SI
E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN
Nga Timo MERKURI
Emri i Jusuf Gërvallës
u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas
vrasjes së tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar
tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull
edhe për faktin se për vrasjen u akuzua direkt UDB Jugosllave.
I-Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo
zyrtare informacioni se: Jusuf Gërvalla ishte
një i ri kosovar, aktivist politik që po organizonte diçka të madhe për
Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me
Udhëheqësin. Madje pëshpëritej se
arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti pse ishte takuar me
Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do
t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë ngjarja, shihej si provë e vërtetësisë së mësimeve dhe porosive
të udhëheqjes së vendit mbi veprimtarinë antishqiptare të shërbimeve sekrete të
shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi për vigjilencë revolucionare”.
Pak
më vonë qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit Jusuf Gërvalla hynte e dilte shpesh në vendin tonë,
ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literature, informacion ky që
mbështeste teorinë se Tirana e kuqe ishte qëndër e lëvizjes botërore për liri,
ndërsa Jusuf Gërvalla ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip
“ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se “koburja” e tij ishte
pena dhe kitara.
Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe gazetar
i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë, dhe mqse u hodh në qarkullim një fotografi e
tij me kitarë në dorë, gazetarit ju
shtua edhe emërtimi ”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës
së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i
këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij
aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin
vlerësuar (ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit,
instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa
krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknike dhe
mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në
popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.
Përkundër frymës zyrtare të kohës,
poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën si një
poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një
ligjërim lirik në poezitë e tij me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes,
të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.
Në ato vite isha me punë në Helshan të
Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e
mi poetë më ranë në dorë poezitë e para
të tij. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i
dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur
shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej
emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja. Ishte koha e
bashkë-bisedimit në heshtje. Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të
Jusufit. Në heshtje m’i dha ai, në
heshtje ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para
herë në historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe
lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje
gjëmimtare.
Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte
gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë
flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e
folura e tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në
shkëmb kur del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.
Pas një “heshtjeje” të thellë për
“vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar (1981), kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re
që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e
frikëshme.
II- Unë i lexova
poezitë e Jusuf Gërvallës që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk
mund të them që u mrekullova. Është më e saktë që t’ju them se u hutova. U
hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat
kishin një si dritësim në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha për
ta “parë”. Ndoshta vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së
autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me
një antologji poetike dhe më pas me përmbledhje të zgjedhura të një sërë
poetësh të njohur ishte një dritësim tronditës në qiellin e poezisë shqipe.
Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa
dritare[1], në të cilat ndezja e qirinjve pranë
ikonave të turbullonte pamjen e tyre, veç faktit që asfiksonte të pranishmnit.
Në këto kisha vogëlane dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut kur këndonin
liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët bënin kryqin me një “amin”
të njëzëshëm.
Ndërkohë hyrja në vendin tone në
vitet ’80 e poezisë kosovare me metaforat dhe stilin e saj, ishte si të
hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te “kishat e vogëla”, duke
lejuar depërtimin e dritës dhe ajrit të
freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i
pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”,
atëherë nisi “herezia” e vërtetë poetike.
III-Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës
fliste heshtja dhe “heshtëte”
propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i
shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël reth 10
vjeçare, e cila i dhuroi një tufë
karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë[2], të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i
përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza
e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky
njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori,
ndonëse fizikisht të panjohur. Pas këtij informacioni zëulët populli u
elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë. Ishte
shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës.
Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të
kryeqytetit, punëtorë e fshatarë që
parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së
udhëheqjes: brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e
manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një
event i veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i
vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i
shtetit, duke lënë të kuptohet se
familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe
se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një
ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet
dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë, kuadratet e njerëzve u prishën dhe u
dyndën para tribunës. Kuadrati tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve
dhe brohoritjet para tribunës. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe
udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhimshuri për
“jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe
duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë,
veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokisnin. Në
fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e
udhëheqësit në këtë manifestim ishte një
spektakël i organizuar me synim për rritjen e vlerës së aksioneve të partisë
dhe udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht paraqiti
shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime[3]
.
IV-Lajmi i botimit të librit me poezi
të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“ të
krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës[4] nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”,
Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë
shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha,
është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës
dhe sigurisht po i vihet në dorë
lexuesit një vepër poetike e admirueshme.
Unë e lexova parathënien dhe
përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e mi krijues
dhe lexues ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të Jusuf Gërvallës,
por ajo që dua të them specifikisht është se: këto botime cilësore kaq shumë të kërkuara dhe të
domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të
poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen.
Libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit
në Shqipëri, ashtu si dhe librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet
të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tejë. Është një letërsi, letërsi
shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë që duhen njohur gjerësisht nga masa e
lexuesve.
Jo më kot fola për misterin e
krijuar për arsye jo letrare, që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të
njohjes së tij nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull” botuar
në Tiranë në 1983 nuk e shpërndau“mjegullën”për arsye se nuk ju bë propogandimi
dhe shpërndarja e duhur, për arsye
gjithashtu jo letrare.
Prandaj miq e vëllezër, na i
dërgoni këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla është edhe yni sepse siç
ka thënë vetë ai: “Poeti nuk është vetëm i një treve, ose
vetëm i një populli, poeti është i të gjithëve [...] Poetët e mëdhenj të një
populli, kanë qenë dhe janë poetë të mëdhenj për të gjithë popujt[5]”.
Sarandë,
më 12.01.2022
1. Egzistojnë akoma disa
kisha të tilla në Jug të vendit, të cilat pushtuesi turk qëllimisht i lejonte
të ndërtoheshin të tilla...
2. Familja e Jusuf Gërvallës erdhi ilegalisht nga Zvicra në
Greqi dhe hyri në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavisë në datën 30
mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të Kakavisë kishte marë një ditë më parë
një fonogram urgjent nga Tirana për mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që
vinin” nga snaiperat serbë..
3. Kjo vajzë e vogël ishte Donika Gërvalla, e cila
gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet zyrtare duke luajtur si flautiste,
por identitetin dhe personalitetin e saj do ta shfaqte të plotë në vitin 1991,
kur si studente e Akademisë së Arteve do
të ishte aktive në lëvizjen antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë
në pranverën e atij vitit.
4. Veprat letrare të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë:
“Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975), “Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978),
“Shenja të shejta” (Shkup, 1980), “Rrotull” (Tiranë, 1983), Jusuf Gërvalla:
Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992.
5. Jusuf Gërvalla, Vepra 3.
Publicistikë 1. Shtëpia botuese Faik Konica,
Prishtinë 2017, f. 23.
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512