Përtejë
tekstit të këngës “Mbeçë more shokë mbeçë”
Nga
ciklli “Autorët e monumentit “Kënga Himarjote”.
Nga Timo Merkuri
Në
fakt, për këtë këngë, kam shkruar edhe te libri im “Vesa mbi këngë” sprovën “Mbeçë more shokë
mbeçë......te iso-ja”. Por,
e parë në konteksin e një libri për këngën himarjote, ku, në inçizimet e Neço
Mukos në Paris në vitin 1930, në pllakën me nr
44019 është përfshirë edhe një variant i kësaj kënge, duke parë se ky
variant, qoftë si melodi, qoftë si tekst është krejt ndryshe nga variantet e
njohura deri më sot, paraqet interes një vështrim mbi ecurinë e kësaj kënge nëpër
vite dhe nëpër vise të ndryshme .
1-Varianti i njohur i kësaj kënge, (i konsideruar edhe si
varianti etalon) kënduar nga këngëtari i papërsëritshëm, bilbili i Skraparit, Demir Zyko (1911 - 2 Korrik 1992) Artisti i Popullit, bashkë me grupin e tij, të përbërë nga Mehdi
Kushe, Shahin Çinari, Neshat Hebibasi dhe Agim Carkanji, në Festivalin
Folklorik Kombëtar në Lezhë, janar 1968, është:
Mbeçë more shokë
Mbeçë,
more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë
Falëm me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë.
Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç'grua mori
Tre plumba te kraharori,
Në pyestë se ç'kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç'krushq i vanë
Sorrat e korbat që e hanë.
Përtej Urës së Qabesë
Falëm me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë.
Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç'grua mori
Tre plumba te kraharori,
Në pyestë se ç'kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç'krushq i vanë
Sorrat e korbat që e hanë.
Melodinë e kësaj kënge e ka notizuar të gdhëndur në shpirtin dhe kujtesën e gjithë
kombit grupi i mësipërm i Gjerbësit të
Skraparit dhe këngëtari Demir Zyko me atë ...oi,oiiii-në e famëshme dhe të papërsëritëshme,
si një klithmë-vaji nëne mbi trupin e të birit.
Analizën e tekstit e ka bërë shkrimtari Ismail Kadare në
librin e tij “Autobiografia e popullit në vargje” dhe ne s’kemi se çfarë të
shtojmë te kjo analizë.
Një sprovë për këtë këngë,siç ju thashë më sipër, edhe unë
e kam shkruar te libri im “Vesa mbi këngë”, duke krahasuar variantet e
skraparit, variantin çam dhe variantin që këndohet në Pilur, që realisht është
varianti himarjot i kënduar nga grupi i Neço Mukos dhe i inçizuar në pllakat PATHE, Disku 44019 në Paris në vitin 1930. Në pamje të parë
duket se për këtë këngë, ska më hapësira për tu eksploruar.
Por ja që hapësira e kësaj kënge është shumë herë më e madhe se sa kemi parë dhe eksplorimi i mëtejshëm
i saj, shpalos peisazhe, sa të pa
njohura aqë dhe të mrekullueshme.
1.a-
Mendojmë se këngëve popullore në përgjithësi nuk mund tu përcaktohet origjina
dhe është absolutisht e gabuar të mendosh
se …është krijim i një fshati apo një autori.
Befasinë na e jep edhe
kjo këngë, teksti i të cilës ka ndryshime nga një krahinë në tjetrën .
Veç variantit çam dhe
atij himarjot, që paraqesin interes të veçantë dhe që do ti analizojmë më vete,
një variant tjetër ka në tekst edhe këto
vargje:
"...te
dy qet e zez t'i shesë/të me shese kalin, te me rritë djalin/të më shesë mushkën,
të më rritë çupën."
Në se dikush mund të
thotë se dy vargjet e sipërcituara, për shitjen e kalit dhe të mushkës, i përkasin
një kënge tjetër popullore, unë nuk do ta kundërshtoja, për vetë faktin se në
artin popullor gojor, pleksa e këngëve dhe e vargjeve është gjëja më e natyrëshme.
Madje Kadare, te libri “Autobiografia e popullit në vargje” hedh hipotezën e
pakundërshtuar se, edhe variant i Skraparit i këngës “Mbeçë more shokë, mbeçë” është
bashkim i dy këngëve të ndryshme popullore, njera e krijuar në Shqipëri dhe
tjetra e krijuar në …Jemen, ku shërbenin si nizamë, djemtë e Shqipërisë.
Gjithashtu ky variant,
pas vargjeve …në pyettë në ç'kal hypi…vijnë
vargjet…në dy-tri dhoga meiti… në
vend të vargjeve …Atje tek hypën meiti.
Por ky fakt nuk ndryshon gjë në analizën tonë.
Në zonën e Prespës këndohen
vargjet e mëposhtëme… Në pyettë se ç’ nuse mori/Shtatë plumba te kraharori/Në pyettë se ç’ krushq i vanë/Dy dervish
tre hoxhallarë…
Këtu, së pari ndryshon vetëm numëri i plumbave, i
cili është rritur në shtatë, si për ta rritur dhimbjen, sepse përmëndja e
dervishëve dhe hoxhallarëve si krushq, është dukshëm një shtesë e papranueshme
për motivin dhe idenë e këngës. Është një shtesë e sajuar, në kuadrin e deshqipta-
rizimit të këngës.
1.b-Befasinë më të madhe për këtë këngë e hasim te At Gjergj Fishta, i cili te “Lahuta e Malsisë” , kënga e 18, e përfshin gati të gjithë këngën e Urrës së Qabesë, kur shkruan.
1.b-Befasinë më të madhe për këtë këngë e hasim te At Gjergj Fishta, i cili te “Lahuta e Malsisë” , kënga e 18, e përfshin gati të gjithë këngën e Urrës së Qabesë, kur shkruan.
“Amanet
o shoke te mi
Neper Darde kur te kaloni
Armet e mia barre t’i coni
N’oborr te kulles dhe t’mi lshoni
N’oborr te kulles dhe t’mi lshoni
Nanes as tates mos m’u kallxoni
Pse jane te vjeter e i verboni…
Ne pervetet nana per mues
Ne pervetet nana per mues
Thoni djali t’asht martue!
Ne pervetet se c’nuse muer
Muerr nji plume ne krhanuer
Muerr nji plume ne krhanuer
Ne u pervetet se ç’dasmore pat
Pat tre korba ndoje per ngiat
Ne u pervetet se ç’zoja knojshin
Orrla
e sorra m’te rrmojshin!
1.c-Padashur, Gjergj Fishta
tregon arsyen shpirtërore të kësaj kënge.
Djali që po vdes nizam, me tre apo më shumë plumba në kraharor, i duron plagët
vdekjeprurëse të plumbave, por nuk duron dot parafytyrimin e dhimbjes që do tu
shkaktojë vdekja e tij prindërve dhe në radhë të parë nënës së tij… Nanës as tatës mos m’u kallxoni/Pse janë të
vjetër e i verboni.
A kemi të bëjmë këtu me një “plagjiaturë”
të Gjergj Fishtës? Po të kemi parasysh faktin se Gjergj Fishat ka përfshirë te
Lahuta e Malsisë edhe këngën e Gjergj Elez Alizë dhe të Oso Kukës, konkludojmë
se, Gjergj Fishta, duke synuar të krijojë një kryevepër, një “Iliadë”, tërëshqiptare
dhe gati popullore, në kuptimin e popullaritetit, përfshin aty edhe tekstet e këngëve
popullore, me qëllim që të risë forcën e veprës së tij, me diamantin e artit
gojor popullor.
Por ne konkludojmë se kënga “Mbeçë more shokë, mbeçë” , duhej të
egzistonte në ndonjë variant në këngët popullore të zonës veriore, prej nga e
ka marë Gjergj Fishta. Fakti i egzistencës së saj në disa treva të ndryshme të
Shqipërisë është një argument iegzistencës të kësaj kënge edhe në një variant
verior.
Sipas albanologut të shquar austriak Hahn, kjo këngë
ka qënë tepër e përhapur në Shqipëri. Pra mundësia e një variant verior
nuk përjashtohet, por eksplorimi për të është vështirësuar nga shkëlqimi i
Lahutës së Malsisë.
1.ç- Egzistenca e një këngë kleftësh grekë, duke iu referuar librit te Furielit “Këngë
popullore të Greqisë” I,Nr 9. (Fauriel, Chants populaires de la Grèce, I, Nr. 9:) e
cila thotë: Ἄν σ̕ ερωτῆσ̕ ἡ συντροφιὰ τίποτε γία
ἐμένα/Να μὴν εἰπῇς πῶς χάθηκα, πῶς πέθαν ὁ καϊμένος,/Μόνον εἰπέ,
πανδρεύθηκα σ̕ τὰ ἔρημα τὰ ξένα,/Πῆρα τὴν πλάκα πενεθέραν, τὴν μαύρην γῆν
γυναῖκα/Κί̛ αὐτ τὰ λιανολίθαρα ὅλα γυναικαδέλφια.”, që me një përkthim të lirë
lexohet:
“Po të pyesi shoqëria gjë për mua,/Mos trego se si humba, se si vdiqa i
shkreti/Por thuaj vetëm se u martova me shkretëtirën e huaj/Pata rrasën e zezë
per vjehrë, dheun e zi për grua/Dhe ato gurët rreth e rreth për kunetër…” nuk
mund të aludojë asnjë lloj lidhjeje me këngën tonë, për arsye se, te kënga
greke flitet për shoqërinë dhe jo për
nënën, motrën e gruan, pra, kënga
(dhe jo vetëm ajo) del jashtë bërthamës
familjare.. Te variant grek edhe
koha e jetëgjatësisë së dhimbjes është shumë e shkurtër sepse shoqëria një a dy
herë do pyesë për shokun e vrarë. Po kështu
edhe pesha e dhimbjes është më e lehtë. Është nëna(shqiptare) ajo që do pyesë
gjithë jetën për të birin e mbetur në shkretëtirat e Jemenit dhe që do ta ngrysë
jetën me një…jemeni (shami e zezë) mbi kokë.
Ndoshta edhe për këtë fakt,
shamia e zezë e nënave tona ende vijon të quhet… jemeni…, në kujtim të bijve të
mbetur….Përtej urës së Qabesë, dhe jo për faktin se ishte copë e importuar nga
Jemeni.
Gjithashtu, te kënga greke nuk
aludohet për problemet ekonomike që duhen zgjidhur (shitja e kaut të zi dhe
dhënia nigja nuses së mbetur vejushë), pra mungon baza jetësore e idesë së këngës,
si dhe mungon finesa dhe elegance e pasqyrimit të “dasmës”-mort nëpërmjet atij
dialogu…Në pyettë…për mua.
Pra, te kënga greke nuk duket,
as si një hije, profili i botës shqiptare.
Kjo nuk ja ul vlerat këngës greke, kjo dëshmon vetëm se kënga shqiptare “Mbeçë
more shokë mbeçë” nuk ka asnjë lidhje me këngën greke, as si huazim, as si
mbartje dhe as si përshtatje.
2-Le të analizojmë
variantin çam dhe atë himarjot të kësaj kënge:
2.a--Varianti çam;
Mbeçë more shokë mbeçë
Përtej urrës së Qabes
Të fala m’i bëj nënesë
Të dy qet e zez ti shesë
Ti japë nigja
së resë
Në pyetë nëna për mua
I thoni që u martua
Në pyet çil
mori grua
Një astrit një pikalua
Në pyetë
ç’këmishe veshi
Një këmish e të pa mëngë
Në pyetë në
ç’kal hypi
Në një kal të pa këmbë
Në pyettë ç’krushq i vane
Mjaltin grerëzat e hanë.
Po të
shikosh të dy variantet, variantin e
Skraparit dhe këtë çam, veç idesë së përgjithëshme të përbashkët, kanë të
përbashkët edhe shtatë vargjet e para. Vargjet e tjera në pjesën e parë, aty ku është pyetja e nënës janë pothuaj
identikë, po të përjashtojmë
dialektizmat ( çilë) dhe një pyetje tjetër për këmishën e dhëndërisë që veshi. Ndryshimi konsiston vetëm te përgjigjet ku në variantin
e njohur përgjigjet janë të drejtpërdrejta
si psh ‘’Tre plumba për kraharori’’, ’’Atje
tek hypën meiti’’, ’’Sorrat e korbat t’a hanë’’. Këto përgjigje të godasin
si tokmak në kokë. Kështu e kanë goditur të ‘’zezën nënë’’ dhe unë nuk e di a i
ka duruar dot zemra e saj.
Te varianti
çam përgjigjet janë më fine, duan ta mbulojnë gjer në fund gjëmën që ka
ndodhur. Asgjëkundi s’përmëndet plumbi, sorrat e korbat dhe ca më pak meiti. Përkundrazi,
përgjigjet janë plot ngjyra si psh; Morri
grua-një astrit një pikalua, Veshi
një këmishë pa mëngë(s’përmëndet fare
fjala qefin), dhëndëri hipi në një
kal pa këmbë dhe krushqit, o për krushqit rezervon diçka më të ëmbël , si
vetë rinia e djalit, kur thotë;-Mjaltin,
grerëzat e hanë.
Unë
nuk e di cili variant është më i hershëm, varianti çam plot finesë dhe
elegancë, apo varianti i Skraparit, që ndonëse përpiqet të ruajë finesën, këtë objektiv nuk e arin dot,
se që te vargu i nëntë ta jep me ‘’tre
plumba kraharori’’.
Por
ajo që më bën përshtypje, është vargu i
pestë ku ndonëse djali është
duke ‘’mbetur përtej urrës së Qabesë’’ a më saktë përtej urrës së kësaj
jete, ai përsëri i dërgon lajm nënës së tij që, të shesë qetë e zez dhe ‘’ti japë nigja së resë’’, dmth nuses së
tij ti japë pjesë në pasuri, të mos e
lejë dhe ajo rrugëve, pa mjete jetese, se boll e la ai të ve.
Unë nuk e
di në se ndonjëri nga ju do ti përmbajë dot lotët te ky varg, se unë për vehte
dridhem i tëri kur e dëgjoj apo e lexoj.
2.b- Krejt ndryshe është varianti i himarjot, më
poetik, më bregdetar, më qiellor.
Dhe për të
filluar, dhe për të vijuar, të vijnë vargjet si dallgë deti dhe të godasin
drejt e në gjoks;
Varianti
himarjot i inçizuar nga grupi i Neço Mukos në Paris:
Mbeçë
more shokë mbeçë
Disku 44019
Teksti Popullor
Mbeçë
more shokë mbeçë
Mbeçë
o zemëra ime ,
Në
sinore të Moresë,
Në
sinore zemëra ime .
Në
male të Grebenesë ,
Në
male zemëra ime ,
Përtej
urrës së Qabesë,
Mbeçë
o zemra ime.
O
ju zogj që veni e vini,
O
ju zogj zemëra ime,
Këtë
kartë* të ma shpiri**,
Ta
shpiri zemëra ime.
T'ja
shpiri të gjorës mëmë,
T'ja
shpiri zemëra ime,
Të
qajë hënë më hënë,
Të
qajë o zemëra ime.
T'ja
shpiri të gjorës motër,
T'ja
shpiri zemëra ime,
Të
më qajë kodër më kodër,
Të
qajë o zemëra ime .
T'ja
shpiri të gjorës grua,
T'ja
shpiri zemëra ime ,
Të
qaj’ o krua më krua.
Të
qajë o zemëra ime .
*Kartë-letër e shkruar.
**T’ja shpiri- Këtu, t’ja çoni nga larg
e t’ja jipni në dorë, jo ta hidhni psh te pragu I shtëpisë.
Teksti i këtij variant është
rezultat i përpunimit të bërë nga Neço Muko tekstit që këndohej në trevat
himarjote. Sipas zakonit të tij, diçka shtoi (Në sinore të Moresë,//Në male të Grebenesë ) dhe diçka hoqi. Madje
hoqi fare trajtimin e problemit ekonomik dhe u përqëndrua vetëm te problemi
shpirtëror, te vajtimi që do bënin për ‘ të nëna, motra dhe gruaja. Edhe këtu
nuk përmëndeet vdekja, por ajo kuptohet te fjala…mbeçë…more shokë, mbeçë.
Te ky variant nuk
trajtohet fare problem ekonomik, si shitja e kaut, apo ndonjë tjetër. Kjo jo
vetëm për faktin se Himara i trajtonte specifikisht familjet e të rënëve,
mbetura pa ndihmë ekonomike, por kryesisht për faktin se te kjo këngë i është
kushtuar rëndësi gjëndjes shpirtërore të pjestarëve të familjes dhe pozicionimi
i tyre pas lajmit të vdekjes, ardhur me
një letër, prurë nga një zog.
Këtu përmëndet
shpesh togfjalëshi…zemëra ime…në çdo dy reshta. Kjo nuk është rastësi. Po të asistosh
në rastet mortore himarjote, nënat dhe motrat që vajtojnë djalin apo vëllain e
vdekur, i drejtohen me fjalët….zemëra ime..
Psh …o djalë, zemëra ime ose …o vëlla,zemëra ime.
Në Himarë është e zakonëshme
që gratë dhe plakat tu drejtohen fëmijëve
me shprehjen plot dhimshuri …zëmëro, zëmëra ime, psh… mos vrapo se
vritesh në gurë, o zemëra ime.
Struktura e tekstit këtu ndryshon nga gjithë
tekstet. Pas një vargu, psh, Mbeçë more
shokë, mbeçë, vjen vargu si rënkim shpirti…Mbeçë o zëmëra ime, ose pas vargut O ju zogj që veni e vini, vjen vargu rënkues O ju zogj zemëra ime, Pas vargut Këtë kartë* të ma shpiri**,vjen vargu Ta shpiri zemëra ime. Ky varg është ajo që ne e quajmë “rrënkimi i
vajtoreve” prej ku e ka burimin e vetë zëri “iso”. Po ta dëgjosh këtë këngë të
kënduar nga grupi i Himarës, ky varg që përsëritet (dhe që nuk është refren) të
kujton pikërisht grupin e vajtoreve, që me rënkimet e tyre shoqërojnë vajtoren
ligjëruese.
Sipas zakonit të tij,
edhe te teksti i kësaj kënge të njohur
popullore, Neço Muko ka ndërhyrë, madje duke e ndryshuar rrënjësisht tekstin
(por duke ruajtur idenë e këngës) për tja përshtatur melodisë himarjote të të kënduarit. Siç
shihet, teksti i ndryshuar është bërë më
“i ëmbël”, më “i ngrohtë”, më himarjot, duke ju përshtatur më së miri melodisë.
Dhe këtu spikat talenti
i Koço Çakalit në krijimin e vijës melodike plot ëmbëlsi, duke e bërë dhimbjen
të pikojë nga zemra (zemëra ime) në
melodi.
Vetëm një talent i madh
mund të krijojë kaqë shumë dhimbje ( të
ëmbël) në melodi.
2.c- Që në
pamje të parë duket se ky variant është më i ri, qoftë edhe për elegancën dhe
rjedhshmërinë e vargjeve qoftë edhe për strukturën e vetë këngës apo më saktë
vajit.
Por edhe
pse është një variant i ri, si rezultat i përpunimit të një variant më të vjetër,
ai përdor element strukturorë të lashtë të artit gojor shqiptar, si psh zogjtë. Autori u drejtohet zogjve, si rëndom
në këngët e bregdetit(Ju të bukur zogj/ Dua t’ju pëjes e mjera /Dua t’ju pëjes -thotë autori te Vajz e Valëve).
Këtu zogjtë, sipas traditës të herëshme shqiptare, do
të shpien një letër te nëna e motra, letër e cila përmban lajmin e kobshëm, lajm
që, pasi ta mësojnë, ta qajnë djalin e vrarë hënë më hënë e kodër më kodër. Dhe
pas këtyre do shkojë te gruaja, që ta qajë dhe ajo, por këtë herë krua më krua.
Klisheja e dhënies së mandatës është e njëjtë –I thoni që u martua- dhe vetëm një pyetje
përgjigje ka dhe vetëm për krushqit. Për të tjera s’ka nevojë. Çuditërisht
specifikohet vendi ku do ta vajtojnë.
Nëna do ta vajtojë hënë më hënë, pra do ta vajtojë në
tokë e në qiell sa të jetë hëna, pra gjithë jetën.
Motra do ta vajtojë kodër më kodër se, në këngët e herëshme
shqiptarë, në kodër motra bëhet qyqe për vëllanë.
Ndërsa gruaja do ta vajtojë krua më krua, deri sa
ndonjë djalë apo burrë tjetër, që do kalojë nga kroi, tja fshijë lotët për
gjithë jetën dhe ta marë për grua. Sepse te krojet e fshatit plekseshin
dashuritë e reja.
Ndaj dhe poeti (që në këtë rast është djali i vrarë
nizam) nuk e vendos rastësisht gruan ta vajtojë te kroi, duke i dhënë në këtë mënyrë
lejen dhe rrugën për tu rimartuar.
2.ç- Por ajo që vlen të shikohet me përparësi është fakti se kjo këngë ose më saktë
varianti çam këndohet pothuaj njësoj me variantin e Skraparit, me ato iso si
klithma të stërgjatura të një dhimbjeje të madhe. Kjo afërsi e iso-s , kjo
ngjashmëri e saj në këto dy krahina, me kontakte jo aqë të dëndura mes tyre, vlen
për tu studiuar nga muzikologët dhe etnomuzikologët . Nuk është e rastësishme
ngjashmëria dhe afëria mes tyre.
Dhe jo vetëm në
këtë këngë. Ju rikujtoj se edhe ‘’Kënga e Çelo Mezanit’’ iso-n e ka pothuaj të
përafërt me iso-n e Skraparit, në një kohë që këndohet në treva të iso-s labçe,
si në Vlorë etj.
Do të ishte normale që iso-ja çame e banorëve të
rrethinave të Vlorës ose të Shqipërisë së Mesme
të shkrihej në iso-n labçe ose t’i
përafrohej sado pak asaj, sepse ajo, iso-ja labçe, e rethon ngado, ose
më saktë ajo, iso-ja came, ka depërtuar mes saj, ashtu si lumi që derdhet në det dhe natyrshëm bëhet pjesë përbërëse e detit
në ngjyrë, shije e dallgëzime.
Por kjo s’ka ndodhur me iso-n çame e cila edhe në këto
treva , larg vendorigjinës së saj vijon të na japë perla të muzikës
karakteristike popullore duke ruajtur profilin e vetë. Duke ruajtur atë iso si
klithmë të stërgjatur të një dhimbjeje njerëzore përballë iso-s të grupit dhe të shtruar labe.
Ne
përmëndëm iso-n e çamëve të vendosur në
rrethinat e Vlorës, e cila ka ruajtur profilin e saj, por kënga e sipërcituar e
Urrës së Qabesë është kënduar në zonën e
Konispolit dhe ky variant është marë për studim në këtë shkrim.
E pra, zona e
Konispolit dhe e Skraparit janë ku e ku larg njera tjetrës dhe mund të themi,
edhe me kontakte tejet të kufizuara. Çështë ky fill magjik që i bashkon këto dy
krahina të cilat edhe gjeografikisht s’janë
kufitarë me njeri tjetrin.
Do të ishte më e pranueshme që iso-ja çame të ishte e
ngjashme apo e përafërt me iso-n e labërisë apo të Himarës për disa arsye dhe
pikërisht;
-Kanë qënë e janë treva kufitare
-Bile kanë bërë pjesë në të njëjtin pashallëk,
atë të Janinës, gjë që ka ritur
kontaktet e tyre si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte.
-Kanë bashkëluftuar kundër të njëjtit armik në të
njëjtat beteja duke u dhënë kështu edhe
temat e njëjta të këngëve.
-Nuk kanë munguar edhe lidhjet e martesore
e miqësite e herëshme.
Pra nga çdo anë
që ta marësh, llogjika të shpie se duhej të kishte përafëri apo përngjashmëri
melodike te iso-ja.
Por
përkundrazi, këtu ndahen në mënyrë të
dukëshme, thua se secila palë ruan me fanatizëm veçoritë e saj, sikur duan të
dallohen nga njeri tjetri sa më shumë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se, iso-ja
çame tenton gjithnjë e më shumë t’i afrohet iso-s së Skraparit. Bile më tepër
iso-s së Skraparit se sa iso-s përmetare.
Krejt ndryshe
është muzika që shoqëron këngën e mësipërme në variantin himarjot .
Varianti
himarjot këndohet me melodinë e njohur me
emërtimin himarjotëshe, vijën melodike të të cilit në këtë grup e ka
krijuar Koço Çakali dhe që ka gjithë karakteristikat e këngës himarjote. Është
një këngë, pa spikatjen e hedhësit, që për së largu të ngjan me një ligjërim të
shtruar, si në të dyzetat e mortit.
Nuk dimë se
cili variant është më i vjetri, varianti çam, himarjot apo i Skraparit.
Por mendojmë se
gjithsesi varianti himarjot është më i ri se dy të parët edhe për faktin se
struktura e këngës është tejet e
ndryshmë nga dy variantet e cituara.
Përpunimi që i bëri Neço Muko variantit himarjot në vitin 1930, kur dhe e
inçizoi në Paris, nuk është datë e varinatit. Ajo është datë e përpunimit të
varinatit himarjot dhe e inçizimit të tij.
Ky konkluzion
nuk i humbet asnjë vlerë këtij varianti,
si motërzim i varianteve të
tjera. Motërzimi është shtrati ku eci
kënga popullore për të aritur gjer te ne nga thellësitë e shekujve. Është
meritë e këngëtarit himarjot që dhe këtë këngë-perlë e ‘’pashaportizoi’’ si banore
të fshatit të tij dhe ndryshe nga dy rastet e mësipërme i dha frymën himarjote
shpirtit të saj.
-Të kënga “Mbeçë more
shokë mbeçë”, djali është nizam, pra lufton për turkun, larg atdheut. Madje
duke e konsideruar thirjen e tij “Mbeçë more shokë mbeçë” më shumë një klithmë
dhimbjeje se sa si një amanet a porosi dhënë dikujt konkretisht, mund të themi se djali ishte vetëm në
momentin e vdekjes, pa shokë bashëatdhetarë, të gjallë a të vdekur pranë.
Por të dy u drejtohen shokëve që , kur ti çojnë lajmin nënës, tja zbutin sa të mundin dhimbjen e gjëmës, tja japin
lajmin sa më të lehtë duke hedhur një tis bardhësie dasme mbi rrobën e zezë të
vdekjes.
Thua se, kur ti
japin lajmin nënës, do jenë duke folur në një tempull zotash, ku flitet vetëm
me fjalë të buta.
Përbën fakt
kuptimplotë që djali i vrarë shqetësohet për dhimbjen e nënës, (për dhimbjen
e motrës rezervon një lehtësim, dhe për
dhimbjen (humbjen) e gruas rezervon një
leje për rimartesë) dhe asgjëkundi nuk duket, as si profil portreti i babait
(me përjashtim të Gjergj Fishtës, i cili e ka shtuar vetë dhe jo se e ka gjetur
te kënga popullore) apo i vëllait.
Kjo shpjegohet edhe me faktin se babai (dhe vëllai) është
symbol i forcës, i qëndresës, i trimërisë. Nëna është simboli i dhimshurisë dhe
i delikatesës njerëzore.
Nëna të rit
edhe me frymë, sikur të jetë vetë perëndia që të rrit me frymën e shënjtë.
Nëna vritet dhe me fjalë ndërsa babi nuk vritet as me
plumb.
Prandaj shqiptari gjithmon është kujdesur që mos tja
thyejë zemrën nënës.
Ky është një raport i veçantë i familjes shqiptare, ku
nënës i rezervohet gjithmon një tempull nderimi, i barazvlefshëm me atë të
zotave.
Jo vetëm në kohën e Pal Golemit apo të nizamëve,
mbetur te ura e Qabesë, por në të gjithë kohërat.
Prandaj dhe kjo këngë tingëllon më shumë si një
ndjesë, që djemtë shqiptarë, të
vrarë
nëpër luftëra a të vdekur kurbeteve, u kërkojnë nënave
shqiptare, për dhimbjen e pamatë që u kanë shkaktuar, pikërisht me vdekjen e
tyre.