Timo Mërkuri
AMERIKANI,
NJË
ROMAN MODERN I ODISE KOTES
Fjala e mbajtur në promovimin e romanit
“Amerikani” në Sarandë.
Moderatori i këtij aktiviteti
promovues të romanit “Amerikani” duke prezantuar Odise Koten foli për ‘të si për
një poet dhe unë ju them se ai bëri një paraqitje reale të portretit të tij. Ai
do ishte brenda portretit krijues të Odise Kotes edhe po ta paraqiste atë si studiues,
gazetar apo prozator sepse Odise Kote i lëvron me sukses të gjitha këto gjini.
Këtë profil shumëkrijues të Odise Kotes
e kemi konstatuar gjatë leximeve tona të krijimtarisë së tij, por së pari
Rudolf Marku e zbërthen kur shkruan: “Odise
Kote ja arin të “zhdukë“ kufijtë fiction të poezisë me ato të prozës. Në prozë
ai fut element të poezisë ... ”. Në qoftë se Rudolf Marku konstaton poezinë në prozën e Odise
Kotes, unë do të shtoja se këtë poezi e gjen edhe te studimet, madje edhe te
artikujt e shkruar prej tij. Kjo është e natyrëshme, poezia është jo vetëm
fillesa, por është shtrati ku rrjedh lumi i frymëzimit të tij, për tu ndarë më
pas në një “deltë” zhanresh letrare për te lexuesi. Pikërisht te ky shtrat gjen
dhe merr me edhe vete proza e Odise Kotes ato vezullime të arta si copëza
floriri. Këtë vezullim floriri e dritësim poetik e shohim dhe e gjejmë në të
gjitha faqet e romanit “Amerikani”, të cilin e promovojmë sot.
I-E them qysh në krye të radhës se romani
“Amerikani” i Odise Kotes është një roman modern, jo për nga ndonjë stil
hermetik apo simbolik i tij, që të shtyn të nënkuptosh diçka tejë asaj që
shkruhet. Ai është një roman modern së pari për nivelin e artit me të cilin është
shkruar. Romani “Amerikani” është shkruar me një frymëzim dhe art poetik.
Frazat dhe fjalët kanë një art që ndrin prej së largu, kanë një tingëllimë prej
rime dhe ritmi poetik, gjë që të bën ta lexosh me ëndje, madje shpesh herë t’u
rikthehesh për lexim frazave apo ligjëratave të plota.
Romani
“Amerikani” është një roman modern për nga stili me të cilin është shkruar.
Moderniteti i stilit të romanit “Amerikani” shihet te qartësia e shprehjes dhe
thellësia e mendimit që mbartin e
përcjellin te lexuesi, madje e “detyrojnë” lexuesin të rimendohet për kuptimin
e pashprehur të tyre. “Mua më internojnë
duke më martuar në Fushë Arrëz” thotë një vajzë e re, Margarita të cilës
një njollë në biografinë e familjes ja “njollos” dashurinë e martesën dhe ne te kjo martesë
shohim vërtet një internim real dhe jo figurative.
Te ligjërata e tij gjën
një dëndësi informacionit, por ajo që ka më shumë rëndësi është se për tu përjetuar
ky roman duhet lexuar “midis reshtave” të shkruara , ku shpesh një fjalë e tij, psh fjala “sakën” të bën të ndjesh e të kuptosh më
shumë se kuptimi i vetë fjalës. Nëpërmjet kësaj fjale, vendosur si një llampë në
një rrugicë ne shohim dhe nënkuptojmë një mënyrë jetese të detyruar, një urdhër
që kornizon hapësirat e jetës dhe të mendimit, dëshirat dhe ëndërat. E përdorur
në kontekstin shoqëror kjo fjalë turke dëshmon: faktin se shoqëria shqiptare
ishte ndalur në “mesjetën turke” dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji
mesjetare.
Moderniteti në letërsi nuk është
një mall që importohet nga jashtë vendit, ai është aritje në krijimtarinë
letrare shqipe duke përsosur e ngritur mjetet artistike shprehëse në nivele
europiane. Moderniteti i një qyteti nuk është ndërtimi i dy tri pallateve me stil
europian, moderniteti duhet kërkuar e parë te jeta e qytetarëve.
Odise
Kote vjen nga Gjirokastra, një qytet me tradita të herëshme dhe të spikatura
letrare, ku dhe e folura e përditëshme është me një kolorit të dukshëm shumëngjyrësh.
Në synimin e tij për të dhënë një roman modern autori ka thirur në ndihmë
fjalorin komunitar gjirokastrit, fjalë e shprehje të cilit janë ngritur në nivelin e fjalëve të
urta si: “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Njeriu nuk ia mbath
dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, dhe pas një përvoje
të tillë, ai rikrijon fraza që kanë të njëjtën vlerë proverbiale dhe flasin sa
për faqe të tëra të shkruara si:”Qetësia
që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me
vete, i kulturës së tjetrit” ku ne, duke e zbërthyer këtë frazë gjejmë çelësin
e asaj bashkëjetese qytetare të komuniteteve të ndryshme që përbëjnë Gjirokastrën, të vetë kulturës qytetare gjirokastrite.
II- Romani “Amerikani” erdhi si një si një tërmet në letërsinë tonë
bashkëkohore dhe në ndërgjegjen qytetare, si për të riparë edhe njëherë rraportet me
shtresën e të përndjekurve politikë dhe me të kaluarën moniste si aspekt
historik, por edhe si një përvojë e re se si mund dhe duhet të shkruhet letërsia
moderne në kohët e sotme.
Sigurisht që për
nga përmbajtja ky roman të kujton romanit “Arkipelagu
Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një specifikë të
veçantë, sepse: ndërsa te “Arkipelagu Gulag” flitet për vuajtjet e të
burgosurve në biruca dhe kampe pune, te romani i Odise Kotes skenat e dhunës
shtetërore janë të pranishme në çdo pjesë të jetës qytetare. Kam theksuar edhe më parë se nuk
është vetëm Nelson Andrea viktimë e dhunës së shtetit monist, të gjithë
shtetasit ndjehen të dyshuar, të përgjuar, të përndjekur, por ajo që vlen të
theksojmë në fjalën tonë është stili letrar i autorit plot kolorit, ngjyra e
melodi që përshkruan skenat, që nga grisja e pasaportës, në mohimin e të drejtës
së ushtrimit të profesionit e gjer në përgjimin në qytet: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma
jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo ”?. Ajo që
e dallon Nelson Andrean është qëndresa dhe besimi se : “Dhe e vetme, sikur fije e hollë të jetë nuk humb.Një ditë do të rritet
për të dhënë forcën e dëshmisë”.
III-Ky roman
mund të quhet dhe romani i ballafaqimeve të të kundërtave. Në kundërshti janë
mendimet e Nelson Andreas me hetuesit dhe kapterët, pasi në kohën që Nelson
Andrea mendon për art e muzikë, kapter Gërdhuqi mendon për lloje të reja
torture. Kjo nuk shpjegohet thjeshtë me faktin se Nelson Andrea i ardhur nga
“parajsa amerikane” këtu “ra në ferrin e diktaturës” dhe nuk kanë qasje
kulturat dhe mënyrat e jetesës së tyre. Shkaku i vërtetë është se shteti monist
mbahej me dhunë, me diktaturë, madje quhej “shteti i diktaturës së
proletariatit”.
Ballafaqimi i portretin të Rako Siranit me atë të gruas së tij, që ai e
quan “shkurrja” na jep jo vetëm kundërshtinë e tyre në gjithë aspektet
social-shoqërore, porn a ndihmon edhe për të parë e vlerësuar mjeshtërinë e
autorit autorit në gdhëndien e portreteve të personazheve gjer në imtësi. I gdhëndur
si një
Shën Mëri portreti i Pandorës, ndërsa të ngjall dhimshuri për fatkeqësinë
e saj, të ngjall shpresë e besim se do jetë ajo ndihmësia dhe shpëtimtaria e
Nelson Andreas dhe jo vetëm e tij.
Nuk e di pse, por portreti i Pandorës reflekton
ngjyra pranverore dhe emri i saj tingëllon si nje melodi.
IV-Romani “Amerikani” i Odise Kotes mund të
quhet edhe romani i rraporteve. Rraporti i artistit me diktaturën, ku veç sa
kemi trajtuar në shkrimin e mëparshëm , në ndryshim nga romani “Arkipelagu
Gulag” ku flitet vetëm për dhunë shtetërore,
te romani i Odise Kotes në një mënyrë fine pasqyrohet edhe rezistencën e
artistit dhe e popullit ndaj diktaturës. Sigurisht që kjo është një rezistencë
“pasive”: artisti mbron artin dhe dinjitetin e tij si artist: “Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e
bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë
si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë
instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në
Nelson Andrean amerikan”, ndërkohë që populli rezistencën e tij e shpreh me
ironizimin e parrullave të partisë në pushtet: -“Domethënë - e prishi dedikatën e tij Oto - tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën” tallen me miqësinë shqiptaro
kineze, apo ironizimi i planeve të ndërtimit të socializmit si te kënga : “Ngremë
pallatet gjer në re/Agallarë s’jemi ne/ Jarnana e tarnana/../ Më të bukru se
kjo s’ka”
Rraporti i artistit me shoqërinë e kohës i ka
të dy aspektet, një shoqëri nën një trysni ideo-politike fillimisht shfaq një
moskuptim e distancim ndaj artistit të
ardhur nga përtej detit (e nga burgu), të cilin e quan “Imperialist”, ashtu si
dhe faktin që artisti vijon të krijojë artin e tij, në heshtje, larg syve të
publikut, dukesqaruar edhe rraportin e artistit me veten e tij. Të krijohet arti
larg syve të publikut është si të shkruhen libra e të mos lexohen nga njeri. Të
jesh artist në kushtet e diktaturës duhet që ta duash artin më shumë se veten, sepse
te arti sheh të dritësimin e popullit tënd.
Të realizosh artistikisht dhë
bindshëm këto rraporte kërkohet së pari
një talent i madh artistik, por edhe vullnet i madh e njohje e thellë e jetës
dhe situatave për të cilat flitet.
Odise Kote me këtë roman dëshmon se i
ka këto cilësi. Ai jo vetëm që na ka dhënë një roman modern bashkëkohor, por së
pari është një shkrimtar i rrafshit të
epërm të letërsisë shqipe që ka
realizuar një roman tronditës shumë dimensional, për të cilin do dëgjojmë të
flitet për një kohë të gjatë dhe do dëshironim të vlerësohej për atë që
meriton.
Sarandë, më 31.10.2022
No comments:
Post a Comment