Timo Mërkuri
Sot është një ditë e trishtë në
Himarë, era vjen si kuje e stërkalat mbi shkëmbinjtë e bregut bien si lotë.
Zogjtë heshtën, kënga isopolifonike u rikthye në origjinën e saj vajtimore dhe:
"mbi një gur anës së detit sot Himara, qan[1]".
Sot pushoi së rahuri zemra e Dhimitër Varfit, Zotit të vërtetë të këngës
himariote dhe s'ka zemër bregasi që nuk u drodh nga kjo goditje rrufeje. Sepse
Himara ka "valëvitur" si flamur krenarie këngët e Dhimitër Varfit (me
tekst të Neço Mukos), ato këngë që dhe Zoti vetë i dëgjonte me mahnitje.
Askush si Dhimitër Varfi gjer më
sot nuk e lëmoi këngën himariote gjer në shkëlqimin e dritës, askush gjer më
sot nuk futi te zërrat e këngës himariote flladin dhe tramudanën e detit
bashkë, përzier me erën dhe aromën e malit në prill, nën një paqe ungjillore
ullinjsh. Askush si ai gjer më sot nuk e vuri zemrën himarjote si shenjë
identiteti në flamurin e këngës, që rrihte në valëvitjen e isos së saj. Ai na bëri
të ecnim me ballin lart te krenaria dhe të ishim të pranishëm dhe aty ku
mungonim, mjaftonte të shkonte kënga jonë.
Ai u bë pjesë e jetës sonë, rritëm
i rrahjes së zemrave tona, ndaj sot ndjejmë një shtrëngim në gjoks, një dhimbje
që më kot mundohemi t'a fshehim, por nuk e ndalim dot lotin, që me gjëmime të
heshtura rrokulliset faqeve.
Na ka hije loti për ty o Dhimitër
Varfi, siç na kishte dje hije kënga bashkë me ty.
Ishe i këngës dhe në parajsën e
këngës do jesh .
Këngë t'u bëftë në këtë përcjellje edhe vaji ynë.
Sarandë, më 30 gusht 2022
[1] Perifrazim i vargut “Mbi një gur anës së detit, qan e
mjera qan” të këngës himariote “Vajz’ e valeve”
No comments:
Post a Comment