Timo Mërkuri
QASJE ME ARTIN GOJOR E POEZISË SË PJETËR BUDIT
Përsiatje
rreth një aspekti të veçantë të studimit “Pjetër Budi poet dhe prozator” të
Anton Nikë Berishës
Interesimi im për t’u njohur më gjerësisht me jetën dhe me veprën e Pjetër Budit[1] mori shtysë nga çasti kur u njoha me të dhënat se në shkollën e Dhërmiut, të hapur në vitin 1927 nga murgu Neofilo Rodino[2] dhe më pas në shkollën e Himarës e të Nivicës, përdoreshin si tekste mësimore librat e Pjetër Budit “Doktrina e Kërshtenë[3]“ e botuar në vitin 1618, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman” të botuara në 1621 dhe me faktin se: […] “Nxënësi i Rodinos Papa Dhimitri, një shqiptar nga Dhërmiu, përktheu në një shqipe elegante katekizmin për t’u përdorur në shkollat dhe në kishat në krahinën e Himarës, mirëpo Vatikani nuk ia botoi sepse ishte përkthyer e botuar “Doktrina e kërshtenë” (në vitin 1618) nga Pjetër Budit që (duhej të) shërbente si tekst mësimor në shkollat e bregdetit dhe në kisha[4].[…].Nga kjo kuptojmë që libri i Pjetër Budit pati përhapje të gjerë përdorimi, si nëpër shkolla shqipe ashtu edhe në kishat katolike dhe ortodokse, duke bërë që të shtypej e rishtypej nga Kongregata e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë[5].
I-Përmes librave “Pjetër Budi poet dhe prozator[6]”
dhe “Proza e Pjetër Budit[7]“
të Anton Nikë Berishës, më njohen me gjerësinë dhe thellësinë e veprës së
Pjetër Budit dhe më shtuan interesimin mbi zhbirimet studimore të vetë autorit
në këndvështrime të reja, jo vetëm të kësaj vepre, por për gjithë krijimtarinë
letrare të klerit katolik në periudhën e Mesjetës.
Libri “Doktrina e Kërshtenë” i Pjetër Budit është një
përkthim në gjuhën shqipe i katekizmit (nga Roberto Bellarmino), i botuar në
Romë më 1618 dhe shpërndarë në Shqipërinë e Veriut, të Jugut dhe në vise të
banuara nga shqiptarë jashtë vendit. Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se:
veç tekstit të përkthyer, libri ka një shtojcë prej pesëdhjetë e tri faqe me
poezi shpirtërore apo fetare në shqip, me rreth 3200 vargje, të cilat realisht,
pas psalmeve të Gjon Bdek Buzukut të botuara në “Mesharin” (1555)[8]
janë poezitë shqipe më të hershme në dialektin gegë.
Në tri veprat e përkthyera, Budi 23 poezi me rreth 3200
vargje, pra një vepër të “plotë” poetike, veç parathënies dhe pasthënies që
janë prozë me vlera letrare më vete. Natyrshëm që lind pyetja: Ku e “gjeti”
shkrimin shqip Pjetër Budi në vitin 1618 për të shkruar këto poezi dhe mbi
cilën traditë poetike u mbështet ai për krijimin e poezive?
Në parathënien e “Doktrinës së Kërshtenë” Budi shkruan: ”Më
parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj e “Ditës së Gjyqit të
fundit[9]“
shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit”.[…], duke na
prezantuar në këtë mënyrë me një tjetër poet, bashkëkohës ose para ardhës i
tij, i cili duket që ka ndikuar te Budi me krijimet e veta gjer aty, sa që ai
përfshin te libri “Doktrina e Kërshtenë” dy poezi të tij. Interesant është edhe
fakti që poezia parë e Palit prej Hasi fillon me fjalën shqipe “mëni” në vargun
“Ajo ditë me mënii [10]“.
Mirëpo, veç atyre që shkruan Pjetër Budi për Palin prej Hasi nuk kemi të dhëna
të tjera biografike, por edhe po të ishte një poet i njohur në kohën e tij dhe
ka ndikuar së tepërmi te Pjetër Budi, përsëri pyetjet e mësipërme nuk marrin
përgjigje, veçse i shtohet edhe emri i tij emrit të Pjetër Budit te pyetjet e
parashtruara më sipër.
Anton Nikë Berisha në studimin e tij, me një stil të qartë dhe tërheqës, zhbirues dhe bindës gjer në imtësi, shoqëruar me një dendësi informacionesh ndriçuese na udhëheq drejt zbërthimit të “mistereve” të krijimtarisë së klerikëve katolikë në Mesjetë.
II- Tradita e letërsisë gojore shqiptare
Populli ynë gjatë historisë së tij ka krijuar dhe
përcjellë te brezat e më pasmë një art gojor të pasur në llojshmëri dhe me
vlera artistike të larta. Ky art gojor, fillesat e tij i ka në stadin foshnjor[11]
të pjekurisë dhe për pasojë, tematika e krijimeve i përket një bote mitike, ku
njeriu bashkëbisedonte me hënën e diellin, me zanat e me orët, ringjalleshin
njerëzit apo bashkëbisedohej me kafshët e zogjtë etj. Sigurisht që të përcjella
nëpër shekuj shumë krijime gojore u harruan, disa të tjera u shndërruan dhe u
përsosën duke jetuar më gjatë, të përcjella nëpër brezat pasardhës nga këngëtarët
apo tregimtarët popullorë, por rëndësi ka që ka ekzistuar një traditë e artit
gojor shqiptar.
Ekzistenca e një tradite të hershme e arti gojor
dëshmohet edhe nga trashëgimia e saj gjer në ditët tona nëpërmjet këngëve të
vjetra të traditës rituale, përrallave e miteve, baladave, këngëve epike etj.
Dy kanë qenë faktorët që kushtëzuan jetëgjatësinë e këtij
arti; fakti që “artistët” popullorë krijuan një art gojor që ishte pjesë e
jetës dhe besimeve të kohës, dhe për pasojë ky art “ecte në kohë” bashkë me rrjedhën
e jetës, duke u bërë pjesë e identitetit kombëtar si dhe niveli i lartë
artistik i këtij arti që i qëndroi kohës.
Autori qysh në krye argumenton se “Letërsia gojore shqipe
me llojet e shumta të saj ishte bazë e letërsisë sonë të shkruar […] këto dy
shtresa të artit të fjalës: letërsia gojore dhe letërsia e shkruar bashkëjetuan
dhe ndikuan ndërsjellas në njëra tjetrën[12]“.[…].
”Edhe vetë Budi në veprën “Rituali roman” (1621), faqe 152-155 sjell dëshmi të
drejtpërdrejta për “vaj gjama vajtimi e të gërvishtunitë e të rāmitë n grusht[13]“.
Te llojet e letërsisë gojore në fillimet e saj u mbështet
letërsia jonë e shkruar, pasi ky art “ishte toka” mbi të cilin mbinin e
rriteshin pemë e lule e gjithfarë lloje bimësh. Këtu duhet të shtojmë se te
arti gojor e ka origjinën edhe kënga, vallja apo piktura e shumë gjini të
tjera.
Fakti që arti ynë gojor kishte mbërritur një pjekuri artistike
solli për rrjedhojë që edhe arti poetik i shkruar të kishte një nisje me një
nivel të lartë artistik, që ishte faktikisht niveli i arritur i artit gojor.
Për këtë arsye s’kemi pse habitemi me nivelin e lartë artistik të krijimtarisë
së Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe të pasardhësve të tyre në fushën e poezisë.
Po ashtu, larmia tematike e artit gojor, stilet dhe format e shumta, janë një
pasuri e rrallë që trashëgoi dhe shfrytëzoi letërsia e shkruar, qoftë si burim
frymëzimi apo si tematikë.
Falë vitalitetit të tij, arti gojor vazhdon të ekzistojë
në vlera të larta edhe në kohën tonë, kohë kur arti i shkruar është masiv,
cilësor dhe me shumëllojshmëri formash e llojesh shprehëse poetike. Sot arti
ynë gojor ekziston si trashëgimi e vazhdimësi e krijimtarisë së hershme në
kushtet e reja, por ajo që ka rëndësi është fakti se ai ekziston edhe si
krijimtari aktuale: në forma dhe përmbajtje, duke qenë në nivele të arrira
artistike. Madje duke qenë në thelb art gojor, ai paraqitet edhe në formën e
artit të shkruar ose notizuar, të botuar në libra, forma këto të artit të
kultivuar.
Kështu shpjegohet fakti që poetët dhe shkrimtarët tanë të mesjetës e shfrytëzuan mirëfilli traditën dhe pasurinë e artit gojor si gjuhën poetike, mjetet shprehëse poetike, stilin, ritmin e vargut etj. dhe u paraqitën me një nivel të lartë (për kohën) me botimet e tyre. Duhet të kemi parasysh se arti gojor shqiptar ishte me orientin perëndimor si vetë orientimi i kombit tonë dhe natyrshëm që edhe arti ynë i shkruar u orientua gjithashtu nga Perëndimi.
III-Qasja e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore
Po të studiohet gjuha dhe stili i veprave të këtyre
autorëve shohim se ato ishin elemente të “kultivuar” (për kohën) dhe pikërisht
ky fakt na shtyn drejt mendimit se gjuha shqipe e shkruar nuk fillon me këta
autorë. Duke parë artin gojor dhe në veçanti këngën shohim se ”Kënga […] nuk
ndikoi vetëm në zhvillimin dhe në pasurimin e traditës, por u shpreh edhe në
krijimin dhe në zhvillimin e letërsisë sonë të shkruar[14]“.
Le t’i vështrojmë faktet në këtë drejtim: ”Kënga ishte
dhe është nevojë shpirtërore e njeriut, prandaj e tillë është edhe te Budi[15]“.
Mirëpo, Budi në vend që të këndonte, duke qenë krijues, u ul e shkroi “këngë”
me vargun tradicional tetërrokësh,
duke u bërë kështu krijuesi i poezisë dhe vargut të shkruar. Këtu ndoshta mund
të ketë ndikuar fakti që, duke qenë prift, ai shihte që psalmet në kishë “këndoheshin”
duke qenë njëkohësisht edhe të shkruara. Nuk e dimë nëse këtu ishte burimi i mendimit
për të shkruar këngët. Pa u shkëputur nga arti gojor, Budi nisi paralelisht krijimin
letrar artistik, madje bëri përpjekje që ndryshimi midis dy formave të artit të
fjalës në gjuhën shqipe, përkatësisht artit gojor dhe artit të shkruar “[…] të
vërehet sa më pak, ose, të them më drejt, ta ndihmonin dhe ta pasuronin njëra-
tjetrën në mënyrë të ndërsjellë[16]“. Ishte fakt: poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e
poezive të artit gojor, sepse ato recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme
festash fetare për arsye se ishin krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj
themi se për nga struktura poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e
Budit ka lidhje organike me poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e
artit ushqejnë dhe mbajnë njëra tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë
sipas strukturës së vargut gojor.
Kjo dëshmohet te ngjasimet e shumta të vargut gojor dhe
vargut të Budit, të vargut “tetërrokësh”,
me të cilin varg janë kënduar këngët
gojore nëpër shekuj. Mendojmë se Budi nuk donte vetë që të largohej nga tradita
e vargut shqip, jo se nuk kishte njohuri apo mundësi.
Përbërës i marrë nga poezia gojore është edhe “përsëritja” e fjalëve, frazave, vargjeve
deri edhe të strofave që ndodhin brenda vargut, brenda strofës, brenda një
poezie të veçantë, ose edhe te poezitë e ndryshme, ndërkohë që kjo “përsëritje”
është gjë e rëndomtë në traditën letrare gojore.
Te disa këngë (p.sh.
në këngën IX të “Doktrinës”) kemi vargje që janë të ngjashme me ato të epikës
sonë historike apo në këngët kreshnike, balada etj. kur bëhet fjalë për trimat:
Gjithë nd’armë e ndë pecir (pancir) dhe
O, ij madhi zot fatmiri, i ngjashëm
me vargun gojor: Lum për ty për Zotin të
lumin, Të lumt na për t’madhin Zot, Lum
për ty, o i lumi Zot[17]. Po kështu te
disa vargje ai përdor lirshëm edhe disa tipa “mallkimesh” gojore në funksion të
idesë së poezisë së tij si: “Puna mos të
voftë mbarë!/Fara mos të biftë nd’arë, /as fruitinë mos ta dhashtë! /Të
vrafshinë gurë e n dru/o qofsh gjithë mallëkuom[18]“[…].
Pjesë e përkimeve të poezisë së Budit me artin gojor janë edhe disa fjalë të
urta të përdorura kryesisht në parathëniet dhe pasthëniet e tij.
Si përfundim themi se qasja e poezisë së Budit ndaj poezisë gojore është e tillë, sa që na tregon edhe gjendjen dhe nivelin e zhvillimit të dy arteve para 1618, artin gojor dhe atij të shkruar shqip.
IV-Tradita letrare e shkruar në kohën e Pjetër Budit
[…].”Tri veprat e përkthyera nga Budi “Doktrina e
krishterë”, “Pasqyrës e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, 23 poezitë dhe 5
parathëniet dhe pasthëniet që shoqërojnë këto botime, nuk do të mund të ishin
në atë rrafsh dhe të asaj cilësie sikur autori i saj të mos ishte mbështetur në
një traditë paraprake. Këtë gjë e përligj para së gjithash pasuria e gjuhës,
mënyra e sigurt e të shprehurit, shtjellimi i tekstit, format e ndryshme
frazeologjike, fjalë të urta, urime, mallkime etj., thekson me të drejtë autori
[19]”.
Këtu zgjerohet hapësira e shikimit, sepse ne kemi mësuar
që shkrimi i parë shqip është “Formula e pagëzimit” e vitit 1462 dhe libri i
parë i botuar është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555).
Duke folur për “Mesharin” Eqrem Çabej ka shkruar: “[...] duke shikuar me një vështrim objektiv këtë tekst,
nga gjuha e rrjedhshme...dhe nga mënyra...mjaft konsekuente e shkrimit, arrin
të bindet.. se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë […] një traditë letrare
me shkrime [...] me një ortografi gjer diku të caktuar[20]“
dhe se “[…] dhe se vepra e Buzukut u shkrua pikësëpari me një gjuhë letrare:
prodhimi edhe një zhvillimi të mëparmë të
shkrimit dhe i përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”.
Sipas Çabejit shkrimtarët tanë të vjetër, në bazë të
kohës kur i shkruan dhe i botuan veprat e tyre, “[...] përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm të shkrimit të
gjuhës shqipe e të literaturës së vendit” dhe se ”Fakti se këta nuk janë
një e dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se aty nuk kemi
një dukuri kulturore sporadike, po kemi të bëjmë me një lëvizje mendore[21]”.
Kjo tezë shtron hamëndësimi për ekzistencën e shkrimit shqip
para “Formulës së pagëzimit” dhe “Mesharit”, madje Namik Ressuli shkon deri aty
sa të shkruajë se Buzuku “[...] do të jetë mbështetur në një traditë paraprake
të ortografisë e ndryshme nga ajo e tij[22]”,
madje duhet të theksojmë se ekziston edhe teza e Joklit për lashtësinë e
shkrimit në Shqipëri, para Buzukut. Tezën e një shkrimi shqip para Buzukut e
mbështesin një sërë studiuesish vendas dhe të huaj si: Kolë Ashta, Henrik
Lacaj, Martin Camaj, Dhimitër S. Shuteriqi, arbëreshi Françesko Solano,
studiuesi rumun Gustavo Adolfo Loria Rivel, Gunnar Svane etj. madje edhe duke e
argumentuar dhe krahasuar me shkrime të njohura dhe të publikuara apo me
metodën krahasuese të analizave të teksteve të ndryshme, të cilat Berisha i përmend.
Një informacion interesant na sjell edhe vetë Budi kur
duke bërë të ditur për mënyrën e përgatitjes dhe të botimit të poezive që
kishte përfshirë në librin “Doktrina e krishterë” (1618), ku ai thotë: [...] “shkrova
mbi gjuhu[t] tanë mā parë do kapituj të Ditësë gjȳqit qi i gjeta shkruom Atit shumë n cë ndērshim e n cë devotshim frat
Pālit prej Hasi. Të cijtë ende me do të tjera të nçtuom disa herë tue i
shkruom, …hina për gjithë ditë kā pak tue nçtuom. Shkrova ende sā të tjera
kafshë, sā mujta n cë tjera gjuhush tue i kthyem mbi gjuhu[t] tanë[23]“.[…].
Nuk është qëllimi ynë të shkruajmë dhe të vërtetojmë
tezën e ekzistencës së shkrimit shqip para Buzukut, por nuk mund të lëmë pa
sjellë në vëmendjen e lexuesit faktin se: Plini Plak (Gaius Plinius Secundus )
(23-79 e.r.), në vitin 77 (pas Krishtit) botoi korpusin prej 37 vëllimesh për
historinë natyrore, titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e natyrës), dhe
në vëllimin VII, shkruan qartësisht: “Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe
romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”. Lexo me vëmendje këtë fragment:
romakët shkrimin e morën nga ilirët, pra shkrimi ekzistonte te ilirët që të
mund ta merrnin romakët. Logjikisht ekzistenca e shkrimit nënkupton akte të
shkruara, qofshin këto shkresa, traktate apo libra.
Për ta “ndezur” debatin e mësipërm, në vëllimin VI të
këtij korpusi Plini Plak shkruan: “Nga kjo rezulton një përdorim i shpeshtë i
shkronjave të alfabetit. Në Lazio (Lacium) ata që i sollën, ishin Pellazgët”.[…].
Po kështu te informacionet për ekzistencën e Universitetit mesjetar të
Durrësit, hapur në vitet ’80 të shek. XIV janë ndihmuese për tezën e ekzistencës
së shkrimit shqip në mesjetë, apo e dhëna se: “[…] në vitin 1584 në Stubëll
(Kosovë) ka qenë hapur një kolegj katolik”.[…], për të cilin: […]. “studiuesi
kroat, Miroslav Vanino[24],
përmend botimin e një katekizmi në gjuhën shqipe të këtij viti në 500 kopje”.[…],
apo dhe gjetja e “Dorëshkrimit të Kieutit” (1735 – 1750).
Lehtësia e të shkruarit të veprave të klerikëve të përmendur,
frazat elokuente dhe të lidhura organikisht në fjalitë e veprave, dëshmojnë për
njohje dhe praktikë të shkrimit shqip para Buzukut. Veçse duhen gjetur provat
dokumentare për ekzistencën e tij. Natyrisht, këto duhen kërkuar së pari nëpër
arkivat e vendeve evropiane dhe në Vatikan.
IV-Me këtë studim Anton Nikë Berisha spikat në punën e
tij të ndriçimit të “mistereve” dhe të “fshehtave” të gjuhësisë dhe letërsisë
shqipe në labirintet e shekujve, duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën
që reflektojnë këto “mistere” dhe këto të “fshehta”.
Sarandë, shkurt 2022
[1] Pjetër Budi u lind në Guri i Bardhë,
Mat më 1566. Mësimet e para i mori në vendlindje, pranë disa ipeshkvijve të
ndryshëm, më pas u shkollua në Kolegjin Ilirik të Lorentos, afër Ankonës. Në
vitin 1587, në moshën 21 vjeçare u caktua meshtar, duke shërbyer si famullitar
i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe Maqedoni dhe më pas për 17 vjet si
zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në vitin 1616 shkoi në Romë
deri më 1621. Atje u mor …me shtypjen e disa librave shqip, ku në vitin 1618
botoi veprën e tij të parë “Doktrina e Kërshtenë” dhe më 1621 dy veprat e tjera
“Rituali roman” dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”, vepra që janë kryesisht përkthime
ose përshtatje, por të zgjeruara dhe të shtjelluara në atë mënyrë, sa që dalin
si vepra të reja. Si poet dhe prozator Pjetër Budi njihet për rreth 100 faqe
prozë dhe 3200 vargje poezi të botuara (kryesisht) tek “Doktrina e Krishtenë”.
Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime
atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku
emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës, por duke parë gjendjen e popullit dhe
padrejtësitë që i bënin klerikët e huaj, më 1622 organizoi një Besëlidhje të
klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës për të mos pranuar
klerikë të huaj. Në dhjetor 1622 mbytet (aksidentalisht?) duke kaluar lumin
Drin. Gjatë 29 vjetëve që shërbeu me petkun e klerikut, ai u shqua për
veprimtari atdhetare si një ndër organizatorët e kryengritjeve anti turke, Për
këtë dëshmon edhe “një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër
Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron
planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve”. ( R.SH.
Vatikan. 2020-01/29-) Kjo veprimtari atdhetare është arsyeja që mbytja e tij
është cilësuar si një komplot vrasjeje.
[2] Neofil Rodino murg bazilian që erdhi
në Dhërmi në vitin 1623 dhe hapi shkollën shqipe. (Prof. dr. Njazi Kazazi,. “Mësimi
i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ’20 të
shekullit XX”) Ai (Neofil Rodino) botonte libra shqip dhe katekizma dhe i
shpërndante ndër fëmijët dhe fshatarët falas.. (Petro Marko: Shkolla shqipe tre
shekuj më parë, “ Intervistë me vetveten”, Retë dhe gurët).
[3] Kryefaqja e titullit përmban këto të
dhëna: Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë
të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit,
tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën
shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga
Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve}.
Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’
prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe. R.SH. Vatikan. 2020-01/29.
[4] Petro Marko, Shkolla shqipe tre shekuj më parë. “Intervistë me vetveten”, Retë
dhe gurët.
[5]“Për këtë duhet të ketë pasur një numër
relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Më 1759
në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të këtij
libri” (Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi
poet dhe prozator. Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.
[6] Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.
[7] Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër
Budi” Tiranë 2019.
[8] Shih dy studimet e Anton Nikë Berishës: “Meshari” – vepër e hartuar nga
Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore
Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon
Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë
Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
[9]“Dita e Gjyqit të fundit” ishte një
përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh,
Psalmit - himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të
rregulltarit françeskan Tomës nga Çelano (Tomaso da Celano, rreth 1200-1255).
[10] …duke më kujtuar “mëninë” e Akil
kordhëtarit te Iliada.
[11] Anton Nikë Berisha “Pjetër Budi poet
dhe prozator” Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015. F. : Krijimet e letërsisë
sonë gojore u shënuan shumë vonë në krahasim me lashtësitë e tyre. f. 23.
[12] Po aty. f. 19.
[13] Po aty f. 29.
[14] Po aty f. 221.
[15] Po aty f. 221.
[16] Po aty f. 223.
[17] Vargjet e cituara marrë nga libri në
fjalë f. 235.
[18]Po aty, f. 239.
[19] Po aty, f. 30.
[20]Po aty f. 31. Marrë nga: “Meshari” i
Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje
dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i
gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 18.
[21]Po aty f. 32, marrë nga Eqrem Çabej,
Pjetër Budi dhe gjuha e tij. Në “Pjetër Budi. Kumtesa dhe artikuj”, vep. e përm.,
f. 141.
[22] Po aty f. 33. Marrë nga: Namik
Ressuli, Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione. Studi e
testi 199. Città di Vaticano. Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958, f. XVII. P.S.
Të gjitha citatet e përkthyera nga italishtja, janë të autorit të studimit,
Anton Nikë Berishës.
[23] Po aty f. 39, marra nga Pjetër Budi.
Poezi, vep. e përm., Prishtinë 2006, f. 298
[24] Po aty f. 40.
Mirëdita, ndërsa jeni duke e lexuar këtë, dijeni që problemet tuaja janë zgjidhur përgjysmë nëse mund të ndërmerrni veprime në lidhje me to sepse ajo është një grua e fuqishme shpirtërore atje e quajtur Dr dawn acuna, të cilën e takova duke lexuar një artikull në internet, ajo më ndihmoi me një magji që ma ktheu burrin pasi burri më la për më shumë se 8 muaj, ajo bëri një magji që më ndihmoi të mbetem shtatzënë për burrin tim dhe tani kemi 2 fëmijë të bukur, tani jeta ime në martesë po shkon mirë, çfarë mund të kërkoj më shumë .... a keni problem që dëshironi të zgjidhni?
ReplyDelete*Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
*Nëse doni të pajtoheni me burrin tuaj.
*Nëse keni nevojë për të kuruar ndonjë sëmundje.
*Nëse doni të ndaloni abortin.
Dhe shumë të tjera, acuna e agimit do t'ju mahnitë me Fuqitë e saj të mëdha. kontaktoni atë në whatsapp: { +2348032246310 }
Email: { dawnacuna314@gmail.com }
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512