POETI QË VJEN DUKE...IKUR
Përsiatje rreth vëllimit poetik “Poema e ikjes” e
Aqif Hysës Nga Timo Mërkuri.
1-…edhe poeti
iku. Si qindra mijra të tjerë. Ndoshta
edhe më keq se ata që ikën me anie apo ata që kapërcyen klonet me gjëmba. Sepse poeti iku me skaf,
duke shtuar kështu rrezikshmërinë e ikjes. Ne që jetojmë në brigjet e detit, e
dimë mire, se ikja e një skafi nga
bregu, është gati si një ikje nga jeta. Një dallgë e madhe, një zbulim i
papritur, një pazar i prishur a një plumb i pabesë lëshuar nga ortakët, rivalët
apo ziliqarët e skafistëve, i ndryshon drejtimin ikjes, duke e bërë atë të
pambritëshme e të pakthyeshme.
Prandaj është e errët si lot murgu, kjo rënie muzgu. Prandaj
dhe në këtë korrik, dimri shëtit
kaqë pranë. Sepse po nisen, drejt mbritjes apo mosmbritjes…njëzetetetë vetë plus dy fëmijë,
njëzetëetetë vetë plus dy fëmijë, plus dy skafistë.
U drodha te vargu …Dy skafistët/ gjithnjë japin urdhëra për të mos lëvizur…sepse
unë e di, që pas atij urdhëri, nuk qëndron kujdesi për njeriun, por e kundërta,
flakja e tij në det, me apo pa një plumb në kokë, për të lehtësuar aratisjen e
skafit, nga rezja e shikimit të radarëve apo prozhektorëve të anieve
patrulluese të vendit fqinj.
U nisën, në një
det të hapur si një libër i madh…me shumë fletë të pashkruara
ende,
ku do të
shkruhen kapitujt e rinj me . ..një lot i ngrirë mes qerpikëve/si një
presje/në vargjet epike.
Ndoshta kapitujt do fillojnë me hënën dhuruar nga i
biri…mere hënën, ma kthe kur të
kesh mbritur…Unë nuk e di, a e mori hënën me vete, apo i ndriçonte si hënë e plotë buzëqeshja e
të birit, në atë fotografinë e strukur në portofolin bosh, që mbante te xhepi i
pasëm i pantallonave.
Por gjithsesi,
iku nën një dritë të bardhë, për të mbritur te ato brigje ku .s’ka pulëbardha. As re ska. As gjurmë… Aty, ku… me asnjë metër… malli s’mund të matet.
Iku me dhimbje koke e shpirti, në vënd të një
gazmendi shpresëdhënës …Më dhëmb
koka, them e shtrëngohem pas litarit….Kam pirë shumë cigare sonte dhe e kam bërë rrëmujë gjithëçka/…/dy pako
aspirina kam pirë. Dhe kafe. Dhe kam ikur…
Iku në kërkim të
pranverës, por mbriti në dimrin e vetmisë…Pranvera që vjen s’besoj të ma shkrijë dot gjakun/Prej ç’dreq akullnaje
dhjetravjeçare qënkam përbërë kështu? /…/ Përvjetori i djalit dhe i vajzës më gjeti
pa buzëqeshjen e tyre/…Dhe dashuria ime, buzëhidhëruar nga nikotina më
gjeti./S’më puthi…
2-Poeti iku, jo
se aratisej nga frika e ndëshkimit për krimet e bërra, sepse në këtë botë,
vetëm poetët nuk bëjnë krime…Asnjë
zog nuk kam vrarë në ullishtat e fëmijërisë…
Ai iku për
njëmijë arsye shumë të thjeshta, njëra
nga të cilat ishte se askush nuk e “ndihmoi” (apo lejoi të ngrinte) të gjente…
shtëpinë e tij… banesën numër
tremilionë në ç’përallë bën hie…(Apo s’është gjëkundi,përveçse në ëndrra)?
Iku… për të
përjetuar një …pritje të gjatë, plot
ankth e dhimbje. Pritje për një rikthim, si rinisje të jetës, thua nga e para,
në atdheun e braktisur fizikisht, por kurrë shpirtërisht. A nuk janë këto poezi
urat e hedhura mbi det, që lidhin poetin
me atdheun. Dhe a mund të ndërtojë ndokush ura më të bukura e më të forta
vallë?
Përmbi këto ura
që kalojnë ëndrat dhe shpresat nga poeti tek atdheu dhe me
pak, fatkeqësisht, nga atdheu tek poeti.
Rinte poeti në
brigjet e huaja, te këmbët e urës së ngritur prej tij, në pritje që ti vinte
(qoftë dhe për një vizitë në ditëlindje) atdheu apo dashuria e tij. …Kaq
kohë pa u parë si të ishim vrarë/Kaq
vjet të paprekur thua kishim vdekur/ As fjalën dëgjuar (mos ishim
shurdhuar)?/As vështrimkëmbyer, mall-heshtje pathyer./ Pritja… është pritje që
dhëmb. S’di pse më tingëllon si një vajtim kjo poezi, apo poeti
vërtet vajtonte kur e …nxori nga
shpirti? Se që është një rënkim shpirti, dallohet në shtatë male.
3-Por nuk iku
vetëm poeti, për të mbritur në një… humbje. Ishte koha e një ikjeje të madhe…Ti ke ikur.Dritarja ka mbetur kyçur/Jetime
kanë mbetur lodrat/Ikur kanë fëmijët/…/Fjalët ikur kanë/Kanë zënë ndryshk
mendimet,myshk vështrimet/
Dhe s’di pse rilexoj si një refren vargun…shumë po ikin e pak po mbeten, ka thënë /
plaku i vjetër që kreshnikët imitonte me mustaqe….Sepse me ikjen e
tyre, ikën nga vendi edhe këngët e legjendat, ëndrat dhe dashuritë. Qoftë dhe
për faktin se s’ka më të rinj që të këndojnë, të ëndërojnë, të dashurojnë. Dhe
pleqtë s’kanë kujt t’ja tregojnë legjendat e vjetra, sepse nipërit e mbesat
lindin e riten larg.
Nuk ka faj
poeti pse iku, sepse ishte koha e një
ikjeje të madhe. Një hemoragji njerëzore e një
vendi, që “rridhte” nga një plage
epokale. Një hemoragji që shuan kombe. Që lë kombe e vende pa kujtesë,
mbuluar nga hiri i harimit, në qoftë se
ata nuk kujdesen ta dëshmojnë
egzistencën e tyre, qoftë edhe nëpërmjet
gdhëndjes së historisë në mermerin e fjalës. Ndaj poeti nxiton të thotë fjalën
e tij… Druhem mos vdes krejt
papritur/pa ta thënë fjalën e fundit…
4- Iku poeti, i veshur me të kaltëra/jo për inat të detit. Iku si një
valë deti në zbaticë, për tu rikthyer përsëri me baticën., sepse ai, nuk mund
të rijë larg detit.. …Të kam thënë,deti çmëndet/po s’shkuam në
breg mbrëmjeve… /Të
them, s’duron dot njeriu/pa det e pa diell, pa kaltërsi…
a-Sepse ai është
bir i detit dhe nuk jeton dot larg brigjeve të tij (më kanë thënë miqtë e mi,
se në disa brigje fqinje ka emigruar). Madje ai flet me brigjet e me valët natyrshëm …i paske thënë bregur:më zgjo pas mesante/ ndërsa valës: te bregu më
zgjo…
b-Jo vetëm kaqë,
por edhe ritmika e vargjeve të kujton ardhjen e valëve në breg, njera pas
tjetrës, gati të paregullta, disa më të
gjëra e disa më të shkurtëra, ndonëse me një kadencë muzikore. Madje edhe kur
nuk është fjala për detin …Vetë e
çova drejt vdekjes.Hap pas hapi/…Shkonim përtej fjalës.Si përtej lodrës/I
telefononim erës.Erës së vjeshtës së fundit/Na përgjigjeshin gjethet.Gjethet e
rëna udhës….
c-A doni të
dëgjoni edhe ritmikën e valëve të detit
në pragvjeshte. Le ta dëgjojmë këtë te poezia ..një shteg tjetër kërko… Dëgjoni
pak miqtë e mi…një shteg tjetër
kërko në udhën për te dashuria.Një shteg/që se di as ti, as unë.As ata që janë
dashuruar para nesh/nuk e dinë. Është pak një e puthur.Dhe një përkëdhelje.Dhe
një/ledhatim . Dhe një/buzëqeshje/pak është.Ti ik më tej.Kërko….
Unë mund të
sillja shëmbuj të tjerë, por ja lë lexuesit ta shijojë detin dhe zhaurimën e
valëve vetë, gjatë leximit të librit.
Edhe po nuk e kuptoi, gjithsesi lexuesi do ta ndjejë. Ashtu siç e ndjejmë
magjinë e detit, pa e zbërthyer dot missterin e tij.
ç-Dhe tek ato
vargje, te ajo zhaurrimë valësh, ka dhe një muzikë magjike që lum kush e
dëgjon. Ja, ta dëgjojmë bashkë te kjo
poezi, që mund të quhej dhe …poezia e kontrasteve…Të kam kaqë pranë.Po prapë të kërkoj/Të prek në çdo cast.Prapë s’je e
tëra/Ylli ka ndritur.Mesmosha ka zbritur/Jemi te vetja/autostradë ëndrash të
gjëra…
A nuk ndjeni
muzikën e një serenade korçare që të fton të bashkohesh me poetin…Le ta
shoqërojmë, pra, me kitarë…Hem të
them eja.Dhe të them ik/Të ikësh trishtohem.Të vish kam frikë/Eja e ikë.Iki e
vij/gjer ëndrat të shkri(iiii)j.
Tani që e
zbuluam pentagramin në vargjet e poetit, le të këndojmë me kitarë dhe një këngë tjetër, psh …erë e shpërngulur….Tani që gjethet po bien/Dhe joshja është e
zbehtë/Kërkojmë të mbjellim erën/Në kopshtet e të tjerëve/.. Tani që deti
fryhet/E fillon të bjerë shi prej syve/të kuqen rubin vërejmë.Në buzët e hapura
për puthje…
Pak poetë e kanë
këtë muzikë në vargjet e tyre. Unë do të thoshja se këtë muzikë ja jep…deti.
5-Poeti iku…dhe
u kthye. Në se iku mes heshtjes urdhër-kërcënuese të skafistëve, ai u kthye si
një dallgë e madhe, që nuk e pengojnë dot as shkëmbijtë nënujorë. Madje ata e
kreshpërojnë, e bëjnë më të bukur në
ardhjen drejt nesh, nën atë bardhësi stërkalash dhe me metaforat si
pulëbardha që fluturojnë përmbi të. Dhe vjen drejt nesh si një dallgë deti, jo
për të lozur me ne në ranishte, por për të na mbuluar të tërin me kaltërsinë e
njelmët të vargje-valëve të tij. Dhe kur të vjen dallga e të mbulon, veç të
notosh nëpër të të mbetet. Tjetër gjë s’bën dot. S’mund ta lesh në mes leximin
e këtij libri, jo .Veç mund të pyesësh kofidencialisht, në se është autobiografia e poetit ky libër. Ska rëndësi
përgjigja, rëndësi ka fakti që pyetja nuk është e gabuar. Sepse këto poezi,
janë nga pak biografia e të gjithë shqiptarëve. Prandaj na duket sikur i kemi
lexuar (jetuar) diku këto vargje. Prandaj shpesh metaforat ndrijnë mes vargjeve si lotë të strukur në qepalla.
Kështu u rikthye
Aqif Hysa, me një poezi, ndërtuar
(krijuar nga shpirti e hedhur në letër) me një
strukturë mjeshtërore moderne dhe me një fizionomi individuale. Në qoftë
se do flisnim për portretin e tij poetik, ai është poeti shqiptar i brigjeve të
kaltëra me shikimin drejt perëndimit.
Madje, po të isha piktor, kështu do ta pikturoja, duke ecur ranishtes, në thellësi të detit, thua se do
shkojë me këmbë nëpër det deri në
brigjet matanë.
Dikush tha që
erdhi një poet i çuditshëm.(Ç’do të thotë poet i çuditshëm)?
Në detin e
pamatë të poezisë u ngrit një dallgë e madhe dhe erdhi në brigjet tona.
Dikush tha
që erdhi von.(Ç’domethënë von, për një
poet dhe për një përmbledhje poetike)?
Unë po ju them,
u rikthye në Atdhe poeti Aqif Hysa. Ejani ta presim e t’i urojmë mirëseardhjen.
6-Personalisht
nuk njihem me Aqif Hysën, por pas leximit të librit të tij “poema e ikjes”, nuk
di pse m’u fiksua, (ndoshta për këtë fiksim fajin e ka miku ynë A.M. për një
ngjarje të treguar nga ai), pra nuk di pse m’u fiksua, se kur të takohemi, do
takohemi vetëm në ndonjë plazh.
Ai do jetë duke
dalur nga deti (ndoshta një riardhje), si një dallgë që ngrihet, me ujët që do
ti rjedh teposhtë nëpër trup, të ngjashëm me
vargjet e poemës së ikjes. Të kaltër, të njelmët në shije, nga kripa apo
nga dhimbja. Dhe metaforat e poezive do ti fluturojnë mbi krye si pulëbardhat mbi dallgë, plot
lodrime e klithje. Vërtet që do afrohen edhe disa spurdhjakë a trumcakë,
që të përzihen me pulëbardhat, si disa poezi andej nga fundi i librit, (sa për
mos ta
marrë sysh këtë peisazh ), por unë e mba me vete gjithmon llastikën e
fëminisë.
Por ajo që ka
rëndësi, është se unë do ta njoh menjëherë.
Jo nga
fotografia në kopertinë, por nga kaltërsia oqeanike e shpirtit të tij, që do
përplaset te shpirti im.
Siç përplaset
dallga e Adriatikut me dallgën e Jonit, në kufirin e pashënjuar,
mes dy deteve.
Dhe do
fluturojnë shumë pulëbardha mbi kryet tona, me siguri.
No comments:
Post a Comment