Timo Mërkuri
A M E R I K A N I QË
SOLLI ODISE KOTE
“Është humbja ajo që na mëson vlerën e
gjërave”
Shopenhaueri.
Nëpërmjet shtëpisë Botuese
“TOENA” Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një roman që të trondit si asnjë tjetër për nga përmbajtja,
aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një roman tepër
i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si
një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën
pikëlonë si shi e zeza e vuajtjes, si
vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle roza e zemrës. Me këtë
roman Odise Kote dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz i letërsisë
shqipe bashkëkohore..
I-Për nga përmbajtja “Amerikani” i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të
Aleksandr Solzhenitsyn, por me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të
vuajtjejeve fizike e shpirtërore sepse: në qoftë se Solzhenitsyn shkruan për vuajtjet dhe
torturat e të arestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e kampet e punës,
Odise Kote na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë Shaqipëria ishte
thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në një farë mënyre të
gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin brenda telave me
gjemba të kampit, ndërsa të tjerët brenda klonit të kufijve shtetërorë.
“Amerikani” është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin, vuajtjen dhe
rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij
të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë ndaj atyre mijra të
dënuarve të pafajshëm, për të cilët ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe
vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë u jep ish të
dënuarve politikë një farë ngushëllimi, por neve nuk na lehtëson aspak nga
ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”pa ditur asgjë për
“armiqësinë” e tyre. Si “armiq” na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe
nuk e menduam se shumë shpejt në të
tillë do shndroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e
arestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe
artistësh siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen ti
“shpëtojnë” duke kërcyer pupthi ose duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së
detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj është një lojë fëminore që
krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që ardhja e valës së arestimeve ishte
një gjëmë që fillonte me kuje e vazhdonte me vuajtje.
Ka dhe një aspekt tjetër koha
e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes që ja lartëson vlerat. Pas rënies së
komunizmit në Shqipëri shumë krijues që kishin jetuar ferrin e burgjeve dhe
internimeve nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë, burgjet dhe
kampet e punes , madje dhe e reklamuan këtë krijimtari si lindjen e “letërsisë
së burgjeve”ose “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që përkohësisht tërhoqi vëmëndjen e lexuesve. Më duhet të
them se me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo “rrymë” letrare “humbi” nga
interesimi i lexuesve si lumi që humbet në rërën e shkretëtirës dhe kjo, jo për
faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve. Në shumicën e saj, kjo krijimtari
ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qënit letërsi. ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa
art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”,
“firon” e “letërsisë së
burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit propogandistik me të cilën ishin shkruar, duke haruar që arti në përgjithësi dhe arti
letrar në veçanti është së pari dashuri. Kjo do të thotë që edhe kur shkruan
për kundërshtarin, sado që ta urresh
atë, frazat dhe fjalët e tyre apo për ta
duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi
gramatikor i tyre, sepse ato janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike e
njeriut kundërshtar.
II- “Amerikani” i Odise Kotes
është një roman që hyn denjësisht në letërsinë shqipe dhe qëndron në
rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet e librit, shkruhet e përjetohet
artistikisht jeta në Shqipërinë e errët moniste, por njëkohësisht ndjehet e
shihet drita tej kësaj errësire. Në ligjërimin artistik të romanit dëshmojnë
vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet
personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e trupit te të dënuarëve më
shumë i ndjejmë në lexim apo në efektin psikologjik dhe luftën për egzistencë.
Në qoftë se do na duhej të
pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo do realizohej me një
grup fjalësh, që na kujtojnë përshkrimin
në Bibël të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull dhe
Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e ndjenjash
përmbytin botën e Nelson Andreas qysh nga momentë që shkel në tokën shqiptare,
një mjegulle dëndur mos-orientimi e mbulon jetën e tij në kushtet e një jetese
sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rëshqet drejt
shpërbërjes, për ti lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore, ose më
saktë një triumfi të jetës.
Përsonazhi Nelson Andrea ardhur
nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të
papritur për të, si artist, e gjen veten në
disa raporte që kurrë nuk i kishte menduar se egzistonin, dhe pikërisht e gjen
veten te: a) -raporti i artistit me
diktaturën ku ai fillimisht, më shumë
për shkak të mosnjohjes së funksionimit të jetës në monizëm ndjehet si “i rrëzuari nga anija në mes të
detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas artit të tij, si pas një litari,
ringjitet në kuvertën e jetës.
b) -raporti i artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare jetonte nën
një ciklon propogande të shfrenuar, pa jetë, pa vision dhe arti i vërtetë
shihej si një “blasfemi”, si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj,
ndërsa artistët ishin dënuar, persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit
të artit të tyre, e megjithatë ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje,
larg syve të publikut.
c) -raporti i artistit me vetveten ishte një raport sfilitës për Nelson
Andren. Shpirti i tij si artist ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që
presioni psikologjik, dhuna e shtetit monist dhe strukturave të tij i rëndonin
mbi grykën e “kraterit” të tij shpirtëror si pllaka plumbi mbi grykën e reve
radioaktive nëpër laboratorët bërthamorë.
Personazhi Nelson (Nelo) Andrea në
njëzetëetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj. lufton për të ruajtur
shpirtin e tij artistik e human dhe
jetën në një shoqëri që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen që,
nëse burgu apo kjo jetë që bën si një i mënjanuar ja shkërmoq personalitetin
dhe talentin nën dhunën e përditëshme,
atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe ska të ardhme dinjitoze si artist
prandaj: “Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta
dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit
atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë instrumentet që e
shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean
amerikan”. Kjo rezistencë intelektuale është lufta e tij,
mbijetesa është fitorja, sakrifica e tij ishin vitet e humbura, jo vetëm në
burgje e kampe pune, por gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea për herë të parë në jetën e
tij ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje ajo ishte
keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti njëzet e tre vitet e jetës
së tij në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?
Përfytyroni një djalosh të
rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit të vijë në
Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në tokën
shqiptare, i vënë një thes në kokë e prangat në duar, madje pas shpinë dhe
gjendet përballë goditjes së një shteti me mentalitet dhe metoda mesjetare të
sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea nuk ishte armik i Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje
ai s’dinte gjë për luftën Nac. Çl. (çpunë kam unë me luftën thotë ai me vete
diku) dhe as për shtetin monist apo luftën e klasave . Ai ishte nje shtetas
amerikan që erdhi në atdheun e tij të lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e
gabuar dhe me pasaportën (e gabuar) amerikane. Ishte kjo pasaportë që e
pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij, ishte ajo që nervozonte hetuesit, policët dhe gardianët e burgut,
madje edhe “tutorin” e tij Rako Siranin. Ajo pasaportë i dha emërtimin
“imperialist” ndaj dhe presioni psikologjik dhe dhuna ishin goditje që i vinin
njera pas tjetrës fizikut, personalitetit, psikologjisë dhe talentit së tij me
forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e qëllimit të tyre. Instiktivisht, për
tu mbrojtur prej tyre ai u mbyll në heshtje, si në një “koracë mbrojtëse” , e
cila mirte formën më të përshtatëshme
rezistente ndaj çdo lloj goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e
përshtatëshme” ishte në fakt një përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë
të tij, si hekuri që, kur nxehet, përthyhet edhe nga vetë pesha e tij.
Përkundër portretit së disa personazheve të “letërsisë së burgjeve” që
paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo kampet e internimit e që më së
shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc- realizmit, (veçse në kahun e
kundërt), Odise Kote te personazhi i tij paraqet objektivisht edhe ndikimin
tjetërsues të presionit të diktaturës mbi ‘të. Nelson (Nelo) Andrea nuk u vu në
shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje as “tradhëtinë e butë”
(qëndrimin shpërfillës ndaj fatit të
miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë prej njëzet e tre vjetësh nën
trysninë, jo vetëm psikologjike por edhe ekonomike e fizike, bëri që edhe ai të
“ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarjes”
e adresuar te personat shkaktarë të vuajtjeve të tij. Është një fenomen i njohur psikologjik: një
njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur detyrohet të jetojë
në një ambient ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e jetës së shoqërisë
dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instiktivisht kërkon që të largojë
nga vetja ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi duke u hakmarrë ndaj dhunuesit:
“Andrea mori frymë thellë dhe iu drejtua
ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot… Por më falni …aty
në rreshtin e tretë është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që
duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në
rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”. Ai mendoi si shqiptar i
persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri) se ishte parimisht e
drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit , shkaktarin e vuajtjeve të
tij në atë sallon të ambasadës Amerikane ku ai, si i ftuar i veçantë bashkë me
të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri e ka befasuar
përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa
probllem, pa probllem, - reagoi shkathtësisht ambasadori…. U ngrit për kortezi
nga vendi, i përshëndeti dy violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem,
kjo është demokracia. Vazhdojmë me programin më tej”. Do ti duhej për ca
kohë një klimë e re, një mënyrë e re jetese për të rigjeneruar këtë “shtypje të
koracës” së tij, apo edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i
këtij ndikimi është dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së
njeriut nga autori dhe kjo e bën personazhin e tij shumë real.
III-Ka dhe një pamje
tjetër që e bën këtë roman një vepër
të realizuar artistikisht: ai bën objekt
të trajtimit artistik shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone
tipike të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i
përmëndëte askush, portrete personash të “gdhendur” si në gur etj. Të gjitha
këto dukuri, ngjarje e persona në fakt
nuk janë dhënë me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një
“ambient” ku jeton “historia” e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre me nivel
artistik nuk i ngre ato në piedestal, por i afron si “bazorelievë” në
bazamentin e monumentit artistik të veprës.
Me artin e tij, si me një
hark violine Odise Kote ka prekur fijet më të holla dhe të padukëshme të jetës
duke na dhënë një muzikë të dhimbëshme gjer në asht në këtë roman të shkruar me një intensitet artistik, që të
krijon përshtypjen se ngjarjet nxitojnë
të përfundojnë shpejt, nxitimthi, si një
periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta : “Sapo shputat e këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej
kohësh, atë e ndalën. Pa më të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për
krahësh, e rrëzuan barkas në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve... Më
pas e ngritën si pupël, pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë e hypën në Gazin
69 të degës së punëve të brendshme”, ndërsa na paraqet brenda Gazit 69 të
policisë personat që e kryen këtë
veprim,: “Veç shoferit, ishin dhe dy
burra të tjerë të armatosur... Dëgjohej kohë pas kohe një bisedë e shtruar dhe
kolla e thatë e njërit prej tyre.... Tjetri ishte hokatar. Rrëfente pa pushim
histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e rrëshkitje burrash nga fiqiri,
dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë...Të dy pinin cigare të dredhur. Binte
erë e keqe...”. Mjaftojnë keto dy vijëzime portreti, për të njohur nivelin
kulturor të policëve, por dhe për të parandjerë zhvillimin “profesionist” të hetimit: “Kur u kthjell disi pa se një gjatovino syskifter ishte ulur përballë.
Hollak, shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija... Papritur kujtoi se ai
vinte nga skëtera. Gjatovinua syskifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen;
përse kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse kishte ardhur asaj Amerike..”një
formulim pyetje që e bëjnë zakonisht njerëzit e paarsimuar të zonave rurale,
miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj kasabaje? për tu bindur se dhe hetuesia
përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që kërkonte
posti zyrtar. Më tej : ... e afroi
(karriken shën.im.) pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, ...që
ngjasonte me tyrjelat e holla që futen imtësisht në vesh. “Të gjithë e kemi nga
një sekret... Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde mund të na
kushtojë jetën të dyve. ...Një muaj më parë.... Më transferuan këtu në këtë
humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe
ti., dhuratë nga qielli apo mallkim? Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im.
Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit.” Te këto tre rreshtat e fundit shohim portretin psikologjik të një hetuesi
sadist, që për tu ringritur në detyrë pas “ardhjes në këtë humbëtirë” kërkon shpëtimin
te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij. Kuptohet
që këta tipa janë ata që ngritën shkallare me kufoma për tu ngjitur në karierë
apo në shpëtim të vetes së tyre. “Tek kjo
dhomë kanë hyrë me dhjetra armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e kanë dalë si
qengja. Mos e kërko fatin e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja janë një
udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do zbrazesh. Do më thuash fije e për pe se kush të
ka dërguar e për kë punon?”i kërcënohet të arestuarit duke dëshmuar vulgaritetin
qytetar, cekëtinë profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij,
por të një brezi zyrtarësh policie që lemerisën gjithë popullin me vrazhdësinë
shtazarake. Në qoftë se dikush do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”si për
një rast të veçantë, le të shohim hetuesin tjetër:“ E kishin zevëndësuar (gjatovinën) me një shkurtabiq babaxhan,
mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur dhe këmishën e mbante
zbërthyer dy kopsa për të treguar gjoksin e gjerë leshtor... dhe i pëshpëriste:
Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po do t’ja dalim. Si
thua? ...Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi përdoresh.... Njëzet e
shtatë mesnata të tjera rresht, që zgjatnin deri në agim”.
Le të shohim dhe një skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson
Andrea: “Nuk ishte ngopur plotësisht me
ajër..., kur befas, m’u në fund të qafës hollake iu vërvit me shpejtësi rrufeje
kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e kishte përgjuar, i qe
afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha, si bisha kur i turret
presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen - ishin të uluriturat e
mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. Kujt i bën shenjë ti, kujt i jep sinjal?
Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të të rrjep” - nuk
pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me proka.... Kapter
Gërdhuqi pushoi vetëm kur u lodh”. Dhe të mendosh se Nelson Andrea në këtë
prag dhune nuk ishte në ndonjë prag tentative aratisjeje, përkundrazi ishte në
një përhumbje muzikale pas stërlodhjes fizike nga puna e rrëndë, pikërisht në
momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një
melodi që si një shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkrive.
Sikur tingujt mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e ta shtynin
me duart e padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej
dhe të ikte pakthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të
fluturonte dhe vetë”.... “Nelo Andrea
doli nga zyra e komandantit të kampit Meleq Hazënbeu më i gjakosur se sa hyri.
Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E kishte kuptuar përfundimisht se hapat
për në zyrën e komandantit të kampit nuk ishin ato që të conin tek një zyrtar
shteti, por rruga që të çonte drejt e në ferr”, atëherë sheh qartazi
përballë njera tjetrës dy botë, dy kultura, dy njerëz që “flasin në epoka të
ndryshme” ndonëse janë bashkëkohës.
Artisti është më i fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj
diktatura së pari godet artistët dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të
drejtën e publikimit të artit të tyre, sepse e di që arti, nëpër rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez
zjarrin e shpresës dhe mbi mendimet si “dru të lagura nga frika”. Diktatura i
vret artistët, por ajo nuk ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art jeton edhe shumë dekada pas rënies së
diktaturës, madje pikërisht në këtë kohë, ky art ndrin si një kometë, e cila në
vend të bishtit të zjarrtë ka kujtimet e jetës
dhe rezistencëss së artistëve ndaj diktaturës.
Në kohën që kapterat e burgjeve dhe kampeve ëndëronin dhe projektonin
forma më “efikase” dhune ndaj të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera
humanizmi. Kështu, mqse atë ditë kishte
përfunduar hetuesia e tij pa ndonjë fajësi, Nelson Andrea kishte përjetuar një
frymë mirësie e faljeje kristiane: “Zoti
nuk do që ca të qajnë më tepër e ca të qajnë më pak. Fituesi le të falë. Falja
nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga mornica të holla mirësie,
asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin, përbindëshin e pashpirt
të kampit e shikonte disi me përdëllesë”, pa menduar se me këto ndjenja ai
dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi dhe i forti gjithmon fal, i
dobëti vret. Gjatë pushimeve në hetuesi
përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në konkurimin: “...për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit.
...Fitoi. Prej gjashtë muajsh ishte njëri nga tre muzikantët e rinj të
Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegëtime
të detajuara për shpirtin e tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse
gjithësia është brenda njeriut. Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani i
ngjante se përbrenda tij ishte bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi,
përçudnim”, ndaj dhe rriste në vetvete besimin se: “Një ditë do të iki nga ky ferr dhe do ti rrëfej botës tmerret e
mizoritë e tij” çka na kujton At Zef
Pllumbi dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.
IV-Jeta shqiptare e kohës nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht
dhe të realizonte dëshirat e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e
planifikuar, e kontrolluar nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore, nga lart vinin të drejtat e studimit, që në
shumicën e tyre s’kishin asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin
emërimet në punë, nga lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes,
filmat që do shiheshin e muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe
stili i qethjes së flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën
suverjim, çdo dashuri apo martesë me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë
në biografi” “njolloste” dhëndërin ose nusen dhe familjen e tyre.
Përgjithësisht ishte një jetë monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te
ushqimet bazë, një jetë që nuk të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte
jashtë kornizës të shoqërisë, menjëherë do vihej nën suverjim. Intelektualët dhe artistët ishin shënjestra e parë e goditjes
së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi arestime poetësh e
shkrimtarësh, inxhinjerësh nafte e mjekë, heqje të drejte botimi apo ushtrimi
profesioni e botimi apo internime familjesh ishin bërë një rutinë e
përditëshme. Frika dyndej qyteteve më shpesh e më dëndur se mjegulla.
Nelson Andrea, ky artist,
pjestar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjëndet papritur
përballë strukturave të një shteti që hymnizonte kultin e dhunës. Ishte shteti
i diktaturës së proletariatit që “drurin” e kishte në fakt “direkun e anijes shtet” ku mbaheshin të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë kujtojmë se
romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit kërkonte
nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve për të drejtuar sektorët të jetës,
sepse një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët është një
shoqëri që punon për zhvillimin dhe përpraimin e saj. Mirëpo në Shqipëri, fakti që këta të rinj e të reja ishin
intelektualë i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një
antagonizmi “de fakto” midis intelektualëve dhe nëpunësve “çerek të arsimuar” që kishin mësuar vetëm
shkrim e këndim nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek
të arsimuar” e ndjenin dhe e kuptonin
se përparimi dhe arsimimi i vendit do ti spostonte në vijën e dytë e të tretë të
drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arogancë, servilizëm,
spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj artistëve
dhe intelektualëve i rëndonin kohës së “tyre” për mos të ikur, siç u rëndojnë
balonave qeset me rërë për mos tu ngritur.
Thuhet se dhuna fizike është
“forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek të
arsimuarit”, që në këto vite quhen rëndom “analfabetë” sepse s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin
gazetën. Si të tillë ata kishin gjetur
mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është
e tmerëshme dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e
dhimbëshme, shkatëruese, sepse është e pamëshirrëshme. Kjo dhunë, veç arsyeve
të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për
arsye se: vetë prania e intelektualit
dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen,
por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste
drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato
vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në
gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte
një nga faktorët që ndikuan në
rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne.
Për të përballuar presionin
psikologjik Nelson Andrea “aratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës dhe
dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij për të
mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime i japin “ajër” frymarjes
së tij, por ja që “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e
jetës në çdo moment” (Samuel Lion). Këto kujtime i japin forcë për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se
një ditë “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca
“ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”. Aty zbriste Nelson Andrea dhe
jetonte jetën e tij. Ai bënte aty krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të
gjejë dhe në Shqipëri një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të
punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola dhe Margarita, por mëson se dhe
atje ishte i suverjuar, madje tmerohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e
tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”ai pranon në heshtje “urdhërat” e Rako
Siranit për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin e tij. Pranon të “vetëquhet” nipi i tij, të
ndryshojë emrin në Nelo Andrea nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një
vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajëshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë
dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas
burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë
Rako Sirani. Ai, në dukje shndrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm
nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur” ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e
shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën
muzikore në tokë” me violinën Stradivari, atë violin që e mbrojti nga shteti si
flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.
V- Duhet të pranojmë se Odise Kote në rrëfimin dhe ballafaqimin e
dukurive, mendimeve dhe kujtimeve dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi për
mënyrën e pasqyrimit dhe kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse ai e
sheh dhe e shkruan letërsinë si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si
një produkt i mëndjes. Ca më tepër, në
rrugëtimin e subjektit të librit ai shënon datat e ngjarjeve si piketa kohore,
si një kronikë që saktëson ngjarjet: “Ditë
e paharuar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë - Tiranë ulet në pistën e, rreth
orës 23 e 18 minuta”, “Në nëntor,
gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me temperaturë të lartë” ,
“Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, ...Ishte korrik. 9 korrik
1968.”, “Ora 2.30 minuta.Natë e ftohtë, me shi dhe erë “, “Ishte shkurt, 14
shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea hyri në kube”, “Në
pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë...Nelo Andrean e arrestuan”, ”Ora ishte e njëjtë, si e herës së parë,
3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë” etj. duke i dhënë
edhe në formë librit një saktësi strukturore dhe korektësi kohore.
Odise Kote është një penë e
bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së pari te
dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën i tregon ato që shkruan si
përjetime ëndërrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të fjalisë, që
të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh ai nervi që i përshkon tej
e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh si para dashurisë së parë.
Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë. Odise Kote në fakt e dashuron letërsinë dhe
kjo është e dukëshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë,
thua se i dridhet zëri e zemra nga
emocioni si para vajzës për të cilën
ëndëron, kur flet si ”autor”, pa
tonalitet. Kjo sepse ai realisht ka
paraqitur botën e tij shpirtëore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës
së frymëzimit”që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai
vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës ja di drejtimin:
domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.
Unë ju them se si stilist Odise Kote është i veçantë në letërsinë
shqipe, madje jo vetëm kaq, ai e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë
dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të
hirtësuar nga vjetërsia e kohës, çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij ato
“çelin” petale plot ngjyra duke pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë
e frazës. Shprehjet dhe fjalët: “cërga të
mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite ”, “tejanë”.
“Hollak”, “ kishte mbirë nga hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta
pjek atje në heshtje të harresës”,. “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të
gjallët”, “Heshtja fryhej e veshtullohej”, “egërshane”,” tejçim pëshpërime”,
“Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e
dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,” sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe
rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”etj... të cituara sa për ilustrim, flasin për një njohuri dhe dashuri të autorit
për fjalorin dhe shprehjet komunitare të qytetit të tij, dhe lartësinë e tij
artistike në përdorimin e suksesshëm të tyre në një roman bashkëkohor. Madje
mbi bazën e kësaj përvoje Odise Kote krijon fraza që kanë formën dhe forcën e shprehjeve të
urta, rrahur në kudhrën e kohërave e që
zbresin në tekst si rrufe në të kthjellët dhe të befasojnë me dritën dhe
shkrepëtimën e tyre si: “Zogjtë nuk e ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjëlit
e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi
nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj
përbrenda si një perëndim”, “tradhëti që mbahej mbërthyer me njëmijë gozhdë për
të mos u shqepur”,” Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të
gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira nuk mund
ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk
mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mission”,
” Të fajësosh një gjarpër se ka dhëmbë helmues nuk është mençuri” etj.
Thuhet se për të vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së
romanit, ngjyra dhe tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt nisja e romanit të Odise
Kotes i ka ngyrën gri dhe tingullin e
rëndë me disa sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte prej nga i vinte
ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije hidhërimi. Në kokë i
kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për violinë të Bethovenit”.
Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra dominuese e romanit, kalon si një
re e fundit e dimrit që ikën, në qiellin
pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë
gjithçka Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërmijë nga trupi dhe jeta e saj,
ishte larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re,
Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte
larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”,
duke i lënë vendin një stine të re në jetën e personazhit.
A ju kam thënë që Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën
dhe ka marrë prej saj, madje duke lexuar krijimet e tij të krijohet bindja se
ai ai është krijuar nga era e Malit të Gjerë
dhe aroma e manxuranës e vasilikoit, nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e
vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e
hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye
që i bën vend dritës së diellit në sytë e tyre. Më duket mua apo Odise Kote
është i dyzuar, qytetar dhe intelektual që mban strukur në një xhep të zemrës
dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket
sikur është arshivë, por në fakt ai është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.
Shumë herë, mjafton një fjalë e
tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke “sakën” të
cilën autori e “shpjegon” artistikisht si : “fjalë turke me mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e
dëgjon... përdoret gjerësisht. Fjalë - kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien
gjithë lutjet, kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha
thyejnë kokën në brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin” , dhe
për të cilën unë do shtoja : “fjalë që
tregon një urdhër për stopimin në vend të dëshirave , nismave, ëndërrave dhe
çdo mendimi të ri”, por që dëshmon faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në
“mesjetën turke”dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare. Kjo
fjalë tipizon edhe vetë personazhin që e përdor aq dëndur, Rako Siranin sa që
atë normalisht mund ta quash thjesht : “shoku sakën” dhe me këtë fjalë e ke dhënë me ngjyrat e duhura
portretin e tij. Një fjalë është, por gjeografia e kuptimshmërisë së saj kërkon
një fjalor të tërë për tu treguar.
Gjuha e të folurit komunitar sa ka bukurinë, filozofinë dhe tingëllimën e fjalëve tipike aq ka edhe
rrezikun e një fjalori uniform që përdoret nga një libër te tjetri, nga proza
në poezi. Mjeshtëria e autorit është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të
shprehuri uniform në gjithë krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin
në një lëndinë janë të gjitha lule tipike lëndinash, por ato nuk janë lule
njëngjyrëshe dhe as të parcelizuara sipas ngjyrave. Aq më pak janë të njëjtat
në të gjitha lëndinat. Ashtu si çupkat
zgjedhin lulet që i lidhin kurorë, për ti mbajtur në kokë në lodrat e tyre nëpër këto lëndina, apo lulet që i mbledhin në tufa dore dhe i
marin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh fjalët dhe frazat tipike
komunitare për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u çfaqur gjithnjë sa origjinal aq dhe i “shumëngjyrshëm”.
V-Me një dendësi bërthame ku struket jeta e një peme të ardhëshme, Odise
Kote përshkruan ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket,
zakonet dhe kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek brigadier Bariu:
-
Shokë ... nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina
është me ne.
- E
ç’na ka Kina ne? - s’u përmbajt Dikja - aq grurë sa hanë minjtë në hambar të
një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu,
kam dëgjuar se Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për
pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina?
-“Domethënë
- e prishi dedikatën e tij Oto - tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”...E
pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë Valarenë, një fshat i vogël në
Gjirokastër me Kinën, vetëm shurdhi nuk e dëgjon ironinë.
“Prishja( e kishave) paraprihej
nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin me zjarr ligësinë e
zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve fetare. Rrokopuja dhe
rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa kisha mesjetare u
shndërruan menjëherë në vatra kulture. Kërcim dhe hare. Disa të tjera u bënë
hambarë të misrit dhe fasuleve”pasqyrohej “nisma e rinisë” për prishjen e
kishave dhe xhamive.
Me një muzikë : “...prej tingujve
të ç’akorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut nga
fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e panatyrshme
mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje shtazarake, të
çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për muzikë as që bëhej
fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi, në timpanët e
qytetarëve mjeranë” shoqërohej dita festive e votimit.
Me një dendësi kuptimore fjalësh për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur
i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan
harruar apo …”? “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku harrojnë këta!” autori
jep atmosferën qytetëse në periudhën e
luftës kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të
larta të ironisë popullore te zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet...
arrestimet e asaj vjeshte.... Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit
Labëria.. Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit
armiqësor ishte dhe një ushtarak veterinier... Ai rriste dhe stërviste kuaj
parade. Kuajt, u tha në aktakuzën publike nuk stërviteshin sipas platformës
kineze, siç dhe ishte urdhëri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike.
Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës ishin nervozë dhe
nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa - me bythë përpjetë
gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi
vjen si një ulërimë paragrafi tjetër: “Ndaj familjes së tij u veprua menjëherë,
egërsisht. E “zhdukën” nga faqja e dheut”.
VI-Ka një personazh romani i Odise Kotes që mund ta cilësojmë pa frikë
si një ndër personazhet më të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka
një Rako Sirani që nuk e ka asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish
punonjës i seksionit të sekuestrimeve të floririt të tregëtarëve të periudhës
së luftës, punonjës arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani ju
paraqit Nelson Andrean te porta dalëse e burgut si një : “Engjëlli që e priti përjashtë”duke e sqaruar se ishin “kushërinj të largët nga ana e nënës”. “Unë e di ç’hoqa të rregulloja lirimin me
kusht”i thotë Nelsonit si argument përfundimtar bindës, sikur ti thoshte që
“jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta
thashë që në fillim të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të
njohur nivelin kulturor mjafton të tregojmë se kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë
lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i vetëm i lirimit është se nuk do t’i
biesh më qemanes, ja kësaj - dhe nxorri... nga thesi i plaçkave violinën
Stradivar. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe! Hahahaha” dhe kjo e qeshur tingëllon si një e qeshur
triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani ja hedh edhe shtetit të tij, kur ja do
interesi.
Misterin e ndihmës që Rako Sirani
i afron Nelson Andreas sqarohet pa dashje nga vetë Rakua kur i thotë: “Unë do të ndihmoj jo vetëm se të kam timin
por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e si qenë këto
detyra shteti na mbushet trupi me
mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një
pasaportë të re shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin se ky që ke, … bie erë
amerikanizëm. Do na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke.” vijon Rako
Sirani të paraqesë platformën e tij ndaj “nipçes” duke treguar dhe rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish teshat e reja që të kam
blerë se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën me kyç”!
Rako Sirani përfaqson ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e
kulturë, por me një shkathtësi veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti” ju
ngjitën pushtetit siç u ngjiten disa miza afrikane gjedhëve. Këto miza thithin gjakun e gjedhëve për të
jetuar, por në rast rreziku ato largohen me shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë
rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë mënyrë “ushqyesit“ për afrimin e
“armikut”. Kjo formë bashkëjetese quhet “simbiozë”. Shteti mbante në
simbiozë njerëz-“miza” të tilla që i
thithnin “rrogën”për tu ushqyer dhe si shpërblim këto “miza” zhurmonin rreth njerëzve që nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të
qytetit, por punoj dhe atje - dhe uli tonin kapardisës të zërit - punoj dhe në
Degën e Brendshme si shifrant. Më thërrasin herë pas here” i pohon Rako
Sirani Nelson Andreas kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në
imtësi, për ta frikësuar që të mos revoltohet ndaj tij.
Për nga niveli i inteligjencës që
kishte, Rako Sirani kryente veprime të vogëla, por duke i bërë publikisht, ky
publicitet u jipte dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin si një nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë: ..“Si përherë në ballë shoku Rako!
-Vota
jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! - pas
kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër
anëtar i komisionit u ngrit dhe i afroi një fletore - listë me emra”.
-
“...në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët
plot, ..Në të vërtetë ishte çasti kur në dokumentar udhëheqësi nga tribuna e
fitoreve hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe tërhoqi mikrofonin e ia
nisi avazit: Këndo o bilbil, këndo /
topemadhiinënës -o …!Por atë çast, ai
(Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja ... duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora.
Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.
Janë këto veprime publike që ja
“rritin”vlerën Rako Siranit në sytë e atyre “atje lart” dhe i japin guxim dhe
shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet
sekretar i komitetit të partisë për artet, kulturën e propagandën me
detyrë që e kupton si: “Jam për të mos
lejuar pinjollët e borgjezëve e pasanikëve që të hyjnë në art”. dhe më pas
emërohet në ministri.
Në qoftë se mendohet që qëllimi
i Rako Siranit në jetë është bindja politike, kariera partiake apo
administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai
si objektiv ka ...”floririn”. Duke punuar në seksionin e sekuestrimeve të
floririt tregëtarëve të pasur, në vitet e para të pas luftës ai njohu pasurinë,
forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim. Gjatë sekuestrimit
te familja e Kristaq Bukëvallës tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen
e tij, për të aritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe
organizimi prej tij i martesës së Nelo Andrea me Pandorën, vajzën shurdh-memece
të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim
për Rako Siranin në këtë plan ishte dashuria që lindi natyrshëm mes Nelo
Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i
dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore dhe kuptoi
se erdhi koha që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja që u ndodh
në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar
një nga arsyet e shumta pse shumë ish funksionarë e punonjës dikasteresh të
kohës së monizmit u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit
një tranzicion të stërgjatur.
Rako Sirani është personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se
personazhi më shpirtëror është Pandora shurdh-memece që dashuroi Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë
e saj. “Dashuri mes dy njerëzve nuk matet
nga numëri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre”-thotë diku Milan Kundera.
Në kët kontekst unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të shënoja pranë thënies së
tij se: Dashuri nuk matet as nga numëri i puthjeve që shkëmbejnë partnerët.
Dashuria matet nga vlaga e zjarrit që ndezin në shpirtin e njeri tjetrit, nga
besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria matet me ballë
tërmeti që shkakton në shpirtin e
secilit afrimi i rrezikur te njeri prej
tyre. Dashuria është ëndër, është ëndër, është e vetmja ëndër që të vjen dy herë në
jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë e
të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e
ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë
ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del
mbi valë përsëri, ndoshta është shndruar në një peshk, sepse s’duhet të
humbasë, s’duhet të vdesë kursesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote
dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit ndjejmë dhe kuptojmë se është një
dashuri e përfshirë në një roman dhe jo
një roman që ka të shkruar një histori dashurie.
Në kohën që Rako Sirani gruan e tij e quan dhe e trajton si një
“shkurre”, Nelson Andrea gruan e tij shurdh-memece nisi ta njohë e ta dojë “si
gruan e tij” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një
rrezik dhe në kushte minimale jetese. “Do
puthemi me buzët që kemi” thotë një shprehje niviciote me një kuptim shumë
më tejë se puthja e mirfilltë e dy njerëzve.
Njerëzit e vuajtur që i bashkon fati e njohin njeri tjetrin, kur shohin
se ata (njerëzit që dashurojnë) ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye
objektive bëhet pengesë për një ecje të mëtejëshme, ata vetëflijohen dhe
largohen nga jeta e njeriut që duan duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo... Iku ndoshta në vijën e saj të
yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas
shqiptar,. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk
mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç
dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.
Ky vetëflijim nuk është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe
dashurinë e vërtetë, si e urta Pandorë.
VII- Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të
shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmon diçka të re për të thënë.
Sarandë,
më shtator 2022
No comments:
Post a Comment