Petrit
Ruka vajton Dilinë
(Përsiatje
për poezinë “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës)
Nga Timo Mërkuri
1-Gjatë leximit të poezisë “Nënë ç’ma bëre
Dilinë” të Petrit Rukës me motive nga vajtim-kënga popullore me të njëjtën titull, të krijohet
një ndjenjë angështimi shpirtëror, ku
ngulçet e dënesave të brendëshme,
shkaktuar nga përjetimi i poezisë, vijnë gjer në grykë dhe shpërthejnë
nga buzët në formën e…logatjeve. Kështu kalojnë rreshtat e shkruar, lexo e
logat vargjet dhe fshij sytë që të përloten
vetvetiu. Ndoshta për këtë shkak, gjatë leximit, edhe pikat në fund të vargjeve të duken si pika loti, rrënë në letër,
ndërsa presjet të ngjajnë me pika loti me çastin e këputjes nga qepalla. Si për
të plotësuar ritualin edhe zanoret të duken se po kërkojnë njera-tjetrën për t’u
bashkuar në klithmën vajtimtare “oi, oi”.
Vargjet me natyrë vajtimi të krijojnë një ambient mortor në shpirt dhe
ti nuk gjen qetësi gjatë leximit. Madje shumë vargje i lexon në këmbë, duke
ardhur rrotull nëpër dhomë, pa kuptuar se po bën ritualin pozicional të
“Vajtimit të burrave”. Aty nis e i logat përvajshëm, madje duke haruar të
kujdesesh që mos të të shohin pjestarët
e tjerë të familjes. Se kjo ndjenjë përvajimi që të pushton shpirtin është zotëruese dhe
gjithëkomanduese. Është nga ato ndjenja që e mposhtin burrin dhe e përgjunjin
trimin. Është ajo ndjenjë që lindi “Gjamën e burrave” apo “Vajin e burrave”. Madje dhe logatja që të
vjen vetvetiu gjatë leximit, nga kjo ndjenjë
buron dhe duke ecur nëpër ‘të, të krijohet bindja se ky krijim i Petrit
Rukës nuk është një vepër letrare e shkruar mbi letër, si produkt frymëzimi i kohëve tona por është një vaj i
vajtuar në mort nga një burrë, si shpërthim i dhimbjes së shpirtit për vdekjen
e gruas së tij. Shikojeni poezinë,
dhimbja në ‘të të duket e tanishme, e pranishme, jetësore. Gjithçka e prek me
dorë e sheh me sy dhe e lag me lotë.
1.1- Petrit
Ruka ka dëshmuar në një sërë krijimesh se është një mjeshtër “rizgjimit” të balladave e legjendave të herëshme
të kombit tonë duke na i sjellë ato në kohën e sotme të freskëta dhe plot aromë,
thua se na sjell një lule të porsaçelur nga saksia që ka në obor. Në këto tema,
pena e tij e tij rrëshqet mbi letër me lehtësinë e një balerini në pistën e
patinazhit artistik, duke na dhënë pamje (lexime) e përjetime artistike që na
ngelen në mëndje për një kohë të gjatë. Jo kushdo e arin këtë sukses në tema të
tilla, me largësi kohore që matet me
epoka. Për këtë duhet veç talentit poetik, edhe njohuri e domosdoshme por
sidomos dashuria për popullin dhe artin e tij duhet të jetë e pamatë,që ti nxëjë të tëra.
Këto
element i ka të tria Petrit Ruka, madje në shkallën më të lartë.
2-Poezia
e Petrit Rukës “Nënë ç’ma bëre Dilinë” mbështetet mbi motivin e vajtimit të
njohur popullor me të njëjtin emërtim, madje vargjet e këtij vaji të hershëm
janë pjesë e poezisë së Petrit Rukës, ashtu si vazhdojnë të jenë në vend gurët e
themelit në një shtëpi të porsa
riparuar. Realisht vajtimi i hershëm ka aritur tek ne me një
tekst të shkurtër[1].
Kohërat kanë sjellur vetëm thelbin, bërthamën
e vajtimit, e cila, si çdo bërthamë, kur
bie në tokën dhe klimën e përshtatëshme, shpërthen filiza të rinj që rriten si pemë
degëshumë. Dhe kjo poezi e Petrit Rukës është shpërthimi i kësaj bërthame dhe
jo një shartim i një poezie të re mbi një trung të vjetër vajtimi. Le ta shohim
lidhjen e poezisë së re me vajin e vjetër. Vajtimi nis me vargjet…Dola në port’ të avllisë/N’emër i fola Dilisë/Dili
fola, Dili s’ka/Dilia më dekëka …ndërsa poezia e Petrit Rukës qysh në
fillim nis më e plotë… Dilí, fola, Dilí
s’ka,/tek portë e avllisë,/pashë sytë e qyqes, ngriva,/qe sipër çatisë…duke
përdorur si themel të strofës një varg të
vajtimit, por dhe duke na ngrirë gjakun
me ato sytë e qyqes sipër çatisë. Pasi e përmënd në katër strofa vargun …Dili fola, Dili s’ka … shpërthen në strofën e shtatë me vargjet….Dil, Dilí se më griu era,/si meit në shkallë,/një në prag e një tek
dera,/fati na do gjallë.. duke përdorur
peisazhin e fundmë të legjendës së
Doruntinës …Një në prag e një në derë…por
duke ëndëruar që fati ti donte ndryshe,
të gjallë. Por ja që fati qënkish shkruar i zi për këtë çift aq shumë të dashuruar.
Le të shohim
lidhjen e poezisë me vajin edhe në një rast tjetër, aty ku burri i
drejtohet nënës. Te vaji teksti është…Nënë
ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë/Ti ma trete si qirinë… ndërsa
Petrit Ruka na jep këtë tekst poetik, i cili i ngjan të tepërmi një vajtimi… Nënë ç’ma bërë Dilin-ë, /Nënëzeza,
kuterinë,/unë ta lashë si florin-ë,/të luta si perëndin-ë,/si nëna, që rrit
jetim-ë,/si guri në rrokullim-ë,/si një qelqe në çmendin-ë,/ti ma trete si
qirin-ë..., madje duke i dhënë një peshë më të rrëndë zanores “ë” në fund të
çdo vargu, të ngjashme me rënkimin e vajtores kryesore në grupin e vajtoreve në
mort. Theksojmë se pasqyrimi i rolit të kësaj
zanoreje është marë direkt nga vaji origjinal dhe të bën përshtypje natyrshmëria
e qëndrimit të saj te poezia e Rukës.
2.1-Por
le të vazhdojmë me këto dy krijime aq të lidhura me njera tjetrën, ndonëse të
krijuara shekuj të tërë larg njera tjetrës. Sido që ti analizojmë këto dy
tekste konkludojmë se: Jo vetëm që poezia e Petrit Rukës nuk është një shartesë
mbi vajin e hershëm, por duke analizuar vajin konkludojmë se pikërisht te ky vaj ka dy “shtresa” vajtimi. Shtresa e parë
është vajtimi i burrit për gruan Dili të vdekur dhe shtresa e dytë është dialogu i të gjallit me të vdekurin te
vargjet: Ku ke rënë moj trëndelinë/Pse
s’dëgjon mua të zinë/Të dëgjoj e qaj me lot/Por jam thellë e nuk dal dot.
Realisht në asnjë rast
vajtimi në shtëpinë e mortit nuk prodhohet një dialog i tillë. Mund të
ketë ndodhur që edhe këtë dialog ta ketë krijuar burri-vajtues i Dilisë, por kjo llogjikisht
ka ndodhur gjatë vajtimit te varri i gruas, atëherë kur mori shatin dhe kazmanë dhe vajti që ti hapte varrë.. pra në një
periudhë të mëvonëshme nga vajtimi i pare, pavarësisht se kjo mëvonshmëri është disa orë apo disa ditë.
Kjo “mëvonshmëri” ka patur një tjetër gjëndje
emocionale..Këtë konkluzion e nxjerrim nga fakti se te dialogu i mësipërm
shkalla e dhimbjes është pak më e “ftohtë”dhe vargjet janë më të menduara dhe
jo instiktive si te pjesa e parë.
Këto dy
gjëndje emocionale (vajtimi në shtëpi dhe vajtimi te varri) nuk mund të
bashkohen në një, pikërisht për ndryshimet kohore, emocionale, zakonore, vendi
i vajtimit etj, që ato kanë ndaj njera tjetrës, pavarësisht vlerave artistike të
arira në të dy vajet. Është njësojë
si mbi një unazë floriri të derdhim një
shtresë tjetër floriri të shkrirë, me mendimin që ta bëjmë më të trashë apo më
të bukur unazën etj. Në dukje floriri i shkrirë, derdhur mbi floririn e parë (psh unazë) është bërë një,
por kjo është vetëm një dukje sipërfaqësore dhe bashkimi është jo jetë gjatë, pasi në vendbashkimin e tyre kanë depërtuar elementët atmosferike,
(ajër, avull) të cilët veprojnë si agjentë ndarës në një kohë të mëvonëshme. Për
këtë arsye mjeshtrat argjendarë, kur duan të bashkojnë dy zbukurime floriri, i shkrijnë të dy copat
dhe e derdhin floririn e shkrirë, të përfituar, në një formë të re të
vetme, psh varëse apo unazë e trashë. Kjo “shkrirje e përbashkët” e vargjeve të
florinjta të dy vajtimeve nuk ka ndodhur te varianti që na ka mbritur ne nga
vaji dhe këtë e kuptojnë vetëm vajtoret ose njohësit e vajeve.
Është
Petrit Ruka ai që e ka shkrirë vajin e
hershëm dhe frymëzimin e tij në një,
duke e derdhur “floririn’ e ri poetik të shkrirë, në një formë të re, që është poezia e tij.
Prandaj ajo duket më e plotë si flori, por edhe si strukturë poetike dhe si
traditë zakonore. Një flori poetik që mund të mbulojë defiçitin poetik të
letërsisë sonë këto vite, ashtu siç mund të mbulojë defiçitin buxhetor të
shtetit gjetja e një thesari të mjaftueshëm në gërmimet arkeologjike.
2.2- Pyetja që do ngrejë ndonjë lexues është se a
vajtojnë burrat shqiptarë dhe sidomos a vajtojnë për gratë e tyre? Unë do ti përgjigjesha
me një “Po” të fortë. Letërsia dhe
folkloristika shqiptare është mbushur me
shëmbuj të tillë, por unë do tu sjell vetëm dy. I pari Çajupi, me “Vaje”
të tij të famëshme që nis me vargjet…Që
ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë/ Lotët që kam derdhur ende s’më janë tharë..për
të aritur te klithma… Doje drit o qiell,
more dritën time/Dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime…duke e mbyllur me
revoltën njerëzore…Tani rroj pa shpresë
ndaj s’dua të rroj/Se dhe perëndinë tani s’e besoj
Por unë po ju sjell edhe një këngë-vaj popullore…Dëgjojeni ju lutem…Vito m’u bëre në gjumë/Aman moj Vito/ Sikur
m’u mbyte në lumë/Pas teje rrashë dhe unë/Se të kam dashurë shumë….Pamja është
sa fantazmogorike aq dhe reale. Nuk e kuptojmë në se është ëndër apo realitet
mbytja e Vitos dhe më pas vetëmbytja e burrit.
Në fakt, mbytja mund të jetë metaforike, pasi çdo mënyrë vdekjeje e
gruas është një mbytje për burrin, në mos në lumin ujëshumë, ai do mbytet në
lumin e halleve të jetës. Dhe sa shumë të dhëmb ai pohim i sinqertë i këtij
burri të ashpër ku bëlbëzon…Se të kam
dashurë shumë… Unë ju siguroj se
kjo frazë , ndoshta e
pëshpëritur lehtazi, ka ushtuar si gjëmim
rrufeje në atë heshtje morti.
Le të mos e kërkojmë çdo gjë në letërsi. Edhe
sot pilurjotët dhe banorët e fshatrave të
thella të Bregdetit Himariot, pavarësisht se ku banojnë, e ruajnë zakonin e “Vajtimit të burrave” madje edhe
vajtimin me ligje për gravtë e vdekura, qofshin ato nëna, vajza apo gruaja.
Këtë e kemi jetuar dhe e jetojmë në familjet tona dhe nuk kemi nevojë për
dëshmi dokumentare nga të tjerët. Te libri im “Ku hardhia pikon vesë” kam
publikuar disa nga vajtimet e tim eti për nënën time vdekur në 1968. Atëherë, fëmijë
13 vjeçar, m’u dëgjua vaji i tij si oshëtimë e një mali që gremisej. Por më von
kuptova se ky mal ishte plot thesare, lisa e lule.
2,.3-Kemi treguar dhe vërtetuar se kënga iso-polifonike e ka burimin te
vaji me ligjërime i grave, por sot shtojmë,…
pa përjashtuar nga ky proces edhe kontributin e burrave me “Vajtimin e
burrave” apo me “Gjamën e burrave”. Por
jo vetëm kënga iso-polifonike. Eposi i kreshnikëve ka një perlë me vlerë të
madhe dëshmuese, veç vlerave artistike. Kënga “Ajkuna kjan Omerin” është një
vajtim real i ngritur në piedestalin e këngës sonë popullorë. Duhet të themi se ky proces nuk i përket vetëm periudhave të
herëshme të jetës së kombit tonë. R. Sadiku ka publikuar një këngë[2] me
origjinë vajtimi për vuajtjet e shqiptarëve të vrarë e masakruar, të gjymtuar e
përzënë nga tokat e tyre në Sanxhakun e Nishit (Nish, Leskovc,Vranjë, Kushumli,
Prokuple) prej ushtrisë serbe në dimër të vitit 1877-1878, duke dëshmuar
funksionimin e laboratorit krijues të shndrimit të vajit në këngë në kohën tonë.
Por
mbi truallin e vajit nuk ka mbirë vetëm kënga. Aty gjejme edhe pikturën e
skulpturën, dramën, e tyragjedinë, letërsinë në përgjithësi dhe poezinë në
veçanti. Faktin e lindjes së poezisë në truallin e vajtimit e shohim më së miri
edhe në poezinë “Nënë ç’ma bëre
Dilinë” të Petrit Rukës.
3-
Por, para se të vazhdojmë, le të sqarojmë se çfarë është “Gjama e burrave” në
trevat veriore ose “Vajtimi i burrave” në zonat jugore dhe jugperëndimore të
vendit tone që i përmë-ndëm më sipër.
“Gjama
e burrave” në zonat veriore dhe “ “Vajtimi i burrave” në zonat jugorë e jugperëndimore
është një rrit mortor kolektiv i hershëm
i kombit tone, pjesë e atij riti që
quhet “ Të qarrët me bot”. “Të qarrët
me bot” është vajtim me klithma e ulërima, që shoqërohet me
gjestilacione vetëgjymtuese si çjerrja e faqes,
shkulja e flokëve, goditja e kokës në mur, rrahja e
gjoksit me grushte, hedhja e dheut apo hirit mbi
flokë etj. Është ceremonial mortor
që
praktikohej nga populli ynë në kohë të herëshme prej
nga e ka burimin edhe“Vajtimit me ligje” i
grave, i sotëm
.
“Gjama e burrave” mbahet vetëm nga burrat dhe
vetëm për burrat. Në këtë rrit gjamatarët (që zakonisht janë dhjetë e më shumë)
e vajtojnë publikisht të afërmin e tyre
të vdekur duke gërvishur fytyrën e duke goditur gjoksin me grushta ndërsa
vajtojnë me fjalët: O i mjeri unë për ty oi…
Në një sërë shkrimesh të publikuara
thuhet se “Gjama e burrave” e ka fillesën me vajtimin e Lekë Dukagjinit në Lezhë
më 17 Janar 1468, ditën e vdekjes së Skënderbeut. Kjo datëlindje
e ritualit nuk është e saktë. Lekë Dukagjini dhe ushtria shqiptare në Lezhë
shprehen dhimbjen e tyre për vdekjen e
Gjergj Kastriotit sipas një rituali tradicional të popullit shqiptar, ritual i
cili
ishte pjesë e jetës arbërore me origjinë ilire..
“Gjama
e burrave” dhe “Vajtimi i burrave” është ritual
kolektiv, karakteristikë e riteve mortore shqiptare dhe parashqiptare.. Plutarku te
legjenda e Panit të Madh në Butrint na tregon për vajtimin kolektiv të nimfave
të Butrintit kur u dha lajmi i vdekjes së Panit të Madh. Demont shkruante se :-Kjo mënyrë
vajtimi e malësorëve shqiptarë ka lidhje me antikitetin, si dëshmohet në
shkrimet e Herodotit, i cili fliste për vajtimet kolektive të ilireve”.
Historiani bizantin Mihail Apostoli[3] në
vitin 1437, shkruan se “ilirët taulantë vajtonin njëlloj si kretasit” ,duke e
patur fjalën për rite të lashta helene të përshkruara nga historianët e antikitetit.
Etnologu
Bledar Kondi, shkruan se "të dhënat më të hershme mbi gjamën e burrave
dëshmohen nga Herodoti, i cili flet për ekzistencën e vajtimeve kolektive të
fiseve dardane”…
Duhet
të theksojmë se qysh në gjallje të Skënderbeut, në Kanunin e Lekë Dukagjinit[4] u
përcaktuan edhe rregullat e gjamës së burrave dhe konkretisht te Libri XII,
Nyja 24, në dhjetë paragrafe (§1235 – 1245), janë përcaktuar rregullat për
burrat gjamtare dhe për gratë vajtuese, ku përcaktohet se gratë vajtojnë duke
shkulur flokët, ndërsa burrat vendosen në formë gjysëm rrethi
përballë të vdekurit dhe vajtojnë tuj çjerrë fytyrën
e gjoksin e duke rrahur ritmikisht gjoksin.
1235. Tu bâ gjâmë burrnimi, grrishten edhè tundin
krahnorin[5].
1236. Grate vajtojn, por nuk
grrishten.
1237. Porsa të vêjn kamben në katund të të dekunit
miqt, do të vêjn në krye jakzat e gjurdijavet.
1238. Kanû âsht me bâ gjâmë mbë të dekunin tri herësh
dhe tuj persritun fjalen “I mjeri unë!”
dhe tuj
hudhë kambën kah i dekmi nandë herësh”.
1245. Gjâmtarët rreshtohen, tuj ba
gjymës rrethit me ftyrë kah i dekuni.
Madje përcaktohen
edhe radhët e gjamës që janë a-“Gjama e gjakut” e cila bëhet nga fisi i babait
të të ndjerit, b-“Gjama e qumështit” që bëhet nga njerëzit e fisit të nënës të
të ndjerit dhe c- “Gjama e gjaksit” që bëhet
nga gjaksi, personi që vrau të ndjerin. Po kështu në Kanun specifikohet edhe
fakti se nusja dhe i vdekuri përcillen në mbrëmje.
Kjo traditë vazhdoi edhe pas kohës së Skënderbeut
dhe për këtë na sjellin dëshmi e fakte
rilindasit tanë Pjetër Budi (1612), Pjetër Bogdani
(1672), Frang Bardhi (në relacionet e vitit
1641) ,
Vinçens Dorsa (1847), Dora D’Istria, Zef Jubani, Jeronim De Rada, At Shtjefen
Gjeçovi,
At Nikoll Ashta, Vinçens Prenushi, si dhe shumë
studiues te huaj ndër të cilët rendis J. Georg von Hahn (1853-1854),
Maksimilian Lambertz, A. Dumont etj[6]. .
Në
vitin 1670, kronisti turk E. Çelebia, gjatë vizitës në Gjirokastër ka
asistuar në ceremonialin
e një varrimi dhe
shkruan se :” … vajtonin të gjithë të afërmit e të vdekurit dhe disa
gra…, të cilat qanin me ulërima … Ky është qyteti ku “qahet me ligje”.
Në vitin 1637
misionari Rodini, në kujtimet e tij dëshmon se “burrat shqiptarë qajnë e
bërtasin
me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin
bashkarisht më fort nga ç’kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hananit ku kanë
varrosur Patriakun Jakov”.
Ky
ceremonial mortor i përcjelljes së të ndjerit me gjamë, vaje e ligje dëshmohet
i pranishëm edhe te arbëreshët tanë në Itali, arvanitasit në Greqi dhe përgjithësisht
praktikohet kudo ku ka shqiptarë të emigruar apo pasardhës të tyre, që i kanë
ruajtur doket dhe zakonet amtare.
Theksojmë
se gjama si dhe vaji i burrave bëhet
kryesisht me vargje, ndonëse te “Gjama e
Burrave” në Malësi përgjithësisht nuk kemi një
formësim të vargut tradicional, por i ngjan më shumë një naracioni të lire, me
vargje të improvizuara, ku vlerat ja jep
më tepër fonetika e frazeologjisë dhe emocioni që shkakton.
Te
“Vajtimi i burrave” rrallë ndodh që vargjet e vajit të mos jenë në formësim
tradicional
pasi zakonisht janë vargje të regullta, të zgjedhura
e me shije artistike, që u përafrohen vargjeve të vajeve të grave, të cilat
janë perla poetike.
Në
“Gjamën e burrave” burrat nuk bëjnë gjamë
për gratë (femrat) e vdekura, qofshin ato të afërme apo bashkëshortet e tyre. Kjo konsiderohet
“marre”, turp, ç’burrërim.
Në “Vajtimet e burrave” burrat vajtojnë me
ligje (ligjërime) jo vetëm për burra (meshkuj)
por edhe për grate(femrat) e rrethit të ngushtë familjar siç janë nëna, motra,
vajza, gruaja etj.
Karakteristikë
e “Vajtimit të burrave” është edhe fakti
se ky vajtim mbahet kryesisht në këmbë, disa dhjetra metra para hyrjes në shtëpinë e mortit, në dhomën ku mbahet i
ndjeri dhe në ceremoninë e varrimit . Gjithashtu mbahet shtëpinë e mortit në
ditët e mëpasme. Sipas afërisë mund të mbahet vaji edhe disa vite pas vdekjes
kur është shumë i afërt (vëlla, motër,djalë,vajzë, grua, nënë)..
Ndodh
që “Vajtimi i burrave” të shoqërohet
edhe nga vaji i grave ashtu si edhe “Gjama e burrave”.
4- U çmënda
po lidhmëni… Lexon këtë varg dhe të
tjera që vijojnë dhe të vjen të t’i thuash poetit: -Po shyqyr që e more vesh që
je bërë për t’u lidhur more Petrit Ruka, se ne s’dinim si të ta thoshnim. Po pse more Petrit, a shkruhen në kartë
vargje si këto që shkruan zotrote… Do iki, malet do marr, /do marr kazmën t’i
hap varr’/të shoh se ç'nur i ka rarë[7]/nur
i kuq a nur i bardhë…ë, a shkruhen? Nuk e di ti që ka dhe njerëz të sëmurë
nga zemra dhe po i dëgjuan këto vargje,
nuk dëgjojnë më gjë tjetër në këtë botë? Nuk e di ti që edhe djalë i ri të jeshë, këto vargje të
thinjin brënda një çasti? Provoje t’i thuash në
mes të maleve të Tepelenës dhe ke për të parë zotrote si do gremisen
malet me lemeri, si nga një tërmet nëntë ballë. Këto vargje more Petrit Ruka
sokëlliten vetëm në breg të detit. Se deti është i madh e i gjërë, i mer me vete këto va(j)(rgj)e, i fut në
gjirin e tij, diku aty nga mesi i detit dhe pastaj, me një bubullimë si nga
fundi i dheut, ngre male dallgësh e qëllon bregun me ‘to, ashtu si gjamatarët qëllojnë
gjoksin me grushte gjatë ceremonialit të “Gjamës së Burrave”. Pastaj, dale pak, ku do vesh zotrote me kazëm
në dorë? Do vesh të hapësh varrin? Po nuk e di ti që varrezat janë të zotit dhe jo të njeriut? Apo do zësh
gjyqin me zotin zotrote, se vete e the që…
do të hap me zotin gjyqe... Ku do i
gjesh ata gjyqtarë të ndershëm e të drejtë sot?
Apo mos do e bësh siç tha Noli që…
Shqiptarët kur zemërohen me zotin i ndezin qiri shejtanit…
Eh
more miq! Unë e admiroj sinqerisht mënyrën elegante me të cilën poeti, duke
future në poezinë e tij disa vargje, gjasme me fryme fetare… fryma nga brinjët e mia,/ bekimi nga Shën Mëria… na kujton që
vaji është i periudhës para myslimane, duke na afruar si datëlindje të vajit
original periudhën para viteve 1650 kur filloi myslimanizimi[8] i Labërisë
Hajdeni
dhe ju me mua, të shohim bashkë elegancën e futjes së elementëve zakonorë te
fjalët drejtuar nënës[9] …Nënë
ç’ma bëre Dilinë/Un’ ta lashë si florinë…Krahasimi …si florinë… mbart dëshminë
e traditës sipas së cilës vetëm nuset mbanin varëse, unaza e gjerdanë floriri,
që përfaqsonin rininë dhe bukurinë ndërsa gratë e moshuara mbanin gjerdanë dhe
unaza argjëndi, si
dëshmi e një moshe të shkuar. Dhe shihni se sa i
florinjtë është portreti i nuses së vdekur, gdhëndur në shpirtin e poetit:- Nënë ku është Dilija,/fryma nga brinjët e
mia,/vesa që me buzë e pija,/réja me të cilën flija,/prilli që del nga
korija,/vera që del nga hardhia,/buka ku shuhej uria,/bekimi nga Shën Mëria!/…. Një portret të tillë do e ëndëronte çdo vajzë apo nuse e
re të gdhëndej apo pikturohej nga i
dashuri apo bashkëshorti i saj i ri.
Le të shohim me admirim se si përshkruan
(përjeton) poeti luftën për egzistencë të nizamit të ri, vetëm e vetëm që
të kthehej gjallë, jo për vete por për ta bërë të lumtur nusen e tij (sa të ketë Dilí, nuk vdes,”) … Dilí, fola,
s’ka Dilí, /dil, se unë, Arabisë,/për ty mbeta gjallë!/Dil se urën e
Qabesë,/ vetëm unë e hodha,/“sa të ketë Dilí, nuk vdes,”/vdekjes sytë ia
vodha.../Për ty munda shkretëti-rën ,/etjen gjer në eshtra?/pija sytë e tu me
gllënjka,/si krojet në vjeshtra./Munda vapën e pabesë ,/si një gozhdë mes
ballit,/se përplasje ti qerpikët,/frynte erë e malit. E cila vajzë nuk do
ta dashuronte gjer në marrëzi një djalë të tillë?
Unë dëshiroja tju kujtoja se këto
nuk janë thjeshtë vargje poeti të frymëzuar. Këto vargje poeti përshkruajnë një
histori të vërtetë, pavarësisht se në kohë të tjera. Po a nuk kemi ëndëruar dhe
ne në adoloshëncën tonë heroizma e trimëri për vajzat e bukura të klasës apo
lagjes. Është bukur të mbajmë gjallë këtë frymë romantizmi sepse jeta ka nevojë
për ‘të ashtu si mali ka nevojë për lule, jo vetëm për lisa.
Dhe
pasi e përfundova poemën, eja o Petrit Ruka të rimë kokë më kokë e të
vajtojmë bashkë për Dilinë me vargjet e
tua plot dashuri… ku u tret e ku ka
rënë,/tërfili që mbin në hënë,/molla në degën e lënë,/hënë e pjekur, e pangrënë/
… /ku
ka jetë pa Dilinë,/as lisat në këmbë rrin-ë, /as zogjtë krojet s’i
pi’në, /as ndrit hëna, as ngroh dielli, /shi i kuq do bjerë nga
qielli,/jetës i ka sosur mielli......oi….oiiii…..
Sarandë, më Nëntor – 15 Janar 2019
[1] Realisht vaji i
hershëm me siguri ka qënë më i plotë, më i strukturuar në hershmërinë e tij,
por koha ka sjellur vetëm një pjesë të tij
tek ne, atë që njohim si vaji “Nënë ç’ma bëre Dilinë”.
[2] Shyptarzitë sa shumë vajtojnë,/T’gjallë e t’dekun po i trishtojnë!/Kajnë të dashnit qi u kanë dekë,/Mallkojnë veten qi gjallë kanë met!/S’kanë mjaft lot o me vajtue,/S’kanë forcë o n’kam mu que,/S’kanë lopata vorret mi marue!/ Nga tre veta n’ni vorr pi lshojnë,/Veç me borë o shumë pi mlojnë…”
[3] Lutfi Alia “Riti i vajtimit në Kanunin e Lekë Dukagjinit
– Apologjia e jetës
[4] Po aty
[5] Paragrafët citohen në dialektin
original të Kanunit.
[7] I ka rënë
[8] (Deri
në vitet 1750 myslimanizimi i Labërisë
mori përmasa të gjëra për tu ndërprerë në vitin 1821, me vdekjen e Ali Pashë
Tepelenës
[9] Edhe te kjo baladë e herëshme,
personazhi i nënës është primar, por ndryshe nga personazhi komandues i “Zonjës
mëmë” te Doruntina, ky personazh është nën goditje, gjë që përjashton cilësimin
e periudhës matriarkale si datlindje të vajit.
Mirëdita, ndërsa jeni duke e lexuar këtë, dijeni që problemet tuaja janë zgjidhur përgjysmë nëse mund të ndërmerrni veprime në lidhje me to sepse ajo është një grua e fuqishme shpirtërore atje e quajtur Dr dawn acuna, të cilën e takova duke lexuar një artikull në internet, ajo më ndihmoi me një magji që ma ktheu burrin pasi burri më la për më shumë se 8 muaj, ajo bëri një magji që më ndihmoi të mbetem shtatzënë për burrin tim dhe tani kemi 2 fëmijë të bukur, tani jeta ime në martesë po shkon mirë, çfarë mund të kërkoj më shumë .... a keni problem që dëshironi të zgjidhni?
ReplyDelete*Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
*Nëse doni të pajtoheni me burrin tuaj.
*Nëse keni nevojë për të kuruar ndonjë sëmundje.
*Nëse doni të ndaloni abortin.
Dhe shumë të tjera, acuna e agimit do t'ju mahnitë me Fuqitë e saj të mëdha. kontaktoni atë në whatsapp: { +2348032246310 }
Email: { dawnacuna314@gmail.com }
ËSHTË E MREKULLUESHME TË FLASË TË MREKULLUESHME PËR DR DAWN. Unë jam Vanessa Canga. Kam pasur një bashkim të bukur me burrin tim dhe kam ndarë lumturinë, ngrohtësinë dhe dashurinë e vërtetë. Ne jetuam së bashku për 10 vjet dhe patëm dy fëmijë. Pak muaj më parë filluam të kishim probleme pafund dhe zënka të vazhdueshme. Shtëpia ishte plot me pakënaqësi dhe fëmijët e mi gjithmonë qanin duke na parë të ziheshim gjatë gjithë kohës. Më në fund, ai u largua dhe na ndërpreu të gjitha mjetet për të komunikuar me të. Bëra gjithçka që munda për ta rikthyer për shkak të asaj që e doja, por pa dobi. DR DAWN më erdhi në ndihmë kur e kontaktova dhe më zbuloi se një grua qëndronte pas problemeve që kisha dhe ai më premtoi se do të më ndihmonte, gjë që e bëri kur ndoqa procedurat e tij të punës. Burri im u kthye në shtëpi tek ne dhe ne shpikëm gjëra. Ne jetojmë përsëri të lumtur së bashku. DR DAWN mund t'ju ndihmojë gjithashtu. kontakto me të përmes WhatsApp: +2349046229159
ReplyDeleteEmail: dawnacuna314@gmail.com
*Nëse dëshironi të ribashkoheni me burrin/gruan tuaj.
*Nëse dëshironi të keni një martesë/marrëdhënie paqësore.
*Nëse keni nevojë për magji për të mbetur shtatzënë/shtatzënë.
*Nëse dëshironi të trajtoni infertilitetin.
*Nëse doni të hakmerreni/marrëni pronën tuaj.
*Nëse dëshironi magji promovimi.