MIKEL GOJANI
LIBËR
QË THELLON NJOHJEN E VEPRAVE STUDIMORE
DHE LETRARE TË ANTON NIKË BERISHËS
Rreth
librit “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” të
studiuesit Timo Merkuri. Botoi Shtëpia Botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022
Këto ditë studiuesi nga
Saranda, Timo Mërkuri, botoi librin me titull: “Vepra që hapin horizonte të
gjera shikimi dhe frymëmarrje”- Rreth disa veprave shkencore dhe letrare të
Anton Nikë Berishës.
Librit është konceptuar
në pesë pjesë: Studiuesi i letërsisë gojore; Studiuesi i letërsisë së shkruar;
Romancieri; Poeti dhe Rreth librave kushtuar veprave të Anton Nikë
Berishës.
Duke folur për disa
vepra letrare dhe studimore të Berishës autori Mërkuri thekson se qofshin ato
poetikë, qofshin studimorë, janë krijime që të hapin horizonte të gjera shikimi
dhe frymëmarrje. Mirëpo, është fakt i rëndësishme se ato frymëzojnë për të
shkruar mbi temat e trajtuara prej tij, sigurisht për të shkruar më tej, apo
për t’i pasqyruar nga këndvështrime të tjera idetë që lindin si filiza të rinj
gjatë leximit [...] Kjo është më se e natyrshme, dashuria ndaj fjalës poetike
është më e madhe se dashuria ndaj poetit, Madje shpesh herë emri i një poeti na
kujtohet për shkak të vargjeve të tij dhe jo e kundërta.
Sipas Mërkurit, veprat
letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës i ndriçojnë një varg veçantish,
“mistere” dhe të fshehta të gjuhësisë dhe të artit të fjalës shqipe nëpër
labirintet e shekujve duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që
reflektojnë këto veçanti. Kështu, në vazhdën e këtyre vlerësimeve vihet në
dukje se këto vepra të Anton Nikë Berishës përligjin aftësi, dije të thellë dhe
vlera të mëdha, prandaj si të tilla duhet të lexohen disa herë për t’i bërë
pjesë të dijes dhe të pasurisë sate shpirtërore dhe estetike.
Letërsia gojore në
shqyrtimet e Berishës
Meqenëse Anton Nikë
Berisha njihet si studiues i shquar i letërsisë, qoftë asaj gojore, qoftë asaj
të shkruar, dhe se me veprat e botuara në këtë fushë ka lënë gjurmë të thella
në botën tonë studimore dhe shkencore, Mërkuri i ka bërë objekt studimi nga
aspekte të ndryshme. Kështu, duke folur për librin studimor të Anton Nikë
Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së
tij – Qasje këngëve kreshnike”, thekson se është një nga ato studime të rralla
që Berisha e ka bërë me përkushtim e dije, ku shpalosen shumë fakte dhe dëshmi
të rëndësishme; theksohet se Këngët e kreshnikëve i cilësojnë elemente të
periudhës së matriarkatit, pra i bie të jenë krijime para homerike dhe se janë
krijime të kombit tonë dhe dëshmi e pasurisë shpirtërore të tij. Pra, në Këngët
kreshnike provohet sistemi i vlerave
etike të shoqërisë homerike.
Mërkurit merret në
veçanti dhe me studimet e Anton Nikë Berishës “Mbi rapsoditë e botuara nga De
Rada më 1966”, që janë pjesë e librit studimor të Berisha: “Interpretime së
letërsisë së arbëreshëve të Italisë” etj., ku gjurmohen në thellësi vlera të
rëndësishme nga kjo fushë dhe të Këngës së Pal Golemit, që është një thesar
poetik.
Studiues i letërsisë së
shkruar
Në librin e vet Mërkuri
e ndriçon kontributin e prof. dr. Anton Berishës në studimin e letërsisë sonë
të shkruar, duke vështruar në mënyrë të veçantë studimin monografik “Gjon
Buzuku-poeti ynë i parë”. Që në parathënien e këtij studimi Anton Nikë Berisha
na paraqet një seri të dhënash që përligjin mendimin se vepra “Meshari nuk
është thjeshtë një përkthim i ndonjë vepre tjetër kishtare me autor përkatës,
nuk është thjeshtë një seri shkrimesh të shenjta, të përzgjedhura dhe të
përkthyera nga Gjon Buzuku e më pas të lidhura në një libër, por është më shumë
se kaq”, pohon Mërkuri. (f. 73).
Duke u marrë me Psalmet
e hartuara nga Gjon Buzuku e të botuara në “Mesharin” e tij, Mërkuri thekson se
ato nuk janë krijime të rëndomta, por të një niveli të lartë artistik të
shkruara me pasion dhe frymëzim artistik.
Në vijim studiuesi nga
Saranda na i shfaq përsiatjet dhe vlerësimet e tij rreth disa aspekteve të
studimit të Berishës “Pjetër Budi – poet dhe prozator”. Në mënyrë të veçantë
Mërkuri ndriçon afrinë e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore: “Ishte fakt:
poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e poezive të artit gojor, sepse ato
recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme festash fetare për arsye se ishin
krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj themi se për nga struktura
poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e Budit ka lidhje organike me
poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e artit ushqejnë dhe mbajnë njëra
tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë sipas strukturës së vargut gojor”
(f. 92).
Bota e pasur poetike e
romane
Në librin “Vepra që
hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”, Mërkuri i vështron dhe dy
romane të rëndësishme të Berishës: “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar
dhe “Nëna e dritës”.
Sipas tij romani “Gjin
Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar” është njëra nga veprat më të rëndësishme
të Berishës po dhe të prozës shqipe, për të cilin janë shkruar e botuar 53
punime. Kjo vepër ngërthen një stil të veçantë, i cili, siç theksonte Amik
Kasoruho, më tepër flet për “dukuri e ndjenja se për ngjarje”, ku bie në sy një
gjuhë e rrjedhshme dhe e pasur, ku dominojnë figurat e gjalla dhe të skalitura.
Mërkuri shkruan se romani “Gjin Bardhela ”[...]
ka një subjekt të ndërtuar me momentet më kulturore të historisë, si
kështjellat e vjetra të vendit tim ndërtuar me gurë pellazgjikë. “Te muret e
këtyre kështjellave s’ka vend për guralecë nivelizues apo për shtresa llaçi
lidhës. Pesha e gurëve bën vetvetiu lidhjen e mureve në atë mënyrë që, as tehu
i thikës nuk depërton dot mes tyre dhe as tërmeti nuk i ndan dot nga njëri –
tjetri. Dhe pavarësisht gjakut të derdhur në muret e tyre ndër shekuj
luftërash, pavarësisht shiut të rënë mbi to e gjyleve që shpërthenin mbi
bedena, ato emetojnë drejt kohëve të ardhme një dritë të bardhemtë, sepse janë
të bardha kështjellat tona, janë Ak Hisar, siç e quanin turqit kështjellën e
Krujës, “Kështjella e Bardhë” (f. 112).
Interesant dhe tepër
mbresëlënëse janë dhe rrëfimi për çastet e fundi të jetës së Gjon Bardhelës, i
cili nis dhe bisedon me të vdekurit, shpirti i tij takohet me shpirtrat e tyre,
merr porositë e fundit, kujton ngjarjet e përjetuara me ta, legjendat me të
cilat është rritur, dialogun me të nesërmen, një dialog që shndërrohet në një
projektim për të ardhmen. Personazhet që frekuentojnë në roman janë shpirtra
arbërorë, që në ngjallje kanë shkruar historinë e Arbrit, ndërsa pas vdekjes
s’kanë zbritur në parajsë po ferr, por kanë mbetur në kujtesën e kombit, për
t’u përcjellë brezave të ardhshëm arbëreshë veprat e tyre sublime, të
shndërruara në legjenda që u jetojnë kohërave.
Duke e vështruar
romanin “Nëna e dritës”, që i kushtohet figurës së shquar të kombit dhe të
humanizmit botëror, Nënës Tereze, Mërkuri shpalos faktin se A. N. Berisha
përmes një proze, artistike të skalitur me mjeshtëri, e shpreh figurën e saj,
ku përmbushet portreti autentik human, i ngjizur me përkushtimin shpirtëror e
hyjnor. Pra, rrugën jetësore dhe gjithë veprimin dhe flijimin e kësaj Nëne të
Dritës, e përshkon përshpirtshmëria e thellë dhe lutjet e vijueshme për paqe
dhe mirëqenie të njeriut kudo qoftë ai dhe çdo besimi që i përket.
Vargje poetikisht të
nivelit të lartë
Në pjesën e katërt të
librit studiuesi Mërkuri ka përfshirë punimet për dy librat në poezi të A.N.
Berishës, “Prushi i bukurisë” dhe “Hire të vetmisë”.
Edhe në këtë fushë
Berishës jo vetëm që zë vend të rëndësishëm në letërsinë tonë të sotme, por
njëkohësisht ka ushtruar dhe ndikim në rrjedhat e përgjithshme të saj. Mërkuri
thekson se Berisha është poet me fizionomi dhe individualitet të mëvetësishëm.
Brenda përbrenda traditës sonë letrare, Berisha krijon vargje me ngjyrim të
veçantë, që në mbështetje të përvojave të ngritura, kanë vulën e botës dhe të
shpirtit individual të poetit. Në këto poema vargjet dallojnë nga vargu
tradicional, sepse autori përdor një stil të ndryshëm nga të shprehurit
tradicional, duke ndërtuar një krijim të mëvetësishëm me një mendim të thellë
filozofik dhe vlera të larta artistike. Ngushtë lidhur me këtë studiuesi
Mërkuri konstaton se Anton Nikë Berisha është së pari një poet, krijimtarinë
poetike të së cilit duet ta dish ta lexosh për ta ndjerë dhe për të vënë
komunikim me të, sepse vargjet e tij janë të përpjeta për t’u ngjitur dhe jo
stola lulishteje për të dremitur [...] Me këtë vepër Anton Nikë Berisha na
tregon si mund të shkruhet poezia e mirëfilltë sot”.
Një frymë e ngjashme e
përshkon edhe veprën “Hiret e vetmisë”, të autorit A. N. Berisha, e cila kërkon
përqendrim për të komunikuar mirëfilli me të, përkatësisht për t’u thelluar në
kuptimin e vargjeve veç e veç dhe të veprës si tërësi, siç shprehet edhe vetë
Mërkuri: “Janë vargje në një shtrat filozofik, por njëherit fjalët janë të
kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon si “gjashtë bilbila”, dhe u
dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e dallueshme të poezia e Anton
Nikë Berishës […] Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe
përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë të madhe mendimit, një thellësi të re
gjykimit dhe një largësi dritës shumëngjyrëshe vështrimit – pasurimit tonë
poetik”.
Në fund autori ka vënë
dy punime për dy libra të autorëve që kanë shkruar për librat kushtuar veprave
të Anton Nikë Berishës. Konkretisht, për veprën e Fatmir Mingulit “Vepra që i
bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë”. Mbi disa vepra letrare dhe shkencore të
Anton Nikë Berishës (Shtëpia botuese ”Faik Konica”, Prishtinë 2019) dhe për
“Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj (Shtëpia botuese ”Faik
Konica”, Prishtinë 2021).
Marrë në tërësi mund të
them pa u mëdyshur se vëllimi “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe
frymëmarrje” i Timo Mërkurit është një libër sa i veçantë dhe me rëndësi të
shumëfishtë, po aq me vlera të pamohueshme studimore.
Klinë,
tetor 2022
No comments:
Post a Comment