KUSHTRIMI QË NUK KËRKON MË BETEJA
Nga Timo Mërkuri
Qysh në vargjet e para ndjen se
kjo poezi e Natasha Lakos është një poezi ndryshe. Është nga ato tekste që të
ndryshojnë mënyrën e leximit. Pa e kuptuar ende ku do të të çojë, ndien se ke
hyrë në një hapësirë tjetër poetike, larg atij lirizmi të qetë e reflektiv me
të cilin jemi mësuar ta njohim autoren. Në hovin e parë të fjalëve, në ritmin e
tyre të dendur dhe vrullin me të cilin ndjekin njëra-tjetrën, poezia të krijon
ndjesinë e një kavalerie që vrapon me revan.
Vargu nuk qëndron gjatë mbi një
imazh të vetëm dhe as kërkon strehë në vetminë e meditimit lirik. Ai lëviz
pareshtur, mbledh rreth vetes sende, dukuri, njerëz, institucione, zëra e kundërthënie,
duke krijuar përshtypjen e një bote që kalon para syve si ujërat e një lumi të
turbullt pas reshjeve. Tingulli dhe kuptimi ecin bashkë në këtë poezi. Herë
fjala duket se e udhëheq ritmin, herë ritmi e tërheq pas vetes.
Edhe forma e poezisë e shpall këtë ndryshim.
Në vend të përqendrimit të zakonshëm lirik, këtu hasim renditje të gjata,
afërsi tingullore, përsëritje dhe një energji që herë ngjan me marshimin e një
turme, herë me jehonën e një kushtrimi që zbret nga lartësitë e kohës. Grotesku
bëhet më i dukshëm, ironia fiton terren, ndërsa shqetësimi qytetar del në
sipërfaqe si një burim që nuk mund të mbulohet më.
Megjithatë, ndryshimi duket në
sipërfaqe. Poshtë saj, poezia mbetet e njëjta në thelb. Nën këtë ritëm të
vrullshëm vazhdon të rrahë e njëjta ndjeshmëri njerëzore që e ka shoqëruar
Natasha Lakon në gjithë krijimtarinë e saj. Është po ai shqetësim për njeriun,
për fatin e vlerave dhe për plagët e kohës, vetëm se kësaj here nuk flet me zë
të ulët. Del në mes të sheshit dhe kërkon të dëgjohet.
Ndaj hyrja më e natyrshme në
universin e kësaj poezie nuk kalon nga ritmi, figuracioni apo satira e saj. Ajo
kalon nga titulli. Janë vetëm dy fjalë, por ato mbajnë mbi supe kujtesën e një
kohe historike dhe peshën e një simbolike të rrallë. "E mbë ta!" nuk
është thjesht emri i poezisë. Është porta e parë kuptimore e saj, flamuri që
valëvitet mbi të gjithë tekstin dhe thirrja prej së cilës fillon e merr kuptim
gjithë lëvizja e kësaj poezie.
I. Titulli si histori, simbol dhe
kujtesë.
Në poezinë "E mbë ta!",
titulli nuk është thjesht porta hyrëse e tekstit. Ai vjen përpara poezisë si
një jehonë e largët që ende nuk është shuar në kujtesën shqiptare. Dy fjalë të
shkurtra, por me peshën e një ngjarjeje që koha nuk ka mundur ta zbehë.
“E mbë ta!” – “Mbi ta!” – është një kushtrim lufte. Një thirrje që
sipas kujtesës historike lidhet me Lekë Dukagjinin në ditët e një beteje me
ushtrinë osmane, kur ushtria shqiptare mori lajmin se Gjergj Kastrioti ndodhej
në shtratin e vdekjes dhe mund të mbaronte nga çasti në çast. Shqiptarët duhej
të ktheheshin në Lezhë për të përcjellë kryezotin e tyre, por nuk mund ta linin
betejën dhe ushtrinë turke. Kjo ushtri duhej të shpartallohej, jo thjesht të
mposhtej. Lekë Dukagjini lëshoi kushtrimin dhe ushtria shqiptare vërshoi mbi
pushtuesin osman si lumi kur del nga shtrati në një dimër të egër. Ndaj kujtesa
jonë thirrjen “E mbë ta” nuk e ka ruajtur vetëm si një urdhër lufte, por më së
shumti si një flamur besimi që valvitej kur gjithçka dukej se po gremiej
përreth. Ishte një nga ato çaste kur historia duket sikur ndalet për një
frymëmarrje dhe pret të shohë nëse ky popull do të gjejë forcën të vazhdojë më
tej.
Nuk është rastësi që Natasha Lako
zgjedh pikërisht këtë kushtrim për titullin e poezisë. Ajo e merr nga historia
për t'i folur kohës sonë. Historia nuk vjen si kujtim. Vjen si një prrush që
ende djeg, edhe pse nga një zjarr i vjetër.
Në poezi nuk ka beteja, kalorës
apo shpata. Megjithatë, që në vargjet e para ndiejmë një botë të trazuar, ku
përzihen "sallat",
"stallat", "vlerat", "vitrinat",
"mandatet", "dekoratat" ; një botë ku "dridhen burrëritë" dhe ku "këputen frenat". Nuk është fusha e
betejës së shekullit XV, por nuk është as një botë që gjen paqe me vetveten.
Dhe pikërisht këtu titulli nis të
hapë kuptimet e tij më të thella. Kushtrimi i dikurshëm në këtë poezi nuk të
fton kundër një ushtrie pushtuese. Ai të fton të përballesh me gjithçka që
cenon njeriun dhe vlerat e tij. Kundër mjegullimit të së vërtetës, kundër
shpërfytyrimit të jetës publike, kundër lodhjes morale që i bën njerëzit të
pajtohen me të papranueshmen.
Kështu, "E mbë ta!" pushon së qeni një kujtim historie dhe
shndërrohet në simbol. Në simbolin e reagimit. Në simbolin e refuzimit për të
qëndruar duarkryq përballë asaj që të shqetëson. Ai qëndron mbi të gjithë
poezinë si një flamur që valëvitet, ndërsa poshtë tij kalojnë ritmet, ironia,
grotesku dhe shqetësimet e kohës sonë.
Sa më shumë i afrohesh fundit të
poezisë, aq më qartë kupton se Lako nuk ka marrë nga historia ashpërsinë e
kushtrimit, por forcën e tij morale. Ajo nuk thërret kundër njerëzve . Thërret kundër dukurive që varfërojnë
shpirtin dhe errësojnë ndërgjegjen.
Prandaj kur poezia mbyllet me
vargjet:"E mbë ta,/dashuri sa vajti ora,/të kthehet zemra nga e tëra," titulli
ka përfunduar udhëtimin e vet. Ka ardhur nga zhurma e një beteje mesjetare dhe ka
mbërritur te zemra e njeriut, aty ku gjen kuptimin e tij më të plotë.
E parë në këtë kontekst "E
mbë ta!" nuk është në këtë poezi një zbukurim historik dhe as një kujtim i
së kaluarës. Është një fjalë e ardhur nga shekujt për t'i folur së tashmes. Si
një kambanë e vjetër që nuk është shuar ende, ajo dëgjohet në sfondin e kohës.
II. Arkitektura tingullore dhe
melodiciteti i poezisë
Nëse titulli është kushtrimi që
hap poezinë, ritmi është fryma që e përshkon nga fillimi deri në fund. Te
"E mbë ta!" tingulli nuk vjen pas kuptimit. Shpesh ndodh e kundërta.
Së pari dëgjon poezinë dhe vetëm pastaj nis të depërtosh në shtresat e saj
kuptimore. Ajo hyn te lexuesi jo vetëm përmes mendimit, por edhe përmes veshit.
Që në hapje krijohet ndjesia e
një lëvizjeje të pandërprerë:"Përpara
në salla, në stalla, në sera, në vlera, në viehrra, në të tjera,/të
blera." Fjalët nuk rrinë qetë. Shtyhen njëra pas tjetrës, si të mos
kenë kohë të ndalen. Përsëritja e parashtesës "në" krijon ritmin e hapave, ndërsa tingujt e afërt e mbajnë
vargun në një lëvizje të vazhdueshme. Që këtu ndihet se poezia nuk është
ndërtuar për t'u lexuar vetëm me sy. Ajo kërkon zë.
Ky vrull tingullor vazhdon në
gjithë tekstin: "në pishina, në
vitrina, në kabina, në makina" dhe më tej: "e klasave (të nxënësve)”,e glasave (të zogjve), e rasave, (të varreve),
të kasave (të parave), të karkasave (të shërbëtoreve)" ku fjalët nuk
funksionojnë si përkufizime. Në dukje kemi një lojë fjalësh, por në të vërtetë
kemi një organizim të kujdesshëm muzikor. Tingulli afron fjalët pranë
njëra-tjetrës dhe, bashkë me to, afron edhe botë kuptimore që zakonisht
qëndrojnë larg njëra-tjetrës. Dhe muzika e saj nuk qëndron më si zbukurim.
Bëhet vetë mendim.
Në gjithë poezinë ndihet prania e
dendur e zanores "a". Është zanorja më e hapur e shqipes dhe ndoshta
më kumbimtarja. Ajo dëgjohet te "salla",
"stalla", "vlera", "pará", "mandate",
"inondata", "rasave", "karkasave". Kjo përsëritje
i jep poezisë jehonë dhe hapësirë. Tingulli hapet, përhapet dhe mbush vargun si
një kambanë që vazhdon të dridhet dhe jehojë edhe pasi mbaron goditja.
Por krahas kësaj hapjeje dëgjohen
vazhdimisht edhe bashkëtingëlloret e forta. "K"-ja, "g"-ja,
"t"-ja dhe "r"-ja krijojnë një strukturë më të ashpër, më
tokësore, më energjike: "torollakët,
njomzakët, boshnjakët, oxhakët" ose: "dridhen dhembjet,
koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë..." ku tingulli fiton peshë fizike. Duket sikur fjalët nuk shqiptohen,
por përplasen. Ritmi nuk rrjedh më si ujë; ai troket, godet dhe zgjon.
Edhe përsëritjet kanë një rol të
veçantë. Fjala "përpara" rikthehet si një refren i fshehtë, si një
shtytje e vazhdueshme drejt lëvizjes. Po kështu edhe vargu i foljeve: "rrëzohen", "dridhen",
"këputen", "kthehen", "numërohen". të krijon
ndjesinë se poezia duket sikur merr frymë nëpërmjet tyre. Çdo folje sjell një
lëvizje të re, një valë të re ritmike, derisa teksti fiton energjinë e një
organizmi të gjallë.
Melodiciteti i kësaj poezie nuk
qëndron vetëm te vrulli. Qëndron edhe te ndryshimi i tij. Në fillim ritmi
grumbullohet dhe përshpejtohet, më pas errësohet nga vargje si: "këputen frenat, hienat, venat"
apo: "kthehen në varr të vrarët,
qofëlargu, dimri, behari" Duket sikur vetë tingulli mbart peshën e
trazimit që përshkon poezinë.
Dhe pastaj, pas gjithë këtij
vërshimi, vjen qetësimi. "E mbë
ta,/dashuri sa vajti ora,/të kthehet zemra nga e tëra." Pas zhurmës së
ritmeve, pas dendësisë së tingujve dhe grumbullimit të fjalëve, poezia mbërrin
te një ton më i butë. Është sikur një erë e fortë të pushojë papritur dhe mbi
ujë të mbetet vetëm lëkundja e fundit e valës. Ritmi nuk shtyn më. Tani ai fton
për reflektim.
Kjo është arsyeja pse melodiciteti
në "E mbë ta!" nuk mund të shihet si zbukurim i jashtëm i vargut. Ai
është një nga themelet e poezisë. Tingulli, ritmi, zanoret, bashkëtingëlloret
dhe përsëritjet punojnë së bashku si fijet e të njëjtit endje poetike. Shpesh
jehona e tyre mbërrin te lexuesi një çast më parë se kuptimi, dhe pikërisht aty
qëndron një pjesë e magjisë së kësaj poezie.
III. Leksiku poetik dhe bota e
fjalëve .
Te poezia "E mbë ta!" një pjesë e
madhe e forcës buron nga vetë fjalët. Nga mënyra si janë zgjedhur, si janë
afruar pranë njëra-tjetrës dhe si krijojnë një botë që herë të habit, herë të
trondit dhe herë të bën të buzëqeshësh me hidhërim.
Që në leximin e parë ndien se Lako
nuk zgjedh një leksisk heroic, kalorsiak apo epic siç mund të pritej nga një
poezi që mban titullin e një kushtrimi lufte mesjetar, madje leksiku i kësaj
poezie nuk vjen nga një burim i vetëm. Është si një lumë që nuk di nga i vijnë
ujërat. Në të gjen fjalë të jetës së përditshme, të politikës, të
administratës, të familjes, të natyrës, të vdekjes e të dashurisë. Të gjitha
hyjnë në të njëjtin varg pa kërkuar leje nga njëra-tjetra.
Shihni si afrohen: "në salla, në stalla, në sera, në vlera..."
dhe pak më tej: "në pishina, në
vitrina, në kabina, në makina..." Në dukje kemi një lojë tingujsh, por
realisht pas tingullit qëndron një botë e tërë. Këtu bashkëjetojnë hapësira të
jetës publike, të jetës private dhe të botës së konsumit. Është sikur poetja të
mos zgjedhë asgjë për të lënë jashtë. Ajo e merr kohën me gjithçka që mbart mbi
supe dhe e fut në poezi.
Madje shpesh duket sikur fjalët
nuk janë zgjedhur për atë që emërtojnë, por për atë që zbulojnë kur vendosen
pranë njëra-tjetrës. Një "dekoratë"
pranë një "mandati"
tingëllon krejt ndryshe nga sa do të tingëllonte e vetme. Një "autopsi" pranë një "autorësie" krijon një drithërimë të
çuditshme ku jeta dhe vdekja, krijimi dhe fundi, prekin njëra-tjetrën për një
çast:"rrëzohen pemë, sejmenë,
autorësi, autopsi." Është një nga ato vargje ku fjala duket sikur heq
petkun e zakonshëm dhe nxjerr në dritë kuptime të fshehura.
Po kështu ndodh me sekuencën:
"e klasave (të shkollave), e glasave
(të oborreve), e rasave (të mortoreve), të kasave (të thertoreve), të karkasave
(të shërbëtoreve)". Fjalët lidhen nga tingulli, por jo nga kuptimi.
Kjo mospërputhje krijon një ndjesi çorientimi, sikur realitete që zakonisht
qëndrojnë larg njëri-tjetrit të jenë hedhur papritur në të njëjtën hapësirë
poetike. Në fillim tingulli krijon një lloj loje. Por sa më shumë ecën vargu ,
aq më qartë kuptohet se kemi të bëjmë me më shumë se një lojë tingujsh.
Në poezi ka shumë fjalë që
mbartin peshë rrënimi: "këputen
frenat, hienat, venat" ose: "kthehen
në varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari." Por përballë tyre
qëndrojnë fjalë të tjera, më të buta, më njerëzore. Mes gjithë kësaj dendësie
shfaqen "lulet",
"rinia", "bukuria", "shtëpia". Ato nuk zënë
shumë vend në tekst, por prania e tyre është e mjaftueshme për të treguar se
poezia nuk e ka humbur besimin te njeriu.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron
një nga bukuritë e leksikut të kësaj poezie. Ai nuk është as i pastër dhe as i
qetë. Është i trazuar si vetë koha që pasqyron. Fjalët e bukura dhe fjalët e
ashpra, fjalët e jetës dhe ato të vdekjes, fjalët e shpirtit dhe ato të
burokracisë, lëvizin në të njëjtin qark poetik. Ashtu si në jetën e përditshme,
ku bukuria dhe banaliteti shpesh ndajnë të njëjtën trotuar.
Dhe kur poezia mbërrin në fund,
pas gjithë kësaj vorbulle fjalësh, mbetet vetëm ajo që ka më shumë peshë se të
gjitha: "E mbë ta,/dashuri sa vajti
ora,/të kthehet zemra nga e tëra." Nuk është rastësi që poezia
përfundon te "dashuria" dhe
te "zemra". Pas gjithë
fjalëve që emërtojnë sendet, postet, deformimet, rrënimet dhe groteskun e
kohës, poetja kthehet te fjala më e vjetër e njeriut: zemra.
Prandaj leksiku i “E mbë ta!” nuk
mbetet thjesht një rend fjalësh, por shndërrohet në një terren ku kuptimet
ndërrojnë vend pa paralajmërim. Është si një pasqyrë e çarë, ku koha nuk
kthehet e rregulluar, por e shpërndarë në shumë fytyra njëherësh, secila duke
reflektuar një tjetër dridhje të së njëjtës botë.
Në këtë hapësirë, fjala nuk
zbukuron dhe as shpjegon: ajo ekspozon. Dhe Natasha Lako nuk e zbut këtë
ekspozim; ajo vetëm e vendos përpara nesh, si një peizazh që nuk kërkon miratim
për të qenë i vërtetë. Prej këtu, edhe vetë fjalët e poezisë bëhen pjesë e
kushtrimit të saj- jo si zë i ngritur, por si gjurmë që mbetet. Dhe ndonjëherë,
pikërisht gjurma është forma më e qëndrueshme e thirrjes.
IV. Figuracioni artistik dhe
krijimi i imazhit poetik
Një nga veçoritë më interesante
të poezisë "E mbë ta!" është mënyra se si Natasha Lako ndërton
figuracionin e saj. Lexuesi që kërkon metafora të mëdha, simbole të shpallura apo
imazhe të ndërtuara sipas traditës klasike, mund të mbetet fillimisht i hutuar.
Poezia duket sikur ecën në një drejtim tjetër. Ajo nuk ndalet për të gdhendur
gjatë një figurë të vetme, por krijon vazhdimisht figura të reja nga afërsia
dhe përplasja e fjalëve.
Prandaj, kur flasim për
figuracionin artistik të kësaj poezie, duhet të nisemi nga një vëzhgim i
thjeshtë: Natasha Lako këtu flet më shumë me imazhe sesa me metafora. Në këtë
lexim, unë e shoh poezinë më shumë si një rrjedhë perceptimi sesa si një ndërtim
figurash të fiksuara.
Kjo nuk do të thotë se metafora
mungon. Përkundrazi, ajo është e pranishme në shumë vende të tekstit, por nuk
qëndron në qendër të vëmendjes. Ajo vepron në heshtje, si një rrymë e
nëndheshme që ushqen kuptimin e përgjithshëm të poezisë. Në plan të parë del
imazhi.
Imazhi nuk ndërtohet nga
përshkrimi. Nuk krijohet nga vizatimi i një tabloje poetike. Ai lind nga
grumbullimi i fjalëve.
Mjafton të lexojmë: “përpara në salla, në stalla, në sera, në
vlera, në vjehrra, në të tjera” ose: “në pishina, në vitrina, në kabina, në
makina”. Në leximin tim, kjo është një nga ato raste kur gjuha nuk
përshkruan realitetin, por e përthith dhe e shpërndan atë.
Në vetvete, këto fjalë nuk janë
figura artistike, por të vendosura pranë njëra-tjetrës krijojnë një panoramë të
lëvizshme të realitetit. Lexuesi nuk sheh një objekt të vetëm. Ai sheh një botë
që kalon me shpejtësi para syve, si një karvan pamjesh që nuk ndalet askund.
Pikërisht këtu shfaqet figura që mban mbi supe një pjesë të madhe të poezisë:
enumeracioni, renditja e pandërprerë e fjalëve.
Në shumë poezi enumeracioni është
figurë ndihmëse. Te "E mbë ta!" ai bëhet figurë themelore. Nga ai
lind ritmi, muzikaliteti, ironia. Madje
edhe vetë imazhi poetik shpesh është produkt i tij.Kjo vërehet më qartë në
sekuenca të tilla si: "numërohen
lulet, fasulet, koburet, bien poturet"
Në dukje kemi vetëm një varg
fjalësh të afërta tingullisht, por ndërmjet tyre krijohet një tension
figurativ. Lulja, fasulja, koburja dhe poturja i përkasin botëve të ndryshme.
Kur futen në të njëjtin varg, ato fillojnë të prodhojnë një imazh grotesk të
një realiteti ku e bukura, e zakonshmja dhe e dhunshmja përzihen pa kufi.Në
këtë mënyrë poetja nuk e përshkruan kaosin, ajo e krijon atë para syve tanë.
Një rol të veçantë luajnë edhe
personifikimet. Në disa raste ato shfaqen natyrshëm, pothuaj pa u vënë re, por
ndikimi i tyre është i fortë. Kur lexojmë:"dezinfektohen të vërtetat"e kuptojmë menjëherë se nuk kemi të
bëjmë me një pohim realist. E vërteta paraqitet si një qenie e gjallë që mund
të infektohet dhe më pas të pastrohet. Në një varg të vetëm krijohet një
metaforë e fuqishme për mënyrën si trajtohet e vërteta në shoqërinë moderne.
Po kështu ndodh edhe te:"vigjëlon policia, rinia, bukuria, shtëpia,
kakërdhia" konceptet dhe nocionet abstrakte marrin jetë. Rinia,
bukuria apo shtëpia dalin nga gjendja e tyre statike dhe hyjnë në lëvizje. Bota
e poezisë fillon të marrë frymë si një organizëm i vetëm.
Metafora, nga ana tjetër, nuk
paraqitet si figurë e izoluar, por si gjendje e përgjithshme e tekstit.Kur
poetja shkruan:"dridhen dhembjet,
koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë" dridhja kalon nga trupi te
morali. Kockat mund të dridhen fizikisht, por burrëritë dhe fuqitë dridhen në
një kuptim tjetër. Këtu metafora zgjeron kuptimin e vargut dhe e kthen një
lëvizje fizike në një gjendje shpirtërore e shoqërore.
Po kështu:"këputen frenat, hienat, venat"krijon
një nga imazhet më të forta të poezisë. Humbja e kontrollit, agresiviteti dhe
dëmtimi jetësor bashkohen në të njëjtën hapësirë figurative. Një varg i vetëm
arrin të përcjellë ndjesinë e një rendi që po shpërbëhet.
Këtu hyn në lojë grotesku, i cili
është një nga ngjyrat më të dallueshme të figuracionit të kësaj poezie. Shumë
nga imazhet e saj lindin pikërisht nga bashkimi i elementeve që normalisht nuk
qëndrojnë bashkë. Është si të shohësh copëza të ndryshme pasqyrash të thyera që
papritur formojnë një portret të vetëm. Ky portret nuk është i bukur në
kuptimin tradicional të fjalës, por është tronditës dhe i vërtetë.
Prandaj, nëse do të kërkonim
figurën qendrore të kësaj poezie, vështirë se do ta gjenim te një metaforë e
vetme. Figura qendrore është vetë mekanizmi figurativ që krijon Lako. Është
aftësia për të marrë fjalë të zakonshme dhe për t'i vendosur në marrëdhënie të
papritura me njëra-tjetrën, derisa prej tyre të lindë një imazh i ri.
Në fund të leximit nuk mbetet në
kujtesë një metaforë e veçuar. Mbetet një tablo e madhe lëvizëse ku përzihen
"dekoratat",
"mandatet", "lulet", "koburet",
"burrëritë", "frenat", "të vërtetat" dhe "zemra".
Dhe pikërisht kjo tablo, e ndërtuar nga tingulli, ritmi, figurat dhe
asociacionet, përbën një nga arritjet më të veçanta artistike të poezisë
"E mbë ta!".
V. Grotesku si gjuha e një kohe
të çoroditur
Grotesku këtu nuk është zbukurim.
Ai vjen vetë nga mënyra si është ndërtuar bota e poezisë. Bota duket sikur ka
dalë nga boshti i saj dhe sendet, njerëzit, idetë e stinët humbin vendet e tyre
të zakonshme. Prandaj lexuesi nuk përballet me një peizazh të qetë e të
rregullt, por me një panoramë ku gjithçka lëviz, përplaset dhe ndërthuret në
mënyrë të papritur. Këtu grotesku nuk shihet më. Ai ndihet..
Domethënëse në këtë drejtim
është: "rrinë mbrapa torollakët,
njomzakët, boshnjakët, oxhakët". Në pamje të parë duket sikur kemi
vetëm një lojë tingujsh, por pas saj fshihet një vizion poetik. Njerëz dhe
sende vendosen në të njëjtin rresht: torollakët e njomzakët i përkasin botës
njerëzore, ndërsa oxhakët botës së objekteve. Në një lexim më të thellë,
grotesku këtu nuk është vetëm përzierje kategorish, por shenjë e humbjes së
kufijve që e mbajnë realitetin të qëndrueshëm. Pikërisht kjo afërsi krijon një
çrregullim të lehtë logjik, prej të cilit lind grotesku. Bota humbet qartësinë
e saj të zakonshme dhe kufijtë mes kategorive fillojnë të treten.
Më tej poezia na çon drejt një
imazhi edhe më befasues: “kthehen në varr
të vrarët, qofëlargu, dimri, behari”. Ky është një nga ato vargje që nuk
shpjegohen menjëherë. Ato mbeten gjatë edhe pasi mbyllet leximi. Në të njëjtën
lëvizje kthehen në varr jo vetëm të vrarët, por edhe dimri e behari. Stinët
hyjnë në të njëjtin ritual mortor me njeriun. Realja dhe simbolikja
bashkëjetojnë pa rezistencë logjike, si në një ëndërr të trazuar ku koha merr
pjesë në ceremoninë e humbjes. Në disa vargje grotesku bëhet aq i mprehtë, sa
realiteti pushon së qeni pamje dhe shndërrohet në ndjesi. Pikërisht aty poezia
prek frymën e ekspresionizmit. Nuk kemi më përshkrimin e një bote të
çrregulluar, por përjetimin e saj të brendshëm, ankthin që ajo zgjon dhe
tronditjen që lë pas. Deformimi nuk i përket më vetëm sendeve apo situatave,
por vetë mënyrës se si ndërgjegjja e percepton realitetin. Këtu grotesku prek
kufijtë e surrealizmit. Ai nuk synon të deformojë realitetin, por të ekspozojë
shtresën e tij të fshehtë. Herë-herë, vetëm një çrregullim i tillë poetik mund
të zbulojë të vërtetën e thellë të kohës. Koha nuk rrjedh më; ajo përmbyset.
Po aq i fuqishëm është edhe
pasazhi: “krihen trumbetat, kuletat,
dezinfektohen të vërtetat, xhaketat”, ku bota materiale dhe ajo morale
trajtohen në të njëjtin rrafsh. Trumbetat dhe kuletat krihen sikur të kishin
flokë, ndërsa njëkohësisht dezinfektohen xhaketat dhe të vërtetat. Vetë mënyra
si vendosen pranë njëra-tjetrës krijon një buzëqeshje të hidhur që e shoqëron
lexuesin gjatë gjithë poezisë, duke ndryshuar vazhdimisht tonin e saj. Të
krijohet përshtypja e një shoqërie që kujdeset me të njëjtin zell për
paraqitjen e jashtme dhe për të vërtetën, duke i kthyer të dyja në objekte
procedure.
Në këto vargje grotesku merr
ngjyrat e satirës. Ai nuk bërtet dhe nuk akuzon drejtpërdrejt; mjaftohet të
vendosë gjërat pranë njëra-tjetrës dhe absurdi fillon të flasë vetë. Ajo që
duket si lojë gjuhësore, në fakt merr peshën e një diagnoze sociale.
Një tjetër moment i rëndësishëm
është:"vigjëlon policia, rinia,
bukuria, shtëpia, kakërdhia" ku kemi një grumbullim që në dukje nuk
ndjek asnjë logjikë. Policia është institucion, rinia është moshë, bukuria
është cilësi, shtëpia është hapësirë, ndërsa kakërdhia sjell një nuancë krejt
tjetër emocionale. Megjithatë, të gjitha futen nën të njëjtën folje: "vigjëlon".
Kjo krijon ndjesinë se e gjithë
shoqëria është zgjuar natën. Sikur mbi të të ketë rënë një shqetësim i
përbashkët dhe secili, në mënyrën e vet, shikon si të ruajë diçka që rrezikon
të humbasë. Vargu fiton kështu një tension të heshtur që shkon përtej lojës
tingullore.
Por grotesku nuk mbetet vetëm te
deformimi i realitetit. Në fund ai hap rrugën drejt një kuptimi më të thellë, të
cilin e ndiejmë te vargjet: "të
barabartë në baltë, në hartë"
Në pak fjalë poetja vendos pranë
dy realitete të largëta: balta na kthen te origjina tokësore e njeriut, ndërsa
harta te organizimi i botës, kufijtë, shtetet dhe identitetet. Përballë fatit
njerëzor, të dyja bëhen të barabarta. Grotesku zbutet dhe shndërrohet në
reflektim.
Po kështu ndodh edhe te:"të lumtur në sytë që janë të parë,/dhe zemrat
që e kanë mendjen te vrapi" ku pas gjithë asaj parade figurash të
çuditshme, pas gjithë asaj bote që duket sikur ka humbur ekuilibrin, poetja rikthehet
te njeriu. Te sytë, te zemra. Te dëshira për të ecur përpara. Kjo është arsyeja
pse grotesku i Lakos nuk mbetet kurrë nihilist. Ai nuk ndërtohet për të
shpallur dështimin e botës, por për të treguar plagët e saj.
Në fund të fundit, grotesku i
"E mbë ta!" ngjan me një pasqyrë të krisur. Pamja që ajo kthen nuk
është e rregullt dhe as e qetë. Por pikërisht nëpërmjet atyre krisjeve bëhen më
të dukshme deformimet, kontradiktat dhe shqetësimet e kohës sonë. Dhe ndoshta
kjo është arsyeja pse poezia vazhdon të na ndjekë edhe pas leximit: sepse nën
humorin e hidhur, nën absurditetin e qëllimshëm dhe nën lojën e fjalëve, rreh
vazhdimisht një shqetësim thellësisht njerëzor për njeriun dhe botën që ai po
ndërton. Ndoshta kjo është arsyeja pse ky grotesk nuk lexohet si stil, por si
gjendje. Dhe pikërisht në këtë gjendje, poezia e Lakos e humb dekorin dhe fiton
peshën e një realiteti të dytë.
VI. Satira dhe shikimi kritik i
realitetit.
Nëse do të hiqnim për një çast
ritmin e vrullshëm, lojën tingullore dhe shtresën groteske të poezisë, do të
shihnim se në thelbin e saj "E mbë ta!" mbart një vështrim kritik mbi
realitetin bashkëkohor. Nuk është një kritikë e drejtpërdrejtë, e ndërtuar mbi
emra, ngjarje apo rrethana konkrete. Ajo është më e gjerë dhe më shumë se ndaj
individëve, drejtohet ndaj dukurive.
Kjo është arsyeja pse poezia nuk
ka personazhe të mirëfilltë. Në vend të tyre kemi kategori, sende, nocione,
role shoqërore dhe gjendje njerëzore. Poetja duket sikur po përpiqet të
vizatojë jo fytyrën e një njeriu të vetëm, por portretin e një kohe.
Një nga treguesit më domethënës
të kësaj prirjeje janë vargjet:"përpara
në demontime, përfitime, thërrime" ku lëvizja e fjalëve është
domethënëse. Nuk kemi ndërtim, por çmontim. Nuk kemi krijim, por përfitim. Dhe
në fund mbeten thërrimet. Brenda kësaj renditjeje të shkurtër duket sikur
poetja ka përmbledhur një përvojë të njohur të kohës sonë: nga ndërtimi te
përfitimi, e prej andej te thërrimet. "Brenda këtij renditjeje të shkurtër
duket sikur poetja ka përmbledhur një pjesë të përvojës sonë shoqërore, ku
shpesh energjia shpenzohet më shumë për të përfituar sesa për të ndërtuar.
Në këtë poezi kritika nuk
artikulohet me slogane, ajo lind nga vetë zgjedhja e fjalëve. Këtë e ndiejmë
edhe te vargu:"rrëzohen pemë,
sejmenë, autorësi, autopsi" ku në pamje të parë kemi një bashkim të
çuditshëm elementesh. Por pas këtij bashkimi fshihet një ndjenjë rrëzimi që
prek njëkohësisht natyrën, njeriun dhe vlerat. Pemët janë pjesë e jetës.
Autorësia lidhet me krijimin dhe identitetin. Kur të dyja përfshihen nga e
njëjta folje, krijohet ndjesia e një humbjeje më të gjerë se ajo materiale.
Në disa raste satira bëhet më e
mprehtë, mjafton të ndalemi te afërsia e fjalëve: "dekorata, mandate, inondata" Është e vështirë të mos
ndiesh këtu një ironi të fshehtë. Fjalët që zakonisht lidhen me prestigjin dhe
pushtetin vendosen pranë një fjale që sjell ndër mend përmbytjen dhe rrëmujën.
Kjo afërsi tingullore krijon një afërsi kuptimore që nuk ka nevojë për shpjegime
të gjata. Në këtë mënyrë poetja e arrin efektin satirik jo përmes akuzës, por
përmes vendosjes së gjërave pranë njëra-tjetrës.
Një tjetër element i rëndësishëm
është mënyra si paraqitet raporti i njeriut me botën që ka ndërtuar vetë. Në
një moment lexojmë:"përpara në të
para, në pará"
Kjo përsëritje tingëllon pothuaj
si jehonë. Fjala kthehet mbi veten dhe fiton një peshë simbolike. Paraja
realisht nuk shfaqet këtu si mjet, por si drejtim lëvizjeje. Si një pikë
gravitacioni rreth së cilës rrotullohen shumë prej energjive të jetës moderne.
Megjithatë te kritika e Natasha
Lakos nuk ka zemërim. Aty ka më shumë shqetësim.Kjo e bën poezinë më njerëzore.
Ajo nuk vendos veten mbi realitetin për ta gjykuar. Qëndron brenda tij dhe e
vështron me ankth. Është ankthi i dikujt që sheh se si gjërat po largohen nga
kuptimi i tyre fillestar.
Ndoshta për këtë arsye në fund të
poezisë rikthehen vazhdimisht fjalë që lidhen me njeriun dhe jo me sistemet,
institucionet apo pushtetin. Në qendër mbeten: "sytë" dhe "zemrat".
Sepse, në fund të fundit, kjo nuk është një poezi për dekoratat, mandatet,
kuletat apo poturet. As për sallat, vitrinat apo makinat. Të gjitha këto mbeten
shenja të një bote, në qendër të së cilës poetja kërkon ende njeriun.
Prandaj satira e "E mbë
ta!" nuk ka karakter shkatërrues. Ajo nuk synon të rrënojë ajo synon të
zgjojë. Është si një kambanë që bie në një qytet të zhurmshëm. Nuk bie për të
trembur njerëzit, por për t'u kujtuar se mes zhurmës së përditshme ekzistojnë
ende gjëra që meritojnë të dëgjohen.
Dhe pikërisht këtu satira lidhet
me titullin e poezisë. Sepse sa më shumë zbulojmë plagët që poetja sheh në
kohën e saj, aq më qartë kuptojmë pse ajo ndjeu nevojën të rikthejë nga kujtesa
historike një kushtrim të lashtë. Jo për të shpallur një luftë kundër njerëzve,
por për të mos lënë vlerat pas në vrapin e kohës.
VI. Shtresat kuptimore të poezisë
Një nga arsyet pse "E mbë
ta!" mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit është fakti se kjo poezi nuk
lexohet në një plan të vetëm. Sa herë rikthehesh te ajo, duket sikur nga pas
një shtrese shfaqet një tjetër. Si një tokë e lashtë ku çdo gërmim nxjerr në
dritë gjurmë të një kohe tjetër, edhe kjo poezi fsheh kuptime që nuk shfaqen
menjëherë në sipërfaqe.
Shtresa e parë është ajo që
lidhet me realitetin konkret të kohës sonë. Që në vargjet e para poezia na fut
në një hapësirë të mbushur me objekte, vende, njerëz dhe dukuri të jetës së
përditshme. Nuk kemi përballë një peizazh natyror apo një ngjarje të vetme.
Kemi një botë në lëvizje, një panoramë të shoqërisë bashkëkohore me ritmet,
çrregullimet dhe ethet e saj, një botë që
shfaqet veçanërisht në vargje si: "përpara
në të para, në pará, në fara, në fundësi, në rregullsi, në kërkueshmëri"
Në këtë grumbullim fjalësh
dëgjohet jehona e një kohe që vrapon pas interesit, pas fitimit, pas
përfitimit, pas kërkimit të vazhdueshëm të diçkaje që gjithnjë duket pak më
larg. Poetja nuk e gjykon drejtpërdrejt këtë realitet. Ajo vetëm e vendos para
nesh dhe e lë të flasë vetë.
Por nën këtë shtresë shfaqet një
tjetër, më e thellë dhe më e dhimbshme; shtresa
e pasigurisë njerëzore. Në një moment poetja shkruan: "këputen frenat, hienat, venat" dhe këtui në dukje kemi
vetëm një lojë tingujsh. Por në thelb vargu bart një ndjenjë humbjeje
kontrolli. Frenat lidhen me drejtimin, venat me jetën, ndërsa hienat me
instinktin grabitqar. Të treja bashkohen në të njëjtën lëvizje të këputjes.
Kështu pas realitetit konkret fillon të shfaqet një ankth më i thellë për
ekuilibrin e botës dhe të njeriut.
Një shtresë tjetër e poezisë
është ajo satirike. Natasha Lako nuk përdor satirën e drejtpërdrejtë. Ajo nuk
emërton individë, nuk ndërton karikatura dhe nuk shpall akuza. Satira e saj
lind nga afërsia e papritur e fjalëve dhe nga kontrastet që ato krijojnë.
Këtë e ndiejmë te vargjet:"në demontime, përfitime, thërrime" Tri
fjalë që në dukje i lidh vetëm tingulli, por që së bashku krijojnë historinë e
një degradimi. Nga ndërtimi kalohet te çmontimi, nga përfitimi te thërrmimi. Në
pak fjalë poetja arrin të përmbledhë një përvojë të tërë shoqërore.
Më tej shfaqet një shtresë etike,
e nënkuptuar më shumë sesa e shpallur. Ajo gjendet në shqetësimin që përshkon
poezinë nga fillimi deri në fund. Duket sikur autorja pyet vazhdimisht: çfarë
po ndodh me njeriun brenda gjithë këtij vorbulli?
Prandaj një rëndësi të veçantë
marrin vargje si: "të barabartë në
baltë, në hartë" ku poezia ngrihet mbi realitetin e ditës dhe prek një
të vërtetë më të gjerë. Përballë kohës, përballë tokës dhe fatit njerëzor,
dallimet që ndërtojmë mes nesh humbin një pjesë të rëndësisë së tyre. Balta dhe
harta bëhen dy pole të të njëjtit reflektim mbi ekzistencën.
Por shtresa më e thellë e
poezisë, sipas mendimit tim, është ajo humaniste. Pas gjithë ironisë,
groteskut, alarmit dhe shqetësimit, Lako nuk e humbet besimin te njeriu. Kjo
është arsyeja pse poezia nuk mbyllet me një imazh të errët dhe as me një
mallkim. Ajo mbyllet me zemrën. Këtë e parapërgatitin edhe vargjet:
"të lumtur në sytë që janë
të parë,
dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi"
Këtu ritmi i poezisë zbutet, tensioni
fillon të tërhiqet. Pas gjithë asaj parade objektesh, institucionesh, nocionesh
dhe absurditetesh, poetja rikthehet te njeriu konkret. Te sytë dhe zemra. Te
ajo pjesë e qenies njerëzore që vazhdon të kërkojë dritë edhe kur koha
errësohet.
Dhe pikërisht këtu shtresat e
ndryshme të poezisë bashkohen. Historia që fshihet pas titullit, satira e kohës
sonë, grotesku, shqetësimi etik dhe besimi te njeriu nuk ecin në drejtime të
ndryshme. Ato derdhen në të njëjtin shtrat kuptimor. Si përrenj që zbresin nga
anë të ndryshme të malit dhe bashkohen në një lumë të vetëm, edhe kuptimet e
poezisë përfundojnë te i njëjti mesazh: nevoja që njeriu të mos humbasë veten
në rrëmujën e kohës së vet.
Prandaj "E mbë ta!"
mbetet njëkohësisht poezi e shqetësimit dhe e shpresës. Ajo sheh plagët e
kohës, por nuk ndalet te plagët. Shikon përtej tyre, drejt mundësisë që zemra,
siç thotë vetë poetja në fund, të "kthehet
nga e tëra".
VII- Nga kushtrimi i luftës te
kushtrimi i zemrës
Edhe pasi mbyllet, poezia nuk
shuhet menjëherë; ajo vazhdon të lëvizë në mendje si jehonë e vonuar. Në fund
të poezisë, pas gjithë asaj vorbulle fjalësh, ritmesh, ironish, grotesku dhe
shqetësimesh, Natasha Lako nuk e lë lexuesin në mes të rrënimit që ka shfaqur.
Përkundrazi, ajo hap një dritare drejt njeriut. Kjo është ndoshta fitorja më e
madhe e poezisë. Kushtrimi i marrë nga një betejë e largët mesjetare, pasi ka
kaluar nëpër udhët e trazuara të kohës sonë, nuk përfundon te zemërimi apo
ndarja, por te nevoja për rikthim, për pajtim dhe për afrim me njeriun. .
Prandaj vargjet: “E mbë ta, /
dashuri sa vajti ora, / të kthehet zemra nga e tëra” nuk janë thjesht mbyllja e
poezisë. Ato mbajnë në vetvete kuptimin e saj më të thellë. Pas gjithë asaj që
shpërfytyron, lëndon dhe rrënon, poetja kërkon kthimin e njeriut te vetvetja,
te ndjenja dhe te tërësia e tij shpirtërore. Dashuria këtu nuk shfaqet si
ndjenjë e thjeshtë, por si një forcë që mbledh atë që koha, historia dhe
çrregullimi e kanë shpërndarë.
Pas gjithë asaj bote të trazuar që poezia e
shpalos përmes groteskut, ironisë dhe ankthit, mbetet ende besimi se njeriu
mund të kthehet te humanizmi i tij. Pikërisht këtu qëndron edhe forca e fundi
të poezisë: ai nuk tingëllon optimist sepse mohon plagët e kohës, por sepse i
vendos përballë mundësisë së kapërcimit të tyre, përmes rikthimit te njeriu dhe
te zemra e tij.
Në këtë mënyrë, “E mbë ta!” nuk
mbetet vetëm një poezi e shqetësimit dhe e tronditjes, por shndërrohet edhe në
një poezi të qetë shprese, ku pas gjithë zhurmës së botës dëgjohet ende zëri i
butë i humanizmit.
VIII. Kushtrimi dhe ndërgjegjja e
kohës
Në fund të poezisë mbetet një
pyetje që nuk mbyllet dot lehtë: kundër kujt lëshohet ky kushtrim? Dhe po aq e
rëndësishme, a është ende kushtrim në kuptimin e dikurshëm të fjalës?
Kushtrimi historik kishte
gjithmonë një shenjë të qartë përballë. Një armik, një emër. Këtu kjo qartësi
tretet. Nuk ka më një figurë përballë, por një gjendje që përhapet në të gjithë
hapësirën e jetës. Një rend që nuk qëndron në këmbë, pa pasur nevojë të rrëzohet
me zhurmë. Prandaj edhe kushtrimi i Lakos nuk ngjan me thirrje lufte. Ai duket
më shumë si reagim i brendshëm ndaj një bote që ka filluar të humbasë qartësinë
e vet morale. Jo ndaj dikujt, por ndaj asaj që e bën njeriun të mos e njohë më
veten në atë që e rrethon.
Në vargje, kjo ndjesi vjen si një
dridhje që nuk kursen asgjë: “dridhen
dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë, bulçitë, çingitë”. Edhe ato
që zakonisht e mbajnë njeriun drejt, këtu lëkunden. Sikur vetë struktura e
brendshme e qëndrueshmërisë të jetë prekur.
Pastaj vjen një rend i ftohtë,
gati i pamëshirshëm: “numërohen lulet,
fasulet, koburet”. Gjërat vendosen në të njëjtin rresht, pa hierarki, pa
dallim. Dhe pikërisht këtu fillon të ndihet çarja: kur gjithçka bëhet e
numërueshme, diçka nga kuptimi i botës humbet peshë.
Edhe më e fortë bëhet kjo ndjesi
kur jeta, përditshmëria dhe fundi i saj futen në të njëjtin qark tingullor: “e klasave… e glasave… e rasave…”. Nuk
ka më kufij të qartë mes tyre, vetëm një rrëshqitje e heshtur nga një gjendje
në tjetrën.
E megjithatë, poezia nuk mbetet
aty. Ajo e hap një dritë të vogël në fund, por të mjaftueshme: “të barabartë në baltë, në hartë”.
Përballë kësaj barazie të thjeshtë, bien shumë nga ndarjet që i japin njeriut
iluzionin e largësisë nga tjetri. Ndoshta pikërisht këtu fshihet edhe kuptimi
më i thellë i poezisë. Pas gjithë alarmit që ngre, Natasha Lako nuk e lë
lexuesin te tronditja, por e kthen te ajo që mbetet më e qëndrueshme se çdo
kohë e trazuar: te zemra. Dëshira që “të
kthehet zemra nga e tëra” tingëllon si një lutje e heshtur. Që njeriu të
mos humbasë mes zhurmave të botës dhe të mbetet i lidhur me tjetrin dhe me
vetveten.
Dhe në fund, gjithçka përmblidhet
te një kthim i butë drejt njeriut: “të
lumtur në sytë që janë të parë, dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi”. Pas
gjithë shpërndarjes, fjala kthehet aty ku fillon dhe ku mbaron kuptimi i saj:
te njeriu, te zemra, te e tëra. Kështu, kushtrimi që vjen nga historia dhe nga
shqetësimet e kohës mbërrin në fund si një kujtesë e qetë. Njeriu shpëton duke
mos humbur aftësinë për të ndier, për të kuptuar dhe për të dashur.
Në këtë pikë, kushtrimi i poetes
nuk mbetet thjesht një zgjedhje estetike e fjalës, por lind nga nevoja për të
mos pranuar shuarjen e ndërgjegjes aty ku cenohen liria dhe dinjiteti njerëzor.
Në këtë kuptim, fjala e saj nuk qëndron më si shprehje e thjeshtë. Ajo bëhet
reagim moral ndaj asaj që deformon njeriun. Pikërisht këtu ajo fiton të drejtën
e saj më të natyrshme: të shndërrohet në kushtrim, jo për të ushqyer frikën apo
zemërimin, por për të mbrojtur atë që e bën njeriun njeri.
Sarandë, qershor 2026
E mbë ta!
nga Lekë Dukagjini
Përpara në
salla, në stalla, në sera, në vlera, në viehrra, në të tjera,
të blera,
përpara në
pishina, në vitrina, në kabina, në makina,
rrinë mbrapa
torollakët, njomzakët, boshnjakët, oxhakët,
përpara në
të para, në pará, në fara, në fundësi, në rregullsi, në kërkueshmëri,
përpara në
demontime, përfitime, thërrime,
në dekorata,
mandate, inondata,
rrëzohen
pemë, sejmenë, autorësi, autopsi,
dridhen
dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë, bulçitë, çingitë,
këputen
frenat, hienat, venat,
kthehen në
varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari,
numërohen
lulet, fasulet, koburet, bien poturet,
e klasave
(të shkollave),
e glasave
(të oborreve),
e rasave (të
mortoreve),
të kasave
(të thertoreve),
të karkasave
(të shërbëtoreve),
krihen
trumbetat, kuletat, dezifenktohen të vërtetat, xhaketat,
vigjëlon
policia, rinia, bukuria, shtëpia, kakërdhia,
të barabartë
në baltë, në hartë,
të lumtur në
sytë që janë të parë,
dhe zemrat
që e kanë mendjen te vrapi.
E mbë ta,
dashuri sa
vajti ora,
të kthehet
zemra nga e tëra.