Dr. Bardhyl
Maliqi
PERSONALITETI I
SHUMËFISHTË I TIMO MËRKURIT
Të jesh
njëherësh ekonomist mjaft i mirë, por edhe krijues i shumëfishtë si Timo
Mërkurit nuk është e lehtë. Studimet ekonomike atij i dhanë idenë e bilancit,
të suficitit dhe deficitit buxhetor, konceptin e analizës ekonomiko-financiare
dhe praktikat e tyre në realitetin e Shqipërisë. Ndaj ai e kuptoi shpejt dhe
mirë se me fjalën nuk duhet tepruar, teprimi sjell proliksitet, por edhe
strukturat elipsoide *mungesore apo konciziteti i tepruar krijon probleme dhe
keqkuptime, Ai gjithashtu e kuptoi mirë se të gjitha analizat në parim janë
njësoj, por në fusha e ndërmarrjet përkatëse ka ndryshime të vogla strukturore,
terma e fjalor të ndryshëm, por rrugët janë po ato. Ndaj Timo është kaq i saktë në përdorimin e
fjalës!
Timo Mërkuri u shfaq së pari si poet
lirik, qysh në moshën shkollore, por një poet i veçantë ama, pa ujra në poezi,
metaforik e simbolik njëherësh. Një poezi sintetike, pa tepri, por do të thosha
se është në gabim kush thotë se ajo është hermetike. Poezia e Timos është shumë
e kuptueshme për njerëzit mendje hapur, si argument mund të merrja dhjetëra
shembuj, por po mjaftohem me disa tituj librash, p.sh. libri i parë titullohet “Bulevardi i dhimbjes”, i dyti “Loti i detit”, cilido e kupton se për
çfarë arti është fjala. Nuk ka nevojë për statistika, se rrugët dhe bulevardet
tona ende janë të përgjakura prej ngjarjeve të ’97-tës, prej krimit dhe prej
aksidenteve rrugore. Kështu, jo vetëm rrugët, por edhe deti qan nga mijëra të
mbytur gjatë shtegtimit në rrugët detare apo tokësore të fatit.
Timo mblodhi si Thimi Mitko, De Rada,
Fatos Mero Rrapaj e Veis Sejko këngë burimore me tituj të gjetur e mbresëlënës,
si: “Iso more djema”,“Te Lisat në
Shënkoll”, “Gjerdan i këputur” , “Ku hardhia pikon vesë” etj. Mbledhja e
lëndës folklorike të krahinës së tij dhe botimi i 5 librave me këtë lëndë të
pasur e të çmuar gojore popullore në të vërtetë është themeli i vërtet ku u
mbështet ngrehina e tij studimore, ajo i dha atij lëndën e parë, sensin e masës dhe figuracionin fin të pa konsumuar nga të
tjerë. Me këto e mëkoi gjyshja dhe i ati, se nëna i vdiq shpejt. Kjo e mbron
atë edhe nga kopjimi. Ne kur flasim për artin jonian në kuadrin e krijuesve
jugorë të paktën numërojmë si të parë
atë që ka botuar më herët, por në të vërtetë ai është poet proliks dhe i
ndikuar nga poezia e Ricosit, të përkthyer dhe kopjuar keq nga italishtja. Timua
në këtë kuptim është më i pastër dhe me
sintetik.
Mbledhja dhe qasja shpirtërore ndaj
folklorit bëri që ai të shkruajë dhjetëra shkrime e disa libra për iso
polifoninë dhe veçoritë e saj në raport me këngët polifonike të popujve të
tjerë. Për Timo Mërkurin isoja është deti ku noton kënga polifonike. Ndaj ai
këmbëngul tek ky thelb dallues, i cili ndikoi në pranimin pa rezerva të iso polifonisë
si vlerë e veçantë krijuese dhe u pranua prej UNESKO-s si i tillë. Vëreni si i
titullon librat e tij në këtë fushë arti, ku studimi dhe krijimi letrar
përbashkohen: “Madhëria e saj – kënga iso
polifonike”, “Shenjtëria e isos”, “Vesa mbi këngë”, apo “Identiteti
isopolifonik”.
Ne nuk mund të rrimë pa përmendur edhe
veprat e tij poetike dy gjuhëshe si Poezi shqip-greqisht apo “Δάκρυα της θάλασσας”-“Lotët e Detit”, si arritje të vlefshme.
Por Timo e ka provuar penën edhe në vepra në prozën e gjatë si tek novela “Thomai që mbolli kripë”, një qesëndi apo satirë e
lehtë me disa tipa dhe karaktere. Ai ka botuar edhe vepra në fushën studimore
si për shembull: “Epoka që verbon
poetët”, “Kur flasim për artin jonian”,
“Vajza e valëve” për Neço Mukën dhe sprovën “Honestra e këngës himarjote”
apo artikujt për Lefter Çipën dhe Këngën Pilurjote, ashtu si ka shkruar
pa rreshtur për këngën iso polifonike gjirokastrite, zagorite, përmetare etj.
dhe veçoritë krijuesve të korifenjve të kësaj kënge etj.
Shpesh unë dhe Timo Mërkuri kemi një
qasje shpirtërore me krijuesit nga Kosova dhe Serbia jugore, Maqedonia e
Veriut, Mali i Zi etj. natyrisht këtu
përfshihen edhe preferencat individuale kjo është arsyeja, që rrallë jemi
përafruar në emra apo autorë të njejtë, përjashto Albina Idrizin ktijimtaria e
së cilës ka admirimin e të dyve.
Ndaj këtu, objekti kryesor imi në
fakt është libri më i fundit i Timo Mërkurit, një libër studimor me një varg
shkrimesh rreth disa veprave letrare të krjuesve të Kosovës Lindore “Letërsia si shpëtim nga “Rrufetë zeusiane””,
botim i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu,
Gjilan 2021. Në këtë libër Timo Mërkuri,
por edhe ne të tjerët, theksojmë se poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar
nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri
në kufij të skajshëm artin e tyre në poezi dhe në prozë, ndaj është e pasur me
metafora dhe simbole dhe e parë mnë këtë këndvështruim, kjo letërsi nuk është
aspak hermetike dhe moderniste.
Në këtë kuptim Pavarësia e Kosovës
do të thosha unë e “dobësoi” artion poetik
në figuracionin shprehës, pasi në të u turrën grafomanët, që nuk i
bashkon asgjë me artin poetik. Të
gjitha shkrimet e Timos për këtë poezi apo prozë e pasurojnë ndjeshëm artin
tonë studimor në tërësi, por edhe në thellësi. Le të thonë disa se “ata që morën pjesë në Kongresin e gjuhësisë
të 1972-shit nuk kishin formim të plotë gjuhësor apo letrar”, kështu mund
të thonë edhe për Timo Mërkurin se nuk është shkolluar për gjuhë dhe letërsi,
por le ta provojnë të maten me të! Ai i qaset më tepër në këtë drejtim poetit,
prozatorit dhe studiuesit Fatos Arapi (ekonomist
si Timua në profesion.) por unë do të thosha në rastin e Timos atë që pohon Ndue Ukaj tek studimi i tij “Koha për një gjuhë të qartë”:
“Përgjatë viteve të fundit, ne e kemi injoruar atë çka është esenciale
për një shoqëri: pushtetin e gjuhës, dhe mundësitë e pakufishme që ka ajo për
të formësuar të vërtetat politike, kulturore, ekonomike e sociale. Kemi
injoruar mundësitë që ka ajo për të ndikuar te tjerët: te formimi i
botëkuptimeve dhe bindjeve për çështje specifike të shoqërisë. Për pasojë, kemi
trilluar autoritete të rreme, që bazohen te forca e ndëshkimit,..”
Timo Mërkuri e bën analizën e krijimeve duke depërtuar
brenda shkrimit dhe duke qenë aktiv dhe jo si soditës nga jashtë. P.sh në
analizën e poezisë Çoje vetullën Idriz Seferi i drejtohet poetit Sabit Rustemi
me fjalët. “Shihe pak me vëmendje, o Sabit Rustemi, shihe Idriz Seferin.Me ato
vetull të ulur mbi sy ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit, por po sheh diku më
larg...” fq. 61 dhe vazhdon: Ndaj sulu vrik në Prishtinë e ngrije atë flamur miku im dhe
me ‘të, së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit, e më mbrapa ngrije te
vendi më i lartë i Prishtinës. Nisu si plumbi, se je më pranë, ndaj mbërrin më
shpejt, e unë po. nisem sa ora e të mbërrij tek të jesh me flamur në dorë. Dhe
ashtu sup më sup do shndërrohemi në shqiponjën dykrenore të atij flamuri.
Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vetull Idriz Seferi, do t’i ndrijnë sytë e
do të këqyrë me dashuri. Fq 63
Timo Mërkuri shkruan gjatë për poetin
Sabit Rustemi. Ai është mjaft i njohur ndër ne, boton në gazetat letrare në
Shqipëri, organizon takime poetike, manifestime e konkurrime në kuadrin e
klubit letrar “Beqir Musliu”, na ka ftuar në Gjilan dhe ne e kemi ftuar në
Sarandë, por këto i them unë, pasi në kuadrin e analizës poetike nuk kanë pesha
specifike të posaçme. Kur Timoja qëndron tek poeti Sabit Rustemi thotë: . Kjo
ndjenjë dukej se reflektohej në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E
diela e dashurisë…
Le
të jetë kjo dita e faljeve / për mëkatet që nuk i themi/ E diel e
dashurisë/qoftë çdo ditë… teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le
pa atë që ma more…dhe…Hyjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturimi/kam
jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua fq 17
Përkundër kësaj
dukurie, Timo thekson se përmbledhja dyvellimëshe e Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti”, e mbushur me
krijimtarinë gati dyzet vjeçare të autorit, është si një pyll vetëm me pemë e fidanë dashurie.
Është rasti i parë në letërsinë shqipe që jepet një përmbledhje e tillë vetëm
me poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepsëse. Fq 20
të librit të tij.
Timo Mërkuri
thekson atë që duket se është thelbi i kësaj eseje për artin, se në Malin e
Çepurit e ka selinë poezia e Sabitit si Apoloni në Olimp.
…
Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër faqe
lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në
çdo lule / peme e flatër zogu… sepse edhe vendi ku takohen të
dashuruarit është i shenjtë ose shenjtërohet me dashuri: …Çepuri/deri n’atë kupë të qiellit shpërthen/për Ty moj Peri… Aty ku
takohemi/në cilëndo botë/përmes të përzjarrtës dashuri/diell të ri krijojmë…
Timo thekson se
poezia e Sabutit na thotë se të krijosh një diell të ri do të thotë të krijosh
një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm dashuria dhe e
shpreh kështu magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni poezinë e
tij, më të bukur do t’ju bëjë, ju siguroj unë, na këshillon Timo në fq. 20. -
Poeti i këndon dashurisë si një ëndrre
të bërë realitet vetëm për të personalisht dhe për rrjedhojë, ka bindjen se ai, i dashuruar, do jetojë
përjetësisht, se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e
përjetësisë dhe Timo Mërkuri citon në librin e tij vargje të shumta të poetit:
…
Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë pa ne/e dashur…Ajo ëndërr që nuk po
e shoh/dashuria ime është. /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast po e
jetoj…ti je e paprekshmja ime/…ëndërr që nuk shihet/e një jetë të tërë
kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrre/na mërdhinë fjalët/ / E dashur/acar fjalësh
mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë / është krijuar nga dashuria… fq 26
E pra, s’paska
droje ky bard të flasë për dashurinë, madje dhe vetë Zotit i qëndron përballë…
”Nëse
asht mëkat/me dashtë/mos më fal o Zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në
çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat” madje dhe në mot të hidhët…”një shi si
ky moti e kam ëndërrue/dhe ty dhe ty moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj m’i
shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri /përfiton syve me pranverë”
prandaj i thotë vashës … “Laj sytë me një puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme uji/tek ajo
rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”. Fq 29
4. (Kujtesë e
harruar)
Në kulmin e
terrorit serb në Kosovë ishte Sabit Rrustemi poeti që guxoi të shkruajë kundër
Titos poezinë “Plakja e Zeusit” me
vargjet fshikulluese kundër tij si: Po plakesh /Tash asgjë nuk të kujtohet/ As
lëngu i ançarit/ Humbe lumit të madh i vockël/ As zot/ As yrnek/ Kot bëhesh
servile/ Fëmijë reprize /Ushtron cacitjen /Me shkopin mashtrues/ Prej ballit
kodër/ Vëngër vështron/ Presat e vdekjeve kah ndërrojm fq 49 Plakja e
Zeusit
Timo Mërkuri shkruan e sqaron pse poeti
Mirko Gashi është një autor gati i panjohur tek ne në Shqipëri, sepse ai nuk
është lakuar e lëvduar nga kritika e kohës. Po ku qëndron sipas Timos merita e
tij. Përmes një kinse “lojë fjalësh” e një figuracioni që më shumë i ngjan
lojës së gjetheve të lisit kur fryn era, poeti shkruan një manifest rezistence
e proteste, sa të thellë nga mendimi, sa të fortë nga guximi aq dhe vizionar
nga qëllimi…
Ashtu i lidhur/i
thoshte grigjës në Golgotë/qëndro ime bijë qëndro im birë/për fenë dhe
kombin/ju jeni martirë….Në oborrin e Isës/pleq e të rinj/plaka e të reja/Shikojnë/ pentagramin e ylberit/
dëgjojnë/ cicërimën e ngjyerave/Përroi i Maksimit/u shterr nga zilia… fq 9-10
…
Varr varr e varr/Istukë Gostivar e Tivar
/ Po ji gëzuar/mos rri me lot/sonte niset hëna e plotë / Nëpër guaca po fle
gaca/sonte niset hëna e plotë…ose… Sonte është Nata e madhe/Betoven tani e
di/si lindi/Oda e Gëzimit… Në bebëzën time/hyri më parë shqiponja / prej
bebëzës vetëton vetëtima…fq 10
Timo Mërkuri zbërthen faktin se janë dy elemente që e kanë ndihmuar Mirko
Gashin në shmangien e ndëshkimit të policisë serbe për artin e tij poetik: Së pari gjuha që e
përdor poeti është një gjuhë e thjeshtë, gati e zakonshme e qytetarëve të
thjeshtë, por që ai diti ta “punojë” si një dru lisi, që gdhendet bukur për një
portë shtëpie a tavolinë dhome. Ai realizoi me fjalorin e thjeshtë atë art që
nuk e kishte realizuar askush. Gjuha e thjeshtë në vargjet e tij përthyhet në
shtatë drita, siç përthyhet rezja e diellit në prizëm duke na dhënë një “ylber”
ndjenjash e mendimesh. Lexuesit jo vetëm e kuptojnë gjuhën e poezive të tij,
por edhe e admirojnë dhe e përvetësojnë, ndërkohë që shteti kalonte indiferent
pranë poetit dhe fjalorit të tij të “rëndomtë”. Në këtë indiferencë pushtetore
ka luajtur rolin e saj edhe paraqitja prej bohemi e poetit.
Së
dyti ka ndikuar logjika e “fshehjes” sipas së cilës vendi më i mirë për të
“fshehur” diçka të shtrenjtë është vendi “para syve” ku të tërë e shohin, por
nuk e kuptojnë. Mirko Gashi jo vetëm që i publikonte poezitë e tij në organet e
shtypit, po edhe i deklamonte ato në grupe shokësh në kafene dhe vende publike.
Ata që e kuptonin poezitë i shkruanin nëpër fletoret e tyre, ndërsa ata që
kishin misione suverjimi, nga që s’kuptonin gjë nga vargjet e tij, qeshnin me
këtë bohem zhurmaxhi dhe largoheshin. Fq 12-13
Në analizën e poezisë së poetes Albina
Idrizi Timo Mërkuri zbërthen botën e femrës kosovare në ato vite të vështira të të qënit femër, të të qënit nënë::
Biri
im /Jam nënë, dhe/ më qeshet kur gëzohesh ti/ më dhemb atje ku lëndohesh ti.../
Jam nënë, dhe/ mund të fal /atë që nuk falet../. Se jam nënë/ vetëm se jam nënë….
Kur mendon se
këto vargje, oqeanike për nga dashuria që mbartin, vijnë nga Gjilani, një qytet
i vogël i Kosovës së porsadalë nga ferri (i luftës dhe i shtypjes), gjëja e
parë që konstaton është zemra e madhe e autores, fq 65
E
lodhur jam /si drenushë e plagosur/ plagën e thellë duke lëpi/ njësoj si imi
popull… fq 65
Kurdo
që të kthehesh/ ngado që të vish /ti eja/ dhe në timen jetë /Nëse nuk mundesh
dot/ ...në rreze përvidhju/ ditëve me diell... apo në pikë shiu shndërrohu/ ditëve
me shi
fq 67
Timo Mërkuri më ka folur para disa
kohësh për poeten Peso Pemza, më ka folur veçanërisht me konsiderata që i thekson
edhe në shkrimin për të, ku faktin që ajo shkruan në dialektin gëgë e sheh si
pasuri e letërsisë kur thotë: Standardizimi i gjuhës nuk
do të thotë braktisja e dialekteve, aq më tepër kur këto dialekte rrëzëllejnë
pasuri gjuhësore, fonetike e poetike në jetën tonë. Aq më tepër kur dialekti
gegë i ka dhënë historisë së letrave shqipe kryevepra qysh në hershmëri të
jetës së kombit tonë. Eposi i Kreshnikëve është një mal që nuk fshihet dot nga
historia dhe që vazhdon të dëshmojë metaforikisht forcën e Mujit dhe bukurinë e
Tanushës. “Lahuta e Malcis” gjëmon kushtrime dhe “Vaji i bylbylit” na pikon në
zemër. Ndërsa Migjeni ecën i trishtuar shtigjeve malore se nuk mundi të gjejë
në qytet një palë opinga për Lulin e Vocër [...] dhe citon një seri vargjesh të
kësaj poeteje:
“Sa
herë vizatoj një fëmijë/trishtohem/se një vijë e tepërt/mund ta bëjë të duket
plak…fq.
80 baba ka hi n’uj/o voglush/s’don me i
ra tamom/moshës që ka/ shtratit i rrudhet si jetimët /u menu qysh jo/për mangët
e kmishës qe i teprojnë/prej se u rralluen përqafimet/ baba n’gjys ditës
gëzohet/kur hija i vogëlohet. Fq 81më
çoi deri në kënetë ky shi/tani e di si vajtojnë kallamat/në erë/dhe si është
malli për ty..fq 81 tani kur lexoj poemën e një zogu/bindem/se në çdo fluturim
drejt qielli/ai merr me veti një gjysmë lisi/sa herë që sheh zjarrin e diellit
në të sosun/më parë nuk e dija/se perënditë/zgjidhkan trupa të vegjël me
flatra/për banim/mu sikur dashuritë fq 81t’pata sheju si lisin plak n’vjeshtë/që e shtrijnë gjon e gjat/si
djalin ma t’mirë t’fisit që e vrasin për gjak/kallxo/n’cilin rremb t’ra peni i
kuq/që mbetëm pa krushq…fq 84 etj.
Por të më falin Timo Mërkuri dhe
Peso Pemza, pasi unë nuk arrij ta kuptoj këmbë-nguljen e të shkruarit në
dialekte a të folme, qoftë të Hekuran Halilit që vjershëron në çamërisht apo të
Pesos në dialektin gegë. Atyre iu duket sikur fitojnë simpatinë dhe
duartrokitjet e lokalistëve, por ndërkaq humbasin lexuesit në masë të madhe. Ne
s’mund të kthehemi mbrapa 100 vjet në kohë për të folur gegërisht apo
toskërisht.
Tre shkrime të plota i kushton Timo Mërkuri
jo më vetëm poetes, por tashmë edhe prozatores së talentuar me origjinë nga Tërnova e Bujanovcit, Albina
Idrizit: Shenjtëria e fjalës, Përsëri
erdhi marsi dhe Një roman ndryshe…Qysh në kontaktin tonë të parë me
Albinën, në Manifestimin e zhvilluar në Gjirokastër më 2011, konstatuam
talentin e veçantë të saj. Timo Mërkurit i bëri përshtypje qysh atëherë talenti
i saj në poezi e në prozë, ndaj qysh atëherë shkroi shkrimin “Drenusha e
plagosur” për vëllimin poetic “Dashuruar me diell” krahas një seri shkrimesh të
autorëve të tjerë nga Saranda, Shqipëria, Kosova, Serbia Jugore dhe Bosnja.
Dhe të shkruash për prozën e saj nuk
është aq e lehtë pasi Albina e hymnizon, e shenjtëron dhe e lartëson fjalën
edhe në aspektin polisemantik e ligjërimor, por edhe në aspektin estetik. Jo thjesht se e para ishte fjala te Ungjilli
sipas Gjonit, as pse fjala është e bukur dhe e shenjtë, se ajo ka ëmbëlsi
jetëdhënëse, se duke folur e lëmë mbrapa
hijen e pritjes. Fjala mund të jetë e paktë, por kuptimplote. Libri bëhet
kështu altari i fjalës së shenjtëruar të Albinës.
Përsëri Mars është romani që tërhoqi
vemendjen e të gjithëve, por edhe të Akadamikut Rexhep Qosja, edhe vëmendjen
vlerësuese të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është një vepër kundër lakmisë
dhe egoizmit të paskrupullt. Timo Mërkuri diferencon karakteret e personazheve,
bën përqasje me “Shpirtrat e vdekura” të Gogolit apo “Gjeneralin e Ushtrisë së
vdekur” të Kadaresë. Qëllimi i përqasjes mbetet evidencimi i saktë i veprës së
Albinës. Të ndërtosh varrin për së gjalli mbetet një ansurditet dhe një
makabritet të çuditshëm. Ky është paradoksi i jetës dhe i vdekje.
“Për një mëngjes ndryshe”
titullohet romani më i ri i shkrimtares nga
Gjilan, një roman për temën e gjithmonshme të letërsisë – për dashurinë.
Por, e veçanta kuptimisht e rëndësishme dhe arstistikisht e dukshme e këtij
romani është dashuria prej autores e quajtur figurshëm “ndryshe” dhe kjo
ndryshe do të thotë: dashuri me përkushtim moral shumë nderimmeritues. Protagonistja e romanit Ema dashurohet në një
të ri, student, me emrin Guri, të cilin rrethanat e kobshme jetësore në mërgim
e bëjnë të varur prej drogës. Dhe këtë varësi ai do ta sjellë edhe në vendin e
vet, kur të kthehet prej emigrimit, natyrisht në sajë të këmbënguljes së
pandalshme të Emës. Përkushtimi i Emës ndaj Gurit dhe fëmijës që ka me të,
më në fund ia kthejnë jetën dhe kuptimin dashurisë midis tyre. Timua na thotë
se leximi i kësaj vepre krijon efektin e
ajrit dhe të dritës dhe kjo në thelb është magjia e krijimit të Albina Idrizit.
Sarandë,
më gusht 2021