcën e valëve." po të kemi parasysh këngët patriotike qasja ëshstë tepër e dukëshme.

5. Një veçori e këngëve të rezistencës dhe hymneve është aftësia për të krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe mbledhur njerëzit rreth një ideali të përbashkët. Sigurisht që në këtë poezi, deti nuk është një individ, por një masë e madhe në lëvizje, që përfaqëson të gjithë popullin. Ky është element i rëndësishëm në krijimin e një himni, pasi ato synojnë të bashkojnë njerëzit në një zë të vetëm. Kadriu e shfaq hapur këtë synim te vargjet:

"Dallgët bashkohen në një forcë të vetme, / tërbohen, ngriten, përplasen së bashku." I cili përçon mesazhin e unitetit dhe fuqisë kolektive, një tipar thelbësor i një kënge rezistence dhe i një himni të një populli në lëvizje.

Kështu pra, poezia e Kadriut mund të shihet jo vetëm si një pasqyrim artistik i një kohe të trazuar, por edhe si një këngë (e pashfaqur) e një populli në betejë për lirinë e tij. Në qoftë se do kërkojmë llojin e muzikalitetit që i përshtatet më shumë këtij teksti themi se ai duhet të ketë një ton solemn, të fuqishëm dhe dramatik, duke pasqyruar lëvizjen e pandalshme të dallgëve dhe shpirtin e rezistencës popullore.

Sarandë, më shkurt 2025

Ibrahim Kadriu

Përballë detit të trazuar

Në horizontin blu, ku qielli përplaset,

Deti shtrëngon misteret në valët e tij

Me rërë të artë, që bregut andej haset-

Me gjuhën e dallgëve krijohet melodi.

 

Kur dielli perëndon, ngjyrat ndryshojnë,

Deti merr të artën, me atë forcë magjie,

Mynxyrat e jetës, gjithandej fluturojnë,

Nën yjet që shkëlqejnë, për ilaç vetmie.

 

Ti je shpirt i botës së gjallë, siç thonë,

Me çdo valë që thyen, sjell një tregim,

Nga bregu n’thellësi shtyhesh gjithmonë,

Dhe i bëhesh ëndërr këtij përjetimit tim.

 

Ndodh n’ horizont valët duke u endur,

Si thirrje e trishtë, më rrinë përballë,

Era ulërin, si ndonjë bishë e çmendur,

Dhe re të zeza qiellit shkojnë vërdallë.

 

Furishëm valët rrahën në vazhdim,

Bregu dritëson, natyra zgjuar, nuk flenë,

Një betejë e madhe, një furi n ‘trishtim,

Historia e detit, përfundim nuk gjënë..

1979.

 

KËNGA QË SFIDON HESHTJEN

 

Nga Timo Mërkuri

Këto vitet e fundit Fatmir Terziu gjithmon n aka befasuar me  gjetjet e tij poetike, por së fundi poezzia e tij "Nanurrisjet" ngjall një kuriozitet dhe interesim te lexuesit qysh në titullin e saj, por para se të flasim për atë, për efekte kuptimshmërie në rrjedhjen e poezisë  le të shohim fillimisht vetë poezinë.

I-Në poezi, gjykohet poeti për dashurinë e shfaqur, por duhet të kuptojmë se në poezi nuk është fjala për dashurinë si një ndjenjë personale, por për dashurinë, si një koncept që sfidon normat dhe autoritetin  e traditës zakonore, prej ku ndjejmë se shoqëria jonë ende nuk është çliruar nga pesha e tyre. Poeti nuk  gjykohet si person civil për një shkelje konkrete ligjore, por gjykohet si poet, si dikush që ka guxuar të flasë për dashurinë në një shoqëri ku ndoshta ajo nuk është qytetarisht e lirë, por është e kufizuar , e kontrolluar dhe e keqinterpretuar nga pushteti dhe masa. Sigurisht që shumë lexues e kanë përjetuar këtë kohë, që më të rinjtë e kanë dëgjuar nga prindërit e tyre. Por le të kthehemi te gjyqi poetik, pse gjykohet poeti?

Arsyeja e gjykimit është e shumëfishtë:

1. Gjykohet për arsye se dashuria shihet si akt subversiv. Në vargun e parë, thuhet qartë: "Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll/dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal." Sigurisht gjykatësi pezulloi gjyqin për t'a parë kodin penal sepse ndoshta ju kujtua që diku kushte lexuar se në Verona dikur ( në mesjetë) ishte bërë një gjyq kundër një femre, faji i të cilës ishte pse ishte dashuruar me një fisnik, dhe ku të gjithë fisnikët e Veronës u ngritën në mbrojtje të asaj femre. Po skishte nevojë shumë për Veronën dhe historitë e saj, sepse vargjet folën më së shumti shqip:

 dhe ja ku ishte

në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme”

Ky lloj gjyqi ku vendimi i dënimit pritej me duartrokitje është tipik shqiptar i një kohe jo shumë të largët, ku djem të rinj dënoheshin me punë të detyruar në miniera, rrëzohe-shin si trumcakët nga dega, goditur nga skuadra e pushkatimit apo tundeshin në litar si lulekëmbana. Krimi i vetëm i poetëve është se dashuronin dhe dashuri do të thotë liri.

Në poezi momenti i gjyqi trajtohet me ironi dhe tregon se dashuria këtu shihet si një vepër e rrezikshme, ndërgjegjshëm sepse përfaqëson një liri që bie ndesh me rregullat e vendosura, qysh në mesjetë, apo se liria është e shumëfishtë, e gjerë dhe përfshin shumë hapësira. Në këtë kontekst, poeti nuk është thjesht një njeri që dashuron, por është dikush që shpall dashurinë si vlerë universale, e cila bie ndesh me normat dhe formatin  e pushtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Po të mendoheni pak, jam i bindur se do gjeni raste konkrete të gjykimit të dashurisë dhe lirisë, që nga “gjyqet” familjare e gjer në gjyqet politike.

Shikoni pak, poeti nuk thotë : “Kur foli" ( në gjyq) por shprehet "Kur këndoi" në kontrast të dukshëm me realitetin poetik dhe jo më kot. Duke përdorur shprehjen "kur këndoi për dashurinë", poeti e afron poezinë me këngën, duke e paraqitur si akt të natyrshëm, emocional, si këngë, pse kënga simbolizon lirinë e shprehjes dhe shpirtin e pastër, pavarësisht se në këtë poezi, ajo bëhet arsye për dënim. Poetët në gjithë botën dhe në gjithë kohërat për këngën e tyre janë dënuar, jo për politikë. Kjo e lidh poezinë me traditën orale dhe poetët që janë parë si këngëtarë të së vërtetës, ndërsa tregon paradoksin: një shoqëri që ndëshkon bukurinë dhe ndjenjën.

2.Gjykimi  bëhet nga turmat dhe trupi gjykues  bashkë, çka të kujton gjyqet në mesjetë apo në gjyqet moniste ku vendimet ( dhe ato me vdekje) priteshin me duartrokitje. Vuiktimë e një gjyqi të tillë mesjetar është poeti:

"në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme

(sepse kishte harruar për të dashuruar!)."

Kjo sugjeron një shoqëri ku poetët dhe njerëzit e artit janë të dënuar nga shteti dhe të braktisur e të linçuar nga masa, e cila pranon dënimin e tyre si diçka normale.

3.Këtu shfaqet dukuria e varfërisë së fjalës dhe mendimit të lire, qoftë nga masa, qoftë dhe nga trupi gjykues , pse kur poeti flet për dashurinë, salla e gjyqit  shuhet” dhe muret mbushen me “korda vokale”, duke shfaqur se fjala poetike ka një fuqi të madhe, por gjithashtu përbën rrezik për pushtetin. Në këtë kuptim, poeti gjykohet jo si individ, por si një simbol i lirisë dhe mendimit të pavarur. Poeti mjeshtërisht identifikon dashurinë me lirinë, sepse vetë dashuria është një formë e lirisë.

4.Absurdi i gjyqit dhe gjykimit  të një poeti në fakt është përjetuar ndryshe  nga shtresa të popullatës, pse ka patur shtresa që e kanë dashur poetin dhe fjalën këngë të tij. Shih linearitetin e poezisë: Në një moment, poeti hesht dhe bota “ngrsyet”, duke sugjeruar se pa zërin e tij, ekzistenca humbet kuptimin. Pavarësisht kësaj, heshtja nuk është shpëtim, sepse edhe ajo përkthehet në një pranim ( në heshtje) të çmendurisë:

"edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes

duhet të kthehesh në hiç."

Pra, nuk ka rrugë shpëtimi: të flasësh është krim, të heshtësh është çmenduri.

5.Së fundi poeti gjykohet si një figurë artistike që sfidon rendin, jo thjesht si njeri që dashuron. Dënimi i tij simbolizon përplasjen mes artit dhe pushtetit, ku fjala e lirë është kërcënim dhe dashuria, e zhveshur nga ndjenja e saj e pastër, bëhet një koncept i manipuluar nga autoritetet dhe turmat. Ju lutem kujtoni të dënuarit e plenumit të IV famëkeq, të pushkatuarit e Librazhdit, të barutin e Kukësit, të burgosurit dhe internuarit e gjithë Shqipërisë.

II- Nga sa thamë më sipër shihet se titulli “Nanurrisjet” krijon një kontrast me përmba-jtjen e poezisë. “Nanurrisja” është  një melodi e butë dhe qetësuese që përdoret për të vënë dikë në gjumë, zakonisht lidhet me fëmijërinë dhe dashurinë. Mirëpo, në këtë poezi, ajo merr një kuptim ironik dhe të hidhur.Në kontekstin e vargjeve të poezisë nanurrisjet mund të simbolizojnë:

1. Shoqëria dhe pushteti kërkojnë të "nanurrisin" individin, ta vënë në një gjendje gjumi, pasiviteti dhe nënshtrimi, duke i imponuar heshtjen dhe harresën.

2. Në fund të poezisë, nanurrisjet lidhen me dorëzimin dhe shuarjen e zërit të poetit, që për t’i mbijetuar gjyqit dhe shtypjes, pranon të heshtë dhe të zhduket:

"Nanurrisjet iu kyçën vetvetes…

edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes,

duhet të kthehesh në hiç."

Le të mos përmendim raste, por shumë zëra poetësh heshtën pas furtunës pleniumiste të katërt.

3. Nëse nanurrisja zakonisht është një gjest dashurie e dhimshurie, këtu ajo shndrohet në një mekanizëm shoqëror  nënshtrimi, duke e kthyer dashurinë në një krim dhe poezinë në diçka të ndaluar.

Pra, titulli përmban një paradoxks të fortë: në vend që të ofrojë qetësi, këtu nanurrisjet janë mënyrë për të heshtur të vërtetën dhe për ta bërë njeriun të pranojë gjendjen e tij si një nul. Ndoshta mund të kujtojmë emra poetësh që heshtën së kënduari ose nisën të këndojnë ndryshe gjatë dhe pas dënimit të shokëve.

III-Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut i afrohet më shumë postmodernizmit sesa modernizmit klasik. Ajo shfaq tipare të qarta të postmodernizmit, si ironia, ndërhyrjet metafiktive, përzierja e realitetit me absurdin dhe një sfidim të autoritetit dhe institucioneve të njohura.

1.Në poezi vihet re një raport i tensionuar mes artit, dashurisë dhe fuqisë së shtetit (përfaqësuar nga gjyqtari dhe turma e indoktrinuar). Një poet gjykohet për dashurinë, por jo si ndjenjë personale, por si koncept që sfidon normat dhe kufizimet e imponuara nga shoqëria. Ky është një element postmodernist, pasi poezi të tilla sfidojnë të vërtetat e pranuara dhe ekspozojnë absurditetin e strukturave shoqërore.

Ndër karakteristikat postmoderniste shfaqen:

a.Ironia dhe absurdi  në vargjet:“Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.”

b.Figura e gjyqtarit dhe turma që dënon poezinë është një kritikë ndaj sistemit që i jep më shumë rëndësi normave e kodeve zakonore sesa ndjenjave njerëzore. Kjo është e dukshme në vargun:

në atë sallë nuk kishte më fjalë

sytë i kishin ngrirë lart,

vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,

e ata e quajtën mëkat,

e Gjykatësi e cilësoi pallim.”

 

3.Poezia përzien dimensionet kohore dhe ideologjike, madje këtë e bën në formën e një loje aktorësh pse realiteti ngjan si një skenë teatrale ku gjithçka vjen në cikle:

“Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.”

Ku referenca ndaj 14 shkurtit (Ditës së të Dashuruarve) ironizon mënyrën sesi dashuria institucionalizohet  në një datë të vetme, nga shteti ndërkohë që ajo është e shtypur.

IV-Poezia “Nanurrisjet” e Terziut sjell disa risi në poezinë shqipe, kryesisht në nivelin konceptual, stilistik dhe kritik.

1.Në letërsinë shqipe, sidomos në periudhën post-komuniste, kemi parë shumë poezi që trajtojnë censurën, por “Nanurrisjet” është një poezi e veçantë pse e shfaq këtë temë përmes një simbolike të re: dashuria, një ndjenjë universalisht e pranuar që shndërro-het në shkak për t’u gjykuar. Pra në vend që poeti të përndiqet psh për ideologji, ai dënohet për diçka esencialisht njerëzore, duke krijuar një absurd të fuqishëm:

"Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal."

Është një gjetje sa e bukur aq dhe e fortë e poetit pasi kjo  qasje e bën poezinë një akt kritik ndaj mënyrës sesi autoritetet ndërhyjnë dhe në sferat më intime të jetës njerëzo-re. Kjo ndodh sepse dashuria ka dimension universal në të gjithë elementet e saj, jo vetëm si dashuri për një vajzë, por së pari është e rrezikëshme pse është dashuri për lirinë. Çdo lloj dashurie zë fill te liria, madje dhe një dashuri e thjeshtë çifti është bota ku lindin të gjithë liritë..

2. Kjo poezi shquhet për përdorim të thellë e të bukur të ironisë dhe absurdit, gjë që nuk është shumë e pranishme në poezinë shqipe, sidomos në këtë formë. Elementet groteske, si gjykimi i dashurisë dhe arkitektët që matin një sallë gjyqi sikur të ishte një projekt ndërtimi, krijojnë një atmosferë që i afrohet surrealizmit postmodern:

"Projektuesi i godinës hyri me një preventiv

shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë

nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin."

Ky pasazh shfaq një botë ku çdo gjë është e manipuluar, edhe shkenca dhe arkitektura, duke ironizuar mënyrën sesi realiteti krijohet nga pushteti.

3.Poezia shqipe ka një histori të gjatë të përdorimit në letërsi të gjyqit dhe padrejtësisë (Gjergj Fishta, Migjeni, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Visar Zhiti etj), por “Nanurrisjet” i qaset këtij motivi në një mënyrë absolutisht të re: ajo, poezia e Terziut nuk i shfaq gjyqet si procese tragjike, por si akte groteske, ku poetët e dënuar nuk janë heronj të drejtpërdrejtë, por viktima të një absurdi shtetëror, duke shtuar në këtë mënyrë dhimbjen për dënimin e tyre.

4. Një nga risitë e veçantë e dukshme e kësaj poezie është mënyra sesi ajo luan me kohën. Përmes një strukture ciklike, poezia krijon një ndjesi pafundësie ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërthurura mes tyre. Psh, në fund:

"Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt."

Shikoni pak me vemëndje, dashuria, e cila më parë ishte e ndaluar, e dënueshme me ligj penal, duke kapërcyer shndrimin e saj në një festë rinie, kthehet në një simbol të banalizuar dhe komercial, duke theksuar ciklin e shtypjes dhe manipulimit shoqëror.

5.  Risi më vete është fakti se struktura  e vargjeve  është e ndërtuar në mënyrë, jo vetëm të lirë, por që nuk ndjek një linjë lineare apo një linearitet  të qartë të mendimit. Çdo pjesë e poezisë funksionon si tablo më vete, me elemente që përsëriten dhe ndryshojnë kontekst, duke shfaqur një ndjesi të fragmentarizuar, të ngjashme me “rrjedhën e ndërgjegjes” në letërsinë moderniste, por me një ton më të hidhur, më ironik  e kritik.

6.Risi më vete është fakti se kjo poezi nuk kërkon vetëm të shprehë ndjenja, por dhe të sfidojë mënyrën sesi shoqëria dhe pushteti ndërhyjnë në to, duke i dhënë poezisë një dimension të fortë filozofik dhe politik.

Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut  shënon një arritje të veçantë në krijimtarinë e tij dhe në poezinë shqipe. Ajo sjell një qasje novatore në trajtimin e censurës, pse e zhvendos fokusin nga ndalimi ideologjik te ndëshkimi i, dashurisë. Përmes një ndërtimi ironik dhe një përdorimi të absurdit, poeti e shndërron gjyqin ndaj fjalës në spektakël grotesk, ku logjika shtrembërohet dhe realiteti kthehet në farsë.

Arritje e madhe e kësaj poezie është mënyra sesi ajo ndërthur simbolikën dhe kritikën sociale brenda një strukture që sfidon linearitetin e rrëfimit poetik. Figura e poetit që këndon, hesht dhe zgjohet për dashurinë nuk është thjesht një imazh i vuajtjes, por një dëshmi e fuqisë së artit për të mbijetuar edhe në heshtje. Titulli “Nanurrisjet” shton një dimension të ri, duke krijuar kontrastin mes butësisë së këngës dhe dhunës së shtypjes, mes ëndrrës dhe detyrimit për të heshtur.

Me këtë poezi, Fatmir Terziu jo vetëm që i jep formë të re debatit mbi raportin mes artit dhe pushtetit, por e vendos poezinë në një hapësirë ku mendimi dhe ndjenja nuk mund të ndahen. Përmes vargjeve të tij, ai arrin të krijojë një poezi që nuk lexohet vetëm me mendje, por edhe ndihet thellësisht, duke e bërë “Nanurrisjet” një nga krijimet  e tij më të fuqishme dhe më sfiduese.

 

Sarandë, më shkurt 2025

 

Nanurisjet

Nga Fatmir Terziu

Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll

dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.

Dritarja e mbyllur u çel si një trëndafil

kapi rastësisht buzët një petale e gjallë

dhe ja ku ishte

në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe

për shkak të vdekjes së tyre të detyruar

dhuratë e duartrokitjeve të një turme

(sepse kishte harruar për të dashuruar!).

 

Kur foli për dashurinë – salla u shua

dhe muret u mbushën me korda vokale.

 

Projektuesi i godinës hyri me një preventiv

shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë

nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin

në atë sallë nuk kishte më fjalë

sytë i kishin ngrirë lart,

vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,

e ata e quajtën mëkat,

e Gjykatësi e cilësoi pallim.

 

Kur heshti për dashurinë – bota u ngrys

dhe vargu u kthye në një çmendinë.

 

Pastaj u ndez një qiri në murin e heshtjes

e heshtja u lut pambarim,

dashuria të lartësohet edhe përtej vdekjes

në këtë godinë është e pamundur të jesh ligj

e që nga ai moment nanurisjet iu kyçën vetvetes

pranuan matufepsjen e shpallur me ofiq

edhe për të qenë i çmendur duhet ti bindesh heshtjes

duhet të kthehesh në hiç.

Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq

toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.

Friday, 7 February 2025

 

NJË VETMI E BUKUR

Nga Timo Mërkuri

I-Të shkruash për vetminë në kohën e sotme është gjeja më e zakonëshme edhe për arsyen se tashmë ajo është bërë një karakteristikë e jetës, shkaktuar nga prishja e strukturës sociale të jetesës në vend si pasojë e emigracionit masiv. Këndohet për vetminë e prindwrve pleq, tw mbetur vetwm në fshat e qytet, për vetminë e nuseve të reja me burrat në emigrim, vetminë e vajzave të pamartuara duke shfaqur jo vetëm statusin social-shoqwror por edhe dhimbjen karakteristike. Mirëpo kjo poezi e Alma Brajës ka një veçori (moderne) sepse vetmia nuk i atribuohet një individi me identitet të qartë gjinor. Kjo mungesë e specifikimit gjinor evidenton karakteristikën universal të poezisë, ajo nënkupton se vetmia nuk është e kufizuar nga përkatësia individuale, por është një gjendje ekzistenciale që mund të përjetohet nga kushdo. Në vend që të fokusohet te një subjekt i caktuar,prind,vajzë,djalë, poezia përqendro-het në përmasën shpirtërore të vetmisë, duke e kthyer atë në një përvojë universale njerëzore.

 Gjithashtu kjo munges e statusit gjinor e bën poezinë më abstrakte dhe më të hapur për interpretime të shumta, pse vetmia këtu nuk është thjeshtë një ndjenjë e lidhur me përvojën e një gruaje apo një burri, por një dimension i qenies që e përfshin çdo individ në mënyrë të barabartë.

II- Tipike është se poezia "Kështu vetmi" e Alma Brajës e trajton vetminë si përvojë të brendshme, që nuk përkufizohet nga një izolim i jashtëm, nga një mbetje e vetmuar e heroinës psh, por nga një zhytje në territoret e errëta të vetvetes. Nuk është një vetmi pasive, por ndryshe nga përvojat e para nëpër ambientet rurale, kjo është një vetmi dinamike, një lëvizje e heshtur përmes hapësirave të brendshme të heroinës. Përmes një ndërtimi poetik të imazheve të errësirës, dritës që verbon dhe pasqyrave të padukshme, poezia jep një qasje të veçantë mbi mënyrën se si vetmia transformon përjetimin e realitetit.

1.Vetmia nuk përjetohet si një ndarje nga bota, por si një proces i brendshëm ,si një depërtim në ekzistencë gjë që duket te vargu:"Kështu u fute netëve heshtur në vena / I hape si hapen dyert e një korridori të errët..." ku shohim vetminë si një hyrje në një errësirë jo të jashtme, por brenda qenies njerëzore, brenda botës shpirtërore të heroinës. Akti i "hyrjes në vena" sugjeron se vetmia depërton në thelbin e individit, duke u bërë pjesë e tij.

2. Zakonisht, drita simbolizon ndriçimin dhe njohjen, por këtu ajo ka një funksion të kundërt, ajo nuk ndriçon, por verbon:"... e drita nga jashtë të verbon." pse në vend që të ndihmojë subjektin të shohë më qartë, drita bëhet një pengesë. Këtë dukuri e kemi ndjerë shpesh herë, psh gjatë qëndrimit në një ambient të mbyllur dhe befas dalim në dritën e diellit, e cila na vërbon sytë dhe detyrohemi ti pulitim qepallat ose ti mbyllim fare sa të normalizohet shikimi. Kjo dukuri ndodh edhe në botën e brendëshme shpirtërore pse ndonjëherë, edhe kur ndriçimi i jashtëm ekziston, ai nuk arrin të largojë errësirën e brendshme. Përkundrazi, mund ta bëjë atë errësirë edhe më të fortë, duke e theksuar humbjen e orientimit. A e kini venë re, një njeri i palexuar dhe i paditur ndjehet akoma më i paditur në një ambient të diturish.

3.Ndonëse subjekti ndjehet i burgosur në vetminë e tij, ai përjetohet si një qenie që lëviz në mënyrë të pakuptueshme: "Lëvizje përbrenda e lidhur me frymën që hynte e dilte / dhe jepje përshtypjen e fluturimit.", pra vetmia nuk është vetëm statike, por ka edhe një dinamikë të brendshme. Megjithatë, kjo lëvizje nuk është e vërtetë, reale ajo është thjeshtë një perceptim, një "përshtypje e fluturimit," duke e thelluar kështu ndjesinë e iluzionit dhe mungesës së përmbushjes.

4.A e kenui venë re, në vetmi, njeriu përjeton një pasqyrim të deformuar të vetes, një identitet që nuk mund të kapet plotësisht, ndjehet mw i pa aftw, i pazoti etj, dukuri të cilin poetja e paraqet me elegancë: "Si të shihje veten pasqyrave thuaj të padukshme të territ / Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme." ku pasqyrat e padukshme simbolizojnë përpjekjen për vetënjohje, por kjo rezulton si një përpjekje e destinuar për të dështuar. Vetmia asnjëherë nuk e ndihmon subjektin të njohë më mirë veten, por përkundrazi, i lë atij ndjesinë e pamjaftueshmërisë dhe të zbrazëtisë. Vetmia është shumë e rrezikëshme, ajo mund të çojë njeriun në lëndime ekstreme të vetes.

5.Poezia përmbyllet me një varg të vetëm:"Kështu vetmi..." e cila e shndron poezinë në një dialog të heroinës me vetminë, pavarësisht se flet vetëm heroina. Këtë dialog e dëshmon pikërisht ky varg i cili ka formën e një pyetjeje, të cilës jo rastësisht poetja nuk i ka vënë pikpyetje në fund me qëllim që të zgjerojë gamën e interpretimit. Psh kjo thjeshtësi e shprehjes mund të hamendësojë një një pranim të heshtur të vetmisë si realitet të pashmangshëm. Nuk ka asnjë përpjekje për ta luftuar apo kapërcyer atë; vetmia thjesht ekziston dhe vazhdon të jetë pjesë e qenies, ku vetmia nuk është thjesht boshllëk, por një hapësirë e mbushur me perceptime të dyshimta dhe të paplota.

Sinqerisht është një vetmi e bukur poetikisht që ja vlen ta lexosh me vëmëndje dhe nuk i reziston dot dëshirës për ta komentuar.

Sarandë, më 05.02.2025

 

 

 

 

 

VETMI

Kështu u fute netëve heshtur në vena

I hape si hapen dyert

e një korridori të errët

e drita nga jashtë të verbon.

Nuk kishe krahë ëndrre.

Lëvizje përbrenda

e lidhur me frymën që hynte e dilte

dhe jepje përshtypjen e fluturimit.

Kështu u fute netëve heshtur...

Si të shihje veten

pasqyrave thuaj të padukshme të territ

Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme.

Kështu u fute netëve

Në shëmbëlltyrë të pamjaftueshme.

Kështu vetmi...