Timo Mërkuri
POEZIA
MODERNE E HAMIT ALIAJ
Në
“Njëqint vjet e Martë”
I- Në vlerësimin e poezisë së Hamit
Aliaj të gjithë jemi dakort se ajo është një poezi elitare, një poezi e rrafshit të epërm poetik,
madje e një stili të veçantë. E vërteta është se kjo poezi erdhi si e veçantë qysh
në fillimet e saj, e dallueshme edhe nga poezia e patriarkëve Kadare, Agolli,
Arapi, stileve të të cilëve synonin t’u qaseshin shumë krijues të rinj. Poezia
e Hamit Aliaj jo vetëm që nuk kishte gjasa afrimi me to, por edhe nuk synoi t'u
qasej sadopak në ndonjë farë mënyre. Poezia e tij erdhi si një djalosh i
porsazbritur nga alpet me veshjen tipike plot bardhësi, duke na folur për gjëra që ne
vetëm sa i kishim lexuar dikur diku dhe kjo na krijoi përshtypjen se ai erdhi
pikërisht të na ftonte të shkonim ne në lartësitë e tij dhe jo të rrinte ai në
komoditetin qytetar. Stili
i tij poetik erdhi
i beftë, si nga jashtëkoha, i pakuptuar qartësisht, madje duke krijuar rreth
vetes një distancë misteri për “kapriçon” poetike, duke bërë që “disa” të
prisnin e pëshpërisnin se së shpejti do lëshoheshin përmbi poezinë e tij me vërtik ortekët e
pleniumeve. Ishte dimër i keq për poezinë dimri i atij viti kur doli libri i
tij i parë “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974), por për çudi, në vend të
“ortekëve” mbi poezinë e tij, libri promovohet në sallën e mbledhjeve të
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me një pjesmarje të gjërë. Diskutimet kishin
formën e gjetheve të dafinave që do vendoseshin në kurorë për dy poetët e rinj
(bashkë me ‘të u promovua dhe libri i
Skënder Buçpapës “Zogu i bjeshkës”). “Orteku” erdhi shumë shpejt, por ndryshe
nga sa u hamendësua ai erdhi në formën e një grupi poetësh të rinj, që mbuluan
me bardhësinë e krijimeve të tyre organet e shtypit letrar të kohës. Paskëshin
qenë Bjeshkë të Bekuara me poetë këto Bjeshkët e Namuna.
II-Hamit Aliaj vazhdoi të qëndrojë
si një poet i veçantë i dallueshëm, i dukshëm mbi “rrafshin e epërm” si një majë
mali mbi ‘të, i përmëndur si poeti më fin, i bëlbëzuari si poeti më elegant i trevave
veriore dhe i cilësuar si një mit poetik. Të gjitha këto cilësime i përshtaten
portretit të tij krijues e poezisë së tij, por zakonisht këtu qëndrojnë gjithë analizuesit e
veprës së tij poetike, duke mos cilësuar apo duke mos kuptuar aspektin tjetër,
më kryesorin: qënien moderne të poezisë së tij. Madje unë i lejoj vetes të shprehem
se Hamit Aliaj hyri në letërsinë shqipe si një poet modern, ndonëse veshja e
poezive të tij ishte tipike shqiptare.
Për të kuptuar shprehjen “poezi
moderne”, në mungesë të një përkufizimi të plotë na duket me vend të citojmë thënien
e Anton
Nikë Berisha ku shkruan se: “Poezia moderne i shpreh dukuritë përtej asaj që
sheh syri. Poezia moderne synon t’i shprehë dukuritë që gjallërojnë në errësirë
ose siç mund të përfytyrohen ato ose siç mund të jenë; të depërtojë atje ku
syri ynë nuk mund të vërejë, po kjo bëhet përmes “syrit të mendjes” dhe “syrit
të shpirtit”[1]” gjë që
na nxit ta nisim meditimin tonë për poezinë e Hamit Aliaj qysh nga titulli i
librit “Njëqint vjet e Martë” duke shfrytëzuar dhe shpjegimin e Egdar Allan Poe
se: “Realja nuk është bota fizike, materiale, por përkundrazi, shpirtërorja, e
pakapshmja. Është e anasjellta e gjithçkaje që ndjesitë tona mund të
përfytyrojnë dhe që arsyeja jonë mund të përqafojë …[2].
E parë në këtë kontekst poezia e Hamit Aliaj është jo vetëm një poezi e arirë
moderne e poetit, por edhe një aritje e poezisë moderne shqipëtare.
III-Moderniteti i poezisë së Hamit
Aliaj është jo vetëm struktura vargore e poezive, por së pari është vetë
shpirti i tyre, zemra e tyre që rreh. Të kuptojmë një gja, poezia e Hamit Aliaj
nuk ndjehet duke e “parë” me sy të shkruar me gërma mbi fletë libri. Për të
ndjerë dhe kuptuar poezinë e tij duhet të bëhesh një me atë vetë, si me thanë,
duhet “të shartohesh si filiz në trungun e tij poetik”, të ndjeshë si “ngjitet”
ushqimi nga rrënjët e kombit, mitet e legjendat nëpër degë e gjethe, të ndjesh
që je një degë e këtij trungu poetik dhe në “degëzat” e tua bëjnë folenë zogjtë
e bjeshkëve, të ndjesh dridhjen e vargjeve si gjethet nga era, të mbash në duar
e trup dëborën e ngricat e ta ndjesh pranverën para se të vijë te “manushaqet në
mes të dëborës”. Për të kuptuar shpirtin e poetit duhet të kesh vetë një shpirt
të tillë, duke na kujtuar thënien se e : “Poezia është për elitën shoqërore”.
Duke parë me vëmëndje metaforat e
poezisë së Hamit Aliaj ndjen se ato nuk janë një veshje e jashtëme, një kostum
me copë teritali të huaj, qepur sipas modës së fundit të Parisit apo Romës. Ato
nuk janë veshje, ato janë mushkëritë dhe zemra e poezisë së, rrahja e të cilave
i jep jetë organizmit të tij poetik. Ato nuk janë as ballkone metalike “të
shtuara” në ndërtesën e tij poetike, për të soditur panoramën përeth apo për të
ekspozuar disa vazo me lule. Ato janë kollonat mbi të cilat është ngritur vetë
ngrehina.
Pra, modernia në poezinë e Hamit
Aliaj nuk është diçka e jashtëme, e sajuar, e importuar nga arritjet e poezisë
europiane. Ajo ka fituar nga kultura poetike botërore, por rrënjët e saj janë në
tabanin vendas, në kulturën e trashëguar, në arritjet e artit gojor dhe të
shkruar shqiptar. Sigurisht që talenti i tij zbuloi mënyrat më të përparuara në
kulturën shqiptare, i përsosi ato sipas temave dhe çuditërisht si te asnjë poet
tjetër, ato ndjehen komod në poezinë e tij, edhe kur ajo ka temë nga e kaluara
e largët e kombit dhe historisë sonë. “Erdhi
Tanusha në kullën shqiptare/../ Humbiste kreshniku në Tanushën/Si humb mali në
një re të bardhë/../Sa kohë zgjati mpirja, gjë nuk dihet/S’thotë Eposi për këtë
asnjë fjalë/Veç dihet se Halili ynë/Me Tanushën s’lindi as vajzë as djalë”.
(f. 113), duke na treguar se epi shqiptar i hapi shtegun e dashurisë Halilit
dhe Tanushës, por i mbylli rrugën e vazhdimësisë (në ndryshimin e identitetit).
Moderniteti në poezi nuk ka të bëjë
me kohën kur shkruhet apo cilëson poezia, moderniteti në poezi ka të bëjë me
nivelin më të lartë artistik të shprehjes së ndjenjave dhe ideve, si kjo poezi
që në me një frymë epike i drejtohet lumit të Valbonës: “Hej tu
thafshin krahët kopilja ime syqiell/Hënë për hënë me u përhanue/Gojë për gojë
me u përgojue/../Hej Valbonë vdeksha në ty/Që të qash një herë në njëmijë vjet/
E qarja të ketë emrin tim”.(f.111).
Ka një specifikë poezia e Hamit Aliaj, sa është modern aq edhe është
epike, madje mund të thoshnim se palca epike dhe vargu modern janë përbërësit e
shtyllës së tij vertebrore të poezisë:. “Janë
fyer tash tremijë vjet shesheve të qytetërimit/ Janë të tradhëtuar nga trëdhëtia
e parë/ Që krijoi kalin e drunjtë të Trojës”/Rrallë bëhen senator si kali i
Kaligulës në senatin romak/Bartin të gjallë e të vdekur njëherësh/Si kali i
Kostandinit e Doruntinës” (Kuajt hënërrëzuar f.107). “Lumi im
buron në një OH/Dhe ecën përpjetë/ Majëmalesh, majëklithmash/../Drini im
bardhezi/../I vdetmi mbi dhe/Prej një klithme buron” (f. 90), ndërsa në një
poezi tjetër për Drinin shkruan: “ Buron
në lot Dreni”. Nuk gabohen ata që
thonë se Hamit Aliaj është një poet me
frymarje epike në letërsinë bashkëkohore
shqipëtare. “Shtatëqint varre të
hapura në bjeshkë/E asnjë të vdekur brenda tyre nuk ka/Ku kanë shkuar të
vdekurit moj Ajkunë..? (Ajkuna f.106). Edhe vetë “koha” në vargjet e tij është
epike, si e zbritur nga vargjet e eposit dhe mbetur te vargjet e Hamit Aliaj: “Prej mishit tim këpus një skifter/Dhe e lëshoj
mbi këtë qytet/Në këtë qytet kam vdekur një herë/../Gjysma ime ishte verë,
gjysma tjetër niste vjeshtën” (f.70).
Metaforat e veçanta të Hamit
Aliaj shkëlqejnë e mbeten në kujtesë, pse veç bukurisë së tyre mbartin edhe një
ide më të madhe se personalja: “Lotët
prapë veshin tesha të vjetërueme/Për të shkuar në varrimin e eposeve/Që tash
popullohen me jetimë” (f.100). ose “E
mora vdekjen përdore/ e dola gjithë udhëve me të” (f.73). Poezitë e këtij vëllimi
dhe kjo frymë epike na dëshmon se arti i madh nuk pranon të kornizohet në
formate teorish, pasi çdo teori është një kornizë tepër e vogël për poertretin
real të tij. “M’u plak e marta, m’u bë njëqint
vjeçe/Vetë shekulli të martën i lindur”(f. 50) shkruan poeti dhe ne
vetvetiu mendojmë për “tersin” njëqindvjetësh të fatit tonë si komb e si shtet,
ndonëse “Mespërmes të martave kalon lumi
im” i rezistencës për të gjetur “Një
të diel/./Për meshë a për dasma”. Që kjo poezi është lapidare, besoj jini
dakort me mua, por interesante është se kjo poezi kaq moderne në të shprehur,
kuptimshmëri dhe vargëzim është ngritur mbi një koncept të thjeshtë popullor, që
e cilëson ditën e martë si ditë “terce”, si një ditë e keqe. Në traditën
shqiptare, të martave nuk bëhet asnjë festë, nuk lidhet asnjë miqësi apo
krushqi, madje as luftërat nuk fillonin ditën e martë. Në këtë të martë njëqintvjetëshe
poeti ngre këtë poezi, që çuditërisht zbardh e dritëson nga çdo anë. Për këtë
poetin e ka ndihmuar talenti i tij dhe
dashuria për vendin e kombin, të cilat poeti i ka në gjithë qënien e tij.
Sigurisht që talenti dhe dashuria janë janë si uji dhe ajri për poezinë, janë
ato që i japin jetë poezisë, pasi aty ku shteron talenti vyshket e thahet
poezia, ndërkohë që në një “shpirt-shkretëtirë” pa dashuri nuk buron talenti.
IV- Poezitë e Hamit Aliaj nuk janë
frymëzime djaloshare në breg të detit a në prag të pranverës, ato janë “kronika
poetike” të fateve të kombit, që brenda dhimbjes ka farën e dinjitetit të
njeriut në veçanti dhe etnitetit në përgjithësi. “Një
piktore kam njohur në Kosovë/ Që i plakte vajzat dhe nuset i bënte/Plaka
gji(nj)thara që gurin e trembnin”/ lexojmë (në fq 41) plot kureshtje, por
te vargjet e mëposhtëme : “Që në kalimin
e Gurit Biblik të dukeshin plaka/E prej barbarëve të mos dhunoheshin” mes mornicave që më kaluan nëpër trup, m’u
kujtuan tregimet e vajzave dhe nuseve kosovare, që bujtën tek ne në atë kohë
lufte për barbarët serbë, nuk po e vendos në thonjëza apo kllapa këtë cilësor,
por po e rishkruaj: për barbarët serbë, që e shndruan në “armë lufte” përdhunimin,
se nga që nuk i mposhtnin dot burrat trimërisht, ju kthyen grave për tu njollosur
ballin. Dhe mos e harroni ta sokëllini togfjalëshin “Gurin Biblik” si një shënjë ku u (vra) nda kombi ynë më dysh, mos e
harroni ju lutem, se në viset e mia, nënat tona vajtojnë me ligje gjithë jetën
te gurët a shkëmbinjtë ku u vriten bijtë
e tyre. “Hajt se mbrapa ju vjen Drini/E
prapë të reja ju bën/Sa të kaloni kufirin” lexova, apo më mirë të them që e
këndova, sepse si këngë më tingëlloi.
Tipari i poezisë moderne të Hamit
Aliaj, që kudo e kurdoherë të shkruajë për fatet e kombit dhe të vendit është
tepër i dukshëm: “Pranvera erdhi
turbekulare/Marsi me kollitje automatiku” (f.64), “Ma jep pëllëmbën e vogël praverë e vonuar/Të ta shoh fatin në vijat e
duarve/../Harta e dorës më thotë ditë të bukura/Krej krimbat u bënë flutura”
(f.61), vargje që të bëjnë të ulërish për “ditët
e bukura” të vendit tim. “Rrini urtë
lepujt e mi/Se po ju bëj shtetarë/E pastaj ju thërrasin luanë/Kur tju thërasin
kështu ju do trimërohi/Mer vesh shqiponja e mësyn drejt jush/../Vjen breshkani
e ju çnderon/ ….e na koritni shtetin”(f.57) ironizon poeti klasën politike
ndërsa shkruan: “Populli beson si fëmijë,
qesh si fëmijë, mban mend si fëmijë”(f.32) sepse populli është fëmija i përjetshëm
që rritet e nuk harron kurrë, madje as fajet e bijve të tij.
Poezia moderne e Hamit Aliaj, bazuar
te epika që mbart brenda saj, të krijon përshtypjen se ai njeh vetëm viset e
tija veriore, ndërkohë që poezitë e cilësuara prej tij në adresa të ndryshme,
Janinë, Artë, Nju Jork, Moskë dëshmojnë për një tjetër gjeografi udhëtimi, por gjithsesi, kudo që të jenë
flasin për kombin dhe atdheun: “Natën të shkojmë te Ura e Artës/Një gur do ta
marr në shpinë/Janinë, çtë panë sytë moj Janinë”(f.98), madje edhe
neologjizmat shqipërojnë : “Natoje natën
e Greqisë”(f.104). Është forca e dashurisë te poeti, që përparësin e ka për
vendin e tij, duke na argumentuar ndryshe se moderniteti s’ka asnjë qasje me
kosmopolitizmin.
Hamit Aliaj është vërtet një mit i
poezisë bashkëkohore shqipe.
Sarandë,
më tetor 2022
No comments:
Post a Comment