Timo Mërkuri
METAFORIKA E AMANETIT TË RAPSODISË ARBËRESHE “PAL GOLEMI”
Vështrim mbi një aspekt të librit “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” të
Anton Nikë Berishës.
I-Duke lexuar
librin studimor të Anton Nikë Berishës “Interpretime të letërsisë së
arbëreshëve të Italisë”[1]
më tërhoqi vëmendjen pjesa ku thotë se “Kështu, rapsodia e Pal Golemit, që
sipas të dhënave të derisotme është krijimi i parë i traditës letrare gojore të
arbëreshëve të Italisë i njohur në formën e shkrimit (gjetur në Fjalorthin
italisht-shqip, shqip-italisht të Nilo Katalano-s, prift italian, që shërbeu në
Shqipëri në pjesën e dytë të shek. XVII, vdekur më 1694) dëshmon disa nga
vlerat kulminante artistike të llojit të vet në poezinë gojore shqiptare dhe
përmban disa nga tiparet kryesore të krijimit gojor, i cili, para së gjithash,
lind për të jetuar e për të komunikuar gojarisht[2]”.
Emri i Nilo Katalanos ishte i njohur për mua sepse në vitin 1693 duke bërë një
meshë (shqip) në fshatin tim të origjinës Pilur, ka dokumentuar i pari numrin e
500 banorëve të fshatit[3].
Pjesa e mësipërme më ngacmoi kureshtjen për arsye të cilësimit si mbledhësi
(apo shënuesi) i parë i rapsodisë së “Pal Golemit” të lënë në dorëshkrim nga Nilo
Katalano[4],
ndërkohë që këtë rapsodie lidhja gjithmonë vetëm me dorëshkrimin e Kieutit.
Duke folur për përmbajtjen e Dorëshkrimit të Kieutit
Anton Nikë Berisha shkruan: “[...] janë edhe tri këngë në dialektin gegë të
priftit italian, Nilo Katalanit (i cili vdes në Shqipëri më 1694). Sipas të
dhënave të Krispit dhe Skiroit në dorëshkrimin e Nilo Catalano-s … janë
përfshirë … dhe rapsodia Pal Golemi[5]”
.
Xhuzepe Krispi (1781-1859) më 1831 bën të ditur faktin se
“Dorëshkrimi i veprës së tij (Nilo Katalanos) “Vocabolario albanese-italiano ed
italiano-albanese-Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip” ndodhej në
Bibliotekën e Seminarit shqiptar në Palermo”. Ky dorëshkrim, më vonë ra në
duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh, Xhuzepe Skirò plaku (1865-1927), i
cili informon se: “[...] fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as
në Sicili e as në Himarë) … Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh
popullore arbëreshe përfshirë Këngën e Pal Golemit”, që Skiroi e botoi më 1923.
Pra “Kënga e Pal Golemit” është regjistruar së pari nga
Nilo Katalano dhe ndonëse nuk e dimë vitin e saktë, dimë që ai është bërë para
vitit 1694[6],
ndërkohë që Dorëshkrimi i Kieutit është shkruar në vitin 1737 nga Nikollë Filja
(1682-1769), pra na rezulton se regjistrimi i Nilo Katalanos është 43 vjet më i
hershëm se Dorëshkrimi i Kieutit. Në këto përllogaritje merret apriori viti
1694, vit në të cilin Nilo Katalanio vdiq në Himarë (Dhërmi), por janë një sërë
arsyesh që na shtyjnë të mendojmë se shënimi i tekstit të rapsodisë nuk është bërë në vitin 1694. Po të
ishte shënuar në vitin 1694, detyrimisht duhej të ishte shënuar në Himarë ku
qëndronte Katalano në këtë kohë dhe aty dorëshkrimi do ishte bërë i njohur, së
paku në rrethin e bashkëpunëtorëve të afërt (Timotheo Zassi etj), të cilët do t’ia
nisnin Propogandës Fide me ndonjë letër shoqëruese. Në rastin tjetër,
dorëshkrimi do ishte gjetur në dokumentet e Nilo Katalanos në ditën e vdekjes
dhe me këtë rast, në letrën e datës 18 Qershor 1694 drejtuar Romës pleqtë e
Himarës do ta kishin përmendur dhe nuk kishte gjasa që ky dorëshkrim të
përfundonte në Manastirin e Munxifsit
(Mezzoiuso) ku ta gjente Nikollë Filja në vitin 1737 dhe ta kopjonte.
Llogjikisht Nilo Katalano duhet ta ketë bërë regjistrimin në manastirin e
Munxifit[7]
gjatë viteve 1687-1692 kur shërbeu si abat, ta ketë lënë aty kur u largua për
në Shqipëri, aty e gjeti Nikollë Filja. Kështu që hershmëria e tij shtyhet nga
45 në 50 vjet më herët se Dorëshkrimi i Kieutit. Mbi këtë bazë logjike themi se
këngët në Dorëshkrimit të Kieutit mund të jenë krijime të mbledhura dhe të
shënuara nga Nilo Katalano në Munxifsit (Mezzoiuso dhe Nikollë Filja të jetë
kopjuesi i tyre në vitin 1737.
II- Dorëshkrimi i
Kieutit[8]
[ Qeft (Chieuti)] është një kodik i vjetër prej 105 faqesh, i cili përmban një
tekst doktrine të krishtere, disa poezi laike, disa poezi fetare dhe një
përmbledhje këngësh popullore, autor i të cilit njihet Nikollë Filja[9]
(1682-1769). Dorëshkrimin e Kieutit [..] “E zbuloi në katundin Kieuti, Dioqez i
Larinos, arbëreshi Michele Marchianò - Mikele Markiano - gjatë një “udhëtimi
letrar” në vitet 1901 e 1902 dhe e botoi më 1908 në “Këngë popullore shqiptare”
(Canti popolari albanesi, Foggia 1908)[10]”. U ribotuan më 1961. “Dorëshkrimi i Kieutit (1736-1750), përbëhet
prej : A. I Krishteu i Arbresh, B. Kënkëzë e Venecijanit, C. Kënkëzë e Nilo
Katalanit, D. Kënkëzë e Pleqrisë dhe E. Kënkë fetare…. Sipas të dhënave të
Krispit dhe Skiroit në dorëshkrimin e Nilo Catalano-s “Lessico
italiano-albanese e albanese-italiano” janë përfshirë dhe dy tetëvargëshe nga
“Cuneus Prophetarum” i Bogdanit dhe rapsodia Pal Golemi[11]”.
Me këtë shënim në artin letrar gojor shqiptar fillon
epoka e oralitetit miks, të shkruar dhe gojor. Është fakt se arti letrar gojor
shqiptar ka ekzistuar në epoka më të hershme, gjë që dëshmohet nga baladat,
mitet, këngët etj. apo dhe nga shkrimet e shkrimtarëve dhe dijetarëve të huaj,
por datë e vetme e dokumentuar që kemi gjer më sot për lashtësinë e poezisë
gojore shqiptare është viti 1737 dhe vepra e parë është “Dorëshkrimi i Kieutit
”, ndonëse të dhënat na japin të drejtën të synojmë një hershmëri më të madhe.
III- Në kapitullin III të Dorëshkrimit të Kieutit[12],
nën titullin “Kenkezë të pleqrijsë” jepen 18 këngë popullore[13],
që i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë, ku e renditur në numrin 11
me titull “Sontenith me dij or nat[14]”
(Pal Golemi) është Kënga e Pal Golemit:
93. Kënka e Pál Gollemit
Sontenith më dí or natë
gjegjesh një rëkim të math.
S' ish rëkim, po Pál Gollemi,
Pál Gollemi ljavosurith,
5-çë m' atruhej' shokëvet:
- Se ju, shokë, e ju, vullazër,
u ju truhem aqë fort
të më bëni varrin tim
aqë të gjerë sa të glátë
10-e në kriet varrit tim,
të më bëni një parathirë,
të më lidhni të mburzërinë;
e në këmbë të varrit tim,
të më lidhni armëzëtë.
15-Prá t' i shkruani e t' i thoi,
t' i thoi sime momsë
të më qepnjë atë kumishë
me fill kripit saj;
të m' e qindisnjë atë kumish,
20-por me gjak faqevet;
por me ljanjë atë kumishë
me ljot të sí-vo-vet;
të m' e terënjë atë kumishë
me zjarr të zëmërës;
25-më dërgonjë atë kumishë,
po me shërtimë të saj.
Të më shkruani së bukurësë
të qindisnjë ksemandiljë,
por me gjak faqevet.
30-Mos isht martuarith,
thoni të martoniet,
të më vé n' atë klishë,
të pjerr sít n' atë qac,
të më shoh shokëzit,
35-të më shtjerë një shërtim,
një shërtimë e ushtëtimë,
37-gjith klishnë të kumbonjë[15].
Duke e lexuar këngën “Pal Golemi” në librin “Rapsodi e
një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës ku janë disa këngë kushtuar Motit të Madh,
madje dhe për vetë Skënderbeun personazh, shohim një botë, gjuhë dhe tension të
përafërt mes tyre, gjë që na shpie në mendimin se edhe kënga e Pal Golemit[16]
është krijuar në Arbëri, në kohë lufte si shumë prej tyre dhe më pas ka
mbërritur në Siçili së bashku me familjet e shpërngulura. Në Siçili kjo këngë u
këndua në valle, duke u transmetuar brez pas brezi, gjersa e shënoi Nilo Katalano,
prej nga e kopjoi Nikollë Filja, duke e shpëtuar nga harrimi. Fakti që Pal
Golemi u kërkon shokëve t’ia bëjnë varrin sa të gjatë e të gjerë, fakti që ai
kishte shqytar, të cilët u vranë bashkë me ‘të, fakti që ka flamur të vetin dhe
kërkon që shokët t’ia vendosin në krye të varrit dëshmon se ai ishte pinjoll
fisnikësh. Amaneti i tij për armët dhe për “të bukurën” është i një formati me
shumë këngë luftëtarësh të rënë nëpër beteja në atdhe apo larg në hapësirë dhe
kohë, por ajo që na tërheq vëmendjen është fakti i amanetit të tij për nënën, i
cili jo vetëm që është jashtë formatit të njohur, por ka dhe shmangie nga
konteksti origjinal në përshtatjen e bërë në shqipen e sotme. Shmangia nis që
nga numri i vargjeve ku në origjinal “Kënga e Pal Golemit” ka 37 vargje
ndërkohë që në përshtatjet në shqipen e sotme, si te botimi i MILOSAO[17]
ashtu dhe te përshtatja e Anton Paplekës[18]
kënga jepet me 35 vargje ndërsa te “Folklori Shqiptar” jipet me 29 vargje. Te
përshtatja e MILOSAO amaneti për nënën jepet te vargjet 17-23 me tekstin: Pra t’i shkruani e
t’i thoni
t’ia
thoni mëmës sime
atje ku më qep këmishën
(duke
e njomur
me lotët e syve)
të ma terë atë këmishë
në zjarminë e zemrës.
...pra me shtatë vargje, ndërkohë që te përshtatja e
Anton Paplekës jepet me nëntë vargje si më poshtë:
Të m’i thoni mëmës sime,
Të më qepë një këmishë
Me një fill nga kripi i saj.
Të ma qëndisë atë këmishë
Po me gjak të faqeve;
Të ma terë atë këmishë
Me zjarr të zemrës së saj;
Ta dërgojë atë këmishë
Me psherëtimën e saj...
…ndërsa Anton Nikë Berisha në analizën e tij i referohet
versionit origjinal të sipërcituar :
të më qepnjë atë kumishë,
të m'e qindisnjë atë kumishë,
por me gjak faqevet;
por m' e lanjë atë kumishë
me lot të si-vo-vet;
të m'e terënjë atë kumishë
me zjarr të zëmërës;
më dërgonjë atë kumishë
po me shërtimë të saj.
...ndërkohë në “Folklori Shqiptar[19]”
jepet në versionin;
Pra ti shkruani e tia thoni
të ia thoni mëmës ime
tek më qepën atë këmishë
ture e lagur me lot t’sive
të më terën atë këmishë
ndër zjarrmit të zemrës saj[20]
Pavarësisht nga ndryshimi i numrit të vargjeve, në dy
përshtatjet bëhet fjalë që nëna t’i qepë (përshtatja e A. Paplekës) ose është
duke i qepur (përshtatja e Agim Matos) Pal Golemit një këmishë, ndërsa te
varianti origjinal i paraqitur nga Anton Nikë Berisha thuhet shprehimisht: “të
më qepnjë atë kumishë, pra bëhet fjalë për “atë “ kumishë (këmishë) që e dinë
ata të dy (nënë e bir) se cila (këmishë) është dhe se po atë do ta qepë [të
m(a)ë qepnjë] nëna (në të ardhmen). Po kështu dhe te botimi i Folklorit
shqiptar jepet në versionin “tek më qepën atë këmishë/tuke e lagur me lot
t’sive” duke mënjanuar vargun që këmisha qepet me fillin e flokut të saj, madje
janë mënjanuar vargjet e tjera për “qëndisjen me gjakun e faqeve”. Mirëpo vargu
“të m’e qindisnjë atë kumishë, por me gjak faqevet” instinktivisht na kujton
nënat tona që çjerrin faqet gjer në gjakosje në raste gjëmash si kjo e Pal
Golemit.
Për dy variantet e
përshtatura dhe botimin e Folklorit[21]
na lind pyetja: pse i duhet Pal Golemit këmisha e re pas plagosjes
vdekjeprurëse në këtë luftë, më saktë pas varrimit të tij në atë “varrin sa të
gjatë dhe të gjerë”? Kur dhe si do ti vijë ajo këmishë për ta veshur, ndërkohë
që shokët e shtinë në dhe?
Dikush do na
kujtojë zakonin shqiptar të të vdekurit bukur. Zakoni shqiptar i të vdekurit
bukur nënkupton që luftëtari të shkojë në luftë i veshur bukur, si dhëndër dhe
me këtë veshje “të bukur” ta marrë vdekja. Në rastet kur kapet rob e vendoset
para skuadrës së pushkatimit ose para litarit të shprehë si dëshirën e fundit
krehjen e flokëve dhe rregullimin e rrobave që ka veshur.
Luftërat mesjetare, pra dhe luftërat skënderbejane
bëheshin gjithmonë larg vendbanimeve dhe të vrarët ishin me shumicë, kështu që
edhe varrimi i tyre bëhej pa shumë “përkujdesje[22]”e
“stolisje” të të vrarëve. Askush nuk ua ndërronte veshjet e përgjakura apo t’u
pastronte e t’u lidhte plagët dhe as që premtonte koha që të prisnin sa t’u
vinin veshjet e “bukura” nga familja. Ata ishin të bukur në veprën e tyre, në
rënien e tyre për atdhe, me këmishët e përgjakura, sepse për një luftëtar të
vrarë në luftë nuk ka veshje më të bukur se sa uniforma luftarake e përgjakur
apo e copëtuar nga goditjet e armikut.
Sigurisht që në
rastet kur rastiste që lufta të bëhej pranë vendbanimeve të tyre, ishin vetë
familjet e të vrarëve që përkujdeseshin për trupat e bijve të tyre dhe në këto
raste u bëheshin shërbime e ceremoni, por në rastin e Pal Golemit, vetë fakti
që ai u jep amanete shokëve për varrin, kalin, armët, flamurin, nënën dhe të
bukurën tregon se ai po vdes larg familjes. Pra, ajo këmishë që po qep e qëndis
nëna e tij (sipas përshtatjes së bërë) Pal Golemit nuk i duhet fare dhe nuk ka
për t’i mbërritur. Kjo nënkupton se amaneti i tij nuk flet për ndonjë këmishë
prej basme, mëndafshi apo çfarëdo lloj cohe të qepur e qëndisur. Gjetkë e ka
fjalën Pal Golemi, për tjetër lloj këmishe flet ai. Ajo këmishë duhet të jetë
qepur me flokët e nënës, (kujtojmë që flokët kanë edhe aftësinë e penjve
kirurgjikalë), kërkon të qëndiset me gjakun e nënës (jo me fije muline
qëndismash) duke na rikujtuar ritualin e çjerrjes së faqeve nëpër morte, duhet
të jetë e larë me lot dhimbje nëne (nuk shterin lotët e nënave për bijtë e tyre
rënë në luftë) si dhe të jetë e terur me zjarrin e zemrës (së përvëluar) të
nënës. Dhe sigurisht nuk do t’ia dërgojë me ndonjë shërbëtor, korrier apo zog,
por do t’ia dërgojë me “shërtimë”, një
psherëtimë e pafundme dhe të pandalshme të saj. Ç’ këmishë po kërkonte nga nëna
Pal Golemi fisnik dhe djalë i vetëm i shtëpisë fisnike arbërore, rënë në luftën
për atdhe?
Sigurisht, duke
pasur parasysh elementet e qepjes, qëndisjes, larjes dhe tharjes që janë
element organikë njerëzor, të cilët krijohen në situata të caktuara
shpirtërore, arrijmë në përfundimin se edhe vetë këmisha që po qep nëna apo ia
kërkon Pal Golemi nënës është një “këmishë” shpirtërore. Me atë mund të
metaforizohet shumë bukur (dhe jo vetëm)kujtimi i nënës për të birin, qysh nga
momenti i ngjizjes e deri në momentin e nisjen për në luftë. Biri i saj do jetë
në shpirtin e saj i gjallë për sa të jetojë ajo. Ai do jetë duke lozur nëpër
shtëpi apo në oborr, ajo do t’i krehë flokët e do t’i veshë rrobat, do ta marrë
për dore për të shkuar në kishën e katundit apo nëpër miqësi, por asnjëherë më
nuk do ta lejojë të shkojë në luftë. Pal Golemi tashmë i përket i gjithi vetëm
asaj, nënës dhe në kujtesën, dashurinë dhe shpirtin e saj ai do jetë i gjallë
dhe do ketë nevojë për një “këmishë”. Këtë këmishë do t’ia qepë nëna dhe do t’ia
nisë me “shërtimë të saj”, me psherëtimën (metaforike) e saj të përjetshme e të
përditshme për djalin e vrarë.
Të mendosh se ky metaforizim është krijuar në një kohë
lufte, vetiu të lind pyetja se: si do ketë qenë arti letrar gojor i popullit
tonë në kohën para turke. Vetëm duke e menduar këtë yllësi të nxirë të zymtohen
sytë nga hapësira e pamatë e artit letrar gojor arbëror të shkrumbuar nën
zjarrin e pushtuesit turk.
Dikush do që të heqë një paralele mes kësaj kënge dhe
këngës “Mbeçë more shokë, mbeçë”, por unë ju them se: te kënga e nizamëve ka
një dhimbje të dukëshme qysh në tekst, si një ndjesë që bijtë u kërkojnë nënave
për dhimbjen që u shkaktojnë me vdekjen e tyre si ushtarë dhe për llogari të të
huajve, larg shtëpisë dhe atdheut. Te këngët arbëreshë edhe vdekja ka një
bukuri yllësore dhe krenari të dukëshme për faktin se luftëtarët vdesin për
atdheun dhe në atdheun e tyre. Këngët e nizamëve (kënga “Mbeçë more shokë,
mbeçë” etj) janë një klithmë dhimbjeje, por kjo klithmë dhimbjeje është në
melodi, kryesisht në iso, por këto këngë nuk pretendojnë ti qasen poetikisht
tekstit të Pal Golemit.
Teksti i rapsodisë arbëreshe të Pal Golemit, për fat të
keq, nuk u vështrua asnjëherë si tekst
poetik, po vetëm si porosi, si një amanet dhe nuk u vlerësuar fakti i rëndësisë
që ka në një tekst poetik amaneti i të vrarit.
Për nga
teksti, artin dhe metaforizimin e këngës së
Pal Golemit unë personalisht nuk kam gjetur as në nivelet
më të larta europiane të letërsisë e jo më në letërsinë shqipe apo
ballkanike. Ajo që nuk dimë dhe smund ta
zbërthejmë te Kënga e Pal Golemit është niveli i të kënduarit të saj dhe kjo për
vetë distancën e madhe kohore.
Anton
Nikë Berisha me finesë dhe mprehtësi profesionale, duke e zbërthyer “sekretin” e
amanetit të Pal Golemit shprehet se: bëhet fjalë për tjetër “këmishë”:[..]
“Këto vargje, që ngërthejnë një simbolikë, metaforikë e kuptimësi të pasur dhe
një nëntekst shumësor poetologjik, i japin kësaj poezie gojore një përmasë dhe
vlerë të tillë që e radhisin, të themi me gjuhën e artit, në mbretërinë poetike
të letërsisë sonë[23]
”.[..].
Duke e
parë në këtë prizëm “Këngën e Pal Golemit”, ndjej një ngushtësi në shpirt për
mësuesit tanë që në orët e leximit letrar na e shpjegonin këtë baladë diamant
duke e copëzuar, në klishe të socrealizmit, pa e kuptuar se: diamanti që
goditet (nga jo mjeshtrat) copëzohet e grimcohet dhe humbet vlerat e tij.
Sa i zakonshëm na është dukur Pal Golemi dje, ndërkohë që
ai është tepër madhështor.
Sarandë, më prill 2022
[1] Prefazione Domenico Corradini H.
Broussard, Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2008.
[2] Anton Nikë Berisha, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të
Italisë, Luigi Pellegrini editore, vep. e përm., f. 11
[3] Moikom Zeqo: Forumi Al. “Ju rrëfej
kush ishte Nilo Catalano” Aug 24, 2015; Himara në atë kohë kishte 1430 frymë.
Katalani predikoi shqip edhe në fshatin e Pilurit me 500 banorë dhe në fshatin
Vuno me 600 banorë.(Këto të dhëna i përkasin vitit 1693).
[4]Nilo Katalani, Italian (me prejardhje
spanjolle) i lindur më 1637 në fshatin e Sicilisë, TerraDi Massa, afër Mesinës.
Në 1659 u vesh murg bazilian në manastirin e Grotaferratës afër Romës. Më vonë
u dërgua në manastirin bazilian të fshatit Munxifti si lektor. Moikom Zeqo thotë se Nilo Katalano erdhi fillimisht në Himarë para vitit
1677, por nuk specifikon kohën e qëndrimit. (M. Zeqo: Vepër e cituar). Në vitin 1682 Katalano u emërua nga
Vatikani si Vikar apostolik dhe u dërgua në Korsikë ku qëndroi tre vjet sepse
një sëmundje e detyroi të kthehen në manastirin Grotaferratës, ku nisi të
shkruajë gjuhën shqipe me dialektin e Veriut. Në vitin 1692
«gjashtë mijë [të krështerë] të popullit të Himarës iu drejtuan Sekretarit të
Shtetit të Vatikanit ku ankoheshin për faktin se nuk kishin dërguar më
misionarë, duke dëmtuar kështu mbarëvajtjen e Kishës së tyre» [..].Mateo
Mandala “Nilo Katalano dhe kisha e Shën Thanasit” Panorama Aug 25, 2015.
Papa i Romës e emëroi Nilo Katalanon si
Kryepeshkop të Durrësit më 4 janar 1693. Më 10 maj 1693 u njoftua se «mbërriti
në krahinën e Himarës imzot Nilo Catalano, arkipeshkëv i Durrësit dhe Vikar
Apostolik, i cili qëndroi në selinë e Dhërmiut”. Bashkë me të ishin dhe
Filotheo Zasin dhe Lorenco Mariotti. Që të tre nisën të predikonin në fshatrat
e bregdetit, në Dukat, Tërbaç, Kuç, Zhulat, që bënin pjesë në krahinën e
Himarës, që në atë kohë përmblidhte tërë Labërinë, me gjithsej 40 fshatra.
Predikimi bëhej në gjuhën shqipe. Katalano informonte Vatikanin se i
kishte dhënë «përparësi ngritjes sërish të shkollës për të rinjtë dhe fëmijët
për t’u mësuar të gjithëve Doktrinën e Krishterë». Saktësojmë këtu se mësimi i
katekizmit zhvillohej në gjuhën shqipe. Këto shkolla ishin të njëkohshme me
ato, që u hapën në Shqipërinë Veriore nga Bogdani, Budi dhe misionarë të tjerë
katolikë. Shkolla shqip e Katalanit kishte 80 nxënës, gjë shumë e madhe për
kohën.. Dhërmiu më 1694 kishte 1850 banorë.
Rikujtojmë
se: I pari misionar katolik që erdhi në Himarë ishe Neofito Rodino (1577-1659) që
qëndroi 15 vjet që nga viti 1628-1643. Hapi shkollë në Dhërmi, Vuno dhe Nivicë.
I dyti misionar ishte Nilo Katalano dhe i treti misionar ishte Giuzepe Schirro,
i cili qëndroi në Himarre nga viti 1716 -1728. Veprimtaria e tij në Himarë ndeshi
një përplasje të fortë me kishën greko-bizantine me qendër në Janinë e cila
varej nga Konstandinopoja.
Nilo
Katalani u sëmur në Vuno në 17 Maj 1694 dhe vendosën ta dërgonin në Korfuz për
mjekim. Nisen më 3 qershor 1694 me varkën nga Porto Palermo, por vdiq në mes të
detit, ndaj u detyruan të kthehen në Dhërmi, ku natën e kalojnë në breg. Në agim
ngjiten në fshat, ku me një ceremoi massive bëhet varrimi i Nilo Katalanos. Më
18 qershor 1694 pleqtë e Himarës i shkruajnë Romës dhe e informojnë për
sëmundjen dhe vdekjen e tij, ku veçojnë se u varros në kishën e
Shën Thanasit, me tërë veshjet peshkopale dhe u bënë tërë shërbesat për
përshpirtjen me grurë të zier dhe verë, siç e kërkonte riti mortor. Jehona e
madhe e emrit të tij lidhet edhe me faktin se ai ishte Peshkop i Durrësit dhe
Vikar apostolik i Himarës, pra gradë e lartë kishtare, ndërkohë që misionarët e
tjerë ishin priftërinj të thjeshtë. Informacione nga Moikom Zeqo dhe Matteo
Mandala, shkrime të Gusht 2015.
[5] Anton Nikë Berisha, vepër e cituar f.
19.
[6] Dorëshkrimi i Erlangenit (Erlangenski
Rukopis) mbledhja më e vjetër si vëllim e poezisë popullore serbokroate, është
rreth vitit 1720.
[7] Mateo Mandala; Nilo Katalano dhe kisha
e Shën Thanasit. Gazeta “Panorama” 25 gusht 2015: Përveç greqishtes së vjetër
dhe asaj popullore, studioi me pasion të veçantë edhe shqipen, gjuhë në të
cilën shkroi disa vjersha tetëvargëshe që sot na kanë mbërritur përmes Kodikut
të Kieutit të Nikollë Filjas, edhe ai prift nga Munxifsi. Sipas Zef Skiroit,
Catalano la edhe një dorëshkrim të vëllimshëm, që sot konsiderohet i humbur, i
cili përmbante një gramatikë dhe një fjalor të shqipes….
Në vitin 1682 Catalano u emërua nga
Vatikani si vizitator apostolik dhe u dërgua në Korsikë... Pasi qëndroi për tre
vjet në Korsikë, një sëmundje e shtrëngoi të kthehej (1685)për t’u kuruar në
Grottaferrata. Dy vjet më vonë (1687) u kthye në Sicili, me detyrën e Abatit të
Manastirit të Munxifsit,
[8] Chieuti është një fshat i vogël në
rrethin e Molizes të Italisë, i ngritur më 1680 nga emigrantë arbërorë pas
pushtimit turk.
[9] Nikollë Filja (1671 – 1769) poet e
shkrimtar arbëresh, lindur nga një familje arbëreshe, te shpërngulur në Italinë
e Jugut pas pushtimit osman të Shqipërisë në shekullin XV, me origjine nga
Filiati i Çamërisë. ( thuhet nga don Andrea Filja në një dorëshkrim të vitit
1764). Ai ishte nga fshati Munxift i Sicilisë, në manastirin e të cilit shërbeu
dhe Nilo Katalano duke u mësuar banorëve shkrimin shqip. (Me sa duket këtu e ka
pas lënë dorëshkrimin e tij Nilo Katalano dhe e gjeti më pas Nikoll Filja.
Shën. im. T.M.). Shkroi dhe përshtati në të folmen arbëreshe vjersha lirike me
përmbajtje fetare, të mbështetura në folklor. Përshtati shqip edhe një
“Doktrinë të Krishterë”. La një dorëshkrim me këngë popullore e shkrimet e tij,
që u gjendën në një kodik në Kieuti, një qendër arbëreshe (Dorëshkrimi i
Kieutit). Me këtë veprimtari Filja renditet midis folkloristëve të parë
arbëreshë.
[10] Anton Nikë Berisha. vepra e cituar f.
38. Marchianoi e shoqëroi këtë botim me një parathënie prej 64 faqesh, në të
cilën flitet për historikun e gjetjes së dorëshkrimit, për gjendjen e tij, për
këngët popullore arbëreshe etj.
[11] Anton Nikë Berisha. vepra e cituar f.
39
[12] Dorëshkrimi i Kieutit është realizuar
në botim të përbashkët nga Instituti i gjuhës dhe të letërsisë shqiptare të
Fakultetit të letërsisë dhe të filozofisë të Universitetit të Palermos dhe i
Bashkësisë së Munxifsit (Mezzoiuso-s). Ky Kodik (Codice Chieutino) me titullin
‘I Cristeri arbëresh’ (I krishteri abëresh), iu dhurua në 2015-07-15
Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Vepra dorëshkrim, iu dorëzua Prefektit të
Bibliotekës Apostolike, imzot Cesare Pasini-t nga arkivisti kosovar Bejtullah
Bestani. Sqarojmë se Dorëshkrimi i Kieutit bënte pjesë në bibliotekën personale
të prof. Namik Resulit, ku e bija e tij e kishte ruajtur edhe pas vdekjes së
studiuesit të njohur dhe që më pas ia dhuroi zotit Bejtullah Destani.
[13] Tetëmbëdhjetë këngët e përfshira në
“Kodikun e Kieutit” janë: 1. Sontenith me dij or natë 2. O se ti Pjetrë Vajvodi
3.E ligjë-roi plaku me malt 4. Vaita siprë mbij katund 5. Sontenith gëzuarith
6. Vilie, vilieza kopilie 7. Mbeta motmot me rrogë 8. Kostandini i vogëlith 9.
Duall e bukura në derë 10. Sontenith në dij or nat (Nik Peta) 11. Sontenith me
dij or nat (Pal Golemi) 12. Shum u desh vasha me trimt 13. Sa e vogele ish
molla 14. Triezë e triezezë 15. Të veni n’atë fer (E bukura Katerinë) 16.
Vashëza, ç’ish më mblidh liule 17. Bëri kshijll zonja Elenë 18. Vashëza çe më
mblidh liule (Shega dhe Vllastari).
Këngët e kësaj përmbledhjeje u ribotuan
në vëllimin e parë të serisë “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”
(1635-1912), Tiranë, 1961
[14] Me këtë titull quhen edhe kënga nr. 1,
Kënga nr. 10 kushtuar Nik Petës dhe kënga nr. 11 kushtuar Pal Golemit.
[15]
Anton Nikë Berisha: “Antologji e poezisë arbëreshe” Kozencë 1997 fq 335, nr 93.
,Në këtë libër kjo këngë është botuar
sipas botimit të Zef Skiro (Plakut)
[16] Rikujtojmë që dhe Gavril Dara te
“Kënga e sprasme e Balës” ka një personazh të poemës së tij të quajtur Pal
Golemi (së bashku me Nik Petën), po ashtu edhe te Anton Nikë Berisha: “Antologji e poezisë
arbëreshe” Kozencë 1997 ka një këngë: Nik Peta i lavosur.
[17]
Jeronim De Rada “Rapsodi e një poeme arbëreshe”. Përshtatur në shqipen e sotme
nga Agim Mato Botimet MILOSAO 2016. Fq 122-123.
[18]Anton Papleka : Shqipëria.com 2007, ”270
vjetori i Dorëshkrimit të Kieutit” .
[19]
J. Panajoti-R. Hyso: “Folklori Shqiptar” botim i vitit 1962 f. 115-116
[20]Ndryshime
të tilla janë vërejtur në shumë butime me të cilat jemi konsultuar, madje edhe
te botimi DE RADA: VEPRA 5 RAPSODI E NJË POEME ARBËRESHE Botim i RILINDJA
Prishtinë 1983
[21]
Si dhe për gjithë botimet me këtë mangësi.
[22]Sigurisht që bëhej përjashtim për
vrasjen e mbretit apo perandorit dhe kryekomandantit të ushtrisë, sidomos kur
këta ishin princër të familjeve mbretërore. Në këto raste palët ndërluftuese
kishin rregulla të veçanta në trajtimin e trupave të tyre të vrarë në luftë.
[23]
Anton Nikë Berisha. vepra e cituar f. 50
Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
ReplyDelete* magji dashurie
* magjitë e tërheqjes
* nëse doni që ish-i juaj të kthehet
* Ndaloni divorcin
*thyej obsesionet
* shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
* magji mbrojtëse
*infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
* magji llotarie
* magji me fat
Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
+2348155926512