KJO VJESHTA GJYSËM BEHARI
Nga Timo
Mërkuri
Ky varg është vajtuar nga Bajame
Hysit më 02 Tetor 1943 mbi trupin e të
birit Sulo Hysi (15 vjeç) vrarë në Malin
e Gjeshnikoshit në një përleshje me gjermanët, të cilët vinin të zinin vendin e
italianëve në Shqipëri. Sulo Hysi ishte efektiv i Çetës “Koto Hoxhi” me komisar
Themo Vasin e cila organizoi pritën dhe i mbajti forcat gjermane në luftë disa
orë. Në këtë përpjekje u vra Komisari Themo Vasi nga Nivan i Zagorisë , Sulo
Hysi e Rakip Bedo nga Golëmi si dhe tre djem nga Kuçi i Labërisë.
I-Lajmi i vrasjes së të birit i
vajti mëmë Bajame Hysit në Golem dhe brenda ditës ajo shkon te Qafa e Shën
Thanasit, ku mbi trupin e të birit nisi ligjërimin mortor, tekstin e të cilit
e morëm nga një postim i dt
2.10.2022 në fb i z Abaz Goxhaj po e japim më poshte:
Kjo
vjeshta, gysëm behari
më
erdh' haberi nga mali,
fliste
një në Qafë Valit:
-Hajde
moj se t’u vra djali!
Fluturova
si i marri
Kur
të gjeta djalë mali
gjaku
të rridhte nga balli,
me
shikim nga Komisari..!
dorën
kishe te gjerdani,
buzagas,
lule behari,
sikur
qe shtrirë sorkadhi.
të
mbështolla te gufari
se
më kishte pikur malli
mu
dogj zëmra, mu tha xhani
O
djal i mëmës me derte,
palose
sytë e fjete,
Çetës i le amanete,
për liri dhe ti nuk trete...
II-Qysh te
vargu i parë : “ Kjo vjeshta gjysëm
behari” befasohesh me fjalët e tekstit. Do ishte
normale
që nëna të niste vajtimin mbi trupin e të birit me ulërima, çjerrje të faqeve e
shkulje të flokëve apo edhe me përplasje të kokës gur më gur nga gjëma që e
gjeti. Mendojeni vetë, djalin pesëmbëdhjetë
vjeç në lule të moshës e gjen të shtrirë me një plumb në ballë e shokët rreth e
rreth rinë kokëulur sikur janë fajtorë për diçka. E ardhur me vrap si era nga Golëmi, e këputur nga lodhja dhe e
prerë nga lajmi, duke ju lutur zotit në heshtje që “të jetë gabim”, të mos
ishte fjala për djalin e saj ose së paku ai vetëm sa të ishte plagosur, (dinte
mëma si tja shëronte plagët të birit duke ja mbuluar me shpirtin e saj si me
gjethe mullage), pra në këtë situatë çdo nisje ligjërimi do ishte e
justifikuar. More edhe sikur të sokëllinte kundër zotit e ti tundtte grushtin
me kërcënim, hakë do kishte.
Kundër çdo hamendësimi mëmë Bajame Hysi, pasi e puthi djalin e saj në
ballë, aty te plaga, madje dhe duke shpresuar heshtazi se i biri do përmëndej
nga puthja e mëmës ose së paku do t’i dhimbte plaga e do lëvizte vendit, kur pa
që edhe kjo shpresë ishte shuar bashkë me dritën e syve të tij, u lëkund dy tri
herë si një lavjerës jete mbi trupin e të birit dhe ja nisi vajit: “ Kjo vjeshta gjysëm behari”. Sigurisht që ky varg shoqërohej me
refrenin e zakonshëm : “Unë derrëzeza”,
por kjo nuk përbën befasi. Befasia qëndron pikërisht te vargu i pare, ai varg që
tregon vjeshtën si gjysëm behar. Sot me mendje të ftohtë ne gjykojmë se tetori
i atij viti qënkish i ngrohtë “ sa gjysma
e ngrohtësisë së beharit” jo si një vjeshtë, por pyetja që na lind është se
ku pati sy mëmë Bajamia të shikonte “beharin
në vjeshtë” kur shpirtin e kishte kallkan e të ftohtë si dimër nga dhimbja
e të birit. Është hera e parë që e has këtë cilësim në vajtime (apo këngë) të
pjestuar në elementin kohor “stinë” vjeshtë dhe behar. Një pjestim i ngjashëm i
elementit sipërfaqe është shumë i pranishëm nëpër këngët tona popullore dhe i
menjëherë kuptueshëm psh.: ”Dukati gjysm’
e Misirit”, “Janinë çerek Stambolli”
etj. ndërsa për cilësimin: “ Vjeshta si
gjysëm behari”sigurisht që duhet të mendohesh pak për të kuptuar se s’kemi
të bëjmë me njësi matëse sipërfaqeje apo gjatësie por me një metaforë që zbërthehet
me një analizë të elementëve klimaterikë.
Kam thënë dhe kam shkruar se nënat
tona janë vajtore të lindura, si të
tilla janë dhe poete. Një vajtim i mirë kërkon dhe një tekst të mirë, në
kuptimin e një teksti të arirë
poetikisht. Kemi shpjeguar se vajtimet e arira, qoftë në kuptimin e një
teksti të arirë qoftë në kuptimin e vijës vajtimore (nuk mund ta quajmë
melodike) shumë lehtë shndrohet në këngë isopolifonike në një kohë të shkurtër dhe niveli i lartë i tekstit ndihmon në
mbajtjen mend të ligjërimit e shndrimit të tij në këngë edhe pas një kohe të
largët. Në këtë kuptim nënat tona, të cilat jeta i ka bërë të vajtojnë me ligjërime
gati mot për mot janë bërë mjeshtre të
thurrjes së vargjeve të ligjërimit. Në fakt ato s’kanë kohë të rinë e të
shkruajnë vargje, ndaj shpesh vargjet e
vajtimit nisin me një mbështetje në
tekste ligjërimesh të mëparëshme, por duke i përshtatur me rastin konkret. Kështu
shpjegohet që vajtoret u drejtohen maleve (Qaj
o Çikë me Gjinikë, Mali i Çikës kullon serrë etj), vendeve (O Stamboll të rëntë zjarri), objekteve (O vapor o dhogë e thatë) ose personave
konkretë (Ç’dreq e pru këtu Sulltanë)
ose dhe referimi te stinët (“Kjo bora e këtij dimri”, “Pranvera që spati
lule” etj)
Në rastet kur nënat vajtojnë bijtë
dhe bijat e tyre një arsye më e fortë i
nxit të zgjedhin fjalët e të thurin vargjet më të bukura për fëmijët e tyre të vrarë. Është ndjenja e
mëmësisë ajo që përzgjedh fjalët e
vargjeve për bijtë e tyre, është shpirti
i tyre që i përzgzjedh, në një mënyrë që
ta bëjnë sa më të zezë zinë, sa më të
dhimbëshme dhimbjen, akoma më të humnerëshme
humbjen. Qysh kur e ka patur në djep djalin (apo vajzën) ninullat e saj nëna i
mbushte plot me yjësi fjalësh, frazash e metaforash dhe ja mbulonte gjumin fëmijës plot me lulëri ëndërash.
Gjithashtu, dhimbja e humbjes së djalit është si vendosja në punë e një motori me xhirro të përshpejtuara
dhe në “laboratorin” shpirtëror të nënës vargjet vijnë vetiu, me shumicë e
shpejtësi ndaj ajo mund të vajtojë pa ndërprerje dhe për një kohë të gjatë. Ajo
do ti ligjërojë gjithë këto mendime e ndjenja të saj për të birin (ose bijën)
se i duket si i paplotë portreti i fëmijës po qe se nuk i thotë të gjitha. Është
dhimbja ajo që u jep shkëlqim shpirtëror, sepse nënat nuk vajtojnë që ti dëgjojë
bota, fshati, apo farefisi, ato vajtojnë birin e tyre, zbrazin dhimbjen që u
mblidhet në shpirt dhe gati ua plas shpirtin, si lënget me aciditet të lartë në
stomak që krijojnë plagë të rënda. Për
krijimin e tekstit vajtimor në përputhje me ambientin ku është shtrirë trupi i birit të tyre i vrarë,
nënave u mjafton një shikim në një fraksion sekonde për të bërë “fotografimin” që ato e gdhendin mjeshtërisht
në vargjet e ligjërimit. Dhimbja i “krijon” vijën vajtimore dhe shpirti i
shqipton vargjet me një ngarkesë të tillë emocionale sa që, si një tërmet dhjetë
ballë godit zemrat e burrave të pranishëm dhe shpesh ata nuk durojnë dot
goditjen e vajtimit ndaj largohen ca metra larg duke fshirë sytë e duke psherëtirë heshtazi “ulërimën që përjetojnë”.
Nuk janë të rralla rastet që nëpër morte edhe burrat më të fortë luten me lotë
në sy: “Aman moj, lere këtë vaj se na vdiqe dhe ne të gjallëve”. Nuk janë
deklarata këto që shkruaj, janë përjetime morti.
III- Le ta shohim pak më hollësisht
tekstin e këtij vajtimi. Pas vargut të parë kemi vargun që thotë: ” më erdh' haberi nga mali”, duke e lënë në errësirën e
anonimatit lajmësin. Ajo e di kush është, por ska asnjë rëndësi për tekstin e
ligjërimit. Teksti i ligjërimit është përmendorja që nëna i ngre të birit dhe
asnjë tjetër ska vend në ‘të.
“Hajde moj se t’u vra djali” i vjen si
krismë pushke lajmi i zi dhe ashtu të zi e të befta ajo i vëndos në bazamentin
e vajtimit si bazorelievë. “Kur të gjeta djalë mali/gjaku të
rridhte nga balli”
na jep momentin e tmershëm të pamjes që ju paraqit nënës para syve, por dhe në
këtë çast ajo nuk harron që i biri ishte “djalë
mali” dhe jo vetëm biri i saj i zemrës, “shpirt e xhan”. Skicimi i
portretit është i plotë dhe me ngjyra të theksuara: “me shikim nga Komisari”, jo pse do ti japë ngjyrime politike, sepse
me siguri nëna s’di gjë fare ç’janë komunistët e komisarët. Në ndërgjegjen e
saj “komisari” është portretizuar si një shok i të birit, pak më i madh se ai në
moshë, shumë më i ditur, ndaj dhe i mëson gjëra të mira. Ai, komisari është tepër i zoti në luftë dhe e ka marrë nën
kujdes djalin e saj që mos të vritet. U vra komisari, pra ju vra djali nënë
Bajames se po të ishte gjallë ai, nuk e gjente e ligë birin e saj. Madje dhe i
biri në çastin e fundit pa nga komisari me habi si e qysh u vra ai dhe me këtë
shikim mbeti i vrarë nga plumbi i pabesë. Ky është konceptimi i nënë Bajames
për komisarin e të birit vrarë në të njëjtën betejë, komisari 28 vjeçar i pari
dhe i biri i saj 15 vjeçar i dyti, të dy filiza të njomë lisash.
Pas kësaj “peneli” ligjërues vijon
portretin e të birit: “dorën kishe te gjerdani/,buzagas,
lule behari, /sikur qe shtrirë sorkadhi” duke na sjellur një valë loti nën qepalla për këtë
sorkadh të shtrirë dhe këtë lule behari të cilës qeshja i ishte hapur në buzë
si petale.
Në
qoftë se ne i mbajmë lotët nën qepalla, në atë vjeshtë të largët “si gjysëm
behari” nëna nuk duroi dot me dhe: “të
mbështolla te gufari/se më kishte pikur malli/mu dogj zëmra, mu tha xhani”.
Në
rast se ju lexues i duruat goditjet e vargjeve të mësipërme, shtrëngoni dhëmbët
fortë se ka edhe një valë tjetër më të butë në dukje, por më të dhimbëshme në
goditje:” O djal i mëmës me derte/palose
sytë e fjete”. Vargu : “Palose sytë e
fjete” ne na lë pa gjumë me madhështinë e tij dhe dhimbjen që ai mbart dhe
e shpreh aq thjeshtë.
Djali “fjeti” dhe nëna heshti që mos
tja prishë gjumin birit të saj 15 vjeçar
që i doli zot vatanit. Djalit nuk do ti dhëmbë më plaga e plumbit, është ai vetë
që do shndrohet në një “plumb që dhëmb” në shpirtin e nënës dhe ajo do ta
vajtojë për gjithë jetën, madje edhe përtejë jetës së saj, në këtë kohë që
jetojmë ne.
Ndaj, në respekt të kësaj dhimbjeje dhe
të këtij vajtimi, le të heshtin disa “komentues” fb për këtë djalë e për këta
djem.
Sarandë,
më 03.10.2022
No comments:
Post a Comment