Nga
Timo Mërkuri
LOGATJA E DILISË
SIPAS PETRIT RUKËS
I-E
papritur ishte për mua thënia e “Mjeshtrin të Madh” Roland Çenko se ka muzikuar
një logatje (monofoni) me tekst të qëmtuar në baladën e Petrit Rukës “Nënë ç’ma
bëre Dilinë”, madje si për të më shtuar habinë, më shpjegon se: e ka
interpretuar në një aktivitet promovues të krijimtarisë së Petrit Rukës të
zhvilluar në Gjirokastër. Befasia ishte më se e plotë ndaj dhe i kërkova linkun në YouTube si dhe
sqarime për rastin, nga ku mësova se: në datën 24 prill 2021 në qytetin e Gjirokastrës me regjinë e Kudret
Alikaj u zhvillua një koncert, i cili promovonte krijimtarinë poetike të Petrit
Rukës, fragmente poemash dhe poezi të të cilit shoqëruan gjithë aktivitetin. Vetë
Petrit Ruka mungonte për arsye shëndetsore (do shuhej më 06 Korrik 2021), por u
bë i pranishëm me një përshëndetje në video kasetë. Në këtë aktivitet Roland
Çenko interpretoi një “logatje” (monofoni) me tekst të krijuar nga vargje të qëmtuara
në baladën “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të
Petrit Rukës, tekst të cilën e paraqesim për lexuesin:
Logatja e Roland
Cenkos
Dola lart brigje më brigje,
ta kërkoj, ta qaj me ligje,
Dola, fola, moj Dilinë,
pse s'dëgjon mua të zin-ë?
-Të dëgjoj e qaj me lot,
por jam thellë e nuk dal dot,
jeta ime nuk ka portë,
ma gëzo ti atë botë...
24 prill 2021
Befasia m’u shndrua në një mahnitje
kur e dëgjova interpretimin mjeshtëror të Roland Çenkos, qoftë për tekstin
konçiz , qoftë për vetë vijën melodike të logatjes, një përzierje vajtimi dhe kënge
bashkë. Në një sfond gri, teksti i këngës
vinte drejt meje, duke ju “rrëzuar” tingujt vajtimorë si kalorësit e një
ushtrie nën goditjet e shigjetave që vijnë nga larg. Zëri i Roland Çenkos nuk ishte një zë i qartë
kënge i kënduar me qejf e gëzim, përkundrazi dukej si një zë “i lodhur” nga
pesha e dhimbjes, si i ardhur nga larg,
nga tejëkoha duke tërhequr zvarë tingujt e fundit. Dhe ato zanore që zgjateshin e holloheshin si
filli I një jete që po këputej. Eh moj Dili ç’na bëre! Kaq shekuj e ikur dhe
prapë vjen mes nesh. Unë s’di pse ndjeja
se brenda zërit të Roland Çenkos vibronte dhe timbri i Petrit Rukës sidomos kur
përmëndej emri i Dilisë. Vetëm atëherë ndjeje më shumë se sa kuptoje se nuk
ishte zë këngëtari, por ishte një ngashërim njeriu shkaktuar nga copëtimi i
zemrës.
Të dy ishim miq me Petrit Rukën dhe ndërsa
bisedonim në telefon, na dukej se e kishim venë në mes poetin duke e kapur
secili nga një krah dhe ecnim rrugëve të baladës së Dilisë duke logatur, jo
vetëm këtë tekst, por gjithë baladën e riprurë prej tij. Pse unë isha në Sarandë,
Rolandi në Gjirokastër dhe i miri Petrit Ruka ishte në përjetësi, kjo s’kishte
të bënte fare me ne apo me çastin.
II- Kam folur shumë herë për
logatjen, por me qënë se te ky libër kushtuar Petrit Rukës nuk kam patur rast, për
lexxuesin e tij po i rikthehem dhe njëherë kësaj teme. Kemi thënë e shpjeguar se kënga isopolifonike e ka
origjinën nga vajtimi me ligje, ose e thënë ndryshe, vajtimet (ligjërimet)
mortore të nënave e motrave shqiptare, janë burimi i këngës isopolifonike. Sigurisht
që ky proces është zhvilluar për një kohë të gjatë, por duhet theksuar se
fillesat i ka në hershmërinë e jetesës në familje. Laboratori shpirtëror i
popullit tonë, nëpërmjet një procesi (shpirtëror) trasformimi, ligjërimet e
arira si tekst e si vijë vajtimore, i
shndron në këngë isopolifonike. Vetëm në
përsosjen e tij, sipas këtij procesi u krijuan këngë të reja
isopolifonike. Shndrimi i ligjërimit në këngë është një process i gjatë kohor,
ku teksti vajtimor është i pranishëm gati çdo çast (ashtu si në fabrika lënda e
parë). Kjo është e natyrëshme, nënat
tona kanë vajtuar çdo ditë të jetës së tyre për bijtë e bijat e ikur para kohe. Kohë pas
ceremonisë mortore një e afërme e familjes, gjatë një momenti kur qëndron
apo ecën vetëm, diku në arë a në pyll, në një çast ligështimi shpirtëror i
kujtohet ligjërimi mortor dhe nis e përmënd tekstin vajtimor me një zë të përvajshëm.
Duke qënë e vetme, ajo nuk mund ta vajtojë sipas ritualit mortor ndaj e shoqëron
tekstin me rënkime e psherëtima dhe diku më “tejë” (në kohë) edhe e këngëzon,
sigurisht me nota dhimbjeje. Në këtë
proces, fillimisht doza vajtimore është maksimale në ‘të, ndërkohë që në një
kohë të dytë, doza vajtimore pakësohet duke ja lënë vendit këngëzimit, gjer sa
arin momenti që teksti këngëzohet i tëri, me një vijë melodike dhimbjeje. Për
ta thjeshtuar kuptimin, le të parafytyrojmë një urë që lidh dy brigje, ku
bregun nga nisesh për te ura e
personifikojmë si “vajtimi” ndërsa bregun tjetër e personifikojmë me “këngën”.
Distanca e urës që përshkon njeriu për të shkuar nga (bregu i) “vajtimit” te ai
“i këngës” figurativisht është “logatja”, gjëndja e ndërmjetme mes vajtimit dhe
këngës. Vija melodike e “logatjes” sipas kohës së “ngurtësuar” në melodi ka
nota të shumta vajtimi në nisje dhe minimum nota kënge, për të aritur te pika e fundit, ku
mbizotërojnë notat e këngës karshi minimumit të notave vajtimore. Kur “zbret” në
bregun tjetër, “logatja” është e gjitha këngë. Në këtë stad muzikalisht quhet
edhe “monofoni”. Ky process nuk “mësohet”
në shkollë, ky process përjetohet në jetë. Besoj se e kini vënë re që, gati të
gjitha ligjërimet mortore të vitit të mbrapshtë ’97 u shndruan në këngë
isopolifonike. Ju siguroj se të gjitha ato kaluan nëpër “urën” e “logatjes”,
monofonisë.
III- Artisti Roland Çenko në zërin
e tij ka ngjyrime të jashtëzakonshme dhe këto ai i ka përdorur edhe te kjo
logatje me sira dhe me dashuri, gjë që i ka dhënë një timbër të ngrohtë kësaj logatjeje.
Realisht ai ka derdhur mbi këtë monofoni shpirtin dhe talentin e tij. Tashmë që
e dimë se teksti është qëmtuar nga balada e Petrit Rukës për Dilinë dhe ca më
tepër që Petrit Ruka ka ikur, ajo ngrohtësi që ka derdhur Roland Çenko te
logatja, neve nuk na ngroh, por na shkakton mornica nëpër trup e mallëngjim në
shpirt. Megjithë atë ne duhet të sqarojmë disa aspekte të logatjes, si faza e
parë e isopolifonisë.
Në rraport krahasimi midis
logatjes dhe isopolifonisë sqarojmë se:
Kënga
isopolifonike muzikalisht është gjithmon më e bukur dhe më e arirë artistikisht
se “logatja” (monofonia). Për nga vetë
natyra e saj “logatja” (monofonia) nuk është konkuruese asnjëherë me këngën isopolifonike. Logatja (monofonia)
është fëmijëria e isopolifonisë dhe duke qënë kështu, nuk është as e drejtë dhe as e llogjikëshme të kërkosh që: një fëmijë, i
cili ndërsa është duke hedhur hapat e para të tij, bëlbëzon disa fjalë gëzimi
me timbër melodik, t'a krahasosh me
melodicitetin e një artisti të sotëm të këngës isopolifonike. Suksesi i atij fëmije është hedhja e hapit të
parë, artikulimi i fjalës së parë me nuanca muzikore, pa çka se më së shumti
ajo fjalë është mbarimi i një të qari foshnjor. Ky është një hap i vogël i
fëmijës, ndërkohë që është një hap madhështor i artit oral, pse kalon nga vajtimi te kënga isopolifonike. Ky hap i
vogël fëmije është “logatja”, e cila në vijën e saj melodike ka të përzier
tingujt e fundit të vajit me tingujt e parë të këngës. Realisht dhe
“teknikisht” kjo “logatje” e Roland Çenkos është hapi i fundit ”mbi urë”, kur zbritet te bregu
i këngës.
Të krahasosh logatjen me
isopolifoninë është si të krahasosh pikturat me motive gjuetie të banorëve të
shpellave me Mona Lizën e Mikelanxhelos, të krahasosh kokat gjigande të
Ishullit të Pashkëve me kokat e presidentëve amerikanë të gdhendura në Mount
Rushmore, të krahasosh të pakrahasueshmet me epoka të tëra jete në mes tyre.
Nuk mund të krahasohet një foshnjë që
loz me top në shtëpi një futbollist. Megjithatë themi se ai
foshnja “është” fëmijëria e atij futbollisti të famshëm.
Për ta kuptuar logatjen duhet të
kuptojmë kohën që e lindi. Logatja ka një “ngashmëri” me ninullën, nëna që
këndon ninullë fëmijës mund të jetë artiste e këngës isopolifonike, por mbi
djep ajo është vetëm nënë dhe zbret te bota e fëmijës e mërmërit ninullën. Nuk
mund ti kërkohet kësaj nëne ta këndojë ninullën me grup isopolifonik mbi djepin
e të birit.
Logatja mund të këndohet si
këngë isopolifonike në ambientet e këngës, ku
arin kulmin e përsosmërinë melodike nqse këndohet nga një grup me
përvojë, ashtu si çupkat e vogëla që
arrijnë kulmin e bukurisë kur rriten e bëhen për t'u puthur nga djemtë, e jo
kur i puth nëna.
IV-Për nga vlera, të kënduarit e
një këngë monofonike është si të gjesh
një monedhë antike të artë e cila veç vlerës monetare ka dhe vlerën historike e
artistike, që ja shumëfishojnë vlerën në
rraport me një monedhë me peshë të njëjtë floriri të ditëve të sotme. Vetëm
vlera e saj historike është një vlerësim më vete.
Kënga isopolifonike është kënduar
gjithmon dhe është dëgjuar e vlerësuar nëpër koncerte e festivale, ndërkohë që
logatja ka lehtësuar gjithmon shpirtin e mbushur me vrer dhimbjeje nga mortet e
shpeshta të nënave tona. Ajo gjithnjë ka egzistuar, por ne “nuk e kemi pare”,
sepse ajo shkonte kokë ulur rrugëve të fshatit, si një vajzë e turpëshme. Tani
që nëpër skena e ngjitin artistët si Roland Çenko, mahnitemi me bukurinë dhe
njomësinë e saj. Është e vështirë të interpretosh logatjen. Në qoftë se kënga
isopolifonike erdhi nga vajtimi duke kaluar nëpërmjet logatjes, për tu
“rikthyer” nga kënga isopolifonike te logatja duhet të njohësh çdo qelizë të këngës.
Duhet të jesh Mjeshtër i Madh si Roland Çenko.
Ky arsyetim llogjik na rikthen përsëri
te Petrit Ruka dhe baladat e tij. Që të
logatej
balada e “Nënë ç’ma bëre Dilinë” duhej që ajo të ishte shkruar ndjeshëm dhe
dhimbshëm, si një vajtim mortor në kohën
e herëshme. Fakti që u përzgjodh për tu logatur dhe u realizua suksesshëm,
tregon se balada e Petritit Rukës
ka zgjuar botën “foshnjore” të popullit dhe kjo logatje (monofoni) nuk është kryevepër isopolifonike, por është e
qeshura e parë e “fëmijës” pas një vaji.
Duke shkruar këto rradhë , mu
kujtua një fjalë e Pëllumb Kullës kur
tha: “Ti je farë! Ti duhesh mbjellë Petrit Ruka”!
Nga kjo farë mbiu dhe kjo logatje (
monofoni) në repertorin e Roland Çenkos.
Sarandë, më tetor 2022
No comments:
Post a Comment