Timo Mërkuri
VEPRA E PJETËR BUDIT DHE KRISHTËRIMI
Përsiatje mbi një aspekt të studimit “Pjetër Budi poet
dhe prozator” të Anton Nikë Berishës
I-Ajo që bie në sy në krijimtarinë e Pjetër Budit,
trajtuar në studimin e Anton Nikë Berishës “Pjetër Budi poet dhe prozator[1]” është fakti se të tri veprat e tij: “Doktrina e
Kërshtenë” (1618), “Rituali roman”(1621) dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”(1621)
janë përkthime dhe përshtatje tekstesh fetare që përdoreshin në shërbimet
kishtare, por duke qenë se këto vepra të tij janë në gjuhën shqipe, kanë një
rol të shquar në letërsinë dhe historinë e shkrimit shqip. Ndërkohë shtojca
prej 100 faqe prozë, shtrirë në pesë parathëniet dhe pasthëniet e të tre
librave të përmendur më sipër si dhe 23 poezitë me rreth 3200 vargje poetike,
janë krijime të Pjetër Budit. Këtu vlen të përmendim se shkrimet dhe poezitë e
tij, lexoheshin (këndoheshin) në kisha dhe në ceremoni fetare njësojë si të
gjithë veprat kishtare.
Bazuar në këto të dhëna, me të drejtë studiuesi Behar
Gjoka thotë: “Lajtmotivi shtytës në gjithë veprimtarinë e Budit, është nevoja
për të kryer shërbesa fetare[2]” në gjuhën
shqipe, ku ne kuptojmë se: kështu ai mund të ishte në rolin e ndriçuesit fetar
në gjuhën amtare; vetëm në këtë rol ai mund të dritësonte lirshëm e gjerësisht
ndërgjegjen e bashkëkohësve.
Këtë e përforcon fakti se kur Pjetër Budi u rikthye nga
Roma në atdhe si peshkop i Sapës dhe i Sardës (20 Korrik 1621), nisi të këmbëngulte
që ceremonitë kishtare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe, sepse vërente që
klerikët e huaj gjatë shërbimit në famullitë shqiptare, flisnin një gjuhë të
pakuptueshme nga populli dhe për pasojë, fjala e Zotit dhe qëllimi i shërbesave
zhvlerësohej. Madje disa nga këta klerikë të huaj përçmonin haptas vlerat
kombëtare shqiptare, duke cenuar në këtë mënyrë sedrën e malësorëve me qëllim të
përçarjes. Është kjo arsyeja pse Pjetër Budi në vitin 1622 organizoi një “besëlidhje”
të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Lezhës e Zadrimës, të cilët
u betuan dhe nënshkruan një vendim se nuk do të pranonin klerikë të huaj në
kishat shqiptare. Sigurisht që ky veprim ishte tej kopetencave dhe të drejtave
të tij fetare, (por ishte fjala e parë e një atdhetari), ndoshta ky vendim pati
si pasojë vdekjen e tij në dhjetor të 1622 – mbytjen e tij “aksidentale” në lumin
Drin. E megjithatë, mbytja e tij e
errët […].“nuk mund ta errësojë të vërtetën vetëfolëse se Pjetër Budi, ra
dëshmor i një kauze të lartë patriotike, duke pavdekësuar kështu emrin e vet
dhe në historinë e tërë Shqipërisë[3]” […].
II-Botimet, përkthimet dhe krijimet e Pjetër Budit me
frymë fetare flasin për një klerik të përkushtuar ndaj krishterimit, ndërkohë
që krijimtaria e tij ka dhe anën tjetër jo më pak të ndritshme, atë të
atdhetarit: […].“ndjenja e Budit për gjuhën shqipe është një shprehje e
atdhetarisë së tij[4]”.
Veprat e përkthyera, krijimtaria poetike prej rreth 3200
vargjesh, proza e tij prej njëqind faqesh shtrirë në pesë parathënie dhe
pasthënie, të gjitha këto të shkruara në gjuhën shqipe, dëshira e tij e shprehur
që librat e tij t’i shpërndante në Shqipëri, na afrojnë te mendimi i Eqerem
Çabejt “[…] është vështirë të thuhet se: a qe ndjenja fetare apo dhimbja e
vendit dhe e gjuhës që mëshoi më fort në shpirtin e tyre[5]”, duke arritur te përfundimin se Pjetër Budi në veprimtarinë e
tij ishte më shumë se prift. Ai ishte nismëtari i parë i vjershërimit shqip,
ndërkohë që për shkak të vdekjes (mbytjes) në lumin Drin në dhjetor të vitit
1622 është çmuar si “[…] i pari shkrimtar
shqiptar që dha jetën për idetë e veta”. […].[6]
Për këtë vlerësim nuk mungojnë dokumentet vërtetuese “[…]
një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte
kardinalit Gozzadini në Romë, ku parashtron planet strategjike për një
kryengritje në Ballkan ”kundër otomanëve”, tregon se aktiviteti i tij nuk ishte
vetëm ai i një prifti, por edhe i një organizatori kryengritjesh[7]. Në këtë letër ai kërkonte që: të bëhej zëdhënës i
kërkesave të shqiptarëve në kryengritje, prandaj shkruante “Kur u nisa prej
këtyre vendeve fort m’u lutën disa kryetarë fisesh, si dhe ca kryetarë myslimanë,
që t'ia shfaqja Papës …këtë dëshirë të tyre e t'u lutesha që të na sigurojnë
…ndihmë për t'u çliruar. Grushti që do të marrë Turqia këtu, do të jetë ndihmë
dhe për polakët”. Sigurisht që këto fjalë prezantojnë një organizator
kryengritjesh[8].
III-Ndërmarrja e Pjetër Budit për veprën krijuese nxitej
nga natyra e tij inteligjente dhe njohja e mirë e gjuhëve italisht e latinisht
(veç disa gjuhëve ballkanike), që i mundësonin atij leximin e një literature të
gjerë. Theksojmë se, së pari, ai ishte një njohës i thellë i gjuhës shqipe dhe
kjo duket te fakti që “[…] ai përdor një gjuhë mjaft të pastër, e cila për fat
të mirë do të ruajë veçantitë dialektore që e dallojnë të folmen e krahinës në
të cilin ai lindi[9]”[...] dhe pasurinë
leksikore të saj ai diti ta shpalosë te tesktet që shkroi apo përktheu.
Inteligjenca e tij natyrore, elokuenca e të shprehurit dhe pasuria gjuhësore s’ka
kaluar pa u rënë në sy prelatëve të kishës që kanë pasur rastin ta takojnë dhe
që për fatin tonë e kanë dokumentuar, si p.sh.: […].“në relacionin e vitit
1610, kryeipeshkvi i Tivarit, Marin Bici e përmend takimin me priftin Pjetër
Budin, të cilin e vlerëson si [...]“shumë të zgjuat e me cilësi të mira[10]”[…].
Me këtë inteligjencë e njohuri të tij Pjetër Budi i hyri
misionit sa fetar aq dhe atdhetar.
IV-Natyrshëm që lindin shumë pyetje pse Pjetër Budi
gjithë krijimtarinë e tij letrare dhe përkthyese e mbështeti në veprën kishtare
dhe ia kushtoi krishtërimit? Pyetja duket e drejtë, por realisht është jashtë
kontekstit të kohës kur jetoi dhe krijoi Pjetër Budi[11],
kohë që i përket mesnatës së errët të dimrit të pushtimit turk. Ishte koha që
edhe kënga majekrahu shqipe quhej (nga otomanët) kryengritëse.
-Për disa arsye që dalin nga konteksti i këtij shkrimi, i
vetmi institucion legjitim, që nuk ishte produkt i pushtuesit në kohën e tij
ishte kisha dhe shërbimet fetare pranë saj.
Duke qenë prift, Pjetër Budi e kishte më të lehtë të
krijonte poezi shqipe në vargun tetërrokësh të artit gojor duke i dhënë natyrën
fetare si një masë mbrojtëse nga ndëshkimi i pushtuesit, Jo vetëm kaq, por këto poezi lexoheshin (dhe këndoheshin)
në kishë dhe në festat fetare. Pushtuesi turk ende nuk i kuptonte këto poezi,
ai shihte gjatë interpretimit të tyre vetëm gjestin e bërjes së kryqit apo
dëgjonte lutjen ndaj Shën Marisë dhe lavdërimet ndaj Zotit e birit të tij.
Faktin që këto lutje dhe këngë kishin një zemër që rrihte me “ritmin” e gjuhës
shqipe, pushtuesit do t’i duheshin edhe shumë vjet të tjera për ta kuptuar. Pra,
themi e duhet të pranojmë se “shkollat” e para ku lëvrohej gjuha shqipe ishin
kishat dhe mësuesit e parë të saj ishin priftërinjtë, traditë që vazhdoi gjer
në kohën tonë.
Për t’u bindur për këtë le të shohim veprimtarinë atdhetare
të klerit katolik në trevat veriore dhe të klerit ortodoks në trevat jugore dhe
juglindje të vendit, ku qindra emra klerikësh ndrijnë si kostelacione yjesh në
qiellin e shqiptarzimës. Realisht kishat ishin “kështjellat” e fundit të
shqiptarizmës në atdheun e pushtuar nga turku[12].
-Thamë më sipër që vjershat dhe shkrimet e Pjetër Budit
lexoheshin dhe këndoheshin në kisha dhe në mjedise fetare gjatë festave e ceremonive
kishtare, pse duke qenë të frymës së traditës gojore ato kuptoheshin, ndjeheshin
dhe përvetësoheshin nga masa e gjerë e të pranishmëve, të cilët jo vetëm që i
bashkoheshin të kënduarit kolektiv, por edhe i përcillnin ndër njerëz të tjerë,
në vende të tjera[13].
Ne përmendëm se
ato “këndoheshin në kishë”, duke përdorur kështu mënyrën kishtare të lutjes dhe
lavdërimit të Zotit me këngë, jo me recitim apo deklamim, duke u trajtuar në
këtë mënyrë njësoj me këngët dhe shkrimet e shenjta. Pra, poezitë e Budit janë
këngë kishtare, janë krijuar të këndohen në kishë, në festa kishtare, duke pasur
karakterin e lavdeve, psalmeve[14], himneve,
konceptim që poeti ua dha qëllimisht: “Konceptimin e poezive të veta si këngë
ose forma të tjera që përdorën në meshë dhe liturgji, Budi e bëri me qëllim:
kënga është përbërës i qenësishëm i meshës, i liturgjisë dhe riteve të tjera
fetare të besimit të krishterë”, vë në dukje autori[15]
dhe këtë e mbështet me fjalët e Shën Agustinit: “Kush këndon, lutet dy herë[16]”. E thënë më kuptueshëm, të kënduarit e lutjeve
të bëjnë pjesë të një kori të madh qiellor (shenjtët dhe engjëjt) dhe tokësor
(të besimtarëve kudo ku janë), ndërkohë që kur lutesh, je i vetëm përballë
Zotit.
Këtu vlen të themi se njohuritë e autorit të studimit,
Berishës, në historinë dhe literaturën e krishterimit janë tepër mbresëlënëse për
gjerësinë dhe thellësinë e tyre, ndërkohë që stili dhe leksiku i tij shërben si
një prizëm ku përthyhet drita në shtatë ngjyra, madje secila ngjyrë është një
botë më vete, që duhet të “eksplorohet” nga lexuesi për ta njohur dhe kuptuar
thelbin e studimit. Thënë ndryshe, stili i tij mundëson kalimin para syve të
lexuesit të veprës, fenomenit apo epokës që studion si në një skaner, ku
anatomia e subjektit duket gjer në imtësi. Ajo që ka rëndësi është se stili i të
shkruarit të Anton Nikë Berishës i shpirtëron fjalitë dhe lexuesi ndjen se
bashkëbisedon e “debaton” me autorin, deri aty, sa që i duket vetja se është
dhe ai bashkautor i shkrimit apo studimit. Unë ju them: e vlen t’i lexosh
studimet e këtij autori, sepse në çdo faqe studimi të tij mëson diçka të
panjohur më parë.
-Librat e tij (përkthime dhe krijime) Pjetër Budi i botoi
në Vatikan, pasi asnjë vend tjetër nuk i jepte siguri dhe mbrojtje për veten e
tij, botimin dhe shpërndarjen e tyre. Gjatë kohës së qëndrimit në Vatikan,
Pjetër Budi u bënte të ditur gjendjen e popullit shqiptar nën pushtimin turk,
duke kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje. Mjafton të kujtojmë letrën e datës 15 shtator 1621 drejtuar kardinalit Gozzadini, e
cila është e vetmja letër që na ka mbërritur, por jo e vetmja e shkruar dhe
dërguar nga Pjetër Budi.
V-Veprat e Pjetër Budit janë: “Doktrina e Kërshtenë”
(1618) (Dottrina Christiana), përkthim dhe përshtatje i katekizmit të Shën
Robert Belarminit kushtuar Papa Klementit VIII (veç krijimeve poetike në
pesëdhjetë e tre faqe), “Rituali roman” (1621) një përmbledhje prej 319 faqe
lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe, i cili është një libër
ceremonish fetare, ku përfshihen lutjet dhe rregullat për festat e vitit, i
shkruar në latinisht dhe në shqip, si dhe “Pasqyra e të rrëfyemit ”(1621)
(Specchio di Confessione) i Emerio de Bonis, një përkthim 401 faqesh , të cilin
Budi e vlerësonte si një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar i dobishëm për
ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe. Pra, shohim se të
tri veprat e Budit në thelb janë përkthime dhe përshtatje të librave të diktrinës
së krishterë, të cilët kanë si bazë teorike Biblën.
Në këtë kontekst lind pyetja: a kishte nevojë populli
shqiptar për krishterimin në atë kohë kur kishte nisur myslimanizimi i vendit
dhe a kishte nevojë krishterimi për klerikët shqiptarë, hapësira e të cilëve sa
vente e ngushtohej dhe për besimtarët shqiptarë,numri i të cilëve sa vente e
pakësohej?
Pa mëdyshje them se populli shqiptar pikërisht në
periudhën e pushtimit turk kishte nevojë më shumë se kurrë për krishterimin si
fe, si pikë mbështetje për ekzistencë. Jemi në kohën kur në vendet evropiane, kisha kishte një
ndikim absolut në çdo aspekt të jetës së njeriut, të shoqërisë dhe të vetë
shteteve.
Shqipëria në këtë kohë kishte nevojë për të ruajtur
identitetin e saj kombëtar si etni, si besim, si kulturë, si mënyrë jetese dhe
këtë mund t’ia siguronte vetëm krishterimi. Krishtërimi e zhvilloi njeriun dhe
vetë shoqërinë njerëzore, ose siç do shkruante Patër Anton Harapi: “Te njeriu
vetë kristianizmi ndërtoi idetë, lartësoi ndjenjat dhe sistemoi tërë jetën
vetjake. E bëri të mirë shpirtin e njeriut dhe kërkoi prej tij pastërtinë edhe
të mendimit e të dëshirës[17]”, aq më tepër që
“Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit[18]”, i cili vlerësohej si një virtyt i shenjtë, si drejtësia dhe
dashuria[19].
Kam thënë se Pjetër Budi në krijimin e poezive të tij
fillimisht pati si burim traditën gojore letrare, poezitë e atit, Palit prej
Hasi, ndërkohë që burim bazë pati shkrimet e shenjta, përkatësisht Biblën, po dhe vepra fetare të hartuara
nga shkrimtarë e dijetarë, prej të cilave i përktheu dhe përshtati.
Mbështetja e Budit në Bibël
ishte një veprim i ndërgjegjshëm, së pari nga se për Budin prift, po dhe për
çdo besimtar shqiptar, Bibla është
thesar mendimi, teologjik, filozofik letrar, dhe historik, ose e thënë ndryshe
është dritë që vjen nga Zoti.
Së dyti Bibla,
sidomos libri i Psalmeve, ishte libër
nga i cili mësonin shkrim e këndim, apo të studionin. Këtu është rasti të
theksojmë se edhe shkrimtarët dhe filozofët evropianë i drejtoheshin Biblës si Fjalë e Zotit, madje dhe e
mbështetnin konceptin e gjithë krijimtarisë së tyre te Bibla.
Është e kuptueshme që edhe Pjetër Budi ishte rritur dhe
edukuar me Fjalën e Zotit, ishte vënë në shërbim të përhapjes së saj ca më
tepër që aty kishin rrënjë edhe idealet e atdhetarisë.
Duke u bërë të pranishme fjalën e Zotit nëpërmjet Biblës, Budi zgjonte e forconte te
besimtarët ndjenjën e ruajtjes së identitetit kombëtar, ndjenjën e
atdhedashurisë, urrejtjes për pushtuesin dhe i shprehte këto si mësime, dëshira
dhe porosi të Zotit. Me këtë rast, bashkë me mësimet e Biblës ai shpërndante dhe krijimet e tij poetike, të cilat
këndoheshin si gjithë shkrimet e tjera të shenjta.
Krishterimi ishte ndërtuesi i Evropës, pasi në shembullin
e kishave e katedraleve, në shembullin e ndërtimit të Vatikanit, u ndërtuan
pallatet dhe strukturat shtetërore, u ndërtuan kryeqytetet evropiane. Ndërkohë
krishterimi ishte dhe ndërtuesi i vetë Evropës së bashkuar (në krishterim) me
synimin për t’u shtrirë në një botë (të krishterë) të bashkuar, sepse pa
miratimin e Vatikanit nuk fronëzohej asnjë mbret. Krushqitë mbretërore do t’i
miratonte Papa, po ashtu dhe aleancat e luftërat do kishin lejen e tij.
Shqipëria kishte nevojë për krishterimin ashtu si një
degë peme ka nevojë për trungun dhe rrënjët, ndërkohë që edhe vetë krishterimi
e Vatikani kishin nevojë për të krishterët dhe klerikët shqiptarë. Kjo duket sa
te botimi në Vatikan i librave të priftërinjve shqiptarë aq edhe te dërgimi në
Shqipëri i misionarëve të ndryshëm fetarë, të cilët bënin një punë të madhe për
mbajtjen gjallë të besimit të krishterë te populli shqiptar i martirizuar dhe i
terrorizuar. Madje mund të them se në luftën për islamizimin e vendit nga
pushtuesit turk, lufta për mbrojtjen e krishterimit dhe përhapjen e Fjalës së
Zotit ishte lufta e Evropës së Krishterë që e bënin priftërinjtë dhe populli
shqiptar.
Kjo luftë zbërthehet e paraqitet në gjithë “ngjyrat” e
spektrit te studimi “Pjetër Budi poet dhe prozator” Luigi Pellegrini Editore
Cosenza 2015 i Anton Nikë Berishës, që unë ju grish ta lexoni.
Sarandë, mars 2022
1- Luigi
Pellegrini Editore, Cosenza (Itali) 2015.
2- Behar
Gjoka, Poetika e Budit. Studim për veprën poetike, vep. e përm., f.
10. (Vepra e Anton N. Berishës f. 84).
3-Selman
Riza Selman Riza, Pjetër Budi (1566 – 1622). Vepra IV.
Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës.
Prishtinë 2004, f. 331. Po
aty (f. 52)
4-Prof.
Dr. Kolë Ashta, Leksiku historik i gjuhës shqipe I, vep. e përm., f.
98. (Vepra e Anton N. Berishës (f. 55)
5-Eqerem
Çabej, Pjetër Budi. Kumtesa dhe artikuj, vep. e përm., f. 142)
(Vepra e Anton N. Berishës f. 50)
6-Sabri
Hamiti, Vepra letrare 7.Letërsia filobiblike. Letërsia romantike, vep.
e përm. 2002 f. 123. (V. Cituar f. 77).
7-Zija
Xholi thotë se “Veprat e shkruara e të botuara në gjuhën shqipe dhe
letra dërguar kardinalit Gocadino, japin
një ide të personalitetit të
gjithanshëm të Budit si teolog, si
atdhetar, si shkrimtar, shkurt si një nga
korifenjtë e kulturës sonë kombëtare në
dy dhjetëvjeçarët e parë të
shekullit të 17-të dhe në të njëjtën
kohë si paralajmërues i Rilindjes sonë
kombëtare.“. Sipas Anton Nikë Berisha
“Pjetër Budi poet dhe prozator”
Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2015
f.61
8-Injac
Zamputi, Shënime mbi rrethanat e vdekjes së Pjetër Budit. 1958:
“Budi ka kërkue me mprojtë popullin
shqiptar nga kërcënimet që i vinin
nga jashtë, : ai qe luftar aktiv për
çlirimin e vendit nga pushtimi turk, tue
marrë pjesë në organizimin e përpjekjeve
në shkallë të përgjithshme
ballkanike”, po aty (f. 50).
9-Vjetarin”
e Institutit oriental të Napolit të vitit 1917” sipas Giuseppe
Schriò, Della lingua albanesi e della sua
letteratura anche in rapporto alle
colonie albanesi d’Italia. Po aty (f.
47).
10- Po
aty. f. 46.
11- (1566
– Dhjetor 1622).
12-Më
vonë, me ndërrimin e fesë të gjitha kishat shqiptare në fshatrat që u
islamizuan u shndërruan në xhami.
13-Henrik
Lacaj, Pjetër Budi vjershëtar i parë i letërsisë sonë. f. 438. Po aty
(f. 70).
14- Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe
prozator. Luigi Pellegrini
Editore, Cosenza 2015 f. 113.
15-
Po aty f. 114.
16-Po
aty f. 114.
17-Anton
Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti
për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi
françeskan i Gjakovës, Gjakovë
1977, f. 277.
18- Atë
Anton Harapi, po aty, f. 280.
19-Patër
Anton Harapi “Vlerë shpirtërore” Shpresa & Faik Konica,
Prishtinë 2003: “Hiqni nga bota e
qytetëruar kontributin që ka dhënë
kristianizmi në ide, në ligje e zakone,
në shkencë dhe art, në sistemin e
familjes, në rendin shoqëror dhe
vetjak, në përmirësimin moral dhe
material; hiqni të gjitha këto dhe
kultura moderne nuk mbetet më ajo,
por një skelet i zbehtë, një mozaik pa
unitet, një send pa kuptim” f. 73.
No comments:
Post a Comment